Ditët Evropiane të Arkeologjisë, Margariti në termën e periudhës romake në Belsh

19 Qershor, 2023 - 10:20 am

Fundjava që shkoi iu dedikua arkeologjisë edhe në Shqipëri, në kuadër të Ditëve Evropiane të Arkeologjisë.

Në njërën prej këtyre ditëve, ministrja e Kulturës, Elva Margariti zgjodhi të ishte e pranishme pranë zbulimit më të fundit në fshatin Rrasë në Belsh, ku është zbuluar terma e periudhës romake.

“Një gjetje unike në gjithë Shqipërinë, që zgjeron hartën arkeologjike dhe perspektivën për zbulime të reja. Tani Belshi ka një destinacion të ri kulturor dhe turistik dhe bashkë me Bashkinë e Belshit dhe Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore do ta promovojmë këtë hapësirë me rëndësi për arkeologjinë dhe historinë tone”, është shprehur Margariti në rrjetet sociale.

Ky ishte i dyti vit radhazi që Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore u përfshi në kremtimin e Ditëve Evropiane të Arkeologjisë. Kjo është një iniciativë e Institut National de Recherches Archéologiques Préventives.

Eventi ka si qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore e kryesisht asaj arkeologjike, ku shtetet pjesëmarrëse angazhohen të përfshijnë aktivitete sipas një programi të caktuar./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme