“Time”, shfaqja që secilit balerin i dha momentin e vet në performancë, ashtu si vetë jeta

Flonja Haxhaj

Premierën e parë për vitin 2023, Baleti Kombëtar i Kosovës e dha mbrëmë me shfaqjen ‘Time’, e cila solli për herë të parë trupën e BKK-së në një stil komplet ndryshe, atë më modern e bashkëkohor.

Të sinkronizuar që nga veshja, lëvizjet e trupit e mimikat e fytyrës, me muzikën e lehtë në prapavijë që sa vinte e bëhej më dramatike, balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, nën instruksionet e koreografit Taulant Shehu, arritën të pasqyrojnë jetën në raport me kohën, për të dëshmuar edhe njëherë atë që vallëzimi di të bëjë akoma më mirë se fjalët, shkruan KultPlus.

Ndonëse publiku kishte zënë çdo ulëse në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, çdo gjë u errësua dhe ndriçimi i vetëm ishin dritat e ngrohta të drejtuara në skenë, për të përcjellë çdo lëvizje të mirëmenduar të balerinëve.

Shfaqja u paraqit në dy formacione, në atë kur balerinët luanin të vetëm, në dyshe ose treshe, dhe në formacionin kur balerinët shfaqeshin të gjithë bashkë. E veçanta e “Time” është edhe hapësira që iu dha secilit prej balerinëve, ku të gjithë patën mundësi të kenë kohën e tyre të performancës, një moment kryesor, ashtu si çdo njeri që në jetë e ka momentin e vetë. Në fakt ky ishte edhe mesazhi i kësaj shfaqje, sepse “Time” është jeta, koha që jetojmë.

Pas shfaqjes, mes emocioneve, për KultPlus foli vetë koreografi Taulant Shehu i cili me ‘Time’ shënon premierën e tij të parë në Prishtinë.

“Jam shumë i lumtur që jam në Prishtinë sot, kemi bërë një bashkëpunim fantastik me Baletin e Kosovës, është bërë një punë fantastike. Kemi pesë javë që punojmë për premierën, katër javë është punuar me asistenten time, unë kam një javë që kam ardhur në Prishtinë”, thotë Shehu duke folur për shfaqjen.

“Unë isha shumë kurioz të dija se si reagon publiku i Prishtinës dhe Kosovës, sepse ky është një stil më ndryshe nga ajo që performon zakonisht baleti i Kosovës. Me sa e pashë u prit shumë mirë”, tha më tutje koreografi duke folur për pritjen që iu bë nga publiku në Prishtinë.

Pas shfaqjes për KultPlus foli edhe drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi i cili shprehet i lumtur që trupa e baletit pavarësisht mungesës së një shtëpie, u rikthye sërish me shfaqje pas paraqitjes së fundit më 9 tetor.

“Jam shumë i lumtur që pas datës 9 tetor të vitit të kaluar, kur e kemi pasë shfaqjen e fundit në kuadër të 50-vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, sonte u rikthyem prapë para publikut në Prishtinë. Sigurisht për ata që na kanë përcjellë prej së afërmi e dinë që ne jemi në një situatë të vështirë rreth hapësirave ku performojmë sepse ndërtesa e Teatrit Kombëtar është në rinovim dhe jemi adaptuar në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, në formën që e patë sonte dhe jam tejet i lumtur që publiku këtë bashkëpunim e priti në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Kajtazi duke shtuar më tutje që nuk ka pasur asnjë dyshim që kjo shfaqje do të ketë një sukses të madh duke e marrë parasysh angazhimin e balerinëve, koreografit dhe asistentëve.

Kjo shfaqje përveç që i parapriu sezonit të ri të Baletit Kombëtar të Kosovës, e vuri trupën e BKK-së në një stil më bashkëkohor e modern, stil ky deri diku më pak i njohur për këtë trupë. Mirëpo, pavarësisht vështirësive, balerina Aulonë Nuhiu u shpreh se arritën ta përvetësojnë shumë mirë, marrë parasysh edhe rëndësinë që ka tani në botë baleti modern e bashkëkohor.

“Ishte një bashkëpunim mjaft i mirë, jemi shumë falënderues ndaj koreografit, asistentes së tij me të cilën kemi punuar katër javët e parë e në javën e fundit edhe me koreografin dhe jemi munduar ta finalizojmë shfaqjen bashkë me të. Kanë qenë javë shumë të mira dhe me shumë disponim edhe ne e falënderojmë koreografin që ka sjellë tek ne një stil krejt ndryshe”, u shpreh Nuhiu.

Ndërkaq, paraqitje të suksesshme në shfaqjen ‘Time’, pati edhe balerini Isa Beg Gjocaj. Ai shprehet për KultPlus që pavarësisht të gjitha sfidave, me përkushtim dhe punë, arritën ta japin maksimumin e tyre.

“Fatmirësisht gjithçka deri në këtë pikë kanë shkuar shumë mirë, normalisht i kemi pasë këto sfidat e përditshme sepse siç dihet akoma ne si Balet Kombëtar i Kosovës nuk e kemi një shtëpi tonën, nuk i kemi kushtet kryesore që na duhen për me shfaq artin tonë, por duke i marrë parasysh të gjitha këto, në fund ja kemi dalë të japim maksimumin tonë”, tha mes tjerash Gjocaj.

Ju kujtojmë që në shfaqjen ‘Time’ performuan balerinët: Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Donmir Bilalli, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Isa Beg Gjocaj, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Luljeta Ademi, MArigonë Hoxha Beha, Mërgime Morina, Mimoza Bytyqi, Muhamet Biklizi, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës me premierë në muajin mars

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka filluar provat për premierën e parë për vitin 2023, përcjell KultPlus.

“Time” titullohet shfaqja e cila vjen me koroegrafi nga koroegrafi dhe kërcimtari i njohur shqiptar, Taulant Shehu.

Në fotot e publikuara nga faqja zyrtare e Baletit Kombëtar, shihen balerinët gjatë provave të shfaqjes “Time”, së bashku me asistenten e koroegrafit, Diletta Antolini.

Sipas njoftimit, premiera do të shfaqet më datë 19 mars. / KultPlus.com

Në kuadër të 15 vjetorit të Pavarësisë, Baleti Kombëtar i Kosovës vjen me dy shfaqje

Në kuadër të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, do të interpretoj në dy qytete të Kosovës.

Më datë 15 shkurt luhet shfaqja “Sisters” me koreografi nga Mehmet Balkan në “Teatrin e Qytetit” në Gjilan, duke filluar nga ora 20:00.

Ngjarja tjetër mbahet më 18 shkurt. Është pikërisht shfaqja “Exil” me koreografi nga Eno Peçi që do të luhet në shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë me fillim nga ora 19:00. / KultPlus.com

BKK ka përmbyllur sot bashkëpunimin tre javorë me mjeshtrin e baletit, Vladimir Shuvalov

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka përmbyllur sot bashkëpunimin tre javorë me mjeshtrin e baletit, Vladimir Shuvalov, përcjell KultPlus.

Shyvalov i lindur dhe shkolluar në Kiev të Ukrainës, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Kroaci, ka lënë vulën e vet tek shumë trupa dhe balerinë nëpër botë, të cilët kanë pasur fatin të marrin mësime nga maestro Shuvalov.

Baleti Kombëtar i Kosovës, ndër vite ka zhvilluar bashkëpunime me artistë me renome, të cilët kanë zbarkuar në Prishtinë për të dhënë kontributin e tyre të çmuar në funksion të BKK dhe balerinëve. / KultPlus.com

Tatjana Petkovska, pjesë e historisë së nismës për të patur një institucion si Baleti Kombëtar i Kosovës

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, i shoqëruar nga Marsel Çollaku, njëri nga balerinët e gjeneratës së parë të balerinëve që kanë diplomuar në vitin 1972, ka vizituar sot në Shkup, ish-Drejtoreshën e Shkollës së Baletit në vitet 1968 – 1972, Tatjana Petkovska, për nder të 50 vjetorit të themelimit të BKK, për t’i shprehur mirënjohje për punën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që ka ofruar për edukimin e brezit të parë të balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Tatjana Petkovska ka qenë Drejtoreshë e Shkollës së Baletit në qytetin e Shkupit, kur gjenerata e parë e balerinëve të Kosovës, nga viti 1968 deri në 1972, u shkolluan në fushën e baletit, për çka, Petkovska dha kontribut të jashtëzakonshëm.

