Mban “fronin” prej 18 vitesh, shpallet aeroporti më i mirë në Europë

Aeroporti i Zyrihut është vlerësuar si aeroporti më i mirë në Europë, nga The World Travel Awards, programi që konsiderohet si organizmi ndërkombëtar kryesor për vlerësimin e sektorit të udhëtimeve dhe turizmit global.

Aeroporti më i madh i Zvicrës mban këtë titull për të 18-in vit radhazi, që prej vitit 2004. Ai ka një infrastrukture moderne dhe është vetëm 11 minuta me tren larg nga qendra e qytetit.

Programi prestigjioz që vlerëson industrinë e turizmit, linjat ajrore dhe hotelerinë thotë se aeroporti u vlerësua edhe këtë vit për shkak të zbatimit të një game të gjerë të protokolleve të shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve dhe punonjësve gjatë pandemisë së Covid.

Masat për mbrojtjen e udhëtarëve dhe stafit përfshinin ndër të tjera sigurimin e paneleve ndarëse në sportelet e kontrollit dhe mbi 200 stacione higjienike me maska dhe dezinfektues.

Aeroporti i Zyrihut është gjithashtu një nga liderët në fushën e mbrojtjes së klimës. Duke filluar që nga viti 1991 për të vlerësuar konsumin e energjisë dhe emetimet klimatike, deri më sot aeroporti ka reduktuar emetimet e karbonit me pothuajse 50%. / KultPlus.com

Së shpejti publikohet albumi “Mount Angeles” nga grupi zvicerian me solistin e njohur shqiptar

Këngëtari shqiptar Altin Asllani, bashkë me grupin e tij zvicerian “Pablo Infernal” do të publikojnë albumin e tyre më të ri muzikor.

Projekti titullohet “Mount Angeles” dhe pritet të lançohet më 17 shtator 2021. Pjesëmarrëse në këtë realizim, ka qenë edhe artistja shqiptare e grafikës Arbnore Toska, e cila jeton dhe ushtron profesionin e saj në Zvicër.

“Një album i ri po vjen “Mount Angeles” do të dalë më 17 shtator dhe ne do ta festojmë atë në përputhje me rrethanat, prandaj sigurohuni që t’i ruani këto data tani: 17.09.2021, lançimi i albumit dhe 05.11.2021 koncert në Zyrih. Faleminderit  Arbnore Toska për punën e mahnitshme”, shkruan grupi në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Parisi dhe Zyrihu i bashkohen qyteteve me koston më të lartë të jetesës në botë

Parisi dhe Zyrihu iu bashkuan Hong Kongut në radhët e qyteteve me kosto jetese më të shtrenjtë në botë, ndërkohë që Singapori dhe Osaka i kanë lënë vendin në treshen kryesuese, pas një studimi të publikuar nga e përjavshmja “The Economist”.

Lëvizja më e madhe u regjistrua nga Teherani, që u ngjit me 27 vende për shkak të impaktit të sanksioneve amerikane, sipas raportit për koston e jetesës në botë, publikuar nga “The Economist”.

Impakti i pandemisë mbi dollarin është faktori kryesor i ndryshimit të kostos së jetesës në shumë vende, nënvizon raporti.

“Pandemia e COVID-19 ka shkaktuar zhvlerësim të dollarit amerikan, ndërkohë që monedhat në Europën perëndimore dhe apo Azisë Veriore janë forcuar, gjë që ka pasur pasoja në çmimet e mallrave dhe shërbimeve”, thekson Upasana Dutt, një nga drejtueset e studimit.

“Parisi dhe Zyrihu iu bashkuan Hong Kongut në krye të klasifikimit për shkak të rritjes së euros dhe frangës zvicerane në raport me dollarin”, vlerëson raporti, që thekson se çmimet në Singapor kanë pësuar rënie për shkak të kërkesës më të ulët pas një eksodi të punëtorëve të huajt.

“Në Osaka, çmimet e konsumit kanë ngecur dhe qeveria japoneze ka subvencionuar kosto të tilla si transporti publik”, vijon raporti.

Në SHBA, Nju Jorku humbi një vend për ta gjetur veten të barazuar në vendin e shtatë me Gjenevën, dhe Los Anxhelesi ra në vendin e nëntë, barazuar me Kopenhagën.

Veshjet ishin të vetmet kategori produktesh që patën ulje të ndjeshme në çmim, kjo për shkak të kërkesës së ulët të konsumatorëve dhe mbylljes për javë të tëra gjatë periudhës së pandemisë.

“Në të kundërt, rritja e punës nga shtëpia ka sjellë një rritje në blerjet e pajisjeve elektronike, një kategori produkti që pa çmimet e saj të rriten më shumë”, sipas studimit.

Indeksi i çmimeve mund të mbetet i njëjtë edhe për vitin e ardhshëm, ndërsa ekonomia botërore parashikohet të hasë vështirësi për t’u rimëkëmbur, së paku deri në vitin 2022./atsh/ KultPlus.com