‘Ngre dolli për atë që është duke punuar, në tren, në spital, kuzhinë, hotel, në det, në një avion’

ERRI DE LUCA – DORACAK PËR DOLLINË E NATËS SË VITIT TË RI

Ngre dolli për atë që është duke punuar, në tren, në spital,
kuzhinë, hotel, radio, fonderi,
në det, në një avion, në autostradë,
për atë që kapërcen pragun e kësaj nate pa një përshëndetje,
ngre dolli për hënën e re, për vajzën shtatzënë,
për atë që jep një premtim, për atë që e ka mbajtur,
për atë që ka paguar detyrimet, për atë që po i paguan,
për atë që s’është ftuar askund,
për të huajin që mëson italisht,
për atë që studion muzikë, për atë që di të vallëzojë tangon,
për atë që është ngritur për të liruar vendin,
për atë që s’ngrihet dot, për atë që skuqet flakë,
për atë që lexon Dikensin, për atë që përlotet në kinema,
për atë që ruan pyjet, për atë që shuan një zjarr,
për atë që ka humbur gjithçka dhe ia nis nga e para,
për atë që s’pi verë dhe rreket të pranojë ata që pinë,
për atë që është askushi për njeriun e dashur,
për atë që i bien në qafë me shaka dhe një ditë do të jetë hero,
për atë harron fyerjen, për atë që buzëqesh në foto,
për atë që ecën në këmbë, për atë që di të ecë zbathur,
për atë jep nga ajo që ka marrë, 
për atë që s’i kupton barcaletat,
për fyerjen e fundit, qoftë e fundit,
për barazimet, për x-in e skendinës,
për atë që bën një hap para dhe kësisoj prish rreshtin,
për atë që do ta prishë dhe s’mundet,
dhe në fund, pi për atë që ka të drejtën e dollisë sonte
dhe mes atyre që përmenda s’e gjeti veten.

Nga “Mysafiri i regjur”
Përktheu Beti Njuma

Rrëfimi i Mehmet Krajës erdhi mbrëmë në kryeqytet

Alberina Haxhijaj

Letërsia dhe Qyteti, iniciativë kjo e cila ka si qëllim të rikthejë në jetën publike personazhe të njohur të letrave shqipe, ka filluar mbrëmë rrugëtimin e saj edhe në Prishtinë. Miku i parë i letrave të cilën ata sollën në Prishtinë, ishte shkrimtari i njohur Mehmet Kraja.

Kraja në kafenenë Sonder në Prishtinë ka biseduar së bashku me të pranishmit si dhe me dy gazetaret Beti Njuma dhe Alda Bardhyli rreth shkrimeve të tij por edhe më gjerë.

Kjo nismë u mirëprit edhe nga shkrimtari i cili theksoi se bashkime të tilla në mes të miqve ku në qendër do të jetë letërsia duhet të ndodhin më shpesh. Shkrimtari Mehmet Kraja solli fillimisht kujtime nga ardhja e tij nga Ulqini në Prishtinë si student për të studiuar letërsinë.

“Në Prishtinë kam ardhur ndoshta para 50 viteve dhe sigurisht që kam ardhur si student nga Ulqini dhe pastaj kam gjetur një rrugë jetësore të cilën e kanë ndjekur shumica e njerëzve në këtë anë, me shumë peripeci por edhe me një idealizëm do thosha”, u shpreh ai.

Mehmet Kraja në Prishtinë filloi të punonte edhe si gazetar në Rilindje, pastaj në Universitet ndërsa është edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Prishtina më ka dhënë çdo gjë dhe për këtë i jam shumë mirënjohës, vetëm se Prishtinën gjithmonë kam dashur që ta shoh më mirë se që është. Kjo ndoshta më bën që të kem edhe një mendim kritik dhe ndonjëherë të jem edhe i pakënaqur. Pra, jo sepse nuk më ka dhënë mjaft por sepse dëshiroj që ta shoh më mirë”, tregoi Kraja.

Sipas tij shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më mirë por kjo nuk do të thotë se ata nuk mund që të jenë edhe më mirë.
“Ne mundemi dhe duhet ta bëjmë më mirë. Pak gjëra na duhen mendoj unë, ndoshta pak më shumë idealizëm dhe pak më shumë korrektësi ndaj vetes dhe ndaj idealeve tona”, theksoi ai.
Mehmet Kraja krijimtarinë e tij e ka filluar në vitin 1974 me tregime, ndërsa në vitin 1978 publikohet romani i tij i parë i botuar nga Rilindja. Ai ka botuar 11 romane, 5 vëllime me tregime, 5 vëllime me drama si dhe vëllime të shumta publicistike. Proza mbetet mishërimi më i mirë i Krajës.

Tutje ai diskutoi edhe për fëmijërinë e tij në Krajë, një zonë pranë Shkodrës, e që ka lënë shenja edhe në krijimtarinë e tij.
“Shkodra ishte kështu ëndrra jonë, refuzimi jonë, historia jonë dhe çdo gjë sepse mbyllja e kufirit nënkuptonte një këputje të një nervi jetësor, ajo zonë nuk kishte se si të jetonte pa Shkodrën. Pikërisht ajo zonë u bë objekt i shumë tragjedive dhe i historive të dhimbshme. Kishte tragjiken brenda, absurditetin, një izolim të jashtëzakonshme e të pashembullt, në njërën anë malet, tjetrën liqenin dhe asgjë tjetër por kështu funksiononte”, u shpreh dora që shkroi “Moti i Madh”.

Sipas Krajës rritja në një qytet të tillë ku qyteti tjetër ishte ëndërr por në të njëjtën kohë edhe refuzim dhe rritja me këtë ngarkesë në kujtesë ka reflektuar edhe në librat e tij.
Në shkrimet e tij po ashtu kanë ndikuar edhe problematika të ndryshme të cilat ai i ka sqaruar, kujtojmë këtu kohën kur Shqipëria ishte atdheu i munguar për të gjithë derisa u përballën me anën reale të saj.
“Në mendjen e kosovarëve atëherë ishte projektuar një Shqipëri reale dhe sikur të shkoje dhe të shikoje gjëra që nuk të pëlqenin nuk mund ti thoje pasi që të quanin tradhtar. Kjo ndodhi deri në vitin 1990. Këtu zhgënjimi ishte i dyanshëm edhe shqiptarët e Shqipërisë u zhgënjyen me ata të Kosovës por edhe shqiptarët e Kosovës u zhgënjyen me ata të Shqipërisë”, tregoi shkrimtari.

Ai këtë e ka diskutuar edhe në “Vitet e humbura”.

Mehmet Kraja diskutoi edhe për gjeneratën e parë të letërsisë në Kosovë duke kujtuar edhe miqtë e tij si Azem Shkreli e Ali Podrimja.
“Nga kjo perspektivë shohim një komunitet kulturor i cili funksiononte më mirë sesa ai sot por edhe ai kishte probleme, as aty nuk ishte çdo gjë ideale”.

Leximi i letërsisë së Shqipërisë ka qenë çdo herë intensiv edhe gjatë atyre periudhave ku të mbajturit e kontakteve me shkrimtarët në Shqipëri ishte i vështirë, theksojmë këtu vitet pas ’81.
“Letërsia shqipe e them me bindje të plotë se nuk është me e dobët se ajo e Ballkanit, por nuk mund ta them me bindje më të thellë se ajo është ndër më të mirat. Koha ka ndryshuar dhe nuk është ajo kohë kur shkrimtarët afishohen si më të dijshmit e botës, nuk lexohet letërsia por lexohet diçka tjetër. Letërsia ka kohën e vet të keqe por kjo nuk ndodhë vetëm me letërsinë shqipe”, u shpreh Kraja.

Sipas tij në çdo letërsi mediokritekët përbëjnë shumicën dhe kjo është gjë normale por kjo s’do të thotë se e gjithë letërsia është mediokër. Sipas tij çdo letërsi ka shkrimtarë të mirë, shkrimtarë përfaqësues dhe pjesën tjetër të shkrimtarëve të cilët nuk janë përfaqësues.
“Në përgjithësi lexoj letërsi të mirë, të përkthyer por edhe tonën dhe duke qenë shkrimtar bëj një krahasim dhe shoh. Nga ato libra që sot marrin çmime të mira unë gjej shkrimtarë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri që nuk janë më keq se ata. Për shembull unë kam lexuar disa libra nga Orhan Pamuk dhe brenda letërsisë shqipe mund të gjej disa shkrimtarë të të njëjtit nivel. Është diçka tjetër që prurjet nga jashtë bëjnë çdo herë më shumë zhurmë”, u shpreh ai.

Sipas tij leximi i letërsisë nuk është problem letrar por një problem kulturor dhe i rrethanave shpesh herë edhe politike.
“Letërsia shqipe është një dhe e tërë. Ne duhet të merremi vesh dhe ta kalojmë një herë e përgjithmonë këtë problem. Ka dy përvoja letrare”, theksoi ai.

Tutje ai diskutoi edhe për rolin që duhet të ketë Akademia e Shkencave duke mos e arsyetuar këtu heshtjen e tyre ndaj temave të ndryshme, sipas tij këto Akademi duhet të mbajë përgjegjësi për ato që kanë bërë dhe për ato që nuk kanë bërë, aty ku nuk është reaguar. Mirëpo ai nuk arsyetoi as ndërhyrjet e shtetit në këto institucione si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Sipas tij pamundësia që librat nga Kosova të gjenden në Shqipëri nuk është problem letrar por kulturor. Mehmet Kraja diskutoi tutje edhe për shkrimet e tij të fundit që po përhapen në rrjetet e ndryshme sociale.
Letërsia dhe Qyteti ka për qëllim që të vazhdojë këtë iniciativë duke sjellë edhe shkrimtarë të tjerë të letërsisë shqipe në Kosovë për të diskutuar më shumë për letërsinë, qytetin, kulturën dhe peripecitë e letërsisë shqiptare ndër vite. / KultPlus.com

Fatos Kongoli: Mendova Eutanazinë

Nga Beti Njuma

Nuk mbaj mend çfarë më preku më shumë kur hyra në dhomën e spitalit. Fakti që nuk e njoha, aq shumë qe ligur e tretur, apo gjendja e pashpresë në të cilën e pashë. Atë pasdite të vonë fillim marsi, Fatos Kongoli dergjej në katin e parë të repartit të Kirurgjisë në QSUT-ë, në gjendje kritike, pas dy operacioneve të vështira që nuk dihej si do t’u shkonte filli.

Qe operuar fillimisht në 12 janar, dhe ndërhyrja e dytë, më 10 shkurt kish qenë rrënuese për trupin e tij të brishtë. Shkrimtari i dashur ishte diagnostikuar me kancer dhe drama e tij qe konsumuar në heshtje me bashkëshorten Lilin që s’i ndahej për asnjë çast, larg fëmijëve që jetojnë në Amerikë dhe vetëm me ndihmën e mjekëve e të personelit spitalor që e kishin ndjekur me kujdes ditë pas dite.

Ndoshta askush nuk do ta kish marrë vesh që Fatos Kongoli ishte rëndë pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale, i klasifikuar me diagnozën “Ca – rectum”, sikur më 28 shkurt, në facebook, botuesi i tij Fatmir Toçi të mos kish postuar lajmin e rëndë: “Fatos Kongoli ndodhet në peiudhën postoperatore në QSUT “Nënë Tereza” dhe ka nevojë për dhurim gjaku…”

Nuk e mendova dy herë. Edhe unë si shumë miq të tjerë renda në spital për të dhuruar gjak ndërsa në shtratin e dhomës së spitalit, (shefi i pavionit kish liruar enkas për shkrimtarin zyrën e tij) gjeta një njeri kockë e lëkurë, të verdhë, të harkuar mbi shtrat, me duart të përdredhura, me sytë e trembur e pa shkëlqim që përhumbeshin diku, dhe fytyrën e ngrirë, pa atë buzëqeshjen miqësore që ia njihja mirë, pas shumë takimesh e intervistash që kemi realizuar sëbashku.

Bashkë me Fatosin, gjendej Lili, bashkëshortja, infermierja, shoqja e netëve të gjata pa gjumë, e dhimbjeve para e pas operacionit, e tekave të kuptueshme për një të sëmurë të atij stadi, që prej dy muajsh jetonte në pavion, duke u kotur sa në karrike e sa tek këmbët e shtratit spitalor, shoqëruese e pandarë në të mirë e në të keq.

Në atë mbretëri dhimbjeje ku koha rrjedh duke pritur, ku nga të katër anët kishte të sëmurë, shumë syresh edhe të pashpresë, Lili dhe Fatosi u gëzuan që pas tre muajsh dhoma u mbush jo vetëm me mjekë por me fytyra të dashura miqsh që u shprehën mbështetjen, iu gjenden pranë dhe u thanë një fjalë të mirë, atë që shkrimtari kish nevojë të dëgjonin: Do t’ia hedhë paq!

E lehtë të thuhej me fjalë! Aq më tepër kur në Ipadin që mbante në duar, në hapësirën Notes, pas operacionit të vështirë Lili kishte shënuar: Një tmerr i vërtetë! Qoftë me kaq!

Kanë kaluar thuajse pesë muaj, dhe tek më tregon shënimin e bërë ato ditë të vështira buzë vdekjes së të shoqit, Lulu, emri me të cilin Fatosi e thërret me përkëdheli, i kthen sytë drejt tij, i shtrëngon duart dhe nis të përshkruajë edhe një herë shtigjet e atij udhëtimi të dhimbshëm, ku burrë e grua u besuan njerëzve me të bardha. Fatosi e dorëzoi veten pa rezerva, pa kushte, por tek e fundit a kishte zgjidhje tjetër?

Çiftin Kongoli e takoj në Qerret, në një vilë të bukur buzë detit ku janë zhvendosur që prej fundmarsit, pas daljes nga spitali. Miku Julien Roch të cilit i janë pafundësisht mirënjohës u ka vënë në dispozicion shtëpinë e tij dhe gjithçka nevojitet për aftësimin e plotë të shkrimtarit.

Është pasdite herët dhe teksa pres hapjen e një porte të madhe hekuri afshi i nxehtë i gushtit më përvëlon dhe habitem sesi rrëzë pishave të larta nuk depërton asnjë grimë nga ajri i freskët i detit, pak metra më tej. Pas portës gri shfaqet Fatosi dhe e shoqja. Jemi të gëzuar që shohim njëri-tjetrin. Jam e lumtur që Fatosin e gjej përsëri në këmbë. Çapitet me kujdes e po ashtu ngadalë ngjit shkallët që të shpien në një holl gjigant me një mori librash në gjuhë të huaj, e ku mbi një piano gjenden edhe pesë tituj në shqip nga krijimtaria e tij. Ulemi dhe jam e paduruar të dëgjoj si ka ndodhur mrekullia, si u ngrit në këmbë përsëri teksa kujtimi i fundit që ruaja ishte ai i një burri në limb.

Me zërin e shtruar e duke mbajtur gjallë bisedën Fatosi nis të rrëfejë kalvarin e sëmundjes, neglizhencën e tepruar që e çoi buzë vdekjes, analizat e njëpasnjëshme, ndërhyrjet, punën e shkëlqyer të dy mjekëve Prof Edmond Çelikut dhe Henri Kolanit dhe tërë ekipit mjekësor pa harruar qindra mesazhe nga miq e dashamirës, edhe të panjohur. “Erdhën njerëz që s’i njihja, lexues që nuk i mbaj mend” thotë Fatosi teksa kujton se ndodhi pikërisht ajo që s’donte, zhurma mediatike.

Operacioni i dytë ishte fatal. Humbja në peshë e shoqëruar me degradimin fizik i pamundësoi jo vetëm ecjen por edhe ndjeshmërinë në pjesët dërrmuese të trupit. “Isha një gjysmë i vdekur” rrëfen shkrimtari për çastet e pezullta mes jetës dhe vdekjes. Ndonëse ka kujtime të mjegullta të periudhës së kaluar në reanimacion një gjë mban mend mirë gatishmërinë dhe mirësinë e personelit spitalor që i jepte kurajë.

Pastaj lëshon fjalinë që të mbledh një lëmsh në grykë: “Mendova eutanazinë! Kur mësova hollësitë e post-operacionit, thashë, e ç’më duhet jeta?! Lutesha që të ikja.” Kërkonte një ikje dinjitoze ashtu siç mund të kenë bërë edhe njerëz të tjerë të letrave. Si mund të harrohet rasti i shkrimtarit belg Hugo Claus, disa herë kandidat për Nobelin në letërsi i cili në mars të 2008-ës, në moshën 78 vjeçare pas një kalvari të gjatë me Alcaimer, vendosi t’i japë fund jetës me eutanzai. Që sëmundja të mos e bënte të huaj ndaj vetes dhe të tjerëve shkrimtari i njohur zgjodhi “vdekjen e ëmbël” në një klinikë të Anversës në Belgjikë, një nga tre shtetet europiane bashkë me Luksemburgun dhe Hollandën ku lejohet eutanazia.

Për fat ky nuk ishte rasti për shkrimtarin shqiptar. Sot kur flet për eutanazinë Kongoli qesh me këtë mendim të çasteve të thella të dëshpërimit. Por kush ka jetuar aq gjatë në spital dhe pa shpresë e di se aty jeta ndalet, pëson një frenim dhe koha është e ndryshme. Një botë thuajse paralele, një dimension tjetër.

E tillë është edhe jeta e re pas spitalit, periudha e rehabilitimit dhe e riaftësimit fizik. Tashmë prej pesë muajsh, bashkë me çiftin Kongoli në vilën e Qerretit jeton edhe fizioterapisti i tij Ermal Hylviu. “Nëse jetën ma shpëtuan kirurgët Çeliku dhe Kolani, Ermali më ka ngritur në këmbë” thotë Fatosi, pa harruar sigurisht heroinën e vërtetë të çdo çasti, Lilin.

Që prej 21 marsit, dita e daljes nga spitali, dy herë në ditë shkrimtari i është nënshtruar një programi të specializuar rehabilitimi për të vënë përsëri në punë muskujt e duarve e këmbëve. Një proçes i gjatë përballjeje me jetën e re ku nuk ishte më zot i vetvetes por plot këmbëngulje titanike që me punë trupi të gjente mënyrën për të rifituar vetveten.

Një proçes i gjatë për të mësuar teknikat për të kryer edhe lëvizjet më të parëndësishme, duke u stërmunduar shumë për të arritur një minimum pavarësie, deri sa dora-dorës u ngrit nga shtrati, arriti të çapitet, mbështetur pas parmakëve dhe Ermalit derisa u ngrit përsëri në këmbë. “Mësova nga e para, të eci si një fëmijë, mësova të jetoj përsëri.”

Në moshën 74 vjeçare, jeta e Fatos Kongolit, njërit prej shkrimtarëve më të dashur shqiptar ka ndryshuar. Në sirtarin e tij sot nuk ka më vetëm iluzione, personazhe përmes të cilave të zbërthejë vetveten, por ka shpresë dhe një dëshirë të madhe për të jetuar. S’më mbetej veçse ta uroja: Mirë se erdhe përsëri mes nesh!/Konica.al /KultPlus.com

