Përurohen fermat në lagjen Ulpiana, Kosovare Sadiku Ahmeti: Fermat urbane me një rëndësi të veçantë për krejt komunitetin

Ka filluar mbjellja e fermave urbane në lagjen Ulpiana, mbjellje që u realizua bashkë me komunitetin e që është organizuar nga YARL (Youth are the real leaders) në bashkëpunim me OSCE (Misioni në Kosovë), Drejtoria e Parqeve dhe Hapësirave Publike (Komuna e Prishtinës), Fakulteti i Bujqësisë dhe nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina”, projekt ky që synon të nxisë ndërgjegjësimin për mjedisin, sigurinë në ushqim dhe të promovojë mjedise urbane të gjelbra dhe të shëndetshme nëpërmjet gjithëpërfshirjes, shkruan KultPlus.

Me pjesëmarrjen e fëmijëve, personave me nevoja të veçanta, përfaqësues nga OSCE, Komuna e Prishtinës dhe kalimtarë të rastit, në mëngjesin e së dielës është bërë inaugurimi i fermave urbane, ku të gjithë pjesëmarrësit kanë mbjellë lule të ndryshme, dredhëza dhe fidanë, të cilët, nëpërmjet këtij aktiviteti kanë përçuar mesazhin se edhe në mes të qendrës mund të punohen ferma të vogla, për të cilat duhet një kujdes i vazhdueshëm.

Kosovare Sadiku Ahmeti, drejtoreshë e YARL, e cila është edhe nismëtare e këtij projekti ka thënë para të pranishmëve se ky projekt ka nisë qysh në vitin e kaluar, fillimisht me inaugurimin e këndit të lodrave për njerëzit me nevoja të veçanta, e deri te krijimi i fermave urbane, që ka ardhe si rezultat i komunikimit të përbashkët me komunitetin e lagjes Ulpiana.

“Është e rëndësishme se këto aktivitet krijojnë komunikim mes banorëve të blloqeve, dhe në të njëjtën kohë sjellin fermat nga viset rurale në ato urbane”, ka thënë Sadiku Ahmeti.

Sipas saj është një mundësi e mirë që në këtë projekt janë përfshirë gjenerata të ndryshme, dhe përpos mbjelljes është edhe një ngritje e vetëdijes për një ushqyerje të shëndetshme.

Ajo ka potencuar se me këtë rast janë inauguruar tri ferma, ferma për fëmijët, ferma për njerëzit me nevoja të veçanta dhe ferma për kultura të veçanta.

Aktivitetin e kanë përshëndetë edhe përfaqësues nga OSCE dhe Komuna e Prishtinës, ndërkohë në procesin e mbjelljes kanë ndihmuar dy studentë te Fakultetit të Bujqësisë.

Ferma urbane është inauguruar në afërsi të KultPlus Caffe Gallery, ku paraprakisht është krijuar edhe shtegu për personat me nevoja të veçanta, kështu duke ndërlidhë kultura të ndryshme në një vend, me qëllim të përmirësimit të kushteve për të gjithë komunitetin. / KultPlus.com

Bashkë me komunitetin, YARL do të fillojë mbjelljen e fermave urbane në lagjen Ulpiana

Po fillon mbjellja e fermave urbane në lagjen Ulpiana, mbjellje qw do tw bwhet bashkw me komunitetin e qw po organizohet nga YARL (Youth are the real leaders) në bashkëpunim me OSCE (Misioni në Kosovë), Drejtoria e Parqeve dhe Hapësirave Publike (Komuna e Prishtinës), Fakulteti i Bujqësisë dhe nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina”, projekt ky qw synon të nxisë ndërgjegjësimin për mjedisin, sigurinë në ushqim dhe të promovojë mjedise urbane të gjelbra dhe të shëndetshme nëpërmjet gjithëpërfshirjes.

“Bashkëpunimi me komunitetin e lagjes Ulpiana dhe personat me aftësi të kufizuara është prioritet i këtij projekti. Gjatë kësaj ngjarje do të keni mundësi të mësoni rreth praktikave të qëndrueshme bujqësore dhe të kontribuoni në rritjen e produkteve të freskëta në lagjen Ulpiana”, thuhet në njoftimin YARL.

