Kalaja e Lëkursit tashmë nën administrimin e Ministrisë së Kulturës

25 Gusht, 2023 - 11:28 am

Qeveria mori vendimin për të kaluar Kalanë e Lëkursit në administrim të Ministrisë së Kulturës.

Sipas vendimit të marrë më 24 gusht 2023, kalaja me sipërfaqe totale 8211.4 m2, por dhe 7 ndërtesat që ndodhen në këtë kala do i kalojnë nën administrim Ministrisë së Kulturës.

Qeveria ka ngarkuar Ministrinë e Kulturës dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Kalaja e Lëkursit ndodhet rreth 2 km në juglindje të Sarandës, në një kodër në formë piramide në 250 m lartësi.

Mendohet se Lëkursi ka qenë vendbanimi kryesor i zonës gjatë gjithë periudhës mesjetare, ndërkohë që përmendet për herë të parë në dokumentet osmane të viteve 1431-1432.

Shumë historianë mendojnë se fshati është ndërtuar rreth viteve 1537 në kohën kur Sulltan Sulejmani sulmoi Korfuzin dhe i lindi si domosdoshmëri kontrolli i skelës së Sarandës dhe rrugës Sarandë-Butrint.

Sot rrënojat e këtij vendbanimi dallohen ende, mes të cilave shtëpitë e braktisura dhe një kishë e një periudhe më të vonë. Ky është një destinacion për këdo që preferon të kombinojë turizmin historik me atë të aventurës. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme