Teksti i Ismail Kadaresë, nga data 13 mars në Francë

Nga data 13 e deri me 18 mars, Théâtre le Colombiers në Francë do të mirëpresë një tekst shqiptar.

Adaptuar nga romani i Ismail Kadaresë – ‘Ura me tri harqe’, dhe përkthyer nga Jusuf Vrioni, nën interpretimin e Arben Bajraktarajt, Rexhep Mitrovicës dhe Cinzia Menga do të jepet shfaqja “Le Pont”.

Tre personazhe që së bashku marrin pjesë në një mit për të bashkuar historiken, legjendaren dhe universalen. Një urë është gati të ndërtohet, por gjithmonë sabotohet puna e saj, dhe fshati futet në keqkuptim, në fascionim dhe frikë. Një botë e burrave që janë të obsesionuar me vdekjen, shfaqja është një përrallë moderne ku interesat politike lidhen me Ballkanin.

Regjia e shfaqjes është realizuar nga Simon Pitaqaj ndërsa për muzikën është përkujdesur kompozitori dhe muzikanti Liburn Jupolli.

Premiera e shfaqjes vjen me 13 mars në “Theatre “Le Colombier” – 20 rue Marie – Anne Colombier, 93170 Bagnolet.

“Le Pont” është dhënë edhe në vitin 2015-të, shkruan KultPlus.

Romani – ‘Ura me tri harqe’ është konsideruar si një reagim shqiptar ndaj fituesit serb të Çmimit Nobel – Na Drini ćuprija, të Ivo Andriqit.
‘Ura me tri harqe’ është botuar për herë të parë më 1978 në Tiranë. / KultPlus.com

Mesazhi prekës i nënës së Diana Kastratit kur e pa billbordin me emrin e vajzës së saj

Në Prishtinë dje janë vendosur billborde me moton “Edhe sa thirrje të humbura”, pjesë e së cilave ishte edhe emri i Diana Kastratit. Ndërhyrja artistike ka ndodhur nga HAVEIT.

E këtë veprim e ka komentuar edhe nëna e Dianës, Makfire Kastrati. Ajo në Facebook, ka treguar se ka kaluar pranë këtij posteri dhe nuk e kishte vërejtur emrin e së bijës.

Ndër të tjera ajo ka ndarë edhe disa momente që i kishte kaluar bashkë me Dianën. Në vitin 2011-të, Diana Kastrati u vra në pikë të ditës nga bashkëshorti i saj. / KultPlus.com

Pjella mizore si ai

(Mbi rastin e Zejnepe Berishës)

Dëgjo,
E para, ti nuk ke faj për asgjë,

Nuk është fajësia jote ndjenja e nënës,
as ndjenja e një gruaje që bota iu përmbys,
as loti që sa e sa herë e ke derdhur e ne tjerët jemi cjerrë prej gëzimit të paditunisë,
as fati që të ra hise prej perëndisë.

Sa herë netëve je lutur të vdesësh,
ti, para se viktima ti shohësh përpëlitur fëmijët e tu,

Dëgjo mirë, Zejnepe,
Ti je grua, e grua është fatkeqësi në botën e burrave me mëngët lart.
Ti je nënë,
E nëna është mizori për burrat si ai, që mos e pafshin kurrë dritën e jetës, kanë zemër prej guri.
Ti je grua, e grua është e tmerrshme për burrat e ringut të boksit në familje.
Ti je nënë,
E nënat kurrë nuk kanë dashur ti rrisin këto pjella mizore si ai.

Ti je grua,
E për burrat si ai, që besa i kemi plot, një grua do të jetë fshisë elektronike përgjithmonë.
Dhe ishalla shiu i botës bie furishëm mbi ta,
mbi sytë e mbi fjalët e mbi kokat e tyre.
Ti Zejnepe, na shiko nga lartë e duartrokit me komedinë tonë.
Ti je ankthi që do t`i kthehet atij në ëndrra.
Ti je ëndrra që, nëse ka drejtësi pa gjyqtarë e çekanë, do të kthehet në ankthin e burrave si ai.

Dëgjo Zejnepe,
Je e padenjë në këtë kafene ku jetojnë burrat me mendime shpellare.
Njëjtë, si ai.
Nuk ke ti faj që 20 herë dashni tu kthyen shuplakë për 20 goditje thikë.

Unë, të kërkoj falje në emër të perëndisë,
nënës natyrë,
sepse kaq i padrejtë është rendi i burrave si ai.
Kjo botë u dha fuqi burrave, si ai, të mendojnë se preja e tyre është zemra e nënës së dikujt, vajzës së dikujt, si ti.
Lotët e nënës tënde u bëfshin bekimi yt,
e palumturia e tij.
Zejnepe, çfarë sy të përvuajtur këta tutë,

Të vësh dorë mbi ty është si të vësh dorë mbi të shenjtën,
mbi shpirtëroren,
mbi nënën e harruar, që qëndron si ushtar në këmbë sa herë sulltani futet në dhomë,
ai që ka guxuar të pështyjë mbi ty, e mbi të tjerat si ti
ka mallkuar veten, ka thirrë hyjnitë ta godasin me rrufe shpirtin e tij,

Të vësh dorë mbi ty,
është jo legjitime, nuk matet me letër e me laps,
as me ligje, as me fjalë, as me farë e me fis,
as me kokë fëmijësh, as me kanun e as me plis
as me shpirtngurtërsi, shpirtngushtësi,
as me dobësi nuk matet, as me fjalë burrnie që na shpifin erë stërvine.
Zejnepe, nuk ja pate borxh botës një burrë që ta copëtoi dritën e syve.

A.Selmani – prill 2017

“Shtëpia e Shqiptarit”, gjuha shqipe mbërrin edhe në Kanada

Shqiptarët në Kanada kanë në projektin e tyre ndërtimin e “Shtëpisë së Shqiptarit”, e cila do t’u kushtohet aktiviteteve kulturore dhe hapjes së klasave të mësimit të gjuhës shqipe.

Kjo u bë e ditur në takimin e Ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko me përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Hamiltonit.

Në takim, ku ministri Majko shoqërohej nga homologu i tij nga Kosova Dardan Gashi dhe ambasadorët e të dyja vendeve, u njoh me punën dhe potencialin e shoqatës, raporton ATSH.

Përfaqësuesit e shoqatës informuan ministrin Majko lidhur me projektin e ngritjes së “Shtëpisë së Shqiptarit”, siç do të quhet qendra që do t’i kushtohet aktiviteteve kulturore shqiptare, si dhe kurseve të gjuhës shqipe, u tha në takim.

Duke e cilësuar diasporën në Kanada si një fenomen, për shkak të përfshirjes së madhe të intelektualëve, ministri Majko i informoi të pranishmit lidhur me hapat e ndërmarrë në bashkëpunim me Kosovën, për ta trajtuar komunitetin shqiptar si një të tërë.

“U fol për marrëveshjet dypalëshe lidhur me diasporën, si ato për hapjen e qendrave të përbashkëta kulturore në të gjithë botën dhe për fushën e arsimit. Për Ministrin, arsimi ka një rëndësi të veçantë. Nëse nuk do të kujdesemi për identitetin tonë, do të humbasim mijëra të rinj pa bërë asnjë luftë”, ishte komenti i ministrit Majko.

Ai e cilësoi përfshirjen e mësimit të gjuhës shqipe në sistemin e brendshëm shkollor, si një prej arritjeve më të rëndësishme dhe shtoi se do të përpiqej që të nxiste shtrirjen e këtij standardi edhe në rajone të tjera.

Shoqatës Shqiptare të Hamiltonit që prej 23 vitesh vepron për promovimin e kulturës dhe vlerave kombëtare, si dhe për integrimin e komunitetit shqiptar në Kanada. / KultPlus.com

‘Kjo dorë që tundi djepin, gjithë botën e sundon’ (VIDEO)

Parashqevi Simaku është një këngëtare e njohur shqiptare ndërsa repertori i saj përfshin një numër të madh këngësh e interpretimesh.

Ajo sot më së miri kujtohet më këngën “E duam lumturinë”, shkruan KultPlus.

Kënga “E duam lumturinë” është një këngë e kompozuar nga Pirro Çako. Këngëtarja Parashqevi Simaku, me po këtë këngë në vitin 1988 fitoi çmimin e parë te Festivali i 27-të i Këngës në RTSH. Kjo këngë për shkak të tekstit e interpretimit të fuqishëm është bërë një himn i dashurisë dhe sakrificave të nënave për fëmijët.

Kjo këngë fillon me një interpretim të këndshëm nga një kor që përbëhet nga fëmijët për të vazhduar më pas me interpretimin e këngëtares Parashqevi Simaku.

KultPlus ju sjellë tekstin dhe videon e kësaj kënge.

Kur një zog, një pëllumb ne shikojmë
duam krahë si ata të fluturojmë
zemra jonë tik e tak kur troket
me zemrat flet

Në çdo stinë kudo janë pranverojnë
dhe në sy ata mbajnë jetën tonë
dashurinë, lumturinë e pafund
me ëndrra shumë

Kanë një botë me ëndrra
janë të vegjël shumë
mos lëndoni nënat
syrin e pagjumë

(2 herë)
Të gjitha do i dhuroja
kaq të lumtur ti shikoja
dhe fëmijët në gjithë globin
anembanë

Mos ja u prishni lumturinë
mos iu prekni dashurinë
as kërrkush mos ta provojë
se nënat s’ju lejojnë

Fjala “Nënë” kudo në botë
zgjon në zemra dashurinë
mirëmëngjes jetës i thotë
se nëna e lind njerinë.

Kjo dorë që e tundi djepin
gjithë botën e sundon oooooooooo ooooooo oooooo

Mos ja u prishni ëndrrat
janë të vegjël shumë
Mos lëndoni nënat
syrin e pagjumë

(2 herë)
Të gjitha do i dhuroja
kaq të lumtur ti shikoja
dhe fëmijët në gjithë globin
anembanë

Mos ja u prishni lumturinë
mos ja u prekni dashurinë
as kërrkush mos ta provojë
se nënat s’ju lejojnë

Fjala “Nënë” kudo në botë
zgjon në zemra dashurinë
mirëmëngjes jetës i thonë
se nëna e lind njerin

Kjo dorë që e tundi djepin
gjithë boten e gëzon oooooooooo ooooooo oooooo

Mora lule sot…

Poezi e shkruar nga Paulette Kelly.

Nuk ishte ditëlindja ime ose ndonjë rast special.
Patëm zënkën e pare mbrëmë.
Ai tha shumë gjëra të këqija që më lënduan.
E di që i vjen keq dhe që nuk i mendon ato që tha.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Nuk ishte përvjetori ynë apo ndonjë rast special.
Mbrëmë, ai më përplasi pas murit dhe më goditi.
Dukej si makth.
Nuk mund ta besoja se ishte reale.
U zgjova e lënduar në mëngjes dhe me të nxira.
E di që atij duhet t’i ketë ardhur keq.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Nuk ishte Festa e Gruas ose ndonjë rast special.
Mbrëmë, ai më rrahu sërish.
Dhe ishte më keq se herën e kaluar.
Po e lashë atë, çfarë do të bëj?
Si do të kujdesem për fëmijët e mi?
Po për para’ si do ja bëj?
Por e di që atij duhet t’i ketë ardhur keq.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Sot ishte një rast special.
Ishte dita e funeralit tim.
Mbrëmë, më në fund ai më vrau.
Më rrahu për vdekje.
Sikur të kisha patur aq kurajë dhe forcë për ta lënë,
Nuk do të kisha marrë lule… sot.

Kreatorja Besarta Deshishku prezanton koleksionin e saj të parë (FOTO)

Gili Hoxhaj

Prishtinës nga sonte iu shtua edhe një dyqan mode. Besarta Deshishku është emri premtues në dizajnin e modës që sonte prezantoi brendin e saj ndërsa përuroi edhe lokalin e ri, ku vizitorët mund të shkojnë dhe të gjejnë veten në kreacionet e saj.

Sonte në mesin e të afërmve e vizitorëve ajo shënoi një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj prej kreatoreje. Veç kësaj, kjo datë shënon tri arsye feste për Besarta Deshishkun, në ditën e gruas dhe në ditëlindjen e saj ajo po shënon një sukses të madh duke sjellë koleksionin e saj të parë me emrin “Besarta Deshishku”.

Ky koleksion përmban veshje të ndryshme për gratë, që nga ato më elegante e deri tek ato më të përditshme, e kjo reflektohet edhe nga ngjyrat e këtyre veshjeve, që nga ato me ngjyrë më të errët, shumëngjyrëshe e deri tek ato më të ndritshme dhe me elemente vezulluese. Xhamat transparent të këtij lokali e muzika që vinte prej aty ishin një ftesë për të hyrë dhe për ta gjetur stilin tënd në stilin e veçantë të kreacioneve të Besarta Deshishkut.

Babai i saj, Hashim Deshishku ishte ai që hapi këtë mbrëmje dhe tha se ndihet tejet i lumtur që Besarta sonte arriti ta jetësojë ëndrrën e saj, ndërsa i uroi edhe më tutje suksese në punën që do ta prezantojë. Me duartrokitje dhe urimet më të mira e përcollën edhe të pranishmit e tjerë, që kishin ardhur për t’u njoftuar me lokalin dhe kreacionet e Besartës.

Besarta Deshishku sonte në ditëlindjen e saj solli koleksionin e parë, por dëshira dhe pasioni për modën e kishin përcjellë në shumë vite e ditëlindje të mëhershme.

Tek ajo me vite ishte rritur dashuria dhe pasioni për modën dhe artin, derisa si fëmijë vizatonte fustane. Ajo tregoi për KultPlus se është rritur në një familje ekonomistësh, ndërsa edhe ajo kishte filluar ta ndjek këtë traditë familjare. Për ta ushqyer pasionin e saj, ajo fillon ta ndjekë një kurs mode, i cili ia kishte dëshmuar që ajo ishte e lindur për këtë punë. Këtij profesioni ajo iu përkushtua edhe më shumë me studimet të cilat i përfundoi në “Accademia Italiana – Art, Fashion & Design” në Romë të Italisë.

Sot është dita kur Besarta e kurorëzon gjithë punën e saj intensive për gjashtë muaj. Ajo tregon se pas studimeve për një kohë të gjatë ka ndaluar në fushën e dizajnit, për t’iu përkushtuar familjes, ndërsa thotë që as vetë nuk e ka pritur që puna drejt hapjes së lokalit do të ecën me një ritëm kaq të shpejtë dhe do të finalizohet në këtë mënyrë siç u prezantua sonte.

“Pas studimeve nuk kam qenë shumë e përkushtuar pas punës, për shkak se iu kam përkushtuar më shumë rritjes së djalit. Edhe pse nuk e kam menduar që hapja e lokalit do të ndodhë kaq herët, tashmë mendoj se është momenti i duhur dhe shpresoj që edhe tregu të jetë i kënaqur me mua dhe po ashtu dhe unë me tregun”u shpreh kreatorja e re Besarta Deshishku.

Brendi i saj momentalisht përmban vetëm veshje për gra dhe vajza ndërsa aty gjejmë veshje të stinës së pranverës dhe verës, ndërsa më të shpeshta janë veshjet pranverore. Besarta tregon se së shpejti do t’i shtohen edhe më shumë veshje verore. Veçantia e saj si kreatore është se në veshjet e saj përveç fustaneve, mund të gjenden edhe shumë veshje me të cilat mund të nisesh në ngjarje më të zakonshme e deri në ato më glamuroze.

“Pavarësisht që i dua shumë edhe fustanat, unë jam përkushtuar edhe në veshje të zakonshme pasi që momentalisht kemi shumë dizajnerë të fustaneve. Unë jam e dhënë më shumë pas veshjeve të zakonshme dhe që kanë punë pak më shumë”, tregon ajo.

Besarta Deshishku është një adresë ku çdokush mund të shkojë dhe të gjejë stilin e vet pasi veshjet e saj janë të dizajneve të ndryshme. Lokali i saj gjendet në Prishtinë, me konkretisht në lagjen “Tophanja”, në rrugën Murat Mehmeti nr.58 . / KultPlus.com

Historitë e grave të suksesshme frankofone zbarkuan sot në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Olymp de Gouge, Louise Labe, Marie Curie, Alexandra David-Neel, Iris von Roter, Simone Veil, Camille Claudel, George Sand, Coco Chanel, Suzanne Borel dhe Simone de Beauvoir erdhën sonte në Prishtinë përmes interpretimit që u bë në Qendrën Universitare Frankofone. Këto gra i njohim, i respektojmë, reflektojmë mbi suksesin dhe fuqinë që patën.

Kjo qendër sonte mirëpriti gratë të cilat kanë profesione të ndryshme por që të përbashkët e kanë gjuhën frënge, duke sjellë kështu në po këtë gjuhë biografi, tekste, thënie të 11-të grave frankofone të cilat ato i kishin përzgjedhur.


Simone de Beauvoir

Cecile Fisteberg nga Ambasada e Francës solli fillimisht para të pranishmëve Olymp de Gouges, e cila ishte një dramaturge dhe aktiviste politike francez, me plot shkrime feministe prapa saj.

Pastaj erdhi historia e poetes Louise Labe, e cila veçohej pasi që ishte veshur edhe si burrë dhe kishte luftuar si kalorësit. Poetja të cilën e kanë quajtur edhe si “La Belle Amazone” erdhi nga Aroma Demiri, nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Tutje erdhi historia e Marie Curie, i vetmi person që deri sot ka fituar dy çmime Nobel, atë për Kimi dhe atë për Fizikë.

Kjo shkencëtare sonte erdhi e paraqitur nga Fikrije Pallashniku nga Ambasada Franceze kurse Alexandra David-Neel erdhi nga Cecile Sangare nga Ambasada e Francës. Iris von Roter, një nga avokatet e para në Zvicër, e cila më pas punoi si shkrimtare e pavarur, gazetare dhe ishte edhe feministe e denja erdhi nga Anita Schluchterr nga Ambasada e Zvicrës.

Interpretueset kishin zgjedhur me kujdes edhe veshjet e tyre në mënyrë që të përshtateshin me personazhet jetën e të cilave po e paraqisnin para audiencs.

Një që të tillë e kishte bërë edhe profesoresha e letërsisë franceze në Departamentin e Frëngjishtes në Universitetin e Prishtinës – Nerimane Kamberi. Ajo kishte shushuritur flokët dhe rreth qafës kishte vendosur një jakë të gjerë e të bardhë e cila i ngjante asaj të cilën e kishte mbajtur Camille Claudel në një nga fotografitë e saj.
“Ajo e ka ndryshuar historinë e artit, historinë e skulpturës mirëpo nuk është pranuar kurrë edhe për shkak të stilit të jetës së saj edhe për talentin e saj, ajo ka qenë nën hijen e skulptorit Auguste Rodin. Claudel e ka kaluar gjysmën e jetës së saj në çmendinë, kurse unë jam veshur sikur ajo edhe për të hyrë në personazhin tim” u shpreh Kamberi për KultPlus.


Marie Curie


Camille Claudel

Ajo tregoi se përmes përzgjedhjes kanë sjellë gra të cilat ndoshta edhe nuk janë kuptuar në kohën kur kanë jetuar por që sot janë shembull i arritjeve dhe emancipimit shoqëror të gruas.

