ShKA Agimi vendoset përkohësisht në hapësirën e kinemasë Lumbardhi

Hapësira e kinemasë Lumbardhi nga sot do të jetë shtëpi e përkohshme e veprimtarisë artistike të ShKA Agimit.

Në këtë kinema sot u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për shfrytëzimin e hapësirës së kinemasë Lumbardhi në Prizren për nevojat e seksioneve artistike të ShKA Agimit. Në praninë e anëtarëve të Kryesisë dhe Bordit të të dyja organizatave, memorandumin e nënshkruan Besim Berisha, drejtor artistik i ShKA Agimit dhe Ares Shporta, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Lumbardhi.

Objektiv themelor i këtij bashkëpunimi është mbështetja që Fondacioni Lumbardhi u ofron përpjekjeve të anëtarëve të ShKA Agimit për të aktivizuar veprimtarinë artistike të shoqatës. Për shkak të pamundësisë për të ushtruar veprimtarinë artistike në objektin e ShKA Agimit, anëtarët e shoqatës, anëtarët aktivë të seksioneve artistike, udhëheqësit e seksioneve artistike, Drejtori Artistik dhe Kryesia e shoqatës janë mobilizuar për të mbajtur gjallë veprimtarinë. Hapësira e kinemasë Lumbardhi do të shfrytëzohet për një periudhë të përkohshme, derisa të krijohen kushtet për t’u kthyer në objektin e shoqatës. Aktivizimi i veprimtarisë artistike të ShKA Agimit po bëhet paralelisht me përpjekjet për të vendosur rend në shoqatë përmes rrugëve ligjore dhe institucionale.

Ky bashkëpunim, për Ares Shportën nga Fondacioni Lumbardhi është dëshmia e radhës e hapjes dhe mikpritjes së Lumbardhit ndaj të gjithëve, ndërsa njoftoi se në fund të këtij muaji përfundojnë edhe punimet për funksionalizimin e sallës së mbyllur të kësaj hapësire kulturore. Në anën tjetër, Besim Berisha nga ShKA Agimi ofroi detaje rreth organizimit të komponentës artistike. Kryesia e ShKA Agimit, me propozimin e drejtorit artistik ka vendosur të aktivizojë gjashtë seksione artistike, ndërsa janë caktuar edhe udhëheqësit e këtyre seksioneve: Fikrim Emra (kori), Kastriot Marku (orkestri), Mazllum Karamani (veteranët), Xhevdet Doda (drama) dhe Besim Berisha (okteti). Udhëheqësi i seksionit të folklorit do të caktohet ditëve në vijim, pas përfundimit të diskutimeve që drejtori artistik i ShKA Agimit po i zhvillon me disa nga profesionistët e kësaj dege.

Para disa ditësh, ShKA Agimi ka publikuar thirrjen për anëtarësim në seksionet artistike. Anëtarësimi është i hapur për të gjithë, ndërsa të interesuarit për të qenë pjesë aktive e seksioneve duhet të shkruajnë në email adresën zyrtare [email protected]. Afati për shprehjen e interesimit për të qenë pjesë e seksioneve të ShKA Agimit për aktivitetin e sivjetmë artistik mbetet i hapur deri më 20 Gusht 2017, ndërsa provat e seksioneve do të nisin nga java e parë e Shtatorit 2017 në hapësirën e kinemasë Lumbardhi.

Gjatë këtij viti, sipas drejtorit artistik të ShKA Agimit, do të realizohet një ngjarje e madhe koncertale më 28 Nëntor, për të shënuar 73 vjetorin e themelimit të ShKA Agimit dhe Ditën e Flamurit. Gjatë vitit 2017 do të organizohen edhe ngjarje të tjera artistike të seksioneve të veçanta artistike.

Përveç përkrahjes nga Fondacioni Lumbardhi për shfrytëzimin e hapësirës, ShKA Agimi ka siguruar përkrahje edhe nga organizata, biznese, institucione e individë të shumtë, të cilët po solidarizohen në forma të ndryshme, përfshi pajisje, hapësirë, instrumente, financim, shërbime dhe të tjera. ShKA Agimi i fton edhe një herë të gjithë dashamirët e kulturës dhe të ShKA Agimit që të vazhdojnë përkrahjen në forma të ndryshme varësisht nga vullneti dhe mundësitë e tyre për të siguruar vazhdimësinë e traditës artistike mbi 70 vjeçare dhe kthimin përfundimtar të të gjitha seksioneve, artistëve dhe anëtarëve në objektin e shoqatës, i cili vazhdon të mbahet i uzurpuar nga një grup individësh të papërgjegjshëm./ KultPlus.com

Rrezeart Galica sonte me ekspozitë në Korenë Jugore

Sonte në orën 19:00, në Galerinë “Iang”, në Seul të Koresë Jugore hapet ekspozita personale e dhjeta me radhë, e artistit Rrezeart Galica, e titulluar “Përtej homazhit…”.

Kjo ekspozitë përmban 40 punime artistike të disiplinave të ndryshme të dizajnit grafik, siç janë logo, poster dhe prin. Ekspozita është e ndarë në dy cikle, cikli i parë i punimeve i është dedikuar si një homazh viktimave të sulmeve terroriste në mbarë botën si në Londër, München, Paris, Gaza, Aleppo etj, apo tërmetet që zhdukën jo vetëm jetët humane por edhe qytetet me vlera të larta të trashëgimisë kulturore si në Itali, Ekuador, Nepal etj.

Cikli i dytë i punimeve është reflektim i ngjarjeve në Kosovë, që pas bërjes shtet i pavarur dhe punime të përvjetorëve të çlirimit të Kosovës, dhe pranimit të Kosovës në organizma ndërkombëtarë e që në rastet e tilla iu kanë dedikuar posterë festiv.

Ekspozita “Përtej homazhit…” kurohet nga profesori i dizajnit grafik në Universitetin Nameseul të Koresë së Jugut, Byoung II Sun dhe do të zgjatë një muaj.

Autori i kësaj ekspozite nuk ka udhëtuar për të qenë prezent atje ngaqë tha se ekspozita është përkrahur vetëm simbolikisht nga MKRS dhe nuk është përkrahur fare nga Ministria e Jashtme, përkundër siç thuhet, premtimit sy më sy të ministrit Enver Hoxhaj për përkrahjen e këtij evenimenti, po ashtu kjo ekspozitë nuk gjeti as përkrahjen e Ministrisë së Diasporës./ KultPlus.com

Vjen edicioni i katërt i ‘Camp ‘n’ Hike’

Organizata Hiking Njeri organizon edicionin e katërt të “Camp ‘n’ Hike” eventit për në Majën e Njerit 2658 m, e cila gjendet në vargmalet e Rudokës në Sharrin më jugor, afër fshatit Brod të Dragashit., shkruan KultPlus.

Ky edicion do të mbahet më 29 dhe 30 korrik.

Qëllimi i kësaj ngjarje është njoftimi, shoqërimi dhe pushtimi i majës me të gjithë dashamirët e bjeshkëve të Kosovës dhe rajonit. Gjithashtu, përmes kësaj ngjarje Hiking Njeri ka për qëllim promovimin e bjeshkatarisë, popullarizimin e turizmit malor në Kosovë dhe bashkëpunimin regjional mes shoqatave bjeshkatare.

Të shtunën me 29 korrik do të formohet baza e kampingut para hotel Arxhenës në Brod, ku pjesëmarrësit do të kalojnë një ditë të bukur me aktivitete të ndryshme si lojëra, muzikë, shoqërim../ KultPlus.com

MKRS-ja investon 106 mijë euro në tri projekte kapitale në Gjilan

Në kuadër të investimeve kapitale në fushën e kulturës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot tri memorandume bashkëpunimi me Komunën e Gjilanit.

Memorandumet e nënshkruara kanë për qëllim mbështetjen financiare për realizimin e projekteve “Renovimi i Sallës së Shtëpisë së Kulturës në Llashticë” në vlerë prej 26 mijë euro, “Renovimi i Sallës së Shtëpisë së Kulturës në Zhegër” në vlerë prej 50 mijë euro dhe “Renovimi i Sallës së Shtëpisë së Kulturës në Përlepnicë” në vlerë prej 30 mijë euro.

Ministri Kujtim Shala tha se këto investime që po bën MKRS-ja, realizohen me qëllim të përmbushjes së politikave të planifikuara të Qeverisë, për krijimin dhe përmirësimin e kushteve dhe hapësirave për artistët dhe njerëzit që merren me kulturë.

Ndërkaq, kryetari i Gjilanit, Lufti Haziri, shprehu falënderim për ministrin Shala dhe MKRS-në për përkrahjen e dhënë Komunës së Gjilanit, duke ua mundësuar të interesuarve për kulturë të kenë hapësirat e nevojshme për të kryer aktivitete të shumta në fushën e kulturës./ KultPlus.com

Ekspozita ‘Manipulim’ sjellë në ‘Marubi’, ‘armiqtë e popullit’ që largoheshin nga fotografitë

Ekspozitë e kuruar nga Luçjan Bedeni, sjell manipulimet që janë bërë në artin e fotografisë historia e komunizmit është dhe në foto.

Në qindra negativë që i nënshtroheshin procesit laboratorik ka pasur ndërhyrje për të hequr prej tyre, ata që konsideroheshin si “armiqtë e popullit”, apo “të ndaluarit”. Drejtori i Muzeut Marubi në Shkodër, ka studiuar këtë proces të rëndësishëm që shoqëroi artet shqiptare përgjatë gjysmë shekulli në diktaturë, për të sjellë elemente që e bëjnë më të plotë këtë kronikë të kohës. “Manipulim” quhet ekspozita që do të hapet më 3 gusht 2017, ora 19:45 në Muzeun Marubi në Shkodër. Shpikja e fotografisë nga Nicéphore Niépce më 1825 përmes procesit të heliografisë hapi kështu “garën” për perfeksionimin e mëtejshëm të saj. Jo larg kësaj shpikjeje, do të fillonin edhe praktikat e para të manipulimit.

Që herët fotografitë do të manipuloheshin duke përdorur metoda e teknika të ndryshme. Ndërhyrja direkt në shtyp, retushimi me bojë, gërvishtja e imazhit, ndriçimi artificial në dhomën e errët apo ndërhyrja në negativ, kanë luajtur një rol të rëndësishëm se si ne e kemi interpretuar apo gjykuar një fotografi, duke bërë më të rëndësishëm faktin e kryerjes së procesit të manipulimit. Historikisht fotografitë janë manipuluar për të mashtruar, për t’ia mbushur mendjen shikuesve, për të sajuar të vërtetën e historisë apo krijuar “idhuj” të rremë. Pikëpamja artistike, satira, humori, fotografitë e “fantazmave”, fotografitë “magjepsëse”, propaganda politike dhe shtimi i portreteve të anëtarëve të familjeve apo grupeve ishin të gjitha praktika të filluara në fund të viteve 1800”, thotë Bedeni. Në vitin 2013 disa negativë të panjohur më parë u zbuluan nga koleksioni i Marubëve. Fotografitë na dëshmojnë një histori të hershme të manipulimit të imazheve që në fillim të viteve 1860 në Shqipëri.

Fotografia e Pietro Marubbit e vitit 1860, “Dr. Gennaro Simini”, e cila na tregon Doktor Siminin tek pozon njëherë si klient, njëherë si pacient e më pas si doktor, na bën të mendojmë që ky imazh mund të ketë shërbyer edhe si reklamë e kohës. Fotografia e portretit të Pietros vendosur në një trup më të vogël se koka dhe e vendosur në një filxhan si dhe portretet e Kel Marubit me të motrën, manipuluar mbi trupat e dy luftëtarëve ekzotik afrikanë, janë shembuj të tjerë të gjurmëve të para të zhvillimit të këtyre teknikave.

Eksperimentimit me manipulimin e fotografive nuk i qëndruan pas as gjeneratat e tjera të Marubëve, Keli e Gega. Imazhet e martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinë që u realizuan më 1938 nga Keli iu nënshtruan gjithashtu proçesit të retushit me qëllim publikimin e tyre në revistat e kohës. Njëlloj si Henri de Toulouse-Lautrec tek fotografia (1892) ku pozon si artist e si model, edhe Gega na shfaqet duke pozuar brenda një fotografie në pozicione të ndryshme, në rolin e një bashkëbiseduesi me vetveten. Dy fotografitë e vitit 1927 dhe 1940 të Kelit e Gegës që paraqesin At’ Anton Kirin tek fle mbështetur herë mbi karrige e herë mbi trungje drurësh, me “fantazmën” që i rri pranë duke luajtur violinë, na tregojnë një tjetër anë të panjohur deri më tani të mjeshtërisë teknike të Marubëve, shkruan GSH.

“Një ndër qëllimet e retushimit ishte edhe eliminimi i “armiqve të popullit” nga fotografitë. Këtë praktikë e gjejmë edhe në vendet e tjera të bllokut lindor, si në rastin e Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste (1944 – 1991). Me fillimin e shtetëzimeve u krijuan Repartet Fotografike (1952) të cilat fillimisht ishin pjesë e Kooperativave e më pas të Ndërmarrjeve të Riparim-Shërbimeve. Fotografët të cilët deri asokohe kishin punuar në studiot e tyre private, qenë të detyruar t’i dorëzonin koleksionet fotografike dhe të punonin për shtetin.

Pjesë e këtyre Reparteve u bënë vetë fotografët, teknikët e laboratorit, por edhe anëtarët e Sigurimit të Shtetit të cilët kishin për qëllim survejimin e procesit. Kjo “makineri” propagande bëri që as fotografitë e Marubëve të mos i shpëtonin dot teknikës së retushimit me qëllim censurën ose propagandën politike që ishte përhapur masivisht. Albumi me fotografi “Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën e Shkodrës” (1982), hapet me njërën prej fotografive më spektakolare të manipulimit gjatë regjimit komunist. Personalitetet që kishin dalë në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës për të mbajtur fjalimet përshëndetëse me rastin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të patriotëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli më 1936, ishin fshirë të gjithë duke na shfaqur vetëm diktatorin shqiptar Enver Hoxha tek mbante një fjalim”, thotë Bedeni.

Pjesë e këtij botimi janë edhe një sërë fotografish të tjera ku spikasin si më të famshmet fotografitë e Kel Marubi-t të deputetëve të Shkodrës Gurakuqi, Fishta e Mjeda e vitit 1923, ku nga fotografia është fshirë poeti kombëtar At Gjergj Fishta. Kjo ekspozitë tenton të nxjerrë në pah për herë të parë, fotografitë e manipuluara si para ashtu edhe gjatë regjimit komunist, e për t’i ballafaquar ato me të vërtetën që dëshmojnë negativët origjinalë të paprekur./ KultPlus.com

Sonte nis BeerFest Kosova

Festivali më i madh i birrës në Kosovë, nis sonte edicionin e tij të shtatë tek parkingu prapa Pallatit të Rinisë, shkruan KultPlus.

Ky festival do të mbahet deri më datën 30 korrik, ku do të sjellë birrat më të njohura me çmime promovuese.

“Në 7 vjetorin e ‘BeerfestKosova’, në lokacionin e ri, e gjithë hapësira do të transformohet me krijimin e shtandeve impozante dhe vizualisht të mrekullueshme të kompanive prezente. Skenë gjigante të kompletuar me zërim të përmasave të festivaleve të mëdha, të mbushur me efekte speciale vizuele dhe program artistik shumë të larmishëm dhe të pasur për të gjitha shijet”, tha Leart Zeqa, drejtor organizativ.

“Do të jenë prezentë birrat më të njohura dhe më të dëshirueshme për vizitorët e BeerFest Kosova nga të cilat edhe 4 birra vendore dhe të gjitha këto do të jenë në dispozicion për adhuruesit e birrës me çmime promovuese. Nuk do të mungojnë edhe ushqimi e pijet joalkoolike si dhe lojërat argëtuese e shpërblyese”, përfundoi Zeqa.

Organizatorët njoftuan se edhe sivjet, sikurse në edicionin e kaluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe koordinim të plotë me Komunën e Prishtinës, janë koordinuar që për të gjithë qytetarët t’iu ofrohet një festë shumë mirë e organizuar dhe gjithë përfshirëse.

Si festival i birrës, kjo ngjarje është e hapur vetëm për personat e moshës mbi 18 vjet, dhe për t’u futur në hapësirat e festivalit do të nevojitet letërnjoftimi. / KultPlus.com

Artistët shqiptarë sjellin në Itali krijimtarinë që bashkon dy brigjet e Adriatikut

Një grup artistësh shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme të Evropës fundjavën e kaluar kanë organizuar dy shfaqje-koncerte në Itali, që synojnë bashkëpunimin kulturor mes dy brigjeve të Adriatikut.

Me nismën e skulptorit Kujtim Turkeshi fillimisht në Deruta, pranë Peruxhas dhe një ditë më pas në “Oratorio dei Pellegrini” në Asizi, një grup artizanësh vendas të vazove të majolikës u bënë objekt dhe subjekt i koncertit të instrumentistëve të familjes Vlashi. Lidhjet e hershme mes krijuesve të të dy vendeve gjetën një formë të re në spektaklin e artistëve shqiptarë.

Floriani, Redi dhe Martini 13-vjeçar sollën pjesë nga partiturat e muzikantëve nga Iliria e Shqipëria antike dhe mesjetare si, Niketë Dardani (vitet rreth 335-rreth 380) me “Te Deum Laudanus”, më pas Gjergj Lapacaja (1495-1564) me “Codex” dhe Viktor Carpaccio (1465-1525/6) me “Kodikët-nga manastiri i Shën Jeronimit”. Ndërkaq, çdo tingull ishte vënë në dispozicion të mjeshtrave të majolikës, që drejtoheshin nga artisti durrsak, Kujtim Turkeshi, shkruan atsh.

Të pranishmit duartrokitën gjatë interpretimin e artistëve që jetojnë dhe punojnë në Korunja (Spanjë) edhe për ekzekutimin e veprave të kompozitorit italian, Tomaso Albinoni (1671-1750). Më pas, drejtuesit lokalë, në një takim të veçantë, kërkuan bashkëpunimin e mëtejshëm të artistëve shqiptarë me qytetin italian të Derutas dhe Asizit, në përgatitjen e një Festivali me tema të përbashkëta. /KultPlus.com

Publikohen finalistët e çmimit ‘Artistët e së nesërmes’ 2017-të

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallë vendimin e jurisë të çmimit ‘Artistët e së nesërmes’ 2017 për zgjedhjen e finalistëve të këtij çmimi, shkruan KultPlus.

Juria e çmimit ‘Artistët e së nesërmes’ 2017, në përbërje Charles Esche, Erëmirë Krasniqi, Nataša Petrešin, Adrian Deva dhe Renaud Proch, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit ‘Artistët e së nesërmes’ 2017 nga njëmbëdhjetë aplikimet. Juria ka vendosur që si bazë për vendimin dhe vlerësimin t’i ketë kriteret e praktikave të fuqishme inovative dhe ndërdisiplinore.
Finalistët e zgjedhur dallojnë shumë njëri nga tjetri në format shprehëse dhe përvojën e tyre, por kanë të përbashkët ambicien për të prodhuar vepra vizuelisht imponuese, politikisht të lokalizuara apo të kontekstualizuara.

Finalisti i parë është Meriton Maloku i cili befasoj jurinë me vizionin e tij të angazhuar për temat më imponuese të përditshmërisë sonë aktuale.

Finalistja e dytë është Enesa Xheladini, praktika e theksuar vizuele e së cilës merr formën e fletoreve dhe skicave për skulpturat dhe instalacionet publike, që vijnë nga praktika e saj arkitekturore.

Finalisti i tretë është Jetullah Sylajmani i cili në veprat e tij merret me çështjet civilizuese si resurset, lufta dhe demokracia, në një mënyrë vizuelisht ambicioze.

Juria është kureshtare për të parë përkthimin e këtyre praktikave në formatin e ekspozitës të finalistëve të çmimit ‘Artistët e së nesërmes’ 2017 dhe të garës për çmimin.

Juria vlerëson angazhimin dhe punën e të gjithë artistëve që kanë aplikuar për çmimin ‘Artistët e së nesërmes’ 2017 dhe i inkurajon të gjithë artistët e rinj të Kosovës që të vazhdojnë punën e tyre në art bashkëkohor dhe të vazhdojnë të konkurrojnë për këtë çmim të rëndësishëm edhe në edicionet e tjera.

Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork dhe mbështetet nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork, Raiffeisen Bank Kosovë dhe Ambasada e SHBA në Kosovë./ KultPlus.com

DokuFest shpalosi mbrëmë programin në Tiranë

Festivali “Dokufest” këtë vit mbërrin në edicionin e 16-të. Në Tiranë organizatorët e tij prezantuan programin e plotë të edicionit të 16, që këtë vit do të zhvillohet nga data 4-12 gusht në Prizren. Por për publikun në Tiranë mbrëmë u shfaqën shtatë filma, që janë pjesë e festivalit “Dokufest”.

Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari u shpreh se për këtë edicion kanë aplikuar rreth 2000 filma shqiptarë dhe të huaj.

“Nga një numër rreth 2000 filmave, kemi përzgjedhur 102 filmave për kategori garuese të festivalit dhe rreth 150 filma për mbi pesëmbëdhjetë programe të veçanta të festivalit, shumë prej të cilave i përkojnë edhe temës së këtij edicioni”, pohoi Nurkollari.

Mbrëmë për publikun në Tiranë u shfaqën filma të regjisorëve nga Kosova, Amerika, Gjermania, etj.

Drejtori artistik Nurkollari pohoi mes të tjerave se është i kënaqur me numrin e filmave të regjisorëve kosovarë dhe shqiptarë, si dhe cilësinë e përgjithshme të filmave për këtë vit, duke e marrë parasysh se do të ketë filma fituese të festivaleve kryesore si Cannes, Tribeca, Berlinale, Sundance si dhe nga festivalet Europiane dhe rajonale. Selektori i programit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda tha se këtë vit në festival cilësia e projekteve të filmave shqiptarë ka qenë me nivel më të lartë.

“Vlen të përmendet që edhe cilësia e autorëve kombëtarë sivjet ka qenë e nivelit të jashtëzakonshëm duke i krahasuar me nivelet e viteve te kaluara, e sidomos autorët nga Shqipëria ku prej 13 filmave sa edhe janë në kategori garuese, 6 prej tyre janë të autorëve shqiptarë” pohoi mes të tjerave elektori Sami Karahoda. Programi kombëtar në festival do të ketë gjithsej nëntë premiera, që shfaqen për herë të parë në “Dokufest” nga data 7-10 gusht për publikun.

Tema e festivalit

Tema e së ardhmes do të jetë në edicionin e këtij viti të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “Dokufest”. Ky edicion premton një vështrim të guximshëm në pasiguritë dhe shpresat e së ardhmes përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave vizuale, masterklasave dhe bisedave të ndryshme, punëtorive bashkëpunuese, koncerteve muzikore si dhe paltformave për përdorimin e mediave dhe teknologjive të reja. Drejtoresha e festivalit Nita Deda vlerësoi rëndësinë e temës së këtij edicioni të festivalit, e cila përbëhet nga një program i gjerë dhe i kuruar me kujdes duke shpresuar të jetë dhe Tirana.

“Ne kemi provuar të krijojmë një hapësirë, ku e ardhmja do të hulumtohet me gjithë mistikën dhe shpresën që ajo mbart, e shpresojmë që këtij hulumtimi ti bashkangjitet edhe Tirana” tha Deda.

Sipas saj, ideja për temën e këtij edicioni erdhi sepse në vitet e fundit ka pasur lëvizje të mëdha nga qytetarë që përpiqen të kenë një zë më të fortë për të ardhmen e tyre. Përmes punëtorive të ndryshme, “Dokufest” synon që të edukoj autorë të ndryshëm të rinj nga autorët më të mirë rreth realizimit të filmave. Bashkëpunimi më Laboratorin e Antropologjisë Vizuale kthehet sërish në Prizren dhe do të shënoj edicionin e dytë këtë vit. Këtë edicion rikthehet edhe Qendra Ballkanike e Dokumentarëve, ku do të jenë 7 projekte filmike të cila do të prezantohen para profesionistëve të ndryshëm për ti paketuar këto projekte për treg ndërkombëtar. Masterklase përveç tjerash, do të mbahen nga regjisorë të njohur si John Smith dhe Travis Wilkerson, shkruan SotNews./ KultPlus.com

Gjithçka gati për Festivalin Ndërkombëtar të Stripit, Karikaturës dhe Satirës

Përgjatë ditëve 28-31 Korrik 2017 në një ndër qytetet më të vjetra dhe si qendër kulturor të Kosovës në qytetin e Prizrenit nën organizimin e shoqatës të strip artistëve kosovar “Xhcomic”do të mbahet edicioni i 14”të me i festivalit ndërkombëtar të stripit,karikaturës dhe të satirës.

Edicioni i 14”të i festivalit ndërkombëtar të stripit dhe të karikaturës përbëhet prej dy temave të posaçme, tema për strip është e lidhur me historinë kosovarë “HISTORIA E LEGJENDAVE KOSOVAR” dhe tema ngacmuese dhe shumë domethënëse për karikaturë dhe satirë është “ BARAZIA GJINORE”.

Puna e palodhur dhe shpresa ka dhënë fruta marramendëse të suksesit , ku në këtë edicion kanë mbërritur 2978 punime nga 671 artistë prej 86 shteteve. Vetë pjesëmarrja dhe interesimi i artistëve vendorë dhe botëror paraqet suksesin dhe peshën e festivalit në platformën botërore.

Festivali ka qëllimin e paqes të së nesërmes dhe të bashkëpunimit të ndërsjellët me artistët botëror duke shkëmbyer eksperiencat , për të ndarë miqësinë,të ndjejnë shijen e lirisë së artit kosovar dhe atë botëror. Me këtë edicion jemi të asaj shprese që pas 14 viteve jemi në një karvan të mirëfilltë ,me shpresë që ky karavan do të ece edhe për shumë vite duke ekspozuar kulturën dhe historinë kosovar dhe duke dhënë shpresa të reja për artistët e rinj.
Përgjatë 4 ditëve të festivalit do të behet ekspozimi i 320 punimeve dhe do të mbahen punëtoritë katër ditorë. Hapja e ekspozitës do të bëhet më datën 29 Korrik 2017 në ora 19:30 galerinë e gazi Mehmet Pashës “HAMAM” në Prizren,ku do të jenë të pranishëm edhe artistët vendorë dhe botërorë si :

Vehap Kokalari (Shqipëri)
Yasar Firat (Turqi),
Devrim Kunter (Turqi),
Erdogan Karayel ( Gjermani),
Vesna Nichevska (Maqedoni),
Darko Bogdanov (Maqedoni),
Jordan Kocevski (Maqedoni) ,
Alla dhe Chavdar Georgievi (Bulgari),
Tchavdar Nikollov (Bulgari),
Christo Komarnitski (Bulgari),
Vjekoslav Bojat ( Mali i zi),
Nenad Ostojic (Kroaci),
Faton Kryeziu ( Kosovë),
Erdina Fetahu ( Kosovë),
Dilara Kogjakatët (Kosovë),
Gani Sunduri (Kosovë),
Ardita Shehu (Kosovë).

Flamuri dhe simbolet e Skënderbeut në kishën e famshme të Venecias

Një flamur që valëvitet në një nga nga tre harqet e tavanit që fsheh historitë biblike të Esterit dhe Mardocheos, paraqet një shqiponjë të zezë mbi sfondin e kuq dhe është lexuar deri më sot si një flamur hasburgian. Në fakt flamuri hasburgian nuk ka pasur kurrë një sfond të kuq, por të hapur.

Në numrin CXCVIII, seria e tretë 10/II (2011) në revistën prestigjioze të shkencës letërsisë dhe artit është botuar një artikull i Lucia Nadin me titullin “Propozimet e rileximeve të pikturës së Paolo Veronezes në Shën Sebastian në Venecia: Skënderbeg atleta Cristi dhe kisha e Shqipërisë”.

Artikulli, precizon autorja, është vetëm një parashtrim studimesh që ka në dorë dhe që synojnë të vendosin Shqipërinë një vend të veçantë në artin e mrekullueshëm në Venecia: Kisha e Shën Sebastianit, që ndodhet në lagjen Dorsoduro, shumë e famshme si një kishë autoriale: nuk është tjetër veç një shembull shumë i rrallë kishe ku pjesa dekorative mban emrin e një artisti të vetëm: Paolo Caliari, veronez, një ndër interpretuesit më të mëdhenj të pikturës veneciane të viteve 1500.

Kjo kishë është një vend simbolik, një monument i madh i Rilindjes, me famë ndërkombëtare, dhe e njohur si tempulli i artistit ku ai dëshiroi dhe të varroset. Për fat të keq një sërë afreskesh të tij me kalimin e kohës u shkatërruan.

Pikturat e veronezit, në tavanin e sakristisë, muret dhe gjithë zbukurimet e tjera u realizuan në një hark kohor mes 1555 dhe 1565. I gjithë cikli celebron në fakt triumfin e Besimit/Kishës/Virgjëreshës Mari nëpërmjet tregimit ekzemplar të martirit të tyre Shën Sebastianit.

Një flamur që valëvitet në një nga tre ovalet e tavanit, në të cilën rievokohen historitë biblike të Esterit dhe Mardokeut, ku paraqitet një shqiponjë e zezë mbi një sfond të kuq dhe ky është lexuar si një flamur hasburgian.

Në fakt flamuri hasburgian nuk ka pasur kurrë një sfond të kuq por të hapur.

Propozimi i Lucia Nadin është gjithçka tjetër dhe bazohet dhe në studimet e saj mbi emigrimin shqiptar në tokën veneciane në gjysmën e dytë të 1400-ës, për shkak të ngjarjeve të mëdha që përshkruan Ballkanin dhe që shënuan emigrime masive pas vdekjes së Skënderbeut dhe pas vendosjes së paqes me turqit në vitin 1479, në vazhdim të dy pushtimeve të tmerrshme që pësuan Shkodra dhe Drivasti nga 1474 në 1478.

Studiuesja, docente e Letërsisë Italiane në Universitetin shtetëror në Tiranë, duke u nisur nga data e flamurit në tavanin e kishës, që thërret flamurin e Skënderbeut, i përshkruar nga Marin Barleti dhe i konfirmuar nga Konica në vitin 1908 dhe më pas me rastin e pavarësisë shqiptare në 1912:shqiponja dykrenore në sfondin e kuq.

Nadin i lexon në mënyrë metaforike aventurat e Moardocheos, që lufton për shpëtimin e popullit ebraik, ngjarje që sipas saj i vishen atyre të Gjergj Kastriotit. Ndaj ajo analizon se gjithë kremtimi i shën Sebastianit, një mënyrë krejt e panjohur për traditën veneciane, është paraqitur jo si shenjti i mrekullive, por si Miles Cristi, që përballon Diokleziani, persekutorin e madh të të krishterëve, dhe që shkon në martirizimin e sigurt, për triumfin e Kishës.

Në Shën Sebastian, Miles Cristi, përfaqëson në mënyrë metaforike në këtë rast Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili u cilësua nga papë të ndryshëm si Atleta Cristi, mbrojtësi i krishtërimit perëndimor.

Koka e dhisë

Në tavanin e kishës do dallosh dhe kokën e një dhie: që në fakt ka qenë një nga kafshët mesjetare, simbol i largpamësisë së Krishtit.