Beti Njuma sjellë Jeronim De Radën që nuk njohim

“Në fillim të viteve 900, kush kalonte monopateve të ngushtë të Maqit në Shën Dhimitër Koronë do të ndeshte patjetër një udhëtar të veshur me tesha të vjetra e me një bastun në dorë. Ishte Jeronim De Rada i cili nëpërmjet kësaj rruge të rrëpirë shkonte në Shën Dhimitër Koronë për të dhënë leksione shqip, I fishkëlluar nga era e ftohtë e dimrit dhe zhegu I verës. Qe pothuajse 90-të vjeçar. E megjithatë mosha e shkuar dhe brengat e mëdha në jetë nuk ia kishin shterur energjitë që të paktën tre herë në javë për disa vite rresht të përshkonte 5 milje në këmbë deri në 1903, vit ku ndahet nga jeta”. Nën tingujt e lehtë të një kënge arbëreshe, e imazhet e Shën Mitrit e Maqit dy fshatrave të njohura arbëreshe të Jugut të Italisë, nis rrëfimi në dokumentarin “Hieronymi, arbëreshi I Italisë”, realizuar nga gazetarja Beti Njuma, i cili pati premierën dje në Muzeun Historik Kombëtar.

“Një dokumentar që lartëson figurën e një prej personaliteve të letrave shqipe”, u shpreh Dorian Koci drejtor I Muzeut Historik Kombëtar. Përmes një pune të thelluar Njuma na solli në këtë dokumentar anën tjetër të De Radës, duke e rindërtuar profilin e tij nga fëmijëria deri në orët e fundit të jetës. Studiues të letërsisë arbëreshe e De Radës erdhën përmes një rrëfimi për ta bërë më të plotë këtë rrëfim që ishte I ndërtuar në anën tjetër përtej Adriatikut, nga aty ku De Rada imagjinonte atdheun e tij të dashur, Shqipërinë. De Rada lindi në një fshat afër Shën Mitër Koronës, në familjen e një prifti, e cila pati luhatje financiare. “Vetë De Rada pohon se vinte nga një familje fisnike. Në fakt kishte një stemë tek dera një lis me dy yje”, u shpreh studiuesja Klara Kodra. Sipas Francesko Altimarit De rada lindi në komunitetin më të vogël arbëresh, I cili sot nuk ka më shumë se 200 njerëz, ku ende sot flitet me aq dashuri për poetin. Për gazetaren Njuma e cila ka vizituar vendin e tij të lindjes, Maqi një fshat I skajshëm I provincës së Kozencës është mjedisi ku De Rada u lind dhe u rrit.

“Është mjedisi ku për 5 shekuj shqiptarët ruajtën të paprekur gjuhën dhe trashëgiminë e tyre kulturore e shpirtërore, duke krijuar kështu edhe në Itali atdheun e tyre të humbur. Maqi sot ngjan me një fshat të dhëne pas një harrese të përgjumur, që shprishet kur dikush feks nga rrugicat e ngushta apo nga një dere ndërsa pllakatet krenare të kujtojnë se ajo botë nuk është zhdukur, sepse zëdhënësi I saj, De Rada, I lindur ne 1814 ende jeton ne vetëdijen e çdo guri aty ku kanë lindur këngët e tij, në fshatin e humbur kodrinor të Kalabrisë”, thotë Beti Njuma. Duke folur për fshatin e lindjes së poetit
Moikom Zeqo shton se “Në kujtimet e tij thoshte që nuk kishte as xhandarë as gjykatës”. Formimi i hershëm zë fill gjatë dhjetëvjeçarit që parapriu udhëtimin e tij të parë në Napoli. Sikurse rrëfen vetë poeti tek autobiografia e tij ajo fazë rinore u karakterizua nga një përparim i ngadaltë dhe i lodhshëm në studime, madje fillimisht edhe nga vështirësi që vunë në dyshim aftësitë e tij të të nxënit në Kolegjin e Shën Adrianit ku De Rada u njoh me kulturën perëndimore, me shkrimtarë antike e bashkëkohore. Në 1822 Jeronimi tetëvjeçar me të hyrë në Kolegjin e Shën Adrianit ku jepte mësim edhe i ati, u ndesh me një vështirësi të paparashikuar: problemin e dygjuhësisë. Djaloshi arbëresh, ishte I fundit i klasës, shkruan GSH.

Nuk kuptonte asnjë fjalë italisht! Gjërat nuk do të ndryshonin as një vit më pas. “Duket se djali ishte shume i lidhur me të ëmën. E ëma i kuptonte vështirësitë në shkolle sepse ai kishte vështirësi ngaqë nuk e kuptonte italishten, I rritur me arbërishten shokët e tallnin për shqiptimin e keq të italishtes. Përshtypja që patën mësuesit, sidomos imzot Domenico Bellusci, drejtor i kolegjit, ishte aq negative sa e këshilluan të atin e Jeronimit «t’i jepte të birit udhën e bujqësisë» Ky lajm e gëzoi djaloshin, i cili mezi ç’priste t’u rikthehej fushave, i bindur edhe ai se nuk ia thoshte për shkollë. Vetëm falë këmbënguljes së Babait u vendos «të lihej në provë edhe për një vit» dhe ne sajë të ndihmës së dy shokëve, poeti i ardhshëm mësoi italishten dhe fitoi respektin e shokëve e mësuesve. Kësaj periudhe, që vetë De Rada e quan «mosha e lulëzimit» I përkasin leximet e para me librat qe hynin kontrabande ne kolegj e qe ndikuan ne formimin e tij”, shprehet Klara Buda. Studiuesja zbulon detaje nga familja e De Radës duke folur për vëllain që quhej Kamilo.

“De Rada ka pasur një periudhë misticizmi të zjarrtë dhe i tha të atit që kishte dëshirë të bëhej prift, pastaj kjo dëshirë e zjarrtë sikur u venit se lexoi disa filozofë iluministe dhe për një kohë ka pasur edhe një krizë besimi”, shprehet Kodra. “Unë jam marrë kohët e fundit me periudhën rinore që kaloi midis kolegjit të Shen Adrianit dhe Napolit dhe ne ato dy tre vite 1883-1886 qe është viti i botimit te Milosaos. Aty vatra deradiane dha zjarrin me te shenjte me te flakte sepse arriti te krijonte duke kapercyer edhe probleme e kompleksitete qe linden në atë moment kur përfaqësonte realitetin qe përfytyronte të kapërcente ato vështirësi qe nuk arrinte t’i kapte me leximin”, shprehet Matteo Mandala. Ndërsa Francesko Altimari tregon se në të vërtetë karriera e De Rades nis si folklorist. Pas daljes nga Kolegji ne 1833, babai Mikele I kundërvihet vendimit të të birit për t’u mbyllur në një manastir duke e detyruar ta shtynte për një vit nisjen për në Napoli. Djaloshi shëndetlig endet një vit të tërë duke mbledhur këngë popullore arbëreshe. De Rada shëtiti nëpër tërë krahinat e Kozencës, Kalabrisë e Sicilisë për të botuar përmbledhjen Rapsoditë e një poeme shqiptare, ku gjallonte eposi I kohës se Skënderbeut e që formësoi bazën e veprës se poetit me gjuhën e tij të lindjes, deri atëherë pa regjistër leksikor e as zhvillim sintaksor. “Djali u shkrua në drejtësi por ne fakt merrej me letërsi dhe në atë kohe botoi këngët e Milosaos 1836 në moshën 22 vjeçare ky ka qenë botimi i parë por ka pasur edhe një variant të mëparshëm PROTOMILOSAO dhe aty ideja ishte e ndryshme dhe në qendër ishte vetëm dashuria. Ka qenë i frymëzuar nga dashuria e vet për një vajze te re, të bijën e një bariu, njëdashuri që u kundërshtua nga familja”, thotë Kodra. Sipas saj, edhe Serafinën e kishte konceptuar në një kohë me Milosaon. ”Edhe Serafinen e kishte konceptuar në një kohë me Milosaon, ekziston varianti i parë, Protoserafina, kanë qenë dy vepra binjake.

