Ali Podrimja, si e profetizoi fundin e jetës së vet në vargje?

In memoriam, me rastin e 5-vjetorit të vdekjes së poetit Ali Podrimja

Vdekja e poetit Ali Podrimja pesë vjet më parë ishte një mister që zhuriti dhe habiti të gjithë miqtë, të afërmit, njohësit e krijimtarisë së tij, por edhe më gjerë. Ashtu si vargjet që shkroi gjithë jetën, të cilat mbulohen nga mjegullnaja simbolike, gjuha ezoterike dhe konciziteti, ashtu përfundoi edhe jeta e bardit të shqiptarizmës, në një vorbull paqartësie, në mënyrë të beftë dhe mes pafundësisë së shtigjeve hamendësuese.

Poezia ishte lajtmotivi i jetës së tij, ishte zëri dhe tik-taku i shpirtit të tij, që u ndal pikërisht në një nga tubimet poetike të kryeqendrës kulturore evropiane, Francës. Çuditërisht trupi i tij u gjend pranë një pylli, jo në dhomën e ndonjë spitali apo hoteli, por në mes të natyrës dhe të gjithësisë, e konkretisht mu pranë një lumi. A thua Lumi e thërriste, sepse ai gjithë jetën kishe shkruar për të dhe kurrë nuk guxoi ta pranojë vdekjen e birit të tij të dashur (Lumit), sepse e ndjente thellë brenda qenies frymëmarrjen e tij, e shihte gjithkund: “vdekjen tënde nuk mund ta nënshkruaj vogëlush/ varrëmihësit le ta qesin emrin/ ose bardhësia le të më mbulojë edhe mua/ të tërin (poezia “Fletë e bardhë”, shkruar në Ulpianë në tetor të vitit 1982).

Pavarësisht tragjizmit që mbarte vdekja në lulen e rinisë e Lum Podrimjes, autori arriti që ta universalizonte dhimbjen dhe trishtimin e tij, duke përcjellë në të, jo vetëm fatin e birit të vet, por fatin e mijëra shqiptarëve të rënë për atdheun dhe gjithashtu fatin e miliona njerëzve që kanë humbur jetën dhe vazhdojnë të shuhen nga kjo botë, në përpjekje për të kërkuar lirinë dhe të drejtat që u takojnë. Shtresëzimet motivore nga ai personal tek ai kombëtar dhe deri tek motivi universal janë të pranishme në të gjitha poezitë e kryeveprës lirike të letërsisë shqipe “Lum lumi”, vepër e botuar pesë herë dhe ku në të pesta botimet ka ripunime dhe rimodelime të vargjeve.
Secili variant i vëllimit poetik “Lum lumi” ka specifikat e veta si në aspektin formal, ashtu edhe në atë përmbajtjesor. Këto pesë variante të “Lum lumit” dëshmojnë kujdesin për figurën e lumit, frymëzimin dhe gjithë opusin poetik të Ali Podrimjes. Duket sikur vetë “lumi” si element i natyrës dhe si personifikim i një qenie njerëzore të identifikuar me këtë emër, është simbol personal i poetit tonë të pavdekshëm. Ndryshe nga shumë autorë të tjerë, ku simboli i lumit vërvitet pak a shumë rreth të njëjtës fushë semantike, duke simbolizuar vitalitetin, vazhdimësinë, lëvizjen e përhershme etj., tek Ali Podrimja elementi i lumit rreket të nënkuptojë ngjyresa kuptimore të mëvetësishme dhe krejtësisht autentike nga ana e autorit. Më shumë sesa jetën, lumi shënjon vdekjen dhe më shumë sesa lëvizjen e freskinë, ky simbol shënjon thatësinë e mungesën e çdo gjurme gjallimi: Në bregun tim nuk dukesh/ as nuk të lag më/ valë e lumit tim/ Sorra të dergjura/ grimcojnë/ ëndrrën/ dhe myshku ha emrin në gurë. (Poezia “Myshku, emri”)

Thuhet se poetët u përngjajnë profetëve që parathonë fatet e njerëzve, e në këtë pikëpamje duket sikur edhe Ali Podrimja paratha në vargje ëndrrat e popullit të vet, por edhe profetizoi të ardhmen dhe fundin e jetës së tij fizike. Ky anticipim shihet në dy përbërës, që janë dominues në poezinë e tij:

1. Trajtimi i motivit të vdekjes lidhet gjithnjë me Lumin
2. Toponimi i vdekjes është i njëjtë me atë të birit të tij Lumit

Motivi i parë spikat më tepër në poezitë “Vdekja ishte më e shpejtë se unë”, “E ti i vdekur”, “Pikëllimë”, “Unë nuk jam ai” etj. Në të gjitha këto poezi simboli i lumit lidhet herë në mënyrë të drejtpërdrejtë, e herë të tërthortë me vdekjen. Ndërsa motivi i dytë shquhet qartazi në poezinë “Parisi, vendlindja” ku heroi lirik, që në këtë rast përfaqëson vetë autorin, hyn në Paris bashkë me Lumin për të ngulur gurin e fundit të ekzistencës së tyre: Do të hyjmë në Paris/ gurin tonë aty do ta ngulim,/ nuk do të na presë Teuta, Genti,/ nuk do të na presë hordhi e egër romake,/ nuk do të na presë njeri i gjallë.
Motivi i vdekjes pranë bregut të lumit u profetizua edhe në vargjet e poezisë: “Me qenë”:

Të jesh shqiptar
E vdekja të mos të gjejë
Edhe në skaj të botës
E pamundur është

Të jesh shqiptar
E ndonjë qen të mos të ndjek
Deri në varr
E pamundur është
Shqiptar të jesh
Botën varr të mos e kesh
E pamundur është
E pamundur

Në trupin tim
Plaga më e thellë
Sa më afër
Bregut
Lum lumi nuk është në linjë

Këto fakte rastësore duket sikur poeti i ka parathënë vazhdueshëm në vargjet e tij. Poeti dha shpirt në Francë, pikërisht aty ku më shumë se 40 vjet më parë do të jepte shpirt biri i tij Lumi teksa kurohej për sëmundjen e rëndë të kancerit.
Poezia e Ali Podrimjes ka vlera universale dhe është pjesë e fondit të artë të poezisë moderne bashkëkohore mbarëbotërore. Për vlerat e krijimtarisë së tij në letërsi flasim botimet e poezive të Podrimjes në rreth 40 gjuhë të botës dhe qindra e mijëra artikuj studimorë të botuar nga studiuesit më të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Ali Podrimja është nderuar për së gjalli me titujt më të lartë letrar, ku vlen të përmendim shpërblimin e mirënjohur letrar Nikolas Linau (Shtutgart), të cilin e mori në Gjermani në vitin 1998, më tej në vitin 2005 u vlerësua me çmimin ndërkombëtar të poezisë “Liburna”, ndërsa në vitin 2006 Podrimja renditet mes 400 poetëve më të mirë të Evropës, sepse poezitë e tij publikohen në revistën ndërkombëtare italiane “Poesia”, me poetët e shekullit XX.

Poeti dhe akademiku Ali Podrimja do të kujtohet gjithnjë jo vetëm për krijimtarinë që la pas, por edhe për vlerat e larta njerëzore që shpërfaqte. Vdekja e tij qe e beftë dhe simbolike, njëlloj si jeta dhe poezia që la pas. / KultPlus.com 

Të betohem në Zot që nuk do të kthehem…

Teksti i këngës “No Volvere” (Nuk do të kthehem) nga Chavela Vargas. Përktheu nga spanjishtja: Arbër Selmani

Kur do ta gjesh veten larg meje
Kur do të duash unë të jem afër teje
Nuk do ta kesh asnjë kujtim nga unë
Dhe as të tjera dashuri me mua.

Dhe po të betohem, që nuk do të kthehem
Edhe nëse jeta më godet me padrejtësi
Nëse dikur të kam dashur shumë, si e çmendur
Prej shpirtit tim sot ke veç lamtumirë.

Dhe jo, nuk do të kthehem
Të betohem në Zotin që më sheh
Duke dënesë prej inatit,
Po të them,
Nuk do të kthehem.

Deri lotët e mi të jenë formuar,
Nuk do të ndalem duke qarë
Një lum i harresës më është formuar
Aty ku do ta mbys kujtimin për ty.

Ishim retë që qielli i përplasi
Ishim gurët që u rrokën për njëri tjetrin
Dy gota uji që dielli i thau
Dy të dehura që fundi nuk i ndau.
Megjithatë,
Po nisem me trenin e mungesës
E biletë kthimi nuk ka kjo bileta ime,
Çka ke timen, po ta jap
Por jo më, për ty, kjo puthja ime.

Dhe jo, nuk do të kthehem
Të betohem në Zotin që më sheh
Duke dënesë prej inatit,
Po të them,
Nuk do të kthehem.

“Zemra e Sarajevës” për regjisorin amerikan Oliver Stone

Në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit të Sarajevës, që do të mbahet prej 11 deri më 18 gusht, çmimi i nderit “Zemra e Sarajevës”, do ti ndahet regjisorit të famshëm amerikan Oliver Stone, shkruan KultPlus.

I shpërblyer disa herë me çmimin Oscar, Stone do ti ndahet çmimi për kontributin e tij të shquar në botën e artit dhe të filmit, pasi që ai njihet për xhirimin e 20 filmave të metrazhit të gjatë dhe atyre dokumentarë. Një nga Oscarët ka marë për filmin e tij të famshëm “Born on the Fourth of July”, ku ka luajtur aktori i famshëm Tom Cruise, kurse së fundi ai ka realizuar edhe një seri të intervistave me presidentin rus, Vladimir Putin./KultPlus.com

Poezi kushtuar Matildes…

Poezi nga Pablo Neruda, kushtuar muzës së tij Matildes.

Po kërkoj qetësi
Tani më lini vetëm.
Mësoni të bëni pa mua.

Unë po mbyll sytë.

Dhe dua vetëm pesë gjëra,
Pesë rrënjët favorite.

E para është dashuria pafund.

E dyta është të shoh vjeshtën.
Unë s’mund të jem nëse gjethet
Nuk fluturojnë dhe bien në tokë.

I treti është dimri solemn,
Shiu që e doja, përkëdheljet
E zjarrit në dimrin e egër.

Në vend të katërt, vera
Rrumbullake sa një shalqin.

Gjëja e pestë janë sytë e tu.
Matilda ime, e shtrenjtë,
Unë nuk dua të fle pa sytë e tu,
Unë nuk dua të jem nëse ti nuk shikon në mua:
E jap pranverën
Që ti të vazhdosh të më shikosh mua.

Kjo, miq është gjithë ç’dua.
Gati asgjë dhe pothuaj gjithçka.

Tani ju mund të shkoni nëse dëshironi.

Unë jetova aq shumë sa një ditë
Ju do të më harroni
Do të më fshihni nga dërrasa e zezë:
Zemra ime shkoi përgjithmonë.

Por sepse po kërkoj qetësi
Mos mendoni se po shkoj të vdes.
Përkundrazi:
Ndodh që po shkoj të jetoj.

Kështu do të jetë vetëm brenda meje
Që gruri do të rritet,
Së pari filizat çajnë përmes
Tokën të shohin dritën,
Se nënë toka është e errët:
Unë jam si një pus në ujrat e të cilit
Nata lë yjet e saj
Që të shkojë e vetmuar përmes fushave.

Sepse jetova kaq shumë
Unë dua të jetoj dhe aq më shumë.

Kurrë nuk jam ndjerë kaq kumbues,
Kurrë nuk kam pasur kaq shumë puthje.

Tani, si gjithmonë, është shpejt.
Drita fluturon me bletët e saj.