Petkovska, për arsye shëndetësore, nuk e kishte të mundur të jetë e pranishme në Prishtinë, në dt 09.10.2022, kur edhe u festua 50 vjetori i Baletit Kombëtar të Kosovës, por kontributi i saj i çmuar nuk u harrua, përkundrazi mbetet pjesë e historisë së nismës për të patur një institucion si Baleti Kombëtar. / KultPlus.com

50 vjet histori, Baleti Kombëtar i Kosovës falënderon artdashësit për kontributin e dhënë (FOTO)

Me rastin e 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, BKK-ja ka falënderuar të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre në këtë datë të rëndësishme, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni postimin e tyre të plotë:

Falënderim e mirënjohje për të gjithë ata që ishin të pranishëm në shënimin e 50 vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Kjo datë e rëndësisë së veçantë për institucionin e BKK, u bë edhe më madhështore me praninë e një numri jashtëzakonisht të madh art-dashësish dhe dashamirësh të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Falënderim e mirënjohje për të gjithë ata që në forma të ndryshme kontribuuan që Baleti Kombëtar i Kosovës, të festoj ditëlindjen e 50të.

Respekt e mirënjohje për:

– Balerinin dhe ish-Drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, z.Ahmet Brahimaj

– Gjeneratën e parë të balerinëve të Kosovës, që ishin themeltarë të baletit në Kosovë.

– Gjeneratën e re të balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët me punë e përkushtim, kanë arritur të shkëlqejnë në skenat vendore e ndërkombëtare.

– Koreografët dhe asistent-koregrafët, të cilët me kreativitetin e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën kulturore të vendit tonë.

– Kostumografëve, skenografëve, fotografëve dhe dizajnerëve të cilët e kanë pasuruar çdo shfaqje të Baletit Kombëtar të Kosovës, me kreativitetin e tyre.

– Stafin teknik-artistik, të cilët me punë e përkushtim kanë dhënë kontributin e tyre për shfaqjet e BKK në këto 50 vite.

Falënderim të posaçëm për:

Alisa Gjonin, e cila morri përsipër pjesën artistike të kësaj nate dhe vënien në skenë të baletit të parë shqiptarë “Halili dhe Hajria”

Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, Drejtorin e këtij Institucion z.Baki Jashari dhe organizatorin Dardan Noka, të cilët i dhanë përmasa spektakulare 50 vjetorit të BKK.

Dirigjentin Gridi Kraja, i cili me mjeshtri udhëhoqi orkestrën dhe balerinët në skenë, për të funksionuar në formë unike.

Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë, përkatësisht balerinët e TOB, të cilët pasuruan shfaqjen “Halili dhe Hajria” me prezencën e tyre. Drejtoreshën e TOB znj.Abigeila Voshtina, për bashkëpunimin e treguar për këtë ngjarje.

Mirupafshim në ngjarjet e radhës!

Fotografitë: E.I / KultPlus.com

9 tetori shënon 50 vjetorin e themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës

9 tetori shënon themelimin e Baletit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Trupa e parë e Baletit të Kosovës u formua në vitin 1972. Valltarët e baletit nga ky brez u arsimuan në Shkollën e Mesme të Baletit në Shkup nën udhëheqjen e drejtorit Tatjana Petkovska. Njëzetepesë kërcimtarë nga Kosova u diplomuan nga shkolla – 19 meshkuj dhe 6 femra.

Pas përfundimit me sukses të shkollimit të tyre, shumica e kërcimtarëve u kthyen në Prishtinë. Baleti i Kosovës u formua në kuadër të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Anëtarët e parë të baletit ishin: Ahmet Brahimaj, Rrustem Selca Nikçi Elez, shqip Hoxha, Asma Mulla, Selajdin Kice, Gani Loshi Jonuz Beqiraj, Hysen Podrimçaku, Rustem Bajrami, Rrustem Metaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Skender Domniku, Shaban Shabanaj , dhe Enver Berisha. Abdurrahman Nokshiqi u emërua drejtor. Më vonë, 5 balerinë femra nga Shkupi u bashkua me trupën (Nexhmije Meha Selca, Sabrije Spahiu Shkreli), si dhe dy balerinë të Kosovës (Enver Elshani dhe Jashar Berisha).

Për shkak të mungesës së valltarëve të baletit, Baleti i Kosovës gëzonte shumë artistë të ftuar nga e gjithë bota, si Anglia: Vanda Ibra, Suzan Lejk dhe Xhoana Xhenkins; Poloni: Joana Andziak, Lidija Tomashevska dhe Ana Stavnjak; Rumani: Lilana Benudau; Beograd: Vjollca Curri dhe nga Filipinet: Marja Bertlan.

Sot do të mbahet një ceremoni për të përkujtuar këtë ngjarje jubilare. Ceremonia fillon nga ora 19:00 në sallën e sportit ‘1 Tetori’ në Prishtinë./ KultPlus.com

Koreografët – ndër më meritorët për sukseset e Baletit Kombëtar të Kosovës

Ndër më meritorët për sukseset e Baletit Kombëtar të Kosovës, pa dyshim janë koreografët me të cilët BKK ka realizuar krijime të jashtëzakonshme koreografike.

Me kreativitetin e tyre, këta koreografë u bënë pjesë e rëndësishme e krijimtarisë artistike të Baletit Kombëtar të Kosovës.

BKK ka kujtuar ndër të tjera emra si: Sylvia Tomova, Sergey Arendar, Konstanin Uralsky, Artan Ibërshimi etj.

“Në vigjilje të 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, kujtojmë dhe falënderojmë të gjithë ata të cilët përmes përkushtimit e punës së tyre, lanë gjurmët të pashlyeshme përgjatë 50 viteve të ekzistencës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Baleti Kombëtar i Kosovës, do të jetë falënderues përgjithmonë ndaj jush!”, thuhet në postimin e BKK-së.

Ahmet Brahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Elez Nikçi dhe Esma Mulla përkujtohen në prag të 50 vjetorit të BKK-së

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës tashmë ka depërtuar në skenën kulturore ndërkombëtare duke mahnitur me çdo shfaqje të realizuar me mjeshtëri.

Në prag të shënimit të 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, deri më tani janë përkujtuar: Ahmet Brahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Elez Nikçi dhe Esma Mulla, shkruan KultPlus.

Në vigjilje të 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, kujtojmë dhe falënderojmë të gjithë ata cilët përmes përkushtimit e punës së tyre, lanë gjurmët të pashlyeshme përgjatë 50 viteve të ekzistencës së Baletit Kombëtar të Kosovës.

Baleti Kombëtar i Kosovës, do të jetë falënderues përgjithmonë ndaj jush!

Artist i Merituar” në vitin 1972 si Ansambli i Baletit.

Ikona legjendare Ahmet Brahimaj shërbeu si Drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës me shumë përkushtim dhe me dashuri, duke lënë pas një trashëgimi madhështore kulturore për Kosovën dhe për gjeneratat në vijim.

Gjenerata e Parë e Baletit të Kosovës përbëhej nga: Ahmet Bahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Elez Nikqi, Rrustem Selca, Selajdin Kiqe, Rrustem Bajrami, Hysen Podrimcaku, Esma Mulla, Shqipe Hoxha, Enver Berisha, Shaban Shabanaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Enver Elshani, Sabrije Spahiu, Jashar Berisha dhe Nexhmije Selca. Ato njihen për realizimin e produksioneve me sukses si: “Sokol & Mirusha”, “Halili & Hajria”, “Bolero”, “Legjenda mbi ngadhnjimin”, “Romeo and Juliet”, “Kënga e Rexhës”, “Besa”, “Don Quixote”, “Fyelltari”, “E bukura More”, etj.

Identiteti kombëtar i baletit kosovar vazhdon të forcohet dhe prezantohet me dinjitet në mbarë botën nga trupa e baletit, falë përkushtimit dhe punës së balerinëve të përkryer të Baletit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht: Aulonë Nuhiu, Abetare Hyseni, Behie Murtezi, Drilon Podrimçaku, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Liridon Mziu, Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Muhamet Bikliqi, Marigonë Hoxha, Mimoza Bytyqi, Sinan Kajtazi, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Vlora Prizreni, Teuta Krasniqi, Vjollca Lugiqi, Besarta Shaljani, Flakarta Qorri, Elmedina Berisha dhe Isa Beg Gjocaj.

Artistët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë krijuar dhe mishëruar personazhe fantastike në rolet e tyre interpretuese, duke krijuar një karakter masiv për imazhin e baletit dhe duke e pasuruar atë me forma dhe stile të reja. Ndër vite, balerinët kombëtarë të Kosovës kanë dhuruar performanca të jashtëzakonshme, që kanë mahnitur dhe entuziazmuar publikun./ KultPlus.com

Me një intensitet të motiveve akademike dhe romantike, BKK solli premierën “Concerto Con Brio & Untitled”

Era Berisha

Loja madhështore e Baletit Kombëtar të Kosovës u vu në pah edhe këtë herë me rastin e premierës “Concerto Con Brio & Untitled”. Një shfaqje kjo që mbrëmë doli përtej limiteve dhe depërtoi tek publiku me një elegancë të pakrahasueshme me ç’rast trupa e baletit dëshmoi për një seriozitet ndryshe në skenë si dhe për një thjeshtësi unike që në pamje dukej aq e lehtë në krijim por që në të vërtetë nuk është e tillë, shkruan KultPlus.

