Mixha Ramë, njeriu që përmes humorit nuk mungoi asnjëherë në shtëpitë e shqiptarëve

Mixha Ramë, ishte personazhi shumë i dashur nga publiku shqiptar. Fitim Domi aktori i lindur në Tiranë më 17 dhjetor të vitit 1939, ishte ai që jetësoi personazhin e Mixhës Ramë për disa vite radhazi në televizionet shqiptare, shkruan KultPlus.

Vdekja e tij në qershor të vitit 2014-të, pikëlloi shumë adhuruesit e Mixhës Ramë, që nuk ishin të pakët.

Ai vazhdon të mbetet në kujtesën e qytetarëve shqiptar, pasi që, ishte pjesë e shumë emisioneve humoristike në Kosovë, përfshirë edhe atë “Qesh e Ngjesh”.

Fitim Domi, ka punuar edhe si redaktor përgjegjës i programit humoristik në ish-Radio Prishtinë, ndërsa kohëve të fundit ishte angazhuar si redaktor në programin kulturor-arsimor në Radio Kosovë.

Domi poashtu është dalluar edhe si këngëtar i muzikës së lehtë qytetare.

Vajza e tij, Besa Domi, në ditën e lindjes së tij ka përkujtuar momentet me babain e saj, duke i uruar ditëlindjen përmes një postimi në “Facebook”.

“Krejt cka kom i kisha dhane, vec me e tymose edhe ka njo bashke. E me t’qaf edhe niher fort. E ti mu bo kishe su bA nami qe e ki ditelindjen. URIME DITELINDJEN Bab”, ka shkruar Domi.

KultPlus, sot po e kujton Mixhën Ramë përmes një video humoristike./ KultPlus.com

Dua Lipa kthen këngën e viteve 80’

Kënga pozitive “Physical” u ka mundësuar njerëzve arratisje nga këto kohë të pasigurta. Shkrimi i këngës përfshiu lexime të letrave Tarot dhe një shabllon të çmendur flaute. Ylli i popit i shpjegon te gjitha në “Ditarin e një Kënge”.

Me vite, tingulli dominues i muzikës pop ka qenë i sikletshëm, paranoik, i hidhëruar dhe klaustrofobik – këngë të pikëlluara e të murrme për kohëra të pasigurta. Deri sa nuk erdhi Dua Lipa.

Në dy albumet e saj të para, këngëtarja 24-vjeçare ka preferuar këngë me rritëm të shpejtë, vallëzuese dhe të hareshme, të cilat, edhe kur flasin për humbje dashurie, nxisin lëvizje, energji dhe optimizëm.

Me të drejtë, ajo e quajti albumin e saj të fundit “Future Nostalgia” (Nostalgjia e së ardhmes), i cili u publikua në mars dhe ktheu botën te popi argëtues i Lady Gaga, Katy Perry, Pink, Nelly Furtado dhe Blondie.

Por derisa muzika e re e Dua Lipës duhej të ishte muzikë e një vere të ngrohtë në podiumet e vallëzimit përreth botës, “Future Nostalgia” u publikua në një kohë të izolimit të detyruar, ku bota përpiqet të luftojë koronavirusin. Në vend se të jetë festim, albumi u bë “ilaç” për shumë njerëz, me këngë që ndriçojnë dhe ndezin dritat në shtëpitë e izoluara. Dhe asnjë nga këngët nuk e ka atë efekt më shumë se kënga “Physical”, për të cilën Dua Lipa, flet në episodin e fundit të “Diary of a Song” (Ditari i një kënge).

Kënga “Physical”, refreni dhe energjia e së cilës vjen nga hiti me emër të njëjtë i viteve të 80-ta të Olivia Newton John-it, ndodhi pak si pahiri një ditë në Los Angeles, ku Lipa u takua me një ekip bashkëpunëtorësh, përfshirë autorët Clarence Coffee Jr. e Sarah Hudson, dhe incizimi i këngës, ashtu si gjithmonë, u nis me leximin e letrave Tarot.

Producenti Jason Evigan i dha ngjyrë fillestare këngës duke përdorur shabllonet e një flaute persiane, gjersa Lipa dhe bashkautorët u përpoqën t’i përshtaten me energji pozitive dhe ritëm nxitës.

Kënga “Physical” pastaj u gdhend deri në fund nga producenti Koz, i cili punoi në detaje, e në fund erdhi inkurajimi dhe ekspertiza e trajneres së zërit dhe producentes së Dua Lipës, Lorna Blackwood. Ajo i ndihmoi në mjeshtërimin e toneve të thella dhe atyre të larta e valëzuese.

“Physical” që nga atëherë u bë hit i madh në Britani, duke e arritur numrin 3 në top listë, në javën e njëjtë kur publikoi edhe dy këngë tjera: “Don’t Start Now” dhe “Break My Heart,” të cilat gjithashtu gjeten vend në “top 10”.

Videoja e këngës është shikuar më shumë se 100 milionë herë, duke mos numëruar versionin shtëpiak me vallëzim aerobik, që mori rëndësi të posaçme në izolim gjatë pandemisë globale. /KultPlus.com

Si përshkruhej dasma shqiptare e viteve 80-të në mediat franceze

“Të qara me ulërima deri sa të dëgjonte i fundi i katundit ose i lagjes…, se kështu e donte zakoni”.

Media franceze e përshkruante ceremoninë e dasmës, të qarat e nuses si të ishte dita e saj më e tmerrshme.

Gazetari shqiptar Ilir Seci e ka publikuar foton e faqes së parë të njërës prej tyre, ku shfaqet nusja në ditën e saj më të lumtur duke qarë me sa fuqi ka.

Në krah të saj është i vëllai, i larë me lot gjithashtu, pasi po përcjell nga dera motrën e tij nuse. Një pamje “tmerri” të ditës së dasmës e përcjell në vitin 1980 një media franceze në faqen e parë të saj.

Më poshtë mund të lexoni një pjesë të tekstit të përkthyer në shqip:

“Të qara me ulërima deri sa të dëgjonte i fundit i katundit ose i lagjes…, se kështu e donte zakoni”.

Kjo është një ndër detajet e rëndësishme të ceremonisë së dasmave të vajzave shqiptare në komunizëm. Është një zakon që në fakt është trashëguar më herët.

Nuk ishte reflektim i emocionit të ditës, kur vajza lë shtëpinë e prindërve, por se përmes të qarave duhet të tregojë se sa shumë i doje prindërit e sa e “fisme” ishe, se nuk dëshiron të lije prindërit “për të shkuar të burri”, përcjell NjëKomb.

Këtë adet duhet ta respektonin të gjitha nuset, në momentin kur vëllai apo një i afërm tjetër i familjes, i merrte prej krahu për t’i përcjellë tek pragu i derës, atje ku ishin krushqit duke pritur ta marrin në dorëzim.

Në të shumtën e rasteve dhëndri mungonte mes krushqve. Nusja e dhëndëri shiheshin në fund të ceremonisë në shtëpinë e dhëndrit, madje të hënën, një ditë pas dasmës, sepse nusja merrte me vete një krushkë, e cila flinte atë natë me nusen në shtëpinë e dhëndrit”, këto zakone të ceremonisë martesore shqiptare janë përcjellë në mediet franceze në vitin 1980./ KultPlus.com