Më lini vetëm me ditën.
Kërkoj lejë të lind.

Kam ditë…

Poezi e shkruar nga Flutur Mustafa.

Kam ditë me pa lindjen e diellit në sytë e tu.

Prej se nuk i shoh, nuk don me thanë se ma nuk lind ai diell.

I bekum nuk asht. T’pakten, prej meje jo.

Kam ditë me dashuru nji hanë në zemer tande

e bashkë me të, me të nda ty.

Kam ditë prej hijeve me të msheh,

me të rujt edhe prej hijes tande.

ma i randsishëm se unë ke kenë.

si thu, ma a je ?

Kam ditë me të thirrë në emen,

netve kur andrrat shëndrroheshin në makthe

e në djersë të ftofta me u zgju,

duke u lutë që je mirë.

Shumë gjana kam ditë

e po aq gjana i kam harru.

Duke ken nji mungesë ma me randsi,

se nji moment, veç me m’kujtu mu. / KultPlus.com

një poezi

Poezi e shkruar nga Charles Bukowski (1920-1994)

një poezi është një qytet plot rrugë dhe puseta
plot me shenjtë, heronj, lypësa, të marrë,
plot me banalitet dhe me gjëra për t’u pirë,
plot me shi dhe bubullimë dhe me periudha
thatësire, një poezi është një qytet në luftë,
një poezi është një qytet që pyet një lavjerrës pse,
një poezi është një qytet që digjet,
një poezi është një qytet nën bombardime
sallat e saj të berberëve plot me sarhoshë cinikë,
një poezi është një qytet ku Zoti kalëron
nëpër rrugët si Lady Godiva,
ku qentë angullijnë natën, e bëjnë flamurin
t’ia mbathë; një poezi është një qytet me poetë,
për me tepër shumë të ngjashëm mes tyre
e lakmiqarë dhe plot me ankime…
një poezi është ky qytet tani,
50 mile nga asgjëja,
9, 09 e mëngjesit,
shija e pijes dhe e cigareve,
as policë as të dashuruar që enden rrugëve,
kjo poezi, ky qytet, që kyç dyert e veta,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
i përzishëm pa lotë, i plakur pa mëshirë,
me malet plot shkëmbinj të ashpër,
me oqeanin si një flakë trumze,
një hënë e privuar nga madhështia,
një muzikë e lehtë dritaresh të thyera…

Hapet kampi me të rinjtë nga Diaspora

Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe OJQ “Toka”, në qendrën rekreative “Gërmia” në Prishtinë u hap kampi veror me të rinjtë nga diaspora, Shqipëria dhe Kosova.

Në këtë kamp po marrin pjesë të rinjtë e moshës 14 -17 vjeçare.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Diasporës, qëllimi i këtij aktiviteti është krijimi dhe thellimi i lidhjeve mes të rinjve nga diaspora dhe atyre nga Kosova. Përmes këtij kampi, të rinjve nga diaspora do t‘u krijohet mundësia të njihen në mënyrë interaktive me natyrën, kulturën, historinë, por edhe të krijojnë shoqëri me moshatarët e tyre, si dhe t’i tregojnë shkathtësitë e tyre në fusha të ndryshme.
Hapjen zyrtare të kampit veror e bëri ministri i Diasporës, Valon Murati.
“Misioni i këtij kampi është që të rinjtë nga diaspora të afrohen me atdheun, që përmes aktiviteteve të njihen më mirë me njëri-tjetrin. Këto aktivitete i konsiderojmë jashtëzakonisht të dobishme, ngase janë në funksion të ruajtjes së identitetit kombëtar të fëmijëve nga diaspora”, citohet të ketë thënë ministri në detyrë, Valon Murati.
Kampi veror me të rinjtë do të vazhdojë deri më 28 korrik 2017./ KultPlus.com

DokuFest sjellë ‘Marubin’ në Prizren

DokuFest XVI, shpall programin e fotografisë DokuPhoto, që këtë edicion me krenari do të shënohet përmes një bashkëpunimi me Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi në Shkodër, përcjell KultPlus.

Arkiva e fotografive të ‘Marubi’ kap dhe dokumenton ngjarje nga historia e trazuar e Shqipërisë (1856-1959) dhe përfshinë fotografi fascinuese të ngjarjeve të ndryshme publike, ritualeve shoqërore, kryengritjeve në malësi që mbulojnë pikëpamje historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike.
Një përzgjedhje e fotografive të kuruara nga koleksioni i gjerë i muzeut prej 500.000 negativë, që përfaqëson tre breza fotografësh, do të paraqiten përmes aktiviteteve të ndryshme që do të organizohen përgjatë festivalit. Programi përfshinë një ligjëratë me drejtorin e muzeut, punëtori dhe ekspozitë street art në hapësirat e qytetit, një punëtori për fanzine si dhe ekspozitë video-mapping, duke sjellë për herë të parë në Prizren një shikim unik të këtij koleksionit fantastik.
DokuFest, nisë edicionin e 16-të më datën 4 gusht në qytetin e Prizrenit./ KultPlus.com

Edi Rama: Lajm i bukur që filmi shqiptar “Dita zë fill” me premierë botërorë në Sarajevë

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit është përzgjedhur që premierën botërore të ketë në garën kryesore në një prej festivaleve më prestigjioze të rajonit, atë të Sarajevës, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht ky lajm nuk ka mbetë pa u vërejtur edhe nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili, pa dyshim që këtë lajm e ka vlerësuar të jetë shumë i bukur. Ai në rrjetin social facebook u ka uruar ndjekësve të tij një ditë të mbarë, pikërisht duke vënë theksin mbi filmin e Koçit.

“MIRËMËNGJES 😀
dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë lajm të bukur për filmin shqiptar “Dita zë fill” (Daybreak) që është zgjedhur të mbajë premierën botërore në garën kryesore të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë, 11-18 gusht 2017, një nga festivalet më të rëndësishëm në Europë”, ka shkruar Rama.

Ndërkohë, filmi “Dita zë fill” flet për përpjekjen e një nëne të re për të mbajtur me thonj një vend pune në një mjedis të pasurish të rinj. Në këtë treg projekti i ri i Koçit po ndjek rrugën e kërkimit të producentëve të huaj./KultPlus.com

Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Françeskane “At Gjergj Fishta”

Në Bibliotekën Françeskane “At Gjergj Fishta”, në praninë e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Shala dhe Ministrit Provincial të Françeskanëve në Shqipëri, pater Aurel Gjerkajt, është nënshkruar Marrëveshja e bashkëpunimit midis Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Françeskane “At Gjergj Fishta”.

Marrëveshja është nënshkruar nga Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe At. Vitor Demaj Drejtori i Bibliotekës Françeskane “At Gjergj Fishta”, shkruan KultPlus.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, të dy bibliotekat do të punojnë në shkëmbim e huazim të materialeve bibliotekare nga fusha e albanologjisë, posaçërisht të librit dhe të dorëshkrimeve. Marrëveshja do të forcojë bashkëpunimin edhe në fushë të hulumtimit, të grumbullimit dhe të ruajtjes së kulturës shqiptare.

Sipas kësaj marrëveshjeje, gjithashtu, parashihet promovimi i veprimtarive të përbashkëta bibliografike, ekspozitave e botimeve.
Provinca Françeskane Shqiptare në këto vitet e fundit ka filluar projektin për nxjerrjen në dritë të të gjithë veprave të shkrimtarëve françeskanë gjatë rreth një shekulli, një kolanë veprash – botime dhe ribotime nga fusha e letërsisë, gjuhësisë, historisë, etnografisë e folklorit shqiptar, duke përfshirë nga autori Át Gjergj Fishta e deri te Át Zef Pllumi. Të gjitha këto vepra gati një gjysmë shekulli ishin anatemuar nga regjimi komunist.

Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta” në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje i dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të gjithë numrat e revistës së mirënjohur “Hylli i Dritës” nga viti 2006 deri në vitin 2017, si dhe numrat, nga viti 1999 deri më 2005, të revistës së përjavshme kulturore që boton Qendra e Studime shqiptare “Ernest Koliqi”. Gjithashtu, janë dhuruar edhe tituj të tjerë nga kolona e botimeve të Bibliotekës Françeskane “Át Gjergj Fishta”./KultPlus.com

Mbrëmje filmi e dhuratë të librave në Prishtinë

Nata e filmit dhe dhurimit të librave në Sbunker sjell historinë e Mandelës, një ndër rrëfimet më të njohura për të drejtat e njeriut në botë, shkruan KultPlus.

Me regji të Justin Chadwick, “Mandela: Long Walk to Freedom” përcjell luftën e presidentit jugoafrikan për liri dhe të drejta të barabarta. Rruga e mundimshme drejt deinstucionalizimit të diskriminimin racor në Afrikën e Jugut bën që shumë njerëz persekutohen në kërkim të një shoqërie të bashkuar, ndër ta edhe vetë Mandela, thuhet në njoftimin e Lëvizjes “Fol”, që janë edhe organizatorë të kësaj ngjarje, që do të mbahet të mërkurën në Prishtinë, me fillim në ora 18:00.

Poashtu është bërë e ditur se në këtë mbrëmje do të ndahen çmimet për autorët fitues të garës për ese “Ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë”./KultPlus.com

“Hapu” me shumë performanca përgjatë edicionit, mbyllet suksesshëm nga artistët francezë (VIDEO)

Ambiente të ndryshme të kryeqytetit të Kosovës kanë qenë pikat kyce të edicionit të sivjetëm të Festiavlit të Artit në Hapësirat Publike, që është mbajtur gjatë ditëve të fundit në Prishtinë, për të shënuar edhe përmbylljen në mbrëmjen e së dielës, shkruan KultPlus.

Artistë të shumtë ndërkombëtarë kanë qenë pjesë e “Hapu”, të cilët, nëpërmjet performancave kanë bërë për vete edhe kalimtarët e rastit, të cilët, një copë art kanë marrë me vete, pasi kanë shijuar kreativitetin e tyre në rrugë.

Kurse në mbrëmjen e së dielës, mbyllja e këtij edicioni i është besuar katër burrave francezë, të cilët sollën një mrekulli në Sheshin “Zahir Pajaziti”, ku performanca e tyre ka bërë që shumë qytetarë të ndalin e të shijojnë këto moment. Ndërkaq, edicioni i sivjetmë i “Hapu”, është mbyllur me performancën e Blerta Kosovës./KultPlus.com
https://www.facebook.com/hapufest/videos/1254783164643854/

Sonte në Podujevë nisë festivali ‘Teatri Ndryshe’ (FOTO)

Në sallën e Teatrit ‘Avdush Hasani’ në Podujevë, sonte nisë rrugëtimin e nëntë Festivali Tradicional ‘Teatri Ndryshe’, shkruan KultPlus.

Festivali ‘Teatri Ndryshe’, i cili është nën përkujdesje të Kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, për pesë ditë me radhë, nga data 24 korrik deri më 28 korrik, në skenën e teatrit ‘Avdush Hasani’ do të sjellë shumë shfaqje të zhanreve të ndryshme.

Aktivitetet e festivalit fillojnë sonte prej orës 19:00 me ekspozitën ‘Promovimi i Trashëgimisë Kulturore’, e cila mbahet në oborrin e ‘Avdush Hasani’. Prej orës 20:00 bëhet hapja solemne nga nxënësit e shkollës së mesme së kitarës ‘Mirela’ në Podujevë. Ndërsa prej orës 20:30 do të jepet shfaqja e dramës ‘Muhamed Ali’ me autor dhe regjisor Naser Shatrolli./ KultPlus.com

‘Your Song’ e Rita Orës në mesin e ‘UK Top 5’ (FOTO)

‘Your Song’, singli i fundit i këngëtares me prejardhje nga Kosova Rita Ora, njw muaj pas publikimit, po vazhdon tw shwnoj suksese.

Këtë javë ‘Your Song’ gjendet në mesin e top pesë këngëve më të popullarizuara në Britaninë e Madhe, duke zënë pozitën e katërt, shkruan KultPlus.

Rita Ora i është gëzuar këtij suksese të cilin e ka ndarë me fansat e saj në rrjetin social Instagram. Ajo ka postuar disa fotografi të shkëputura nga lista zyrtare e këngëve më të dëgjuara në Britaninë e Madhe, ku ‘Your Song’ zë pozitën e katërt.
‘Jam rikthyer në Top 5 UK!!! E Mahnitshme, nuk po mund të besoj! Ju dua!!!’, ka shkruar ajo. /KultPlus.com

Të huajt nga shtete të ndryshme këndojnë shqip (VIDEO)

Pjesa e parë “Ani more nuse” vjen e kënduar nga grupi muzikor “Barcelona Ethnic Band”, ndërsa në pjesën e dytë kori me të rinjtë gjermanë këndon një nga perlat e muzikës shqiptare “Po vijnë krushqit maleve” (E kompozuar nga Tish Daija në Plezhë të Shkodrës më 1945 dhe me tekst të Aleksandër Banushit).

Në pjesën e tretë po aq e veçantë vjen kënga polifonike “Janinës ç’i panë sytë” (Qu’ont vu les yeux de Janinë?) e interpretuar nga Jean-Jacques Fauthoux, Martina A. Catella, Pierre de Trégomain, Romane Claudel Ferragui dhe Emmanuel Pesnot, koncert i zhvilluar nën përkujdesjen e “L’Association Act & Help”.

Në pjesën e katërt orkestranti shqiptar Dasho Kurti së bashku me një këngëtare greke, duke interpretuar në shqip dhe greqisht “25 gërsheta” (Όι λουλέ ) një këngë e mirënjohur dhe e kënduar dikur nën interpretimin e Eli Farës.
Në pjesën e pestë është grupi gjerman “Fabula Aetatis”, i cili përbëhet nga pesë anëtarë dhe performon shpesh këngën e
“Gajdexhiut” apo “E lutë nana bijën”.

Në pjesën e gjashtë të këtij videoklipi kemi përzgjedhur perkursionin e vallës nga Gabriele Gagliarini dhe Lavinia Mancusi, në bashkëpunim me Takadum Orchestra “Addije” (E realizuar në dhjetor të vitit 2015), shkruan Konica.al.
Dhe në pjesën e fundme kemi rezervuar një surprizë; një vajzë filipinase ka mrekulluar publikun e Dubait me këngën arbëreshe

“Moj e bukura more”. Le Ghie ka interpretuar Live në koncertin madhështor “Comedi Junction”, i cili mbahet në Dubai, ndërsa paraqitja e saj në skenë ka bërë bujë të madhe; një mesazh domethënës për shumë shqiptarë që mund të përfaqësohen edhe me këngët e vjetra shqiptare, e jo veçse ato në gjuhë të huaj…/ KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=hqs6ek7NXe4

‘Albanian Beauty’ sjellë sonte artistët shqiptarë përmes filmave të tyre (VIDEO)

Në kuadër të ‘Muaji i Diasporës’, vjen edicioni i tretë i projeksionit filmik ‘Albanian Beauty’, shkruan KultPlus.

Ky projeksion do të prezantoj artistët shqiptar të cilët jetojnë nëpër botë e të cilët në arenën ndërkombëtare përfaqësojnë kulturën shqiptare.

Filmat që do të shfaqen në këtë edicion të ‘Albanian Beauty’ janë: QIRAK – Jeton Troni, NJË PIKË GJAKU – Bekim Guri, TOKA – Ibër Deari, SMAJL – Zymryte Hoxhaj & Philipp Majer dhe HEAD – Fisnik Maxhuni & Alain Guillebeau.

‘Albanian Beauty’ vjen sonte, e hënë me fillim nga ora 21:00 në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’. Projekti është i mbështetur nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Djemtë e Diana-s tregojnë kohët e lumtura dhe përjetimet për vdekjen e Princeshës

“Diana, nëna jonë: jeta dhe trashëgimia e saj” është titulli i një dokumentari të ri rreth jetës së Princeshës së ndjerë Diana e Wellsit.

Filmi tregon historinë e jetës së Dianës, nga miqtë e saj dhe njerëzit që ishin pranë saj. Por në thelb, dokumentari është një intervistë e gjatë me dy djemtë e saj, të cilët flasin hapur rreth kohëve të lumtura me të ëmën dhe si e përjetuan ata vdekjen e saj tragjike.

Duhej pak punë për t’i bindur Princin William dhe Princin Harry që të flisnin për nënën e tyre të ndjerë, thonë krijuesit e dokumentarit të ri televiziv “Diana, Our Mother: Her Life and Legacy” – “Diana, nëna jonë: jeta dhe trashëgimia e saj.”

“Nëna jonë e kishte shpirtin si fëmijë. Kur njerëzit më thonë, na jep një shembull se si ajo kishte qejf argëtimin, më vjen në mendje e qeshura e saj. Një e qeshur e çmendur, lumturi e pastër që shfaqej hapur në fytyrën e saj”, thotë princi Harry.
Regjisori Ashley Gething, i cili ka punuar më parë me familjen mbretërore për filmin televiziv të vitit 2016 “Mbretëresha jonë 90 vjeç”, tha se princat kishin dëshirë ta kujtonin mamanë e tyre, 20 vjet pas vdekje së saj tragjike. Princi William ishte 15 vjeç kur vdiq Diana, ndërsa Harry ishte 12 vjeç:

“Nëse keni pasur rastin të shihni funeralin e saj, patjetër keni parë ata djem që ecnin prapa arkivolit të mamasë të tyre, dhe duhet të keni pyetur veten se si mund ta përballonin atë tragjedi; përgjigjen ata e japin në këtë film”, thotë regjisori.
Në dokumentar, Princat kujtojnë momente të lumtura të fëmijërisë së tyre, duke folur për Princeshën Diana si një mama e dashur, e bukur dhe çapkëne, e cila i ndihmonte ata të merrnin ëmbëlsira kur nuk u lejohej.

“Duket se ka pasur shumë momente të lumtura, shumë të qeshura, ka pasur shumë dashuri, shumë përqafime… është një histori tejet personale që ata tregojnë për jetën me nënën e tyre”.
Gething thotë se dokumentari tregon jetën familjare të Dianës, larg syve të publikut. Princat William dhe Harry flasin gjithashtu për tronditjen që përjetuan kur nëna e tyre 36 vjeçare vdiq në vitin 1997, bisedën e fundit telefonike me të nga Parisi, natën kur ajo u vra, dhe hidhërimin që pasoi humbjen e saj.
Regjisori Gething bisedoi për realizimin e dokumentarit për Princeshën e Uellsit edhe me njerëz të tjerë rreth, si miqtë e fëmijërisë dhe vëllai i saj.
Dokumentari “Diana, Nëna jonë: Jeta dhe Trashëgimia e saj” shfaqet në kanalin televiziv HBO më 24 korrik 2017./ KultPlus.com

Kuzhinieri shqiptar Ravajol Hasani vlerësohet me tri çmime nga ‘Eating Awards 2016’

“Emigracioni është bërë pjesë e jetës sime nga angazhimet e shumta që kam me kompaninë që ushtrojë, por sigurisht do kemi shumë surpriza në të ardhmen por pse jo edhe një restaurant të superfuqishëm botërorë në Shqipëri si ata që menaxhoj deri tani”, ka thënë Jorgo Hasani për KultPlus, i cili ka shpjeguar se përgjatë punës së tij si kuzhinier, ai deri më tash ka gatuar edhe për njerëz shumë të famshëm.

Ravajol Jorgo Hasani, ditën e djeshme është vlerësuar nga ‘Eating Awards 2016’ me ‘Lugën e Argjend’, ‘Kapelën e Artë’ dhe ‘Shefi më i mirë i kuzhinës për vitin 2016’. Përveçse është ambasador i Jamie Oliver në Shqipëri, tani Ravajoli është edhe ambasador i Shqipërisë në Qipro në fushën e gastronomisë.
“Jemi vlerësuar nga ‘Eating Awards 2016’ që vlerëson restaurantet dhe hotelet në tërë fushën e gastronomisë dhe mbahet një herë në vit dhe vlerëson punën që bëhet në këto restaurante”, ka thënë Jorgo Hasani për KultPlus, lidhur me suksesin e tij të fundit.
Larguar nga vendlindja qysh në fëmijëri, Ravajol Jorgo Hasani edhe pse në vend të huaj punoi shumë për të arritur aty ku donte edhe pse fillimisht pa idenë se çfarë do të bëhej. Por në kushte të rënda ekonomike, si një i emigruar u detyrua që për pak para të punonte si pjatalarës, por gjithmonë duke u ngritur në detyrë. Kështu kur ai arriti të hynte në kuzhinë, aty edhe zbuloi artin e gatimit dhe dashurinë e fshehur që kishte për të.

“Rrugëtimi im nisi para 15-të viteve, një rrugëtim shumë i vështirë ku unë duhesha të punoja si pastrues shumë orë për pak lekë. Emigracioni sa kishte filluar, ne si emigrant nuk kishim krijuar asgjë, as besimin as vlerat, por me ëndrra dhe zemër filluam të tërë për një rrugë shumë të vështirë, një luftë e përditshme për të arritur ëndrrën, por e dija që një ditë do të shpërblehesha dhe kjo ditë erdhi”, ka thënë fillimisht Ravajol Hasani për KultPlus.
Bashkëpunimi me P.H.C, kompani gjigante në fushën e gastronomisë dhe turizmit në Qipro, me rreth 200 restorante nën menaxhim, bëri që për Jorgon të hapen dyert e sukseseve të mëdha. Me shumë punë dhe vullnet, ai fitoi besimin e menaxherëve të tij, të cilët i lanë në dorë drejtimin e disa restoranteve me emrat më në zë në botë. Pas 8-vjetësh punë në Qipro, vendin ku ushtron profesionin edhe sot e kësaj dite, një bashkëpunim shumë i suksesshëm ishte edhe ai me kuzhinierin e famshëm britanik, Jamie Oliver.
“Gatimi është një art që nuk shikon as ngjyrën, as nacionalitetin, as nëse je i varfër apo i pasur. Gatimi të udhëton në çdo anë të botës, është magji dhe qetësi që dorëzon shpirtin dhe zemrën, është delikate dhe duhet ta përdorësh me respekt dhe dashuri” është shprehur Hasani.

Por për të arritur kaq shumë sukses duhet pasur një armë të fortë në atë që bënë. Respekti për veten dhe për profesionin ishte arma e fortë e Hasanit për të arritur këtu ku është. “Kam pasur shumë goditje dhe shumë herë kam rënë por gjithmonë ngrihesha më i fortë, kam qenë gjithmonë vetvetja, nuk jam fshehur pas dikujt. Arma më e fortë është zemra dhe shpirti por edhe qëllimet ku do të arrish”, pohoi Jorgo Hasani.
Në këto 15-të vite punë, në çdo anë të botës ai ka gatuar për emra të famshëm si këngëtarë, aktorë dhe presidentë. “Gatimi për mua nuk dallon njerëzit, gatimi është për të gjithë njësoj, të gjitha kanë të drejtë të shijojnë çdo recetë ose shije, por kur gatuajë për të famshëm kam pak më shumë kujdes, ky është ndryshimi i vetëm”, ka thënë tutje Jorgo Hasani.
Ravajoli këto ditë u kthye në Shqipëri tashmë i specializuar në një fushë të caktuar, në atë të gastronomisë. Gjatë kësaj vizite ai tha që si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë ka ndjerë shumë respekt, miqësi dhe ngrohtësi, kjo gjë e ka gëzuar shumë. Por, gjatë kësaj vizite, Jorgo vizitoi disa restaurantet dhe sipas tij, niveli është i mirë por do ende punë për të arritur vendet evropiane.
“Duhet punuar në informacion, në përmbushje të standardeve të gastronomisë dhe pastaj niveli mund të arrihet brenda 5 viteve”, ka thënë Jorgo.

Përveç vizitave që ka realizuar në të dyja vendet, Jorgo kishte edhe një gala mbrëmje në Otium në Tiranë, ku ka gatuar për 40 persona të rëndësishëm. Gjithashtu ai ka realizuar edhe një bashkëpunim me Arvin Kita të Otium Restaurant.
Jorgo beson që Shqipëria dhe Kosova ka talent të veçantë në këtë fushë por e rëndësishme është mbështetja që duhet për ata talent, sepse ata janë e ardhmja e vendit. Ndërsa sa i përket mundësisë që ai të vijë në Shqipëri për të ushtruar profesionin e tij, kjo gjë është paksa e vështirë, por ai premtoi që do të bëjë shumë për Shqipërinë në këtë fushë.
“Emigracioni është bërë pjesë e jetës sime nga angazhimet e shumta që kam me kompaninë që ushtrojë, por sigurisht do kemi shumë surpriza në të ardhmen por pse jo edhe një restaurant të superfuqishëm botërorë në Shqipëri si ata që menaxhoj deri tani”, ka thënë Jorgo Hasani për KultPlus.
Në të ardhmen e afërt Jorgo ka në plan fillimet e xhirimit të filmit të tij të parë ku do të paraqes karrierën e tij deri më tani me ngjarje të vërteta por ai premton edhe shumë surpriza në vitin e ardhshëm. / KultPlus.com

Shpend Ahmeti: Xhamia do të ndërtohet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas reagimeve të shumta rreth ndërtimit të Xhamisë së re në Dragodan ka reaguar edhe ai.

Ahmeti përmes një postimi në llogarinë e tij Facebook, ka shkruar se Xhamia do të ndërtohet, ndërsa detyra e Komunës është që të zbatoj ligjin.

“Xhamia do të ndërtohet, ndërsa detyra e Komunës është që të zbatojë ligjin. Meqenëse është xhamia më e madhe në Kosovë, duhet të kujdesemi edhe për aspektin urbanistik dhe estetik më shumë se për objekte të rëndomta”.

“Si xhamia më e madhe do të jetë pikë referente përtej mandateve tona e sikleteve të pan-it. Xhamia nuk bëhet as për inati të dikujt e as për hatër të askujt”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti më tutje ka bërë thirrje që të mos përfitohet nga këto tema duke e akuzuar atë siç ka thënë ai herë si islamist e herë si islamofob.

“Sabër! Qe një muaj shkoni nëpër ambasada dhe na akuzoni si ‘islamista’. Tash bëheni kinse të mërzitur për Xhaminë e Madhe. Zgjidheni kah po doni me sulmu e shpif se edhe propaganda duhet me pas një konsistencë.”

“Çështja e Xhamisë së Madhe dhe debati nuk është fetar dhe ne nuk frikohemi nga këto tema. Prandaj mos u mundoni të përfitoni nga këto tema sepse sjemi të ndarë në ‘islamista’ e ‘islamofobë’. / KultPlus.com

Era Istrefi për ‘Forbes’: Dua të bëhem si Beyonce

Era Istrefi është një nga këngëtaret shqiptare më me famë në botë, momentalisht. Hiti i yllit “BonBon” ka realizuar të premten një intervistë me revistën e famshme amerikane “Forbes”.

“Njihuni me yllin e ardhshëm të muzikës pop”, shkruhet në titullin e artikullit të publikuar nga “Forbes”, ku në brendësi përmban intervistën me Era Istrefin.

“Forbes” shkruan se Era Istrefi ishte e famshme edhe më parë në vendin e saj në Kosovë dhe në Evropë, por sipas revistës amerikane, këngëtarja nga Prishtina mori vëmendje edhe përtej oqeanit Atlantik, kur publikoi këngën “BonBon”.

Kjo këngë e Istrefit ka arritur në më shumë se 400 milionë shikime në kanalin e internetit, Youtube.

Pjesë nga intervista e “Forbes” me Era Istrefin:

“Forbes”: Çfarë keni vërejtur nga performanca në Coachella që keni dëshirë të përmirësoni?

Istrefi: Dua të jem në gjendje të kërcej më shumë, sepse e dua shumë vallëzimin, por më mbaron frymëmarrja. Unë vetëm dua të bëj më shumë kërcim. Kështu që, unë dua të bëhem Beyonce.

“Forbes”: Pra, në një shkallë nga 1 deri në 100 – 100 duke qenë Beyonce, ku e vendosni vetën tani? Çfarë duhet të bëni për të arritur Beyoncen?

Istrefi: (Qesh) Në fakt unë po qesh sepse nuk dua ta marr aq seriozisht jetën. Sinqerisht, unë dua të jem Rihanna sepse ajo nuk e merr jetën seriozisht, ajo e shijon jetën e saj si një person normal. E përsosura të lëndon.

“Forbes”: Pra, ku qëndroni ju në “nivelin e Rihannas”?

Istrefi: Ndihem sikur jam në kapitullin e dytë dhe ajo është në kapitullin e 20-të, kështu që nuk mund ta krahasoj veten time me të. Audienca dhe fansat më krahasojnë me të, duke thënë se kemi zëra dhe ndjenja të ngjashme, të cilat me të vërtetë i dua, sepse ajo ka qenë një ndikuese e madhe në mbarë botën dhe unë u rrita duke e dëgjuar atë. Por unë kam më shumë për të bërë, ju nuk mund ta mposhtni përvojën. Kjo do të marrë kohë. / KultPlus.com

‘Kosovo Calling’, filmi që solli realitetin kosovar të pasluftës

Mbrëmë nën qiellin e hapur, në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, në kuadër të PriFilmFest u shfaq filmi “Kosovo Calling”, me regji nga Eki Rrahmani, skenar të Jeton Kulinxha, ndërsa producent i filmit është Fisnik Ademi.

Filmi “Kosovo Calling” trajton jetën e një familje kosovare, pas luftës së fundit të Kosovë.
Është kjo familja e Bacës Zekë, në të cilën lufta e fundit ka lënë gjurmë të mëdha, pasojat e të cilave vazhdojnë edhe pas luftës. Disa anëtarë të familjes të vdekur, disa të tjerë me trauma. Filmi pasyron jetën e kësaj familje e cila mundohet të gjejë kuptim në rrethanat e reja në të cilat gjenden pas luftës.

Baca Zekë, i cili humbi gruan në luftë, vdes pas lufte nga pleqëria, me dëshirën e vetme për të parë djalin e tij Bekimin, të cilin lufta e kishte dërguar të traumatizuar në Angli, pasi kishte parë me sytë e tij vdekjen e nënës dhe gruas së vëllait. Bekimi disa vite pas luftës, asnjëherë nuk mundi të tejkaloj traumën dhe tmerrin që kishte parë, dhe asnjëherë nuk mblodhi forcën të kthehet në vendlindje dhe të ballafaqohet me atë realitet, shkruan KultPlus.

Personazhet e “Kosovo Calling” luhen nga aktorët: Çun Lajçi, Armond Morina, Fisnik Ademi, May-Linda Kosumovic, Valina Muqolli, Arbneshë Nixha, Luan Kryeziu, Kushtrim Sheremeti, Anisa Ismaili, Adrian Morina dhe Shkelzen Veseli.

Festivali i filmit PriFilmFest ka filluar prej datës 13 korrik dhe çdo natë deri me datën 20 korrik, të gjithë mund të shijojnë filmat që sjell ky festival, në hapësirat e Teatrit Kombëtar, Kinema nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti” ku hyrja është falas për të gjithë, në Kino ABC dhe në Kinemanë tjetër nën qiellin e hapur te Amfiteatri i Muzeut Kombëtar. / KultPlus.com

Vdes nobelisti kinez Liu Xiaobo

Hiri nga trupi i djegur i disidentit nobelist kinez, Liu Xiaobo u hodh sot në det, pas një ceremonie të thjeshtë mortore.

”Në ceremoni merrnin pjesë bashkëshortja dhe miqtë e tij”, njoftoi sot media shtetërore kineze me anë të një deklarate.

”Liu, 61 vjeç, i diagnostikuar me kancer në mëlçi, vdiq të enjten, më 13 korrik”, njoftoi agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Hsinhua.

Grupet e të drejtave të njeriut i kërkuan dje qeverive të ushtrojnë presion ndaj autoriteteve kineze për të liruar bashkëshorten e Liu, Liu Xia nga arrestimi shtëpiak dhe për ta lejuar atë të lëvizë e lirë. Liu Xia vuan nga zemra dhe depresioni.

Artistja, poetja dhe mbrojtësja e të drejtave të njeriut është mbajtur në izolim dhe nën vëzhgim të rreptë nga autoritetet kineze, pasi bashkëshorti i saj, Liu Xiaobo u vlerësua me çmimin Nobel të Paqes në 2010.

Liu është bashkautor i “Charter ’08” , një dokument i nënshkruar në 2008 nga 300 intelektualë që bënte thirrje për një shtet të lirë, demokratik dhe kushtetues në Kinë.

Në vitin 2009, ai u dënua me 11 vjet burg për rrëzimin e pushtetit. Atij iu dha çmimi Nobel për Paqen pa qenë i pranishëm, një vit më vonë.

Liu është fituesi i parë i çmimit Nobel për Paqe i cili ka vdekur në paraburgim pas pacifistit gjerman, Carl von Ossietzky, në vitit 1935, i cili vdiq nën vëzhgim pas disa vitesh i mbyllur në kampet naziste të përqendrimit. / KultPlus.com

N.R vijnë sonte si performancë surprizë në Into the Park Festival

Bimbimma dhe Ergen si pjese e N.R, do të performojnë sonte në Into the Park Festival.

Into the Park Festival 2017, vjen sivjet më 48 orë muzikë edhe dy skena, njëra në parkun e qytetit Karagaq dhe tjetra gjendet në kilometrin e 4-ët me pamjen piktorese, afër atraksionit turistik Zip Line ku do të performojnë Dj Kosovarë dhe të huaj për 48 orë.

Festivali Into the Park zhvillon edicionin e tij të gjashtë kur edhe njëherë tenton që muzikën alternative Kosovare dhe të huaj ta promovojë para audiencave më të mëdha në numër si dhe atraksionet turistike malore nga Peja si Zip Line, Via Ferrata dhe Parkun e Aventurave. / KultPlus.com

Një ‘thërrime’ parajse në Himarë (FOTO)

Himara është një nga zonat më të bukura në Shqipëri. Ajo është e mbushur plot me vizitorë dhe turistë, sidomos në sezonin e verës, pasi plazhet e saj janë nga më të veçantat në Shqipëri.

Por Himara nuk të ofron vetëm det. Tek ajo mund të bëni edhe një guidë turistike duke prekur disa pjesë të historisë së Shqipërisë.

Në këtë zonë, popullsia më e madhe i përket besimit ortodoks. Në Himarë mund të vizitosh kalanë e vjetër por edhe dhjetëra kisha shekullore. Ato datojmë prej shekullit XI apo edhe më herët. / KultPlus.com