Dalin në dritë muret e Xhamisë së vjetër të Tabakëve në Vlorë

Punimet për rikualifikimin e qendrës historike në Vlorë kanë zbuluar disa mure, të cilat i përkasin një xhamie të vjetër.

Punonjës të drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Vlorë zbuluan pjesë nga muret e lashta teksa pastronin në themelet pranë xhamisë. Kreu i kësaj drejtorie, Orges Feimi, tha dje se po kryhen verifikimet e duhura për objektin e zbuluar, ndërkohë që punimet janë ndërprerë.

Xhamia, e cila daton që prej shekullit 17, muret e së cilës u zbuluan gjatë punimeve për rikualifikimin e qendrës historike në Vlorë, njihet si Xhamia e Tabakëve, e cila u shemb në 1962.

Ajo përmendet si një nga 7 xhamitë kryesore të Vlorës, në vendin e së cilës, pas shembjes, u ndërtua qendra e dyqaneve me emrin ‘Vetëshërbimi’. Pas saj gjendet Pazari i Vjetër dhe dyqanet e lëkurëpunuesve të Vlorës. Në shekullin XVII është përmendur nga kronikiani i njohur turk, Elvia Celebi. Xhamia e Tabakëve gjendet edhe në materialet historike të viteve 1930 dhe 1950-’60.

Vepra me tematikë konceptuale

Me rastin e ekspozitës personale të piktores Majlinda Kelmendi në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

 VEPRA ME TEMATIKË KONCEPTUALE

Shkruan: Prof. dr. Hivzi Muharremi

Piktorja Majlinda Kelmendi hynë në rradhën e krijuesëve më aktiv në artin shqiptar, e cila ishte dhe është prezente në botën e artit, përmes veprave nga ciklet e mëhershme të ekspozuara para dashamirëve të artit si në Kosovë ashtu edhe  në qëndrat e ndryshme si kombëtare poashtu edhe në ato ndërkombëtare.

Puna e saj është mjaftë frytdhënëse- voluminoze duke u

shpërfaqë në ekspozitën e hapur para artdashësve Kosovarë e më gjerë. Kjo ekspozitë dallon nga të gjithat si për nga trajtimi i kompozimeve ashtu edhe për nga koncepti i tematikës, që ngërthen frymën e artit konceptual, me komunikim përmes gjuhës së artit postmodern.

Vetë koncepti i ekspozitës së titulluar: A është e shkuara ëndërr? Është një temë për herë të parë e prekur nga bota imagjinative dhe socio-filozofike e artistes Majlinda Kelmendi dhe tek bota shqiptare, e cila me përkushtim dhe devocion i është qasur së kaluarës, përkatësisht duke ju kthyer të shkuarës ajo i evokon ngjarjet dhe fenomenet të  mbetura në memorie të pashlyera, si skena të formësuara që rrënjët  i kanë nga e shkuara që në mënyrë kontinuele e vazhdojnë rrugëtimin e vetë. Një botë mjaftë magjepse e sugjestive, e cila rikrijon skena të nduarnduarta nga e kaluara, duke filluar nga sfidat e deri tek tranzisioni që gati cdo shtet e ka përjetuar. Këto skena, reflektojnë në shpirtin e artistes dhe përmes veprave multimediale, instalacion, video – art, pikturë, fotografi mix-media etj. Piktorja i kthehet të kaluarës jo nga preteksti që ka një nostalgji apo është e magjepsur prej saj e as për tu arratisur prej realitetit, por, për të njohur më mirë vetvetën, kur njohim të shkuaren tonë mund të ndryshojmë për një të tashme ndryshe dhe një të ardhme më të mirë. Artistja nëpërmjet kujtimeve përsonale ngacmon memorjen kolektive dhe tregon historinë në versionin e saj qe pak a shumë janë gjurmë të mbetura në mendjen dhe jetën tonë, pra, sic thotë ajo: “Jemi rritur, ecur dhe formuar në të njejtat sisteme, histori dhe në të njejtat tranzicione.

Kurreshtja për të parë të shkuarrën dhe duke hedhur sytë aty, ndaj, imazheve, të ndryshme të kontekstit historik, politik,social, shoqëror në këtë kontekst ne e njohim më mirë veten tonë. Në këtë sintagmë, në këtë dikitomi socio-filozofike, ku nga e kaluarja dhe e tanishmja sendërtohet i tërë koncepti i ekspozitës, shpërfaqet me frymën e artikulimit të skenave fenomeneve dhe ngjarjeve nga ato dramatike, ekspresive e më  gjerë tek ato të kombinuara nga imazhet simbolike e koloristike të pikturave e deri tek ato të video artit, video-instalcioneve,  etj.

Secila punë është plotësim i punës tjetër, në vazhdën e kësaj, autorja, para artdashësve e shpalos tërë opusin e zhanreve artistike të lartëcekura më lartë, duke i evokuar imazhet e skenave dhe ngjarjeve të përjetuara nga një periudhë e shkuar e cila ishte e përmbushur me ngjarje të trishtueshme dhe dramatike që nga të dy anët ku jetojnë dhe frymojnë shqiptarët.

Pra, moto mesazhi i temës së autorës së ekspozitës Majlinda Kelmendi, ku reflektojnë përmbajtjet dhe domethëniet e konceptit të projektit: “A është e shkuara ëndërr?” Koncpeti autorial i ekspozitës është shumë më i gjerë dhe gjithnjë e më shumë e afron vrojtuesin, ndikon në memorien e tij perceptuese dhe imagjinative

 e shpie në një kohë pa kohë, në një periudhë historike ku të gjitha skenat janë të përjetueshme dhe emocionalisht ndikojnë tek cdo njëri i cili i ka përjetuar, është ballafaquar me një vrazhdësi kohore nga e shkuara jo larg të tranzicionit shtetëror. Pra, kjo ekspozitë ngërthen tema me përmbajtje nga inspirimet e ifluencuara nga proceset e sistemeve politike, tranzicionet sociale, ekonomike të transformimit në vend dhe rajon. Këto imazhe të gjinive të ndryshme artistike të lidhur me temën bosht perceptohen dhe përjetësohën në mënyrën dhe formën e vet, tek secili që e kundron ekspozitën si një tërësi.

Një element tjetër identifikues i ekspozitës që është prezente në vetë perceptimin dhe definimin e tematikës si bosht teme padyshim, është edhe dufi emocional i cili shprehet përmes simbolikës. Simbolika shpërfaqet nga vet gjeneza e temave të trajtuara duke filluar nga ato pikturore e deri tek video-arti dhe izmat tjera bashkëkohore që së bashku ndikojnë në realizimin e kompozimeve me trajtim të nduarnduart të temave simbolike, nga e kaluarja dhe e tanishmja. Pra, jeta është një sfidë e madhe, një sfidë që ballafaqim ka periudhat e ndryshme gjatë kontekstit historik ku cdo brez ballafaqohet me një jetë që është një luftë e vërtetë gjatë jetës…. Apo sic shprehet artistja Majlinda Kelmendi. “… Mbi të gjitha jeta është një luftë e vërtetë për të tejkaluar, përballuar situata të ndryshme dhe falë tyre ne krijojmë identitetin tonë… “Në këtë kontekst ndërlidhen edhe imazhet e shumta nga e kaluarja me një histori mjaftë tragjike drejtë sendërtimit të ideve dhe synimeve për një jetë sa më të mirë dhe më të qetë…

Një karakteristikë tjetër që e përshkon ekspozitën si një tërësi në Galerinë ekspozuese është vetë ambienti, i cili vecohet me një shtresë të bardhë, si rrjedhojë  e shkrirjes së kufirit midis murit dhe dyshemesë. Në këtë bardhësi të hapësirës ambientale-ekspozuese vien në shprehje veprat e të gjitha gjinive e vecanërisht me një theks të vecantë ato të pikturës. Ku si akcentim parësor i këtij spektri aranzhues piktural spikasin ngjyrat si ajo e kuqja dhe e zeza, ku i bëhën lajtmotiv i tërë kompozimit piktural. Apo sic ceket në projektin e ekspozitës: “Gjatë ecjes në hapësirën e brendshme përjeton pastërtin e të bardhës dhe ndërhyrjen me dy sipërfaqe të zeza dhe një të kuqe përmbyllëse të projektit, a është e shkuara ëndërr” të Majlinda Kelmendi”.

Pra, këto dy ngjyra, simbolika e kombit, e tërë etnisë shqiptare kudo që jetojnë dhe frymojnë shqiptarët është ideal dhe mburrje për cdo njërin e entitetit shqiptar. Piktorja Kelmendi gjithashtu e prek edhe dikitominë e të kujtuarit dhe të menduarit. Në bazë të kujtesës dhe të menduarit ajo i mbarshtron të gjitha paradigmat kohore të periudhave të ndryshme historike duke filluar nga pikturat e deri tek  instalacionet apo video-arti.

Lirisht mund të themi se ekspozita e artistes Profesoreshës Majlinda Kelmendi ka zgjuar interesim të madh tek ardashësit e të gjitha brezave të arteve pamore. Ekspozitë kjo e cila sipas konceptit kuratorial fletë për jetën dhe rrugëtimin e shumë ngjarjeve autoktone duke filluar nga periudhat e ndryshme historike e deri tek e sotmja.

Të gjitha këto imazhe janë shpërfaq në temën boshte: A është e shkuara ëndërr ?

Nxënësve u kërkohet që sot të shkojnë në shkolla, mësimdhënësit s’ishin të pranishëm

Ndonëse Ministria e Arsimit po kërkon që të respektohet vendimi për zëvendësimin e orëve të humbura, as sot, mësimdhënësit nuk kanë shkuar në shkolla.

Drejtorët e shkollave, këtë lajm ua kanë përcjellë nxënësve, por mësimdhënësit, nuk kanë shkuar.

Koha.net e ka kontaktuar Drejtoreshën e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shalën, e cila ka thënë se kjo është çështje e Sindikatës, për shkak se Drejtoritë e shkollave, e kanë thjesht obligim të marrin këshillat që vijnë nga MASHT-i.

“Këshilli i prindërve ka marrë vendim që të sabotohet mësimi. Kemi marrë edhe e-maile nga Këshilli i prindërve nëpër shkolla, të cilët kanë potencuar, se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në mësim”, tha ajo.

Kujtojmë se javë më parë, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka marrë vendim që 5 ditë të humbura të mësimit, të zëvendësohen nga pushimi pranveror në muajin prill, 5 ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019, dhe 5 ditë tjera të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.

Shala, tutje tha se secili drejtor i secilës shkollë, ka qenë i obliguar t’u kërkojë nxënësve që të shkojnë në shkolla.

Gjithashtu, kujtojmë se ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, javën e kaluar u ka bërë thirrje edhe njëherë të gjithë mësimdhënësve që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës, por këta të fundit, po u binden Sindikatës së Bashkuar së Arsimit.

Këshillit Drejtues i SBASHK-ut, javë më parë, në mënyrë unanime ka marrë vendim që të mos kompensohet asnjë orë e humbur derisa gjykata nuk nxjerrë një vendim. Kjo pasi SBASHK-u e ka paditur MASHT-in për vendimin e saj duke e konsideruar të jashtëligjshëm.

Sot promovohet ‘Refugjatët në Qiellin e Ri’ nga Ganimete Pashoja Myftiu

Sot, duke filluar prej orës 13:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës mbahet promovimi i librit “REFUGJATË NËN QIELLIN E RI” me autore Ganimete Pashoja Myftiun.

****

Nje referencë për librin: Kalendarët e Botës nga “Refugjatët në Qiellin e Ri” është një dëshmi emocionuese e intervistave të Ganimete Pashoja Myftiut me refugjatë të sapoardhur në Nju Hevën si dhe e botës mendjemarrëse dhe të pasigurt në të cilën ata e gjejnë veten.

Duke qenë një refugjate shqiptare kosovare, ajo shkruan në këtë temë me ndjenja të holla, me një pasion të fuqishëm për drejtësinë, dhe me një dhimbjethellësi meditative sa shqetësuese, aq edhe të kthjellët. Që në fillim, vetë hapësira e Konektikatit duket sikur rropatet me ankthet e Mijëvjeçarit të Tretë, nganjëherë duke u mahitur me lojcakëri, nganjëherë duke u paraqitur si një joshëse tinëzare, por prapë e dashur. Përmes një kontrasti poetik, autorja na merr për dore nga mjedisi studimor i Jeillit për të na njohur me lagjet etnike dhe për të dëgjuar rrëfimet tronditëse të të mbijetuarve dhe të azilkërkuesve. Pafuqishmëria dhe forca, shpresa dhe realiteti i vrazhdë, dyfaqësia e ulët dhe ironia epike, zhgënjimi dhe qëndresa ndaj së keqes bëjnë që lexuesi të përjetojë po atë hutim tronditës si dhe refugjatët që ajo përshkruan.

Mbi të gjitha, shpresa, sa e humbur aq edhe e gjetur, frymëzojnë këtë ditar të ardhacakes, e cila kundërshton të braktisë gjykimin e shëndoshë dhe vlerat, duke na ngjallur në shpirt ndjesinë se çfarë është e drejtë dhe e vërtetë. Rrëfenja dhe kompjuteri janë bërë për të dy ikona të rrëfimit: dy emblema ose të nostalgjisë, ose të burokracisë, të cilat gjithsesi mirëpriten pa kurrfarë mëdyshjeje.

Në njëfarë mënyre, këtu kemi të bëjmë me një rrëfim për një vend të cilin vetëm ata që e kanë vizituar mund të përkiten me të me plot të drejtë si dhe ta njohin thellë atë.

Siç ka shkruar Gëteja: “Kush dëshiron të kuptojë poezinë Duhet të shkojë në visoren e poezisë; Kur dëshiron të kuptojë poetin, Duhet të shkojë në visoren e poetit. Ganimete Pashoja Myftiu na e bën shumë të mundur pjesëmarrjen tonë në përjetimet e saj për një botë jo fort të njohur, e cila po bëhet përherë e më shumë e rëndësishme për shoqërinë amerikane në ditët e sotme.

Hirësia e Tij e Shumënderuar: Arthur E. Leolin, Kisha Ortodokse Shqiptare, Boston, MA, SHBA

Ushtarët nga Izraeli bëjnë me duar shqiponjën

Në Izrael jeton një komunitet shqiptaro-hebrenjsh nga Shqipëria dhe Kosova.

Shqiponja e shqiptarëve mbërrin edhe në Izrael.

Janë ushtarët izraelitë ata që kanë pozuar duke formuar simbolin e famshëm të shqiptarëve. Fotoja ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Në Izrael jeton një komunitet shqiptaro-hebrenjsh nga Shqipëria dhe Kosova, të vendosur atje kryesisht pas viteve 1990.


Gjithashtu, në Izrael janë edhe hebrenj të cilët gjetën strehë dhe shpëtim gjatë Holokausit në Luftën e Dytë Botërore.

Izraeli ka një nga ushtritë më të fuqishme në botë.

Baladë çame

Nga Bilal Xhaferri

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi…

Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.

Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.

Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.

Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!

Katër doajenët e mjekësisë, faqebardhësia e Gjakovës

KATËR DOAJENËT E MJEKËSISË – FAQEBARDHËSIA E GJAKOVËS!

