Sveçla: Hetimet e para thonë se 11-vjeçarja është dhunuar për më shumë se një vit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë për media gjatë ditës së sotme ka dhënë informacione të reja për rastin, tashmë shumë të përfolur, atë të dhunimit të një 11 vjeçare në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Sveçla ka thënë se edhe pse rasti është ende duke u hetuar, ai shton se informacionet e para bëjnë me dije, se vajza ka më shumë se një vit që është duke u dhunuar.

“Nuk mund të them saktësisht, meqenëse çështja është nën hetim por tashmë mund të them se më shumë se një vit është keqpërdor dhe dhunuar e mitura 11 vjeçare. Këto janë informatat e para”, tha Sveçla.

Ai po ashtu tha se i ka dorëzuar kërkesën kreut të Inspektoratit të Kosovës, që të gjithë hetuesit policorë të dalin si dëshmitarë për të kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur.

“Ne kemi kuptuar fatkeqësisht që nuk bëhet fjalë për një rast apo dy raste. Por bëhet fjalë për më shumë raste të keqpërdorimit dhe dhunimit të të miturës 11 vjeçare. Unë kërkesën kryeshefit të Inspektoratit kryesor të Kosovës, ia kam bërë drejtpërdrejtë në mënyrë që të gjithë të përfshirët në këtë rast edhe hetuesit policorë të paraqitën si dëshmitarë në mënyrë që institucionet e Kosovës dhe publiku të informohet drejtë për atë se çfarë ka ndodhë. Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të një pas njëshme të institucioneve përgjegjëse për ta mbrojtur të miturën dhe për të identifikuar të gjithë dhunuesit, që nuk janë arrestuar ende të gjithë ”, ka deklaruar ministri Sveçla. /KultPlus.com

Procedohet Projektligji për Pagat dhe Projektligji për Zyrtarët publik

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar së është proceduar Projektligji për Pagat dhe Projektligji për Zyrtarët publikë, shkruan KultPlus.

Këto ligje do të kontribuojnë në barazi e drejtësi brenda sistemit të administratës publike sa i takon të drejtave, profesionalizimin e administratës publike sa i takon shërbimeve dhe qëllimit se përse ekziston administrata dhe padyshim rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies, sipas Sveçlës.

Projektligjet do të kalojnë nëpër procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike, ndërsa pas miratimit në Qeveri dhe Kuvend do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Statusi i plotë:

“Procedohet Projektligji për Pagat dhe Projektligji për Zyrtarët publik

Të nderuar zyrtarë që shërbeni në institucionet publike,

Ju bëjmë me dije se sot pas një pune dinamike për shumë muaj kemi proceduar në konsultime paraprake dy projektligje:

Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe Projektligjin për Zyrtarët Publik.

Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës. Ky projektligj ngre sistemin e pagave mbi parime të afirmuara nga praktikat më të mira të kësaj fushe edhe ndërkombëtarisht.

Projektligji patjetër që reflekton edhe situatën aktuale të vendit dhe praktikën gjyqësore duke ofruar siguri juridike për parimet bazë të aplikuara.

Ndërsa, Projektligji për Zyrtarët Publik ka për qëllim kryesor rregullimin e marrëdhënies së punës të zyrtares e zyrtarit publik në institucionet e Republikës së Kosovës. Projektligji do të zbatohet për zyrtaren e zyrtarin publik duke përcaktuar shprehimisht institucionet e kategoritë që nuk janë në fushëveprimin e këtij ligji si dhe nënkategoritë që kanë status të veçantë, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen ndryshe.

Me qëllim të rregullimit adekuat të kornizës ligjore, projektligji do t’i adresojë problemet të cilat janë shfaqur në praktikë dhe në aspektin ligjor gjatë zbatimit të ligjit në fuqi për Zyrtarët Publik si dhe do të jetë në harmoni me rekomandimet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Të dyja këto ligje do të kontribuojnë në barazi e drejtësi brenda sistemit të administratës publike sa i takon të drejtave, profesionalizimin e administratës publike sa i takon shërbimeve dhe qëllimit se përse ekziston administrata dhe padyshim rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies.

Shërbimeve publike për qytetarët, bizneset dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë qëllimi parësor i rregullimit të administratës ndaj ne besojmë se ky qëllim është adresuar në këto dy nisma ligjore.

Projektligjet do të kalojnë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Presidenca reagon për sulmin në veri: Serbia do të dështojë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë

Gjatë ditës së sotme është raportuar për një sulm që ka ndodhur në veri të Kosovës drejt Policisë së vendit, transmeton KultPlus.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kanë mbajtur një konferencë për media ku edhe kanë dhënë detaje për këtë sulm.

Për këtë sulm ka reaguar edhe shefi i kabinetit të Presidencës, Blerim Vela, i cili ka thënë se këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë.

“Ditët e fundit, Serbia dhe strukturat e saj kriminale kryen disa sulme që synonin Policinë e Kosovës në veri. Këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe politike në Kosovë. Ata do të dështojnë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë”, shkruan Vela në “Twitter”. /KultPlus.com