Presidentja Osmani kujton masakrat e Studenicës dhe të Llashticës: Drejtësia për të rënët në luftë është angazhim i pareshtur i yni

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka përkujtuar masakrat e Studenicës dhe të Llashticës.

25 vite më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në një nga ofansivat e tyre për shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin etnik masakruan 6 të moshuar dhe 4 vajza të mitura të moshës 12-15 vjeçe, të familjeve Lipaj – Zeqiraj në Studenicë të Istogut.

Të njëjtën ditë, më 13 prill 1999 makineria vrastare e Serbisë në Llashticë të Gjilanit, pushkatoi e më pas dogji 13 shqiptarë, ndër të cilët edhe Fisnik Shabanin, 2 vjeçar.

Presidentja Osmani në 25 vjetorin e masakrave ka thënë së barbaria e regjimit kriminal serb nuk ka njohur moshë, prandaj drejtësia është e domosdoshme dhe nuk do të ndalojnë asnjëherë në kërkim të saj.

“Drejtësia për ta është angazhim i pareshtur i yni.

Qoftë i perhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”, është shprehur Presidentja Osmani./KultPlus.com

13 instrumentistë nga Konservatori i Potencës interpretuan për artdashësit durrsakë muzikë baroke

Një ansambël i përbërë nga 13 instrumentistë dhe soprano nga Konservatori i Potencës, Itali, sollën për artdashësit durrsakë një repertor të pasur me muzikë baroke, një rrymë muzikore kjo pak e njohur në vendin tonë.

“Sheshi, kisha, teatri” ishte koncerti që hapi siparin e iniciativës “Opera në Durrës” të ndërmarrë nga Teatri i Operës dhe Baletit dhe bashkia e qytetit. Për më shumë se një orë, artdashësit ndoqën një repertor ku ndërthuren me njëra tjetrën muzika popollore me atë klasike dhe antike.

“Po sjellim muzikën baroke në një vend, ku njhet pak. Repertori ynë përfshin vepra të fund shekullit XV deri në vitet 1600. Janë rreth 200 vite muzikë, por që nuk mund të përkufizohet si muzikë klasike e mirëfilltë. Ne sjellim vepra që afrohen me muzikën popullore, muzikën etnike dhe atë baroke. Janë kryesisht vepra të kompozitorëve nga Italia e jugut. Shumë nga këta autorë janë anonimë dhe muzika e tyre është përmbledhur në disa tekste të viteve 1500”,- tha drejtori artistik i ansamblit Francesco Aliberti.

Për sopranon Noemi Sangiacomo, interpretimi para publikut durrsak mbart emocione të shumta.
“Sigurisht që kemi shumë emocione. Kur po punonim mbi këtë repertor me maestro Aliberti-n nuk e dinim çfarë na priste. Të mbërrijmë deri këtu dëshmon padyshim një punë të madhe dhe sigurisht emocionet janë të shumtta. Kjo është hera ime e parë në Shqipëri”.
“Opera në Durrës” është nisma e një serie aktivitetesh në qytetin bregdetar, të shtrira në kohë dhe vende të ndryshme./balkanweb/KultPlus.com

‘Vendet më të nxehta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në momente të një krize të madhe morale’

Një gjë sa më perfekte që është, aq më shumë ajo ndien dhimbje dhe kënaqësi.

Më të mençurit janë ata që mërziten më së shumti kur e humbasin kohën.

Nuk ka dhimbje më të madhe se sa ta rikujtosh lumturinë në kohën e mjerimit.

Nëse e ndiqni prirjen tuaj natyrore, ju definitivisht do të shkoni në Parajsë.

Dashuron pak ai që mund të numërojë dhe ta thotë me fjalë se sa shumë dashuron.

Vendet më të nxehta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në momente të një krize të madhe morale.

Zoti është Një; Universi është një mendim i Zotit; Universi është pra Një i tillë. Të gjitha gjërat vijnë nga Zoti. Të gjithë marrin pjesë, pak a shumë, në natyrën hyjnore, në varësi të qëllimit për të cilin janë krijuar. Njeriu është më fisnik nga të gjitha gjërat: Zoti ka derdhur më shumë në të nga natyra e tij sesa te të tjerët. Çdo gjë që vjen nga Zoti priret për përkryerjen e saj për të cilën ai është i aftë. Kapaciteti për përmirësim tek njeriu është i papërcaktuar. Njerëzimi është Një. Zoti nuk bëri asgjë të padobishme; dhe duke qenë se ekziston një njerëzim, duhet të ketë një qëllim të vetëm për të gjithë njerëzit, një punë që duhet të realizohet nga të gjithë ata. Njerëzimi, pra, duhet të punojë së bashku në mënyrë që të gjitha forcat intelektuale të shpërndara në të të marrin zhvillimin më të lartë të mundshëm në sferën e mendimit dhe veprimit. Prandaj, ekziston një fe universale e natyrës njerëzore .

Në origjinën e saj, poezia është shkenca e gjërave njerëzore dhe hyjnore, e kthyer në një imazh fantastik dhe harmonik.

Oh krijesa marrëzie sa injorancë ka në fyerje!

Tri gjëra kanë mbetur nga Parajsa: yjet, lulet dhe fëmijët.

Në botën tonë dy yje i kemi, ne nuk i shohim ata, por e ndiejmë mirë fuqinë e tyre të pamasë.

Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë.

– Dante Alighieri / KultPlus.com


Saranda prezanton potencialet turistike në panairin e Prishtinës

Potencialet turistike të bashkisë Sarandë, po prezantohen në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, Kosova 2024, që po mbahet në Prishtinë nga data 12-13 prill.

Bashkia Sarandë ndau në rrjete sociale pamje nga salloni i ekspozimit në këtë panair, ku shihen krahas fletëpalosjeve dhe produktet tipike të zonës, që prezantojnë një ofertë të pasur turistike që ofron qyteti i bukur bregdetar .

“Saranda All in One” në Prishtinë për të prezantuar potencialin dhe ofertën turistike 2024″, shkroi bashkia Sarandë.

Saranda është një ndër destinacionet më të bukura të Rivierës shqiptare, që vitet e fundit po kryeson me një numër gjithnjë e në rritje të fluksit të vizitorëve dhe turistëve vendas dhe të huaj.

Në fokus të ekspozimit në këtë Panair, është pikërisht promovimi i destinacioneve më të bukura dhe turistike, që ofron ky qytet si dhe shërbimet apo aktivitetet e veçanta që zhvillohen aty gjatë sezonit veror, që vijnë si një përvojë unike dhe e vlefshme për të gjithë ata që zgjedhin të vizitojnë stendën e bashkisë Sarandë në panair.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, Saranda është e rrethuar nga kodra dhe përballë saj ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare./ KultPlus.com

La Fonten: Nuk ka rrugë të shtruar me lule që çon tek lavdia

Thënie të njohura nga Zhan de la Fonten. Ai ishte poeti kombëtar i Francës, njëri ndër krijuesit më prodhimtarë në botë që shkroi pothuaj në të gjitha gjinitë, por shkëlqeu veçanërisht me fabulat e mrekullueshme, të cilat e vunë në radhët e fabulistëve më të mëdhenj të botës.

Një stomak i uritur nuk mund të dëgjojë.

Njeriu shpesh e takon fatin e tij në rrugën që mori për ta shmangur atë.

Një pesimist dhe një optimist, sa është i keq njëri, aq është i mirë tjetri.

Kushdo që i është besuar pushteti do ta keqpërdorë atë nëse nuk ka shpirtin e dashurisë për të vërtetën dhe virtutin, pavarësisht se ai është një princ apo një cilido nga radhët e popullit.

Dije mirë se të gjithë llafazanët jetojnë në kurrë të atyre që i dëgjojnë.

Më mirë një lypsar i gjallë dhe një perandor i vdekur.

Sa të rroni, mos pranoni t’i gjykoni njerëzit nga pamja e jashtme.

Veprat më të shkurtra janë më të mirat.

Nga puna që bën njihet punëtori.

Vdekja nuk e gjen kurrë në befasi njeriun e mençur, ai është gjithmonë gati të largohet.

Veshur me lëkurën e luanit, gomari përhapi frikën gjithandej.

Njerëzit i besojnë lehtësisht gjithçkaje që i druajnë apo e dëshirojnë.

Secili i ka gabimet që rëndom i përsërit: as frika, as turpi nuk na shëron prej tyre.  

Miqësia është hija e mbrëmjes, e cila rritet duke perënduar dielli i jetës.
Ndihmoje veten dhe Zoti do të të ndihmojë ty.

Unë përkulem dhe nuk thyhem.

Më kollaj se askush fajësohet Fati.

Është kënaqësi e dyfishtë ta mashtrosh mashtruesin.

Është e pamundur ta kënaqësh gjithë botën dhe babain e dikujt.

As pasuria, as madhështia nuk na bëjnë dot të lumtur.

Kurrë mos ia shit lëkurën ariut përpara se ta kesh vrarë.

Nuk ka gjë më të rrezikshme se një mik injorant; më mirë është të kesh një armik të zgjuar.

Nuk ka gjë më të rrezikshëm se një mik që nuk e ruan sekretin, edhe një armik fisnik është më i mirë.

Njerëzit duhet ta ndihmojnë njëri tjetrin, ky është ligj.

Njerëzit që nuk bëjnë zhurmë janë të rrezikshëm.

Dashuria e vërtetë është e rrallë, miqësia edhe më e rrallë.

Parimi i njeriut është: më mirë vuaj se vdis.

Trishtimi largohet tutje me flatrat e kohës.

Argumenti i më të fortit është gjithmonë më i miri.

Pasioni më i fortë është frika.

Nuk ka rrugë të shtruar me lule që çon tek lavdia.

Për njerëz të urtë nuk ka asgjë të padobishme.

Na pëlqen t’i shohim të tjerët, por nuk na pëlqen që të tjerët të shohin nëpërmjet nesh.

Ne duhet të qeshim para se të jemi të lumtur, nga frika se do të vdesim pa qeshur ndonjëherë./ KultPlus.com

Ndalimi i abortit në Arizona, rikthen në fushatën presidenciale temën e të drejtave riprodhuese

Të drejtat riprodhuese janë vendosur përsëri në qendër të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ndërsa kandidati republikan Donald Trump u distancua nga vendimi i Gjykatës së Lartë të Arizonës që ndaloi pothuajse të gjithë abortet në këtë shtet. Ekipi i fushatës së Preidentit Biden thotë se përgjegjës për humbjen e të drejtës së abortit është zoti Trump.

Këtë javë Donald Trump bëri të ditur qasjen e tij mbi kufizimet për të drejtën për abort, por shmangu një qëndrim të qartë mbi propozimin për ndalimin e abortit në nivel kombëtar, që mbështetet nga anëtarë të njohur të partisë së tij.

“Shtetet do të jenë ato që do të vendosin përmes një votimi apo legjislacioni ose ndoshta të dyja. Vendimi i shteteve duhet të jetë ligji përfundimtar”, u shpreh Donald Trump, kandidati republikan për President.

Një ditë pas kësaj deklarate, Gjykata e Lartë e Arzionës vendosi ndalimin e pothuajse të gjitha aborteve, duke kërkuar zbatimin e një ligji të vitit 1864, që nuk kejon abortin as në rastet e përdhunimit apo të incestit.

Ish presidenti Trump tha se ky vendim shkon shumë larg.

“Siç e dini është e drejta e secilit shtet që të vendosë (për abortin). Kjo çështje do të rregullohet dhe jam i sigurt se guvernatorja dhe çdo kush tjetër do e kthejnë atë brenda kufijve të arsyeshëm, besoj se është një çështje që do trajtohet mjaft shpejt”, tha ai.

Guvernatorja e Arizonës, demokratja Katie Hobbs veproi me shpejtësi për të bllokuar prokurorët e shtetit që të hetojnë gratë që abortojnë si dhe mjekët që i ndihmojnë ato.

“Refuzoj që prokurorët ekstremistë të këtij shteti të përdorin këtë ndalim të së drejtës për abort për të burgosur gratë që kërkojnë kujdes mjekësor si edhe doktorët që e ofrojnë atë. Adiministrata ime ka zgjeruar qasjen ndaj kontraceptivëve në rang shtetëror”, tha guvernatorja e Arizonës Katie Hobbs.

Në Florida, Gjykata e Lartë e këtij shteti ka vendosur pro ligjit për ndalimin e abortit pas javës së gjashtë të shtatzënisë, i cili hyn në fuqi muajin e ardhshëm.

Ish presidenti Trump po përpiqet të sigurojë votuesit se shtetet mund të ndryshojnë vendime të tilla që nuk gëzojnë mbështetjen e opinionit publik, duke i kujtuar ata se ishte ai që i dha fund mbrojtjes kushtetuese të së drejtës për abort.

“Ne ia dolëm. Ishte diçka e jashtëzakonshme, një arritje e pabesueshme. E arritëm dhe tani vendimi u takon shteteve, që do të vendosin siç duan. Eshte vullneti i njerëzve. Kështu që Florida me shume gjasë do e ndryshojë ligjin. Arizona pa asnjë dyshim se po. Të gjithë e donin këtë dhe tani po çdo gjë është në vullnetin e qytetarëve. Ka qenë vërtet bukur”, tha zoti Trump.

Përmes një deklarate, ekipi i fushatës së Presidentit Joe Biden tha se: “Donald Trump është fajtor për vuajtjet dhe kaosin që po ndodh tani, duke përfshirë Arizonën, sepse ai me krenari përmbysi” mbrojtjen federale të së drejtës për abort”.

Arizona është një shtet i rëndësishëm në këto zgjedhje presidenciale, ku mbështetës së të drejtës për abort njoftuan javën e kaluar se kanë mbledhur firmat e mjaftueshme që në zgjedhjet e nëntorit të votohet edhe për një ligj për ta kthyer abortin në të drejtë kushtetuese në këtë shtet.

Ligjvënësi demokrat nga Arizona Greg Stanton, beson se shteti i tij dhe mbarë kombi gjenden në një pike kthese lidhur me të drejtën për abort.

“Këtë nëntor, në Arizona, qasja e sigurt dhe e ligjshme ndaj abortit do të jetë në fletëvotim dhe njerëzit nuk do të qëndrojnë indiferentë. Ata do të vrapojnë drejt qendrave të votimit dhe do të marrin pjesë masivisht në votime për të zgjedhur kandidatët që me të vërtetë, në mënyrë të vazhdueshme dhe të sinqertë mbështesin të drejtat e abortit”.

Në votime të ngjashme që u mbajtën në shtetet Ohajo dhe Kansas, në dy vitet e fundit, republikanët janë përballur me humbje./VOA/ KultPlus.com

Gryka e Këlcyrës: Nën këmbët e saj vërshon e kaltër Vjosa

Lumi Vjosa që përshkon Grykën e Këlcyrës në Peshtan, ofron një peizazh karakteristik shumë të bukur natyror, ku ndërthuret bimësia dhe drurët pyjor përgjatë burimeve ujore në shtratin e lumit Vjosë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjete sociale pamje nga Gryka e Këlcyrës, që të ofron një pamje spektakolare të natyrës, ndërthurur me ngjyrën e kaltër të lumit Vjosë.

“Gryka e Këlcyrës nën këmbët e së cilës vërshon e kaltër Vjosa”, shkroi Kumbaro.

Vitet e fundit Gryka e Këlcyrës është kthyer në një destinacion të eksplorimit të natyrës për turistët dhe vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj.

Kjo grykë ka një formim shkëmbor shumë të veçantë, ku lumi Vjosa pushon midis dy maleve me një gjerësi maksimumi 1 km dhe me burime kristal që derdhen në Vjosë duke krijuar ujëvara me një bukuri të rrallë.

Gryka gjendet mes vargmaleve Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë dhe Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto.

Ndërsa Peshtani ku gjendet Gryka e Këlcyrës, ka po ashtu një perspektivë të mirë sa i përket përdorimit të Vjosës për turizëm. Duke qenë se Vjosa në Peshtan është në nga pjesët e saj më të bukura, aty ka filluar zhvillohet sporti i kanotazhit dhe për çdo vit shtohen grupet e turistëve që frekuentojnë fshatin për këtë lloj turizmi.

Banorët kanë nisur t’i kthejnë shtëpitë e tyre në bujtina agroturistike, që janë mjaft të frekuentuara nga vizitorët dhe turistët e huaj, që vijnë për të pushuar dhe eksploruar bukuritë e jashtëzakonshme natyrore të kësaj zone.

Peshtani është 16 km në lindje të Tepelenës, në bregun e majtë të lumit Vjosa, aty kush bashkohet lumi i Zagories me Vjosën. Ai gjendet në qendër të një prej grykave më të mëdha në Ballkan, Gryka e Këlcyrës 13 km, një monument i rrallë natyror. / KultPlus.com

Policia në Paris thotë se po e fiton luftën kundër krimit afër Kullës Eiffel

Shefi i Departamentit policor në Paris, Laurent Nunez, ka thënë se shkalla e krimit ka rënë në mënyrë të konsiderueshme rreth Kullës Eiffel dhe zonave tjera turistike, para nisjes së Lojërave Olimpike më vonë gjatë vitit.

Ai ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP se angazhimi i forcave policore shtesë ka ndihmuar në uljen e numrit të vjedhjeve dhe sulmeve rreth Kullës Eiffel, ku dyshimet për dhunimin e dy turisteve të huaja pati shkaktuar zemërim të madh publik vitin e kaluar.

“Kemi pasur rezultate fantastike në këtë zonë, si dhe zonat tjera turistike në Paris”, ka thënë ai për agjencinë AFP.

Numri i sulmeve të raportuara fizike ka rënë për 58 për qind në 21 incidente në çerekun e parë të vitit, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa krimet e raportuara nëpër prona, përfshirë vjedhjet dhe vandalizmat, kanë rënë për 18 për qind apo në 170 incidente në periudhën e njëjtë.

Një turiste braziliane dhe një britanike kanë thënë se janë dhunuar në parkun Champs de Mars para Kullës Eiffel, vitin e kaluar, cka pati tronditur shumë parisienë.

“Ne do të vazhdojmë të kemi prezencë të madhe policore në këtë zonë shumë të rëndësishme për gjithë rajonin e Parisit, sepse është imazhi i Parisit, është vendi ku miliona njerëz vijnë çdo vit”, ka thënë Nunez.

Statistikat për krimet përfshijnë vetëm ato që janë raportuar, pasi shifra e saktë besohet se është më e lartë.

Kryeqyteti francez është duke u përgatitur për Lojërat Olimpike që nisin më 26 korrik dhe ato Paralimpike që nisin më 28 gusht.

Rreth 10 milionë persona pritet të vizitojnë Parisin atë periudhë./REL/ KultPlus.com

Revista gjermane “Kronen Zeitung”: Zbuloni destinacionin e ri mesdhetar, Shqipërinë

Jo çdo udhëtim duhet t’ju çojë domosdoshmërisht në brigjet e Greqisë ose Italisë. Dëshira për shumëllojshmëri, larg turizmit masiv është e madhe. Zbuloni destinacionin e ri mesdhetar: Shqipërinë, shkruan e përditshmja gjermane “Kronen Zeitung”.

Nëse kërkoni diçka ndryshe, nuk duhet të humbisni Shqipërinë si një alternativë në Mesdhe. Vendi ende i panjohur ballkanik është lehtësisht i arritshëm, dhe dukshëm më pak i mbushur me njerëz.

Me një sipërfaqe prej 28,748 km2, vendi i vogël ofron plazhe të bukura me rërë,  fshatra të qetë dhe një faunë dhe florë unike.

Peizazhe të gjera, të pacënuara, shtëpia e arinjve dhe ujqërve, të ngulitura në një sfond malor piktoresk: Alpet Shqiptare deri në 2700 metra të larta në verilindje.

Në Rivierën Shqiptare, në jugperëndim të vendit, aty ku deti Jon takohet me Adriatikun, ka plazhe ëndrrash të ngjashme me Karaibet.

Kryeqyteti mund të arrihet direkt nga Vjena në pak më pak se një orë e gjysmë.

Tirana është jashtëzakonisht e ndryshme: peizazhi i qytetit karakterizohet nga ndërtesa të parafabrikuara, rrokaqiejt, xhamitë dhe kishat, si dhe ndërtesat shumëngjyrëshe të banimit. Një ndërthurje unike e arkitekturës osmane, komuniste dhe moderne.

Ju mund të vizitoni Xhaminë e Et’hem Beut, Sheshin Skënderbeu – Skënderbeu është heroi kombëtar i Shqipërisë dhe figura qendrore në historinë shqiptare në luftën kundër osmanëve – dhe rrënojat e kalasë së vjetër.

Dikur një ekspozitë për nder të diktatorit Enver Hoxha, sot një qendër kulturore: piramida në qendër të kryeqytetit, prej mermeri të bardhë, qelqi dhe çeliku të kuq.

Pas më shumë se 30 vjetësh, Shqipëria ka lënë plotësisht pas të shkuarën e saj komuniste: diktatori Enver Hoxha e drejtoi vendin për katër dekada deri në vdekjen e tij në 1985.

Regjimi shqiptar konsiderohej shumë kufizues: Shqipëria ishte e varur nga vetëmjaftueshmëria dhe plotësisht e izoluar nga bota e jashtme.

Bunk’Art 2 në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë është një shembull jashtëzakonisht pozitiv i përballjes me të kaluarën në Evropën Juglindore.

Reliket nga Lufta e Ftohtë janë përhapur në të gjithë vendin: midis viteve 1972 dhe 1983, u ndërtuan qindra mijëra bunkerë.

Ju mund të zhyteni më thellë në të kaluarën e vendit në Muzeun Bunk’Art 2, në Tiranë. Në ish objektin e mbrojtjes mund të mësoni gjithçka për kampet e tmerrshme të punës, burgjet për të përndjekurit politikë, si dhe metodat e përgjimeve dhe praktikat e torturës.

Në perëndim të Tiranës shtrihet porti i bukur i Durrësit, një parajsë me plazhet më të bukur me rërë.

Berati, “Qyteti i një mijë dritareve” është renditur në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Mos e humbisni në një udhëtim në Shqipëri! Ka shumë për të parë nga ana kulturore: Ju mund të vizitoni kështjellën mesjetare, xhamitë e shumta, kishat dhe shtëpitë tipike të bardha me çatitë e tyre të kuqe.

Me rëndësi historike është edhe qyteti i vogël i Krujës, ku Skënderbeu kishte kalanë e tij.

Qyteti mesjetar me pazarin e tij ofron pamje piktoreske të vendosur në faqen e një shkëmbi mbi fushë.

Do të keni mundësinë të gjeni artikuj antik dhe vepra artizanale.

Një pamje e mrekullueshme zbulohet në Kepin e Rodonit, 10 kilometra i gjatë që shtrihet në detin Adriatik, ku gjelbërimi takohet me blunë e detit – natyra e Shqipërisë shfaqet në anën e saj më të egër.

Edhe këtu ndodhet rrënoja e vjetër e një fortese që i përket heroit kombëtar. Motra e Skënderbeut ndërtoi kishën e vogël romaneko-gotike të Shën Antonit, e cila tregon një nga simbolet e para të stemës kombëtare: shqiponjën dykrenare.

Shqipëria është një destinacion ndryshe – por asnjëherë e mërzitshme! / KultPlus.com

Sarrazin: Gjermania kurrë nuk do të përkrah ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës

I dërguari gjerman për Ballkanin Manuel Sarrazin: Gjermania nuk përkrah ndonjë formë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që minon integritetin e Kosovës, por moskrijimi i tij pengon Kosovën drejt BE-së.

I ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin e ka vizituar dy herë Prishtinën brenda tre javëve për të diskutuar me autoritetet kosovare Procesin e Berlinit dhe zhvillimet rreth dialogut Kosovë-Serbi. Pas takimeve në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësuesit politikë të Listës Srpska, emisari gjerman tha se Gjermania kurrë nuk përkrah ndonjë formë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që minon integritetin e Kosovës. Por sipas tij, moskrijimi i Asociacionit nuk e çon Kosovën drejt BE-së.

“Jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet”

Politikani gjerman, theksoi, se “tani është koha e duhur që të vazhdohen më tej hapat për krijimin e Asociacionit”. “Të gjithë e dinë se shumë vende mosnjohëse brenda BE-së shikojnë nga Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, por unë nuk mund t’iu them se çfarë do të bëjnë ata, nëse kjo kryhet ose jo, sepse nuk është puna ime. Gjermania njeh Kosovën, por, edhe ne jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet, veçanërisht tani dhe të shkohet më tej. Mund të keni besim tek Gjermania, ne kurrë nuk do të përkrahim ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës, por, moskrijimi i Asociacionit nuk çon drejt BE-së”, deklaroi shkurt Sarrazin.

Kusht shtesë për Kosovën?

Në fund të muajit prill, Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës pritet të votojë raportin e raportueses, Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KE. Ndonëse jo zyrtarisht, në medie në Prishtinë ka debat, se diplomatët perëndimorë kanë përmendur mundësinë që krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të jetë “kusht” shtesë që Kosova duhet ta përmbushë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Gjermania nuk ka ende qëndrim për raportin e Bakoyannis

Sipas diplomatit gjerman Manuel Sarrazin, Gjermania ende nuk ka një qëndrim të tillë. “Qeveria gjermane nuk ka ende qëndrim për raportin e Bakoyannis, është procedura më tej e votimit të Këshillit dhe pastaj do t’i marrim të gjitha në konsideratë”, tha Sarrazin.

Lisa Srpska nuk tërhiqet nga bojkoti

I dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanin, tha se zhvillimet e fundit në veri, sidomos vendimi i Listës Srpska që të bojkotojë votimet e 21 prillit për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve shqiptar në komunat veriore, e sollën atë në Kosovë. Sarrazin pati takim edhe me përfaqësues të Listës Srpska, dhe tha se nuk kishte ndonjë sinjal se ata do të tërhiqen nga vendimi i tyre. “Nga ky takim nuk më dhanë shenja të qarta të cilat do të më jepnin idenë se cili do të ishte kompromisi”, tha emisari gjerman.

Edhe ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT-it, ku bëjnë pjesë Franca, Gjermania, Italia, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe zyra e BE-së i kërkuan Listës Srpska që të tërhiqet nga vendimi për bojkotim të zgjedhjeve të 21 prillit në veri të Kosovës me të cilat parashihet shkarkimi i kryetarëve shqiptarë. “Na vjen keq për deklaratat e Listës Serbe dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryetarëve. Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet në deklaratën e Quint. Me tej thuhet se zgjedhjet e 23 prillit të vitit 2023,ë kur me një pjesëmarrje të ulët në votime u zgjodhën kryetarët shqiptar, “nuk dhanë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna dhe se qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve”.

Pavarësisht thirrjeve të Listës Srpska për bojkotim të zgjedhjeve votimi për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë do të mbahet më 21 prill, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në këtë kuadër QUINT i bën thirrje Qeverisë së Kosovës “që të jetë e përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj dhe të veprojë me profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi”./DW/ KultPlus.com

25 vite më parë serbët i vranë 9 anëtarë të familjes Lipa, trupat e tyre i hodhën në bunarin e shtëpisë dhe i vendosën dinamit


Sot është 25 vjetori i kësaj masakre të tmerrshme që ndodhi në Studenicë të Istogut. KultPlus sjell këtu prezentimin e ndodhisë nëpërmjet “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, botuar nga Admovere:

STUDENICË

Pas fillimit të bombardimeve të caqeve policore e ushtarake sërbe e jugosllave prej NATO-s (24 mars 1999), në fshatin Studenicë të Istogut, konkretisht në shtëpinë e Salih Zeqirajt, strehohen disa të afërm, gra, fëmijë e pleq të familjes Lipa nga fshati fqinj Kamenicë.  Më 12 prill 1999, në fshatrat fqinje Vrellë e Lubozhdë, zhvillohen luftime ndërmjet UÇK-së dhe forcave policore e ushtarake sërbo-jugosllave, me ç’rast vriten 11 ushtarë të UÇK-së. Po këtë ditë familja Lipa vendos të largohet nga fshati Studenicë dhe të strehohet rrëzë bjeshkëve, në fshatin e afërt Kaliqan.

Mëngjesin e të nesërmes, Salih Zeqiraj, bashkë me disa prej grave dhe vajzave të familjes Lipa, kthehet në shtëpinë e vet në Studenicë për të marrë ushqime.  Forcat sërbe i zënë në shtëpi, i torturojnë dhe vrasin të zotin e shtëpisë, Salih Zeqirajn 85-vjeçar, si dhe tetë anëtarë të familjes Lipa, që të gjithë civilë të paarmatosur, prej të cilëve katër vajza të moshave 13-15 vjeçare, si dhe katër gra, tri prej të cilave mbi 65-vjeçare.

Sipas gazetarit Francesco Grignetti të gazetës italiane ‘La Stampa’, dy vajza të mitura dhe një grua e familjes edhe përdhunohen para se të vriten.

Më pas, forcat sërbe i hedhin trupat e të vrarëve në bunarin e shtëpisë, rreth 20 metra të thellë, dhe i mbulojnë me dhé, gurë, kashtë e gëlqere.  Sipër hedhin edhe një televizor të vjetër e një shporet, dhe vënë dinamit, por shpërthimi vetëm pjesërisht i shkatërron muret e bunarit. Trupat më në sipërfaqe copëtohen nga eksplodimi, kurse të tjerët më në thellësi mbesin të paprekur .

Po të njëjtën ditë, forcat sërbe në Studenicë vrasin edhe tri plaka e dy pleq, të gjithë mbi 65-vjeçarë.

Ndërkohë, anëtarët tjerë të familjes Lipa, sikurse edhe banorët e fshatrave Vrellë, Studenicë e Kaliqan, të strehuar rrëzë bjeshkëve, kapërcejnë kufirin dhe dalin në Mal të Zi, ku qëndrojnë disa ditë.  Për shkak të pasigurisë, kalojnë në Shqipëri, ku qëndrojnë deri në përfundimin e luftës, pa ditë asgjë rreth fatit të familjarëve që ishin kthyer në Studenicë.

Pas tërheqjes së forcave sërbe e jugosllave dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, të mbijetuarit e familjes Lipa kthehen nga Shqipëria, duke shpresuar se do t’i gjejnë familjarët e mbetur.  Shtëpinë e Salih Zeqirajt e gjejnë të shkatërruar, sikur gati të gjitha shtëpitë e fshatit, vërejnë çdokund njolla gjaku  dhe bunarin e mbuluar me gjithfarë materialesh.

Me ndihmën e fshatarëve dhe në prani të KFOR-it italian, më 23 qershor 1999, familjarët i nxjerrin trupat e të vrarëve nga bunari , e më pas i varrosin në fshatin Kamenicë. Një oficer i KFOR-it italian, duke e parë tërë këtë tmerr, thotë “le të shpresojmë se i kanë vrarë para se t’i hidhnin në bunar” .

Në tërësi, sipas Humanitarian Laë Center, më 13 prill 1999 forcat sërbe në fshatin Studenicë të Istogut kanë vrarë 14 civilë të paarmatosur shqiptarë, ndër të cilët gjashtë gra, përveç njërës të gjitha mbi 65-vjeçare, katër vajza 13-15 vjeçare, si dhe katër pleq 65-85 vjeçar.

Për këtë masakër deri më sot nuk është dënuar, e madje as gjykuar, askush./ KultPlus.com

Thëniet më të bukura nga Thomas Jefferson

Thomas Jefferson (13 prill, 1743 – 4 korrik, 1826) ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më vonë shërbeu si Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara nga viti 1801 deri më 1809.

Për lexuesit tanë sjellim një koleksion me thëniet më briliante të Jefferson:

“Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë për të mbajtur ata që duan të rrinë”

“Një Ligj i të Drejtave është diçka të cilin njerëzit ia kërkojnë çdo qeveri dhe të cilin asnjë qeveri nuk duhet ta refuzojë ose ta vonojë.”

“Një burracak është shumë më tepër i prirur të grindet se çdo njeri shpirtmirë.”

“Një trup i fuqishëm e bën mendjen të fuqishme.”

“Një qeveri e zgjuar dhe kursimtare, e cila do t’i lërë njerëzit të lirë që t’i rregullojnë vetë prodhimet dhe vlerat, dhe të mos ua marrë nga goja bukën që kanë fituar – ky është përkufizimi i një qeverie të mirë.”

“Reklamat janë e vetmja e vërtetë që përmban një gazetë.”

“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar është që njerëzit me të vetëdijë të lartë të heshin.”

“Gjithashtu duhet ta ngulitim në mendje parimin e shenjtë se, ndonëse vullneti i shumicës në të gjitha rastet merr rëndësi, për të qenë i drejtë, duhet të jetë i arsyeshëm; se të gjitha pakicat zotërojnë të drejtat e tyre të barbarta, të cilat ligji i barbartë duhet t’i mbrojë, dhe shkelja e tij do të ishte shtypje.”

“Gjithmonë mbaji gjërat nga doreza e lëmuar.”

“Një shoqëri njerëzish të cilët nuk grinden me njëri tjetrin është një gjë e cila nuk ka ekzistuar kurrë, që nga perandoria më e madhe tek mëhalla më e vogël e katundit.”

“Armiku përgjithësisht thotë dhe beson çfarë dëshiron ai.”

“Një mik i lënduar është më i hidhur se të gjithë armiqtë.”

“Ashtu si thonë armiqtë tanë, ne mund të arsyetojmë si njerëz, prandaj le t’iu tregojmë atyre se mund të luftojmë gjithashtu si njerëz.”

“Ji i sjellshëm me të gjithë, por hape zemrën vetëm me pak prej tyre.”

“Trupi i sëmurë është i padurueshëm, por më i padurueshmi nga të gjitha gjërat njerëzore është trupi pa mendje.”

“Librat përbëjnë kapital. Një bibliotekë është jetëgjatë sa edhe një shtëpi, me qindra vjet. Pra librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital.”

“Miqësia është e çmueshme, jo vetëm në hije, por edhe në dritën e jetës, dhe falë qeverisjes së mirë të miqësisë pjesa më e madhe e jetës sonë është dritë.”

“Bëj tregti me të gjitha vendet, aleancë me asnjërin, kjo duhet të jetë motoja jonë.”

“Pushtimi nuk është në parimet tona. Është i papajtueshëm me qeverinë tonë.”

“Shtyrja për më vonë është më e pëlqyeshme se gabimi.”

“Ndryshimi i opinionit është i dobishëm në religjion. Disa sekte kanë zyrën e Censorit – ndaj njëri – tjetrit.”

“Mos e kafsho karremin e kënaqësisë, gjersa ti e di se përtej ti është grepi.”

“A do ta dish se kush je? Mos pyet. Veprimet do ta përvijojnë dhe përkufizojnë se kush je.”

“Mos fol për çfarë ke bërë apo për çfarë ke ndërmend të bësh.”

“Arsimoje dhe informoje krejt masën e popullit…Ata janë e vetmja mbështetje e sigurt e ruajtjes së lirisë sonë.”

“Ndriçoi njerëzit përgjithësisht, dhe tirania e shtypja e trupit dhe mendjes do të shuhen sikurse shpirtërat e ligj në agimin e ditës.”

“Gabimet e opinionit mund të tolerohen atje ku arsyeja lihet e lirë t’i luftojë ato.”

“Secili qytetar duhet të jetë një ushtar. Kështu bënin grekët dhe romakët, dhe duhet të bëhet kështu në çdo shtet të lirë.”

“Cdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre.”

“Përvoja ka treguar se njeriu është e vetmja kafshë që e ha dikë të llojit të vet, sepse unë nuk mund të gjej një term më të butë për të përkufizuar sjelljen e të pasurit ndaj të varfërit.”

“Përvoja ka treguar se madje edhe format më të mira të qeverive të cilave iu është besuar pushteti, me kohë dhe ngadalë janë shndërruar në tirani.”

“Për një popull që është i lirë dhe dëshiron të jetë i tillë, një polici e armatosur mirë dhe e organizuar mirë do të ishte siguria e tij më e mirë.”

“Forca është parimi vital dhe prindi i afërt i despotizimit.”

“Miqësia është një tjetër emër për aleancën me marrëzitë dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Pjesa jonë e halleve është e mjaftueshme: pse atëherë vullnetarisht hyjmë në ato të të tjerëve?”

“Ai që di më së shumti, e di sa pak ai di.”

“Ai që di më pak është më pranë së vërtetës, se ai mendja e të cilit është e mbushur me rrena dhe gabime.”

“Historia në përgjithësi na informon ne vetëm sa e keqe është qeveria.”

“Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë.”

“Sa shumë dhimbje na kanë kushtuar ne ligësitë që nuk ndodhën kurrë.”

“Unë e urrej luftën dhe e shoh atë si ndëshkimin më të madh të njerëzimit.”

“Unë jam një epikurian. I konsideroj doktrinat burimore (jo të interpretuaraI të Epikurit si thelb të gjithçkaje racionale në filozofinë morale të cilën grekët dhe romakët na e lanë trashëgim.”

“Jam shokuar kur më thanë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shitja e një libri mund të bëhet temë e një hetimi, dhe e një hetimi kriminal gjithashtu.”

“Unë besoj se çdo mendje njerëzore ndjen kënaqësi kur i bën mirë tjetrit.”

“Unë nuk mund të jetoj pa librat.”

“Unë nuk blej asnjë gazetë dhe nuk lexoj asnjë gazetë një muaj, dhe pastaj e ndiej veten pafundësisht më të lumtur.”

“Mendoj se më i lumturi është ai për të cilin bota flet më pak, mirë apo keq.”

“Nuk kam synim të qeveris njerëz; është një detyrë e dhimbshme dhe e pagratshme.”

“Unë nuk druaj se rezultati i eksperimentit tonë do të jetë që njerëzve t’iu besohet ta qeverisin veten pa një padron.”

“Unë kam parë mjaft një luftë, sa që nuk dua më të shikoj një luftë tjetër kurrë.”

“Unë jam betuar në alatarin e Zotit të kem armiqësi të përjetëshme kundër çdo forme të tiranisë mbi mendjen e njeriut.”

“Unë shpresoj se zgjuarsia jonë do të rritet bashkë me fuqinë tonë, dhe të na mësojë ne se, sa më pak ta përdorim fuqinë tonë, aq më të mëdhenj do të jemi.”

“Mua më pëlqejnë më shumë ëndërrat e së ardhmes se historia e së kaluarës.”

“Unë kurrë nuk e konsiderova një ndryshim opinioni në politikë, në religjion, në filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik.”

“Unë kurrë, me fjalë as me veprime, nuk do të përkulem përballë intolerancës as nuk do të pranoj të drejtën e hetimit ndaj opinioneve religjioze të të tjerëve.”

“Unë pranoj se nuk jam miqësor ndaj një qeveri shumë energjike. Ajo është gjithmonë shtypëse.”

“Unë parashikoj të ardhmen e lumtur të amerikanëve nëse ata mund të parandalojnë qeverinë nga shkatërrimi i sindikatave nën pretekstin se po kujdesen për to.”

“Unë mendoj si romakët: se gjenerali i sotëm duhet të jetë nesër një ushtar po të jetë nevoja.”

“Më kapin drithmat për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë; se drejtësia e tij nuk mund të flejë gjithmonë.”

“Jam i vendosur në kërkimin e dijes, pa u druajtur kurrë se kërkimi i së vërtetës dhe arsyes pavarësisht në çfarë rezultati mund të çojnë, dhe në rrëzimin e çdo autoriteti që iu del pengesë atyre në rrugë.”

“Më mirë do të pranoja të papriturat e lirive të tepërta se zvogëlimin e tyre.”

“Nëse një komb pret që të jetë injorant dhe i lirë, në një shtet të qytetëruar, ai pret diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë.”

“Nëse ka një parim më thellë të rrënjosur në mendjen e çdo amerikani, ai është që ne kurrë nuk do të bëjmë diçka nëpërmjet pushtimit.”

“Në çdo vend dhe në çdo kohë, kleri ka qenë armiqësor ndaj lirisë.”

“Nga pikëpamja e stilit, noto në drejtim të rrymës; nga pikëpamja e parimit, qëndro si shkëmb.”

“Injoranca është më e pranueshme se gabimi, dhe është më larg së vërtetes ai që nuk beson në asgjë se ai që beson në diçka të gabuar.”

“Mua nuk më lëndon fqinji im nëse thotë se janë njëzet zota apo se nuk është asnjë një Zot.”

“Është më mirë gjithmonë të mos kesh fare ide sesa të kesh ide të rreme; dhe të mos besosh në asgjë, sesa të besosh në mënyrë të gabuar.”

“As pasuria, as luksi, por qetësia dhe puna ju japin lumturinë.”

“Religjioni ynë duhet të lexohet në jetët tona dhe jo në fjalët tona.”

“Nuk duhet të ketë asnjë autoritet i cili të mos jetë përgjegjës para popullit.”

“Njerëzimi është më shumë i prirur të vuajë sesa të luftojë për t’i larguar format me të cilat janë mësuar.”

“Tregtarët nuk kanë atdhe.”

“Droja ime e vetme është se mund të jetoj tepër gjatë. Kjo do të ishte burim frike për mua.”

“Nga leximi i historisë jam bindur se qeverisja më e keqe vjen nga tepërimi i qeverisjes.”

“Teoria ime ka qenë gjithmonë se nëse ne ëndërrojmë, flatrat e shpresës janë shumë më të lira dhe më të kënaqshme se tmerri i dëshpërimit.”

“Nuk ka detyrë më të lartë për një Qeveri se të përpiqet të vendosë njeriun e duhur në vendin e duhur.”

“Asnjë punë nuk është më e kënaqshme për mua se kultura e punimit të tokës, dhe asnjë kulturë nuk është e krahasueshme me atë të kopshtit.”

“Askush në botë nuk mund të ndalë njeriun me prirjen e duhur mendore që të arrijë qëllimin e tij; asgjë në botë nuk mund ta ndihmojë njerin me prirjen e gauar mendore.”


“Nuk ka epërsi më të madhe ndaj të tjerëve se gjakftohtësia dhe qetësia në çfarëdo rrethane.”

“Asgjë tjetër nuk është e pandryshueshme përveç të drejtave të paprekshme dhe të pashtrembërueshme të njeriut.”

“Individi guximtar është shumicë.”

“Njeriut i bën më mirë të udhëtojë vetëm, sepse mediton më shumë.”

“Paqja dhe korrektësia ndaj ndërhyrjeve evropiane janë qëllimet tona, dhe kështu do të vazhdohet ndërkohë që rendi ekzistues në Amerikë mbetet i pandërprerë.”

“Paqja dhe miqësia me gjithë njerëzimin mbetet politika jonë më e zgjuar, dhe unë dëshiroj që ne të jemi të përkushtuar t’iu përmbahemi atyre.”

“Politika është një tronditje e tillë sa do t’ia këshilloja kujtdo që ia dua të mirën të mos përzihet me të.”

“Pushteti nuk është ndjellës për mendjet e varfëra.”

“Fjalimet që maten me orë do të vdesin brenda orës.”

“Shija nuk mund të kontrollohet nëpërmjet ligjit.”

“Qeveria më e fuqishme është ajo ku çdo njeri ndjehet pjesë e saj.”

“Deti zhurmëmadh i lirisë nuk është kurrë pa dallgë.”

“Kujdesi për jetën dhe lumturinë njerëore, dhe jo shkatërrimi i tyre, është qëllimi i parë dhe më i mirë i çdo qeverie.”

“Toka iu përket të gjallëve, nuk iu përket të vdekurve.”

“Shkëlqimi i një mendimi të ngrohtë vlen për mua më shumë se vlera e çdo paraje.”

“Zoti që na krijoi, na e dha njëkohësisht edhe lirinë.”

“Mendimi i mirë i njerëzimit, si leva e Arkimedit, sapo t’i jetë dhënë pika e mbështetjes, e lëviz botën.”

“Njeriu që nulk lexon asgjë është më i ditur se ai që nuk lexon asgjë tjetër veç gazetave.”

“Në çastin që një njeri formon një teori, përfytyrimi i tij shikon në çdo objekt vetëm të dhënat që e favorizojnë teorinë e tij.”

“Edhe lufta më e suksesshme rrallë paguan për humbjet e shkaktuara.”

“Pema e lirisë duhet njomur nga koha në kohë prej gjakut të patriotëve dhe të tiranëve.”

“Shpirti i rezistencës ndaj qeverisë është kaq i vlefshëm në disa raste sa do të doja ta mbaja gjithmonë të gjallë.”

“Ka një aristokraci natyrale tek njerëzit. Bazat e saj janë virtuti dhe talentet.”

“Nuk ka të vërtetë që unë i trembem … ose që do të doja të ishte e panjohur për tërë botën.”

“Njerëzit e druajtur parapëlqejnë më shumë qetësinë e despotizmit se detin e zhurmshëm të lirisë.”

“Për të depërtuar dhe për t’i davaritur retë e errësirës, mendja njerëzore duhet të forcohet nëpërmjet shkollimit.”

“E vërteta sigurisht që është një degë e moralit dhe tejet e rëndësishme për një shoqëri.”

“Ecja është ushtrimi më i mirë fizik. Bëjeni zakon të ecni shumë shpejt.”

“Kalimi nga depostizmi në liri nuk është shesh me lule.”

“Kur një njeri merr një besim publik, ai asnjeherë nuk duhet ta konsiderojë veten një pronë publike.”

“Nëse më lihej mua në dorë të vendos a duhej të kishim një qeveri pa gazeta apo të kemi gazeta pa një qeveri, unë do ta parapëlqeja menjëherë pa nguruar këtë të dytën.”

“Kur njerëzit janë të mirinformuar ata mund t’i besojnë qeverisë së tyre.”

“Kurdo që jeni duke bërë diçka, veproni sikur e gjithë bota është duke ju parë.”

“Atje ku shtypi është i lirë dhe ku çdo njeri mund ta lexojë, gjithçka është e sigurt.”

“Ne nuk mund të stivosemi në qytete të mëdha si në Evropë, ne do të bëhemi të korruptuar si Evropa.”/KultPlus.com

Presidentja Osmani dekoron post mortem pjesëtarin e UÇK-së, Francesco Bider, me Urdhrin “Hero i Kosovës”

Në kuadër të aktiviteteve të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes’2024”, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar dje me Urdhërin “Hero i Kosovës”, pjesëtarin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Francesco Guiseppe Bider, me motivacion për trimërinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.

Presidentja Osmani, Urdhërin ia dorëzoi, vëllait të heroit, z. Alfredo Bider, i shoqëruar nga familjarë dhe ish-udhëheqësit e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe Betejës së Koshares.

Presidentja Osmani theksoi se heroi Francesco Bider besoi në lirinë e popullit tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

“Ishin pamjet e vrasjeve, djegieve, vuajtjeve të zhvendosurve, pamjet e kampeve të refugjatëve dhe gjithë realitetit të tmerrshëm që kalonte populli ynë nga regjimi gjenocidal të Millosheviqit që e shtyen Francescon t’i bashkohej UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës, ku edhe ra dëshmor”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, të gjithë pjesëtarët e UÇK-së i bashkoi kauza e lirisë dhe e drejtësisë kundër tiranisë, gjenocidit dhe shtypjes. / KultPlus.com

Vjen në shqip David Harrison, në sfond të librit shpaloset figura e Moisiut, Faraonit dhe Elias

Përkthyesja Mevi Rafuna së fundmi ka sjellë përkthimin e librit “Vëllazëria hermetike e Egjiptit dhe masoneria në Shqipërinë e jugut në fillim të shekullit XX”, të autorit David Harrison, përcjell KultPlus.

Libri është botuar nga shtëpia botuese “Jakup Ceraja” në Prishtinë.

Sipas përkthyeses, përveç një karakteri biblik dhe historik, libri përmban në sfond figurën e Moisiut, atë të Faraonit dhe të Elias. Ndërsa, në fund të këtij libri, ajo ka bashkëngjitur edhe një artikull që flet për Masonerinë në Shqipërinë e Jugut në fillim të shek. XX.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Duke e lexuar këtë libër të autorit Dr. David Harrison më shkoi ndërmend ta përkthej në gjuhën shqipe.