Trupa e Baletit të Kosovës mbrëmë ka dhënë premierën e dytë për këtë vit me një shfaqje të ndarë në dy pjesë. “Concerto Con Brio” erdhi nën koreografinë e Yannick Boquin si dhe “Untitled” erdhi nën koreografinë e Siner Gonenc. Të dyja këto pjesë shfaqën dy botë krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra por që gërshetimi i tyre rezultoi në një përfundim aq të lezetshëm.

Bardha Neziri

Salla e Teatrit Kombëtar dalëngadalë po mbushej në një numër të konsiderueshëm, ndërsa teksa ndriçimi po zbehej edhe shfaqja gjeti fillimin e saj. Qysh në fillim, ishte dizajni i dritave nga Sherif Sahiti, Mursel Bekteshi dhe Arben Aliu, ajo që kapi vëmendjen e gjithsecilit për të mos e lëshuar deri në fund. Ndërkaq, skenografia nga Aziz Maloku bëri që ende pa filluar kjo shfaqje, të sjellë një frymë të veçantë para të pranishmëve.

Gjithçka nisi me largimin e perdeve dhe ndaljen e dritave deri në një errësirë që kaploi gjithë hapësirën. Pas pak çastesh, pjesa e parë “Concerto Con Brio” mori gjithë vëmendjen e artdashësve dhe jo vetëm. Në një version të adaptuar për Baletin Kombëtar të Kosovës, koreografi Yannick Boquin ka shfaqur në pah një anë ndryshe të trupës së baletit. Një teknikë e lartë e ndarë në tri pjesë ka karakterizuar pjesën e parë të shfaqjes e cila nis me motive akademike, vazhdon tek romantikja dhe përmbyllet me një intensitet të lëvizjeve.

Bardha Neziri

Nën meloditë e muzikës së “Piano Concerto No.2” të kompozitorit Dmitri Shostakovich, “Concerto Con Brio” erdhi me një qetësi të jashtëzakonshme. Lëvizjet, hapat dhe kërcimet e trupës së baletit ndërronin brenda sekondave. Ata sollën një klasikë të pastër të niveleve botërore të cilën e interpretuan në një mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe në një anë, dukej se trupat e tyre ndërlidheshin mes vete si një fjongo e mëndafshit dhe po aq lehtësisht lëshoheshin në një vijë e cila ishte në hap me muzikalitetin.

Ndërsa, balerini Sead Vuniqi dhe balerina Jeta Musolli në një pikëtakim romantik, interpretuan në një mënyrë të mahnitshme pjesën e tyre. Me një prapavijë në ngjyrë të kaltër si dhe një platformë në ngjyrë të bardhë, të dy balerinët zotëruan skenën me prezencën e tyre. Një akt ky romantik që ngjalli emocione të shumta tek të pranishmit, dëshmoi për një dyshe e cila fuqinë e trupit të tyre të ndërlidhur me pasionin për vallëzimin, e përdorin në një mënyrë që lë gjurmë në kujtesën e çdo njeriu.

Bardha Neziri

Për këtë copëz magjie dhe gjithë pjesën e parë të shfaqjes, ishte publiku ai i cili i falënderoi ata për këtë performancë me duartrokitje të shumta si dhe brohoritje të cilat zunë vendin e tyre të posaçëm. Ndërsa, pas pauzës prej dhjetë minutash, pjesa e dytë e titulluar “Untitled” erdhi premierë botërore mbi skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe si vetë domethënia e këtij emri, ajo solli një precizitet të saktë të lëvizjeve të shumta që kapluan vendin përnjëherë.

Me përzgjedhjen e muzikës së “Symphony No.25” të kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart, koreografja Siner Gonenc ka arritur që audiencës t’i dhurojë një përfundim të mrekullueshëm.

Bardha Neziri

Premiera botërore erdhi nëpërmjet lëvizjeve të shpejta të cilat dëshmuan për një energji të lartë të balerinëve. Forca, tempoja dhe dinamika e tyre trupore në ndërlidhje me shpirtin e tyre artistik, bëri që kjo mbrëmje të luhatet mes klasikes dhe të bukurës. Ndërsa, ishin kostumet e punuara nga Vesa Kraja dhe Shemsi Avdiu, ato të cilat shtuan hijeshinë e trupës së baletit në secilin akt të performuar mbi skenë.

Përgjatë gjithsej një ore, “Concerto Con Brio & Untitled” shpalosi një anë të papërsëritshme të Baletit Kombëtar të Kosovës. Dëshmitar për këtë është edhe vetë publiku i cili krejt në fund u ngrit në këmbë për të duartrokitur me minuta të shumtë, interpretimin e mahnitshëm të balerinëve.

Bardha Neziri

Për të shprehur emocionet dhe ndjenjat pas vënies në skenë të premierës botërore, në një prononcim për KultPlus foli koreografja Siner Gonenc.

“Isha shumë e emocionuar, sepse ishte një premierë botërore dhe unë kam krijuar mbi trupën e baletit, me ta dhe së bashku. Jam shumë e kënaqur me atë që bënë dhe më pëlqeu shumë. Erdha vetëm tre javë më parë, por për shkak se pjesa e parë merrte shumë kohë, pjesa e dytë shkoi pak më shpejt. Më duhet të them, ata janë të gjithë shumë të mirë, të sjellshëm dhe gjithmonë japin zemrën e tyre. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Edhe ata që punojnë këtu, nuk mund ta mohojnë këtë”, thotë ajo.

“Pavarësisht kushteve të tmerrshme, ata ende përpiqen të bëjnë më të mirën dhe këtë nuk e shihni askund tjetër.”

Bardha Neziri

Ndërsa për të treguar më shumë për momentet e veçanta pas një shfaqjeje të tillë, për KultPlus ka folur edhe balerini Sead Vuniqi.

“Mesa e pashë unë, ndjenjat e emocionet e publikut ishin shumë pozitive. Çfarë i ka lënë atyre përshtypje ka qenë teknika jonë dhe niveli i lartë artistik duke marrë parasysh edhe nivelin paraprak për shkak të ndikimit të pandemisë dhe pauzës së dëmshme. Kjo është hera e parë që po bashkëpunojmë me këta koreografë dhe ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë por jo dhe aq i lehtë për neve për shkak të kërkesave të tyre dhe mënyrës me të cilën ata janë mësuar të punojnë”, thotë Vuniqi.

Sipas tij, trupa e baletit gjithmonë është munduar që me punë e vullnet të arrijë në nivelin që koreografët e kërkojnë nga balerinët.

“Pjesa e parë ka qenë pikërisht “shkolla” e baletit që kërkon një teknikë të lartë klasike. Ndërsa, pjesa e dytë ka sjell një lartësi të balerinëve në aspektin teknik për të krijuar diçka të re, të bukur, të gjallë dhe më të ndjeshme”, përfundon ai.

Po ashtu, balerina Jeta Musolli për KultPlus ka folur rreth përshtypjeve për koreografinë si dhe ka përmendur edhe komentet pozitive që ka marrë pas shfaqjes.

“Dua të falënderoj koreografët tanë për punën që e kanë bërë dhe që nuk janë dorëzuar asnjëherë teksa kanë punuar me neve. Ka pas momente në të cilat jemi lodhur por të paktën nuk kemi hequr dorë që edhe ne të arrijmë maksimumin tonë. Provat kanë qenë sa të lodhshme aq edhe të bukura por mendoj që publiku u nda shumë i kënaqur sonte. Ndërsa, ne në veçanti jemi shumë të emocionuar dhe mendojmë se ia kemi arritur qëllimit tonë”, thotë Musolli.

Sipas saj, pjesa e parë ka qenë një shfaqje më precize, me lëvizje të prera e të njëjta sidomos për grupet. Ndërsa, pjesa e dytë ka qenë më e lëvizshme dhe muzika ka qenë pak më e gëzuar në muzikalitet, në mënyrë që edhe ata të jenë më të lirshëm pas pjesës së parë.

“Është kënaqësi që të vallëzoj me Suadin. Ai është një nga partnerët me të cilin vallëzoj shumicën e kohës. Ka qenë një punë për të cilën jemi munduar që të dal sa më mirë dhe mendoj se ia kemi arritur mjaft bukur. Kryesorja është se ia kemi dalë që të transmetojmë një emocion tek publiku, duke marrë parasysh komentet që i morëm deri më tani”, përfundon ajo.

Shfaqja “Concerto Con Brio & Untitled” vjen reprizë sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00.

