Restaurohen 10 ikona në laboratorin e Muzeut Mesjetar në Korçë

8 Prill, 2019 - 4:00 pm

Në muzeun e Artit Mesjetar në Korçë janë restauruar së fundmi 10 ikona, një punë e vyer e specialistëve të fushës, e cila shmang degradimin e mëtejshëm të ikonave si dhe rikthimin e imazhit ikonografik në bukurinë fillestare.

Disa nga ikonat e restauruara janë, ”Ngjallja e Llazarit”, ”Shën Gjergji i Janinës”, ”Shën Maria” etj.

“10 objekte të trajtuara së fundmi në laboratorin e restaurimit të ikonave në Muzeun Mesjetar Korçë”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti duke përshëndetur restaurimin e këtyre punimeve të rralla.

Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm.

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është i veçantë për sa i përket numrit të madh të mjeshtërve, autorëve të ikonave (rreth 10 mjeshtër të ikonografisë) dhe larmisë së fondit të objekteve që administron (8000 objekte të Artit Mesjetar, ndër të cilat 6500 janë ikona).

Në godinën e re të muzeut janë ekspozuar rreth 400 ikona nga të cilat 250 ikona i prezantohen publikut për herë të parë. Mënyra e ekspozimit vjen në një frymë bashkëkohore me një rend kronologjik të zhvillimit të mjeshtërisë ikonografike në Shqipëri. Prezantimi i trashëgimisë së Artit Mesjetar të rikthen në gjenezën e mistikes dhe ritualeve të shenjta. /a.a/ KultPlus.com

Të ngjajshme