Me një intensitet të motiveve akademike dhe romantike, BKK solli premierën “Concerto Con Brio & Untitled”

Era Berisha

Loja madhështore e Baletit Kombëtar të Kosovës u vu në pah edhe këtë herë me rastin e premierës “Concerto Con Brio & Untitled”. Një shfaqje kjo që mbrëmë doli përtej limiteve dhe depërtoi tek publiku me një elegancë të pakrahasueshme me ç’rast trupa e baletit dëshmoi për një seriozitet ndryshe në skenë si dhe për një thjeshtësi unike që në pamje dukej aq e lehtë në krijim por që në të vërtetë nuk është e tillë, shkruan KultPlus.

Trupa e Baletit të Kosovës mbrëmë ka dhënë premierën e dytë për këtë vit me një shfaqje të ndarë në dy pjesë. “Concerto Con Brio” erdhi nën koreografinë e Yannick Boquin si dhe “Untitled” erdhi nën koreografinë e Siner Gonenc. Të dyja këto pjesë shfaqën dy botë krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra por që gërshetimi i tyre rezultoi në një përfundim aq të lezetshëm.

Bardha Neziri

Salla e Teatrit Kombëtar dalëngadalë po mbushej në një numër të konsiderueshëm, ndërsa teksa ndriçimi po zbehej edhe shfaqja gjeti fillimin e saj. Qysh në fillim, ishte dizajni i dritave nga Sherif Sahiti, Mursel Bekteshi dhe Arben Aliu, ajo që kapi vëmendjen e gjithsecilit për të mos e lëshuar deri në fund. Ndërkaq, skenografia nga Aziz Maloku bëri që ende pa filluar kjo shfaqje, të sjellë një frymë të veçantë para të pranishmëve.

Gjithçka nisi me largimin e perdeve dhe ndaljen e dritave deri në një errësirë që kaploi gjithë hapësirën. Pas pak çastesh, pjesa e parë “Concerto Con Brio” mori gjithë vëmendjen e artdashësve dhe jo vetëm. Në një version të adaptuar për Baletin Kombëtar të Kosovës, koreografi Yannick Boquin ka shfaqur në pah një anë ndryshe të trupës së baletit. Një teknikë e lartë e ndarë në tri pjesë ka karakterizuar pjesën e parë të shfaqjes e cila nis me motive akademike, vazhdon tek romantikja dhe përmbyllet me një intensitet të lëvizjeve.

Bardha Neziri

Nën meloditë e muzikës së “Piano Concerto No.2” të kompozitorit Dmitri Shostakovich, “Concerto Con Brio” erdhi me një qetësi të jashtëzakonshme. Lëvizjet, hapat dhe kërcimet e trupës së baletit ndërronin brenda sekondave. Ata sollën një klasikë të pastër të niveleve botërore të cilën e interpretuan në një mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe në një anë, dukej se trupat e tyre ndërlidheshin mes vete si një fjongo e mëndafshit dhe po aq lehtësisht lëshoheshin në një vijë e cila ishte në hap me muzikalitetin.

Ndërsa, balerini Sead Vuniqi dhe balerina Jeta Musolli në një pikëtakim romantik, interpretuan në një mënyrë të mahnitshme pjesën e tyre. Me një prapavijë në ngjyrë të kaltër si dhe një platformë në ngjyrë të bardhë, të dy balerinët zotëruan skenën me prezencën e tyre. Një akt ky romantik që ngjalli emocione të shumta tek të pranishmit, dëshmoi për një dyshe e cila fuqinë e trupit të tyre të ndërlidhur me pasionin për vallëzimin, e përdorin në një mënyrë që lë gjurmë në kujtesën e çdo njeriu.

Bardha Neziri

Për këtë copëz magjie dhe gjithë pjesën e parë të shfaqjes, ishte publiku ai i cili i falënderoi ata për këtë performancë me duartrokitje të shumta si dhe brohoritje të cilat zunë vendin e tyre të posaçëm. Ndërsa, pas pauzës prej dhjetë minutash, pjesa e dytë e titulluar “Untitled” erdhi premierë botërore mbi skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe si vetë domethënia e këtij emri, ajo solli një precizitet të saktë të lëvizjeve të shumta që kapluan vendin përnjëherë.

Me përzgjedhjen e muzikës së “Symphony No.25” të kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart, koreografja Siner Gonenc ka arritur që audiencës t’i dhurojë një përfundim të mrekullueshëm.

Bardha Neziri

Premiera botërore erdhi nëpërmjet lëvizjeve të shpejta të cilat dëshmuan për një energji të lartë të balerinëve. Forca, tempoja dhe dinamika e tyre trupore në ndërlidhje me shpirtin e tyre artistik, bëri që kjo mbrëmje të luhatet mes klasikes dhe të bukurës. Ndërsa, ishin kostumet e punuara nga Vesa Kraja dhe Shemsi Avdiu, ato të cilat shtuan hijeshinë e trupës së baletit në secilin akt të performuar mbi skenë.

Përgjatë gjithsej një ore, “Concerto Con Brio & Untitled” shpalosi një anë të papërsëritshme të Baletit Kombëtar të Kosovës. Dëshmitar për këtë është edhe vetë publiku i cili krejt në fund u ngrit në këmbë për të duartrokitur me minuta të shumtë, interpretimin e mahnitshëm të balerinëve.

Bardha Neziri

Për të shprehur emocionet dhe ndjenjat pas vënies në skenë të premierës botërore, në një prononcim për KultPlus foli koreografja Siner Gonenc.

“Isha shumë e emocionuar, sepse ishte një premierë botërore dhe unë kam krijuar mbi trupën e baletit, me ta dhe së bashku. Jam shumë e kënaqur me atë që bënë dhe më pëlqeu shumë. Erdha vetëm tre javë më parë, por për shkak se pjesa e parë merrte shumë kohë, pjesa e dytë shkoi pak më shpejt. Më duhet të them, ata janë të gjithë shumë të mirë, të sjellshëm dhe gjithmonë japin zemrën e tyre. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Edhe ata që punojnë këtu, nuk mund ta mohojnë këtë”, thotë ajo.

“Pavarësisht kushteve të tmerrshme, ata ende përpiqen të bëjnë më të mirën dhe këtë nuk e shihni askund tjetër.”

Bardha Neziri

Ndërsa për të treguar më shumë për momentet e veçanta pas një shfaqjeje të tillë, për KultPlus ka folur edhe balerini Sead Vuniqi.

“Mesa e pashë unë, ndjenjat e emocionet e publikut ishin shumë pozitive. Çfarë i ka lënë atyre përshtypje ka qenë teknika jonë dhe niveli i lartë artistik duke marrë parasysh edhe nivelin paraprak për shkak të ndikimit të pandemisë dhe pauzës së dëmshme. Kjo është hera e parë që po bashkëpunojmë me këta koreografë dhe ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë por jo dhe aq i lehtë për neve për shkak të kërkesave të tyre dhe mënyrës me të cilën ata janë mësuar të punojnë”, thotë Vuniqi.

Sipas tij, trupa e baletit gjithmonë është munduar që me punë e vullnet të arrijë në nivelin që koreografët e kërkojnë nga balerinët.

“Pjesa e parë ka qenë pikërisht “shkolla” e baletit që kërkon një teknikë të lartë klasike. Ndërsa, pjesa e dytë ka sjell një lartësi të balerinëve në aspektin teknik për të krijuar diçka të re, të bukur, të gjallë dhe më të ndjeshme”, përfundon ai.

Po ashtu, balerina Jeta Musolli për KultPlus ka folur rreth përshtypjeve për koreografinë si dhe ka përmendur edhe komentet pozitive që ka marrë pas shfaqjes.

“Dua të falënderoj koreografët tanë për punën që e kanë bërë dhe që nuk janë dorëzuar asnjëherë teksa kanë punuar me neve. Ka pas momente në të cilat jemi lodhur por të paktën nuk kemi hequr dorë që edhe ne të arrijmë maksimumin tonë. Provat kanë qenë sa të lodhshme aq edhe të bukura por mendoj që publiku u nda shumë i kënaqur sonte. Ndërsa, ne në veçanti jemi shumë të emocionuar dhe mendojmë se ia kemi arritur qëllimit tonë”, thotë Musolli.

Sipas saj, pjesa e parë ka qenë një shfaqje më precize, me lëvizje të prera e të njëjta sidomos për grupet. Ndërsa, pjesa e dytë ka qenë më e lëvizshme dhe muzika ka qenë pak më e gëzuar në muzikalitet, në mënyrë që edhe ata të jenë më të lirshëm pas pjesës së parë.

“Është kënaqësi që të vallëzoj me Suadin. Ai është një nga partnerët me të cilin vallëzoj shumicën e kohës. Ka qenë një punë për të cilën jemi munduar që të dal sa më mirë dhe mendoj se ia kemi arritur mjaft bukur. Kryesorja është se ia kemi dalë që të transmetojmë një emocion tek publiku, duke marrë parasysh komentet që i morëm deri më tani”, përfundon ajo.

Shfaqja “Concerto Con Brio & Untitled” vjen reprizë sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00.

Fotografia në ballinë: Bardha Neziri / KultPlus.com

Bardha Neziri