1. Prof.Dr.Sci. HYSEN UKMATA (1928-2008)

Pas kryerjes së fakultetit më 1958, u punësua në shtëpinë e shëndetit dhe pas një kohe të shkurtër, u emërua si drejtor i saj dhe ushtroi këtë post deri më 1961. Prej vitit 1962 deri më 1965 kreu specializimin në Mjekësinë Interne. Më 1967 filloi subspecializimin në Endokrinologji në qytetin e Romës, Itali.
Më 1971 u zgjodh ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë e më tej, më 1972 u zgjodh Docent Doktor i Mjekësisë Interne.
Më 1976, mbrojti temën e doktoraturës me titull: ‘’Karakteristikat epidemiologjike dhe klinike të diabetit në Kosovë 1963-1972’’. Pasi që u doktorua, ai u zgjodh profesor Inordinar dhe udhëheqës i katedrës së Mjekësisë Interne në dy mandate ndërsa, punoi edhe si drejtor i Klinikës Interne po në Prishtinë. Më 1979 u bë prodekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe më 1989 filloi të punonte si profesor Ordinar në Fakultetin e Mjekësisë
Doktor Hysen Ukmata kreu edhe detyra tjera si p.sh. Kryetar i Shoqatës së Endokrinologëve të ish – Jugosllavisë, anëtar i Forumit Evropian për studimin e Diabetit (EASD) madje edhe kontribuoi gjatë organizimit të Fakultetit të Mjekësisë pas dëbimit të regjimit serbosllav.
Profesor Ukmata punoi gjer në vitin 2003, si profesor ordinar në Fakultetin e Mjekësisë. Dr. Hysen Ukmata u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave nga presidentja e Kosovës.

2. Prof.Dr.Sci. RIZA BINISHI (1938-2011)

Pas kryerjes së fakultetit, filloi punën në Spitalin Rajonal ‘’Isa Grezda’’ të Gjakovës. Magjistraturën e kreu më 1976, ndërsa doktoraturën më 1979, kur edhe fitoi titullin Doktor i Shkencave Mjekësore. Në vitin 1980 Dr. Riza Binishi u zgjodh si Profesor.Inordinar në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa profesor Ordinar u zgjodh në vitin 1990.
Punoi dhe shërbeu në mënyrë të palodhshme si udhëheqës i Repartit të Kirurgjisë Abdominale më vitin 1999-2004 gjatë të cilës periudhë ishte edhe Dekan i Fakultetit të Mjekësisë.
Prej vitit.1998 u shqua si kirurg aktiv nëpër zonat e atëhershme të luftësi në Likovc, duke mjekuar të plagosurit e Llapushnikut. Doktor Rizai ishte edhe Kirurg Kryesor i Spitalit Ushtarak të Zonës Operative të Llapit.
Përndryshe, Dr. Riza Binishi ishte biri i Ramiz Efendi Binishit, të shkolluar në Aleksandri të Egjiptit prej 1912 -1920 ku mësoi disa gjuhë të huaja.

3. Prof.Dr.Sci. RIFAT YMERI (1927-2017)

4. Diplomoi më 1960 dhe ishte stomatologu i parë gjakovar, me të cilin filloi edhe një etapë e re e zhvillimit të stomatologjisë në Gjakovë.
Në vitin 1969, kaloi në Prishtinë, në poliklinikën e dhëmbëve, ndërkaq, më 1973 specializoi në fushën: ”Sëmundjet e gojës e të dhëmbit”.Në vitin 1976, kur edhe kreu magjistraturën, kaloi në Fakultetin e Mjekësisë, më saktësisht, tek Seksioni i Stomatologjisë me thirrjen profesionale si asistent. Doktoraturën e kreu në vitin 1981, me temën “Dëmtimet e indeve orale në saturnizëm’’.
Në vitin 1982 u bë Docent dhe më 1987 filloi të ligjëronte si profesor Inordinar në lëminë e sëmundjeve të gojës. Gjatë po kësaj kohe ishte shef i klinikës stomatologjike dhe shef i katedrës së seksionit stomatologjik në Fakultetin e Mjekësisë.
Dr. Rifat Ymeri ka ushtruar edhe funksionin e Kryetarit të seksionit të Stomatologëve të Kosovës. Më 1986, në Gjakovë , në ditët e Stomatologjisë, ishte inicues dhe organizues, prej nga rrjedhë edhe Revista Profesionale-Shkencore’’Acta Stomatologica Kosova’’.
Ka botuar mbi pesëdhjetë punime shkencore professionale , nga lëmi i stomatologjisë.
Më 2004 botoi librin dhe praktikumin mësimor ’’Sëmundjet e gojës’’ si dhe tekstin universitar ’’Parodontologjia dhe mjekësia orale’’, e cila iu shërben edhe sot e kësaj dite studentëve të stomatologjisë. Vlen të theksohet se këto materiale u botuan nga financat e tij personale.
Gjatë periudhës së vet jetësore, përveç funksioneve të lartëpërmendura, ai ushtroi edhe funksione në shumë veprimtari shoqërore si p.sh. kryetar i klubit futbollistik ‘’Vëllaznimi’’.

4. Prof.Dr.Sci. TALAT PALLASKA(1930-2011)

U diplomua në Fakultetin e Mjekësisë më 1958 dhe më pas, në vitin 1964 u specializua në degën e ORL -së, kur edhe u kthye në Prishtinë dhe filloi të punonte si shef i ORL-së së spitalit të përgjithshëm. Më 1972 filloi të ligjëronte në Fakultetin .e Mjekësisë, ndërsa më 1974 mori titullin Docent i ORL -së. Në periudhën prej vitit 1979 gjer më1981 ushtroi detyrën e Dekanit të Fakultetit, ndërsa prej vitit 1982/83 punoi si profesor Ordinar pranë këtij Fakulteti.
Prej vitit 1991 dhe pas largimit të dhunshëm nga puna, që u shkaktua nga regjimi pushtues serb, vazhdoi të punonte si profesor i ORL-së. Me 1999 u kthye të punonte si Kryeshef i Repartit Operativ të ORL-së dhe më 2001 u pensionua. Botoi më shumë se 85 punime shkencore, si dhe tekste tjera universitare për nevojat e fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Në vitin 1988, organizoi Kongresin e 13-të të ORL-së të ish – Jugosllvisë së atëhershme.
Dr. Talat Pallaska ishte kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Kosovës.
Me fjalë të tjera, Prof.Dr.Sci Talat Pallaska ishte pionier dhe doajen i lëmisë së ORL në Kosovë.

Shkrim i përgatitur nga Dr.Spec. Fahri Morina, e që do të jetë si një tekst i librit “Gjakova në Kronikë”, 550-600 faqe.

Autori i shkrimit i ka marrë të dhënat dhe fotografitë nga familjarët e mjekëve doajenë, dhe nga disa faqe si Wikipedia, ………

Katër doajenët e mjekësisë – Faqebardhësia e Gjakovës!

(huazuar nga Gezim Gjini në Facebook)

30 vjet nga suprimimi i autonomisë së Kosovës

Më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.

Suprimimi i autonomisë do të pasonte pushtimin e Kosovës me mijëra policë e ushtarë serbë, duke e vënë popullatën shumicë nën masa represive dhe aparteidi.

Nga 190 delegatët prezent në Kuvend, 10 prej tyre edhe pse nën presionin e shtetrrethimit të hekurt, do të votonin kundër këtij suprimimi, e në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës, transmeton kp.

Para 23 marsit 1989, muaji shkurt i të njëjtit vit do të karakterizohej me grevën e minatorëve të gjigantit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve dëshmon se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.

