10 portet më të bukura në Europë, mes tyre edhe një në Shqipëri

Shumë qytete dhe porte turistike në Evropë, në Mesdhe, por edhe në Evropën Veriore, janë pikënisja ideale për të zbuluar vende dhe brigje fantastike. Duke nisur nga Italia, Greqia, Kroacia, Shqipëria, Holanda e deri në Irlandë, këto janë 10 portet më të bukura në Europë.

Portofino, Liguria

Konsiderohet një nga portet më të bukura në botë, pranë të cilit ndodhen shtëpitë e vjetra të peshkatarëve, si dhe një nga shëtitoret më të famshme në Mesdhe. Lart portit, në kodrat e gjelbra Liguriane, gjenden edhe disa vila luksoze, ku të gjithë ëndërrojnë të kalojnë së paku njëherë në jetë pushimet e tyre verore. 

Ponza, Lazio

Të gjithë thonë se sapo mbërrijnë në këtë vend, magjepsen që në shikim të parë me shtëpitë ngjyrë pastel të këtij fshati unik. Duke u nisur nga Ponza, ke mundësinë të eksplorosh disa limane dhe plazhe me ujëra të kristalta. Zgjidhja ideale do të ishte një xhiro me varkë, për të vizituar pika turistike si Chiaia di Luna, Cala Felice, Cala Cecata, Cala Feola dhe shumë të tjera.  

Porti Cervo, Sardenjë

Është një nga vendet më në modë dhe më të vizituara sidomos nga të famshmit, manjatët dhe pronarët e jahteve luksoze. Mbi të gjitha, Sardenja është një vend me bukuri të rralla, me një det fantastik me ngjyra të jashtëzakonshme, si dhe një natyrë që kundërmon aromë lulesh dhe bimësh si rozmarina. Nga sheshi i vogël, përmes një ballkon të mrekullueshëm me pamje nga deti, mund të admironi panoramën e portit dhe arkitekturën klasike të Sardenjës.   

Porti Kornati, Biograd na Moru, Kroaci

Porti është i vendosur në arkipelagun magjepsës të ishujve Kornati. Arkipelagu është një nga vendet më të bukura dhe më të paprekura në bregdetin kroat, ndërsa ishujt shquhen për format e tyre dhe aftësinë të ndryshojnë ngjyrën në varësi të dritës së diellit. Deti ka gjithashtu ngjyra mahnitëse dhe është i rrethuar nga kurora të gjelbra pyjesh. 

Naxos, Ishujt Cyclades, Greqi

Ujërat e pastër dhe smerald të Egjeut, bimësia e pasur dhe ndërtesat tipike të bardha me pamje nga porti, e shndërrojnë Naxosin në një mrekulli të vërtetë. Në mes të verës kjo zonë, si gjithë Egjeu, mbushet me ngjyrat dhe aromat e lules së meltemit.

Sarandë, Shqipëri

Mes porteve të ndryshme të njohura në Europë, renditet dhe ai në Sarandë. Qyteti shqiptar konsiderohet si një vendpushim shumë i bukur bregdetar, që po tërheq një numër në rritje turistësh të huaj për detin e mrekullueshëm, si dhe çmimet e favorshme. Veç të tjerash, ofron shumë plazhe të bukura, site arkeologjike dhe monumente natyrore që gjenden shumë afër, si Syri i Kaltër.    

Bastia, Korsikë

Porti është pika kryesore e hyrjes për ata që arrijnë në Korsikë nga deti. I vendosur në verilindje të Korsikës, qyteti e ka marrë emrin nga kalaja e shekullit të katërmbëdhjetë. Qyteti ngrihet në pikën ku vargmali i Cap Corse i hap rrugën fushave të shumta. Natyra është e bukur dhe me kontraste të mëdha mes maleve dhe detit. 

Monte Carlo, Principata e Monakos

Sharmi dhe luksi marramendës i këtij vendi të bën të harrosh se ndodhesh në një nga pikat më të bukura në bregdetin jugor francez. Sigurisht, Monako është një qytet me ndërtesa të mëdha, por mjafton të largohesh disa kilometra për të zbuluar parqe, kopshte dhe vende nga ku mund të admirosh disa nga peizazhet më të famshme në botë.  

Volendam, Holandë

Rreth njëzet kilometra larg Amsterdamit, në drejtim verilindor, ndodhet qyteti Volendam. Vendi nuk shquhet shumë për ujërat e detit, por për atmosferën dhe arkitekturën e fshatit të peshkimit me shtëpitë tipike me ngjyra dhe çati të pjerrëta. Porti është një nga pikat kryesore për të eksploruar këtë pjesë magjepsëse të Holandës.   

Howth, Irlandë

Me farin dhe arkitekturën tipike, edhe Howth në Irlandë shquhet për pamjet e bukura dhe atmosferën tipike. Shumë pranë, ndodhen livadhe të gjelbra të pafundme që shtrihen buzë shkëmbinjve me pamje nga deti dhe karakterizojnë natyrën irlandeze.    

Portofino, Liguria
Ponza, Lazio
Porti Cervo, Sardenjë
Porti Kornati, Biograd na Moru, Kroaci
Naxos, Ishujt Cyclades, Greqi
Sarandë, Shqipëri
Bastia, Korsikë
Monte Carlo, Principata e Monakos
Volendam, Holandë
Howth, Irlandë

130 të arrestuar për trafikimin e qenieve njerëzore në Europë

130 persona janë arrestuar për trafikimin e qenieve njerëzore në Europë gjatë një operacion të përbashkët të kryer nga 22 vende.

Sipas agjencisë ndërkombëtare të policisë Europol. operacionet e policisë, të cilat u zhvilluan deri më 13 qershor, çuan gjithashtu në identifikimin e më shumë se 100 viktimave të mundshme të trafikimit të njerëzve.

Gjatë operacionit, i cili u koordinua nga agjencia europiane e kufirit Frontex, pothuajse 1 milion njerëz dhe 200,000 automjete u kontrolluan në kufijtë detarë, tokësor dhe ajrorë, kryesisht në rrugët e përdorura më shumë për në Europë.

15 vende të BE-së morën pjesë në operacione, së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Ukrainën, Britaninë dhe Lihtenshtajnin. / KultPlus.com

Mban “fronin” prej 18 vitesh, shpallet aeroporti më i mirë në Europë

Aeroporti i Zyrihut është vlerësuar si aeroporti më i mirë në Europë, nga The World Travel Awards, programi që konsiderohet si organizmi ndërkombëtar kryesor për vlerësimin e sektorit të udhëtimeve dhe turizmit global.

Aeroporti më i madh i Zvicrës mban këtë titull për të 18-in vit radhazi, që prej vitit 2004. Ai ka një infrastrukture moderne dhe është vetëm 11 minuta me tren larg nga qendra e qytetit.

Programi prestigjioz që vlerëson industrinë e turizmit, linjat ajrore dhe hotelerinë thotë se aeroporti u vlerësua edhe këtë vit për shkak të zbatimit të një game të gjerë të protokolleve të shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve dhe punonjësve gjatë pandemisë së Covid.

Masat për mbrojtjen e udhëtarëve dhe stafit përfshinin ndër të tjera sigurimin e paneleve ndarëse në sportelet e kontrollit dhe mbi 200 stacione higjienike me maska dhe dezinfektues.

Aeroporti i Zyrihut është gjithashtu një nga liderët në fushën e mbrojtjes së klimës. Duke filluar që nga viti 1991 për të vlerësuar konsumin e energjisë dhe emetimet klimatike, deri më sot aeroporti ka reduktuar emetimet e karbonit me pothuajse 50%. / KultPlus.com

BBC: Bunk’Art, vendi më i fshehtë në Europë

Shqipëria komuniste ishte kombi më i izoluar i Europës. Duke iu trembur një pushtimi, regjimi ndërtoi një bunker bërthamor të fshehtë. Sot ky bunker është një atraksion turistik.

Ai ishte i fshehur nga rruga. Një tunel i gjatë, i hapur përmes një kodre përballë, ishte e vetmja mënyrë për të hyrë. Ky nuk ishte një vend ku mund të shëtisje, ishte hyrja e një baze ushtarake.

Tuneli, i gjatë sa dyfishi i një fushe futbolli, është më i ftohtë se sa mjedisi përjashtë. Aty-këtu gjenden pellgje uji. Një kumbim harmonioz bëhet gjithnjë e më i fuqishëm ndërkohë që i afrohesh qendrës së tunelit. Pas, roja që qëndron në hyrje të tunelit duket sa një ushtar prej lodre.

Gjithsej, duhet të ecësh 198 metra për të arritur në një parking të panjohur që ndodhet në fund. Një godinë institucionale ngjyrë gri shfaqet përballë. Ky është “Bunk’Art 1” dhe një ecje prej pak minutash në rrugën që ndodhet pas të dërgon në një prej vendeve më të fshehta të Luftës së Ftohtë.

“Ky është vendi më i mirë për të qëndruar në Tiranë gjatë ditëve të verës kur termometri arrin 40 gradë Celsius”, thotë Artemisa Muço.

Muço punon si guidë në “Bunk’Art 1”. Vajza 24-vjeçare e diplomuar në histori kalon ditët e saj në një vend aq të fshehtë sa që njihej vetëm si “Godina 0774”, një emërtim i ftohtë për një strukturë që ishte ndërtuar për t’i mbijetuar fundit të botës, shkruan atsh.

Enver Hoxha ishte udhëheqësi i Shqipërisë për katër dekada. Nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore deri në mes të viteve 1980, ai udhëhoqi vendin sipas modelit stalinist të vetë-mjaftueshmërisë i ideuar për të kthyer Shqipërinë në një vend modern dhe të pavarur. Ishte një rrugë unike, zbatimi i tij plot zell i marksizëm-leninizmit lejonte shumë pak devijime. Shqipëria prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë në vitin 1948, me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 dhe Kinën në vitin 1979, për shkak të braktisjes së detyrës socialiste nga këto vende.

Bashkë me këtë zell stalinist erdhi edhe paranoja. Hoxha, një ish partizan që kishte luftuar gjermanët në Luftën e Dytë Botërore, besonte se armiqtë nga Lindja dhe Perëndimi planifikonin të pushtonin këtë vend të vogël dhe malor. Ai urdhëroi zhvillimin e një programi gjigant të ndërtimit të bunkerëve, i cili do t’u mundësonte qytetarëve shqiptarë të luftonin një luftë guerrile nëpërmjet një rrjeti të gjerë bunkerësh. Dhe ndërkohë që zhvilloheshin luftimet, Hoxha, bashkë me pjesën tjetër të elitës drejtuese do të koordinonin rezistencën nga ky bunker.

“Godina 0774” është rezultati i paranojës unike të Hoxhës. E ndërtuar mes viteve 1972 dhe 1978, ajo ka më shumë se 300 dhoma të shpërndara në shtatë nivele nëntokësore, ku pjesa më e madhe ndodhet thellë brenda ultësirës së Malit të Dajtit. Është një kujtim klaustrofobik dhe pa dritare nga Lufta e Ftohtë në një prej cepave më të mbyllur.

Sikur perëndimi apo lindja të pushtonte, “Godina 0774” do të kishte qenë një vend aktiv. E gjithë mbrojtja e vendit do të organizohej nga këtu. Godina do të priste brenda deri në 300 persona, përfshirë edhe stafin e Shtabit të Përgjithshëm të vendit.

“Kishte mjaftueshëm ushqim, uji dhe karburant që të qëndronin të mbyllur për një vit”, thotë Muço.