“Jemi munduar të kemi një llojllojshmëri prezantimesh, tekstesh, biografi të grave të cilat vërtetë duhet të na frymëzojnë dhe të cilat edhe i frymëzojnë gratë sot. Këto personazhe erdhën nga ne, që jemi me profesione të ndryshme, por që jemi mikesha të cilat si pikë të përbashkët e kemi frëngjishten”, u shpreh ajo duke theksuar se edhe pse kanë profesione të ndryshme ato e përkrahin njëra-tjetrën dhe pikërisht kjo përkrahje ndihmon edhe në emancipimin e gruas.

Simone Veil erdhi nga Salome Duhoo nga Ambasada e Francës. George Sand u prezantua nga Krenare Luma nga Universiteti i Prishtinës, nga Teuta Blakqori pjesë e stafit të Universiteti të Prishtinës erdhi Coco Chanel. Kurse Suzanne Borel erdhi nga Magbule Gerxhaliu nga Ambasada e Francës.
Koordinatorja e Qendrës Universitare Frankofone, Valbona Gashi-Berisha, qendër e cila është hapur para një muaji, u shpreh e lumtur që pikërisht ky organizim ishte i pari për këtë qendër. Ajo gjithashtu para të pranishmëve solli historinë e Simone de Beauvoir, shkrimtares së “Seksit të dytë”.

“Sonte kemi përzgjedhur disa personalitete të cilat kanë qenë pioniere, kësaj radhe të gjitha kanë qenë frankofone, mirëpo në vazhdim do të sjellim edhe histori të grave të tjera. Sonte po ashtu patëm më shumë studentë dhe kjo do u shërbejë atyre. Ata edhe gjatë studimeve mund të hasin në këto figura, sidomos ato letrare. Ne kemi studentë shumë të mirë, sidomos viti i parë, prandaj shpresoj që kjo lidhshmëri e qendrës sonë me organizimet në kuadër të frankofonisë të vazhdojnë edhe më tej dhe frankofonia të lulëzojë sa më shumë në Kosovë”, u shpreh ajo për KultPlus.

Ky aktivitet u realizua në kudër të organizimit “Javët e Frankofonisë” që do të sjellë aktivitete të ndryshme gjatë tërë muajit mars, duke promovuar kështu kulturën dhe artin francez. / KultPlus.com

11 librat që e ndryshuan historinë e njerëzimit

“Fabulat e Ezopit” nga Ezopi

Origjinën e botimit besohet se e ka në mes viteve 620 dhe 560 para Krishtit
Libri “Fabulat e Ezop-it” është një koleksion i tregimeve që tregojnë një mësim të përjetshëm. Fabulat i janë referuar shpesh një njeriu të lashtë grek dhe tregimtari të quajtur Ezop (edhe pse origjina e tij mbetet e diskutueshme). Historitë janë ende mësime të rëndësishme morale dhe kanë pasur një ndikim të gjerë mbi letërsinë dhe thëniet e përbashkëta, duke përfshirë “Ujku me lëkurë deleje”, “Djali që thirri ujkun”, “Pata që bëri vezën e artë”, dhe shumë të tjerë.

“Anne Frank: Ditari i një vajze të re” nga Anne Frank
Botuar në vitin 1947

Libri është një përmbledhje e shkrimeve të Ditarit të Anne Frank, një vajzë që ishte fshehur me familjen e saj për dy vjet gjatë pushtimit nazist të Hollandës. Familja u zbulua në vitin 1944, dhe Frank vdiq nga tifoja në kampin e përqendrimit të zonës Bergen-Belsen. Që nga botimi i tij, “Anne Frank: Ditari i një vajze të re” është përkthyer në më shumë se 60 gjuhë dhe mbetet një nga dokumentet më të famshme dhe me ndikim në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kur’ani
Origjinën e ka në vitin 610

Teksti qendror fetar i Islamit, i cili është ndiqet nga 1.6 miliard myslimanë në mbarë botën. Kurani ose Kur’an-i, është shkrimi i shenjtë i fesë islame, i cili siç besojnë myslimanët, përmban fjalë për fjalë zbulesën e Zotit (arabisht: Allahut) ndaj profetit Muhamed nëpërmjet engjëllit Gabriel. Përkthimi i kuranit konsiderohet nga teologjia tradicionale islame si i pamundur, pasi çdo përkthim mbart njëkohësisht edhe një interpretim. Prandaj leximi i kuranit sugjerohet të bëhet në tekstin origjinal arabisht.

“Ese” nga Michel de Montaigne
Botuar në 1580

Descartes René, Blaise Pascal, Jean-Jacques Rousseau, Ralph Waldo Emerson, Friedrich Nietzsche, Stefan Cvajg, Eric Hoffer, Isaac Asimov, Jean-Jacques Rousseau dhe mendimtarë të mëdhenj të botës janë ndikuar nga përmbledhja masive e eseve të Motaigne-së. Aftësia e shkrimtarit dhe burrit të shteti francez për të përzierë pyetjet serioze morale me anekdotat rastësore, ishte një vepër “vetëtoleruese”, por në ditët e sotme konsiderohet si një pjesë e literaturës më të rëndësishme që vjen nga Rilindja Franceze.

“Folio i parë” nga William Shakespeare
Botuar në 1623

Në 1623, një koleksion i dramave të Shekspirit është botuar nga miqtë e tij John Heminges dhe Henry Condell, i njohur si “Dorëshkrimi i Parë”. Këtu përfshihen “Romeo dhe Xhuljeta”, “Mbreti Lear”, “Hamleti”, etj. Kontributi i Shekspirit mbi letërsinë dhe teatrin ka mbetur i pashembullt, dhe ndikimi i tij në zhanër, komplot dhe gjuhë, vazhdon të ndihet nga gjeneratat e ardhshme të artistëve.

“Si jeton gjysma tjetër” nga Jacob Riis
Botuar në 1890

Në fund të shekullit 19, Nju Jorku nuk ishte një vend i mirë për punëtorët industrialë. Ata jetonin në ndërtesa shumëkatëshe të rrënuara, dhe Riis, një gazetar, e nisi misionin e tij, duke treguar çdo ditë, me përshkrime grafike, skica, statistika, dhe fotografi, klasat e sipërme dhe të mesme. Duke vënë në dukje kushtet e rrezikshme me të cilat përballen të varfrit. “Si jeton gjysma tjetër”, jo vetëm që frymëzoi ndryshim të ndjeshëm nëpër shkolla, dyqane ëmbëlsirash dhe ndërtesa, por ishte edhe bazë për të ardhmen e gazetarisë.

“Për lirinë”, nga John Stuart Mill
Botuar në 1859

Ese-ja e shkurtër nga filozofi britanik Mill u bë një nga librat më të famshëm mbi utilitarizmin e shoqërisë dhe shtetit. Mill theksoi rëndësinë e individualitetit si dhe pavarësinë nga qeveria. “Për Lirinë”, vazhdon të ketë një ndikim të madh në shkencat politike dhe filozofi, dhe pyetjet e saj në lidhje me natyrën e lirisë individuale në një shoqëri demokratike, mbeten po aq të ngutshme dhe të rëndësishme.

“Mbi origjinën e specieve” nga Charles Darwin
Botuar në 1859

Darwini udhëtoi për në ishujt Galapagos, ku ai identifikoi një nga zbulimet më të rëndësishme shkencore të shekullit të 19, evolucionin. Sot, pothuajse të gjithë e dinë emrin e tij, çfarë bëri, dhe pse vlerësohet kaq shumë. Duke respektuar natyrën në të gjitha format e saj – Darwin pa se të gjitha qeniet janë të lidhura. Çdo gjë e gjallë ndan një prejardhje, dhe arriti në përfundimin se, shumëllojshmëria e jetës në Tokë rezulton nga proceset në punë gjatë miliona vjetëve, dhe ende në punë sot. Shpjegimi i Darvinit për këtë shpalosje kaq të gjerë të jetës në kohë – teoria e evolucionit nëpërmjet seleksionimit natyror – transformoi të kuptuarit e botës së gjallë – ashtu si idetë e shkencëtarëve Galileo, Newton, dhe Ajnshtajn ndryshuan të kuptuarit e universit fizik. E thjeshtë por njëkohësisht e diskutueshme, keqkuptuar, keqpërdorur për qëllime sociale, thonë studiuesit, teoria e Darwinit mbetet e pakundërshtueshme si koncepti qendror i biologjisë, duke ndihmuar mikrobiologë e gjenetistë të panumërt.

“Seksi i dytë”, nga Simone De Beauvoir
Botuar në 1949

“Seksi i Dytë” është cilësuar nga shumë kritikë si libri që inauguroi lëvizjen feministe të kohës moderne. “Seksi i Dytë” është puna e një mendje brilante që shquhet për mprehtësi në disiplina të tilla si filozofia, psikologjia, ekonomia dhe historia. Simone De Beauvoir shkruan se “nuk lindim gra; po bëhemi të tilla”. Libri vazhdon të ketë një ndikim të madh në lëvizjet e grave në mbarë botën.

“Libri i rrugës drejt fuqisë” Lao Tzu
Shkruar midis 600 dhe 400 para erës sonë

Taoizmi është një fe kombëtare kineze që daton në shekullin e dytë para erës sonë. Lao-Tzu, themeluesi i shkollës taoiste në dinastinë e hershme Qin, nderohet si babai i taoizmit dhe vepra e tij kryesore “Libri i rrugës drejt fuqisë” përbën bazën e kësaj feje. Për taoizmin ka, gjithashtu, edhe shume vepra letrare si dhe një seri doktrinash të plota dhe të thella.

“Varrose zemrën time në gjurin e plagosur” nga Dee Alexander Brown
“Varrose zemrën time në gjurin e plagosur” zbulon historinë e amerikanëve vendas në fund të shekullit 19, sidomos padrejtësitë dhe tradhtitë e kryera nga qeveria e SHBA dhe zhvendosja e tyre e detyruar. Është ndër librat më të shitur dhe i përkthyer në 17 gjuhë. Nëpërmjet të dhënave të qeverisë, Brown zbuloi masakrën e një populli të tërë në përpjekje për të “fituar” Perëndimi amerikan.

Hyrie Hana: Kur më futën në burg, ia krisa këngës!

Hyrie Hana njihet si grua që hoqi shumë nga UDB-ja serbe.

Një prej aktoreve të para të Teatrit Krahinor të Prishtinës, ajo kujton se rolet e saj ishin të mira por gjithçka binte nën hijen e regjimit asokohe, i cili edhe e dënoi dhe e burgosi. Ajo ishte edhe spikerja e parë e Radios së posapahur në Prizren, në vitin 1945 dhe më pas edhe në Radio Prishtinë, në vitin 1946.

Këtu, ajo kujton se si përfundoi në burg.

Nga Kujtimet: “Gjykimi im ishte caktuar për 12 tetor 1961, në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë. Një ditë para se të mbahej seanca, më sollën në burgun e Prishtinës. Po atë mbrëmje gardiani më zbriti në një dhomë gjysmë të errët ku ndodheshin hetuesit dhe im shoq, Aliu. Në prani të organeve të burgut, Aliu ma zgjati dorën, ndërsa unë e përqafova. Kisha rënë shumë nga shëndeti, prandaj edhe i thashë: Aq e dobët dukem, saqë nuk po më afrohesh? – Asnjëherë nuk je dukur më bukur se sonte! – ma ktheu Aliu. Nesër e ke gjykimin, më tha. – E di – ia ktheva. Nesër është dita e dasmës sime, prandaj, të lutem, ma sjell fustanin e kuq kadife dhe kostumin e zi – e porosita.
Në atë gjykim Hyria kishte rastin që publikisht ta akuzonte pushtetin aktual për të gjitha që kishte përjetuar dhe kishte parë për krimet e kryera nga serbo-malazezët menjëherë pas luftë, për vrasjen e të vëllait – Xheladinit, për dëbimin me dhunë të shqiptarëve në Turqi dhe shumë të zeza tjera…
Në sallën e Gjykimit ndodheshin e ëma, Gjija, i shoqi Aliu dhe motra, Sanija. Hyries, e cila nuk pranon asgjë, “në emër të popullit” i shqiptohet dënimi me pesë vjet burgim të rëndë. E ëma mbahet mirë, ndërsa së motrës i rrjedhin lotët. E kthejnë në burgun e Prishtinës, e cila tregon: “Posa hyra në korridorin e burgut, ia krisa këngës!”.

Burimi: Sanije Gashi – Ecje nëpër kujtesë

Anesa e Rina Lipa, dhe supergratë tjera në jetën e Dua Lipës

Këngëtarja Dua Lipa e cila është bërë inspirim për shumë vajza e gra, sot ka ndarë disa urime për Ditën e Gruas, ndër të tjera ajo edhe ka publikuar disa fotografi të grave që e kanë përkrahur dhe inspiruar rrugëtimin e saj, shkruan KultPlus.

Dua Lipa sot ka publikuar rreth dhjetë fotografi të këtyre grave me të cilat ka qenë vazhdimisht gjatë ndërtimit të karrierës së saj, në mesin e tyre edhe nëna e saj Anesa Lipa dhe motra e saj Rina Lipa.

“Disa nga supergratë në jetën time. Pa to nuk do të mund të arrija këtu. Ju dua të gjithave dhe do doja të kisha më shumë fotografi për t’i treguar botës se sa të mrekullueshme, inspiruese dhe përkrahëse jeni ju”, ka shkruar këngëtarja shqiptare Dua Lipa.

Ajo po ashtu sot më herët ka ndarë një fotografi ku ka qenë më e vogël derisa në ditëlindjen e saj ishte e rrethuar me dy vajza të nacionaliteteve të tjera. Në përshkrimin e kësaj fotografie ajo ka shkruar:

“Urime Dita e Grave! Duajeni njëra-tjetrën, kujdesuni dhe përkrahni njëra-tjetrën. Jo vetëm sot por çdo ditë”, ka shkruar Dua në këtë fotografi. / KultPlus.com

Vargjet e Ali Podrimjës për gruan e tij Fitoren

NË XHAMIN E ERRËT IMAZH I SË NESËRMES

Fitore Podrimjes

e bukura veshur kish rrobat për mejdan
këmishë qëndisur nga gjuhët e flakes
rreth qafe m’i kishte hedhur duart plot dhé e rrënjë
seç pëshpëriste lutje të moçme majë klithmave
Mali i Borërave hijonte mbi shpirtra
nën një dru mijëvjeçar thithja gishtërinjtë
tek kapërcente bjeshkë zjarre ujëra
kapsoll syri im i tretë
gjallë a dekë të takoheshim i lutesha të madhit
nuk mund të ekzistoj pa të as pa mua ajo
mes trupave lëshonte shtat e nesërmja
nën një çati të Iliridës zog i qiejve
më kishte zgjuar
kur trupin e saj ia kishte mbështjellë tymi
rrobat e mejdanit a i rrinë mirë
me sa lule qëndisur këmisha nga gjuhët e flakës
të thara buzët e tej Malit të Borërave
frymon Kosova e frikshme dhe e bukur
vezullimë e verbër kish shkrepur e në xhamin
e errët imazh i së nesërmes vijëzohej
na duhen lotët edhe për gëzim grua e dashur

Ali Podrimja (Tetovë, 30.3.1999)

Amanet

Poezi nga Yllka Domi

Amanet ju le nëse nuk pritoni
të ma shkruani emrin në rërën e detit,
dhe dy vargje mi shkruani me shkrimin e saj.
Në krahët e valëve të ketë epope te pambaruar
dhe arena e kafazit të jetë e hapur.

Përmendore nuk dua…
Nëse në kurrizin e qytetit gjeni një shkop
vendosni afër kokës sime.
Amanet nënshkrimet e juaja mos i lini,
mund të komunikoni fshehurazi
deri në sosjen e emrit tim.
Atje poshtë e lart, pa skena të zbehta
nën mbrëmjen, nën qiellin e pastërt
ju krijoni trupa të rinj.

Ibe Palikuqi, njëra prej grave në ‘Heroinat e Jugosllavisë’

Në ditën e 8 Marsit, Dita Ndërkombëtare e Gruas, një projekt interesant po nderon heroinat e Jugosllavisë.
Zoran Cardula ka zgjedhur 91 gra nga Jugosllavia, luftëtare të cilat e paguan edhe me jetën e tyre luftën kundër fashizmit dhe shtypësit.

Pas rënies së Jugosllavisë, një pjesë e tyre mbeten të harruara kjo me tendencë që të minimizohet lufta dhe përpjekja e tyre.

Për këtë projekt janë përdorur vizatimet e mrekullueshme të Zdenko Svircic.

Në mesin e portreteve janë edhe heroinat e reja Fana Kocovska dhe Ibe Palikuqi, të cilat iu bashkuan partizanëve në moshën 14 e 15 vjeçare, apo edhe Darinka Radovanovic – dy vajzat e saj u vranë para syve të saj dhe ajo prapë refuzoi të tregonte ku fshiheshin partizanët.

Ibe Palikuqi u lind në qytetin e Dibrës. Që nga 1942 shtëpia e saj u bë bazë shokësh ilegalë dhe ajo vetë propagandiste trime e ideve të luftës çlirimtare. U arrestua së bashku me nënën dhe u burgos (1943). Pasi doli nga burgu, vijoi veprimtarinë revolucionare. U rreshtua në batalionin partizan të Dibrës dhe me organizimin e Brigadës XVIII S (1944) u caktua zëvendëskomisare kompanie. Në të gjitha luftimet u shqua për guxim e trimëri të rrallë. Ra heroikisht në luftë kundër nazistëve gjermanë dhe tradhtarëve për çlirimin e Kërçovës në Maqedoni, më 23 shtator 1944.

Në këtë listë është edhe Lepa Radic, dhe më pas edhe Danica Milosavljevic, një infermiere e cila ndërroi jetë para pak ditësh, pjesë e Brigadës së Parë të Proletariatit.

“Jam i mahnitur nga historitë e këtyre grave, nga guximi i tyre. Lavdi e madhështi për punën e tyre” shkruan vetë krijuesi i projektit “Heroinat e Jugosllavisë”, përcjellë KultPlus.

“Në këtë kohë kur shovinizmi e nacionalizmi po marrin frymë në këtë pjesë të regjionit, dua që me anë të këtij projekti të tregoj sakrificën e tyre grave” tregon më pas Cardula.
Majda Slic, Majda Vrhonic, Dragica Pravica, Anka Berus, Vera Anceva, Nada Naumovic janë në mesin e këtyre 91 grave të përmbledhura në këtë projekt. / KultPlus.com

Ç’do të thotë të jesh grua?

Poezi nga Jehuda Amihai.

Ç’do të thotë të jesh grua?
Si ndihesh vallë me
boshllëkun mes kofshëve,
syrin kureshtar nën fustan – kur behari fryn –
e të pacipë ndër vithe?

Burri s’ka ç’i bën traut të çuditshëm
që ka mes këmbëve. “Nga cila anë
dëshironi ta mbani?” më pyeste rrobaqepësi hijerëndë
teksa maste pantallonat e mia.
Si ta shpreh diçka tërësore që s’copëzohet?

Si mund të vishesh e zhvishesh
mes rrëshqitjesh të mefshta dhe ledhatimesh
si të mbathësh vaj ulliri,
t’i derdhësh trupit petka puplash,
prej mëndafshi, mërmërime dhe një hiçi trëndafili a kaltërimi?

Burri vishet me vrazhdësinë e
e grisjes mbytur në tharti,
të thepisur dhe kockore, që shkelmon ajrin.
Era i korkolepset mes qerpikësh.

Si ndihesh kur je grua,
kur vetë turpi yt të ëndërron.
Gjurmë gruaje mbi trupin tim mashkullor
dhe mbresa burrnore mbi tëndin femëror –
janë kasnecët e skëterrës
që po vlon për ne
e për vdekjen tonë të ndërsjellë.

(shqip: Edon Qesari)

Gratë të cilat lexojnë janë të rrezikshme

Të mbytura në një botë plot burra dhe ku ato supozohej të mbeteshin pasive, gratë e gjetën mënyrën për tu aktivizuar.

E përdorën letërsisë. Dhe kësisoj, gratë që nisën të lexonin e të zgjeronin kufijtë e tyre. U bënë të rrezikshme.
Stefan Bollman ka përmbledhur në një libër historinë e grave që lexojnë. Gratë në piktura të ndryshme janë duke lexuar libra, duke mos e çarë kokën për asgjë tjetër, duke lënë pas burrat e fëmijët shpesh për të lexuar, për tu koncentruar.


Franz Eybl, Lesendes Mädchen

Libri në gjuhën spanjolle është fantastik, dhe për ata që e kuptojnë këtë gjuhë do të ishte një fillim i mirë për të kuptuar shoqëritë dhe gratë që nisën të lexonin.


Felix Vallotton, Young Lady Reading

Bollman ka hulumtuar mungesën e medieve dhe gratë, se si atë e përdorën letërsinë për të ushqyer tek të tjerët rrezikun. Ato u bënë të rrezikshme, pasi morën informacionin e duhur prej librave.
Esther Tusquets ka shkruar: Që nga Sheherzadja e deri te gjyshet e nënat tona, gratë kanë ndryshuar historinë dhe kanë qenë tregimtaret gjeniale të historisë.


Friedrich heinrich füger / magdalena

Në libër shkruhet se burrat duan që gratë të bëjnë sa më pak gjëra, dhe mundësisht ato që ata i kanë dëshirë. Në vitin 1532, humanisti Juan Luis Vives i këshillonte burrat që të mos i lejonin gratë e tyre të lexonin, sepse gratë nuk duhet të krijojnë gjykimin e tyre.


“Jeune décadente” – Ramon Casas

Po e sjellim këtë libër sot, i cili mund të lexohet online, . Dhe në kontekstin e mirë, po, gratë që lexojnë janë të rrezikshme, sepse mund ta ndryshojnë mendësinë, dhe janë kundër patriarkalitetit. / KultPlus.com

Për gratë që po na marrin n’qafë!

Shkruan: Vlora Konushevci

Një grua e fuqizuar, sipas një mendjeje të shëndosh, ishte dashur të ndihmoj fuqizimin e grave të tjera. Pse ky fenomen në Kosovë është kaq pak prezent?

Sepse, fatkeqësisht, një numër jo i vogël i grave të fuqizuara janë aty ku janë falë librezës së partisë, falë dajallarëve të fortë, dhe falë prejardhjes rajonale. Po të njëjtat, duke qenë se nuk i janë nënshtruar as parimeve bazë të meritokracisë, janë tepër të kënaqura me veten, komplet të pavetëdijshme për luftën që grave tjera u duhet me e bë pothuajse çdo ditë, dhe kështu t’a fyejnë intelegjencën me vet-mjaftueshmërinë e tyre. Për më keq, po ato shërbejnë edhe për statistika….

Gra të dashura, gratë në botë që prej vitit 1857 nuk kanë luftuar për të shkuar në shtëpi në orën 12:00. Kanë luftuar për kushte më të mira në punë, për mundësi të barabarta, madje edhe për t’u konsideruar njeri, prandaj kthjelluni! Çdo ditë e më shumë po bindem se gratë tona e bartin përgjegjësinë më të madhe për pozitën e gruas sot në Kosovë. Gra të vetëdijshme, të shkolluara, profesioniste, gra që bartin vlera e përfaqësojnë vlera nuk e ngrisin zërin as të paktën një herë në vit, as në mënyrë simbolike! Sepse ajo është mirë, por vajza jote nesër mund të mos e ketë fatin tënd të mirë. Sepse me qenë mirë në Kosovë është goxha çështje fati!

Madeline Albrait me shumë të drejtë pati thënë që: “Është një vend i veçantë në ferr për gratë që nuk i përkrahin gratë tjera”! Por po dyshoj që atje fati do të kryej punë e aq ma pak libreza e partisë.

Urime!

Fotografi e rrallë nga shkolla e parë shqipe në Korçë

Sot janë bërë plot 131 vjet që nga dita kur në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, ditë që përmbushi aspiratat e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare, shkruan KultPlus.

Data 7 mars 1887 shënon ditën kur në Korçë u krijua shkolla e parë zyrtare shqipe. Shkolla ishte në qendër të qytetit dhe mblodhi shumë studentë, djem dhe vajza. KultPlus ju sjellë një fotografi nga nxënësit dhe mësimdhënësit e asaj kohë që shijuan ditët e para të mësimit në këtë shkollë.

Mësuesit e parë të kësaj shkolle ishin: Pandeli Sotiri, Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Janko Minxha, Nuçi Naçi, Thanas Nona, Hafiz Ali Korça, Kristaq Vaja dhe Nikollaq Zografi.

Mësuesi dhe drejtoru i parë i saj – Pandeli Sotiri, e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës.

Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta.

Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. / KultPlus.com

Rita Ora në Dubai, në një koncert pa pagesë për femrat

Rita Ora do të performojë të shtunën në Dubai.

Këngëtarja e ‘Hot Right Now’ do të këndojë në Dubai, në Base Dubai, një club i ri që hapet në vikend.

Për vajza, koncerti do të jetë falas.

Rita Ora herën e fundit në Dubai ka performuar në vitin 2016-të..

Rita para pak ditësh ka rrëmbyer “Best Pop” në Global Awards, ndërsa muajin shkurt ajo mbajti një koncert të madh në Prishtinë, në festimin e 10 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Poezia e Naim Frashërit kushtuar hapjes së mësonjëtores shqipe në Korçë

Naim Frashëri

O vëllezër shqiptarë
Gëzohi! që erth kjo ditë,
Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë
Që sjell gjithë mirësitë.

Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë!
Se arriti koh’ e mirë,
U gdhi nata u bë ditë

Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë!

Dikur në Kosovë, koha e shtëpive shkolla (VIDEO)

Në festën e cila shënon ditën kur u hap shkolla e parë shqipe, kujtojmë periudhën e mësimit paralel, shtëpitë shkolla, shkollat si rezistencë dhe heronjtë e heroinat që ndezën shkëndija të dijes në kohëra të errëta.

CHWB – Cultural Heritage Without Borders në Kosovë, ka përgatitur një mini-dokumentar ku paraqitet ky sistem paralel i mësimit në një kohë kur Kosova ishte pjesë e një regjimi shtypës.

Shtëpitë shkolla ishin e vetmja formë për të përhapur gjuhën shqipe dhe edukatën tek qytetarët në Kosovë.
Nxënësit dhe studentët shqiptarë – 400,000 gjithsej – nuk shkuan në shkollë deri në janar 1992, shkruan Kallxo.com në një tekst autorial.

Semestri i parë u përdor për të negociuar hapësira mësimore brenda shkollave publike, si dhe për të gjetur shtëpi private që mund të strehonin nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët universitarë – shumica e të cilëve ishin dëbuar nga objektet shkollore. Mbi 100,000 nxënës e studentë u vendosën në mënyrë permanente në 3,200 shtëpi, bodrume dhe garazha private, që u shndërruan në shkolla të improvizuara. / KultPlus.com

Adem Jashari përshëndetet me nënën dhe niset për luftë (VIDEO)

Pamje që pak kush i ka parë deri më tash aktualizohen këto ditë. Në to shihet komandanti Legjendar Adem Jashari.

Kjo video e realizuar në kullën e Jasharjave në Prekaz, është bërë në një natë kur Ademi bashkë me dajën e tij nga Llausha, Osman Gecin dhe me djalin Lulzim Jasharin po nishesin për në luftime.

Dukej sikur po niseshin në dasëm dajë e nip që nuk u ndanë deri në vdekje. Ademi e Daja Osman përshëndeten me familje, kurse në veturë i pret Luli.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=224&v=ydFMtRA-FQ0

Nëna Zahidja i shoqëron deri te vetura.

Aty dëgjohet edhe zëri i Adem Jasharit tek përshëndetet me nënën e tij kjo grua heroninë që lindi heronj. / KultPlus.com

‘Me dasht’…’ në Gjakovë për regjisorin Bekim Lumi

Tashmë janë shpeshtuar aktivitetet artistike për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, i cili po përballet me sëmundjen e rëndë të kancerit.

Për ta ndihmuar regjisorin, një mbrëmje filmi do të organizohet edhe në qytetin e Gjakovës, shkruan KultPlus.
Me iniciativën e dramaturges Dhurata Hoti, këtë të shtunë në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” do të shfaqet filmin “Me dasht’, me dasht’, me dasht’ ” i regjisorit Ilir Hasanaj.

Filmi do të shfaqet në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, duke filluar nga ora 19:00.
“Bekim Lumi gjithmonë ka shprehur dashuri e pasion për artin e krijuar prej të rinjve kosovar, prandaj kemi vendosur të shfaqim një prej prodhimeve më origjinale në kinematografinë e vendit tonë”, shkruhet në njoftimin e kësaj ngjarje.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të përdoren për tu solidarizuar me regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj.

Vlera e kontributit mund të bëhet tek hyrja me një shumë të pacaktuar, ku secili vendos sipas vullnetit dhe mundësive.

Kjo ngjarje u mbështet nga Grupi i Grave Asambleiste dhe Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport e Komunës së Gjakovës. / KultPlus.com

Myzafere Hatipi, ndër të parat mësuese që erdhi në Kosovë

Mësuesinë e nisi në Tepelenë, e vazhdoi në Tiranë e në Shkodër, në Korishë, në Prizren e në Gjakovë, e përmbylli në Prishtinë. Bëri shkollë në Institutin “Nana Mbretneshë” të Tiranës dhe la gjurmë në arsimin shqiptar.

Po e kujtojmë sot mësuesen Myzafere Hatipi, e lindur në vitin 1917, e cila bëri një jetë të vetmuar gati, me të birin, Blerimin, në Prishtinë.

Mësuesja, prizrenasja e dikurshme, është ndër mësueset që me punën e saj la gjurmë në arsimin shqiptar.
“Zilja e shkollës akoma më jehon në veshë, rreshtat e nxënësve tek ngarendnin të ngjiteshin shkallëve, zhurma e tyre korridoreve të shkollës, janë tablo jete profesionale e imazhe që më shoqërojnë gjithë jetën” tregon mësuesja për Sanije Gashin në librin ku kjo e fundit ka përfshirë gratë shqiptare që lanë gjurmë me jetën e tyre.

Rruga e shkollimit për Myzaferen, që ishte fëmija i parë në familjen Gjinali, nis kur babai i saj, Ismail Gjinali, kalon për të jetuar në Shkodër në vitin 1932, me qëllim që ti shkollonte fëmijët. Myzaferja shkollohet në Institutin “Nana Mbretneshë” që ishte shkollë e vajzave për atë kohë, më e njohura në Shqipëri. Veç mësimeve, ajo ndjek edhe ligjëratat dhe në shkollën e dramës, shquhet si basketbolliste, luan në violinë, mëson frëngjishten e italishten, turqishten e zotëronte qysh më herët.

Në vitin 1937 ajo emërohet mësuese në Tepelenë. Si 20 vjeçare, këtu ajo merr ditarin për herë të parë në dorë. Me këtë përvojë ajo më pas transferohet në Shkollën “Nami Frashëri” në Tiranë.

Gruaja e quajtur Ngadhënjim ( në arabishte Myzafer do të thotë Ngadhënjim ) me gjithë vuajtjet më pas kalon të japë mësim në Gjakovë. Me hapjen e Normales Shqipe, 1946/47, ajo bashkë me elbasanasen Lirie Tanefi, si mësimdhënëse të para dhe me përvojë pedagogjike, fillojnë punën në ushtrimoren e Normales. Myzaferja ligjëronte edhe në lëndën e biologjisë, ndonëse, siç thotë ajo, dashuri të madhe ndiente ndaj matematikës, ndërsa Liria ligjëronte metodikën e mësimdhënies, vizatimin dhe punëdoren. Të dyja ishin shembull për emancipimin dhe shkollimin e vajzave të mbyllura. / KultPlus.com