55 vjetori i lindjes së Bekim Lumit, njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit në Kosovë

17 Dhjetor, 2021 - 11:57 am

Bekim Lumi ka lindur më 17 dhjetor të vitit 1966 në Suharekë, i cili konsiderohet si njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Gjatë viteve 1987 – 1991 Lumi ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Univerzitetit të Prishtinës, kurse gjat viteve 1992 – 1996 ka mbaruar studimet për Regji Teatri, në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit.

Në të njëjtin universitet, më 2010 ka mbaruar edhe studimet e magjistraturës. Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në radion “Evropa e Lirë”.

Përgjatë këtyre viteve, ai ka punuar si regjisor i pavarur, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Teatrin “Dodona” si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”.

Disa nga shfaqjet e tija kryesore janë: “Mesimi”, “Galani”, “Arushani & Fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dillerat”, “John Cage’s Hamlet”, “Nana dhe fëmija” dhe e fundit “Arturo Ui”. Me shfaqjet e tija, ai ka qenë pjesmarrës në dhjetra festivale të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bosnjë e Hercegovinë e në vende të tjera.

Bekim Lumi, me punën e tij si regjisor është shpërblyer me shumë cmime kombëtare e ndërkombëtare, ndër të cilat edhe: në vitin 2006, me shfaqjen “Mësimi”, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës ka fituar cmimin kryesor për shfaqjen më të mirë; Në vitin 2016 ka fituar “Cmimin Vjetor për Shfaqjen më të mirë”, të cilën e ndanë Ministria e Kulturës e Kosovës. Lumi ka qenë botues dhe kryeredaktor i revistës së mirënjohur për teatër “Loja” e cila është botuar në Kosovë nga viti 2006 deri në vitin 2010. B

Lumi është autor i dhjetra shkrimeve, analizave, studimeve e eseve për teatrin dhe përgjithësisht për skenën kulturore në Kosovë dhe më gjerë. Nga viti 2013 ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve, dega e regjisë së Teatrit.

Ndërkaq, ai vdiq në vitin 2018 pas një sëmundje të rëndë. /KultPlus.com

Të ngjajshme