Margariti: Interesimi i fëmijëve, ogur i mirë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

27 Shkurt, 2023 - 11:29 am

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përcolli mëngjesin e sotëm pamje nga vizita e fëmijëve në muzeun Inonografik “Onufri”, Berat.

“Emocioni dhe kurioziteti që fëmijët provojnë përballë trashëgimisë sonë kulturore është një ogur i mirë se po rritet një brez që do ta çojë më tej misionin tonë në ruajtjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie”, u shpreh Margariti në postimin e saj në rrjetet sociale.

Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat gjatë muajit janar ka shënuar një numër të lartë të vizitorëve. Në janar muzeu u vizitua nga 1140 vizitorë kryesisht të huaj, 254 % më shumë krahasuar me janarin e vitit 2022 dhe 148 % krahasuar me janarin e vitit 2019.

Rrjedhimisht rritje kane njohur edhe te ardhurat nga shitja e biletave.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Beratit dhe Myzeqesë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme