Creed 3 vjen në Cineplexx me eventin ‘Premiere Night’ ku do të ketë edhe shpërblime!

Njëri nga filmat e shumëpritur të vitit 2023, Creed 3 po arrin në Cineplexx më 2 mars, me eventin Premiere Night ku do të ketë shumë shpërblime. Ky event do të mbahet në të dy kinematë e Cineplexx, në Prishtinë dhe në Prizren, duke filluar nga ora 19:00.

Creed 3 është pjesa e tretë e triologjisë Creed, i cili në vetvete është zgjerimi spin-off i ekskluzivitetit Rocky. Creed 3 shënon pjesën e nëntë në ekskluzivitetin ikonik Rocky, ku këtë herë është i pari pa Sylvester Stallone si boksieri Rocky Balboa. Debutimi regjisorial i Michael B. Jordan në këtë film të fundit, ka marrë shumë vlerësime pozitive nga kritikët, ku aktualisht në faqen Rotten Tomatoes është i rankuar me 91%. Michael B Jordan zbuloi për publikun se përdori seri të ndryshme anime të profilit të lartë si frymëzim për sekuencat e luftimeve, duke përfshirë My Hero Academia, Dragon Ball dhe Naruto.

C3_20382_RC Michael B. Jordan stars as Adonis Creed in CREED III A Metro Goldwyn Mayer Pictures film Photo credit: Eli Ade © 2023 Metro-Goldwyn-Mayer Pictures Inc. All Rights Reserved CREED is a trademark of Metro-Goldwyn-Mayer Studios Inc. All Rights Reserved.

Filmi i fundit i Creed ndjek Adonis (Michael B  Jordan) ku pas dominimit të botës së boksit, ai ka lulëzuar si në karrierë ashtu edhe në jetën familjare. Mirëpo kur një mik i fëmijërisë dhe ish-mjeshtëror i boksit, Damian (Jonathan Majors), rishfaqet pas vuajtjes së një dënimi të gjatë në burg, ai është i etur të provojë se e meriton një shans në ring. Përballja mes miqve të dikurshëm është më shumë se një sherr. Për të zgjidhur rezultatin, Adonis duhet të vendosë të ardhmen e tij në linjë për të luftuar Damian – një luftëtar që nuk ka asgjë për të humbur.

Gjatë eventit ‘Premiere Night”, të enjtën do të dhurohen këto shpërblimet në Cineplexx:

Në kinemanë në Prishtinë:

5x Anëtarësi 1 vjeçare nga Fivestar Fitness 

3x Proteina Whey nga ProVit 

3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Stilium

https://www.instagram.com/p/CpDe4M1omDj/

Në kinemanë në Prizren:

5x Anëtarësi 1 vjeçare nga Fivestar Fitness  

3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Stilium

https://www.instagram.com/p/CpGDrNlIZk0/

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx , ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:30.

Ministri Murati: Më shumë se 1 mijë të rinj u punësuan përmes “Super Puna”

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, përmes një publikimi në rrjetet sociale, ka thënë se deri më tani përmes “Spuer Punës” janë punësuar mbi 1 mijë të rinjë.

Murati tutje ka treguar se ka ende shumë vende të lira punë dhe janë 2 mijë punëdhënës.

“Për vetëm 3 javë, statistikat e Superpuna duken kështu:

🔹 mbi 3 mijë punëkërkues të verifikuar

🔹 mbi 2 mijë punëdhënës që ofrojnë punë

🔹 mbi 1 mijë marrëdhënie pune/punësime

Si dhe janë mbi 1,500 pozita të lira pune për të rinjtë 18-25 vjeç.”, shkruan Murati. / KultPlus.com

Mozaiku i Tiranës po transformohet në një nga pikat më të vizituara të kryeqytetit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi sot fotografi të cilat tregojnë se tek Mozaiku i Tiranës ka nisur puna për transformimin tërësor të këtij siti.

“I fshehur mes pallatesh, së shpejti Mozaiku i Tiranës do të kthehet në një nga pikat më të vizituara të kryeqytetit, ku do të zbulohet jo vetëm një copëz e historisë së qytetit, por të mozaikëve të të gjithë Shqipërisë”, shkruan ministrja Margariti në rrjetet sociale.

Së shpejti vizitorët vendas dhe të huaj do të kenë mundësinë që njëkohësisht të shohin gjetjen arkeologjike më të vjetër në kryeqytet, e po aty të gjejnë edhe informacion për mozaikët e tjerë anembanë Shqipërisë.

Mozaiku i Tiranës mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit. Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.

Në shek. III pas Krishtit vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor.
Më vonë në shek. IV-V pas Krishtit vendin e vilës romane duhet ta ketë zënë një kishë paleokristiane. Kisha është ndërtuar në sallën qendrore të banesës rurale. Si të gjitha kishat e kësaj periudhe (gjysma e dytë e shek. IV pas Krishtit) edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme.

Brendësia ka tashmë një aks gjatësor dinamik pikërisht si rezultat i hyrjes përballë altarit, që theksohet nga ritmi i arkadave. Arkitektura e kishës është e thjeshtë.

Gjatë transformimit të banesës në objekt kulti janë përdorur tulla, me simbole kryqesh, të datuara këto në periudhën e Perandorit Kostandin I (306-337). Ambientet ndihmëse në anën veriore të ndërtesës janë përshtatur nga ato të banesës.

Vila Rustica dhe kisha paleokristiane të njohura ndryshe si Mozaiku i Tiranës, janë një shembull shumë domethënës i lashtësisë së këtij territori që u zbulua rastësisht në vitin 1972, gjatë ndërtimit të një blloku pallatesh. / atsh / KultPlus.com

Presidentja Osmani ftohet nga presidenti Joe Biden për të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci

Presidentja Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci.

Sipas ftesës, përveç fjalimit që do të mbajë krahas krerëve të shteteve të tjera sipas formatit të vitit të kaluar, Presidentja Osmani është përzgjedhur edhe në mesin e dhjetë liderëve që do të jenë folës kryesor në seancën plenare në të cilën do të diskutohet për rolin e demokracisë në krijimin e institucioneve stabile.

Samiti për Demokraci është nismë e Shtëpisë së Bardhë që mëton të nxjerrë në pah suksesin e demokracisë në dobi të qytetarëve si dhe adresimin e sfidave më të vështira botërore.

Më 9 dhjetor 2021, Presidentja Osmani përfaqësoi Kosovën në edicionin e parë të Samitit për Demokraci, platformë që ka bashkuar vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.

Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.

Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkë-udhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit. / KultPlus.com

”Jerusalem Post”: Një muze për shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë LIIB

Ministria shqiptare e Kulturës ka njoftuar ngritjen e muzeut ”Besa”, një hapësirë e re kulturore në zemër të Tiranës, që do të përkujtojë veprimet heroike të shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit, shkruan Zvika Klein për ”Jerusalem Post”.

”Muzeu do të vendoset në një ndërtesë historike (Shtëpia e Toptanëve) që mishëron arkitekturën më të mirë shqiptare të shekullit XIX dhe është cilësuar si Trashëgimi Kulturore dhe Monument Kulture.

Rezidenca ka një formë katërkëndëshe, me sallën e vendosur në qendër dhe dhoma të shpërndara rreth sallës. Brendësia është e dekoruar me piktura murale dhe gdhendje druri. Kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi ngritjen e muzeut të ri në një event gala që nderoi shqiptarët, gjatë vizitës së tij të fundit në Jeruzalem.

Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka shpallur një konkurs të hapur projektimi për propozimet e dizajnit të arkitekturës, financuar nga filantropisti izraelit Alexander Machkevitch, me qëllim gjetjen e zgjidhjes më të mirë të projektimit për ndërtimin e muzeut.

Në fazën e parë, kandidatët do të paraqesin përbërjen e ekipeve të tyre, kualifikimet, metodologjinë e punës dhe vizionin për sitin, duke përfshirë një koncept paraprak. Në përfundim të kësaj faze, juria do të përzgjedhë pesë skuadrat dhe konceptet më të mira, të cilat do të mund të vazhdojnë punën për fazën e dytë. Në fazën e dytë, juria do të shqyrtojë propozimet e pesë ekipeve të përzgjedhura dhe do të zgjedhë propozimin fitues.

”Jam i përulur që jam pjesë e këtij projekti të rëndësishëm që do të përkujtojë trimërinë e shqiptarëve që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit”, tha Machkevitch.

Ai shtoi se ”populli shqiptar dhe veçanërisht Rama, ka treguar përkushtim të madh për ruajtjen e kujtimit të këtyre akteve heroike dhe është nder të punosh përkrah tyre. Ky projekt është një dëshmi e fuqisë së solidaritetit dhe dhembshurisë përballë errësirës dhe shpresoj se do të frymëzojë brezat e ardhshëm për të vazhduar këtë trashëgimi të mirësisë”.

Muzeu “Besa”

Muzeu ”Besa” do të hapë rrugën për krijimin e një destinacioni të historisë së lavdishme të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe të historisë, traditës, kulturës dhe artit hebre, sipas qeverisë shqiptare. Muzeu do të vendosë një standard të ri për hapësirat e këtij lloji në Shqipëri për sa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, drejtimit, krijimit të ekspozitave, tregimit, edukimit dhe angazhimit të komunitetit.

Rama ka deklaruar se ”ky është një tjetër moment shumë i rëndësishëm në historinë, zhvillimin urban dhe arkitekturën e Tiranës dhe besoj se më në fund do të mund të marrim një psherëtimë të lehtësuar nga një barrë e kahershme detyrimi në lidhje me fëmijët tanë dhe vizitorët në vendin tonë, që lidhet ndoshta me faqen më të lavdishme të historisë shqiptare, shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shtoi se “shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një nga faqet më të bukura në historinë e shqiptarëve. Të krishterët dhe myslimanët sakrifikuan gjithçka për t’i mbrojtur ata. Për shqiptarët kjo është BESA, është një vlerë që ne do t’ua përcjellim fëmijëve tanë duke u treguar atyre këtë histori të jashtëzakonshme”.

Muzeu ”Besa” do të jetë një urë komunikimi mes brezave, një hapësirë dialogu për ndarjen e vlerave më të mira të popujve tanë.

Muzeu ”Besa” do të shërbejë si pikë takimi, qendër dialogu për shkëmbimet kulturore e më gjerë.

Ai synon të jetë një atraksion i shtuar turistik në Tiranë, si dhe një qendër për edukimin dhe angazhimin e komunitetit.

Krijimi i muzeut ”Besa” njeh rëndësinë e ruajtjes dhe kremtimit të ndikimit të vlerave përfaqësuese në shoqërinë, kulturën dhe veprimtarinë shqiptare, veçanërisht në lidhje me shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit.

Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj sesa para luftës.

Populli shqiptar refuzoi të dorëzonte te nazistët qoftë një hebre të vetëm dhe shumë shqiptarë rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur hebrenjtë nga persekutimi. / atsh / KultPlus.com

Kryeministri Kurti i pret përfaqësuesit e Handikosit i ulur në karrocë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesit e Handikosit me rastin e 1 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës.

Kryeministri dhe kabineti i tij priti përfaqësuesit ulur në karrocë, në shenjë solidariteti me ta. Gjatë ditës, përfaqësuesit e Handikosit do të takohen edhe me presidenten, Vjosa Osmani dhe me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca. / KultPlus.com

Me “Poezi për Fuqi” Artpolis shënon Ditën e Gruas, solidarizohet me tri gra

Me poezi inspiruese dhe fuqizuese nga poetet/ët, të interpretuara edhe nga aktoret/ët dhe aktivistet/ët, Artpolis do të sjellë mbrëmjen poetike “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 mars” në Menzën Ramiz Sadiku, më 2 mars, 2023 nga ora 20:00.

Audienca do të ketë rastin të përjetojë një mbrëmje artistike të veçantë, në të cilën ndërthuren arti i poezisë feministe, aktrimit, muzikës dhe vallëzimit. Që të gjitha në shërbim të fuqizimit të grave dhe vajzave në Kosovë.   

Në këtë mbrëmje do të interpretojnë artiste/ë dhe aktiviste/ë të dëshmuar në Kosovë, në mesin e tyre do të jenë poetet/ët: Arbër Selmani, Gili Hoxhaj, Sibel Halimi dhe Shpëtim Selmani.

