Gjirokastër, restaurohet çatia e banesës “Çiço” monument kulture kategoria l

8 Gusht, 2023 - 6:23 pm

Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës po i kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje rehabilitimit të banesave monument kulture.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bëri të ditur se “ditët e fundit po kryhen ndërhyrje restauruese në një pjesë të çatisë në objektin “Çiço”, familja “Bineri” në lagjen “11 Janari”, monument kulture kategoria I”.

Sipas DRTK Gjirokastër është ndërhyrë për zëvendësimin e disa trarëve të kalbur dhe thyer me të rinj si dhe mbulimin e saj.

Banesat e Gjirokastrës janë një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.

Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta, që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar.

Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme