Tri gjëra nuk mund të fshihen për një kohë të gjatë: Dielli, Hëna dhe e vërteta

Disa thënie të Budës.

Nuk e kthen dot orën mbrapa, për të ndrequr gabimet e të kaluarës. Ke vetëm të sotmen për të bërë dallimin në jetën tënde, familjen tënde, dhe në shoqëri, nëse dëgjon këto fjalë të Budës.

“Mos rri në të kaluarën; mos ëndërro për të ardhmen, përqëndroje mendjen tënde në të tashmen”.

Kur ke dhembje koke, rend të marrësh qetësuesin. Nëse e ke dhembje fyti, rend të marrësh tabletat për fytin. Ti e di se çfarë të shkakton shqetësim dhe parehati në jetë. Je ti përgjegjës për të bërë lëvizjen e duhur që ta “shërosh”. Në këtë thënie, Buda i bën jehonë një ndjenje të ngjashme:

“Askush nuk mund të na shpëtojë, përveç vetes sonë. Askush nuk mund dhe askush nuk duhet. V etë ne duhet ta përshkojmë atë shteg”.

Mund t’ia hedhësh nëse bën veprime që nuk janë konform normave të shoqërisë. Ti fshihesh prapa një muri fjalësh, për të thënë gjë gjë e nënkuptuar një gjë tjetër. Ti e ke praktikuar dhe përsosur këtë akt dhe ia ke dalë, e megjithatë, po jeton në një gënjeshtër. Megjithatë, sipas Budës, tre janë gjërat që nuk mund të fshihen.

“Tre gjëra nuk mund të fshihen për një kohë të gjatë: Dielli, Hëna dhe e vërteta”.

Zemërimi manifestohet në mënyra të ndryshme, tek njerëz të ndryshëm. Mund të thyesh orenditë, enët e kuzhinës dhe të thyesh dritaret, për të nxjerrë dufin. Këto janë shenja të zemërimit që shkon keq. Sendet janë të zëvendësueshme. Por shenja që lënë veprimet e tua në zemër, është e pariparueshme.

“Ti nuk do të ndëshkohesh për zemërimin tënd. Ti do të ndëshkohesh nga zemërimi yt”.

Ti jeton në një shoqëri që mbahet peng prej diktateve. Ti ha atë që të thuhet se është e mirë për shëndetin. Vesh rroba të rekomanduara nga shtëpitë e modës, që meqë ra fjala, fitojnë para. Po kështu përpiqesh të mendosh njësoj si gjithë të tjerët. A e di që je unik? Special? Po kështu është edhe mendja jote.

“Mendja është gjithcka. Ti bëhesh ajo që ti mendon”.

“Një vend i shëndetshëm është një komb i pasur”, thonë. Ti je pjesë e vendit tënd. Shëndeti i mirë është parakusht për rritjen ekonomike të vendit tënd. Kjo në shkallë të gjerë. Por Buda e ngushton shëndetin e mirë tek dobia individuale.

“Të mbash trupin në shëndet të mirë është detyrë… përndryshe nuk do të jemi në gjendje që të mbajmë mendjen të fortë e të qartë”. Nëse mendimet negative ta bllokojnë mendjen, trupi yt vuan prej shëndetit të keq.

“Ne formësohemi prej gjërave që mendojmë; ne bëhemi ajo që mendojmë. Kur mendja është e pastër, gëzimi vjen pas si një hije që nuk shkëputet asnjëherë”, ka komentuar Buda. Karakteri juaj është i lidhur me personalitetin tuaj, ashtu sikurse hija është e lidhur me trupin e njeriut. Nëse mendoni se kjo është thënie e kotë, përpiquni ta largoni hijen tuaj sot.

Ti ke një ëndërr. Mund të mos e ndësh me të tjerët. Por ajo është aty, deri në detajin më të hollësishëm. Mund ta largosh, ta fusësh në sirtar ndërkohë që ndjek një tjetër gjë në jetë, por ëndrra do të jetë duke pritur tek dera e zemrës tënde, që të plotësohet.

“Ne bëhemi ajo që mendojmë”, thotë Buda. Bëje ëndrrën tënde realitet sot.

Imagjinoni sikur jepni dëshmi në gjykatë. Nëse e dini të vërtetën, e thoni ashtu si është, për shkak se keni fakte që ta provoni. Vështirësia shfaqet kur përpiqeni të përthyeni të vërtetën.

“Ka vetëm dy gabime që njeriu mund të bëjë rrugës drejt të vërtetës; të mos shkojë deri në fund, dhe të mos niset fare”.

Qetësia e mendjes është më e vështirë të arrihet, se sa cdo objektiv tjetër që i vini vetes në jetë.

“Paqja vjen nga brenda, mos e kërkoni së jashtmi”.

Cdo gjë që keni në jetë është një dhuratë. Miqtë dhe të afërmit ju mbushin me dhurata, pa pritur që ju të ktheni mbrapsht. Ky është thelbi i dhënies. Pjesa juaj është që të pranoni me një zemër plot mirënjohje, dhe të jeni mirënjohës për gjërat që ju vijnë. Nëse jeni ziliqar, ju i largoni bekimet. Por nëse shkoni më thellë, ju keni një mendje të trazuar.

“Mos mbivlerësoni atë që keni arritur, as mos ua kini zili të tjerëve. Ai që ka zili të tjerët, nuk gjen qetësi të mendjes”.bota.al/ KultPlus.com

Pesë librat më të mirë të 2018-ës sipas Bill Gates

Bill Gates është një lexues i përkushtuar.

Në vitin 2018, krijuesi i Microsoft ka lexuar shumë libra, por pesë prej tyre ua sugjeron edhe juve – ashtu siç bën çdo vit.

Titujt më poshtë:

1.“Bad Blood: Secrets and Lies in a Silicon Valley Startup”një libër për të cilin ka thënë se nuk e linte dot mënjanë deri sa ta mbaronte. Në këtë libër trajtohet historia e dështimit të Theranos, një kompani e cila pretendonte se thjesht duke marrë një epruvetë të vogël gjaku, mund të jepte vlerësimin për shëndetin e përgjithshëm të pacientit. “Historia ishte shumë më e çmendur nga çfarë mund të imagjinoja. Në këtë libër gjen gjithçka: mashtrime të rafinuara, intriga koorporatash, histori revistash, marrëdhënie familjare dhe dështimin e një kompanie që vlente 10 miliardë dollarë”, shkruan Gates.

2.“21 Lessons for the 21st Century” nga Yuval Noah Harari. Gates është një fans i madh i historianit dhe autorit Noah Harari, i cili gjithashtu shkroi “Sapiens” dhe Homo Deus,” dhe libri i tij i fundit ka arritur të impresionojë Gates.

3.“The Headspace Guide to Meditation and Mindfulness” nga  Andy Puddicombe. “Jam i sigurt që në moshën 25 vjeçare do e përqeshja këtë libër, por unë dhe Melinda jemi interesuar shumë për meditimin kohët e fundit,” thotë Gates, i cili tani menditon dy ose tre herë në javë.

4.“Army of None” nga Paul Scharre. Ky libër është një pamje provokuese e inteligjencës artificiale në luftëra,” shkruan Gates. “Është një temë shumë e komplikuar,” thotë ai, por Scharre, një ekspert i mbrojtjes në Pentagon dhe pjesëtar i ushtrisë amerikane, ofron anët negative dhe pozitive të luftërave të fuqizuara me inteligjencë artificiale.

5.“Educated” nga Tara Westover. Në këtë biografi bestseller, Tara Westover pasqyron fëmijërinë e saj si më e vogla e pesë fëmijëve e cila u rrit në një shtëpi mormone fundamentaliste në zonat rurale. Babi i saj besonte që duhet ta izolonte familjen e tij nga e gjithë shoqëria, duke përfshirë sistemin shëndetësor dhe arsimor, kështu ajo nuk shkeli në një klasë shkolle deri sa ishte 17 vjeç./ KlanKosova/ KultPlus.com

Ta kujtova shkumjen tande nuse…

Nga Çun Lajçi. Dedikuar motrës Bute Qorraj Haxhijaj.

Ta kujtova shkumjen tande nuse
Atë dimnin e largët
Unë Çuni vocrrak
Ta kujtova edhe vekun me pejna
Mes lamshash e ojnash ulun t’pashë
Qejzin e çiknisë tue ba
Ik tash 
Merri gryk babë e nanë
E Bubulinën që vetëm e lashë. / KultPlus.com

Sot 90-vjetori i lindjes së regjisores Xhanfise Keko

Në 90-vjetorin e lindjes kujtojmë regjisoren e madhe shqiptare Xhanfise (Çipi) Keko.

KEKO lindi në Gjirokastër, në 4 janar 1929. Tre vjet pasi u zhvendos në Tiranë 1947, filloi punë si biletashitëse në kinema “Republika”, ndërsa në vitin 1949, në “Ndërmarrjen Kinematografike”, prej së cilës u largua 1 vit më pas për studime në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1952 filloi punë montazhiere në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Vepra e parë si regjisore ishte dokumentari “Tregim për njerëzit e punës” në 1963.

Pas kalimit në filmin artistik (1971-A,B,C… Zh) puna e saj përqëndrua në temat e fëmijëve dhe shumica e filmave shfaqin aktorët fëmijë në rolet kryesore.

Kur Keko filloi prodhimin e filmit më të famshëm të saj “Tomka dhe Shoket e Tij” (1977), ajo tashmë e kishte vendosur veten si një nga regjisoret në një prej industrive më të rëndësishme. Ndoshta sepse “filmat e fëmijëve” nuk tërhiqnin aq shumë vëmendjen e sistemit, Keko pati mundësinë të eksperimentonte stilistikisht me filmat e saj dhe ajo krijoi mënyra për t’i bërë fëmijët/aktorët e saj të vepronin natyrshëm para kamerës.

Për shumë shqiptarë që u rritën nën regjimin e Hoxhës, filmat e Kekos ende shkaktojnë kujtime nostalgjike përkundër përmbajtjes ideologjike të filmave dhe përkundër faktit se ato janë prodhuar për një periudhë që shumë preferojnë të harrojnë.

Xhanfise Keko mbetet ende regjisorja më e suksesshme femër e Shqipërisë duke shërbyer si një shembull i fuqishëm dhe duke mundësuar që femrat regjisore të kenë sot zërin e tyre në kinematografinë shqiptare. Ajo fitoi 11 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare me veprat e saj.

Xhanfise Keko u martua me regjisorin Endri Keko, me të cilin pati dy djem Ilirin dhe Teodorin.


Filmografi e shkurtuar si regjisore
• (1963) TREGIM PËR NJERZIT E PUNËS (film dokumentar)
• (1963) 1 MAJ 1963 (kinoreportazh)
• (1966) KALITEMI PËR MBROJTJEN E ATDHEUT (film dokumentar)
• (1966) MIQËSI E MADHE UNITET LUFTARAK (kinoreportazh)
• (1967) ATO ÇAJNË PËRPARA (film dokumentar)
• (1968) KALITEMI NEPËRMJET AKSIONEVE (film dokumentar)
• (1969) FESTIVALI ARTISTIK I FËMIJVE (film dokumentar)
• (1970) TINGUJT DHE FËMIJËT (film dokumentar)
• (1971) ABC…ZH (film artistik)
• (1972) SHKOLLA TINGUJ DHE NGJYRA (film dokumentar)
• (1972) PARA SHFAQJES (film dokumentar)
• (1972) KRYENGRITJE NË PALLAT (film artistik)
• (1973) MIMOZA LLASTICA (film artistik)
• (1974) BRIGADA E XXV (kinoreportazh)
• (1974) QYTETI MË I RI NË BOTË (film artistik)
• (1975) PËR POPULLIN, ME POPULLIN (film dokumentar)
• (1975) BENI ECËN VETË (film artistik)
• (1976) TINGUJT E LUFTËS (film artistik)
• (1977) TOMKA DHE SHOKËT E TIJ (film artistik)
• (1978) PAS GJURMËVE (film artistik)
• (1980) PARTIZANI I VOGËL VELO (film artistik)
• (1981) KUR XHIROHEJ NJË FILM (film artistik)
• (1982) NJË VONESË E VOGËL (film artistik)
• (1984) TAULANTI KËRKON NJË MOTËR (film artistik)


Si skenariste
• (1971)ABC…ZH skenar për film artistik/bashkautor-Peçi Dado)
• (1981) KUR XHIROHEJ NJË FILM (skenar për film artistik/bashkautore-Shpresa Vreto)
• (1982) NJË VONESË E VOGËL (skenar për film artistik/bashkautor-Bashkim Hoxha)
• 1984)TAULANTI KËRKON NJË MOTËR skenar për film artistik/bashkautor-Nexhati Tafa./ KultPlus.com

Në Dhërmi bie borë pas 20 vjetësh

Dhërmiu në jug të Shqipërisë është përfshirë në mot të ftohtë dhe pas 20 vjetësh ka rënë bora e parë në këtë fshat të Vlorës.

Mediat në Shqipëri kanë publikuar fotografi të Dhërmiut të mbuluar me borë, ndërsa gazeta “Panorama” raporton se kjo është bora e parë që ka rënë pas 20 vjetësh./ KultPlus.com

“Nderi i Kombit” dhe “Artisti i Popullit” Kadri Roshi do të ishte sot 95 vjeç

Lindi në në 4 janar 1924 në Ballsh. Pas fëmijërie të vështirë (humbi nënën në moshën 4-vjeçare dhe babain kur ishte 12) duke punuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, kontaktin e parë me artin skenik e pati në vitin 1945, kur u pranua në shkollën e sapo-hapur të arteve në Tiranë. Vijoi 2 vjet studime në Jugosllavi dhe 2 të tjera në Çekosllovaki. Pas shkollës u kthye në Tiranë dhe filloi pnë në Teatrin Kombëtar, skenë ku do t’i dhuronte art publikut shqiptar përgjatë gjithë jetës së tij.
Me mbi 30 role në ekran dhe mbi 100 në skenën e teatrit, kujtojmë gjigandin e skenës dhe ekranit shqiptar, që la në memorien kolektive të shqiptarëve personazhe të jashtëzakonshëm, nga skllavi Ezop te kujdestari i pashpirtë i jetimëve, luftëtari për gjuhën shqipe në Rilindje te spekulanti i grurit dhe plaku Mere, dashnori i refuzuar nga Tana dhe Parandili i varfër apo babai i drejtë në Rrethimin e vogël.

Ai la pas artin e mrekullueshëm të fjalës dhe mbeti i pavdekshëm.

I martuar me aktoren gjakovare Drita Taho, Kadri Roshi ka lënë pas 2 fëmijët Ermirën dhe Klitin./ KultPlus.com

Adelina Ismaili pyet nëse duhet të kandidojë si presidente e Kosovës

Më 14 dhjetor të vitit që e lamë pas, Adelina Ismaili festoi ditëlindjen e saj të 39-të.

E pikërisht në atë ditë u bë edhe formimi i Ushtrisë së Kosovës, së cilës këngëtarja i kishte kënduar vite më parë.Në një intervistë të dhënë për ‘Klan Kosova’, ajo u shpreh se ndihej krenare për këtë ditë, madje sipas saj meritat i ka ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Megjithatë, pas kësaj deklarate të Adelina ngjalli reagime  të shumta nga njerëzit që e tregon edhe me postimin e fundit të ndarë në rrjete sociale.

Në llogarinë e saj, Instagram, Adelina ka hedhur një fotografi të intervistës ku thotë se pas gjithë këtyre sulmeve, a duhet të kandidojë tashmë për presidente.

“Wow, Sa shumë reagime për një pikëpamje politike! A duhet të kandidoj për presidente…?”, ka shkruar Adelina Ismaili./ insajderi.com/ KultPlus.com

‘Fëmija dhe zogu’ nga Ndre Mjeda

| Ndre Mjeda – Fëmija dhe zogu |

Fëmija
Çka ke, zog, që rri kaq idhun
N’at kafaz e nuk këndon?

Zogu
Jam ktu brendë si’i qen i lidhun
Prandaj zemra, më loton.

Fëmija
Fort i bukur, fort i dlirë
Ky kafaz dikur t’u duk.

Zogu
S’e kam dijtë për kaq t’vështirë,
Ktu ha helm ma shumë se bukë

Shpallen edhe projektet fituese te ‘Skena e vogël e vogël 2019’

Teatri Kombëtar i Kosovës në mbledhjen e mbajtur të Këshillit Drejtues të TKK-së gjatë ditës së djeshme, pas propozimeve të menaxhmentit për repertorin artistik për vitin 2019, miratoi disa projekte.

Këshilli Drejtues i TKK-së, gjithashtu ka marrë vendim që për shkak të numrit të madh të aplikimeve të ardhura në adresë të TKK-së për skenën e vogël, ta rrisë numrin ne projekteve të aprovuara për këtë program të veçantë, duke i aprovuar në mesin e projekteve të propozuara këto koncepte.

Pesë projekte aprovohen për skenën e madhe të Teatrit Kombëtar

Teatri Kombëtar i Kosovës në mbledhjen e mbajtur të Këshillit Drejtues të TKK-së gjatë ditës së djeshme, pas propozimeve të menaxhmentit për repertorin artistik për vitin 2019, miratoi disa projekte.

Skena e madhe:

1.            “Karnevalet e Korçës” nga Spiro Çomora – Regjia: Altin Basha

2.            “Sfinga e gjallë” nga Rexhep Qosja – Regjia: Blerta Neziraj

3.            “Bryma e vdekjes” nga Milazim Krasniqi – Regjia: Burbuqe Berisha

4.            “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” nga Veton Surroi

5.            “Lear” nga Edward Bond

RTKLIVE / KultPlus.com

Sabit Kadriu, profesori që mblodhi dëshmi për krimet e kryera në Kosovë

***

“Në sytë e tij pashë trupat e vdekur të fëmijëve”

Sabit Kadriu, një profesor i gjuhës shqipe dhe ish-aktivist për të drejta të njeriut në Vushtrri, punoi në mbledhjen e dëshmive për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë në rajonin e tij, por ndihet skeptik në atë se sa ka arritur puna e rrezikshme që ka bërë ta çoi më tej luftën për drejtësi.

Kadriu dëshmoi kundër Milosheviqit rreth masakrës në fshatin Likoshan ku 24 civilë shqiptarë u vranë në fund të shkurtit të vitit 1998 si dhe vrasjen e mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari në Prekaz.

Kadriu thotë se ende i vjen në vesh zëri i Milosheviqit në sallën e gjykatës duke i thënë “Ndalu”, shkruan Balkan Insight.

“E shikova dhe në sytë e tij pashë trupat e vrarë të fëmijëve”, thotë ai. “Mu duk sikur u ndala, por në fakt isha duke folur”.

“Në atë moment doja ta përpija të gjallë”, tha Kadriu për BIRN duke kujtuar se u ndie i thyer kur Milosheviqi vdiq.

“Bashkë me të ndiq edhe çdo pritje për drejtësi”. Tribunali, tha ai, “dështoi të sjellë drejtësi”.

( Burimi: Balkan Insight )

Kështu dukej Jonida Maliqi kur doli për herë të parë në skenë (VIDEO)

Javë më parë këngëtarja Jonida Maliqi, u shpall fituese në “Festivalin e Këngës” në RTSH, duke marrë një nga çmimet më të rëndësishme në karrierën e saj.

Këngëtarja u shpall fituese me këngën “Ktheju Tokës”, me të cilën do ta përfaqësoj Shqipërinë në festivalin evropian “Eurovision”, që këtë vit mbahet në Izrael.

Por Jonida Maliqi, paraqitjen e parë e kishte pikërisht në “Festivalin e Këngës” në moshën 13-vjeçare, shkruan Magazina.al

Ajo është ngjitur për herë të parë në skenën e ‘Pallatit të Kongreseve’ në vitin 1995 për të kënduar në një duet me Aleksandër Rrapin në ‘Festivalin e 34-të në RTSH’.

https://www.youtube.com/watch?v=vz0SNZiySn4

Në një video, ajo shihet në një moshë mjaftë të re, por pavarësisht kësaj ajo është shfaqur me një siguri të plotë në skenë, duke interprtuar shkëlqyeshëm këngën “Planeti i fëmijëve”, shkruan Magazina.al

Nga ajo kohë kanë kaluar plotë 23 vite,ndërsa këngëtarja ka ndryshuar shumë si në aspektin profesional ashtu edhe në atë fizikë. / KultPlus.com

‘Kur bëhet 30 vjeç njeriu duhet ta njohë veten si në pëllambë të dorës’

Thënie nga Alber Kamy (Albert Camus)

Një shtyp i lirë, natyrisht, mund të jetë i mirë ose i keq, por, në mënyrën më të sigurtë, pa liri shtypi nuk do të jetë gjë tjetër veçse i keq.

Një ndërgjegje fajtore ka nevojë të rrëfehet. Një vepër arti është një rrëfesë.

Një njeri pa etikë është një bishë e humbur në këtë botë.

Ah, miku im, për këdo që është i vetmuar, pa Zot dhe pa mësues, pesha e ditëve është e lemerishme. 

Medet, pas njëfarë moshë, çdo njeri është përgjegjës për fytyrën e tij. 

Të gjitha bëmat e mëdha dhe mendimet e mëdha kanë një fillim qesharak. Veprat e mëdha shpesh kanë lindur në një qoshe rruge apo në derën rrotulluese të një restoranti.

Të gjitha revolucionet moderne kanë përfunduar në një përforcim të pushtetit të Shtetit. 

Intelektuali është dikush mendja e të cilit vështron veten e saj.

Kur bëhet 30 vjeç njeriu duhet ta njohë veten si në pëllambë të dorës, të dijë saktësisht të gjitha të metat dhe kualitetet, ta dijë sa larg ai mund të shkojë, të parathotë dështimet e tij – të jetë ai që është. Dhe, mbi të gjitha, t’i pranojë këto gjëra. 

Janë të bekuara zemrat që mund të lakohen; ato nuk do të thyhen kurrë. 

E çfarë është lumturia përveçse një harmoni e thjeshtë midis një njeriu dhe jetës që ai bën? 

Rregulli është që qeveria nuk ka ndërgjegje. Nganjëherë ka një politikë, por asgjë më shumë. 

Sharmi është një mënyrë për të marrë përgjigjen po kërkuar një pyetje të qartë.

Kultura: qarja e njerëzve në fytyrën e fatit të tyre.

Mos ju beso miqve kur ata të kërkojnë të jesh i ndershëm me ata.  E gjitha ç’duan ata është të mbajnë mendimin e mirë që ata kanë për veten e tyre.

Mos prit gjyqin e fundit – ai ndodh çdo ditë.

Mos ec pas meje; nuk jam prijës. Mos ec para meje ; nuk mund të të ndjek. Ec përkrah meje dhe ji miku im. 

Çdo akt rebelimi shpreh nostalgjinë për pafajësinë dhe një thirrje ndaj thelbit të qenies.

Çdo njeri ka nevojë për skllevër si për ajër të pastër. Të sundosh do të thotë të marrësh frymë, apo jo? Madje edh më të paprivilegjuarit duan të marrin frymë. Ata të shkallës më të ulët kanë skllevër gratë ose fëmijët e tyre.

Çdo revolucionar përfundon në shtypës ose në heretik. 

Liria nuk është gjë tjetër veçse një shans për të qenë më mirë.

Ai që dëshpërohet nga gjendja njerëzore është burracak, por ai që shpreson për të është budalla.

Si mund të jetë çiltërsia një kusht për miqësi? Shijimi i së vërtetës me çdo kusht është një pasion që nuk shpenzon asgjë. 

Sa e rëndë, sa e hidhur është të bëhesh njeri!

Unë di vetëm një detyrë, ajo është të dashuroj. 

 Në mes të dimrit e kuptova më në fund se brenda meje ishte një verë që nuk çrrënjoset.

Integriteti nuk ka nevojë për ligje.

Është normale të japësh pak nga jeta jote, në mënyrë që të mos e humbësh krejtësisht. 

Njeriu është një ide, dhe është një ide e vogël e çmuar sapo ia kthen shpinën dashurisë. 

Njeriu është krijesa e vetme që nuk pranon të jetë çfarë është.

Njeriu dëshiron të jetojë, por është e padobishme të shpresojë që kjo dëshirë do t’ia diktojë veprimet e tij.

Njerëzit binden nga argumenet tua, çilërsia jote dhe serioziteti yt vetëm pasi të kesh vdekur.

Njerëzit duhet të jetojnë dhe të krijojnë. Të jetojnë deri në pikën e lotit.

Askush nuk e kupton se disa njerëz shpenzojnë pa masë energji për të qenë normalë. 

S’ka asgjë më të neveritshme se respekti i bazuar në frikë. 

Një lidër dhe një popull do të thotë një mësues dhe miliona skllevër. 

Vetëm filozofia e përjetësisë, sot në botë, mund të justifikojë jodhunën.

Bujaria e vërtetë ndaj së ardhmes është t’i japësh gjithçka të sotmes.

Fisnikëria e vërtë është e bazuar në shpërfillje, guxim dhe indiferencë të thellë.

Hakmarrja është e lidhur me natyrën dhe instinktin, jo me ligjin. Ligji, në vetvete, nuk mund t’iu bindet të njëjta rregulla si natyra. 

Disa njerëz flasin në gjumë, mësimdhënësit flasin kur të tjerët flenë.
Absurdi është koncpeti thelbësour dhe e vërteta e parë. 

Mendja moderne është në pështjellim të plotë. Dija e ka shtrirë veten deri në atë pikë sa as bota, as zgjuarsia jonë nuk mund ta shfletojnë. Është e vërtetë se ne po vuajmë nga nihilizmi. 

Nevoja për të pasur të drejtë është shenja e një mendjeje vulgare. 

Shoqëria e mbështetur në prodhimin, është vetëm prodhuese, jo krijuese. 

Mirëqënia e njerëzve në veçanti ka qenë gjithmonë alibia e tiranëve. 

 Ata që iu mungon guximi mund të gjejnë gjithmonë një filozofi për ta justifikuar atë.

Ata që shkruajnë qartë kanë lexues, ata që shkruajnë errët kanë komentues.

Ta braktisësh veten për parimet është vërtetë vdekje – dhe është vdekje për një dashuri të pamundur e cila është e kundërta e dashurisë. 

 E vërteta, si drita, verbon. Rrena, në të kundërt, është një terr i bukur që nxjrr në pah çdo objekt.

Çfarë është një rebel, një njeri që thotë jo. / Elida BUÇPAPAJ / KultPlus.com

‘Ngre dolli për atë që është duke punuar, në tren, në spital, kuzhinë, hotel, në det, në një avion’

ERRI DE LUCA – DORACAK PËR DOLLINË E NATËS SË VITIT TË RI

Ngre dolli për atë që është duke punuar, në tren, në spital,
kuzhinë, hotel, radio, fonderi,
në det, në një avion, në autostradë,
për atë që kapërcen pragun e kësaj nate pa një përshëndetje,
ngre dolli për hënën e re, për vajzën shtatzënë,
për atë që jep një premtim, për atë që e ka mbajtur,
për atë që ka paguar detyrimet, për atë që po i paguan,
për atë që s’është ftuar askund,
për të huajin që mëson italisht,
për atë që studion muzikë, për atë që di të vallëzojë tangon,
për atë që është ngritur për të liruar vendin,
për atë që s’ngrihet dot, për atë që skuqet flakë,
për atë që lexon Dikensin, për atë që përlotet në kinema,
për atë që ruan pyjet, për atë që shuan një zjarr,
për atë që ka humbur gjithçka dhe ia nis nga e para,
për atë që s’pi verë dhe rreket të pranojë ata që pinë,
për atë që është askushi për njeriun e dashur,
për atë që i bien në qafë me shaka dhe një ditë do të jetë hero,
për atë harron fyerjen, për atë që buzëqesh në foto,
për atë që ecën në këmbë, për atë që di të ecë zbathur,
për atë jep nga ajo që ka marrë, 
për atë që s’i kupton barcaletat,
për fyerjen e fundit, qoftë e fundit,
për barazimet, për x-in e skendinës,
për atë që bën një hap para dhe kësisoj prish rreshtin,
për atë që do ta prishë dhe s’mundet,
dhe në fund, pi për atë që ka të drejtën e dollisë sonte
dhe mes atyre që përmenda s’e gjeti veten.