Për t’i dhënë lexuesit shqiptar dhe atyre të cilët janë të interesuar për dijen e lashtë mistike, një dritare sado të vogël në rrugëtimin drejt dijes…

Përveç një karakteri biblik dhe historik libri përmban në sfond figurën e Moisiut, atë të Faraonit dhe të Elias.

Në fund këtij libri ia bashkangjita edhe një artikull që flet për Masonerinë në Shqipërinë e Jugut në fillim të shek. XX.

Një listë e lozhave që jepen në këtë artikull duhet se patën ndikim në Kongresin e Manastirit dhe Pavarësinë e Shqipërisë.

Uroj që ky libër sado pak të jetë kontribues dhe frymëzues…

Faleminderit shumë Alfred Beka dhe Shtëpisë Botuese ‘’Jakup Ceraja’’. / KultPlus.com

Diana Çuli në një rrëfim me shtatë shkronja

B

E bardha:

E bardha është dritë, është mëngjes, është fillim dite. Është punë, energji dhe optimizëm. Ajo vjen pas një nate të errët, kur mendimet e zymta marrin rrugë dhe kanë më pak pengesa. E bardha i shpërndan, ose të paktën i dobëson, i amortizon, i tulat.

E bardha është ngjyra e veshjeve të para të fëmijës, e ditës së dasmës…E shtratit të sapo shtruar e të paprekur.

Është freskia.

Është fleta e letrës së pashkruar. Mbi të mund të përshkruash, të ëndërrosh, të krijosh botë të tëra, personazhe, marrëdhënie njerëzore…Përmes saj mund të japësh dritë ose mund të dëshpërosh, mund të kalosh në fantazitë më të çuditshme e më të papara.

E bardha është ngjyra e parë e horizontit të largët ose të afërt.

Është Çlirimi.

K

E kaltra :

Është deti, udhëtimi, harrimi, lumturia, thellësia, mrekullimi.

Bashkë me të Bardhën, formon shkumën dhe dallgën, rrëmbimin dhe ethen, pështjellimin dhe dëshirën, gezimin e aventurës, ngjethjen dhe arritjen, kur prej kreshtës së saj mund të shohësh qiellin dhe pamatësinë e detit.

Është Qielli. Pafundësia, mahnitja, ngjashnjimi, misteri. Është ngrohtësia, pasqyrimi, vështrimi, çiltërsia.

Është kaltërsia që mbështjell botën me ujë dhe ajër. Është vështrimi i brendshëm i shpirtit kur është në paqe.

L

Libri

Është rrugëtim i pambarimtë, mundim, rënkim, dëshirë…Jetë të panumërta që jetohen brenda një jete, shekuj të përshkuar në pak muaj, botë e shkelur që nga malet e panjohur në oqeanet e frikshëm, në polet e ngrirë, në rrugët e pakthyeshme, në tropikun e nxehtë, në shpellat e errëta, në bulevardet marramendëse të qyteteve të pashkelur.

Libri që depërton në zemër, në shpirt, në mendje, në frymë, në fjalët që flasim, në shkëndijat që shohim, në sendet që prekim. Libri që e anulon botën dhe krijon të tijën, të vërtetën dhe, në këtë haluçinacion, bota e mund, e mposht, por pastaj ai rifillon të ngrihet e të përsërisë betejën, që është njëherazi e dhimbshme, e bukur, e dëshiruar, ngjethëse, ngazëllyese.

M

Mendja

Kjo gjendje njerëzore, e papërsëritshme, që rrekemi të gjemë në është ide, prodhim i shpirtit, i energjisë kozmike, i perëndisë, i energjisë së brendshme të trupit apo thjesht prodhim i evolucionit të qënies, të përkryerjes së fijeve nervore, qelizave, muskujve të trurit, veprimtarisë së tij të jashtëzakonshme, që natyra e ka krijuar të tillë, për të mos e zbuluar dot lehtë, por për ta kërkuar çelësin e të fshehtës së funksionimit të tij derisa të rrojë njerëzimi vetë.

Mendja është vetë bota dhe jeta, është fantazia dhe realiteti, E Keqja dhe e Mira, Urtësia dhe Zemërimi, Pamaturia dhe Pjekuria, Dashuria dhe Dhembshuria. Po edhe Hidhërimi. Prej saj varet lufta dhe paqja, varfëria dhe mirëqenia, vetë gëzimi dhe lumturia.

Mendja mund të jetë dhe Helmimi.

Po mund të jetë dhe Shpëtimi.

Gj

E gjelbra.

Gjelbërimi. Që është jetë, fllad, aromë, lëndina të shtruara me bar, male që gjelbërojnë në pranverë, lumenj të thellë që gjarpërojnë mes tyre, pyje plot të fshehta, me pikëla rrëzëllitëse të mbetura në gjethet, pas shiut.

Shpresë. E gjelbra është shpresë, pritje e këndshme, është përkujdesje. Ajo e kundërshton tymin e errët që nxin qiellin, rrugët, shtëpitë, dhomat, xhamat e dritareve. Ajo lodhet, pastron dhe mbron.

Ajo është prehja e gjallesave mbi dhé, e njerëzve, kafshëve e shpendëve, është zëri i Tokës, ndjenja e saj, frymëmarrja e saj. Ajo është Lashtësia, Qëndresa, E Ardhmja.

Rr

Rruga.

Që na rrëmben, na kërkon, që e kërkojmë, e duam, edhe kur e dimë se na shpie në zgrip të humnerës. Sepse gjithnjë pandehim që do të gjejmë Zbulimin, Përmbushjen, realizimin e Ëndërrës.

Asnjëherë nuk i vidhemi, nuk i fshihemi, asnjëherë nuk bëjmë sikur nuk e shohim. Aq më tepër kur ndalojmë para një udhëkryqi. E panjohura na tërheq si magnet, e paditura na nxit të mësojmë e të pikasim atë që nuk e ka parë askush apo që të tjerët e dinë dhe ne ende nuk e kemi prekur, kuptuar, shijuar. Rruga drejt një liqeni, për shembull, që struket i vogël me kodrash të buta. Drejt një tempulli, fenë e të cilit nuk e njohim, por duam të dimë përse është i tillë. Përse? Dhe gjithnjë – përse? Drejt një anijeje të nxjerrë nga fundi i detit, të mbuluar me alga, drejt një shtëpize

buzë rrugës, drejt një qiellgërvishtëseje që duket si mal i panatyrshëm e që shkëlqen natën nga dritat. Nuk i jemi ndarë rrugës, qoftë ajo me karroca e kuaj, qoftë me makina e avionë. Dikush mbetet në gjysmë të saj, dikush rrëzohet para se të mbërrijë në fund, po të tjerë ia dalin.

Ata janë fitimtarët.

D

Dyshimi

Nuk jetojmë dot pa dyshimin, edhe kur e zbojmë dhe nuk e duam. Dyshojmë në dimë të jetojmë, në kemi ditur të ecim apo kemi bërë vetëm gabime. Jo, nuk kemi bërë vetëm gabime, por ato janë më të shumta se veprimet e drejta. Por, përse duhen quajtur të drejta? Cilat janë kriteret? Ku e kam cënuar të drejtën e tjetrit, duke mbrojtur timen?

Shumë prej nesh qëndrojnë të heshtur para dritares, të grirë nga dyshimet: A kam gabuar në rritjen e fëmijëve? Jo, nuk kam gabuar, mendoj se kam bërë më të mirën. Por, jo, ndoshta nuk e kam kuptuar dot shekullin e ri, botën e re, epokën e re dhe kam prekur atje ku nuk duhet të prekja, kam anashkaluar atë që duhet të jepja.

A kam bërë atë që kam dashur? Po, shpesh herë. Po a ka qenë kjo më e mira? Jo, për fat të keq. Sa shpesh, më vonë, ka dalë që ka qenë më e keqja.

A kam nxjerrë nga duart, nga mendja, nga shpirti atë që duhej? Oh, kush e di. As unë vetë, as ju, as shumë të tjerë. Po si do të jetë gjykimi ? po përse të duhet ky gjykim? Dyshon se je dikushi ? Jo, askushi, pa dyshim. Po nuk ekziston shprehja « «pa dyshim », është kontradiktore e pasaktë, e pavërtetueshme.

Dyshimi. Si mund të jetojmë dhe të përsosemi vazhdimisht pa dyshimin? /Shqip/ KultPlus.com

Poeti dhe fabulisti La Fonten përkujtohet për stilin e përjetshëm

Poeti dhe fabulisti, Zhan de la Fonten, lindi më 8 korrik 1621, në Château-Thierry në qytetin Aisne. Katër shekuj më vonë, fabulisti njihet në mbarë botën. Fama e tij bën që të konsiderohet një nga fabulistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Në Château-Thierry, La Fonteni është ende i pranishëm, katërqind vjet pas lindjes së tij, madje në zemër të qytetit ngrihet një statujë e shkrimtarit, një skulpturë simbol i dashurisë së tij për qytetin.

“Fabulat”, një sukses letrar që përshkon epokat.

Pas martesës me kushërirën e Rasinit, më 1647, La Fonteni filloi studimet për drejtësi dhe u diplomua nga Parlamenti i Parisit. Në 1664, e ndau kohën midis kryeqytetit dhe Château-Thierry, njëherazi është momenti kur bëri një hyrje të jashtëzakonshme në skenën letrare publike me përrallën e parë. Disa vjet më vonë, në 1668, u botuan gjashtë librat e parë të “Fabulave”. Suksesi qe i menjëhershëm dhe i gjithanshëm. Për akademiken Amine Maalouf, hijeshia e fabulave qëndron, para së gjithash, te gjeniu i shkrimtarit: “Aftësia për të thurur vargje në mënyrë kaq precize, kaq efikase, kaq të paharrueshme, mendoj se kjo është ajo që i bën të përhershme”. “Gjinkalla dhe milingona”, “Korbi dhe dhelpra”… Në tërësi, La Fonteni shkroi 243 fabula.

Puna e tij ishte e suksesshme në të gjallë, me 40 ribotime të përrallave. “Fabulën, ai e bëri një objekt tipik francez, me të cilin njësoheshim tërësisht. Francezët e njihin La Fontenin para se të njihnin Kodin e Autostradës”, – shprehet Patrick Dandrey, profesor në Sorbonne.

Asokohe, nuk ekzistonte e drejta autorit. Në moshën 55-vjeçare, i zhytur në borxhe, atij iu desh të shiste pasuritë e familjes dhe, në veçanti, shtëpinë e familjare në Château-Thierry në 1676. Më 15 nëntor 1683, ai u zgjodh në Akademinë Francese, në ulësen e Colbert-it.

Fabulat, të cilat paraqesin kafshë, shpesh frymëzohen nga ato të Ezopit, shkrimtarit antik grek.

Shkruar në vargje me një stil të përjetshëm, secila më vete është një perlë poetike dhe edukative. Ato janë përçuar brez pas brezi, te nxënësit e shkollave, duke memorizuar morale që nuk kanë humbur asgjë nga e vërteta e tyre. Megjithëse datojnë në shekullin e 17-të, “Fabulat” e La Fontenit, vijojnë të mbeten vepra ndërgjeneratash, kuptimet e ndryshme të leximit të të cilave, ofrojnë një rëndësi të theksuar pedagogjike.

Megjithëse nuk e siguroi asnjëherë favorin e Luigjit XIV, La Fonteni kishte dashamirës të shumtë pranë fronit dhe në gjirin e fisnikërisë. Ai lëvizte mes kishave, mjekëve, artistëve, muzikantëve dhe aktorëve, por ishin qarqet letrare që frekuentonte kryesisht.

Këto fabula vijojnë të na ngacmojnë imagjinatën, duke u shndërruar në themelin e moralit të gjithsecilit. Personazhet janë vizatuar me një delikatesë të jashtëzakonshme në pasqyrimin e psikologjisë dhe sjelljeve, e gjitha në një gjuhë kaq të thjeshtë, sa mund t’i lexojnë edhe më të vegjlit. Dhe çfarë mjeshtërie në rrëfimi! Në dy rreshta, ai paraqet kornizën, në katër paraqet intrigën; lexuesi nuk mund të shkëputet më nga historia e krijuar mjeshtërisht, e ushqyer nga një rrëfim që na zhyt në zemrën e veprimit. Shtoji kësaj dialogje plot jetë, një stërpikje diskrete humori, hera-herës dinak, por gjithmonë me natyrë të mirë dhe një moral të plotë me mendje të shëndoshë, duke përfituar kështu recetën për suksesin e pamohuar të një shkrimtari, i cili ishte i vetëdijshëm se duhej të ruante gjithë lirinë e tij: “Imitimi im nuk është skllavëri”.

Zhan de la Fonteni vdiq më 13 prill 1695, jo në “Château-Thierry”, por në Paris. U varros në varrezat “Saints-Innocents”. Pas Revolucionit, eshtrat, të supozuara si të tijat, u zhvendosën në varrezat “Père-Lachaise”, ku sot ngrihet vetëm një monument. / KultPlus.com

Bosh dhe vetëm

Poezi nga Günter Grass

Dhoma ime është erëqetë,
e përshpirtshme, një cigare,
kaq mistike, saqë askush s’guxon
të ngrejë qeranë
ose të pyes për gruan time.
Dje kur miza vdiq,
unë kuptova pa kalendar,
tetorin, një mësues vallëzimi që përkulet,
ai don të më shesë mua tablo të vogla, të ndaluara.
Për vizitë unë pres para derës.
Posta ngjitet te xhami,
jashtë, shiu lexon bashkë me mua.
Brenda, dhoma ime është erëqetë,
asnjë grindje mbi tapet,
puthje të përpira nga orët,
kurrë s’pengohemi, që të godasim gjurin,
sepse gjithçka jepet,
e përshpirtshme, një cigare,
vertikalisht beson ajo,
vertikalisht merimanga, një balancë,
e ndjek pas çdo thellësi të madhe.
Ne nuk do të dështojmë kurrë.

Përktheu: Fatmir AlimaniKultPlus.com

20 vjet nga vdekja e ‘babait’ të letërsisë për fëmijë, Bedri Dedja

Bedri Dedja është një emër i nderuar i letrave dhe arsimit shqiptar, personalitet i kulturës dhe shkencës së Kosovës, i cili njihet edhe si “babai” i letërsisë për fëmijë, siç e kanë cilësuar me të drejtë për së gjalli; ai është i pranishëm në ballë të bibliotekave të mbarë shqiptarëve; romanet, librat me poezi e rrëfenjat, përkthimet nga letërsia botërore, janë të shumta e cilësore; ato kanë ushqyer dhe edukuar me ndjenjën e dashurisë dhe solidaritetit shoqëror, me frymën e atdhetarizmit dhe bukurisë artistike të shqipes mijëra e mijëra lexues, anembanë vëndit.

Akademik Bedri Dedja vdiq më 13 prill 2004.

Po ju sjellim disa mendime të personaliteteve për Akademik Bedri Dedjan.

Alfred Moisiu, Presidenti i Republikës së Shqipërisë

…Bedri Dedja ishte njëri nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës shqiptare, Akademisë së shkencave, studiuesve në fushën e psikologjisë e pedagogjisë, Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, themeluesi i letërsisë shqiptare për fëmijë, Miku i Madh i fëmijëve, Humanisti shumëdimensional, i cili deri në ditët e fundit nuk reshti pa dhënë kontributin e çmuar për të sotmen e për të ardhmen e tyre.Vepra e tij poliedrike, shkencore dhe letrare do të jetojë për brezat e ardhshëm si një vlerë e madhe e kulturës sonë Kombëtare.

Dritëro Agolli,

Bedri Dedjen e kam njohur edhe para se të shkoja në Tiranë, në vitin 1970: e kam njohur permes prozave të tij për fëmijë që në Kosovë ishin sjellë prej profesorëve, të cilëve u ishte bërë e mundur të shkojnë në Shqipërinë shtetërore pas vendosjes së mardhënieve kulturore midis Shqipërisë dhe Kosovës. Mbas këtij viti, në Tiranë do të shkojë edhe shumë herë të tjera dhe gjithnjë, kur kthehesha në Prishtinë, kisha me vete vepra të reja të Bedri Dedjes. Si të mos kisha? Bedri Dedja ishte krijues shumë i lexuar e shumë i dashur dhe njëkohësisht, krijues shumë i frytshëm. Ai ishte krijues i tregimeve, i përrallave dhe i romaneve për fëmijë, por ai ishte edhe kritik e studiues i gjithë letërsisë shqipe për fëmijë. Bedri Dedja ishte, kështu, krijues me prirje të gjithanshme. Si cilësia ashtu edhe numri i veprave të tij letrare dhe shkencore e dëshmojnë një të vërtetë tashmë të pranuar nga studiuesit e psikologjisë së krijimtarisë: e dëshmojnë të vërtetën se përkushtimi ndaj krijimtarisë artistike e asaj shkencore, apo artistike dhe shkencore njëkohësisht është përbërës i domosdoshëm i dhuntisë së madhe krijuese.E Bedri Dedja ishte krijues me dhunti të madhe krijuese.

Në veprën e tij shumëvëllimshme letrare dhe studimore janë bashkuar vlera e lartë artistike e shkencore dhe vlera e madhe humaniste. Janë këto dy cilësi që veprën e një krijuesi e bëjnë të përhershme, kurse krijuesin e saj të pavdekshëm.Akademik Rexhep Qosja…Psikolog, pedagog, historian i arsimit dhe i pedagogjisë, kulturolog, mendimtar erudit, shkrimtar i shquar për fëmijë, një shëmbull i rendimenti të lartë në punë: me të drejtë Bedri Dedja konsiderohet si dekani i letërsisë së sotme shqiptare për fëmijë. Në këtë fushë ai na shfaqet tejet i gjithanshëm – krijues, teoricien cilësor, kritik, historian. Hartues i mbi 60 veprave letrare, midis të cilave shquhen “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Kalamajtë e pallatit tim”, “Republika e 1100 çudirave”, etj. Në Shqipëri Bedriu është një figurë popullore, por atë e njohin mirë edhe jashtë truallit amë, kudo që ka shqiptarë e në vënde të tjera.Me kthjelltësi të rrallë mendimi, me një të folur të qartë e të shtruar, të rrjedhshëm e të këndshëm, shquhej në komunikimin me të gjithë, që nga kolegët e deri tek lexuesit e vegjël, fëmijët.Akademik Hamit Beqja…Bedri Dedja (1930-2004) është kolosi, themeluesi dhe babai i modernitetit në letërsinë tone për fëmijë, të cilin do ta nderojmë për një kohë të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha. Prej tij kemi mësuar se letërsia shkruhet edhe ndryshe…Agim Deva, shkrimtar Kosovë…Bedri Dedja u bë prijëtar në pavarësimin e shkencës psikologjike shqiptare. Krijues si ai janë njëkohësisht edhe dëshmitarë të asaj pikëpamjeje, sipas së cilës, të menduarit krijues në shkencë dhe në art kanë pikëtakim dhe, në kushte të veçanta, shfaqen si në njërin, ashtu edhe në lëmin tjetër krijues.Akademik Pajazit Nushi, Kosovë…Akademiku Bedri Dedja ka qënë një nga themeluesit dhe shtyllat e letërsisë për fëmijë të pasçlirimit. Ishte një personalitet shumëplanësh: poet e prozator, përrallëtar e tregimtar, dramaturg, novelist e romancier, përkthyes e kritik, studiues e teoricien i letërsisë shqiptare për fëmijë. Fitues i shumë çmimeve letrare, mbajtës i “Çmimit të Republikës” dhe titullit “Mjeshtër i Madh i Punës”, Bedri Dedja është vlerësuar gjithashtu nga Qëndra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë një vend nderi në vëllimin XVI të biografive, si një nga autorët më të shquar të shekullit XX.Astrit BishqemiBedri Dedja ka fatin e njerëzve, të cilët jetën e këputur e zgjatin me emrin që lënë. E kisha pedagog Fakulteti e ai ishte vetëm katër vjeç më i rritur se studenti (më pas, e takoi studentin – punëtor Metalurgjie, mbuluar çizmet me baltë e sytë, gati në përlotje i morën një ndriçim qielli në fytyrë njeriu).Qe koha kur njeriut për të mbijetuar i duhej të tkurrej sadopak. Por ai, tërë jetën, si mësues e si shkrimtar, me fjalën e tij ushqeu rritjen dhe lulëzimin e njeriut. I përkushtuar tërë jetën diturisë e artit, ai arriti që të krijonte mbretërinë e Fjalës së vet, prej nga buronte humanizëm e çiltërsi. Me inteligjencën e veçantë në sytë e ëmbël e me fisnikëri të bukur në shpirt ai ruante përfytyrimin e figurës që u takon të gjithëve. Në letërsi, ai jo rastësisht na foli nga bota e fëmijëve, sepse vetë, edhe i rritur kish’ diçka prej fëmijë në qënien e tij. Duke përshkruar jetën e brishtë të të vegjëlve, tërthoraz i thoshte dhe shoqërisë së rritur që ta ruante çiltërsinë fillestare të njeriut nga shtrëmbërimi i mundshëm i shpirtit në diktaturë. Në tërë krijimet e tilla që la, nëpër rreshtat e librave ecte fëminija e tij, e cila Bedriun e mbante përdore, si një fëmijë të rritur me të qeshurën e të vegjëlve në buzë.Të tillë, brezat do ta kujtojnë gjithmonë përpara tyre.Agim Shehu, poet Gjenevë…Me punën e tij të gjithanshme drejtuese e krijuese, ai ishte shëmbulli i një njeriu virtuoz, me një kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual. Në çdo çast ai punonte, edhe kur pinte kafe, edhe kur shëtiste ; mëndja e tij për shkollën, për arsimin, për edukimin e fëmijëve e të brezit të ri, do të mendonte. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur tashmë, në laboratorin e punës së tij krijuese numërojmë mbi 70 vepra pedagogjike, të dala nga dora e tij e që kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e arsimit tonë kombëtar ; mbi 60 vepra për letërsinë për fëmijë dhe po aq përkthime nga klasikët botërorë. Nga duart e tij kanë dalë me qindra artikuj publicistikë, të shpërndara në shtypin e kohës e që mbushin bibliografinë e tij me një numër prej 2000 zërash. E kjo është vetëm pjesa e dukshme e krijimtarisë, ndërsa ajo e padukshmja, si korrespondencat, reçensat, studimet, raportet, etj. mund të kapin edhe aq vëllime sa janë botuar…Prof.Dr. Ilinden Spasse…Kultura e gjërë poliedrike e Prof. Bedri Dedes ishte rezultat i një pune skrupuloze, sistematike, e cila filloi që kur u ul në bankën e shkollës, si nxënës dhe deri sa mbylli sytë. Gjithë jetën në libër, pranë librave, penës, fjalës dhe miqve. Kaq shumë kulturë kishte, saqë ishte njëri nga njerëzit, tek i cili personaliteti i tij autoritar dhe kultura ishin bërë një dhe të pandarë. Ishte vështirë të dalloje te Profesor Bedri Dedja, se ku fillonte kultura e akumuluar nga të tjerët dhe ku fillonte kultura që buronte prej personaliteti të tij. E gjithë qënia e tij rrezatonte kulturë. . . Prof. Bedri Dedja nuk ishte vetëm letrar, shkencëtar dhe akademik : ai njëherësh ka qënë qytetar me vlera dhe i spikatur. . Ai ishte njeriu me dinjitet, i fortë përballë dallgëve, burrëror dhe konstant në vlerat si qytetar. Tek ai ishin bashkuar bukur dimensioni i shkencëtarit me qytetarin, pa asnjë sforcim. Kjo ka qënë mbase edhe vlera më e madhe e tij si njeri i dijes, i inteligjencës, i popullit…Gëzim Tushi…Bedri Dedja, që në vitet e ngurtësisë më të madhe të konformizmit të përgjithshëm komunist, mendonte se edukimi njerëzor i fëmijëve vinte shumë më përpara edukimit ideologjik të tyre. Bënin sikur nuk e vinin re, ose nuk dinin ta lexonin siç duhej, kjo është një çështje e personalitetit të tij : ndonëse akademik, nuk u deformua nga asnjë sforcim tendencash politike…Në fillim e deri në fund të viteve 80-të, kur eksperimentit komunist kishte nisur t’i rrëzoheshin një e nga një panciret e ndryshkura, me të cilat kishte shushatur për vite me rradhë të pamësuarit dhe të paditurit, Bedri Dedja ishte në harmoni me mendimin e ri të bijve të tij dhe të miqve të tyre, se këtij sistemi i kishte ardhur fundi. Ai ishte një pedagog dhe shkrimtar humanist, më tepër se moralist…veprat e tij mund ta vërtetojnë lehtësisht se sa ishte dhe mbetet novator ky anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë…Hysen Sinani…Tani, ne kemi në dorë veprën pesëdhjetë-vjeçare të Prof. Beri Dedes, krenarinë që Ai do të rrojë mes nesh si model i Njeriut të Mirë, studiuesit e shkrimtarit, pedagogut, luftëtarit të paepur për progres, me vështrim përherë tek e ardhmja e shoqërisë dhe e atdheut tonë të dashur.Ferhat Cakaj.…Një shkrimtar i madh e i talentuar shqiptar… e sidomos e madhe është puna e Bedri Dedes në fushën e letërsisë për fëmijë dhe problemeve të ndryshme të rinisë…Llambro Mallamas, kritik letrar grek…Membre de l’Académie des Sciences à Tirana, Prof. Bedri Dedja a su représenter brillamment et avec distinction le génie albanais au travers de sa féconde activité littéraire qui réserve une place spéciale aux besoins de l’enfance. Fin connaisseur et ami de la Suisse, il a apporté sa contribution au renforcement des liens d’amitié entre nos deux pays par le biais de ses écrits.Francis Cousin Ambasador, Ministria e Jashtme, Zvicër.…Bedri Dedjen nuk e kemi më midis nesh, por e ndjejmë përherë pranë nëpërmjet librave të tij të mrekullueshëm. Ndodh si me yjet, që ndonëse ndodhen miliarda kilometra larg nesh, edhe kur shuhen, vazhdojnë të na dërgojnë dritën e tyre. Bedri Dedja mbetet një yll i pashuar i letërsisë për fëmijë. Ai vazhdon të përhapë dhe të dërgojë dritë vezulluese, ngrohtësi, mirësi dhe dashuri njërëzore, mesazhe paqeje dhe humanizmi, veçanërisht te lexuesit e vegjël, që ai i donte aq shumë dhe që u kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të energjisë krijuese.Viron Kona…Sivjet xhaxhi Bedriu do të mbushte 74 vjet. Por u nda nga jeta kaq papritur. Ai mbetet i gjallë mes librave të tij. Po, lexues të vegjël, është aty, mes fletëve, si një personazh i gjallë dhe me zërin e tij atëror u thotë ngadalë: “Na ishte njëherë”. . . Po, ja se kush…Një njeri i mirë, i dashur, një mësues dhe mik besnik i fëmijëve: Bedri Dedja.Shpresa Vreto…Shuhet Bedri Dedja, “babai” i Fatbardh Pikaloshit, i cili nuk mundi ta përdorë në kohë shkopin e tij magjik, për t’i ridhënë jetë krijuesit të tij. . .Moikom Zeqo…Të gjithë ata të rritur, që dikur harroheshin pas aventurave të Fatbardh Pikaloshit, me fyej magjikë e katallanë, dje janë ndjerë nga pak jetimë…Babai i letërsisë për fëmijë dhe akademiku Bedri Dedja është ndarë nga jeta…Alma Mile /KultPlus.com

Muzikantët e famshëm që kishin probleme me dëgjimin

Muzika mund të jetë vajtuese, e qetë, agresive, por mbi të gjitha ajo duhet dëgjuar me zë të lartë. Mendoni për koncertin më të mirë që ju keni marrë pjesë ndonjëherë. Muzika është melodioze dhe të bën për vete, por kur ktheheni në shtëpi, ju vëreni zukatje në veshë nga tingujt e fortë të melodisë.

Tani, imagjinoni muzikantët, që veshët e tyre kanë më shumë ekspozim, shumë më të shpeshtë me tingujt. Rasti më i veçantë i kësaj liste është ai Ludwig van Beethoven. Viti 1802 është një vit shumë i vështirë për të pasi e dashura e tij Xhulieta Guiciardi të cilës i kishte kushtua “Sonata nën Dritën e Hënës” e lë dhe bashkë me të edhe dëgjimi i tij, i cili kishte filluar t’i shfaqë probleme që prej vitit 1796.

Trishtimi i tij ishte aq i madh sa që kompozon “Testamenti i Hailingestatit” dhe ua dërgon dy vëllezërve të tij me lutjen që të lexohet dhe të kryhet pas vdekjes së tij. Fillon duke thënë: “O njerëz që më konsideroni dhe më gjykoni te ligë dhe gjysmënjeriu sa shumë padrejtësi më bëni. Zemra ime që kur isha fëmijë ishte e dhënë pas Mirësisë. Ndihesha gati të realizoja gjëra të mëdha. Por mendoni se këtu dhe gjashtë vite më ka goditur një fatkeqësi e pakorrigjueshme… Kisha vendosur të jepja një fund. Vetëm arti më përmbajti. Më dukej e pamundur të braktisja botën pa përfunduar çfarë isha destinuar të japë”. Megjithatë, këta muzikantë kanë arritur të krijojnë muzikë që do ta kujtoni për tërë jetën.

Neil Young

Neil Young (lindur më 12 nëntor, 1945), është një kantautor kanadez, i cili është konsideruar si një nga muzikantët më me influencë të gjeneratës së tij. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e muzikës dhe zë një vend të veçantë në muzeun e “The Rock and Roll Hall of Fame and Museum”, që ndodhet në Ohio, USA. Në këtë muze shpaloset historia e disa artistëve, producentëve më me influencë që kanë kontribuar në industrinë e muzikës dhe veçanërisht të zhanrit të muzikës Rock and Roll. Young ka qenë nderuar nga muzeu “Hall of Fame” si solo artist në vitin 1995 dhe si anëtari i bandës “Buffalo Springfiled”, grup amerikan i muzikës rok. Këngët më të bukura janë baladat “Heart of Gold” dhe kryevepra e “hard rock” është “Cowgirl in the Sand”, e cila ka pasur një kritikë të suksesshme dhe popullaritet të pabesueshëm.

Nëpërmjet të gjithave, ai ka vuajtur nga “tinnitus” – “zukatje në veshë”, shqetësim i përbashkët për muzikantët e muzikës rok and roll, e cila konsiston në një tringëllimë të vazhdueshëm në vesh. Young ka krijuar mbi 30 albume unike.

Ozzy Osbourne

John Michael “Ozzy” Osbourne (lindur më 3 dhjetor, 1948) është një kantautor anglez, karriera e të cilit shtrihet më shumë se 40 vjet. Osbourne konsiderohet si një nga pionierët e parë të bandës “Black Sabbath” të muzikës “heavy metal” dhe mbetet një nga muzikantët më të suksesshëm i të gjitha kohërave. Gjithashtu, ai është edhe organizuesi i “Ozzfest”, festival që zhvillohet çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila mirëpret grupe të ndryshme të muzikës “heavy metal”. Pavarësisht nga sukseset e tij, Osbourne vuan nga humbja e dëgjimit.

Në dhjetor të vitit 2010, Osburne shiti më shumë se 100 milionë disqe në të gjithë botën. Po në vitin 2010, fitoi “Literary Achievement”, çmim i dhënë nga Sony Pictures Studio, Kaliforni.

Phil Collins

Philip David “Phil” Collins (lindur më 30 janar të vitit 1951) është një kantautor, pianist, aktor. Këngëtari britanik u bë i famshëm si si vokalist dhe baterist me grupin e rrokut “Genesis”. Këngët e tij kanë qenë në vendet e para të hitparedeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe në periudhën midis 1978 dhe 1994. Mbas dyzet vitesh suksesi, muzikanti legjendar ka bërë të ditur se ai po vuan nga një sërë problemesh me shëndetin vitet e fundit. Dëgjimi i tij është dëmtuar nga të luajturit live dhe ka pasur shqetësime me shtyllën kurrizore, gjë e cila bën të pamundur uljen e tij sërish në bateri.

George Martin

George Martin (3 janar, 1926) është një producent, kompozitor dhe muzikant anglez. Shpesh herë ai është referuar si “the Fifth Beatle” – “Bitellësi i Pestë”, titull që i është vënë falë punës së tij si producent i albumeve origjinale të grupit të famshëm “The Beatles”. Gjithashtu, ai është konsideruar si një nga producentët më të mëdhenj i të gjitha kohërave, ku 30 herë radhazi ka qenë në krye të hitparedit anglez dhe 23 herë në hitparedin amerikan. Martin ka kompozuar edhe kolonat zanore të filmave “Yellow Submarine” 1968, dhe “Live and Let Die” 1973.

Ai ka marrë shumë çmime nderi ndër to më i fundit është “Doctor of Music” nderuar nga Universiteti i Oxford-it më 29 qershor të këtij viti. Si Collin ai është i detyruar të tërhiqet nga muzika për shkak se dëgjimi i tij është i dëmtuar.

Will.i.am

William James Admas, Jr (15 mars, 1975), njohur më shumë si will.i.am është kënge autor, aktor, producent dhe raper amerikan. Ai u bë më shumë i njohur si themeluesi i grupit të muzikës pop dhe hip hop “The Black Eyed Peas” së bashku me këngëtaren e muzikës pop apl.de.ap dhe “Taboo”, më vonë njohur si këngëtarja Fergie. will.i.am ka realizuar disa albume të suksesshme si “Monkey Business and Elephunk” 2003. Si producent muzike ai ka bashkëpunuar me artistë të njohur të muzikës si Britney Spears, U2, Rihanna, Justin Timberlake, Juanes dhe shumë të tjerë.

Çmimi i fundit ka qenë në 2010 si “Best Pop Performance by a duo or Group” me këngën “I Gotta Feeling”. Sipas will.i.am, çdo heshtje është e ndërprerë nga një tingëllim i dhimbshëm, e cila e frymëzon atë për të krijuar muzikë në të gjitha orët e ditës.

Brian Wilson

Brian Douglas Wilson (lindur më 20 qershor, 1942) është një muzikant amerikan, i famshëm si kantautori i grupit “The Beach Boys”.
Wilson si shumë të tjerë muzikantë ka pasur probleme me dëgjimin. Bob Dylan një tjetër muzikant i famshëm ka thënë për shqetësimin e Wilson-it: “ Jezus, shiko atë vesh.

Ai duhet t’ia dhurojë atë Smithsonian”. Smithsonian USA, është kompleksi më i gjerë kërkimor në botë ku përfshihen 19 muze, 9 qendra kërkimore dhe është binjakëzuar me më shumë se 140 muze në botë. Edhe pse me shumë probleme shëndetësore, ai orkestroi një nga albumet më të shkëlqyer i të gjitha kohërave “Pet Sounds”, 1966. Përveç çmimeve të tjera marra gjatë karrierës së tij, më 20 maj 2011, Wilson u nderua me çmimin “George and Ira Gershwin Award” nga Universiteti i Kalifornisë në Los Angelo-s.

Jeff Beck

Geoffrey Arnold “Jeff” Beck (lindur më 24 qershor, 1944) është një kitarist anglez. Karriera e tij filloi duke lozur me “The Yardbirds”, grup muzikor roku formuar në vitet ’60. Në të njëjtin grup kanë qenë edhe kitaristi i shquar Eric Clapton dhe Jimmy Page. Gjithashtu, Beck formoi edhe dy grupe të tjera muzikore “The Jeff Beck Group” dhe “Beck, Bogert&Appice”. Ai është renditur i 14 në listën e “Rolling Stone” (revistë muzikore amerikane) si një nga kitaristët më me influencë të muzikës rok. Kanali amerikan MSNBC e ka cilësuar si “kitaristi i kitaristëve”.

Shumica e këngëve të tij janë instrumentale. Stili muzikor i këngëve të tij janë jazz fusion, blues-rok dhe heavy metal. Në 4 Prill, 2009 ai u fut në “Rock and Roll Hall of Fame of Museum” si anëtari i grupit “The Yardbirds” në vitin 1992 dhe si solo artist në vitin 2009.

Eric Clapton

Eric Patrick Clapton ( lindur më 30 mars, 1945) është një kitarist, këngëtar dhe kompozitor anglez. Kitaristi legjendar ka qenë pjesëtar i grupeve rok “Cream” dhe “The Yardbirds”, në këtë grup ka qenë edhe Jeff Beck. Karriera e tij njihet më shumë si solist. Stili i muzikës që ai loz është blues dhe rok. Vitin që shkoi, nxori një album “antik”, ku përzgjodhi rreth 20 këngë të shkruara mes viteve ’30 dhe ’50.

Clapton thekson se ky album është si një lloj autobiografie. Në këto këngë të zgjedhura ka bluz dhe xhaz. Këngët e tij të famshëm janë “Layla”, “Wonderful Tonight”, “My Father’s Eyes”, ” Rock’ N ‘Roll Heart” ,”Crossroads”, “White Room” etj.

Pete Townshend

Peter Denis Blandford “Pete” Townshend (lindur më 19 maj, 1945), është një kitarist roku, vokalist, kantautor dhe është i njohur si kitaristi i grupit rok “The Who”. Karriera e tij në këtë grup vazhdoi për më shumë se 40 vjet, dhe ky grup është konsideruar si një nga grupet më me influencë në vitet ‘60 dhe ’70 dhe sipas Eddi Vedder (muzikant amerikan), ndoshta grupi më i suksesshëm që këndon live. Këngët më të suksesshëm janë “My Generation”, “Won’t Get Fooled Again” dhe “Pinball Wizard.
Muzika me volum të lartë, pajisjet piroteknike kanë shkaktuar efekte të mëdha negative për humbjen e dëgjimit të muzikantit të famshëm. Pavarësisht nga kjo vështirësi, ai, si çdo anëtar tjetër i kësaj liste, vazhdon të luajë nëpër koncerte ekstravagante live.

Ludwig van Beethoven

Ludwig van Beethoven, lindi më 16 dhjetor, 1770 në Bon, Gjermani dhe vdiq më 26 mars të vitit 1827 në Vjenë, Austri. Beethoven ka qenë një kompozitor dhe pianist midis periudhave të Klasicizmit dhe Romantizmit në artin e muzikës perëndimore. Ai do të mbetet një nga kompozitorët më të shquar i të gjithë kompozitorëve i të gjitha kohërave. Aty nga viti 1800 filloi të humbiste dëgjimin.

Ai vuajti nga dëmtime të brendshme që i ja vështirësuan atij dëgjimin e muzikës. Mendohet se njëri nga shkaktarët ishte uji i ftohtë, në të cilin ai e vendoste kokën për të mos e zërë gjumi gjatë punës. Edhe humbja e dëgjimit të tij mbetet mister, muzika e tij do të jetojë përgjithmonë, dëgjuar dhe pëlqyer nga gjeneratat e reja. /albertvataj/ KultPlus.com

Fryma kozmike e një poezie të Bob Dylanit me një këngë të njohur shqiptare

Bob Dylan, i njohur me emrin Robert Allen Zimmerman, lindur në 24 maj të vitit 1941 është kantautor, këngëtar, piktor dhe shkrimtar. Ai influencoi muzikën dhe kulturën popullore për 5 dekada dhe në vitin 1960 u quajt “Zëri i gjeneratës së re”. U bë shumë i njohur me këngët “Blowin in the wind” dhe “The time they are a-changin”.

Tekstet e Dylanit mbartin një domethënie të gjerë politike, sociale, filozofike duke kaluar kufijtë kombëtarë. Ai eksperimentoi në disa zhanre muzikore duke shitur anekënd botës 100 milionë disqe. Vitin e kaluar Bob Dylan fitoi çmimin Nobel në letërsi.

Një nga poezitë e tij më të bukura të këngëve të tij është dhe kjo që po ju përcjellim, shkruan Konica.al. Në fakt motivi i kësaj poezie ngjan shumë me një këngë popullore shqiptare “Bjeri gajdes, gajdexhi”, që ne po e sjellim në interpretimin e një grupi gjerman.

Zoti Dajrexhi

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Perandoria e mbrëmjes është bërë pluhur e hi
M’u tret nëpër duar tani
më la të verbër në vetmi, pa gjumë me mendje trazuar
lodhur e mërzitur deri në çmenduri, me këmbët përvëluar
të njohur asnjë s’kam takuar
Dhe e lashta rrugë e zbrazët, gjithë ëndrrat i ka dëbuar

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

më vozit edhe mua hareshëm mbi anijen tënde magjike
Shqisat më janë bjerrur, duart nuk ndjejnë prekje

Këmbët e mpira, veç për të mbathur çizmat janë në pritje
që pastaj rrugëve të endem
jam gati të shkoj kudo, jam gati të zhdukem
Në paradën time, në magjinë e vallëzimit tënd të zhytem
Që pastaj në të të tretem

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjume dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

E nëse dëgjon të qeshin, të hidhen e përdridhen nëpër diell marrëzisht
Askënd nuk ngacmojnë sinqerisht
Është thjesht një vrap në arrati
drejt qiellit që gardhe e kufij nuk njeh

Dhe nëse dëgjon përhumbur një rimë që përsëritet
e në ritmin e dajres tënde përdridhet,
është thjesht një klloun që vërtitet
një i pavlerë që nuk shqitet
është thjesht një hije që përpiqet
ta shohësh ti, se këmba-këmbës po të ndjek.

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Më zhduk pastaj nëpër rrathët e tymit të trurit tim
Përposhtë rrënojave të kohës në mjegullim

Larg gjetheve të ngrira
Tek pemët strukur e harruar,
Në plazhin me erë harbuar
Larg nga laku i shtrënguar
I të çmendurit trishtim

Do të vallezoj me duart drejt qiellit në liri
me siluetën e detit pa kufij
Zhytur në rërë si në cirk
Futur thellë nën valë me nxitim
Deri nesër, të sotmen po e le në harrim

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjumë dhe ku te shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur une pas teje do të vij./ KultPlus.com

Ngadalë vdes

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda.

Dalëngadalë vdes ai që bëhet skllav i zakonit,
që përsërit të njëjtat gjëra çdo ditë,
që nuk ndryshon rrugë,
që nuk rrezikon,
që nuk ndryshon ngjyrën e veshjeve,
që nuk i flet atij që nuk e njeh.
Dalëngadalë vdes ai që nuk përmbys tryezën,
që është i pakënaqur nga puna,
që nuk rrezikon sigurinë nga pasiguria për të ndjekur një ëndërr,
që nuk i lejon vetes asnjëherë në jetë të thyejë rregullat e vendosura.

Dalëngadalë vdes ai që nuk udhëton,
që nuk lexon,
që nuk dëgjon muzikë,
që nuk zbulon hijeshi te vetja e tij.

Dalëngadalë vdes ai që shpërfill krenarinë e tij,
që nuk i lë të tjerët ta ndihmojnë,
që i kalon ditët duke u qarë për fatin e tij të keq,
që ankohet për shiun që nuk pushon.

Dalëngadalë vdes ai që i shmanget projektit para se të fillojë,
që nuk pyet për gjërat që nuk i di dhe
që nuk përgjigjet për gjërat që di.

E shmangim vdekjen me doza të vogla,
duke kujtuar gjithmonë se të jesh gjallë
kërkon një përpjekje shumë më të madhe
se thjeshtë fakti që marrim frymë.

Vetëm durimi i paepur
do të na bëjë të arrijmë
lumturinë më të madhe./KultPlus.com

Ermal Meta dhe Noemi prezantojnë Koncertin e 1 Majit

Noemi dhe Ermal Meta do të prezantojnë mbrëmjen e muzikës në Circus Maximus me rastin e 1 Majit, sipas corriere.it

Noemi dhe Ermal Meta do të jenë nikoqirët e edicionit 2024 të koncertit të 1 Majit në Romë, i promovuar nga sindikatat CGIL, CISL, UIL, organizuar nga iCompany dhe që këtë vit do të mbahet për herë të parë në Circo Massimo për shkak të rinovimit, që përfshin sheshin ”San Giovanni” në Laterano, vendi historik i maratonës rock.

Ermal Meta: emocion dhe përgjegjësi

“Është emocion dhe përgjegjësi e madhe të ngjitesh në skenë më 1 Maj, këtë herë edhe si drejtues. Jam i lumtur me këtë aventurë të re, veçanërisht sepse do ta ndaj me Noemin, një grua dhe një artiste që e kam respektuar gjithmonë”, komenton Ermal Meta i cili performoi në vitet 2017, 2018, 2020 dhe 2021.

Noemi katër herë si këngëtare

Pas gjashtë edicioneve radhazi, Ambra heq dorë nga prezantimi.

“Lumturia ime është e pamasë”, thotë Noemi, e cila performoi në Romë për Ditën e Punës katër herë (2012, 2015, 2020 dhe 2021).

“Jam e nderuar të organizoj një festë kaq të rëndësishme, të krijuar me muzikë dhe ndarje. Unë kam marrë pjesë shumë herë në Koncert, fillimisht mes turmës si fëmijë dhe më pas në skenë si këngëtare. Të ngjitesh në skenë në 1 maj si prezantues në një vend si Circus Maximus në Romën tonë të mrekullueshme është një emocion i madh”, tha ajo.

BigMama do të prezantojë pjesën e parë

Atyre u bashkohet edhe BigMama, e cila do të prezantojë pjesën e parë të maratonës rock.

Si gjithmonë, hyrja do të jetë e lirë për të hyrë dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Rai 3, Rai Radio 2, RaiPlay dhe Rai Itali.

Më 1 maj 2024 do të ketë gjithashtu një pamje paraprake të drejtpërdrejtë të organizuar nga BigMama dhe ekskluzivisht për Rai Play./KultPlus.com

Vdes stilisti italian, Roberto Cavalli

Stilisti i njohur italian i modës, Roberto Cavalli vdiq në Firence në moshën 83-vjeçare pasi ka qenë i sëmurë për një kohë të gjatë.

Ai la pas gjashtë fëmijë, përfshirë më të voglin Giorgio, pak më shumë se një vjeç.

Pranë tij në orët e fundit, si në 15 vitet e fundit, ndodhej partnerja e tij, Sandra.

Roberto Cavalli ishte themeluesi i shtëpisë së modës fiorentine me të njëjtin emër.

Gjyshi i tij, Giuseppe Rossi, ishte piktor, me vepra të ekspozuara në Galerinë Uffizi në Firence.

Babai i tij, Giorgio u vra nga ushtria gjermane në 1944, i pushkatuar në komunën e Cavriglias.

Deri në moshën 20-vjeçare belbëzonte dhe kishte shumë vështirësi në përqendrim, por arriti të diplomohej në Akademinë e Firences, pasi kishte pasion artin, pastaj fotografinë në fund modën.

Në vitet ’70 ai patentoi një proces printimi në lëkurë dhe filloi të krijonte materiale të ndryshe me pëlhura dhe lëkurë.

Në vitin 1970 prezantoi koleksionin e parë në Paris.

Hapi një dyqan të vogël në Saint-Tropez duke shitur xhinse të përdorura dhe të ripunuara në stilin e tij, ku pati klientë Brigitte Bardot dhe Mick Jagger.

Dhe këtu filloi suksesi i tij, me shumë ulje dhe ngritje dhe asnjëherë në mes./KultPlus.com

Vrasja e gruas në Ferizaj, reagon Osmani: Dënim maksimal për vrasësin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku mbeti e vrarë një grua 21 vjeçare, pasi dyshohet se në drejtim të saj ka shtënë ish-bashkëshorti i viktimës, raporton Front Online.

Osmani ka kërkuar dënim maksimal për dorasin, teksa ka shtuar se këto ngjarje mund të ndalen vetëm të bashkuar si shoqëri kundër këtij fenomeni.

“Sërish femicid! Edhe një përkujtim se këta vrasës mizor të cilët ia kanë mësyer të shkatërrojnë jo veç jetën e grave, por edhe thelbin e shoqërisë sonë mund të ndalen vetëm nëse të gjithë bashkohemi e rizgjohemi si shoqëri kundër këtij fenomeni të tmerrshëm”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Gjithashtu në këtë ngjarje u plagos 15-vjeçari D.C. ,vëllai i viktimës./KultPlus.com