Historianët kundër Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit

20 Maj, 2021 - 12:52 pm

Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, përmes një aksioni ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që të mos zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit.

Shkodran Imeraj kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës vendimin e Gjykatës Kushtetuese të para 5 vitesh për pronat rreth Manastirit të Deçanit e ka quajtur skandaloz dhe antikushtetues i cili i vë në zbatim ligjet e Serbisë.

Imeraj në këtë konferencë për medie i ka bërë thirrje edhe ambasadorëve të QUINT-it që mos të kërkojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat rreth Manastirit të Deçanit.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan ka kërkuar intervenim të shpejt edhe nga krerët e institucioneve të Kosovës.

Madje kanë paralajmëruar edhe radikalizim të veprimeve të tyre për të kundërshtuar zbatimin e vendimit.

Selim Lokaj historian kërkoi që ta liroj pozitën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Cakaj pasi saç tha ai ajo ka ardhur në këtë pozitë pasi ajo ka qenë pjesë e grupit të gjyqtarëve që kanë marr vendimin.

Ndërkohë që të mërkurën ambasadorët e QUINTI-it kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që zbatojnë vendimin e gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

Në deklaratën e shefave të misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe ShBA-së në Kosovë thuhet edhe se respektimi i sundimit të ligjit është detyrimi për të gjitha qeveritë.

Po të mërkurën, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe minsitri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku i kanë dërguar një letër presidentit ekzekutiv të “Europa Nostra” në lidhje me përfshirjen e Manastirit të Deçanit” në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë.

Në këtë letër është thënë se vendimi i “Europa Nostra” është i padrejtë dhe i ndikuar politikisht.

“Jemi të bindur që ky vendim është i pabazuar, pasi nuk përkon me faktet në terren. Për më shumë, vendimi është qartësisht i ndikuar politikisht, një praktikë e paprecedentë në historinë me reputacion të lartë të ‘Europa Nostra’”, thuhet në letrën e dy ministrave.

Ministri Çeku të martën i ka dërguar letër edhe organizatës Future for Religious Hertiage (E ardhmja për trashëgimi fetare) e cila kishte nominuar Manastirin e Deçanit për listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë” të “Europa Nostra”.

Në këtë letër, ministri Çeku shtron pyetjet që ka ai dhe i gjithë shteti i Kosovës në lidhje me vendimin e tyre për ta nominuar njërin prej monumenteve më të sigurta në Evropë në listën më të rrezikuar.

Kujtojmë së kohë më parë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar letër organizatës “Europa Nostra” nëpërmjet të cilës i kishin shpalosur argumente përse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pesë vite më parë kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. / Gazeta express/ KultPlus.com

Të ngjajshme