Ekzistojnë edhe aso tifozë që mendojnë se kombëtarja jonë mbahej nga shqiptarët e Kosovës

Liridon Mulaj

Ekzistojnë tre lloj tifozësh:

1.Ata që kanë mbështetur gjithmonë kombëtaren kuq e zi , të vetmen KOMBËTARE.

2.Ata që mbronin teorine se kombetarja jone mbahej nga shqiptaret e Kosoves te cilet mezi priten të krijohej përfaqësuesja e tyre e ta mbronin me zell shpesh duke sulmu kombetaren e madhe.

3.Ata tifozët skutha që rrinë fshehur diku pas perdes pragut e presin humbjet që të llomotisin here per perfaqësuesen andej e herë per Kombëtaren ketej./ KultPlus.com

Kalaja e Boshtovës e vetmja në Ballkan e ndërtuar në fushë

Kalaja e Boshtovës është ndërtuar pranë grykës së lumit Shkumbin në shekullin XV, që u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare.

Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave në formën e një drejtkëndëshi me përmasa 90×60 m.

Për herë të parë, kalaja haset në një hartë detare të vitit 1521. Trashësia e mureve të kalasë shkon deri në 1.4 m. Kalaja ka qenë 2 katesh, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës.

Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë e cila gjendet vetëm 400 m në vije ajrore nga kufiri veri lindor i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe mundësia e ndërtimit të një ure pasarela do të ndihmonte shume vizitorët e Parkut të vizitonin edhe këtë kala që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit të zonës.

E veçanta e kësaj Kalaje është se kjo është e vetmja kala në Ballkan e ndërtuar në fushë/ATSH/ KultPlus.com

Tifozët e Kombëtares dërguan Kalanë e Krujës në stadium

Tifozëria e organizuar e Kombëtares, “Tifoza Kuq e Zi”, ka shpalosur një koreografi speciale për ndeshjen kundër Turqisë.

Në çastin kur po ekzekutoheshin dy himnet kombëtare, TKZ ka shpalosur një koreografi gjigante të kalasë së Krujës, simbol i rezistencës historike të shqiptarëve nën drejtimin e Skënderbeut, kundrejt pushtimit otoman.

Kalaja shoqërohej nga një mesazh i qartë: Këtu fitojmë ne!/27.al/ KultPlus.com

10 shprehjet që një nënë shqiptare i thotë kur është me nerva

Të gjitha nënat në botë janë të veçanta, dhe të rëndësishme për fëmijët sa vetë jeta. Të gjithë biem dakord në një pikë, që raportet në familjet tona janë mjaft të ngushta, dhe kjo është një gjë pozitive e shqiptarëve.

Ne e ruajmë familjen si gjënë më të shtrenjtë në jetë, (siç është dhe duhet të jetë). Gjithsesi, pa çka se jemi të lidhur me njëri-tjetrin, edhe në familjet shqiptare ka debate nga më të ndryshmet. Ato më të fortat sigurisht që në shumicën e rasteve janë me mamatë.

Nuk e dimë si i keni marrëdhëniet me nënat, por nuk besoj se ka vajzë shqiptare që nuk i ka dëgjuar ndonjëherë këto shprehje nga mamaja e saj?

1-Shiko të bijën e filanes

Nënat shqiptare kur bëhen me nerva me ju, kanë gjithmonë një vajzë me të cilën ju krahasojnë. Ajo bija e filanes, është shembull për t’u ndjekur sipas mamasë (edhe pse ju ndoshta i dini 100 të zeza për atë vajzë)

2-Do doja të isha një ditë si ti, rehat

Për mamatë shqiptare vajzat e tyre nuk e vrasin shumë mendjen për problemet e shtëpisë, dhe ka ndonjë moment që do donin të ishin si vajzat. Ndoshta, ato nuk e kuptojnë që edhe vajza mund të ketë probleme.

3-Do shkosh tek burri, nesër pasnesër, t’i kesh dy gjëra për veten

Mamaja të vendos dhe në sedër, kur nuk bën ndonjë punë shtëpie. Ajo justifikohet duke thënë se ajo nuk ka nevojë për ndihmë, por dëshiron që t’i të mësosh se nesër, pasnesër do të shkosh tek burri.
4-Me këtë mendje, të dielën do të martohesh, të hënën do të kthejnë

Kujt ia ka thënë këtë shprehje mamaja, të ngrejë dorën? Mami sigurisht që mund ta ketë me shaka, por shpesh mund të thotë këtë gjë që vajzave mund t’ju duket për të qeshur, por po ta mendosh thellë thellë nuk është aspak për të qeshur.

5-Si s’më ngjave një çikë mua?

Në fakt këtu kanë të drejtë, duhet t’ju ngjajmë gjithmonë mamave.

6-Ke ngjarë nga familja e babait tënd

Kur bën ndonjë gjë të mirë, meritat i merr mami. Kur njerëzit të komplimentojnë “sa e bukur je”, ose gjëra të tilla, meritat sigurisht që i merr mami. Por ama kur ti bën diçka që mamit nuk i pëlqen, i ke ngjarë komplet fisit të babait.

7-Në moshën tënde unë mbaja familjen

Kush thotë se nuk e ka dëgjuar këtë shprehje nga mami, gënjen. Të gjitha nënat shqiptare, e kanë shprehje të preferuar, sado kohët kanë ndryshuar, mami mendon për kohën e vet.

9-Një ditë nuk do të jem unë, çfarë do të bësh?

Atë ditë as nuk duam të mendojmë, por mamatë vazhdimisht e përmendin këtë gjë, dhe nuk e kuptojnë që kjo fjali të lëndon, edhe pse ato e thonë në nerva e sipër.

‘Pa djersë e pa u lodhë, krejt shpirtin ma ke marrë’

Ditë më parë këngëtarja Tuna solli këngën “A don hala” një bashkëpunim ky me këngëtarin Ylli Limani. KultPlus ju sjellë tekstin e plotë të kësaj këngë.

A t’ka metë naj zhig qysh mu m’ka metë
A ka metë diçka që s’ta kam dhanë
Kudo preke shenjë më ka mbetë
Sa herë fole shenjë ma ke lanë
Sa herë frymën ma ke zanë

A je tuj pa, a je tuj pa
A je tuj pa, a je tuj pa
Pa djersë e pa u lodhë
krejt shpirtin ma ke marrë
e unë po pys
A don hala, a don hala

Kjo dashni s’e pat dorën e lehtë
Nuk e paska as kamën e mbarë
A do ndalesh, a ngihesh najherë
Ku ki shkelë ti bari nuk ka dalë
Interesxhia i papamë./ KultPlus.com

Ekspozitë në Tiranë e artistit nga Peja për përvjetorin e sulmit të NATO-s

Kanë kaluar 20 vjet qëkurse NATO ndërhyri në Kosovë për t’i dhënë fund luftës. Për të përkujtuar këtë datë artisti nga Peja , Sokol Beqiri, vjen me të parën ekspozitë personale në Tiranë. Duke sjellë dëshmitë e asaj kohe me qëllimin e qartë, që në rast se arti nuk mund të shpëtojë, të paktën duhet të raportojë.

Stili i drejtpërdrejtë dhe faktik që ​Sokol Beqiri përdor në punët e tij pas vitit 1999 nuk është i rastësishëm. Tmerret e luftës na shfaqen krejt të zhveshura, nëpërmjet syrit të të mbijetuarit, dhe zgjedhjet estetike të artistit nuk e lejojnë shikuesin ta largojë shikimin. Ai fillon ekspozitën me një pikaçu të vendosur mbi një gur që gjithçka tjetër është e shkatërruar, por ngelet vetëm fjala “popullit”, më pas pemët e këtushme simbolizojnë malin

“Pas 400 vjetëve në qoftë se e tranformon malin me aeroplanë të NATO-s. Millosheviqi vepronte duke menduar që është I paprekshëm”, tha Sokol Beqiri, artist pamor.

Dhuna portretizohet shpesh vetëm si dëshmi e uniformave të luftës dhe pozave të sovranit.

“Këto statuja, kam shfrytëzuar rastin t’i fotografoj se kanë qenë brenda territorit ku ka qenë KFOR I vendosur. Unë kam qenë I vetëdijshëm, që sapo të lirohej ai lokacion kishin për t’u shkatërruar dhe kam shfrytëzuar rastin në moment. Këtu i kam gjetur policët pak para se të lironin lokacionin dhe I kam bërë fotot”, tha artisti.

Ndërkohë që në një seri fotosh të familjes së tij me flamuj në dorë ai formon fjalët Fuck You, e kundërta ndodh në fotografimin e këtyre prostitutave.

“Idea fillestare ka qenë që nëse familja ime vjen në formë pak më banale me Fuck You, shtatë prostitutat duhet të vinin në mënyrë më të sjellshme me Love You”, u shpreh Beqiri.

Ndërsa brenda Galerisë Kombëtare prezantohej kjo ekspozitë, jashtë saj Prof. Ermir Grezda ka zgjedhur të protestojë nëpërmjet një pankarte, sipas së cilës Galeria Kombëtare nuk po pranon më artistë të Shqipërisë, por vetëm të Kosovës./TCH/ KultPlus.com

Shpresa (e humbur)

Nezir Kraki

Shpresë t’ vetme kishim kohën,
Por edhe ajo na tradhtoi.
U bë me ta, I përkëdheli, I forcoi.

Tash ku të shkojmë ne?

…kur koha s’ na njeh, kur koha s’ na prêt.
Si të shpresojmë prapë kur ëndrra jonë u tret?

Ta lusim kalendarin ta ndalojë atë vrap?
Apo t’i lusim t’ pangopurit të ‘hanë’ më pak?

Është lutje e humbur se ata s’ do ndalen,
Si kalendari me kohën, ata me ne do tallen.

E ku të shkojmë atëherë, rrugë tjetër a kemi?
Ta rikthejmë shpresën…
…apo të mbesim këtu ku jemi?

Paris 19 mars 2019./ KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e fotografuar nga Agron Nimani në mesin e fotografive me të mira të realizuara me dron

Çdo vit SkyPixel zgjedh në mesin e shumë fotografive disa nga fotografitë më të mira të realizuara me dron duke i shpërblyer ato të cilat zgjedhën fituese. Edhe këtë vit ata kanë bërë të ditur 25 fotografitë me të mira në mesin e të cilave, në vendin e dhjetë, është fotografia e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës e realizuar nga Agron Nimani.

Kujtojmë se fotografi Nimani këtë vit pati hapur edhe ekspozitën e tij personale me fotografi të cilat u ekspozuan në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë.

Çmimin e madh në këtë garë e fitoi Deryk Baumgartner i cili edhe u shpërblye me 12 mijë dollarë. Në fotografinë e tij shihet mali Sain Michael. Më poshtë mund të gjeni disa nga fotografitë fituese si dhe linkun për të parë 25 fotografitë më të mira./ KultPlus.com

https://www.boredpanda.com/best-drone-photography-contest-winners-2018-skypixel/?utm_source=facebook&utm_medium=social&utm_campaign=BPFacebook&fbclid=IwAR235sRfTdnNLZBridYLyXorg78yFTp7jHlpzNP65tSQLNYowkR7SWVtNDM

“Nuk mund të reshtja së puthuri fytyrën e tij, më pas ata mbyllën arkivolin e djalit tim të vogël”

Kur Savanna Tate mori vesh se ishte shtatzënë me trinjakë, lajmi i pabesueshëm u shoqërua menjëherë me ankth e frikë, pasi mjekët nuk mund të dëgjonin rrahjet e zemrës së njërit prej fëmijëve.

Asaj iu tha se me gjasë bebja nuk do të mbijetonte. Por dy javë me vonë, në ekon tjetër, u dëgjua një rrahje e fortë zemre dhe ata e dinin se kishin një luftarak të vogël. Më 12 Mars të 2015-s, lindën Hayes, Heath dhe Reese. Familja e tyre e vogël ishte e kompletuar dhe gjithçka ishte perfekte, derisa Hayes nisi të kishte probleme shëndetësore. Më 7 Janar të 2016-s, atyre iu tha se Hayes kishte një tumor që kishte zënë 1/3 e trurit. Pavarësisht kimioterapisë, Hayes-i i vogël ndërroi jetë më 3 Dhjetor të 2016-s.

“Zemra ime lëngon çdo ditë kur mendoj për atë moment. Momentin përpara se të mbyllnin përgjithmonë arkivolin e Hayes. Nuk ndaloja dot së puthuri fytyrën e tij të ëmbël dhe t’i thoja më fal i vogli im, gjatë gjithë kohës. Nuk ishte thjeshtë një makth, ishte realiteti. Një grua që humb burrin quhet e ve. Një burrë një humb gruan quhet i ve. Një fëmijë që humb prindërit quhet jetim. Nuk ekziston një fjalë për një prind që humb një fëmijë. Është diçka për të cilën njerëzit nuk kanë një fjalë për ta përshkruar, sepse për të nuk flitet. Është kaq e frikshme, është realiteti jonë”, ka thënë Tate.

Janë këto fjalët e Savanna Tate, nënën nga Utah e SHBA, në një shkrim të botuar nga e përditshmja Mirror, ku ajo flet për humbjen e djalit të saj të vogël.

“Të humbasësh një fëmijë është përtej çdo gjëje që mund të merrni me mend. Më kujtohet që kur u bëra nënë për herë të parë, diçka më mblidhej në stomak sa herë mendoja humbjen e një fëmije. Është përtej çdo dhimbje që një prind mund të imagjinojë. Të humbasësh një fëmijë është sikur të të vdesë gjysma jote”, thotë ajo.

Pas humbjes së djalit, Savanna dhe bashkëshorti i saj Steve themeluan fondacionin HayesTough. Organizata ndihmon financiarisht dhe ofron mbështetje emocionale për familjet, fëmijët e të cilëve vuajnë nga kanceri. Dyshja janë prindër të 5 fëmijëve të tjerë./tvklan.al/KultPlus.com

Koleksioni i artistëve francezë nga Shkupi vjen në Prishtinë

“Javët e Frankofonisë” do të sjellin në Prishtinë një koleksion shumë të veçantë të artit. Në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të ekspozohen punët e disa artistëve francezë, koleksioni i të cilëve është pjesë e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup, shkruan KultPlus.

Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Ambasada Franceze në Kosovë ju ftojnë në hapjen e ekspozitës ku do të paraqitën vepra të artistëve të njohur francezë si Yves Alix, Michéle Andal, Doroteo Arnaiz, Beyrouth Assadour, Jean Bazaine, Anna Eva Bergman, René Bertholo, Lars Bo, Bernard Buffet, Carlos Cruz-Diez, Jean-Jacques Deyrolle, Jean Dewasne, Jacques Doucet, Maurice Esteve, Michel Gerard, Marcel Gromaire, Etienne Hajdu, Piotr Kowalski, Barbara Kwasniewska, Wifredo Lam,Jean Lurçat, André Masson, Gregory Masurowsky, Jean Messagier, Zoran Music, Marta Pan, Joan Rabascall, Niki de Sant-Phalle, Patrick Saytour,  Ivan Sers, François Stahly, Peter Stamfli, Leopold Suvage, Bram Van Velde, Victor Vasarely, Pierre Vermeersch, Gauy Weelen, Michel Viot, Hans Hartung.