Nga “Mysafiri i regjur”
Përktheu Beti Njuma

Katër serialet që nuk duhet t’i humbni gjatë janarit

Janari gjithmonë është muaji i reflektimit.

Në tjetrën anë, është muaji i gjumit, kur shumica provojnë të mbushin bateritë për vitin që po i pret, mbushur me angazhime, me afate, me detyra, me shkrime, me gjithçka që është pjesë e përditshmërisë.

Megjithatë ka arsye të mos fleni, apo të qëndroni të relaksuar këtë janar. Netflix dhe platformat tjera me seriale do t`ua bëjnë janarin më të qetë, e pse jo edhe duke mbushur diapazonin e mendjes tuaj me më shumë fantazi e njohuri.

Po i sjellim këtu katër seriale të cilat do të mund t’i gjeni online e me to ta kaloni muajin e parë të 2019-tës.

YOU – Netflix

Seriali “You” është pjesë e Netflix. Çka do të bënit ju për dashurinë? A jeni gati edhe të vrisni për djalin që e doni, apo vajzën që e pëlqeni? A do ta përcillnit 24 orë? Çdo pengesë, secilën prej tyre, a do ta largonit lehtë prej rrugës? “YOU” është serial që sjellë paradoksin e rrjeteve sociale, ekspozimin e tepruar dhe shpesh të rrejshëm në rrjete sociale, dhe faktin se njerëzit ju përcjellin, e dini a se dini ju. Me 9 shtator të vitit të kaluar doli episodi i parë i “YOU”. Janarin me patjetër niseni duke e shikuar “YOU”, një seri me vrasje, dashuri, Instagram e shumë elemente tjera.

BLACK MIRROR – Netflix

Së fundmi u fol për episodin e ri të këtij seriali, “Bandersnatch”. Megjithatë, ju që ende se keni nisur serialin në Netflix apo në platform tjetra, bëjeni tash. “Black Mirror” tregon se bota po ecën drejt një modernizimi teknologjik të çuditshëm. Një episod për flutura që i hajnë njerëzit, një tjetër për vlerësimin e njerëzve me anë të sjelljeve të tyre në formën “rating”, dhe një tjetër me fëmijë të cilën rriten me senzorë të futur në trurin e tyre. Nisjani me episodin e ri “Bandersnatch”, por kthehuni edhe në episodat e parë, prej vitit 2011-të. 8.9 është nota që IMDB i ka dhënë këtij seriali futuristik i cili mbi të gjitha do t`ju mbajë në pritje në fund të çdo episodi.

AMERICAN HORROR STORY – FX

Po, është një serial komplet horror. Aty kanë luajtur mes tjerash edhe Lady Gaga e Jessica Lange. 8 sezona dhe 94 episoda ju presin t’i shikoni, ndoshta edhe brenda një jave, nëse keni kohë të uleni para laptopit a kompjuterit tuaj. Dramë, horror, pirje gjaku, jashtë-natyrales, gjithçka e keni brenda sezonave të këtij seriali. “Shtëpia vrasëse”, “Shtëpia e pleqve”, “Çmendina”, “Hoteli”, “Kulti”, “Apokalipsi” janë emrat e sezonave, pasi secili sezonë e ka një temë në vete, dhe një objekt ku zhvillohet. Seriali është nominuar për 303 çmime, prej të cilave i ka fituar 73.

DOGS OF BERLIN  – NETFLIX

Dy policë investigojnë vrasjen e një futbollisti gjermano-turk. Ngjarja zhvillohet në Gjermani. Aktorët gjermanë dhe turq janë bashkuar për serialin që transmetohet poashtu në NETFLIX, dhe është lansuar vetëm  muajin e kaluar, në dhjetor të 2018-tës. Seriali është në gjuhën gjermane, dhe ka dhjetë episode. Për ju që e doni dramën, por edhe futbollin dhe këtë dyshe të lidhur mes vete, ky serial është definitivisht për ju. Lista e të dyshuarve është e gjatë, njëjtë sikur drama dhe episodat e serialit që do t’ju mbajnë në emocion. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=uzcDBHjHePk

Uta Ibrahimi merr lajmin më të bukur në jetën e saj

Me stinën e dimrit vjen edhe koha më e mirë të shijojmë borën por edhe skijimin.

Në një listë që e ka publikuar prestigjiozja angleze The Guardian, me rekomandimin e lexuesve të saj, gjendet edhe Butterfly Outdoor Adventure – kompania e inicuar nga Uta Ibrahimi nga Kosova. Ky nuk është i vetmi lajm i mirë për Uta Ibrahimin, ajo sot ka marrë edhe një lajm tjetër të mirë. Ajo do të marrë një rrugë tjetër të ngjitjes së bashku me ngjitësit më të mirë nga e gjithë bota, e i cili do të kurorëzohet me një dokumentar në National Geographic.

“lajmi i dytë, që asht lajmi ma i bukur në jetën tem …

sot, kam pranu ofertë me u ba pjesë e një rruge të re të ngjitjes në njërën nga 8000 metërshe, e cila asht provu me u ngjit qe 20 vjet dhe pa sukses. Ekipa asht e përbame prej ngjitësave më të mirë nga e gjithë bota, dhe ekspedita asht e sponsorizume nga Kompanitë e mëdhaja në botë … gjithashtu, do të bëhet edhe dokumetar për National Geographic”, ka shkruar Uta Ibrahimi në statusin e saj në Facebook./ KultPlus.com

Hapet festivali i akullit dhe borës

Nëse mendon se i ftohti, që të bën të të kërcasin dhëmbët, është pjesë e argëtimit kur udhëton, atëherë Festivali ndërkombëtar i Harbinit, i skulpturave të akullit dhe borës, është vendi ku duhet të jeni.

I vendosur në provincën e Heilongjangut në Kinën veriore, ai është festivali më i madh i borës dhe akullit në botë, e përfshin një mori instalacionesh spektakolare dhe aktivitete të panumërta.

Festivali i përvitshëm hapet nga 5 janari e vazhdon deri më 5 shkurt, por disa atraksione hapen për vizitorët që përpara ceremonisë zyrtare, përfshirë dhe më populloren prej të gjithave “Ice and Snow World”, të bërë me blloqe akulli të marrë nga lumi Songhua që ndodhet atje pranë.

Këtë vit “Harbin Ice and Snow World” shtrihet në mbi 600 mijë metra katrorë dhe përfshin qindra monumente. Ai është ndërtuar me më shumë se 110 mijë metra kub akull dhe 120 mijë metra kub borë.

Festivali feston këtë vit ditëlindjen e tij të 35-të dhe konsiderohet si një nga më kryesorët e dimrit, duke iu bashkuar Festivalit të borës Sapporo në Japoni, karnavaleve të dimrit në Quebeck të Kanadasë dhe Festivalit të skive Holmenkollen në Norvegji.



Komuna lë qytetin pa objekt të bibliotekës

Qeverisja lokale e Podujevës e ka lënë qytetin e kësaj komune pa objekt të bibliotekës.

Vetë pushteti i Podujevës e ka rrënuar objektin e ish-Komitetit, në të cilin gjendej edhe biblioteka, për t’i hapur vend ndërtimit të “Rrugës së xhamisë”. Por ata nuk kanë bërë deri tash ndonjë zgjidhje edhe për bibliotekën.

Zyrtarët komunalë të Podujevës nuk kanë kthyer asnjë përgjigje për këtë çështje, megjithëse pyetjet u janë dërguar nga 27 dhjetori i vitit të kaluar. Ndërkohë, zyrtarët e partisë opozitare në këtë komunë (LVV), kanë thënë se arroganca e pushtetit e ka lënë për gjashtë muaj Podujevën pa bibliotekë. Këshilltarja e lëvizjes Vetëvendosje, Doruntina Hasani, ka theksuar se mbyllja e rrjetit të bibliotekave në këtë komunë ka nisur nga pushteti okupues i paraluftës, ndërsa ka vazhduar nga ai i lirisë, shkruan sot Koha Ditore.

“Arroganca pushtetore në Llap e mbylli bibliotekën e qytetit në gusht të vitit të kaluar, të vetmen bibliotekë që funksiononte ende në këtë trevë. Prej një rrjeti të bibliotekave që janë mbyllur, kjo është goditja përfundimtare e këtij segmenti, por këtë herë nga pushteti i ‘lirisë’ dhe i ‘demokracisë”, ka thënë Doruntina Hasani

Ne do të bëheshim të gjitha mbretëresha

Nga Gabriela Mistral

Ne do të bëheshim të gjitha mbretëresha
Të katër mbretërive skaj detit blu:
Efigjenia dhe Soledadi,
Ljusilla e Rozalia gjithashtu.

Në Luginën e Elkuit, rrethuar
Nga njëqind male varg e varg,
Që flakëronin kuq sikur na bëheshin kurbanë
Apo verdhonin si flori që na jepej haraç,

Ne thonim kështu të magjepsura
Dhe besonim verbërisht
Se të gjitha do të bëheshim mbretëresha
Në katër mbretëritë e detit pikërisht.
Me bishtalecat e vajzave shtatë vjeçe

Dhe me përparëset e kaltëra të veshura,
Duke ndjekur mëllenjat në fluturim
Nëpër hijet e vreshtave dhe pjergullave.
Dhe katër mbretëritë tona,

Do të ishin kaq të mëdha, thonim ne,
E sigurtë si fjala e Kuranit,
Do të arrinin prej deti në det.
Ne do të merrnim katër burra
Kur të vinte koha për martesë,
Dhe ata do të ishin mbretër e poetë
Si King Davidi i Judesë.

Wieland përgëzon qytetarët e Drenasit për tolerancën fetare

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, ka përgëzuar qytetarët e Komunës së Drenasit për tolerancën fetare që kanë dhe ka thënë se për këtë ndjehet i lumtur që është qytetar nderi i Komunës së Drenasit, kanë njoftuar nga Komuna e Drenasit.

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland ka vizituar Xhaminë e fshatit Zabel i Ulët të Komunës së Drenasit, ku është pritur nga Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas njëherësh edhe imam i Xhamisë së fshatit Zabel i Ulët, Valon Bequku dhe kryesia e Bashkësisë Islame në Drenas.

Gjatë qëndrimit në Xhaminë e fshatit Zabel i Ulët, Wieland, ka përgëzuar qytetarët e Komunës së Drenasit për tolerancën fetare që kanë dhe ka thënë se për këtë ndjehet i lumtur që është qytetar nderi i Komunës së Drenasit.

“Drenasi shquhet për tolerancë fetare dhe për këtë përgëzojë gjithë komunitetin e këtij vendi që tregojnë respekt ndaj njëri tjetrit. Ndihem shumë mirë që i përkas titullit me të mirë të mundshëm, qytetar nderi i kësaj Komune”, ka thënë Wieland.

Kryetari i BIK-ut në Drenas, Valon Bequku, ka falënderuar zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian për vizitën që i ka bërë Xhamisë së fshatit Zabel i Ulët dhe ka treguar për tolerancën fetare e cila ekziston në Komunën e Drenasit. Bequku ka informuar Wielandin edhe për organizimin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas, për shtrirjen e objekteve fetare dhe bashkëpunimin me institucionet komunale.

Zv.presidenti i PE-së, Rainer Wieland, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari kanë bërë homazhe dhe kanë venë kurora me lule në Kompleksin Memorial në Prekaz”.

Elbenita Kajtazi do të debutojë me rolin kryesor të ‘Le Nozze di Figaro’

Sopranoja nga Kosova, Elbenita Kajtazi po shkelë tashmë skenat më të njohura operistike ndërsa së fundmi ka njoftuar se do të debutojë me një rol të madh nga opera Le Nozze di Figari, shkruan KultPlus.

Gjatë karrierës së saj në Gjermani, Kajtazi njofton se ka luajtur jo dhe pak role por ky është një nga rolet më të vështira që sopranoja kosovare ka marrë përsipër.

“Roli i Susannës do jetë një ndër rolet më të vështira që kam debutuar deri tani, por jam shumë e lumtur ta kem edhe këtë rol të mrekullueshëm nga opera Le Nozze di Figaro në listën time eventualisht të gjatë 🙂 “, ka shkruar Kajtazi.

Kajtazi tutje ka njoftuar se me këtë rol do të ngjitën në skenën e Operës së Hamburgut “Staatsoper Hamburg”.

“Mezi pres ta debutoj e ta shijoj çdo sekondë të kësaj shfaqje në skenën e mrekullueshme të Operës së Hamburgut, Staatsoper Hambug”, ka shkruar tutje Kajtazi./ KultPlus.com

Uta Ibrahimi dhe Butterfly Outdoor Adventure në The Guardian

Me stinën e dimrit vjen edhe koha më e mirë të shijoojmë borën por edhe skijimin.

Në një listë që e ka publikuar prestigjiozja angleze The Guardian, me rekomandimin e lexuesve të saj, gjendet edhe Butterfly Outdoor Adventure – kompania e inicuar nga Uta Ibrahimi nga Kosova.

Në shkrim paraqiten Bjeshkët e Nemuna shqiptare – si atraksioni kryesor gjatë borës në Ballkan.

Kompania Butterfly Outdoor Adventure mundëson ecjen nëpër borë – snow shoeing, për një çmim 200 euro, për dy ditë, përfshirë ushqimin dhe ciceronin – guidën.

Elizabeth – lexuesja që ka propozuar, tregon se si ajo e ka përshkruar këtë rrugë në malet e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, është pritur me raki dhe me një mikpritje nga të gjithë.

Kompaninë Butterfly Outdoor Adventure e ka themeluar Uta Ibrahimi – e para grua shqiptare që ka ngjitur majën Everest.

Në këtë listë përfshihen edhe vende të ndryshme atraksioni turistik në Zvicër, Francë, Finlandë, Kazakistan e vende tjera. / KultPlus.com

Të mos kuptohemi është e tmerrshme…

Poezi e shkruar nga Evgenij Evtusenko.

Të mos kuptohemi është e tmerrshme –

të mos kuptohemi e të mos përqafohemi.

Por megjithëse e habitshme

është po aq e tmerrshme,

po aq sa të kuptohemi për gjithçka.

Plagosemi megjithatë.

Dhe, i fiksuar nga një njohje fillestare,

shpirtin tënd të butë

s’do ta ofendoj me keqkuptim

dhe as do të vras me kuptim.

Muzeu i Luvrit në Paris thyen rekordin: 10 milionë vizitorë në 2018-ën

Ai i Luvrit është jo vetëm muzeu më i famshëm në botë, por edhe ai që ka pritur më shumë se 10 milionë vizitorë në vitin 2018, një shifër kjo e paprecedentë për një muze ndërkombëtar, sipas drejtuesve të tij.

“Për të parën herë në historinë e tij; e unë mendoj se për të parën herë në historinë e muzeumeve; më shumë se 10 milionë vetë kanë vizituar Luvrin në vitin 2018”, tha Jean Luc Marinez, president dhe drejtor ekzekutiv i Luvrit.

Me 10.2 milionë vizitorë vitin e kaluar, Luvri shënoi një rritje prej 25 për qind krahasuar me 2017-n, kur 8.1 milionë vetë e vizituan atë; e kësisoj thyen edhe rekordin e shënuar prej vet atij në vitin 2012 me 9.7 milionë vizitorë.

Në 2017-n, Luvri ndiqej nga Muzeu Kombëtar i Kinës me 8 milionë vizitorë, si dhe Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork, me 7.3 milionë.

Sipas drejtorit Martinez, rekordi ka ardhur si pasojë e rritjes së turizmit ndërkombëtar në Paris, pas 30 për qind rënieje në vitet e fundit për shkak të disa sulmeve terroriste. Ai përmend po ashtu edhe punën e bërë gjatë dy viteve të shkuara, për rritjen e kapacitetit të muzeumit, shkruan TC.

Ky i fundit i është nënshtruar një rikonstruksioni me vlerë rreth 60 milionë dollarë, financuar kryesisht me parà që vinin nga një marrëveshje me Luvrin e Abu Dhabit, që u përurua para një viti.