Kalaja e Durrësit i nënshtrohet restaurimit pas tërmetit në vitin 2019

2 Gusht, 2021 - 11:10 pm

Aktualisht janë duke u kryer disa punime konservuese dhe përforcuese në “Kullën C” në Kalanë e Durrësit. Po ashtu, janë kryer një seri analizash të cilat ndihmojnë të përcaktohen ndërhyrjet konservuese të cilat janë duke u zbatuar, duke filluar me konsolidimin dhe riparimin e murit të themeleve duke përdorur teknika tradicionale.

Tërmeti i nëntorit shkaktoi shembjen e një pjese të mureve.

Disa monumente në Shqipëri ishin dëmtuar si pasojë e tërmetit në nëntor të 2019-s. Mes tyre i rëndë është dëmi që iu shkaktua Kalasë së Durrësit. Pas disa muajve një grup i restauruesve janë duke punuar në restaurimin e këtij objekti të rëndësishëm kulturor. Është bërë e ditur se ky është vetëm fillimi i ndërhyrjeve dhe se të tjera po ashtu të rëndësishme do të realizohen ditëve në vazhdim.

Ka qenë selia në Shqipëri e organizatës joqeveritare, “CHwB” (Trashëgimia Kulturore pa Kufij) që ka bërë të ditur se aktualisht janë duke u kryer punime konservuese dhe përforcuese në “Kullën C” në Kalanë e Durrësit.

Sipas njoftimit të publikuar në ueb-faqen e tyre është bërë e ditur se ky projekt u nis me mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, mbështetjes shkencore të Fondit Botëror të Monumenteve, dhe Ministrisë të Kulturës, me qëllim adresimin e shembjes pjesore të kullës, shkaktuar nga tërmeti i nëntorit 2019.

“Deri tani ne kemi zbatuar stabilizimin emergjent me qëllim parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme në monument. Gjithashtu, kemi kryer një seri analizash të cilat na ndihmojnë të përcaktojmë ndërhyrjet konservuese, të cilat jemi duke i zbatuar, duke filluar me konsolidimin dhe riparimin e murit të themeleve duke përdorur teknika tradicionale”, është shkruar në njoftim.

Kalasë së Durrësit i ishin shembur një pjesë e mureve. Monumenti që ishte ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi në shekullin VI, përbëhet nga dy pjesë: Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Në historinë e monumentit si një rast tjetër ku ishte dëmtuar shumë daton tërmeti i vitit 1273 për t’u rinovuar prapë. Muret e objektit janë të larta 4,6 metra.

Krahas viktimave, dëmeve materiale që kanë lënë shumë familje pa strehë, tërmeti në nëntor kishte shkaktuar dëme edhe në disa prej monumenteve të Shqipërisë. Kalaja e Durrësit, ajo e Prezës afër Tiranës e ajo e Krujës, sipas raportimeve kishin dalë të jenë më të dëmtuarat. Edhe në këto dy kala kishte nisur restaurimi i cili tashmë ka përfunduar me sukses.

Lëkundjet e fuqishme të tokës nuk janë të panjohura për bregdetin shqiptar. Në historinë mijëravjeçare në analet e historisë ruhen të kronikuara vetëm tri tërmete. Sipas burimeve historike, tërmeti i parë përkon me vizitën e Ciceronit në Durrës kah mesi i shekullit të parë para erës sonë. Disa shekuj më vonë, përkatësisht në vitin 345, një tërmet tjetër do të shkundullonte sërish portin më të njohur të Adriatikut. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme