Ja çfarë shkruhet në statujën e Skënderbeut në Romë (FOTO)

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, gjendet kudo në botë. Këtë vit Skënderbeu shënohet edhe 550-vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, shkruan KultPlus.

Një ndër statujat e Skënderbeut gjendet edhe në Romë, ku ky vend ka shkruar edhe një frazë poshtë statujës.

Nën statujën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në Romë shkruhet:

“Roma përkujton 500 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, mbrojtësit të Qytetërimit Perëndimor”.


Ndërtesat kufitare të Alban Mujës, të enjten në Plovdiv të Bullgarisë

E enjtja e kësaj jave do ta gjejë qytetin Plovdiv në Bullgari me një ekspozitë interesante.

“Migrations of Fear” vjen si reagim ndaj situatës aktuale politike por edhe realitetit social në Europë. Vala e refugjatëve, sulmet terroriste, siguri minimale, krizë e skajshme humanitare, lëvizje djathtiste që po e dëmtojnë mirëqenien e qytetarit, po e bëjnë Evropën një vend të tmerrshëm për jetë.

Me 12 fotografi të 12 ndërtesave kufitare të shteteve të Shengenit të BE-së, pjesë e kësaj ekspozite do të jetë edhe artisti Alban Muja, me punën artistike “Borders Without Borders”.

Në ekspozitën “Migrimet e frikës”, Muja ka zgjedhur të fotografojë ndërtesat e braktisura të kufirit, në shtetet anëtare të BE –së dhe të nxisë pyetje rreth vërtetësisë së ekzistencës ose mos ekzistimit të kufijve midis këtyre shteteve – shumica e të cilave ndajnë një të kaluar, shpesh një konflikt, por gëzojnë sot lirinë e lëvizjes me njëri-tjetrin.

Nga njëra anë, një ndërtesë kufitare është ende funksionale kur hynë nga një shtet jo-Shengen në një shtet Shengen. Nga ana tjetër, brenda vetë zonës së Shengenit, ndërtesa të tilla kufitare janë konfiskuar për t’i shërbyer ndonjë qëllimi tjetër. Për ata njerëz që janë të kufizuar nga liria e lëvizjes, ndërtesa të tilla përfaqësojnë shumë më tepër sesa vetëm një prani fizike – ato mund të sjellin kujtimet e refuzimit, vështirësive dhe dhimbjes dhe shumë njerëz sot zgjedhin të marrin rrugë të paligjshme për të kaluar ndarjet kufitare.

Artistit kosovar, në ekspozitën e cila vjen si pjesë e projektit të Plovdivit si Kryeqytet Evropian i Kulturës 2019, do ti bashkohen edhe artistët Azra Aksamija, Nika Autor, Lana Cmajcanin, Petya Dimitrova, Fanni Futterknecht, Emil Mirazchiev, Oliver Ressler, Kamen Stoyanov, Ute Richter, Borjana Ventzislavova & Mladen Penev dhe Clara Wildberger, të përzgjedhur nga kuratorët Ilina Koralova dhe Boris Kostadinov, shkruan KultPlus.
Artistët janë angazhuar të shpalosin inspirimin e tyre rreth frikës nga varfëria, nga statusi social, frikës nga e njohura dhe e ndryshmja dhe frikës së të humburit të lirisë personale.

Artisti ka treguar për KultPlus se projekti është ende në proces dhe nuk ka përfunduar i gjithi. E njëjta punë artistike është momentalisht pjesë e Autostrada Biennale në Prizren ndërsa ekspozita “Migrations of Fear” do të hapet më pas edhe në Lajpcig dhe në Slovenj Gradec. / KultPlus.com

Fotoja kryesore: Pranvera Muja

Kur regjimi i Millosheviqit mbyllte shkollat shqipe në vitin 1992 (VIDEO)

Fillimi i vitit shkollor gati para dy dekadave në Kosovë ishte një sfide e madhe për shqiptarët e Kosovës.

Ky është një reportaszh i panjohur nga televizioni BBC, që sjellë kujtime të rënda të asaj periudhe të vështirë të historisë së Kosovës.

Regjimi okupator serb kishte mbyllur të gjitha objektet shkollore në gjuhën shqipe, dhe siç shihet në reportazhin e televizionit BBC, nxënësit dhe mësuesit shqiptarë prisnin jasht objektit shkollor të cilin e kishin mbyllur policia serbe, duke detyruar shqiptarët që mësimet ti mbajnë nëpër objekte e shtëpi private.