Ceremonia e hapjes do të bëhet të hënën me 25 Mars në orën 17:30 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 14 prill 2019./ KultPlus.com

Historia e Carlo Pellicano, arbëreshit që u rikthye në Shqipëri

Carlo Pellicano, kishte dëgjuar për Shqipërinë në familjen e tij arbëreshe mirëo ishte rikthyer në vendin e të parëve të tij për herë të parë në vitet 2000.

Kjo vizitë në Shqipëri bëri që ai të dashurohej me vendin dhe të jetonte në Shqipëri aty ku gjeti edhe dashurinë e tij, u martua, krijoi familje dhe punon si profesor. Ai po ashtu është president i grupit folklorik në Tiranë “Arbëria”. / KultPlus.com

Tenori Ramë Lahaj për herë të parë do të performojë në Maqedoni

Tenori Ramë Lahaj në muajin prill do të mbajë një koncert në Shkup të Maqedonisë. Në këtë koncert i cili do të dirigjohet nga dirigjenti David Crescenzi, përkrah tenorit Ramë Lahaj do të jetë edhe sopranoja Venera Gimodieva, baritoni Kiril Manolov dhe mezo-sopranoja Marika Popovikj, shkruan KultPlus.

Këtë lajm e ka konfirmuar edhe vet tenori kosovarë përmes një postimi në Facebook.

“Për herë të parë do të jem në Shkup, Maqedoni, me miqtë e mi më të mirë të skenës ndërkombëtare në kuadër të festivalit Skena e Muzikës serioze shqiptare.  Koncerti do të mbahet në Operën e Shkupit me 4 prill në orën 19.30. Ndërkaq Masterclass për artistët e rinj do të mbahet po ashtu në Operën e Shkupit me 5 prill në orën 14.30”, ka shkruar ai.

Biletat për këtë koncert mund t’i gjeni në https://mktickets.mk/ duke filluar nga e hëna e javës së ardhshme, respektivisht 25 mars./ KultPlus.com

”New York Times”: Përvoja sfiduese shqiptare e fshehur në Bronks

Në një udhëtim në kuzhinën shqiptare, të përqëndruar veçanërisht në atë të veriut, gazeta e njohur amerikane ”New York Times”, i kushton një shkrim të posaçëm një prej restoranteve më të njohura në metropolin amerikan ”Çka Ka Qellu”.

”Mënyra e duhur për të shkuar në restorantin shqiptar ”Çka Ka Qellu”, në mos më e drejtpërdrejta, fillon në Arthur Avenue. Mbërrini përpara dyqaneve italiane të peshkut, ende të njohur në Bronks dhe merrni prej aty oktapodin tuaj për darkën. Përtej ”Dominick”, kthehuni tek marketi i hapur nga Fiorello La Guardia. Kaloni purot e bëra me dorë dhe bluzat me shprehje të ndryshme të Bronksit. Vazhdoni përtej dyqaneve që shesin djathëra dhe sallame italiane dhe dilni për nga Hughes Avenue. Sapo kthehesh në të djathtë, është një rrotë që duket aq e vjetër sa të mund të ishte e Rumpelstiltskinit, personazhit të famshëm të përrallave të vëllezërve Grim dhe pranë saj, një tjetër derë. Hapeni atë dhe futuni brenda”, shkruan ”New York Times”.

”Ky udhëtim i shkurtër duket sikur ju çon pas në kohë. Rrota me sa duket është thjesht një pjesë prej koleksionit të objekteve antike në Çka Ka Qellu, instrumenteve me tela, zgjedhës, mullirit prej bronzi, makinës së shkrimit, pjatave metalike të punuara me çekiç dhe kostumit të qëndisur që pronari, Ramiz Kukaj, ka sjellë nga vendi i tij. Disa, thotë ai, datojnë në shekullin XVIII. Dyshemetë dhe muret duket se janë transportuar nga një fermë shqiptare, altoparlantët luajnë muzikë popullore që luhet me instrumente tradicionale dhe jo muzikë moderne dhe dëgjohen këngë nga grupi me instrumente tunxhi ‘Fanfara Tirana’. Restoranti është i zhytur në nostalgji.

Një tjetër arsye për të ecur nga Arthur Avenue është se përmbledh një model që përsëritet në të gjithë lagjen, ku shenjat dhe menutë në rrugë janë ende të shkruara në italisht, por shumë nga njerëzit në dhomat e pasme, që marinojnë salsiçet dhe skuqin kotoletat e viçit, janë shqiptarë.Vende-vende, shqiptarët kanë sjellë pak nga kuzhina e tyre në bizneset italiane. Suxhuk i mbushur me qimnon që varet për t’u thatë në sallameri. Në disa piceri, byreku sfidon pitet xhamajkane të mbushura me mish viçi që janë epërsia e byrekut me mish për të huajt. Një vend i ngjashëm, në pronësi të Kukajt, gjendet në lagjen ‘Norwood’ dhe quhet ‘Tradita’. (Ligaya Mishan e vlerësoi atë në vitin 2017.) Por, nëse doni një eksperiencë të vërtetë shqiptare ”Çka Ka Qellu” është vendi ku duhet të shkoni.Kuzhina e tyre nuk fokusohet në produktet nga deti Adriatik në Shqipëri apo në kuzhinën greke dhe turke e cila përdoret në jug të vendit. Ajo fokusohet në veri, i cili ka shumë pjata të përbashkëta me ish-pjesët e Jugosllavisë, që janë fqinjët e tyre. Veçanërisht ekziston një lidhje e fortë me Kosovën, atdheun e shumë shqiptarëve përfshirë Kukajn dhe shefin e restorantit të tij, Afrim Kaliqanin.

Në kuzhinën e tyre, kosi dhe ajka përdoren kudo, së bashku me djathin e sapo bërë si edhe djathin kremoz të ndarë në feta. Një pjesë e mire e menusë përbëhet nga ushqime me salcë të bardhë dhe kremoze. Dhe një tjetë, tërësisht e ndryshme përbëhet nga salcë e bardhë kremoze me ushqime brenda.

Në grupin e dytë të pjatave që janë pothuajse të detyrueshme për të nisur eksperiencën tuaj në Çka Ka Qellu: taratori, kos me copa kastravecash, hudhër dhe majdanoz, një pjatë e ngjashme me xaxiqin grek, por pothuajse aq i trashë sa shllaku; krem i përzier me copëza suxhuku i cili i jep një nuancë rozë dhe e bën pak djegëse; si edhe kajmaku të cilin kamerieri e përshkroi si “gjalpë për bukë” ndërsa unë do ta përshkruaja si krem i freskët, të përzier me krem djathi dhe gjalpë. (Në disa pjesë të Shqipërisë, përgatitet nga zierja e qumështit jo të pasterizuar të lopës)

U gjenda duke njomur salsiçe, perime dhe pothuajse çdo gjë tjetër në kajmak, i cili shijon veçanërisht me një fetë bukë të cilën ”Çka Ka Qellu” e pjek në një furrë picash që është gjëja e parë që sheh sapo hyn brenda. Përkufizimi që menuja ka për kaçamakun si “ krem polenta” është në fakt për kajmakun, të përzier me një masë të hollë, pothuajse të bardhë mielli misri dhe që në fund merr të njëjtën trashësi si pureja e patateve e gatuar mirë.

Ndonjëherë serviret një salcë kremoze kur nuk e pret. Çdo copë e leçenikut, bukës me miell misri dhe spinaq e mbuluar me gjizë, është aq e pasur sa është vetëm disa shkallë më poshtë tortës së djathit dhe vjen në tavolinë e shoqëruar me një lugë kajmak. E ndonjëherë nuk kishte salcë kemoze kur duhej. Versioni i restorantit për flinë, një byrek me shumë shtresa i cili gatuhet ngadalë, shërbehet në formën e një trekëndëshi të gjatë e të mprehtë pa shoqërues, edhe pse është mjaft i butë dhe i njomë. Fatmirësisht shkon mirë me kosin që ka tepruar dhe që mund të gjendet kudo në tavolinë.

Një nga sallatat krokante më të mira me kastraveca dhe domate të ”Çka Ka Qellu” plotëson më së miri vaktin.

Mantia, një role e pjekur, e mbushur me mish viçi dhe qepë, mund të duket pak e fortë dhe e thatë, nëse e porosisni veçmas. E njëjta mantia, por e gatuar me kos në një pjatë balte do t’ju duket e përsosur.

Por, a mund të gjejmë një tjetër restorant në New York i cili e përdor aq shumë mishin e viçit sa ”Çka Ka Qellu”?  Ai është përbërësi kryesor tek qoftet e restorantit, mish i grirë i përzier me qepë dhe piper të kuq; dhe tek qebapi, salsiçe të buta pa lëkurë që gatuhen në zgarë.

Mishi i viçit futet në shumë prej gatimeve në enët e baltës, përfshirë tavën e viçit, një gatim i ngjashëm me ratatujën mesdhetare që është një përzierje e mishit dhe patateve e krijuar në një anë tjetër të Europës. I mbështjellë me djathë dhe mish të tymosur, i pjekur dhe i skuqur, mishi i viçit shërben gjithashtu si mbushje për pjatën mjaft tërheqëse Skanderbeg. E quajtur pas heroit të madh të shekullit XV, Skanderbeg njihet si pjata ndërkombëtare e Shqipërisë, edhe pse ngjashmëria me kajakun e bërë nga roleja e pulës, e bën të vepër të jashtëzakonshme të kuzhinës.  Ajo shërbehet krokante në ngjyrë floriri, e shoqëruar me një salcë kremoze dhe të fton të ngrihesh e të shkosh në Hughes Avenue.

Ngrënia e gjithë këtyre ushqimeve, pa i shoqëruar me një sallatë, është e paimagjinueshme dhe me shumë mundësi jo e këshillueshme. Secila prej sallatave të shumta të ”Çka Ka Qellu” duket të jetë e përbërë nga kastraveca, domate, qepë të kuqe dhe djathë me ca ndryshime të vogla. Ardhja e papritur e ullinjve dhe llojeve të ndryshme të tyre, i jepte vaktit shumëllojshmëri.

Ashtu si buka, ëmbëlsirat piqeshin po aty: Bakllavaja e zhytur në sherbet, keku me arra i quajtur haxhimak, ëmbëlsira me arra në mes që në shqip quhet sheqerpare. Unë i preferoj me kafe të zier në një xhezve në sobën e drurit dhe të shërbyera në një tabaka që kombinohet me filxhanët, që të dyja të gdhendura me dizajne të lashta gjeometrike që përsëriten”, përfundon gazeta e njohur amerikane./ /esko/ a.jor./ A.T.SH/ KultPlus.com

70-vjet nga vdekja nën tortura e atdhetarit dhe njeriut të kulturës, Vinçenc Prenushi

“Simboli i të së kaluemës së Shqipënisë me të cilin ne mburremi”! Kështu e kishte cilësuar Profesor Arshi Pipa Imzot Vinçenc Prenushin, në një ese të gjatë me titull, “Kujtime mbi Vinçenc Prenushin”, prelatin e Kishës Katolike Shqiptare, të cilin e kujtojmë këtë muaj me rastin e 70-vjetorit të vdekjes nën tortura, si “armik i popullit” në burgun e Durrësit, në mars të vitit 1949.

Arshi Pipa kujtonte ditët në burgun e regjimit komunist në Durrës me mikun dhe bashkëvuajtësin e tij, me atdhetarin dhe njeriun e kulturës shqiptare dhe me martirin e Kishës Katolike, duke rrëfyer se si me duart e tija ia kishte “mbyllur sytë, sytë e lodhur e të shterrur”, kur dha shpirt, klerikut të lartë katolik shqiptar, por njëkohësisht edhe të shkrimtarit, poetit, përkthyesit, publicistit dhe një studiuesi të rëndësishëm.

Robert Elsie e rendit Vinçenc Prenushin, pas At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës, si njërin prej shkrimtarëve më të vjetër dhe më të respektuar të Shkodrës dhe të letërsisë shqiptare. I njohur dhe shumë i respektuar në kohën e tij, si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët, të cilët e quanin Imzot Prenushin “melek” që do të thotë “engjëll”, për respektin që ai gëzonte në mbarë shoqërinë shqiptare në kohën kur jetoi.

Gjatë viteve në burg pas ardhjes së komunizimit në pushtet, si kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Prof. Arshi Pipa ishte njoftuar dhe kishte lidhje dhe miqësi të ngushta me përfaqësues të lartë të klerit katolik, bashkvuajtës me ‘ta, në birucat e tmershme të burgjeve komuniste – aty ku të gjithë ata që kundërshtonin regjimin komunist vuajtën ”mundimet e territ” — përfshirë ndër ta edhe Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, për të cilin Arshiu shkruan se përveç se pasqyronte shumë vlera dhe virtyte, “Ishte i butë në shpirt, e i paqë, thellë i devotçëm, i kushtuem kryekëput misjonit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue – me një urtësi të bindshme – dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen e tij për letërsinë.”

Pipa përshkruan Vinçenc Prenushin si një njeri të cilin nuk e interesonte aspak politika, por që ishte gjithmonë i buzqeshur në të folur, zemërgjërë në gjykime, i qetë e i sigurt në qëndrimet e tija të patundura.

Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”, Arshi Pipa vë në dukje vuajtjet dhe mundimet, por edhe vlerat kombëtare, njerëzore dhe letrare të Vinçenc Prenushit, duke thekësuar se, “Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare, i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.” Pipa shkruan se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri nga përfaqsuesit e letërsisë kombëtare, “Imzot Prenushi nuk do t’a kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë, në të njajtën kohë, jo vetëm kundër fesë, por edhe kombësisë.”

Ndryshe nga persekutorët e tij komunistë, Pipa shkruan se jeta e Imzot Prenushit ishte “një jetë e panjollë”, në shërbim të disa prej idealeve më të shënjta njerëzore, siç janë Atdheu, arti dhe feja. Si i tillë, ai nuk mund të ndiqte diktatorin dhe idelogjinë e tij komuniste antifetare dhe anti-kombëtare. Profesor Pipa rrëfen një bisedë që ka pasur me Prenushin gjatë të cilës prelati i lartë kishtar i kishte folur për një takim të tij me Enver Hoxhën, i ftuar nga diktatori me qëllim për t’i imponuar pikëpamjet komuniste të tija ndaj fesë. Ndonëse Enveri nuk kishte mundur ta bindëte, shkruan Prof Arshi Pipa, Vinçenc Prenushi përfundon në burg, ndërkohë që Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim të ashpër kundër ipeshkvit katolik.

I bugosur, i rrahur e i torturuar, “Lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa, për mikun dhe bashkvuajtsin e tij, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”.

Është ky përfytyrim të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën e tij para vetes së tij. Ishte ky përfytyrim e të tjerë si ky, që e bënte atë të papajtueshëm me komunizmin të cilin e luftoi me të gjitha energjitë e tija. Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, të cilit i referohet: “Këtij simboli të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën na mburremi, këtij njeriu i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat dhe ndryhet në burgje dhe torturohet”, megjithëse Imzot Prenushi vuante nga zemra dhe azma.

