Zbulohet sekreti 900 vjeçar në kalanë e Rozafës në Shkodër

Një zbulim i jashtëzakonshëm është bërë ditët e fundit në kalanë e Rozafës në Shkodër. Ekspedita arkeologjike polake, e cila po kryen prej ditësh gërmime në këtë kala dhe në pjesën përreth saj që ka gjetur skeletin e një njeriu që mendohet se është 900 vjeçar.

Ai është nxjerrë në sipërfaqe me mjaft kujdes me qëllim që mos të dëmtohej. Arkeologët polakë mendojnë se ky zbulim i përket shekullit të 12-të, pra i kohës së pushtimit turk, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Por për të vërtetuar këtë gjë, skeleti do të dërgohet për ekspertizë në një laborator në shtetin francez, ndërsa përgjigja do të vijë vetëm pas një viti.

Përgjegjësi i arkeologjisë në Shkodër, Helidon Sokoli shprehet se këto kërkime synojnë të zbardhin lashtësinë e kështjellës së Rozafatit, konkretisht gjetjen e gjurmëve helenistike.Ai deklaroi se:

Kemi vazhduar me disa kërkime në tre oborret e kalasë për të parë shtresëzimin e strukturave duke filluar që nga ato më të vonat otomane mesjetare, veneciane për të vazhduar më thellë me të antikitetit. Kemi disa ditë që kemi filluar dhe jemi akoma në shtresat e periudhës otomane mesjetare.

Ne jemi të interesuar për të parë antikitetin, si është e zhvilluar kalaja në fazat më të hershme nga antikiteti i vonë deri në fazat helenistike, por që duhet që të shkojmë shumë më thellë për të kapur këto shtresa të hershme”.

Detit

Poezi nga SÜKRÜ ERBAS / Përktheu Rozana Belli

Ti ishe Deti. Shtati ynë i gjatë.
Shtëpitë tona qenë veçse shkronja të rrëzuara.
Sipër nesh, një jetë që s’ish e jona.
Ishim përralla përmbi pellgje. Nata jonë, kohë harresash ditësh të pavlera.
Ti ishe ëndrra jonë që shihte botën.

Ti ishe Deti. Zëri ynë i zgjimit.
Sytë tanë përfundonin në duart tona. Përsëri ishim ne largësia. Të tejmbushura fjalët e tua.
Fjalët e tua qenë lagje të zbritura buzë qytetit.
Mirësia jote, kujtesa jonë e kaltër e mëngjesit.
Ti ishe Deti. Nderi ynë i tërhequr nga yjet, jo nga litari. E hidhur prej frikës buka jonë.
Askënd tjetër s’njihnim. Mendja jonë, një e shkuar e mpirë.
Ti rrëzove mbi trupat tanë ditët që do vinin.
Ti, liria jonë prej milingone.

Ti je Deti. Ai që na mësoi pafundësinë.
Sa mijëra gra, sa mijëra burra, sa mijëra fëmijë ty prej fatit të lindën?
Të dhamë jetën, të morëm vdekjen.
Gishtat tanë janë qirinjtë e tu të guximit.
Të kuptuam, të shumuam, të shndrritëm…

Të hënën, ora e parë e mësimit i kushtohet historikut të Epopesë së UÇK-së

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi ka marrë vendim që të hënën (5 mars 2018), në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, ora e parë e mësimit t’i kushtohet historikut të Epopesë së UÇK-së.

“Këtë vendim, ministri Bytyqi e ka marrë në nderim të 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të MASHT-it.

Këngët e fuqishme të Regina Spektor (VIDEO)

Regina është një këngëtare e njohur me prejardhje nga Rusia.

Në Amerikë, ajo u rrit dhe më pas nisi të këndonte, e kësisoj morri famë për këngët e saj dhe stilin e veçantë.

Regina Spektor është 38 vjeçare dhe ka lindur në Moskë. Ajo e ka përdorur prejardhjen ruse edhe në këngët e saj, ndërsa gjithmonë e ka potencuar se është e lidhur tej mase për gjuhën dhe kulturën prej nga vjen

SAMSON –
“Samson” është këngë unike e Regina Spektor. Historia ka të bëjë me Samsonin – i cili pati fuqi të jashtëzakonshme të cilën ia dha Zoti, kryesisht në flokët e tij. Pa këto flokë, ai nuk kishte fuqi. Ai u dashuruar në Delilan, e cila përdori dobësitë e tij për ta pushtuar atë. Kjo është kënga më e transmetuar nga kjo këngëtare, dhe është realizuar në tentimin e parë të këngëtares, pra vetëm me një incizim, në vitin 2001.

FIDELITY –
Kënga tjetër e Reginës, FIDELITY, në vetëm dy ditë u klikua rreth 200 mijë herë në Youtube. Kënga është realizuar në vitin 2006, në kuadër të albumit “Begin to Hope”. Kënga është përdorur në një prej episodeve të Greys Anatomy. Videoklipi është sureal dhe i jashtëzakonshëm.

APRES MOI –
Nga i njëjti album vjen edhe kënga “Apres Moi”. Nga frëngjishtja përkthehet në “Pas Meje”. Vargjet e këngës, një pjesë e tyre, vijnë nga shkrimtari rus Boris Pasternak, i cili e ka shkruar mes tjerash “Dr. Zhivago”. Një pjesë e mirë e njerëzve e kanë cilësuar melodinë si një melodi gati për revolucion, por Regina e ka sjellë magjishëm me fuqinë e saj vokale.

Rita Ora fiton ‘Best pop’ në The Global Awards

Këngëtarja Rita Ora sapo fitoi çmimin “Best pop”, në ceremoninë e The Global Awards që po mbahet këto momente në Londër, shkruan KultPlus.

Po ashtu ajo më parë ka dhënë një performancë të mrekullueshme në këtë skenë, ku ka performuar këngët e saj të njohura “Anywhere” dhe “Your song”.

Më pas ajo është ngjitur edhe me Liam Payne ku ka interpretuar këngën më të re “For You”. / KultPlus.com

‘For You’ e Rita Orës ndezë skenën e Global Awards (VIDEO)

Rita Ora është ngjitur për të dytën herë në skenën e Global Awards 2018, që po mbahet për të parën herë në Londër, shkruan KultPlus.

Ajo kësaj herë iu bashkëngjit Liam Payne për të interpretuar këngën e saj më të re “For You”, që është kolonë zanore e filmit “Fifty Shades Freed”.

Ajo minuta më parë dha një performancë të mrekullueshme të hiteve të saj “For You” dhe “Anywhere”, ku përkundër se ishte e ftohur, performanca e saj ngjalli mjaft emocione tek fansat e saj në sallë dhe ata që po e shikojnë përmes ekranit. / KultPlus.com

Elbunit Krasniqi publikon projektin e parë muzikor (VIDEO)

Elbunit Krasniqi, këngëtari i ri kosovar, ka publikuar projektin e tij të parë.

“Andrra e qytetit tonë” titullohet kënga e parë e Krasniqit, që u bë i njohur pas paraqitjes në “The Voice Albania”.

“Kënga e parë, që është bë prej një përzierje të shumë mendimeve të mia, me një tregim interesant”, ka thënë Krasniqi pasi ka publikuar këtë këngë.

Për tekstin dhe melodinë është kujdesur vetë këngëtari, ndërsa prodhimi është nga Lirian Lurro Kaqi. / KultPlus.com

Rita Ora performon në ‘Global Awards’ (VIDEO)

Rita Ora e ka hapur sot ceremoninë e Global Awards.

“Your Song”, “Lonely Together” dhe “Anywhere” ishin këngët të cilat Rita i solli në skenën e këtij organizimi prestigjioz muzikor.

‘Hoteli GRAND nuk është hoteli më i keq në botë’

Hoteli GRAND në Prishtinë dikur ishte emblemë e qytetit.

Megjithatë, sot ky Hotel ka shumë pak mysafirë, nuk ka qasje në rrjete sociale dhe madje as një e-mail ku përgjigjet ndaj kërkesave. Madje, as Hashim Thaçi nuk ka ndonjë fjalë të mirë për këtë Hotel.
Kësisoj shkruhet sot në New York Times, kur flitet për “atë që nuk është hoteli më i keq në botë, pasi bota është e madhe”.

Këto fjalë i thotë kryesori i Hotel Grand, Rrahim Fazliu.

Dy kate të Grand Hotelit janë mbushur me rrënoja dhe janë të rrëmujshme.

“Me pak punë ky Hotel do të mund të rimëkëmbej. Më nuk është Hotel me pesë yje” thotë Fazliu për New York Times.
Në njërin kat qëndronte vazhdimisht edhe Josip Broz Tito – lideri jugosllav. Megjithatë, sot mbahen shumë gjëra të freskëta në këtë hotel, të cilit i mungojnë banuesit e saj.

Bexhet Pacolli pati llogaritur se do të duhen rreth 50 milion dollarë që Hoteli Grand të bëhet ‘grand’ prapë. Sipas tij, ky hotel është ndër më të këqijtë në botë, dhe nuk ka ndonjë arsye pse dikush mund ta rezervojë një dhomë apo qëndrimin aty. / KultPlus.com

Kur bashkohen zërat e Jordan Nikoliqit dhe Nexhmije Pagarushës (VIDEO)

I lindur në Prizren, Jordan Nikolic ka nisur të këndonte qysh në moshë të re.

Goja e tij e ëmbël interpretonte me dashuri këngët shqipe, sidomos ato të folklorit shqiptar.

Karriera e tij 50 vjeçare numëron plot bashkëpunime dhe madje edhe studime muzikore. Ai ka ruajtur nga harresa këngë të vjetra serbe e shqiptare, disa të cilat datojnë qysh nga koha e Betejës së Kosovës në vitin 1389.

Po e sjellim sonte një këngë që Nikolic e këndon bashkë me Nexhmije Pagarushën – Bilbilin e Këngës Shqipe.

“Kah pranvera” është një këngë e dashur dhe një himn që ka bashkuar dy zërat e fuqishëm. Kënga ka qenë pjesë e Akordeve të Kosovës – festivalit të madh muzikor në Kosovë. / KultPlus.com

Facebook kërkon falje pas censurimit të ‘Madone de Willendorf’

Muzeu i Historisë Natyrore në Vjenë u tërbua pas censurës në internet që iu bë një imazhi të ‘Madonna e Willendorf’, një statujë paleolitike prej gati 30,000 vjetësh.

Të enjten, Facebook pranoi “gabimin”, dhe kështu politika e saj mbi lakuriqësinë bën një përjashtim për statujat, përcjell KultPlus.

Disa imazhe, madje 30.000 vjet të vjetra, mund të jenë tronditëse. Ky ishte të paktën mendimi i Facebook. ‘Venusi i Willendorf’, e konsideruar një kryevepër e artit paleolitik, ishte censuruar kohët e fundit dhe në rrjetin social.

Sot, më 1 mars, Facebook kërkoi falje: “Kërkojmë falje për këtë gabim dhe i kemi treguar reklamuesit se e miratojmë postimin e tij”, shkruan Le Figaro.

Figura e zhveshur dhe e gjallë e femrës, Venusi i Willendorfit, zbuluar në fshatin simbolik austriak në fillim të shekullit të 20-të, është “përfaqësimi parahistorik i gruas më popullore dhe më të njohur në botë”, tha muzeu me të drejtë.

Facebook tha të enjten se “politika e saj reklamuese nuk lejon lakuriqësinë apo lakuriqësinë e sugjeruar”. “Por ne bëjmë një përjashtim për statujat, dhe si e tillë duhet të miratohet ky postim”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Fatos Kongoli e kalon me sukses operacionin, përmirësohet gjendja shëndetësore

Shkrimtari i njohur Fatos Kongoli e ka kaluar rrezikun shëndetësor dhe është drejt përmirësimit të parametrave të jetës. Është ky lajmi i mirë që vjen nga shërbimi i kirurgjisë nr. 2 në spitalin “Nënë Tereza” aty ku shkrimtari i është nënshtruar dy operacioneve në zorrën e trashë për heqjen e masës malinje.

Mjekët thonë se shkrimtari kishte të paktën 6 muaj që përjetonte hemorragji të forta në pjesën e poshtme të traktit tretës, shenja që janë neglizhuar prej tij deri në pikën ku nuk mund të lëvizte më nga shtrati. Pas kësaj familja e ka sjellë në urgjencën e QSUT në gjendje të përkeqësuar.

Menjëherë është reanimuar dhe më pas i është i është nënshtruar dy operacioneve në zorrën e trashë. Operacionet e drejtuara nga profesor Edmond Çeliku kanë qenë të suksesshme dhe vetë shefi i shërbimit të kirurgjisë nr. 2 pohon për News24 se tumori është kapur në fazë të hershme në stadin e dytë të zhvillimit, dhe se pas heqjes së masës analizat imazherike kanë treguar se organizmi i shkrimtarit 72-vjeçar është i pastër dhe nuk ka shenja të metastazave në pjesë të tjera të trupit.

Por ajo që mund të quhet e rrallë është fakti sesi një emër kaq i njohur i letërsisë në Shqipëri dhe në botë autor i 15 veprave të përkthyera në shumë gjuhë nuk ka kërkuar trajtime ekstra nga shteti shqiptar për t’u kuruar jashtë vendit siç ndodh rëndom me persona të ashtuquajtur VIP-a.

Madje sipas mjekëve, Kongoli ka ngulur këmbë që të shtrohet dhe operohet si çdo qytetar i thjesht në spitalin “Nënë Tereza”.
Madje pak kush e dinte që i mirënjohuri Fatos Kongoli po kalonte ditë të vështira në spital derisa ky lajm u publikua në Facebook nga miku i tij Fatmir Toçi. Ish-deputeti socialist publikoi ngjarjen në faqen e tij duke deklaruar se përtej shërbimit të shkëlqyer të mjekëve spitali nuk kishte gjak për pjesën postoperatorë dhe se i bënte thirrje të gjithë shqiptarët të dhurojnë gjak për t’i shpëtuar jetën njeriut të madh të letrave shqipe.

I kontaktuar nga News24 shefi i shërbimit të kirurgjisë në QSUT Edmond Çeliku mohon të ketë pasur mungesë të gjakut gjatë trajtimit postoperatorë të shkrimtarit. Për më tepër mjeku thotë se shkrimtarit të madh i janë krijuar kushte optimale për aq sa mund të ofrojë ky shërbim, i vendosur në një dhomë të veçantë me mbikëqyrje mjekësore 24 orë dhe se 72-vjeçarit i është injektuar dy herë gjak më shumë për të rikuperuar sasinë e humbur gjatë hemorragjisë paraoperatore.

Porse profesor Çeliku pranon ekzistencën e hershme të problemit të rezervave të pakta të gjakut përball fluksit të madh të urgjencave dhe operacioneve që kryhen çdo ditë në këtë shërbim.

Mësuesi midis dy ushtarakëve

Në fotografinë që publikohet për herë të parë, zotëriu midis dy ushtarakëve italianë është Musa Peja, mësues nga Gjakova.

Nga e majta është shefi i Karabinierisë italiane e në të djathtë një gjeneral i aviacionit italian. Emrat e dy ushtarakëve italianë nuk kemi mundur t’i identifikojmë.

Musa Peja është babai i doajenit të muzikës popullore, Ismet Peja.

Fotografia u realizua në vitin 1943 në Gjakovë.

BAJRAM MJEKU

Nudot e Vangjush Mios kthehen në Venecia

Ekspozita e tij e parë, qe hapur në shtëpinë e jetimores, me punimet e sjella nga Bukureshti. Mësuesi i vizatimit dhe mësuesi i historisë së artit në Liceun Francez, më 1921 do të hapte studion e tij si piktor. Deri më 1924-ën, kreu studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë dhe fitoi dy diploma për pikturë dhe restaurim. Dy vite më pas, ndoqi Bienalen e Venecias. Pothuaj 9 dekada më vonë, rikthehet në Venecia me veprat e realizuara në atë kohë.

Veprat e piktorit të njohur Vangjush Mio do të udhëtojnë drejt Venecias ku do të ekpsozohen për publikun.

Nudo, piktura, vizatime të viteve 1920, një fond i artë që ruhet nga familja e artistit(pothuaj fshehur syve të publikut), është tanimë gati për në Itali.

Një VKM ka dhënë tashmë lejen për lëvizjen jashtë territorit të Shqipërisë të veprave të arta të Mios.

Vendimi i Këshillit të Ministrave lejon “lëvizjen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të 11 veprave të Piktorit të Popullit Vangjush Mio, me qëllim ekspozimin e tyre në Centro Culturale Don Orione Artigianelli, Sala Tiziano, Dorsoduro 909/a në Venecia, Itali”.

Veprat e artit do të jenë në Venecia në harkun kohor 1 mars – 30 prill 2018, shkruan Gazeta Shqiptare.

Por para vendimit, anëtarët e Komisionit të Përhershëm të Vlerësimit të Pasurive Kulturore në pronësi private kanë nisur takimet për të shqyrtuar kërkesën e Znj. Rozeta Mio, vajza e artistit Vangjush Mio mbi vlerësimin e veprave të autorit me qëllim miratimin e lejes nga Ministria e Kulturës për lëvizjen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me rastin e hapjes së ekspozitës në Venecia.

Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore është marrë me procedurat paraprake dhe tanimë sipas VKM-së, do të kryejë procedurën e monitorimit dhe regjistrimin e lëvizjes së veprave.

Vangjush Mio, (Korçë, 05.03.1891 – Tiranë 30.12.1957) ishte pjesë e artistëve realistë shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX. Një nga figurat më të rëndësishme të arteve pamore shqiptare, peizazhist dhe portretist i shquar, i vlerësuar dhe i njohur si poeti i peizazhit shqiptar. Krijimtaria e Vangjush Mios luajti një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të artistëve shqiptarë në kushtet e izolimit kulturor të shtetit komunist, pasi ishte dhe shëmbulli më i qartë i një arti jashtë propagandës partiake dhe kornizave të realizmit socialist shqiptar. Vangjush Mio lindi në Korçë në një familje të mesme qytetare. Mësimet e para i bëri në qytetin e lindjes, shkollën e mesme nuk mundi ta mbarojë në vendlindje dhe vitin 1908 vëllai i madh Anastasi e merr me vete në Bukuresht, ku në vitin 1914 ai regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura të Bukureshtit. Në koloninë shqiptare të Bukureshtit ndodheshin dhe shkrimtarët Asdreni (Aleksandër Stavër Drenova) dhe Lasgush Poradeci, me të cilët Mio takohej shpesh dhe merrte pjesë në veprimtaritë artistike në kor dhe teatër, duke luajtur si aktor. / KultPlus.com

Shpend Ahmeti do që të rikthehet kinemaja te ish-Shtëpia e Armatës

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, sot priti në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku diskutuan rreth vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike dhe komunës së Prishtinës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Më tutje thuhet se ata kanë vlerësuar mundësinë e shfryëzimit të sallës së ish-Shtëpisë së Armatës në kinema për qytetin e Prishtinës.

“Më këtë rast, Yagcilar dhe Ahmeti vlerësuan mundësinë e shfrytëzimit të sallës së ish-Shtëpisë së Armatës në kinema për qytetin e Prishtinës dhe u dakorduan për koordinim mes dy institucioneve për të angazhuar në bashkërendimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta për të ofruar shërbime publike sa më efikase në interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Armiku im

Poezi nga Mimoza Ahmeti.

Armiku im,
shpeshherë më fyeve në mënyrën më të dobët,
shpeshherë të fyeva në mënyrën më të cekët,
armiku im.
E ç’do të ish jeta ime pa ty
dhe e jotja pa mua?
Askush s’mund ta dijë.
(kur kushtëzimi mbaron qenia zhduket)
Armik. Armiku im!
Prej teje rashë në gjurmë dhe përfitim
të asaj që kërkoja,
prej teje gjallëroi lënda ime, u zgjua,
u përbetua,
dhe ngashëreu,
kur vrasja shpirtat mbërtheu.
Oh, në të vërtetë ti je dashuria
dhe jo urrejtja ime,
armiku im.
Pikërisht ato,
që ne zhvleftësuam
ndërsa rrugës ecëm,
që asnjëherë s’i ditëm,
s’i llogaritëm,
Turmat,
që inerte derdhen
dhe frymë marrin
me injorim,
lanë pasojë
mbi shpirtin tënd
mbi shpirtin tim.

Sonte mbahet ‘Global Awards’, të nominuara edhe Dua Lipa e Rita Ora

Sonte në Londër do të mbahet ceremonia “Global Awards 2018” dhe tashmë janë bërë të ditur emrat e artistëve të nominuar në 13-të kategoritë, ku në mesin e tyre janCedhe dy këngëtaret nga Kosova Dua Lipa dhe Rita Ora.

Dua Lipa është e nominuar në tri kategori: “Best Female” ku për të marrë këtë çmim është në konkurrencë me Ariana Grande, Camila Cabello, Selena Gomez, Taylor Swift, në kategorinë “Best British Artist or Group” ku të nominuar janë edhe Ed Sheeran, Liam Gallagher, Liam Payne, Little Mix, dhe në kategorinë “Rising Star Award” ku të nominuar janë edhe Jax Jones,
Mabel, Stefflon Don dhe Yungen.

Ndërsa Rita Ora është e nominuar vetëm në kategorinë “Best Pop”, ku për të marrë këtë çmim ajo është në konkurrencë me Charlie Puth, Liam Payne, Little Mix dhe Shawn Mendes, shkruan Radio Plus.

Lista e plotë e nominimeve në Global Awards 2018:

1. Best Song
Camila Cabello, Havana (feat. Young Thug)
Ed Sheeran, Shape Of You
Little Mix, Power (feat. Stormzy)
Niall Horan, Sloë Hands
Shawn Mendes, There’s Nothing Holdin’ Me Back

2. Best Group
Clean Bandit
Coldplay
Little Mix
Take That
The Chainsmokers

3. Best Male
Ed Sheeran
Justin Bieber
Liam Payne
Niall Horan
Shawn Mendes

4. Best Female
Ariana Grande
Camila Cabello
Dua Lipa
Selena Gomez
Taylor Swift

5. Best British Artist or Group
Dua Lipa
Ed Sheeran
Liam Gallagher
Liam Payne
Little Mix

6. Rising Star Award
Dua Lipa
Jax Jones
Mabel
Stefflon Don
Yungen

7. Best Classical Artist
Andrea Bocelli
André Rieu
Ji Liu
Nicola Benedetti
The Ayoub Sisters

8. Mass Appeal Award
Ed Sheeran
James Arthur
P!nk
Paloma Faith
Sam Smith

9. Social Media Superstar
Cameron Dallas
Caspar Lee
KSI
Oli White
Zoella

10. Best RnB, Hip-Hop or Grime
Drake
J Hus
Mabel
Post Malone
Stormzy

11. Best Pop Dance
Calvin Harris
Craig David
David Guetta
Martin Garrix
Sigala

12. Best Indie
Blossoms
Florence + The Machine
Kasabian
Liam Gallagher
Noel Gallagher’s High Flying Birds

13. Best Pop
Charlie Puth
Liam Payne
Little Mix
Rita Ora
Shawn Mendes

Bebe Rexha bashkon në darkë gratë e industrisë muzikore

Gratë që janë pjesë e industrisë së muzikës, më shumë se kurrë janë duke u bashkuar për të përkrahur njëra-tjetrën.

Një gjë të tillë ka bërë edhe Bebe Rexha e cila ka organizuar një darkë, për të bashkuar gratë të cilat janë pjesë e industrisë muzikore, me një qëllim të vetëm, përkrahjen e tyre, shkruan KultPlus.

Women in Harmony 💗

A post shared by Bebe Rexha (@beberexha) on

“Le të shkruajmë hite muzikore së bashku dhe të pasurohemi. Mbrëmë kam qenë nikoqire e darkës “Women In Harmony” ku nderuam tekstshkrueset, producentet dhe artistet që janë në industrinë e muzikës. Faleminderit të gjithë juve që ishit dhe na munguan shumë ato që nuk ishin”, ka shkruar ndër të tjerash shqiptarja Bebe në llogarinë personale në Instagram.

Mes të pranishmëve ishte edhe Avril Lavigne e Charli XCX, që kanë përkrahur këtë iniciativë të shqiptares. / KultPlus.com

Destan dhe Barbara Gashi vijnë me ekspozitën e përbashkët ‘Mermer dhe ngjyra’

Skulptori Destan Gashi dhe piktorja Barbara Gashi do të hapin ekspozitën e radhës, me punime në skulpturë dhe në pikturë.

Për një muaj rresht, në Galerinë e Forumit Rathaus në Knittelfeld të Austrisë, do të prezantohen piktura me ngjyra të ndritshme nga Barbara Gashi dhe skulptura origjinale të punuara nga mjeshtri i madh i skulpturës, Destan Gashi.

Zemrën e ekspozitës e përbën vepra “Puthje” e punuar prej mermerit të qytetit Sölk në Steiermark të Austrisë. Format sensuale, rrumbullake dhe të prekshme e ftojnë adhuruesin e artit që t’i prekë veprat e Destan Gashit, të cilat janë kthyer në vepra arti origjinal pas gëdhendjes, formimit, lëmimit dhe ilustrimit me një punë të palodhshme tash e sa muaj, shkruajnë mediat austriake, përcjell “albinfo.ch”.

Skulpturat tjera, duke respektuar tërësisht traditën e skulptorit, janë skulptura nudo prej mermerit të Carraras. Disa vepra po ashtu të punuara në mermer, e kanë prejardhjen nga një gurore e vogël e Republikës së Kosovës, atdheut të skulptorit shqiptar.

Çifti i njohur Destani kanë thënë se janë të lumtur që përsëri u jepet mundësia të hapin një ekspozite në Steinmark, ku të dy tashmë janë të njohur për shumë dashamirës të artit dhe koleksionistë privatë, njofton “albinfo.ch”.

Destan Gashi është i lindur në Kosovë dhe ka diplomuar në shkollën e artit “Odhise Paskali”. Më pas ai ka studiuar për pikturë dhe skulpturë në Akademinë e Arteve në Bruksel.

Bashkëshortja e tij, Barabara Gashi jeton dhe punon prej vitit 1987 si artiste e pavarur sërish në Vjenë. Artistja austriake, ashtu sikur bashkëshorti i saj, Destani, ka studiuar për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel. Gjithashtu, edhe ajo ka ekspozuar veprat e saj brenda dhe jashtë shtetit. / KultPlus.com

Shitet për 1600 euro baneri me Atifete Jahjagën

Është shitur për 1600 euro banneri me personazh Atifete Jahjagën.

Sonte në kryeqytet, pas disa minutash në ankand është shitur për këtë shumë baneri ku shihet ish Presidentja e vendit. Banneri qëndronte prej kohësh te MIQT PUB në Prishtinë.

Këto para është thënë se do të shkojnë për shërimin e regjisorit Bekim Lumi, i cili tash e dy vite vuan nga kanceri.

Shërbimet mjekësore në Gjermani kanë marrë përmasa të papërballueshme. Praktikisht, shpenzimet e këtij trajtimi mjekësor individualisht nga Bekimi dhe familja e tij janë të papërballueshme.

Po vazhdojnë edhe të tjera iniciativa për tu mbledhur shuma të mëdha parash për të ndihmuar regjisorin në fjalë. / KultPlus.com

Me mesazh në operatorin Vala mund të ndihmohet shërimi i regjisorit Bekim Lumi

Ndihma për shërimin e regjisorit Bekim Lumi po vazhdon sot me anë të një mënyre tjetër.

Me anë të operatorit VALA, duke dërguar SMS do të ndihmohet në trajtimin e kushtueshëm të regjisorit.

Përpos fondeve online, me anë të dërgimit të një SMS në 55103, me tekstin: BEKIM, për shërimin e regjisorit shkojnë automatikisht 1 euro.

Një grup artistësh është mobilizuar që ta ndihmojë Bekimin në këtë sfidë jetësore, dhe kjo përpjekje sot është konkretizuar edhe me bashkëpunimin me operatorin telefonik VALA. / KultPlus.com

Këtu t’gjithë kem ba mëkat

Poezi e shkruar nga Donart Rexhbogaj.

Se nuk mundem me të shkrue, pa t’pas pranë,
Pa t’shikjue të thellët sy
Pa e ndje aromën tande.
Kjo s’asht veq nji poezi
Asht dashnia me emocion qi m’vlon n’shpirt..
Se çdo fjalë për ty e humb hijeshinë,
O hyjneshë e gjithësisê
Qe zbrite n’tokë me fal dashni’

Po si s’të perëndoi nji herë ajo bukuri
O emën i larë n’ar
O lum përzie me mjaltë
Gurë qi shkëlqen n’ranë

Kjo s’asht veq nji poezi
Se s’di me shkrue për ty
Se ç’do fjalë humb hijeshinë

Se ftyra jote t’pastë nji rrudhë
Ma zgjatë jetën n’amshim
Nëse balli t’ka nji vijë
Trishtimin e hedhë n’erë
Ti se di se nji rrudhë e jotja
Asht dashnia eme për ty..

Se loti yt asht i randê
Kanë thanë shumë para meje..
Mos ma thuj dy herë ketë fjalë
Këtu gjithë kem ba mëkat…

Vjen në shqip libri kontrovers mbi Donald Trump

“Zjarr dhe Tërbim” libri që ka përfshirë në debate Shtëpinë e Bardhë, mbi presidentin amerikan Donald Trump tashmë mund të lexohet edhe në gjuhën shqipe. Bota shqiptare, ka publikuar librin nën përkthimin e Alfred Cakos dhe Nikolla Langore.

Libri përmban prapaskena të bujshme, sekrete familjare dhe “të dhëna konfidenciale për Trampin. Libri, i dalë në SHBA më 5 janar dhe i shitur fillimisht në 150.000 kopje, ka arritur tashmë 2 milion kopje të ezauruara fizike – me lexuesit që mbajnë radhë gjatë natës përpara librarive si në kohën e Harry Potter-it – përveç qindra mijëra kopjeve në versionin e-book dhe audio.

Në Angli, brenda pak ditësh, madje edhe para ardhjes në librari më 10 janar, u shitën 400,000 kopje dhe tashmë më shumë se 35 vende kanë marrë të drejtën për ta botuar. Në Francë, libri, siç njoftohet nga gazeta “Le Figaro”, do të dalë më 22 shkurt nga botimet Laffont.
“Gënjeshtra? “Gjithçka është e vërtetë,” siguron autori Michael Wolff, i cili fillimisht e ideoi librin si një vlerësim të 100 ditëve të para në Shtëpinë e Bardhë me synimin për ta botuar në vitin e parë të presidencës Trump por, më pas, krejtësisht papritur, pati qasje te Presidenti dhe te anëtarët më të lartë të stafit të tij, përfshirë Stiv Benon, gjatë 18 muajve (intervista e parë u zhvillua në maj 2016), duke u bërë një “depërtues i vazhdueshëm” në Shtëpinë e Bardhë.

Wolff vëzhgon nga një perspektivë e veçantë kaosin e Zyrës Ovale dhe nxjerr nga duart një libër shpërthyes, të pasur me prapaskena të padëgjuara. A mendonte vërtet Trampi se do të fitonte? E donte vërtet këtë? Cilat janë qëllimet e “Xhervankës”, krijesa dykokëshe e përbërë nga e bija, Ivanka, dhe dhëndri Xherid Kushner? Pse u shkarkua shefi i FBI-së Xhejms Komi dhe, pas tij, shefi i stafit Rins Pribus?

• Pse u shkakrua Stiv Benoni, strategu (dhe shpirti i zi) që i dha fitoren Trampit? Kush është ‘zëri’ që tregon për takimet mes stafit të Trampit dhe rusëve?Pse është e kotë t’i ofrosh Trampit relacione, analiza dhe çfarëdolloj teksti të shkruar? Kush e drejton vërtet Shtëpinë e Bardhë?.

“Zjarr dhe Tërbim” është libri që Trampi u përpoq më kot ta bllokonte, një fenomen botëror që tregon historinë pasionante të një mandati të paparashikueshëm dhe të vrullshëm si vetë presidenti. / KultPlus.com

Vjollca Aliu dekorohet me titullin ‘Kalorëse e Urdhrit Kombëtar të Meritës’

Alberina Haxhijaj

Lindur në Prizren, vendi i njohur në Kosovë për trashëgiminë që posedon, Vjollca Aliu, një dekadë të jetës së saj ia ka dhuruar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë së Kosovës. Puna e saj në kuadër të institucioneve por edhe si individ, është çmuar sidomos sonte ku ajo e pranoi titullin “Kalorëse e Urdhrit Kombëtar të Meritës”, çmimi ky i cili për herë të parë i ndahet dikujt për kontribut në fushën e trashëgimisë .

Rrethuar nga miqtë në një ambient mjaft të ngrohtë, Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vjollca Aliu, pranoi distinktivin e Kalorësit të Urdhrit Kombëtar të Meritës nga Ambasadori i Francës në Kosovës, Didier Chabert, shkruan KultPlus.

Ambasadori i Francës në Kosovës, Didier Chabert, u shpreh se trashëgimia është ajo e cila na mundëson të farkojmë një lloj identiteti për të vazhduar më tej dhe është një element i rëndësishëm për zhvillimin e një shteti.

“Kjo medalje është për ju Vjollca, pasi që ju e keni merituar atë, dhe kjo medalje përmes juve i shpërblen të gjithë njerëzit në Kosovë që luftojnë për ta ruajtur trashëgiminë kulturore, trashëgimi kjo e cila në Kosovë është mjaftë e ndjeshme dhe kërkon që të mbrohet dhe të mbështetet”, u shpreh Ambasadori Chabert.

Vjollca Aliu, e cila u dekorua më këtë titull, ishte mjaft e emocionuar. Ajo madje la pashqiptuar edhe fjalimin e saj, për shkak të emocioneve, mirëpo arriti të falënderonte të gjithë të cilët e kanë ndihmuar në rrugëtimin e saj.
“Faleminderit shumë për vlerësimin ndaj angazhimit tim. Ky dekorim aq sa më bën krenare edhe më inkurajon për punë të mëtutjeshme, edhe më shumë më obligon ti shërbej vendit”, u shpreh ajo duke shtuar se shpreson që të ketë edhe më shumë dekorime të tilla në fushën e kulturës.

Vjollca Aliu ushtron funksionet e saj në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për 15 vjet. Ajo ka kontribuar në zhvillimin e bashkëpunimit midis Francës dhe Kosovës në fushën e trashëgimisë dhe arkeologjisë. Në veçanti, ajo luajti një rol kyç në suksesin në vitin 2015 të ekspozitës “Hyjnitë e Ballkanit”, shtatë figurina dhe një vazo nga koha e Vinçës në Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë të Saint Germain en Laye (Francë).

Ajo po ashtu ka inkurajuar kontaktet dhe shkëmbimet midis arkeologëve kosovarë dhe francezë, duke i mundësuar Kosovës që të mirëpresë profesionistët më të lartë që punojnë në zona arkeologjike me rëndësi të madhe në nivel rajonal. Aliu gjithashtu ka kontribuar shumë në nënshkrimin e protokollit të bashkëpunimit shkencor në lidhje me misionin arkeologjik francez dhe kosovar. / KultPlus.com