Bunkeri u ndërtua nën një fshehtësi të plotë. Në një mur ndodhet një imazh i Hoxhës që e viziton ditën e inaugurimit, ku do të kalojë një prej pak netëve që i kishin mbetur para se të vdiste në vitin 1985. Pavarësisht kësaj, ai kishte apartamentin e tij, të kompletuar me një krevat luksoz, një zyrë sekretarie dhe një banjë të pajisur me një dush që funksiononte me motor me naftë. Dhomat private janë dekoruar me një material që ngjan si dru i zi.

“Është kompesatë. Ndërsa pjesa tjetër e dhomave, si ajo e kryeministrit, janë dekoruar me dru. Kjo është e vetmja dhomë që është punuar kështu”, thotë Muço.
Shqipëria kaloi nga qeverisja me një parti në zgjedhje parlamentare në vitin 1991, por pjesa tjetër e dekadave u shënuan nga kaosi. Në vitin 1997, qeveria e vendit ra pas dështimit të skemës së firmave piramidale, që goditën pjesën më të madhe të pasurisë së vendit. Rreth 2 000 persona u vranë dhe shumë baza ushtarake u bastisën për shkak të kaosit. “Godina 0774” ishte një prej tyre.

Kompleksi i bunkerëve u përdor për herë të fundit nga ushtria shqiptare për stërvitje në vitin 1999 dhe më pas u la pasdore. Vetëm në vitin 2014 u rihap falë përpjekjeve të gazetarit italian Carlo Bollino, i cili kërkonte të rikthente në dritë këtë relike të historisë së Shqipërisë së izoluar.
“Vendosa të hap Bunk’Art 1 në vitin 2014, kur ministria e kulturës nxori një njoftim për ide për të festuar 70-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”, thotë ai për “BBC Future”.

“Deri në atë kohë ende nuk kishte një vend ku një turist madje as edhe një shqiptar të mund të mësonte për sekretet e periudhës komuniste”, vazhdon Bollino.
Ai thotë se “pati një ndjenjë të fuqishme gjatë vizitës së parë. Ndjeva emocionin për të eksploruar një vend të errët, misterioz që përcjell një ndjenjë të historisë”.

Kur godina u hap në vitin 2014 për një muaji, shkaktoi një tronditje, rreth 70 000 shqiptarë e vizituan.

“Shqiptarët mësuan se këtu ndodhet ky bunker për të cilin nuk dinin asgjë prej kaq shumë vitesh. Sikurse mund të vihet re ka shtëpi këtu rrotull. Madje edhe banorët e zonës kur erdhën këtu u habitën. Ishte shumë mahnitëse për ata që të shihnin se brenda në mal ndodhej një godinë e tillë”, thotë Muço.

Bollino nuk u përpoq që të ndërtojë vetëm një muze që ruan strehën e regjimit sikur të ishte një kapsulë kohe, por për të shtuar diçka më shumë. Shumë prej dhomave janë kthyer në mjedise arti, secila prej tyre paraqet një aspekt të ndryshëm të së kaluarës komuniste, ose të bëjë godinën të oshëtijë.
Dhomat e rinovuara në kompleksin si labirinth janë mbushur me produkte dhe pajisje që i rezistojnë kohës. Ekipi tani ka mbaruar se rinovuari më shumë se 100 prej dhomave të bunkerit. Pjesa më e madhe e kompleksit ka mbetur e parinovuar, ose thjeshtë janë jashtë afateve. Një bazë funksionale e ushtrisë ndodhet aty pranë dhe zyrtarisht kjo godinë mbetet pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Bollino e pranon se “kjo është një sfidë e madhe. Kjo ishte e vështirë nga një këndvështrim logjistik, sepse vendi është shumë i lagësht dhe çdo objekt i ekspozuar brenda pak ditësh përfshihet nga myku”.

“Por vështirësia më e madhe ishte kulturore. Mbledhja e dokumenteve dhe objekteve nga e kaluara komuniste ishte e mundimshme, por edhe më e vështirë ishte përpjekja për të tejkaluar paragjykimin mbi një vend në të cilin dëshiroja të tregoja një periudhë të tmerrshme të historisë së këtij populli. U mundova shumë që ta bëja këtë të qartë se të kujtosh faktet e periudhës komuniste nuk do të thotë të kesh nostalgji për komunizmin”, thekson ai.

Ka prekje surreale. Ato që duken si kosha për letra të dekoruara me yje të kuq në fakt janë pastrues të ajrit, që lëshojnë oksigjen për të pastruar ajrin nga dioksidi i karbonit që krijohet brenda. Maskat e gazit të tipit sovjetik, lloji i maskave që u furnizua Shqipëria kur ishte miqësore me Moskën, që aredojnë korridoret, i kujtojnë vizitorëve ankthin në rritje që të sillte ky vend që mendohej të bëhej shtëpia e përkohshme e 300 personave.
Kompleksi është i kufizuar, por jo i vogël. Në zemër të tij ndodhet një sallë kuvendesh e madhe mjaftueshëm për të mbajtur 100 persona. Nga këtu, Hoxha dhe elita e regjimit do të lexonin fjalime për ata që ndodheshin të mbyllur brenda kësaj strehe rezistente ndaj sulmeve atomike. Tani është shndërruar në një teatër dhe vend koncertesh, kur hyn brenda ka një bar të vogël, ku luhen koncerte xhazi dhe roku. Këtu ka një ironi poetike, sepse të dyja janë zhanre muzikore që ishin ndaluar gjatë regjimit të Hoxhës.

Koncerte të tjera planifikohen të zhvillohen në këtë godinë, që shumë shpejtë është duke u shndërruar në një prej atraksioneve më turistike në Shqipëri. Bollino thotë se ka edhe plane të tjera.

“Porjekti im i radhës ka të bëjë me një nga koridorët jugorë të Bunk’Art 1, në të cilin dua të krijoj një ekzebicion fotografik me skena nga jeta e përditshme, gjithnjë duke iu referuar periudhës komuniste. Kjo do të jetë një mundësi për të prezantuar vizitorët me një pjesë tjetër të vendit që tani është zhdukur”, thotë Bollino.

“Në shtator do të provojë një lloji teatri përfshirës. Do të rikthej karaktere të së shkuarës në korridoret e Bunk’Art dhe vizitorët mund të takohen dhe ndërveprojnë me ta. Ky është një tjetër hap drejt një projekti edhe më ambicioz që ka të bëjë me instalimin e një bazamenti për realitet virtual”, shprehet gazetari italian.

Ndërkohë, Bunk’Art po bëhet një arsye për të vizituar Tiranën. Senada Murati, pjesë e ekipit që kujdeset për kompleksin, thotë se ka filluar të ketë gjithnjë e më
shumë interes nga vizitorët që vijnë nga Britania e Madhe dhe SHBA-ja madje edhe nga Zelanda e Re.

Muço thotë se Bunk’Art është përpjekur të qëndrojë sa më neutral të jetë e mundur politikisht, po u larguar nga faktet që lidhen me izolimin komunist të Shqipërisë. Gjatë udhëheqjes 40-vjeçare mendohet se janë ekzekutuar rreth 5 500 persona dhe burgosur rreth 25 000 të tjerë. Qytetarët shqiptarë mund të qëlloheshin menjëherë nëse kapeshin duke u përpjekur të kalonin barrierat që izolonin kufijtë e vendit.

“Mendoj se muzeu duhet të jetë shumë i ndjeshëm. Ne prezantojmë këtu dritën dhe errësirën e komunizmit, kështu që njerëzit mund të vendosin”, thotë ajo.
“Disa vizitorë, vazhdojnë të vijnë me fotografinë e Hoxhës në xhep”, tregon Murati.

(Përktheu Gent Sinani)