Si njëri prej shkrimtarëve dhe përkthyesve të dalluar të kohës së tij, Arshi Pipa, rrëfen se si e pyeti me një rast në burg Imzot Prenushin nëse kishte lënë në shtëpi ndonjë dorëshkrim. Ai i ishte përgjigjur se kishte përkthyer veprën “Dreizehnlinden”, të shkrimtarit Weber pas përfundimit të studimeve në Austri, sepse i kishte thënë Prenushi, kjo vepër përshkruan zakonet e malësorve austriakë, por që sipas tij, kanë shumë gjëra të përbashkëta me malësorët tanë dhe se kjo ishte arsyeja që e kishte përkëthyer në shqip.

Profesor Arshi Pipa përfundon rrëfimin e tij prej poeti, për vuajtjet dhe mundimet dhe për kohën e kaluar me Imzot Vinçenc Prenushin në burgun e Enver Hoxhës në Durrës, duke përshkruar ditët e fundit me të, ndarjen nga kjo jetë të prelatit katolik shqiptar, 70-vjetë më parë:

“Atë natë kishte zjarr në vatër. Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhur e të shterrur, që aq shumë kishin vuajtur për dritë, m’u duk se pashë në fëtyrën e tij të hajthët, të shkrirë, të paqët, mbas aq shumë mundimesh, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndofta mua më bajshin sytë e përlotur, ndofta nuk ishte veçse një reflex i flakërimeve të kuqrremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropzat e syve. Por ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti që në grahmat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj kur dhimbja të prajë, të pushojë si ujt prej lymit që e pat trazuar. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë se si njerzit vdesin për ideale”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa në dëshminë e tij për natën që u nda nga kjo jetë Vinçenc Prenushi.

Fatkeqsisht, njerëz me ideale si Imzot Vinçenc Prenushi i mungojnë sot Kombit shqiptar. Por, më mirë vonë se kurrë dhe me kohë, e vërteta po del në dritë dhe personalitetet kombëtare si Vinçenc Prenushi dhe idealet e tyre të Atdhedashurisë dhe të dashurisë për të afërmin, pa dallime — do të zenë vendin që meritojnë në historinë dhe në kulturën e këtij kombi shumë të vuajtur. Nëqoftse tregojmë respekt për simbolet e së kaluarës së Shqipërisë, siç është Vincent Prenushi, me të cilët duhet të mburremi të gjithë pa dallim, atëherë kemi arsye të besojmë se megjithë problemet aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore, e ardhmja e Kombit shqiptar do të jetë më e mirë/Dielli, Frank Shkreli. / KultPlus.com

Kosova debuton zyrtarisht në Panairin e Librit në Lajpcig

Kosova për herë të parë prezantohet si shtet në njërin prej panaireve të librit më të vjetër në botë. Shtandi i Kosovës të enjten është hapur në Panairin e Leipzigut në Gjermani.

Kjo ngjarje kulturore ka filluar të organizohej më 1632. Janë mbi 130 tituj librash nga rreth 50 shtëpi botuese nga Kosova që do të qëndrojnë të ekspozuara në Panairin që zgjat deri të dielën.

Shteti më i ri i Evropës këtë vit ka bërë vend për herë të parë në këtë ekspozitë të librit së bashku me Kanadanë. Përfaqësohet nga Ministria e Kulturës e Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, i cili ka mbërritur të enjten në mbrëmje në Leipzig ka thënë se ideja ka qenë që të prezantohen botimet e vitit 2018 dhe 2019.

Bashkë me titujt është edhe katalogu i botimeve të BKK-së.

“Fokusi ka qenë kryesisht tek botimet me interes albanologjik në fushën e historisë e të trashëgimisë kulturore. Janë edhe botimet e shkrimtarëve më kulminantë të Kosovës”, ka thënë Gajraku.

Shkrimtari Ibrahim Kadriu, i cili është laureat i sivjetshëm i çmimit kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli”, do të prezantohet në Panair.

Samir Hoxha, këshilltar i lartë i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë se “Ministria e Kulturës sivjet ka përkrahur Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e cila në stendën e saj do të prezantojë botimet më të reja nga Kosova. Në Panairin e Leipzigut, në kuadër të rrjetit letraro-kulturor ‘Traduki’, Kosova do të prezantohet me autorët e saj, Ardiana Shala dhe Beqë Cufaj”. Cufaj, njëherësh është ambasador i Kosovës në Berlin. Në bashkëpunim me ‘Tradukin” e pranishme në Panair është edhe poetja Blerina Goxha-Rogova.

Krahas Kosovës, edhe Shqipëria përfaqësohet nga Ministria e Kulturës në këtë Panair. Autorët Lisandri Kola dhe Saimir Muzhaka do të prezantohen nga Ministria e Kulturës, kurse në kuadër të rrjetit “Traduki” do të jenë të pranishëm edhe Lindita Arapi dhe Anrila Spahia.

Vdes bashkëshortja e Mitrush Kutelit

Efterpi Skendi (Pasko), bashkëshortja e shkrimtarit të njohur Mitrush Kuteli është ndarë nga jeta. Gruaja që ruajti deri në fund të jetës sharmin e një bukurie të natyrshme, ku kultura përzihej me elegancën, ishte një ndër intelektualet e rralla. Gjithë jetën e saj ajo ia dedikoi përkujdesjes ndaj veprës të së shoqit bashkë me fëmijët. Në një nga intervistat e rralla që ajo dha për shtypin shqiptar kohë më parë, e tregonte kështu njohjen me shkrimtarin: ”Njohja me të ka qenë diçka e rastit. Për herë të parë jemi takuar në një vizitë te një miku ynë i përbashkët. Ka qenë pranvera e vitit 1945.

Aty filloi edhe lidhja, pastaj fejesa. Gati pas një viti, më saktë më 28 prill të vitit 1946, bëmë martesën. Dhimitri nuk bëri dasmë. Ai mori pjesë në ceremoninë që bënë njerëzit e mi në Korçë. Në atë kohë familja e tij kishte përjetuar disa fatkeqësi. Italianët i kishin vrarë babain dhe e kishin djegur bashkë me shtëpinë në Pogradec. Pas dasmës jetuam në shtëpinë që Mitrushi kishte marrë me qira te Shallvaret”. Kuteli i dedikoi asaj disa poezi të njohura, por dhe letra disa prej të cilave janë bërë publike.

Më poshtë po botojmë Testamentin që shkrimtari la për Efterpinë dhe fëmijët…

Testamenti për fëmijët: Duajeni vendin dhe gjuhën deri në vuajtje

E dashur Efterpi,

Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurt, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli.

Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit. Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrat e këqia. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha, dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minuta ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli.. Sipas mendjes sime shpëtoi. E kam zili.

Vdekja është prehja e madhe, shkëputja nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike dhe shpirtërore. Që të dyja të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasoje e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krioj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qenë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç‘të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt. (…)

Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Ta kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë helmi i fundit që po të sjell. Ne u bashkuam, rrojtmë dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha.

Tani, ti e di.. I di ditët dhe netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobektësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë.

Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këta vjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë të shkrimeve të mija – shqip dhe rumanisht – janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër intereset vetiak.

Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me tradhëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda.

Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetjak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin.

Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike – në fushën ekonomike – në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”.

Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht,veprimtarinë time. Kam qënë kundër rusëve, sepse ata mbajnë nën vete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë, kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër englezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar,aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vendas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke.

Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë m i k, po vetëm k a p i t a l. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.

Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij – të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mija – të mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë. Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.

Nisa të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva – ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa – dhe shiko se ku arrita. Dëgjo! Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë. 1.Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.

Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua! 2. Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi. 3 (…) 4.

Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo, fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar – dhe le të merren edhe me letërsi.

Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se iu bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë.

Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë. Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni! Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja.

Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi,butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë.

Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë. Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve.

Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit. (…) Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë. Yti, Dhimitraq 11 korrik,1966. Tiranë.(e hënë)

Gazeta Shqip