Nis restaurimi i Muzeut të Kastriotëve (FOTO)

12 Qershor, 2018 - 4:30 pm

Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”, ka nisur puna për restaurimin e Muzeut të Kastriotëve, monument kulture i kategorisë së II-të, në fshatin Sinë të rrethit të Dibrës.

Përfaqësues nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër, Bashkia Dibër dhe shoqëria e restaurimit e cila do të kryejë punimet, ishin të pranishëm në nisjen e punimeve.

Projekti i hartuar nga specialistët e IMK-së ka për qëllim restaurimin e plotë të objektit, riorganizimin e sistemit të ndriçimit dhe instalimeve elektrike, si dhe sistemimin e territorit përreth godinës.

Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e projektit është edhe muzealizimi. Duke vlerësuar inventarin e pasur të muzeut dhe ambientin e ekspozimit, projekti synon riorganizimin e tabelave të ekspozimit, në cilësi, dimensione dhe formë.

Ndërhyrjet e parashikuara gjithashtu do të konsistojnë në hidroizolimin e tarracës, prishjen e degradimeve, pastrime, lyerje dhe riorganizim të ndriçimit.

Muzeu i Kastriotëve ndodhet në fshatin Sinë të Njësisë Administrative Arras Bashkia Dibër. Muzeu ka filluar të ndërtohet në vitin 1982 dhe për herë të parë është hapur për publikun në vitin 1985./ ata

Të ngjajshme