22 artistë të huaj vendosin rezidencën e artit në Nivicë

23 Shtator, 2018 - 2:45 pm

22 artistë dhe aktorë nga Spanja, Italia, Rumania dhe Turqia kanë vendosur rezidencën e tyre të artit në fshatin Nivicë në Malet e Kurveleshit.

Kjo është hera e parë që grupe artistësh të huaj vizitojnë komunitete kaq të thella malore në Shqipëri, ndaj kjo ngjarje kulturore vlerësohet me një impakt të madh për këtë zonë.

Në një prononcim për ATSH-në, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare theksoi se “ky eveniment bëhet me mbështetjen e Projektit Kulturor Europian”.

“Përmes organizimit të këtyre evenimenteve ne synojmë krijimin e produktit turistik mes zonave malore dhe atyre bregdetare”, tha Tare.

Për rreth 1 javë, artistët e huaj po jetojnë në shtëpitë e banorëve të Nivicës, duke mbledhur legjenda dhe rrëfenja, të cilat më pas i inkorporojnë në interpretimin e tyre.

Tare solli si shembull trupën e Teatrit “Astragali” të Leces, e cila në performancën e djeshme të titulluar “Rrënojat rrethore të Borges”, përfshiu edhe legjendat lokale nga banorët e Nivicës.

Tare tha se “projekti do të vazhdojë edhe vitin tjetër me të njëjtin koncept, duke synuar që këto aktivitete të shtrihen gjatë gjithë sezonit, madje edhe me teatër shëtitës nga një komunitet në një tjetër, përmes rrugëve antike”.

Teatri “Astragali” i Leces, një grup artistësh nga Kostanca me pjesë të poetit romak Ovidit dhe Universiteti i Madridit me një teatër-valle me maska, po interpretojnë këtë javë në sheshin e restauruar të fshatit Nivicë./ ata

Të ngjajshme