Më poshtë po ju sjellim detajet e kësaj ngjarje që do të mbahet të dielën, prej orës 09:00.

Pavarësisht nëse jeni banor të lagjes Ulpiana, aktivist i mjedisit ose jeni thjesht kurioz për bujqësinë urbane, kjo ngjarje është e hapur për të gjithë. Nuk kërkohet përvojë paraprake, pasi ekipi ynë do t’ju udhëheqë gjatë procesit të mbjelljes.
Sillni entuziazmin tuaj dhe veshje të rehatshme për aktivitete në natyrë, ndërsa, ne do të ju ofrojmë të gjitha mjetet dhe materialet e nevojshme për punë.

Mos e humbisni këtë mundësi të jashtëzakonshme për të bërë një ndikim pozitiv në lagjen Ulpiana dhe për t’u lidhur me individë me të njëjtin mendim, të cilët ndajnë një pasion për qëndrueshmërinë urbane.
Ftoni miqtë tuaj dhe le të mbjellim farat e ndryshimit së bashku!

Data: 09.07.2023 (E diel)
Ora: 09:00
Vendndodhja: Lagjja Ulpiana, afër Kult Plus

Për më shume informata ju lutem na kontaktoni nëpërmjet email: [email protected]

Mezi presim të ju takojmë!

YARL (Youth are the real leaders)/ KultPlus.com

YARL: Një edukim i përgjithshëm për arkitekturën dhe kulturën, është i domosdoshëm në Kosovë

Era Berisha

Ndikimi i formave të ndryshme të arit, prezantimi i funksioneve dhe gjendjes së detajuar të objektit ‘Shtëpia e Herticëve’, roli i të rinjve dhe politikat rinore për trashëgiminë kulturore, diskutime rreth nevojës për rritjen e vetëdijesimit rreth arkitekturës dhe ndërtimtarisë, rëndësia e dokumentimit dhe vlerat e objekteve në hapësira publike dhe private, ishin këto tema kyçe të cilat u shpalosën dje në panelin e diskutimit të organizuar nga OJQ YARL (Youth are the real Leaders) në Bibliotekën e Qytetit ‘Hivzi Sylejmani’, shkruan KultPlus.

Ky diskutim nisi me prezantimin e objektit ‘Shtëpia e Herticëve’, objekt ky që hyn me numrin 3587 në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore nga Minsitria e Kulturës, Sporti dhe Rinisë. I ndërtuar në vitin 1989 ruhet si objekt i përkohshëm, me ç’rast duhet të shkruhet e të dokumentohet vlera historike e arkitektonike e shtëpisë, aspekti turistik, faktorët ekonomik për përhapjen e kulturës dhe historisë shqiptare.

Dashamirë të arkitekturës dhe jo vetëm patën rastin të dëgjojnë edhe nivelet e arritjes të 3 panelistëve si: drejtoresha ekzekutive e ‘YARL’ dhe arkitektja Kosovare Sadiku, drejtori i Institutit Arkeologjik Enver Rexha dhe specialistja e trashëgimisë arkitekturore në kuadër të MKRS-së, Gjelane Hoxha.

Arkitektja Sadiku nisi këtë diskutim duke u shprehur se është një kënaqësi e madhe që po ndodhin këto mbledhje përsëri për arkitekturën pas një pauze 5 mujore për shkak të situatës pandemike.

“E dimë që mjaft shpesh kemi parë rolin e shoqërisë civile dhe organizatave të ndryshme që patën një sukses mjaft të madh në sport apo tjera fusha. Kësaj here ne menduam që të bëjmë një ndryshim për arkitekturën prandaj kjo është sesioni i parë në një seri të sesioneve tjera duke filluar nga trashëgimia kulturore arkitekturore, termet arkitekturore, hapësirat publike e dimensionet e tjera ku përfshihemi të gjithë’’, ka thënë Sadiku.

Sipas saj, pjesëmarrja e të pranishmëve që vinë nga profesione të ndryshme do të kenë një ndikim në promovimin e arkitekturës dhe trashëgimisë në përgjithësi. Prandaj, bashkërisht duhet të ndodhin ndryshime në fushën e arkitekturës dhe të njihet puna ekipore.