Përkrenarja e Skënderbeut ndodhet në Vienë në Kunsthistorisches Museum. Koka e dhisë dihet që ishte pjesë zbukurimi e përkrenares së Skënderbeut që u bë mbret i popullit të tij i ndjekur nga kryqëzimet e papa Piut II dhe që mbaroi tragjikisht me vdekjen e papës në Ankona.

Pra bëhet fjalë për një simbol tjetër Kastriot, pra shqiptar.

Në martirizimin e Shën Sebastianit që pasqyrohet aq bujshëm në kanavacat e prezbiterit autorja nuk bën gjë tjetër veç lexon martirizimin e gjithë kishës së Shqipërisë, dhe një personazh specifik që paraqet një veshje me shqiponjën dykrenore kurorëzuar me historinë e familjes së Ëngjëllorëve, që njihet në histori në vitet 50 të këtij shekulli dhe që u nderuan me Urdhrina kavaleresk të San Giorgios, një familje që u impenjua me një guxim të jashtëzakonshëm për të kujtuar memorien historike të Shqipërisë.

Në fakt jemi në pritje të veprës kompete të Luçia Nadin mbi kishën e Shën Sebastianit për të zbuluar një faqe të rëndësishme të historisë shqiptare dhe një vend në artin mesjetar për më tepër që bëhet fjalë për një nga veprat e një prej piktorëve më të mëdhenj evropianë të të gjitha kohërave: Paolo Veronezen.

Dëshirojmë të kujtojmë në fund të këtij shkrimi, zbulimin e jashtëzakonshëm të Lucia Nadin mbi Statuset e Shkodrës, të rekuperuara nga studiuesja pas 7 shekujsh nga biblioteka e Museo Correr në Venecia. Një kontribut i jashtëzakonshëm i studiueses italiane për historinë e Shqipërisë.

Dasma përrallore e Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë Appony (FOTO)

Nga dasma e bujshme e Ahmet Zogut në 1938 te ajo e trashëgimtarit të parë në 1975 e deri sot te Princi Leka II.

27 prill 1938

“Më dridheshin këmbët dhe nuk shikoja asgjë. Isha jashtë mase e frikësuar. Dhoma ishte aq e gjatë sa dukej e pafund dhe unë doja vetëm të zhdukesha. Befas, u gjenda ballë për ballë me një fytyrë të hijshme, një burrë i gjatë, pa të meta, i veshur me uniformën e bardhë të kolonelit të përgjithshëm të ushtrisë. Ishin pikërisht sytë që i vura re të parët…”, mes shumë kujtimesh e intervistash këto kanë qenë mbresat e para të Geraldina De Nagy Appony, bashkëshortes së Ahmet Zogut, përpara se të vinte kurorë.

Geraldina nuk e dinte se, pavarësisht fshehtësisë, lajmi për mbërritjen e saj kishte intriguar tej mase kryeqytetin. Pothuajse i gjithë oborri, njerëzit me ndikim dhe diplomatët e dinin që kishte ardhur me aprovimin e Mbretit dhe ishte kandidatura kryesore për t’u bërë Mbretëreshë e Shqipërisë. Ishte viti 1938, viti i martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinë.

NGA BIOGRAFIA E GERALDINËS

“Pjesa më e madhe e plaçkave u soll nga Parisi prej vetë Mbretit, i cili kishte shije të hollë dhe i pëlqente shumë të zgjidhte veshjet për Geraldinën. Ai kishte porositur një rrobaqepës të vinte nga Franca për të marrë masat e Geraldinës, ndërsa dy shtëpitë e modës ”Channel” dhe ”Worth”, të zgjedhura nga Mbreti, bënë një kallëp me përmasat e saj. Geraldina nuk pati mundësi të këshillohej me askënd, pasi Mbreti zgjodhi personalisht tri fustane mëngjesi, gjashtë fustane pasditeje, tri palë kostume, gjashtë fustane balloje dhe rroba sportive.

Nga ”Maison de Blanc në Paris”, ai porositi fustane shumë të bukura për në shtëpi dhe dhjetëra komplete të brendshmesh prej mëndafshi të stolisura me dantella elegante. Secila veshje kishte këpucët, kapelet, dorashkat dhe çantat e veta të kombinuara, bashkë me çorapet e holla prej mëndafshi. Me të vërtetë që ishte një gardërobë që i shkonte për shtat një mbretëreshe”.

Dasma nisi më 23 prill, me një pritje që Mbreti dhe Mbretëresha e ardhshme dhanë për trupin diplomatik dhe për gazetarët e huaj që kishin mbërritur në Tiranë. Shpenzimet e dasmës nuk u mësuan kurrë. Gazeta “Shtypi” e datës 24 prill të 1938 raportoi në faqen e parë: “Banka Kombëtare vuri në dispozicion të Sovranit 10.000 franga ari/me rastin e martesës së tij”.

Por shuma zyrtare ishte shumë më e vogël sesa ajo që derdhën individë dhe kompani private për këtë rast. Dasma u bë eveniment botëror. Hotelet e paktë të kryeqytetit qenë rezervuar për të ftuarit e Mbretit dhe 79 fotografët e gazetarët e ardhur nga e gjithë bota, përfshi Afrikën e Jugut, Argjentinën dhe Japoninë. Dhuratat zunë vendin kryesor në shtypin e huaj.

Regjenti, Horti i Hungarisë pati ofruar një pajton tërhequr nga dy kuaj lipizan, Franca, një servis prej porcelani Sevre, Musolini disa vazo që dikur i përkisnin Napoleonit, ndërsa Mbreti Viktor Emanuel një statujë antike prej bronzi. Dhurata që binte më shumë në sy ishte ajo e bërë nga Kancelari i Gjermanisë, Hitler, një “Mercedez” sportiv kabriole të kuq.

Sipas “Corriere della Sera”, ekzistonte vetëm një ekzemplar tjetër i këtij modeli, ai i Hitlerit. Geraldina kujton se ajo u zgjua në orën gjashtë, pavarësisht faktit që kishte rënë të flinte shumë vonë. Veshja e dasmës ishte zgjedhur sërish nga Mbreti. Ajo veshi një fustan të qëndisur me perla dhe diamante të bërë nga “Worth” posaçërisht për të. Në orën 11:00 nusja hyri në sallën e nderit të pallatit. Shtypi amerikan i kushtoi reportazhe të gjata dasmës, si dhe atmosferës së saj, si ky i “The New York Sun” i datës 27 prill 1938, i titulluar: “Shqipëria bëhet me Mbretëreshë”.