Në njërën është vetë si heroi lirik dhe ne tjetrën është një grua si binjake shpirtërore, Serafia dhe për ketë është frymëzuar nga dashuria e dyte me vajzën e Dukes, Gabriela Spirit. Kjo ka qenë shumë e zhvilluar e kulturuar dhe kishin lidhje te forta shpirtërore, Pastaj u ndanë pak nga xhelozia e poetit dhe pak nga frika se mos ai kërkonte pasurinë e saj”, thotë Kodra. Duke folur për veprën e De Radës, Shaban Sinani thotë se mbi të ka vepruar censura. “ Pamja ungjillore, jeta kishtare që është shumë e pranishme dhe te Milosao dhe te Serafina Topia pothuajse është zhdukur. Nëse do të kërkoni të gjeni emrin e Krishtit dhe Shën Mërisë të shenjtoreve në përshtatjet në shqip nuk do ti gjeni. Aty u është përmendur Shën mëria është përkthyer zonja ose është gjetur një fjalë tjetër që ka të bëjë me jetën tokësore por jo me besimin, tha Sinani. Për Kodrën, De Ra ka qenë një poet i nivelit evropian që po të kishte shkruar në një gjuhë më të përhapur dhe te mos i përkiste një populli kaq te vogël do mund te njihej në shkallë evropianë. Dokumentari solli detajenga jeta private e poetit, siç ishte vdekja e fëmijëve, dhe lidhja e pafund dhe e madhe që pati me Shqipërinë, duke u bërë me shkrimet e tij ndër të parët që nisën rrugëtimin tonë letrar./ KultPlus.com

2 vjet, 8 muaj e 28 ditë

Salman Rushdie

Përktheu Ilir Baçi

Në fillim të çdo dashurie ka një pakt vetjak që bën me veten secili prej dashnorëve, një marrëveshje për të lënë mënjanë gjërat negative te tjetri për hir të atyre pozitive. Dashuria është pranvera pas dimrit. Vjen për të shëruar plagët e jetës, që i ka hapur i ftohti mizor. Kur në zemër lind kjo ngrohtësi, papërsosuritë e të dashurit të duken si asgjë, më pak se asgjë, dhe pakti i fshehtë me veten lidhet me lehtësi. Dyshimit i mbyllet goja. Më pas, kur fashitet dashuria, ky pakt i fshehtë duket si budallallëk, por edhe sikur të jetë i tillë, është një budallallëk i nevojshëm që lind nga besimi që kanë dashnorët te bukuria, pra te mundësia e të pamundurës, te dashuria e vërtetë.

Kam nevojë për ndjenja

Poezi e shkruar nga ALDA MERINI / Përktheu Beti Njuma

S’kam nevojë për para.
Kam nevojë për ndjenja,
fjalë, fjalë të zgjedhura me urti,
për lule të ashtuquajtura mendime,
për trëndafilë të ashtuquajtur prani
për ëndrra që banojnë pemëve,
për këngë që çojnë peshë statujat në vallëzim,
për yje q’u pëshpërisin dashnorëve rrëzë veshit.
Kam nevojë për poezi,
kjo magji që djeg rëndesën e fjalëve,
që zgjon ndjenja dhe fal ngjyra të reja.
Poezia ime është e rrufeshme si zjarri
më përshkon gishtërinjtë si një rruzare.
Nuk lutem ngase jam poeti i gjëmës
që hesht, hera-herës, dhimbjet e një lindjeje mes orëve,
jam poeti që çirret dhe luan me britmat e veta,
jam poeti që këndon dhe s’gjen fjalë,
jam kashta e thatë mbi të cilën rreh tingulli,
jam ninulla që përlot fëmijët,
jam mendjemadhësia që vetërrëzohet,
jam petku i hekurt i një lutjeje të gjatë
të hidhërimit të shkuar që s’sheh dritë.