Në video shihet një mësues dhe nxënës i rrahur brutalisht nga policia serbe. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=V4sx3qdYC1s

Vaçe Zela, historia e sëmundjes dhe vetmisë në Bazel të Zvicrës

Vitet e fundit të jetës së Vaçe Zelës nuk ishin një pleqëri e ëndërruar.

Këngëtarja e madhe shqiptare, një zë i fuqishëm dhe i papërsëritshëm, ndërroi jetë në vitin 2014-të në Zvicër.
Atje ajo jetoi për një kohë. Historinë se si doli në Bazel të Zvicrës këngëtarja e tregon në një libër.

Ishte Irma, i vetmi fëmijë i këngëtares, e para që vajti në Bazel dhe më pas morri atje edhe familjen.

“Në qytetin Bazel të Zvicrës, në një banesë pesëdhomëshe, në katin e parë, qetë e dinjitetshëm, ajo lufton sëmundjen për ta mbijetuar me jetën: larg këngës, larg skenës, që për të paraqiste vend të shenjtë, larg admiruesve të pasionuar pas zërit të saj, të cilëve sot u mungon figura e këngëtares, dhe larg, shumë larg, duartrokitjeve të pafund, e vetmja pasuri që i dhuroi populli” shkruan Sanije Gashi në librin “Ecje nëpër kujtesë” – derisa kujton Vaçen në vitin 2012-të.

Pjetri dhe Irma, bashkëshorti dhe vajza e saj, ishin njerëzit që i qëndruan pranë këngëtares, në momentet kur shëndeti i saj nuk ishte i fortë, shkruan KultPlus.

Irma, vajza e saj, emocionon kur flet për nënën e saj dhe sëmundjen.
“Tani, mami bën terapi intensive në një klinikë, spital – ditor i thonë këtu, pastaj i kthehet shtratit të saj, ku kërkon rehatinë shpirtërore dhe trupore. Ajo është në gjendje të tillë shëndetësore saqë edhe për të, edhe për ne, e vetmja temë diskutimi është shëndeti i saj” tregon Irma.

https://www.youtube.com/watch?v=kYD5dtQjGNY

Vaçja ndërroi jetë në shkurt të vitit 2014-të.

Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Vaçe Zela është kthyer në idhullin e shumë brezave. Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe historisë së muzikës shqiptare zërin e saj të artë. / KultPlus.com

Dua Lipa sjellë versionin akustik të “New Rules” (VIDEO)

Dua Lipa në një videoincizim e ka sjellë versionin acoustic të këngës New Rules.

Kënga e cila e pozicionoi Dua Lipën në vendin e parë në Angli, madje duke e parakaluar edhe suksesin e Adele, vjen me versionin acoustic dhe në Twitter madje po shkruhet se ky version është më i mirë se origjinali, shkruan KultPlus.

Videoklipi New Rules ka rreth 170 milionë shikime në Youtube dhe mbetet kënga më e dëgjuar momentalisht në Angli, por edhe në shtete të ndryshme të Evropës.

Versionin acoustic të këngës dëgjojeni këtu:

“Të gjithë lakmojnë fëmijët e huaj dhe çuditen me fëmijët e tyre që janë paedukatë”

Shkruan: Lira Gjika

Shkalla e banalitetit ka arritur në ato nivele që nuk arrijmë më ta dallojmë dhe kuptojmë që është bërë mënyrë të jetuari dhe të qeni. Kudo dëgjon sharje dhe fyerje në adresë të njëritjetrit. Të gjithë pretendojnë që janë elitarë, por banaliteti nuk u ndahet as nga fjalët dhe as nga sjelljet. Të gjithë pa përjashtim, shtetarë, fetarë, të shkolluar e të pashkolluar, janë në një nivel gjuhësorë. Të gjithë flasin të nxitur nga ndjesitë dhe jo pasi kanë menduar mirë e mrë dhe kanë gjetur e zgjedhur fjalët. Gjithçka përdoret: patriotizmi, feja, historia, shkenca dhe shteti. Asnjë nuk mendon se çfarë flet. Asnjë nuk përpiqet të dëgjojë veten dhe të lexojë atë që shkruan e poston. Asnjë i rritur nuk kujtohet se përqark tij janë fëmijë që shikojnë e dëgjojnë se si sillen e flasin të rriturit. Asnjë nuk kujtohet për detyrën dhe misjonin e vet si i rritur përballë fëmijëve. Të gjithë lakmojnë fëmijët e huaj dhe çuditen me fëmijët e tyre që janë paedukatë. Këta të rritur harrojnë që sjellja është pasojë e modeleve dhe edukimin që u imponojmë fëmijëve.

Drejtësi sociale përmes Festivalit të Rinisë “Tungjatjeta…jetë”

“Tungjatjeta…jetë” do të sjellë portrete të fëmijëve me aftësi të kufizuara, realizuar nga fotografi Bevis Fusha, që përçojnë jo vetëm mesazhe të forta, por edhe emocion e shpresë.

Mbrëmja e sotme do të dhuroje emocione pafund për artdashësit kryeqytetas, të cilët do të kenë mundësi të jenë të pranishëm në ambientet e Pazarit të Ri, ku do të çelet edhe Festivali i Rinisë për Drejtësinë Sociale.

Të ftuar speciale të Festivalit do të jenë edhe ambasadoret e WV, Arlinda Çausholli, Luiza Gega dhe këngëtarët Kamela Islamaj, Orgesa Zaimi, Vitmar Basha e mjaft të njohur të tjerë.

“Ajo nuk lëvizi kurrë nga vendi ku e linin, nuk e ktheu as kokën. Nuk pa e as nuk preku asnjë lodër. Kur e laja, ajo nuk reagonte. Imangjino, as uji nuk e trembte. U thoja të gjithëve: Mos ka ndonjë problem çupa?” -tregon mes lotësh Adriana. Ajo tregon se kur vajza lindi, çdo gjë shkoi normalisht. E vogla qau sapo erdhi në jetë, por me kalimin e muajve qetësia e saj nisi ta shqetësojë. “Më thonin është fëmijë i urtë. Ma thonte zemra…diçka nuk shkonte… derisa një ditë, kur ishte 10 muajshe e morëm çupën në krahë dhe e shpumë në spital. Doktori na tha se kishte zhvillim të vonuar” – tregon mes lotësh Adriana.

Gabriela dhe familja e saj jetojnë në Skroskë të Librazhdit. 15-vjeçarja ka nevojë për logopedi, që të mund të komunikojë me njerëzit që e rrethojnë, të paktën me disa fjalë, shkruan ATA.

“Vajza ka nevojë edhe për fizioterapi që të mund të ecë më mirë. Ka nisur të përmirësohet. Më parë nuk i lëshonte gjërat nga dora. Tani i them: Si e ke mësuar tek qendra? Gjërat janë të të gjithëve dhe i lëshon. Ka filluar të më bindet disi”- tregon e ëma./ KultPlus.com

“Zgjohet” nga gjumi shekullor Gjyteti i Madh në malet e Kosmaçit

Shumë legjenda dhe gojëdhëna vërtiten prej shekujsh rreth kështjellës misterioze që ndodhet sipër kurorës shkëmbore të malit Kosmaç në fshatin Vuçak të Drenasit. Bajlozë dhe luftëtarë me zulmë tek kacafyten për ta zotëruar atë majë shkëmbi, ende sot rrojnë në legjendat e Drenicës. Por, përveç tregimeve të moçme mbështjellë me mister, kështjella mbi Gradinë të Madhe nuk e ka pasur fatin që të gërmohet nën siparin e mbuluar me shkurre e dhe.

Nga: Arben Veselaj

Kështjella që dikur quhej Gjyteti i Madh, duket se më në fund do të flas me gjuhën e gurëve, themeleve e bedenave që fsheh në brendësi. Një ekspeditë hulumtuese nga Instituti i Arkeologjisë së Kosovës, të prirë nga arkeologët Shafi Gashi e Arben Hajdari, ka filluar gërmimet e para në këtë kala, 12 km në jugperëndim të Drenasit. Nga dy vend-gërmimet e para testuese arkeologët thonë se kanë hasur në një material shumë të pasur arkeologjik që dëshmon se kështjella e humbur në malet e Kosmaçit dikur ka qenë fortifikatë luftërash, por edhe vendbanim, dhe atë që nga Koha e Bronzit, e pasuar në atë të Hekurit, pastaj edhe në kohërat e civilizimeve të Antikës së Hershme e të Vonë, si dhe në Mesjetën e Hershme.

Kështjella është e vendosur në një pozitë shumë dominuese në 940 metra lartësi mbidetare, ndërkaq vërehen gjurmët e rrënojave të mureve që përcjellin konfiguracionin e kodrës dhe formojnë Gradinën e Madhe (Gjyteti i Madh) dhe Gradinën e vogël (Gjyteti i Vogël).

Arkeologu, Shafi Gashi, që e udhëheq ekspeditën, tha se sipas vlerësimeve preliminare të analizuara në materialin arkeologjik që është gjetur në këtë kala, flitet për gjurmë që nga Parahistoria e deri te Mesjeta. Por, sipas një vlerësimi të përgjithshëm që jep Gashi, Kalaja e Vuçakut është tipike për kohën e Antikitetit të Vonë dhe shërbente si sistem mbrojtës për popullatën vendase. Ai shton se veçantitë e strukturës arkitektonike të kalasë i përgjigjen periudhës së antikitetit të vonë, e në veçanti të kohës së Justinianit.

Gërmimet e para konsistojnë kryesisht në faqet e jashtme të murit rrethues të kalasë ku vërehen akset e kullave mbi mure të gjera. Po ashtu, gjatë gërmimeve është hasur edhe në atë që nga arkeologët quhet “material i lëvizshëm arkeologjik” si: pjesë qeramike, tulla të pjekura, fragmente të pajisjeve bujqësore, stoli, armë etj.


Ministria e Kulturës e Qeverisë së Kosovës e ka futur në planin hulumtueses Kalanë e Vuçakut, ndërkaq varësisht nga ajo se çfarë do të zbulohet në fazën testuese, do të vazhdohet me fonde shtesë për gërmime. Ideja është që pasi të restaurohen muret dhe të konservohet pjesa arkitektonike Kalaja e Vuçakut të shndërrohet në një atraksion turistik.

Ndryshe, brezi malor i vendbanimeve të Drenicës, që nga pjesa perëndimore, ajo qendrore dhe deri tek lindorja, është e njohur për një mori kështjellash të ngjashme. Konfiguracioni natyror në mes të Kalasë së Llapushnikut në Drenicën lindore, pastaj Kalaja e Vuçakut në Drenicën qendrore dhe ajo Vërbovcit në perëndim, krijojnë njëfarë ndërlidhje jo vetëm natyrore, gjë që flet për një sistem fortifikatash të cilat në raste luftërash kanë komunikuar mes vete.

Sidoqoftë një grup ekspertësh, intelektualësh dhe veprimtarësh nga komuna e Drenasit, kanë ideuar një plan për krijimin e një linje turistike me sens kulturor dhe historik, e cila do t’i jepte karakter të përbashkët historisë së lashtë me atë moderne, duke e lidhur me një rrugë automobilistike qendrën përkujtimore “Adem Jashari” në Prekaz, Kalanë e Vërbocit, Kalanë e Vuçakut, Kalanë e Llapushnikut dhe Parkun Memorial të UÇK-së në Kleçkë. / KultPlus.com

‘Përjetësisht Fëmijë’ i Lorena Sopit në Montecatini Intenational Short Film Fesival

Filmi i shkurtër ‘Përjetësisht Fëmijë’ me skenar e regji të Lorena Sopit, është përzgjedhur në programin zyrtar të edicionit të e 68-të në Montecatini International Short Film Festival.

Nga një garë e jashtëzakonshme me më shumë se 12.000 konkurrues nga e gjithë bota, filmi ‘Përjetësisht Fëmijë’ i Lorena Sopit do të jetë përfaqësues i vetëm nga Kosova, kurse nga kjo garë e ashpër në programin zyrtar është përzgjedhur edhe filmi ‘Lost Exile’ i regjisorit shqiptar Fisnik Maxhuni i cili do ta përfaqësoj Zvicrën.

Montecatini International Short Film Festival, konsiderohet si njëri ndër festivalet më të vjetra dhe më të rëndësishme të filmit në Evropë, saktësisht festivali më i vjetër i filmit të shkurtër. Montecatini International Short Film Festival mbahet nga data 21 – 26 tetor në një ambient fascinant me shumë mysafir të ftuar dhe nën vëmendjen e madhe mediatike.

Festivali suportohet nga Regjioni i Toskanës dhe nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Italisë.

Javën e kaluar ky film i Lorena Sopit ka fituar çmimin e filmit të shkurtër më të mirë /Best Short/ në Edicionin veror të Hellfire Short Film Festival i cili është mbajtur në Kent të Mbretërisë së Bashkuar. ‘Përjetësisht Fëmijë’ deri më tani ka fituar nëntë çmime duke qenë pjesë e më shumë se 30 festivaleve ndërkombëtare./KultPlus.com

Gudar Beqiraj kryetari i ri i Akademisë së Shkencave

Gudar Beqiraj është zgjedhur kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me 28 vota pro dhe 3 kundër. Ndërkohë, me 27 vota pro Myzafer Korkuti u zgjodh nënkryetar i Akademisë së Shkencave.

Gudar Beqiraj e ka mbajtur më herët postin e kryetarit të ASH në vitet 2009-2014.

Zgjedhjet në akademinë e shkencave u shoqëruan me debate mes anëtarëve, ndër të cilët më kritiku qe akademiku Artan Fuga, që i cilësoi këto zgjedhje në farsë.

Në të njëjtën linjë me të ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili paralajmëroi ASH se nëse nuk i nënshtrohet reformimit, nuk do të marrë asnjë fond nga buxheti i shtetit, njofton GSH./ KultPlus.com

Etno Fest përmbyll suksesshëm edicionin e shtatë me ndarjen e çmimeve

Që nga 11 gushti kur edhe nisi Etno Fest, i cili secilën fundjavë mbushi fshatin Kukaj me shumë artdashës, solli laramani të programit por gjithmonë duke iu përmbajt asaj që e karakterizon këtë festival, e që është ruajtja e traditës dhe kulturës shqiptare.

Kësisoj mbrëmja e 3 shtatorit ishte ajo që e përmbylli edicionin e shtatë të Etno Fest, me ndarjen e gjithsej 15-të çmimeve në kategori të ndryshme, shkruan KultPlus.

Çmimet e festivalit u ndanë nga juria zyrtare e tij në përbërje të: Ermir Dizdari, Dilaver Kryeziu dhe Agron Gërguri.

Po e sjellim listën e fituesve të renditur nga organizatorët:

1. Rapsodi më i mirë : Kapllan Nikçi -Etno ansambli « Rugova » Rugovë

2. Valltarja më e mirë : Shuhrete Sylejmani – Etno anasambli nga Smira e Vitisë

3. Valltari më i mirë : Muhamet Sinani, Etno ansambli Bresana Opojë

4. Kostumofrafia më e mirë : Etno ansambli « Katarina Josipi » Zym

5. Riti më e mirë : Etno ansambli nga Rrapsha, Malësi e Madhe, Tuz

6. Etnopeformansa më e mirë :Etno Ansambli » Bajram Shabani » Kumanovë

7. Etnoansambli më i mirë : Grupi polifonik « Bijtë e Tepelenës » Tepelenë

8. Zejtari më i mirë : Luan Cukani ‘ Gjakovë për artin e poqarisë

9. Grupi më i mirë i valleve : Etno ansambli « Dance plus » Elbasan

10. Aktorja më e mirë : Qëndresa Ahmeti në shfaqjen « Barbara »

11. Aktori më i mirë : Erëmal Sadiku në shfaqjen « Muhamed Ali »

12. Rexhia më e mirë : Kushtrim Mehmeti në shfaqjen « Ferri »

13. Shfaqja më e mirë : « Per Gynti nga Kosova » regjisor Agon Myftari

14. Çmimi i Karrierës : Mentor Zymberaj

15. Çmimi special i Festivalit : Ismet Krasniqi Lala

Naser Shatrolli me shfaqjen e tij edhe në dy festivale të tjera

“Muhamed Ali”, është shfaqja me tekst dhe regji të Naser Shatrollit, e cila u dha premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, disa muaj më parë. Kësisoj pas premierës kjo shfaqje udhëtoi nëpër teatro e festivale të ndryshme vendore e ndërkombëtare, udhëtime këto që nuk po ndalen as tani.

Për këtë gjë, Shatrolli ka njoftuar edhe për KultPlus, duke treguar për dy festivalet datat e të cilëve tashme janë konfirmuar.

“Me shfaqjen ‘Muhamed Ali’, do të udhëtojmë në Zvicër në festivalin teatror në data 14 dhe 15 nëntor. Ndërsa tashmë kam marrë ftesë edhe nga Festivali Ndërkombëtar Teatror ‘Skampa Festival’ në Elbasan. Pra ne jemi të përzgjedhurit e Kosovës që do të performojmë në këtë gala festival me trupat të tjera që janë të konfirmuara nga USA, Kina dhe Evropa”, ka thënë Shatrolli.

‘Muhamed Ali’ është një shfaqje tërësisht psikologjike dhe në fokus të saj është tentativa e personazhit për të gjetur vetveten. Kjo shfaqje ka vetëm një aktor i cili është Ermal Sadiku, ku mbrëmë morri çmimin aktori më i mirë në Etno Fest./ KultPlus.com

Koncert në nder të Nënë Terezës në Shkup

Nën patronazhin e Qytetit të Shkupit, e në organizim të Drejtorisë për Kulturë dhe Art, sonte do të mbahet koncert “Eja, bëhu drita ime”, në suaza të Ditëve të Nënës Terezë.

Në koncert do të performojnë kori “Zllata Meglenska” nën dirigjim të Letka Dimovska Polizova, si dhe Orkestra Kamertale “Solistët e Shkupit” nën dirigjim të Bisera Çadllovskës, shkruan zhurnal.mk./ KultPlus.com

Vjen premiera e dokumentarit ‘Kurrizi’

Dokumentari ‘Kurrizi’ me skenar të Doruntina Bashës dhe Arif Muharremit e regjë të Orgesa Arifi, vjen me premierë më 7 shtator, shkruan KultPlus.

Dokumentari ‘Kurrizi’ trajton një hapësirë urbane, gati suburbane, në Lagjen Dardania, e cila në vitet e 90’ta, shndërrohet në hapësirë paralele shoqërore, kulturore të të rinjve shqiptar – në atë periudhë, regjimi i Millosheviçit i kishte përjashtuar shqiptarët tërësisht nga jeta institucionale.

‘Kurrizi’ ishte një geto hapësirë për shumë të rinj dhe për shumë personalitete që sot janë figura publike te Kosovës.

Ky dokumentar ka për qëllim të mbledhë tregimet për ‘Kurrizin’ si një pjesë e rëndësishme për memorien kolektive te viteve të 90-ta në Kosovë.
Pjesë e Premierës do të jenë edhe personalitetet që kanë histori e tregime të shumta të Kurrizit.
Premiera vjen më 7 shtator me fillim nga ora 20:00 në Miqt Pub, në kryeqytet. Dokumentari është përkrahur nga CHwB Kosova./ KultPlus.com

Një i vdekur në festivalin “Burning Man 2017”

Aaron Mitchell, raportohet se ka vdekur gjatë një vrapimi drejt zjarrit në festivalin e artit dhe muzikës “Burning Man 2017”, në Nevada të Amerikës.

41-vjeçari vdiq dje edhe pse fillimisht u dërgua në qendrën spitalore të djegieve në Kolegjin Universitar Davis në Kaliforni. Kjo ngjarje po shënon ditën e saj të nëntë, megjithatë pjesa e zjarreve u anulua mbrëmë.

Aaron Mitchell ishte amerikan por që jetonte në Zvicër me gruan e tij.

Festivali “Burning Man” së pari ka filluar në vitin 1986 në San Francisko, por u kthye në Nevada në vitin 1990, transmeton koha.net./ KultPlus.com

Madhështia e fjalëve të fundit të Skënderbeut, si duhet të rrugëtojë kombi shqiptar

…Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…

Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve.

Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit… (Nga libri i Stephan Zannovich, “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. Konica.al)./ KultPlus.com

‘Rooftop Story’ vlerësohet për anën estetike në festivalin ‘Montreal World Film Festival’ (FOTO)

Ana estetike e realizimit të filmit “Rooftop Story” është vlerësuar më së shumti nga kritika dhe publiku kanadez.

Ky film, i cili me temën e tij mëton të provokojë publikun, premierën botërore e pati në kuadër të festivalit prestigjioz “Montreal World Film Festival”.

Edicioni i 41-të i festivalit të kategorisë “A” që zuri vend prej datës 24 gusht deri më 4 shtator , në programin “Focus on World Cinema” shfaqi filmin e regjisorit Gazmend Nela, i cili bashkë me dramaturgun Arian Krasniqin e ka shkruar edhe skenarin.

Me këtë rast filmi i tij është bërë i treti me radhë, i mbështetur nga shteti, që pati premierën në Montreal. Njëjtë sikur “Heroi” i Luan Kryeziut, edhe ky është shfaqur në program jogarues, derisa “Eho” i Dren Zherkës ka qenë në garë.

Shikuesit që, sipas Nelës, ishin më shumë kritikë, gazetarë, por edhe dashamirës të filmit, patën rastin të shihnin dramën nga Kosova që flet për humbjen dhe pendimin të shtunën. Në rolet kryesore në këtë film luajnë aktorët Xhevdet Doda, Mona Mustafa e Art Lokaj, shkruan sot Koha Ditore./ KultPlus.com

Letra që Abraham Lincoln i kishte dërguar mësuesit të të birit

E cili prind, sot nuk do të kishte dashur t’i drejtohej mësuesit të fëmijës së tij, ashtu si Abraham Lincoln mësuesit të të birit. Prandaj, meqë sot është dita e parë e vitit të ri shkollor, kjo letër ia vlen të lexohet sërish, të paktën nga prindërit dhe mësuesit.

Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln, e dinte vlerën e dijes dhe të mësuarit në jetë. Për këtë, ai kishte vendosur që mësuesit të djalit të tij, t’i shkruante në formë përkujtimi rreth mënyrës se si duhet trajtuar një fëmijë i vogël. Lincoln i kishte renditur mësuesit të djalit të tij, pikërisht në ditën e parë të shkollës, një sërë arsyesh e mësimesh të arta të cilat dëshironte që djali i tij t’i mësonte nga mësuesi.

Lexoni më poshtë letrën e Abraham Lincoln të shkruar në vitin 1830:

Mësues i nderuar,

Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e çuditshme dhe e re, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht.

Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.

Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.

Për këtë, i dashur Mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë – por butësisht, nëse mundeni.

Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

Atij do t‘i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur – si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.

Mësojeni se mund të ketë dështim të ndershëm dhe fitore të turpshme.

Mësojeni t’i përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër.

Mësojeni të këtë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do t`i thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t`i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshitë të gjithë atë që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij sesi të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajën për të qenë i padurueshëm. Lejoheni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në zotin. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë. Dhe është biri im”.

Me respekt,

Abraham Lincoln

Një burrë…

ORIANA FALLACI –

Lumturia është vetbraktisja që në mesnatë na shpie në shtëpinë me portokalle dhe limonë, ku hyjmë në majë të gishtave, pa na u bërë vonë fare për policët që kontrollojnë çdo lëvizje tënden. Lumturia është aroma e jaseminit që ka lulëzuar poshtë dritares ku mbështetem, ndërkohë që ti përkulesh dhe këput një tufë, të cilën ma ofron së bashku me druajtjen tënde.
Është një dhomë, mjerimi i së cilës nuk më bie më në sy, as poltronat e saj të lyrosur dhe rrjepur, as zbukurimet e palezetshme, as diplomat absurde nëpër korniza, sepse ti je pranë meje. Është edhe një puthje që s’e pret të jetë kaq e turpshme, ndërkohë që era fëshfërin mes degëve të ullinjve dhe na sjell ninullën e detit. Është një lot që papritur rrëshket mbi faqen tënde ndërsa më pëshpërit:
– Kam qenë kaq i vetëm. Nuk dua të jem më vetëm. Betohu se nuk do të më lësh më kurrë.
– Është fytyra jote serioze, sytë e tu të mallëngjyer që mbyten në sytë e mi të mallëngjyer, krahët e tu të druajtur që kërkojnë të mitë, edhe ata të druajtur, sikur të ishim dy të rinj që takojnë për herë të parë dashurinë, mbase sepse e ndjenim se po përgatiteshim të shlyenim një rit prej të cilit do të vareshin vitet tona të ardhshme. Lumturia është heshtja e gjatë, çuditërisht e gjatë, ndërkohë që buzët tona preken me hezitim, për t’u bashkuar me bindje, e trupat tanë që lidhen pa druajtje, bashkohen me vendosmëri për t’u shtrirë, duke u prekur në errësirë, për t’iu afruar shtratit, të gëlltitur nga lumenj ëmbëlsie që verbojnë, duke kërkuar gjeste dashurie të harruara, të shumëdëshiruara, e ndërsa na vijnë në mendje penetrohemi me harmoni, përsëri e prapë, ende, sikur kjo gjë duhej të zgjaste përjetësinë.
– Më pas, të lodhur, vështrojmë njëri-tjetrin në sy, me kokat mbështetur në të njëjtin jastëk e ti më thua:
– S’agapo tora ke tha s’agapo pantote – të dua tani e do të të dua përgjithmonë…..

Përktheu Yllka Beshirja

Këngët më të mira për t’i dëgjuar gjatë muajit shtator

Shtatori ndryshe nga gushti sjell melodi të reja nga Tori Amos, Shania Twain, Paloma Faith e shumë të tjera.

Revista Elle, ka përgatitur një ‘playlist’ të këngëve të cilat preferohen t’i dëgjoni gjatë këtij muaji, transmeton Koha.net.

Paloma Faith, “Crybaby”

Deerhoof ft. Awkwafina, “Your Dystopic Creation Doesn’t Fear You”

Tori Amos, “Up the Creek”

The Blow, “Get Up”

Shania Twain, “Swingin’ With My Eyes Closed”

Leikeli47, “2nd Fiddle”

Jessie Ware, “Selfish Love”

Amadou & Mariam, “La Confusion”

Annie Hart, “I Don’t Want Your Love”

Wyclef Jean, “What Happened to Love?”
Florist, “Understanding Light”

Anna of the North, “Money”.

‘Festivali Ndërkombëtar i Poezisë’ nis sot në Rahovec

“Festivali Ndërkombëtar i Poezisë” i cili mbahet në Rahovec, në këtë edicion të tretë do të sjellë poetë të shquar ndërkombëtar të cilët vijnë për herë të parë në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Pjesëmarrës në këtë festival janë poetë të shquar ndërkombëtarisht dhe vijnë për herë të parë në Kosovë nga shtetet si Cuba, Filipine, SHBA, Greqia, Turqia, Tunisia, Italia, Bulgaria, Gjermania, Maqedonia, Mali i Zi, Britania e madhe, Jordania, Shqipëria etj.

Do të promovohet edhe libri i poetit amerikan William S. Peters, “Kosovë e dashur…ëndrrat e Rahovecit”. Festivali zgjat tre ditë më 4, 5 dhe 6 shtator 2017./ KultPlus.com

Kardinali shqiptar Ernest Simoni, nesër mbërrin në Kosovë

Hirësia e tij, kardinali shqiptar Ernest Simoni, i dërguar i posaçëm i Papa Françeskut për Shugurimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, do të mbërrij nesër në Kosovë, më 4 shtator.

Parashihet të ketë një agjendë të ngjeshur qysh në ditën e parë të qëndrimit të tij treditore. Agjenda e Kardinalit për ditën e hënë do të jetë kjo:

Ora 10:00,do të mbërrijë në Katedralen e Prizrenit “Zoja Ndihmëtare” , ku do të vizitojë e do të njoftohet me restaurimin e Katedrales dhe të Shkollës Fillore Loyola

Ora 12:00, pritet të mbërrijë në Prishtinë, në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, ku do të pritet prej Imzot Dodë Gjergjit, Ipeshkëv i Kosovës.
Pastaj, Kardinali do të mbajë një konferencë për media në Rezidencën e Ipeshkvisë e Kosovës (pranë Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë), e cila mendohet të zgjatë jo më shumë se 15 min.
Pastaj rreth orës 12:30 do të drejtohet tek Menza e të varfërve, që gjendet te Kisha e Shën Ndout në Ulpianë, ku do ta ketë një drekë me të varfër që ushqehen në ketë menzë.

Kardinali do të jetë i shoqëruar nga Don Lush Gjergji dhe Don Shan Zefi, të përcaktuar nga Selia e Shenjtë si shoqërues zyrtarë për qëndrimin e tij në Kosovë, shkruan drita.info./ KultPlus.com

Hapet konkursi letrar ‘Frymoj në Letër’

“Frymoj në letër” është aktiviteti i radhës i cili do të organizohet nga Ideartë. Një konkurs letrar, një mundësi e shkëlqyer për të gjithë personat që kanë dhunti të shkruarin, pa limit moshe, me synimin e vetëm të promovuarit e talenteve në fushën letrare.

Në këtë garë të artit të fjalës, mund të aplikojë çdo shqiptarë që ka pasion, thjeshtë, duke dërguar në postën elektronike: [email protected] emrin, datëlindjen dhe qytetin ku jeton, bashkëngjitur punimit të tij. Konkursi është i hapur në tre kategori: ese, prozë, poezi, ku një person mund të konkurroj edhe në të tria hapësirat njëherësh.

Faza e parë, ajo e aplikimit, ka afat deri në datën 20 shtator. Pas kësaj date do të njoftohen të gjithë të përzgjedhurit për të qenë pjesëmarrës në mbrëmjen poetike e cila do të zhvillohet në fund të muajit shtator në qytetin e Peqinit. Për aplikantët nga trojet, do të bëhet e mundur shpërndarja e certifikatave mirënjohëse me anë të Postës Shqiptare.

“Frymoj në Letër është një aktivitet i radhës organizuar nga Ideartë, që synon të nxis krijimtarinë, çdo njeri lind artist prandaj i kërkoj të gjithëve të gërmojnë thellë brenda vetes dhe atë çfarë ndjejnë ta pasqyrojnë në letër”, tha Ermir Cani, bashkëthemelues i shoqatës Ideartë.

“Ky konkurs letrar është një mundësi e mirë ku të rinjtë mund të shfaqin talentin e tyre në të shkruar. Në të njëjtën kohë, zhvillon aftësinë e të shprehurit lirshëm, duke i nxitur ato të ecin edhe më tej drejt rrugës së krijimit artistik. Besoj se ky do te jetë një shans i mirë për të gjithë pjesëmarrësit”, tha Patricia Vogli, pjesëtare e Ideartë. (Shkruan Izaora Çollaku)/ KultPlus.com