Fotografia në ballinë: Bardha Neziri / KultPlus.com

Bardha Neziri

Ceremoni në Ditën Botërore të Vallëzimit, Kajtazi: BKK tash e 50 vite ka dhënë kontributin e vet në pasurimin e kësaj tradite

Për nder të Ditës Botërore të Vallëzimit, mbrëmë Teatri Kombëtar i Kosovës mirëpriti një ceremoni festive e cila mblodhi rreth vetes një numër të madh të artdashësve dhe një numër të madh të balerinave të vogla të cilat për këtë ditë po shpërndanin fotografi tejet të bukura të artit të baletit që vinin të shtypura në formën e kartolinave për të pranishmit, shkruan KultPlus.

29 prilli festohet si Ditë Ndërkombëtare e Vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 lindi veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover.

Që nga viti 1982, çdo vit nëpër botë mbahen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t’i afrojë dhe miqësojë njerëzit. E kjo më së miri u dëshmua edhe mbrëmë me pjesëmarrjen e miqve artdashës të cilët shkrepnin fotografi nga çasti në çast, për të festuar këtë ditë të veçantë që iu dedikua atyre dhe jo vetëm.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi i cili përkujtoi ata që më nuk janë në mesin tonë fizikisht, për kontributin e tyre dhe pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.

“Vallëzimi është gjuha më universale e komunikimit në mes të njerëzve dhe si i tillë e zë një vend të rëndësishëm në traditën shpirtërore dhe intelektuale tek i gjithë populli. Baleti Kombëtar i Kosovës tash e 50 vite ka dhënë kontributin e vet në pasurimin e kësaj tradite ku përmes punës së palodhshme të balerinëve tanë, bashkëpunimeve me artistë nga e gjithë bota, shfaqjeve artistike të dhëna në vend e në qendra të ndryshme të Evropës, pashmangshëm është bërë pjesë e nevojës sonë kolektive por edhe pjesë e vlerave universale botërore të vallëzimit dhe kjo dëshmohet më së miri përmes faktit që BKK që nga viti 2014 është anëtarësuar në Këshillin Ndërkombëtar të Vallëzimit, organizatë kjo me seli në UNESCO”, thotë Kajtazi.

Sipas tij, duke shfrytëzuar këtë ditë dhe moment të veçantë, ai falënderoi të gjithë ata që janë dhe nuk janë në mesin e tyre fizikisht, për kontributin e tyre për pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.

“Mirënjohja ndaj tyre përveçse na nderon, shërben si model për gjeneratat e reja të kërcimtarëve të cilët kanë talentin dhe dëshirën për të nisur rrugën e vështirë por edhe të bukur të kërcimit. Në fakt, mirënjohja, falënderimi dhe motivimi i atyre që merren me gjininë e bukur të vallëzimit, në këtë rast, Baletit, është edhe qëllimi i shërbimit të Ditës Botërore të Vallëzimit që prej vitit 1982”, përfundon Kajtazi.

Ndërsa, këshilltari i ministrit të Kulturës, Librun Jupolli, tha se tashmë është bërë ndarja e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e të shumëpritur.

“Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit është festë botërore e cila është nisur nga komuniteti i vallëzimit të institutit ndërkombëtar të teatrit, partneri kryesor i arteve skenike të UNESCO-s, dhe si i tillë festohet tashmë për çdo vjet. Të dhënat më të hershme historike që tregojnë për origjinën e vallëzimit janë pikturat e shpellave në Indi që datojnë rreth vitit 8000 p.e.s. e po ashtu evidencë të tillë të vallëzimit gjejmë edhe në pikturat egjiptiane të cilat paraqesin vallëzimin rreth 3300 vite p.e.s. Baleti dhe gjegjësisht vallëzimi është gjuha e trupit tonë dhe shprehja më direkte që e kemi si qenie. Gjuha e trupit të një populli dhe kapaciteti shprehës trupor i një vendi, njihet më së miri nga valltarët e vet. Akterët tanë të profilit të vallëzimit dhe kontributi i tyre profesional janë shprehja më e lartë e fisnikërimit të shpirtit përmes lëvizjes”, thotë Jupolli.

Sipas tij, sot Kosova dhe mbarë kultura e profilit të vallëzimit njeh një histori me lëvizje që nga shekulli i njëzet me Baletin e parë kosovar ‘Sokoli e Mirusha’ nga kompozitori Akil Mark-Koci pastaj me zhvillime të tjera përgjatë shekullit njëzet ku kompozitorët vazhdojnë me kompozime të tjera të baleteve të reja.

“Në shekullin njëzet e një, po ashtu njohim edhe kompozime të baletit modern dhe produksione të tjera të ngjashme. Vallëzimi sot në Kosovë njeh edhe zhvillime të shumta në edukim dhe pedagogji të cilat padyshim që do të sjellin frytet e veta për gjeneratat e reja dhe të lartësojmë më lart, artin e lëvizjes në vendin tonë. Këtë herë, Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit koincidoi me një lajm shumë të mirë, pra me ndarjen e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme të shumëpritur e shumë merituar. Shumë shpejt vazhdojmë me konkursin arkitektonik ndërsa faza pasuese do të kryhet me efikasitet e cilësi deri në inaugurimin e ndërtesës”, përfundon Jupolli.

Ai tutje foli rreth veçantisë së 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe si rast ky i veçantë, është konsideruar të jetë i rëndësishëm për t’i kujtuar sakrificat për këtë profil të cilat janë bërë që nga shekulli njëzet me gjeneratën e të ndjerit, Abdurrahman Nokshiqi e gjerë tek vitet pasuese e drejtuesit e tjerë duke përfshirë edhe punën e të ndjerit, Ahmet Brahimaj si dhe punën e palodhshme të trupës artistike.

Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit tutje vazhduan brenda sallës së Teatrit Kombëtar të Kosovës për të shikuar dhe rishikuar edhe një herë talentin e BKK-së që lehtazi shfaqej nëpërmjet shfaqjes ‘Romeo dhe Zhulieta’, shfaqje kjo e cila pati ardhur premierë më 25 mars. / KultPlus.com

Sinan Kajtazi: Ëndrra e Ahmet Brahimaj për Baletin Kombëtar të Kosovës, duhet të jetë mison për ne

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi ka përkujtuar sot ‘babain e baletit’, Ahmet Brahimaj, përcjell KultPlus.

“Po e mbyll ditën e sotme, e po e nis rrugëtimin e ri duke bërë homazhe pranë varrit të njeriut që dha aq shumë për Baletin Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj.

Ëndrra e tij për Baletin Kombëtar të Kosovës, duhet të jetë mison për ne. Përjetësisht falenderues, profesor!”, ka shkruar Kajtazi në rrjetet sociale.

Sinan Kajtazi është një ndër balerinët e parë të trupës së baletit të pas luftës. / KultPlus.com

“Romeo dhe Zhulieta”, premiera e Baletit Kombëtar të Kosovës që kaloi përtej përsosmërisë

Era Berisha

Premierën e parë për vitin 2022, mbrëmë Baleti Kombëtar i Kosovës e solli nëpërmjet një fryme romantike, intensiteti i së cilës kaloi përtej përsosmërisë. E titulluar “Romeo dhe Zhulieta”, shfaqja erdhi me një stil tejet ndryshe nga e zakonshmja, me ç’rast modernizmi i kësaj shfaqjeje pikturoi një peizazh që vështirë se do të harrohet ndonjëherë, shkruan KultPlus.

Kulminacionin e kryeveprës së Shekspirit, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë arritur ta sjellin koreografi Konstantin Uralsky dhe asistenti i tij, Yury Romashko. Historia legjendare e shfaqjes së bazuar në dramën e Shekspirit, u shpërfaq jashtëzakonisht mirë sa që vështirësia e kërcimit në kuadër të përkthimit të mendimit në veprim, nuk ishte aspak e vështirë për trupën e baletit.

Salla e Teatrit Kombëtar dalëngadalë po mbushej me prezencën e të pranishmëve që po zinin vendet e tyre përkatëse. Ishin dritat e ndriçimit të zbehtë ato që po shoqëroheshin me padurimin e njerëzve për të parë sa më shpejt këtë premierë që pas pak do të sillte një frymë sa dramatike aq edhe pasionante. Qetësia e cila hodhi krahët mbi skenë bëri që dritat të fiken si një qiri.

Errësira ishte ajo që kaploi për pak sekonda sallën dhe u zhduk papritmas në mënyrë që shfaqja të gjente fillimin. Me hapjen pa muzikë në një mënyrë krejtësisht unike, skenografinë që portretizonte aq bukur periudhën kohore si dhe me shprehjet e fytyrës të çdo kërcimtari në skenë, Baleti Kombëtar i Kosovës shpalosi dramë, butësi, humor si dhe dhimbjen e zemrës që me një talent të mrekullueshëm, portretizohej në fytyrën e roleve kryesore, të cilët mbi skenë lanë shpirtin e tyre duke shënuar fundin e tragjedisë epike.

“Romeo dhe Zhulieta” pati një shtrirje të jashtëzakonshme emocionale. E gjithë drama vjen nga hapat dhe ndërveprimi mes personazheve në skenë dhe kjo është arsyeja pse natyraliteti i tyre i lejoi ata të jepnin diçka nga vetja për publikun. Sigurisht se shfaqja zbuloi atë se çfarë vallëzimi mund të bëjë më mirë se fjalët. Shprehja e emocioneve nëpërmjet lëvizjeve, hapave dhe teknikës së veçantë të trupës së baletit, ka skalitur trajektoren e një tragjedie me një qartësi të pashoq.

Me ndihmën e muzikës që vjen nga Sergey Prokofiev e që dukej se hynte në shpirtin e secilit të pranishëm me vrullin e saj në secilin akt e në secilën situatë, skenografinë që qysh nga fillimi publiku veçse ishte bërë pjesë e kalasë të vendosur në skenë, inkuadrimin e shpatave që shoqëroheshin me zhurmën e përplasjeve të tyre si dhe kostumet e mahnitshme të gjithsecilit, ka rrumbullakuar përsosmërinë e “Romeo dhe Zhulieta”, nivel ky që erdhi pikërisht nga Baleti Kombëtar i Kosovës, me ç’rast arriti që publiku të shndërrohet në vetë autorin e kësaj tragjedie, William Shakepare, i cili i njeh të gjitha ndodhitë, duke nisur nga fillimi, intrigat, përleshjet e deri tek fundi tragjik.

Në ndërkohë janë emocionet e ndryshme që vinë nga pjesë të ndryshme përgjatë dy orëve, ato të cilat ju marrin me vete e të dërgojnë në historinë e njohur shekspiriane me muzikë të llojllojshmërisë së vendosur. Të dashuruarit në skenën e ballkonit përcillen me muzikë jo aq intensive siç janë skenat e luftimit që kërcasin me energji e që po njëlloj janë edhe skenat e topit ku balerinët takohen ndonjëherë në kërcime të shkurtra e të ndryshme.

Në një ndriçim sa në të kuqe e herë në të kaltër, tempoja e kërcimeve të shumta fizike në ajër dhe  lëvizjeve të mprehta të ngadalta kishin kapluar sytë e buzëqeshur të të pranishmëve. Po ashtu, përgjatë dy pjesëve nuk munguan as duetet e balerinëve që treguan forcë, hijeshi por mbi të gjitha; dhunti hyjnore.

Krejt në fund, duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta nuk munguan për asnjë sekondë të vetme, kurse në anën tjetër buzëqeshjet e publikut kishin qenë të vendosura përgjatë gjithë kësaj shfaqjeje.

Për të shprehur emocionet dhe ndjenjat pas një shfaqje të tillë, në një prononcim për KultPlus, foli koreografi Konstantin Uralsky.

“Ishte një premierë shumë e mrekullueshme dhe vërtet e pabesueshme. Unë kam një ndjenjë shumë të ngrohtë dhe jam plot emocione, kështu që është vërtet e vështirë të shpjegohet sepse ajo që po ndjej është si një spektër i tërë. Gjatë performancës kam qenë pjesë e saj, kam qenë në skenë me çdo balerin në çdo moment. Gjithçka më bëri përshtypje, është një balet romantik dhe vërtet nuk mund të zgjedhësh një pjesë apo një tjetër. Ndoshta, pjesa vërtet e rëndësishme për mua është audienca dhe ajo heshtje e veçantë kur njerëzit janë plotësisht të interesuar. Unë jam shumë i lumtur”, thotë Uralsky.

Ndërsa për të treguar më shumë për ndjenjat e veçanta pas një shfaqje të tillë, për KultPlus, ka folur edhe balerini Fatmir Smani, i cili barti rolin e Romeos.

“Kjo shfaqje ka qenë njëra ndër sfidat më të mëdha në karrierën time, duke pasur parasysh kohën e shkurtër për këtë shfaqje. Vetëm tri javë për një shfaqje me përmasa të tilla, rreth dy orë dhe me vlerën që e përmban duke i mbijetuar shekujve si dhe që luhet në krejt teatrot botërore, ka qenë një sfidë më vete. Përveç kësaj, është krijuar edhe si një balet i tërë, pa ndërprerje me dy akte në krejt kuptimin e vetë dhe ka qenë sigurisht ndër shfaqjet më të gjata që e kemi pasur në repertorin e Baletit Kombëtar, andaj dhe për mua ka qenë një privilegj që ta luaj këtë rol”, thotë Smani.

Sipas tij, vështirësia e këtij roli janë ndryshimet e situatave aty për aty, emocioni, gjendja dhe për t’u arritur ky qëllim për një javë, ka qenë një sfidë për krejt trupën e baletit. Ndërsa, lëndimi i partneres së tij, Leonora Rexhepi, tri ditë para shfaqjes ishte një fatkeqësi por megjithatë çdo gjë është arritur mirë, duke u kaluar edhe kjo sfidë.

“Tashmë ka filluar një vit festiv me një shfaqje shumë të madhe ku merita kanë krejt themeluesit, sidomos i ndjeri ish-drejtori Ahmet Brahimaj, që do të doja shumë që ai të ishte sonte këtu dhe me shiju këtë shfaqje, por besoj se ai do të na përcjell, si gjithmonë”, përfundon Smani.

Po ashtu, ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Baletin Kombëtar të Kosovës, Niki Musolli, tregoi rreth përshtypjeve të tij pas shfaqjes.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që ka përfunduar gjithçka me sukses dhe nuk kam pasur asnjë dyshim se a do t’i pëlqej publikut apo jo, mirëpo çdo herë është ajo brenga se mos është pak e gjatë shfaqja apo diçka e tillë. Por për fat të mirë, të gjithëve iu ka pëlqyer dhe koreografi është jashtëzakonisht i kënaqur. Secila pjesë e shfaqjes është shumë e bukur por ndoshta pjesa e ballos është më e fuqishme duke pasur parasysh muzikën dhe vlerën që e ka në skenën e artit”, thotë Musolli.

Sipas tij, BKK është një institucion që ka përmbush gati gjysmë shekulli dhe prapëseprapë përballet me problemet e njëjta për fat të keq dhe vlerësimi që është i nevojshëm, mungon. Por ai shpreson që të kuptohet rëndësia e artit të baletit në mënyrë që t’i kushtohet vëmendja e duhur.

Gjithashtu, balerini Sead Vuniqi për KultPlus foli rreth vështirësive që janë hasur përgjatë krijimit të kësaj shfaqjeje.

“Sa i përket trupës së Baletit, jemi shumë të kënaqur duke e ditur se ka qenë një kohë shumë e shkurtër për të realizuar premierën. Nuk na ka ndodhur asnjëherë që të kemi kaq kohë të shkurtër për një projekt kaq të gjatë, afër dy orëve, por besoj se ia kemi dalur aty ku kemi dashur të arrijmë. Por, asnjëherë ne nuk jemi dorëzuar duke dhënë maksimumin tonë jo vetëm nga ana teknike por edhe me mjaft gjëra tjera”, thotë Vuniqi.

Sipas tij, dy rolet kryesore janë aq të vështira sepse kanë të bëjnë sa me anën teknike aq dhe me atë emocionale, dhe kjo i ka bërë ata që të lodhen akoma më shumë.

“Të gjithë të pranishmit duken shumë të kënaqur pas shfaqjes dhe kjo sepse u ka munguar shumë një shfaqje e tillë me një kohëzgjatje më të gjatë për arsye se të gjitha shfaqjet botërore klasike të shkurtohen për shkak të publikut. Por, koreografi ka vendosur kohën minimale diku rreth një orë e katërdhjetë minuta. Me këtë shfaqje ka ardhur një risi goxha e madhe dhe po ndihem shumë i lumtur”, përfundon Vuniqi.

Fotografia: Arben Llapashtica

Për arsye të shpalljes ditë zie në nderim të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, repriza e shfaqjes “Romeo & Zhulieta” që ka qenë e planifikuar për sot, nuk do të mbahet. Repriza e ardhshme do të jetë në muajin prill.

Fotografia në ballinë: Arben Llapashtica / KultPlus.com

Fotografia: Arben Llapashtica

BKK vjen me premierën e parë për vitin 2022, koreografi Uralsky: Do të sjellim diçka të re që do t’i përkasë vetëm këtij teatri

Era Berisha

Me një stil tejet të modernizuar dhe ndryshe nga e zakonshmja, shfaqja “Romeo dhe Zhulieta” e cila vjen si premiera e parë për vitin 2022 nga Baleti Kombëtar i Kosovës, hapjen do ta ketë në një mënyrë krejtësisht unike, me ç’rast publiku do të përjetojë një risi të pa ndjerë më parë nga trupa e baletit që do të frymojë për dashurinë nën një peizazh që i ka munguar botës deri më tani, shkruan KultPlus.

Ajo se çfarë dëgjohet qysh nga kati i sipërm së hapësirës për prova të trupës së baletit, është një muzikë sa e lehtë aq edhe intensive. Trupa e baletit në gjithë gjendjen kaotike dhe të bukur, nëpërmjet hapave, lëvizjeve trupore e kërcimeve, shpalosi dramë, butësi, humor dhe dhimbjen e zemrës që përkon me historinë legjendare të shfaqjes së bazuar në dramën e William Shakespeare.

E mbushur me luftime dramatike me shpata, hapa precize, kërcime që të lënë pa frymë e deri tek emocioni që shprehej nëpërmjet fytyrave të mbuluara me djersë të trupës së baletit, nuk ka dyshim se shfaqja do të sjell lojën mjeshtërore të emocioneve të fuqishme duke sjell në jetë jo vetëm dashurinë e dy protagonistëve por edhe mallin e humbjen së kësaj tragjedie epike.

Teksa lëvizjet dhe hapat magjepsëse të tyre lundrojnë në atmosferë, vëmendja e tyre bie direkt tek zëri i koreografit Konstantin Uralsky, i cili së bashku me asistentin e tij udhëzojnë trupën nën komandën e tyre besnike. Si një dukuri e shenjtë, vallëzimi i tyre tashmë kalonte përtej lodhjes trupore, duke u shndërruar në një kryevepër që dukshëm do të lë gjurmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës më 24 mars.

“Romeo dhe Zhulieta”, konsiderohet se do të luhet në një mënyrë tërësisht të re, në diçka që nuk është parë ende. Duke u dalluar nga stili tradicional i shfaqjes, koreografi Uralsky tenton që këndvështrimi i tij të jehojë jo vetëm mbi dashurinë e dy të rinjve, por të arrijë edhe deri tek filozofitë e tjera që ndërthuren në atë shfaqje. Andaj dhe kjo cilësohet të jetë diçka që do t’i përket vetëm Teatrit Kombëtar të Kosovës ngaqë elementet e reja po vinë për herë të parë nga vetë koreografi i cili këto elemente nuk i ka sjell asnjëherë më parë në jetën e tij.

Duke kujtuar bashkëpunimin mes Baletit Kombëtar të Kosovës dhe koreografit Uralsky në vitin 2009, ky bashkëpunim i radhës që po vjen së shpejti, duket se do të emocionojë publikun si asnjëherë më parë. Ndonëse, provat kanë filluar qysh nga dita e hënë, me një periudhë të shkurtër kohore, Baleti Kombëtar i Kosovës, beson se do të arrijë që shfaqja të gjejë fundin me një perfeksion të jashtëzakonshëm.

Për të na folur për shfaqjen, atmosferën dhe provat para një premiere që është kaq afër, për KultPlus tregon koreografi Konstantin Uralsky.

“’Romeo dhe Zhulieta’ është një kryevepër e famshme dhe e përjetshme e William Shakespeare e cila ndoshta është në skenë që nga viti 1935. Ka opera, filma, ka gjithçka, kështu që njerëzit janë shumë të njohur me historinë. Është një histori për dashurinë, jetën, vdekjen dhe konkretisht në lidhje me këtë shfaqje, ajo që po bëjmë nuk është aq e lehtë sepse nuk po përpiqemi ta bëjmë në mënyrë tradicionale, por të sjellim diçka të re. Diçka që do t’i përkasë vetëm këtij grupi njerëzish, vetëm këtij teatri. Pra, këndvështrimi im për këtë është më shumë se vetëm për dashurinë e dy të rinjve që takohen me njëri-tjetrin në një situatë shumë të diskutueshme”, thotë Uralsky.

Sipas tij, nëse e shikojmë në aspektin filozofik, në mënyrën se si paraqitet, është një balet bashkëkohor, jo domosdoshmërisht në një teknikë kërcimi sepse i përket baletit klasik bashkëkohor. Pra, ai po sjell elemente të një teatri bashkëkohor në të dhe që do të ketë edhe shumë surpriza.

“Ne do të kemi disa elemente të papritura në duart tona që do të luhen dhe kjo është arsyeja pse publiku do të jetë absolutisht i emocionuar për t’i parë ato.”

Për të, ndonjëherë njerëzit nuk mendojnë se sa lehtë mund të humbasin jetën dhe ndonjëherë performanca është jeta e tyre dhe kjo është arsyeja pse ai po përpiqet të vendosë elemente që nuk i ka bërë kurrë më parë në jetën e tij.

“Provat janë shumë emocionuese. Unë kam qenë këtu në vitin 2009 dhe shumë nga kërcimtarët janë ende të njëjtët kërcimtarë. Është shumë e mrekullueshme të punosh me një kompani të re e cila është kaq e etur për të marrë nga ju, për të mësuar nga ju dhe për të ecur përpara. Ata janë shumë të interesuar për shfaqjen dhe kjo është arsyeja pse unë po e shijoj kaq shumë”, përfundon Uralsky.

Ndërsa se si erdhi bashkëpunimi i dytë me koreografin Uralsky, na tregon edhe balerini Kreshnik Musolli.

“Bashkëpunimin e parë e kemi pasur në vitin 2009 ku mbaj mend se ka qenë një shfaqje fantastike e cila është pëlqyer mjaft shumë nga publiku dhe që nga ajo kohë kemi mbajtur një kontakt shumë të afërt me koreografin, i cili për ne është njeri shumë i rëndësishëm. E kemi parasysh se ardhja e një shtetasi amerikano-rus në atë kohë nuk ka qenë diçka e lehtë dhe për të gjithë ne ka qenë një surprizë se si kemi arritur bashkëpunimin me të. Gjithashtu, prej anës së tij, ai nuk pati ditur se çfarë të pres nga ne por mund të them se është ndarë jashtëzakonisht i kënaqur. Për këtë arsye, kur e ftova vitin e kaluar për të nisur përgatitjet për këtë shfaqje, ka pranuar ftesën me një entuziazëm të madh”, thotë Musolli.

Sipas tij, provat kanë filluar qysh nga dita e hënë dhe deri më tani materiali koreografik konsiderohet të jetë mjaft shumë i mësuar.

“Është një kohë shumë e shkurtër mirëpo jemi duke punuar intensivisht që të sjellim një premierë të suksesshme si çdo herë dhe të sjellim një këndvështrim tjetër ndaj “Romeo dhe Zhulieta”. Kjo shfaqje kësaj here është modernizuar me shumë gjëra dhe të cilat vetë ne po i mësojmë ditë pas dite për arsye se nuk na është treguar që nga fillimi saktësisht se çka do të bëjë ai. Po e shohim si një proces mjaft interesant sepse po punojmë me një koreograf me renome botërore. Është një nder që atë ta kemi në mesin tonë dhe shpresojmë që ta kemi edhe në të ardhmen”, thotë ai.

Duke pasur parasysh se Baleti Kombëtar i Kosovës ka realizuar tri premiera në një situatë pandemike dhe tani po e sjell të katërtën me radhë, Musolli tutje tregon se kjo shfaqje dhe pse e realizuar në këto kushte me të cilat janë mësuar tashmë, sjell një hapje ku ngjarjet futen dalëngadalë dhe tejet interesante përbrenda shfaqjes.

“Mënyra se ai e nis shfaqjen është tejet e bukur dhe mendoj se do të jetë një risi për publikun por edhe për balerinët që shfaqja nuk do të filloj vetëm si shfaqje por e ka edhe një fillim pak më interesant që fut ngjarjet dalëngadalë.”

Se si po zhvillohen provat për një hapje interesante dhe për bartjen e një roli kryesor siç është ‘Romeo’, për KultPlus tregon edhe balerini Sead Vuniqi.

“Kjo është java e parë që kemi nisur me prova. Për momentin gjithçka po shkon mirë dhe normal që tash problemi është se koha është shumë e limituar dhe janë diku afër njëzet ditë për të krijuar një lloj vepre siç është “Romeo dhe Zhulieta”. Jemi duke e stërzgjatur edhe provat dhe orarin në mënyrë që të arrijmë të përfundojmë procesin e punës dhe të realizojmë shfaqjen në kohë”, thotë Vuniqi.

Sipas tij, roli i Romeo-s është një privilegj për t’u luajtur dhe është një ndjenjë e mirë për shkak se është një vepër e Shekspirit, vepër kjo e veçantë që atij po i dhuron shumë ndjenja të ndryshme, duke inkuadruar dhe muzikën e çdo gjë tjetër.

“Zakonisht ne kemi shumë shfaqje të ndryshme të baletit por këto klasiket e bëjnë më të veçantë për arsye se baleti klasik është një shkollë ndryshe e një balet krejt ndryshe prej arteve tjera për arsye të sfidës që posedon. Njëkohësisht, jemi tërë kohën në tension për të bërë më të mirën sepse lëvizjet e baletit klasik janë shumë të vështira dhe gjithmonë kjo e bënë pak më të veçantë, duke nisur edhe nga ndjeshmëria dhe gjithçka rreth saj. Pra, thjesht të sjell emocione ndryshe”, përfundon Vuniqi.

Ndërsa, për të na treguar më shumë rreth rolit të saj si ‘Zhulieta’, për KultPlus foli balerina Leonora Rexhepi.

“Për të bartur rolin kryesor natyrisht është një ndjenjë shumë e veçantë dhe po ndihem shumë mirë. Pa diskutim se është një privilegj i madh dhe do mundohem ta jap maksimumin tim. Të gjitha rolet që kanë të bëjnë me dashurinë e ndjenjat, janë më të ndjeshme dhe mendoj që aty e kam pikën më të dobët dhe se mund ta jap më të mirën time”, thotë ajo.

Sipas saj, është diçka krejt ndryshe dhe mendon se do t’ia dali shumë mirë në fund, dhe pse shfaqjen të tërën në tërësi nuk e kanë parë as trupa e baletit.

“Për gjithë këto vite, ne me të vërtetë jetojmë për duartrokitjet e publikut.”

Premiera e shfaqjes “Romeo dhe Zhulieta” vjen me datë 24 mars. Ndërkaq, repriza e parë vjen me datë 25 mars. / KultPlus.com

Një koreograf rus në premierën e Baletit Kombëtar të Kosovës

Përderisa shumë festivale botërore, organizata sportive, bienale dhe shumë aktivitete të ndryshme janë duke i penalizuar pjesëmarrësit rus, Baleti Kombëtar i Kosovës ka paralajmëruar për premierën e këtij muaji, por që ka rastisë të jetë koreografi rus.

Shfaqja “Romeo dhe Zhulieta” me koreografin rus Konstatin Urlasky, është paraparë të jepet premierë më 24 mars.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Kreshnik Musolli ka thënë për KultPlus se tashmë kanë filluar provat e kësaj shfaqje.

Se nëse do të anulohet kjo shfaqje, duke pas parasysh se shumë festivale prestigjioze kanë anuluar tashmë shfaqjet, koncertet dhe shumë aktivitete tjera sportive me pjesëmarrës rus, Kreshnik Musolli ka thënë se nuk do të këtë ndonjë ndryshim.

“Kjo shfaqje ka qenë e planifikuar tash e sa muaj, ne kemi filluar provat, dhe se nuk do të ketë ndonjë ndryshim në lidhje me këtë shfaqje. Konstatin Urlasky nuk është një njeri që mbështetë Putinin, andaj nuk kem arsye që të anulojmë shfaqjen”, ka thënë Musolli për KultPlus.

Ndërkohë, përpos asaj që në këtë shfaqje ka rastistë të jetë një koreograf rus, edhe menaxhmenti i Teatrit Kombëtar i Kosovës nuk është treguar i kujdesshëm me rezervimin e datës për këtë shfaqje. Duke kujtuar që 24 marsi është datë kur edhe kanë filluar bombardimet e NATO-s në Kosovë. Lista e sporteve ku nuk mund të garojë Rusia janë : Futboll, Basketboll, Volejboll, Atletikë, Xhudo, Taekwondo, Skitari, Hokej, Patinazh, Biatlon, Not, Formula 1. // KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës bëhet me drejtor, zgjidhet Sinan Kajtazi

Baleti Kombëtar i Kosovës zyrtarisht ka një udhëheqës në krye, e ai është balerini Sinan Kajtazi, shkruan KultPlus.

Sinan Kajtazi e ka konfirmuar këtë vendim edhe për KultPlus, gjithnjë duke iu referuar vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që edhe e ka publikuar në faqen zyrtare.

KultPlus merr vesh se këtë pozitë e kanë synyar edhe katër të tjerë, por që komisioni e ka vlerësuar Sinan Kajtazin.

Sinan Kajtazi është një ndër balerinët e parë të trupës së baletit të pas luftës./ KultPlus.com

Sinan Kajtazi me Ahmet Brahimajn, ku ky i fundit e udhëhoqi këtë institucion për shumë mandate

Baleti Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me David Peden për ngritjen e nivelit tekniko-artistik të balerinëve

Baleti Kombëtar i Kosovës së fundmi ka filluar bashkëpunimin me pedagogun David Peden, përcjell KultPlus.

Pedagogu Peden do të jetë në Teatrin Kombëtar të Kosovës për 3 javë në kuadër të ngritjes së nivelit tekniko-artistik të balerinëve. / KultPlus.com

Koncerti Inaugurues i Operës së Kosovës mbrëmë solli magjinë operistike të nivelit botëror

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë nëpërmjet veprave operistike kombëtare dhe atyre botërore, duke përfshirë këtu ariet, koralet, uverturat dhe duetet e ndryshme, erdhi me inkuadrimin e sopranos Adelina Paloja, baritonit Armando Likaj, sopranos Arta Jasharit, sopranos Besa Llugiqit, mezzosopranos Flaka Gorancit, sopranos Kaltrina Miftarit, tenorit Liridon Sadriut dhe sopranos Zana Abazit, të cilët ndezën skenën si yje ndriçuese që po shpërthenin në secilën sekondë, prej momentit kur ora shënoi 19:10, shkruan KultPlus.

Koncerti inaugurues i Institucionit të Operës së Kosovës, i titulluar si “Opera Gala” portretizoi një literaturë operistike që fillimisht mbrëmë Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, shënoi nisjen e këtij koncerti të magjishëm me veprën e kompozitorit të njohur Rauf Dhomi, ‘Goca e Kaçanikut’, nën dirigjimin e Edon Ramadanit, për të vazhduar me interpretimin e veprave të kompozitorëve botërorë si: Gaetano Donizetti, Giuseppe Verdi, Wolfgang A.Mozart, Charles Gounod, Giacomo Puccini dhe Georges Bizet, nën dirigjimin e Edon Ramadanit dhe Leonardo Quadrinit, ku krahas tyre nuk mungoi as edhe vepra e mirënjohur e kompozitorit Prenk Jakova “Mrika”, duke sjellë kështu vepra të cilat fuqishëm buronin nga zëri unik i performuesve të njëpasnjëshëm e hynin thellë brenda të pranishmëve për ti futur ata brenda fuqisë mbinatyrore të struktur në çdo melodi e tingull.

Para se koncerti të fillonte, të pranishmit ngadalë po mbushnin vendet e tyre të rezervuara përballë skenës në Sallën e Sportit në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, e që kësaj radhe kjo sallë kishte marrë një formë krejtësisht ndryshe. Perdet e zeza e të lëshuara përgjatë gjithë hapësirës, reflektorët që gjithmonë ndërronin ngjyrën sipas programit, karriget blu, imazhet e shfaqura në sfondin mbrapa Orkestrës, podiumet, dritat e ngrohta e të ndezura, lulet e vendosura përgjatë skenës që rrethonte vendin ku Baleti Kombëtar do të performonte, instrumentet diversive që ishin të shtrira në karriget e vendosura për performuesit e të cilat posedonin një hijeshi të paparë kur heshtja kaplonte kohën, si dhe instrumenti i bukur ‘Harpa’ që dallohej dukshëm, ishin këto specifika që krijuan një atmosferë ku perfeksionimi kishte gjetur shtëpinë e përhershme të tij.

Ndërlidhja e dy institucioneve si ajo e Operës së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, ishte diçka aq e përsosur dhe e mistershme, saqë ajo fuqi që arti operistik e i vallëzimit e posedon në një frymë të vetme, do të përshkruhej pothuajse si një ëndërr e pashpjegueshme, në të cilën njeriu përhumbet dhe rrezikon nga mos dalja e saj. Një ëndërr si kjo e jo nga ato të zakonshmet, erdhi posaçërisht nga kjo ndërlidhje që solli ngrohtësinë, paqen, krenarinë dhe lumturinë në një koncert të vetëm.

Në skenë, të veshur me të zeza ishin instrumentistët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës të cilët së bashku me instrumentet si: violina, viola, violonçeli, kontrabasi, flauti, obo, klarineta, fagoti, korno, trumbeta, tromboni, tuba, timpani e perkusionet, përgjatë gjithë koncertit, pa ndalur, sollën interpretime të vazhdueshme të cilat i përngjanin atyre të nivelit botëror. Krahas kësaj Orkestre, ishte zëri i Korit të Filharmonisë së Kosovës, ai që plotësoi pjesën e fundit të një mozaiku operistik. Një mozaik ky tejet magjepsës që shpalosi vokalin unik të Korit dhe muzikën e veçantë mes të instrumentistëve që po performonin me një dëshirë të zjarrtë që nuk po mbaronte dot.