ZOGU DHE GERALDINA TË SAPOMARTUAR

Çifti i sapomartuar udhëtoi në mbarim të ceremonive nga Tirana në Durrës me një “Mercedes” të hapur. Mijëra veta kishin dalë në anë të rrugës për të parë Mbretëreshën 21- vjeçare. Geraldina kujton se ata u ulën në verandë për një kafe, përpara se Mbreti t’i tregonte dhomën e madhe të pritjes të mobiluar sipas stilit klasik, dhomën e ngrënies sipas stilit perandorak të Napoleonit dhe dhomën e gjumit në stilin e Maria Terezës.

Pallati veror sapo ishte restauruar me rastin e martesës dhe Mbreti Zog mburrej për tavanin e gdhendur, larë në ar. Në të qenë shtruar sixhade të shtrenjta, pjesë e koleksionit të rrallë të Mbretit. Sixhadet qenë bashkë me armët një prej pasioneve të tij.

“Nusja zgjodhi një këmishë nate mëndafshi të bardhë me mëngë të gjata me dantella si kambanë dhe priste e tmerruar Mbretin në shtratin me tendë”, dëshmon biografja e Geraldinës. Zogu dhe Geraldina jetuan të pandarë për 23 vjet, derisa ai ndërroi jetë në Paris në prill 1961. Geraldina vdiq në Tiranë në tetor 2002. Në fund të jetës i ishte plotësuar amaneti i vetëm, të vdiste dhe të varrosej në vendin që i kishte vënë mbi kokë kurorën. Në vitin 2014, revista “The Richest” e shpalli atë mbretëreshën e pestë më të bukur në historinë e martesave mbretërore.

Nga Anne Matheson, Madrid

Një ngastër me diell

Poezi nga Arlinda Guma

Nëna ime,
ka një recetë për lumturinë…
më flet për të,
me duart e zbardhura,
zhytur në brumin që mbrujt në tepsi…
Ajo shton kursyeshëm;
pak ujë… pak miell…
…çdo gjë me masë…
E shtriq brumin kujdesshëm në tepsi,
pastaj e ndan në ngastra…
një copë… për ëndrrat…
një… për fitoret…
një tjetër…. për humbjet…
nëna vizaton me pirun,
nga një diell të vogël, për çdo ngastër…
e fut tepsinë në furrë,
pastaj kthehet rrëmbimthi nga unë,
…më urdhëron prerë;
të ndjek recetën e saj me çdo kusht…
recetën… që ajo ka shpikur për lumturinë time…
Nëna ime,
sot e ka mbrujtur atë…
… në ngastra të vogla… me nga një diell përsipër…

© Arlinda Guma
2009

Rozafa, qyteti që u ngrit mbi trupin e një femre

I vogël e i madh e di legjendën e famshme të Rozafatit, gruas që u sakrifikua për të ngritur kalanë që edhe sot e kësaj dite qëndron po aq madhështore sa edhe më parë. Por cila është historia e vërtetë e saj? Si ka nisur dhe çfarë ka pësuar kjo kala ndër shekuj? Le ti hedhim një sy më nga afër të bazuar në shkrimet e studiuesve.

Kalaja e Rozafës në Shkodër është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Kalaja hyrjen kryesore e ka nga verilindja.

Rrëzë kodrave që rrethojnë qytetin në anën jugore të tij janë zbuluar gjurmë arkeologjike që fillojnë nga Bronxi i hershëm. Në mes shek.V-IV p.e.r filloj ndërtimi i Kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Në antikitet zona përreth banohej nga fisi Ilir i Labeatëve dhe jo rastësisht historiani Tit Livi e quan “vendi më i fortë i labeatëve”.

Në këtë kohë qyteti merr hov të madh zhvillimi dhe si fakt për këtë përparim është monedha e përdorur qysh në vitin 230 p.e.s. Nga monedha mësojmë se Qyteti në këtë kohë është quajtur Scodrinon. Në vitin 181 p.e.s qyteti bëhet kryeqendër e Mbretërisë Ilire me mbretin Genti në krye. Në këtë periudhë qyteti shtrihej në pjesën jugore të kodrës, i rrethuar me mure dhe porte hyrëse ndërsa mbi kodrën ku sot ngrihet Kalaja ishte ndërtuar Akropoli ilir.

Gjurmët më të dukshme të periudhës ilire në Kala i gjejmë në oborrin e vogël mes Barbakanës dhe portës së dytë si dhe në të majtë të kthesës hyrëse tek porta e dytë. Pikërisht në Kala dhe përreth saj gjatë shek.II p.e.s u zhvilluan luftërat me perandorin romake dhe në vitin 168 p.e.s, pushtohet nga ushtrija perandorake. Në periudhën e Dioklecianit qyteti (nga reformat e tij) bëhet qendër administrative e provincës së Prevalit.

Me dyndjet sllave qyteti pushtohet dhe gjatë shek.XI bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës (në vitin 1040). Më vonë qyteti pushtohet një kohë të shkurtër nga bullgarët, por deri me sot nuk janë zbuluar gjurmë ndërtimesh të kësaj periudhe në Kala. Në shek.XIV qyteti bëhet qendër e rëndësishme autonome, madje më 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së Balshajve. Më 1396 kalon nën sundimin e Venedikut dhe në këtë kohë qyteti quhet me emërtimin Scutari.

Në këtë periudhë, mes sundimit të Balshajve dhe pushtimit Venedikas Kalaja merr formën që ka dhe sot. Kullat mbrojtëse në oborrin e parë i përkasin kësaj kohe. Pas Balshajve ishin Venedikasit që vunë dorë në Kala, kryesisht në fortifikime dhe ndërtime me karakter ushtarako-administrativ. Me 1407-1414 ndërtohet Barbakania me qëllim mbrojtjen e hyrjes në kështjellë.

I gjithë kompleksi i hyrjes përfundoi më 1468 kur pasi përballoi kryengritjet e popullsisë vendase në vitet 1405-1410 kundër sundimit Venedikas, kështjella po bëhej gati të përballonte pushtimin osman. Venedikasve i përket dhe një ndërtesë monumentale në oborrin e tretë me tre kate dhe e pajsur me fengjij topash e njohur si Kapiteneria.

Me 1478 Sulltan Mehmeti II rrethon Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë si kështjella e fundit e pa pushtuar deri atëkohë. Mbrojtja e Shkodrës zgjati për rreth 8 muaj nga vetëm një garnizon prej 1600 vetash shkodran dhe venedikas brenda në Kala pasi pjesa tjetër e popullsisë ishte larguar nga frika e pushtimit osman. Kjo qëndresë heroike e Shkodrës para Sulltan Mehmet fatihut u përshkrua nga historiani i parë shqiptar i asaj kohe Marin Barleti në Librin e tij “Rrethimi i Shkodrës“ që u botua në Itali në vitin 1504.

Në fund kështjella u dorëzua me kusht pas marrëveshjes së nënshkruar mes Venedikut dhe osmanëve më 25 Prill 1479. Gjate pushtimit qyteti dhe vetë Kalaja pësuan dëmtime të mëdha, të cilat u riparuan nga pushtuesit osman kryesisht në fortifikime dhe riparimin e dëmeve tjera të shkaktuara nga sulmet. Rimëkëmbja e qytetit bëri që në shek.XVII të bëhet qendër e Sanxhakut. Nga fundi i shek XVII fillimi i shek.XVIII fillon shtrirja e qytetit në fushën ku shtrihet sot.

Deri nga fundi i shek.XVIII qendër e qytetit shërbente Xhamia e Plumbit ndërtuar nga Mehmet Pashë Plaku Bushatllij në vitin 1768. Lëvizja drejt fushës së krijuar nga Liqeni i Shkodrës ndodhi dhe për shkak se tashmë lumi Drin kishte ndryshuar shtratin e tij dhe Shkodra ishte kthyer në port lumor nëpërmjet lumit Buna. Në gjysmën e dytë të shek.XVIII Shkodra bëhet kryeqendër e Pashallëkut të familjes vendase Bushatllij që qeverisi Shkodrën në vitet 1757-1831 pallati i së cilës ndodhej në kështjellë, por që fatkeqësisht u dogj nga një zjarr i rënë aty në vitin 1858.

Gjatë kësaj periudhe të sundimit të Bushatllijve, Shkodra mori një zhvillim të shpejtë. U ndërtua Pazari, i cili numëronte më shumë se 2500 dyqane dhe që ishte më i madhi në Ballkan. Në këtë kohë qyteti numëronte 50.000 banore. Deri në vitin 1858 pallati ka shërbyer si banesë e Valiut të qytetit. Bushatllijt vunë dorë edhe në Kala kryesisht në kulla mbrojtëse dhe vrojtimi siç është ajo në jug-perëndim të kështjellës e ndërtuar për të kontrolluar rrugën nga Lezha dhe zonën ku bashkohet lumi Drin me Bunën.

Kjo kullë është e pajisur dhe me një dalje të maskuar në raste rrethimi nga Kalaja. Bushatllijve i përket dhe muri që ndan pothuajse në mes kështjellën i pajisur dhe me portë hyrëse me qemer të trefisht. Përfundimisht Kalaja e Rozafës – Shkodrës u braktis në vitin 1865 kur administrata e qytetit u shpërngul për në qendrën ku është dhe sot dhe pastaj Kalaja shërbeu vetëm si qendër e garnizonit osman.

Kështjella njihet me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët. Marin Barleti, në shek. XV – në veprën e tij, “Rrethimi i Shkodrës” tregon se: “Na patën rënë në dorë disa shkrime… Ishin shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet, të quajtur Fa, qenë themelueset e parë të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa”. Ekziston një variant i baladës, në të cilin gjithçka kryhet nga Roza e Fa sipas veprimeve dhe situatave të baladës së murimit. Por Barleti nuk i përmend situatat dhe nuk e përmend flijimin.

Ndoshta sepse ai është monoteist. Mbledhësi i këtij varianti është H. Hecquard dhe për këtë çështje shprehet më hollësisht në një studim Vili Kamsi. Emri i Kështjellës është i lidhur me legjendën e murimit. E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. Rozafa, nusja e më të voglit ndër tre vëllezër (baca Gjergj), u muros e gjallë në themelet e kalasë,- si këshillë nga një plak tregon legjenda,- si një sakrificë për të ndalur përgjithnjë syrin e keq që shkatërronte muret për çdo natë.

Uji gëlqeror që kalon ndër muret e kalasë lidhet, në fantazinë e folklorit, me qumështin e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës si akord për të pranuar sakrificën ishte lënja e anës së djathtë të trupit «sýnin e djathtë që t’shoh birin t’em, krahun e djathtë qi t’a mbâj, gjinin e djathtë qi t’a ushqej, kâmben e djathtë qi m’e përkûnd djepin» që të kujdesej për të birin e sapolindur.

Për toponiminë, balada, sidomos ajo që flet për kalanë e Shkodrës, jep një sërë territoresh. Ato gërshetohen me territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë (kodra matanë Bunës ku ndodhet kisha e Sh.Mari Magdalenës), Maldunus ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet Rozafati), Zarufe (kodra e Pashës). Të tria këto ekzistojnë edhe sot.

Po si ka qenë e ndërtuar kjo kala gjigande dhe me një funksion tejet strategjik?

Sipërfaqja e brendshme e kalasë ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Në muret dalës të tij, ka të dala drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla.

Brenda tij ndodhen katër depozita për grumbullimet e ujit, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej të cilave uji merrej përmes grykave të puseve rrethore. Aty ruhen dhe një depo, një burg si dhe një kishë e kthyer më vonë në xhami. Oborri i parë komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë.

Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja. Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik.

KultPlus, tani me dizajn të ri dhe i përshtatshëm për pajisje mobile

Gazeta e parë dhe e vetme shqiptare online mbi artin dhe kulturën nga sonte ka një pamje dhe imazh të ri.

Ende pa u mbushur katër vite punë, dhe rreth 54 mijë pëlqime në faqen tonë në Facebook, KultPlus vjen me një pamje të freskuar, me një imazh më ndryshe, gjithmonë brenda kornizave të seriozitetit dhe profesionalizmit që na karakterizon.

Rubrikat tona, përmendim këtu librin, filmin, muzikën, showbizin, teatrin, trashëgiminë kulturore, shkrimet e veçanta për më të vegjlit, të gjitha do të mbesin të njëjta. Poezia, një prej dashurive të lexuesve të KultPlusit, do të jetë tash e tutje një rubrikë në vetvete, me poezi nga shkrimtarë të ndryshëm dhe shpesh edhe me poezi të dërguara nga lexuesit tanë.

Krahas pamjes dhe imazhit, KultPlus nga sonte është i përshtatshëm edhe për pajisje mobile (responsive) Më afër me gazetën tonë do të mund të jeni nëse e shkarkoni aplikacionin në telefonin tuaj, prej ku do ti merrni lajmet në kohë reale. / KultPlus.com