“Është e arsyeshme që arkitektura të diskutohet qysh nga grup moshat më të reja në mënyrë që arkitektura të vlerësohet sepse këta fëmijë nesër mund të jenë përfaqësues të institucioneve, investitorë apo edhe profesionistë. Prandaj, një edukim i përgjithshëm për arkitekturën dhe kulturën, është i domosdoshëm”, thotë Sadiku.

Për Sadikun, vëmendja për hapësirat e përgjithshme e të përbashkëta duhet të diskutohet jo vetëm me arkitektë por me të gjithë pa dallim. Prandaj, Muzeu Shtëpitë-Shkolla është një objekt ku të rinjtë arkitektë e student mund të studiojnë, hulumtojnë, analizojnë zgjedhjen e duhur e dokumentojnë këto objekte.

Ndërsa, drejtori i Institutit Arekologjik, Enver Rexha ka treguar për iniciativat e para që trashëgimia arkeologjike të dashurohet ende më shumë.

“Ne kemi pasur fatin që ta iniciojmë së bashku me Muzeun e Kosovës për trashëgiminë arkeologjike, iniciativa këto nga viti 2005 ku u formuan disa improvizime arkeologjike me fëmijët parashkollorë e deri tek shkollat e mesme derisa kemi dalur në ndërmarrjet praktike”, ka thënë Rexha.

Sipas tij, është organizuar një lloj i muzeut mobil ku ka funksionuar si një iniciativë që ka dhënë rezultat dhe gjithsej 5 studentë janë në nivel të studimeve ndërkombëtare është synuar dashuria për arkeologjinë dhe studimet e mëtutjeshme për këtë drejtim.

“Edhe pse gjendja jonë nuk është shumë e mirë sepse kemi kaluar faza me riorganizimin e institucioneve dhe plotësimin e kriterit për një staf profesional në disa lëmi. Por, ekzistojnë disa organizata dhe institucione që mund të ballafaqohen me këto kërkesa dhe qasjet e promovimit të shpërndahen edhe në lokalitete tjera”, përfundon Rexha.

Krejt në fund, edhe specialistja e trashëgimisë arkitekturore, Gjelane Hoxha është shprehur se potenciali i Kosovës konsiderohet mjaft i lartë për një formësim të duhur rreth trashëgimisë ndërtimore.

“Potenciali që e posedon vendi ynë me krijimtari ndërtimore mijëvjecare kërkohet arkitekti, prandaj cilësohem si arkitektja e parë që kam lënë rrugën e projektimit si studentja më e mirë dhe kam udhëtu në formësimin tim shumë të vështirë në fushën e vlerësimit dhe ruajtes së trashëgimisë ndërtimore”, ka thënë Hoxha.

Sipas saj, pendimi nuk ekziston sepse qysh në fillim të karrieres së saj është punësuar në Institutin e Kosovës dhe i është ofruar vetëm një letër e bardhë ku nuk i ka munguar vështirësia por as kënaqësia.

“Rëndësia e trashëgimisë kulturore në përgjithësi e në veçanti trashëgimia ndërtimore është pjesë integrale e të drejtës tonë historike në territorin e Republikës së Kosovës. Trashëgimia kulturore i përket njerëzve sepse njerëzit e krijojnë dhe kultivojnë atë”, përfundon Hoxha.

Përgjatë këtij diskutimi është bërë e ditur se organizata YARL, këtë vit do të fokusohet kryesisht në arkitekturë ku do të inkuadrohen ekspertë të ndryshëm të angazhuar në fusha të ndryshme si dhe përveç sesioneve do të organizohet edhe edicioni i 2 i ‘Architect Festival’, edicion ky që ka për qëllim përfshirjen e trajnimit për të rinjtë në fushat e ndryshme të arkitekturës të cilat janë në mungesë në nivelin arsimor dhe universitar ku me trajnime të ndryshme tentohet të ofrohet plotësimi i këtyre mangësive nga sistemi i edukimit në vend, përfshirja e qytetarëve në ridizajnimin e hapësirave të përbashkëta si dhe bashkëpunimi me institucionet lokale që do të ndodhin në qytete të ndryshme të Kosovës.

Ky event është mundësuar me përkrahje teknike nga OSBE, Misioni në Kosovë. / KultPlus.com