“Poezi për fuqi” do të pasurohet edhe me interpretimet e aktoreve/ëve dhe aktivisteve/ëve: Anisa Ismaili, Aleksandra Jovičić, Denis Galushi, Donato Giuliani, Fatmir Menekshe, Igballe Qena, Mila Mihajlovic, Meli Qena, Neri Ferizi dhe Shkelzen Veseli.

Gjithashtu do të interpretojë poezi të përzgjedhura nga Shpëtim Selmani edhe Trupa Artistike Rezidente e Artpolis në përbërje të: Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qendresa Kajtazi, Zhaneta Xhemajli.

Me koreografi nga Robert Nuha do të sjellin vallëzime bashkëkohore kërcimtarët: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Lavdije Idrizi, Enis Mulaku, Genta Hoxha,  dhe Ibrahim Tusha.

Poezitë do të përcjellën me muzikë nga bendi i Semira Latifit, së bashku me Arian Randobrava dhe Ilir Bajri.

“Poezi për Fuqi” edhe sivjet udhëhiqet nga regjisorja dhe drejtoresha e Artpolis, Zana Hoxha.

Edhe sivjet solidariteti është pjesë e rëndësishme e kësaj mbrëmje. “Poezi për Fuqi” mëton të fuqizojë tri gra kryefamiljare nga Skenderaj, Klina dhe Mitrovica, qytete këto prekura nga vërshimet. Paratë e mbledhura nga biletat do t’iu dedikohen këtyre grave!

E për publikun edhe këtë herë do të jetë në dispozicion “Mikrofoni i hapur”, që mund të bashkohet në skenë me artistet/ët për të interpretuar poezitë e tyre ose të autoreve feministe.

Ky aktivitet realizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, mbështetur nga cfd. / KultPlus.com

Shqipëria fituese e çmimit “Andersen”, në Danimarkë

Shqipëria është shpallur fituese e çmimit të madh “Andersen”, që jepet çdo vit nga Komiteti “Andersen” në Danimarkë.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti teksa shkroi në rrjete sociale se “është kënaqësi të ndash jo vetëm me dashamirësit e letërsisë, lajmin e mirë se për herë të parë, Shqipëria është shpallur fituese e Çmimit të madh “Andersen”, që jepet çdo vit nga Komiteti “Andersen” në Danimarkë”.

Një çmim i merituar nga Klodian Briçi, përkthyes i mbi 40 veprave të rëndësishme nga letërsia e botërore në gjuhën shqip, për përkthimin “Përrallat e Andersenit” (101 përralla).

“Tashmë edhe Shqipëria është në hartën e përkthimeve më të mira të Andersenit”, tha Margariti./ atsh / KultPlus.com

Gjermania gati të ndalojë reklamimin e ushqimeve jo të shëndetshme për fëmijët

Ministri gjerman i Bujqësisë Cem Ozdemir bëri thirrje për ndalimin e të gjitha reklamave ushqimore që nuk janë të shëndetshme për fëmijët.

Propozimi i ministrit ka të bëjë me ëmbëlsirat, ushqimet me përmbajtje të lartë kripe, sheqeri apo yndyre. Konsumimi i këtyre ushqimeve nga fëmijët lidhet me zhvillimin e obezitetit, diabetit apo sëmundjeve të tjera.

Reklamat përkatëse në TV, radio, YouTube dhe Instagram duhet të transmetohen vetëm ndërmjet orës 23:00 dhe 06:00.

Gjithashtu, do të ndalohen reklamat për ëmbëlsirat në postera pranë shkollave dhe qendrave të aktivitetit të fëmijëve.

Grupet e konsumatorëve, siç raportohet nga Guardian, po bëjnë thirrje të ndalohet vendosja e këtyre ushqimeve në vendet ku mund të shihen nga fëmijët. Këto produkte zakonisht vendosen pranë kasave në mënyrë që fëmijët t’i shohin dhe t’u luten prindërve t’u blejnë diçka përpara se të paguajnë.

Një në dy gjermanë, si dhe 15% e fëmijëve në vend, janë mbipeshë, sipas shkencëtarëve shëndetësorë në vend.

Ozdemir tha se do të kërkonte mbështetje ndërpartiake për planin, megjithëse ai pret të përballet me rezistencë. Plani u përfshi në marrëveshjen për formimin e qeverisë së koalicionit nga socialdemokratët, të gjelbërt dhe FDP. / KultPlus.com