Në ndërkohë, veprat si: “Luicia di Lammermoor”, “La Traviata”, “Dasma e Figaros”, “Romeo et Juliette”, “Madama Butterfly”, “Dasma Arbëreshe”, “Nabucco” dhe “Carmen”, nën interpretimin e sopranove si: Besa Llugiqi, Adelina Paloja, Kaltrina Miftari, Zana Abazi Ramadani, Arta Jashari, Elona Sadiku, mezzosopranove Flaka Gorancit dhe Teuta Kurtit, tenorit Liridon Sadriu si dhe baritonit Armando Likaj, dëshmuan se porsi veshjet e tyre plot elegancë, mbrëmë vokalet e tyre po aq elegant, shpërthyen furishëm përmes teknikave mjeshtërore e lëvizjeve skenike, duke rrëmbyer zemrën e të pranishmëve, duartrokitjet dhe brohoritjet e së cilëve dëgjoheshin ende pa mbaruar veprat.

Për të treguar më shumë rreth krijimit të vendit më të mirë të mundshëm për Operën e Kosovës, për KultPlus foli kryeministri Albin Kurti.

“Sonte u dëshmua se ne kemi përmbajtje, kemi substancë, i kemi talentët tonë që kanë bërë shumë punë, kemi organizim të jashtëzakonshëm që erdhi deri te kjo mbrëmje historike për kulturën dhe artin tonë, meqenëse opera është shumë e vështirë, e këta ia kanë dalë fort mirë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky art i lartë e do edhe një infrastrukturë adekuate dhe se ata pa humbur kohë do të bëjnë hulumtimet për vendin me të mirë të mundshëm dhe gjithashtu për karakteristikat e nevojshme.

“Pra, meqë jemi në përfundim të këtij viti, pa dyshim që vitin e ardhshëm do të fillojmë përgatitjet ashtu që sa më parë të krijojmë kushtet për atë që dëshmuam sonte se nuk ngelim prapa vendeve të rajonit e mbase edhe më gjerë se kaq”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, për të treguar për përshtypjet e tij rreth koncertit dhe procesin e provave, për KultPlus foli ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Baletin Kombëtar të Kosovës, Niki Musolli.

“Jam shumë i lumtur që çdo ka shkuar sipas planit sepse ne e patëm premierën tonë para një jave e disa ditë e ka qenë goxha problematike, çështja e agjendës por për fat të mirë që është shtyrë në këtë datë dhe kemi pasur mundësi të përgatisim pjesën nga shfaqja ‘Karmen’ si dhe valësin në fund që është dashur të adaptohet nga shfaqja ‘Pushimi i Kalorësve’ me muzikë të Verdit nga Orkestra këtu”, thotë ai.

Sipas tij, provat janë mbajtur në sallën e tyre e të cilat kanë vazhduar deri në ditën e premte. Por, kjo punë e dy institucioneve, ishte tejet e madhe.

“Dy pjesët janë pjesë shumë shumë të bukura dhe janë bota komplet ndryshe nga njëra-tjetra dhe besoj se publikut i ka pëlqyer shumë”, përfundon Musolli.

Po ashtu, dirigjenti Edon Ramadani për KultPlus tregoi se si kapacitetet e të gjithë pjesëmarrësve u treguan sonte, por që të njëjtat janë treguar edhe shumë më herët.

“Ka qenë një organizim i madh duke pasur parasysh se vetëm në skenë kanë qenë rreth 120 muzicientë duke përfshirë Korin dhe Orkestrën, pastaj natyrisht dhe Baleti i Kosovës i cili e zbukuroi tërë këtë organizim e po ashtu edhe në prapaskenë ka qenë një ekip i madh i cili ka punuar për tërë këtë projekt. Kjo nuk është hera e parë që ne realisht po dëshmojmë se mundemi të fillojmë një Operë e punimin e shfaqjes operistike sepse ato janë bërë edhe më herët prandaj tani është momenti që të kemi objektet tona kur ne do të mund të ushtronim veprimtarinë tonë dhe të fillojmë me shfaqjet operistike”, thotë Ramadani.

Sipas tij, kapacitetet u treguan edhe sonte e janë treguar edhe shumë më herët.

“Pas disa vitesh, unë besoj shumë që do të kemi mundësinë që ti kemi dy Orkestra të plota, dy Kore të plota, të cilat do të mund të funksionin edhe në mënyrë të pavarur pa problem. Ishte një program operistik meqenëse ishte festimi i inaugurimit të Operës së Kosovës e veçoria e këtij programi ishte repertori tejet i larmishëm”, përfundon ai.

Kurse, mezzosporanoja Flaka Goranci për KultPlus ka thënë se për të ka qenë një ndjenjë e veçantë këndimi për inaugurimin e institucionit të Operës të Kosovës.

Sipas saj, kjo mbrëmje arrin të krahasohet me koncerte shumë me të mëdha që zhvillohen në vende të tjera dhe të tilla që marrin epitetin si gala-koncerte.

“Mendoj që tash na pret një punë mjaft e madhe. Ne kemi parë që kemi gjithë trupën për të krijuar një shtëpi të operës dhe mendoj se patjetër do të jetë punë e madhe e Qeverisë për të arritur të ndërtojë shtëpinë, një objekt si secili institucion që e ka shtëpinë e tij”, ka thënë ajo.

Opera e Kosovës e solli këtë koncert në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.

Fotografitë: Majlinda Hoxha & Arben Llapashtica / KultPlus.com

“Tanzminiaturen & Tangata”, premiera e dytë e Baletit Kombëtar të Kosovës për këtë vit

Baleti Kombëtar i Kosovës së shpejti shfaq premierën e dytë për vitin 2021 të titulluar: “Tanzminiaturen” dhe “Tangata”, përcjell KultPlus.

Premiera “Tanzminiaturen” dhe “Tangata” vjen nën koreografinë e Ricardo Fernando dhe asistentes Christine Ceconello, duke u shoqëruar nga meloditë e muzikës së J.S.Bach dhe Astor Piazzollës.

Ndërsa, kostumet janë realizuar nga Ricardo Fernando e po ashtu edhe dizajni i ndriçimit dhe skenografisë.

Premiera shfaqet ditën e enjte në orën 19:00. Kurse, repriza e parë shfaqet të premten duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com

Ahmet Brahimaj nderohet me pllakatën ‘Post Mortum’ nga shoqata ‘Artal’ në Tetovë

Shoqata ‘Artal’ ka nderuar ish-drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj me pllakatën ‘Post Mortum’, përcjell KultPlus.

Në postimin e Baletit Kombëtar të Kosovës, thuhet se Brahimaj u nderua për ndihmën dhe kontributin e dhënë në realizimin e Festivalit ndërkombëtar “Meridians” në Tetovë.

KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:

Ish Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës – Ahmet Brahimaj u nderua nga Shoqata “Artal” me pllaketën Post Mortum për ndihmën dhe kontributin e dhënë në realizimin e Festivalit ndërkombëtar “Meridians” në Tetovë./KultPlus.com

Çeku: Ahmet Brahimaj mbetet një prej heronjve tanë popullor që i kanë dhënë shpirt vendit tonë

Në një vjetorin e vdekjes së Ahmet Brahimaj, Baleti Kombëtar dha reprizën e shfaqjes “Sisters” ku Ministri Hajrulla Çeku pati nderin t’i ndaj disa fjalë.

Fjalimin e plotë të ministrit e gjeni më poshtë:

“E nderuara zonja Brahimaj,

E nderuara familja Brahimaj,

Balerin dhe miq të Baletit Kombëtar,

Zonja dhe zotërinj,

Shfaqja e natës së sontme iu dedikua të ndjerit Ahmet Brahimaj, një prej figurave kyçe të zhvillimit të baletit në Kosovë, fillimisht si pjesëtar i gjeneratës së parë të baletit dhe më pas si drejtor i institucionit.

Ahmeti, me kontributin e tij jetësor në kulturë, mbetet një prej heronjve tanë popullor që i kanë dhënë shpirt vendit tonë. Ai i takon gjeneratës që e ka mbajtur kulturën gjallë me rezistencë dhe devotshmëri.

E kemi parë edhe në situatë pandemike që pa art dhe kulturë, muzikë dhe vallëzim, jeta është e thatë. Baleti në Kosovë, si medium, është kulmi i disiplinës, kapaciteteve fizike, ekselencës njerëzore.

Gjatë udhëheqjes së tij si drejtor, Baleti Kombëtar ngriti zërin tonë në botë. Trupa e baletit ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar ndërkombëtarë, performoi anembanë Evropës, por më e rëndësishmja, u ofroi qytetarëve tanë netë të paharrueshme muzikore.

Pa figura si Ahmet Brahimaj, baleti kosovar do të dukej shumë ndryshe. E gjithë kultura kosovare e çmon, dhe i gjithë populli i Kosovës e nderon punën dhe figurën e tij në këtë përvjetor.

Për baletin kosovar, ai e bëri pjesën e tij, bile në mënyrë të jashtëzakonshme. Tani është radha jonë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ahmet Brahimajn.” / KultPlus.com