Pastrohet parku i Gërmisë nga bërlloku i mbetur pas festivalit “Sunny Hill”

Pak kohë pasi në media po qarkullonte një fotografi nga pasojat e festivalit “Sunny Hill” në Gërmi, ku toka ishte mbuluar me mbeturina, ka ardhur reagimi i organizatorëve.

Alban Kastrati, menaxher i festivalit, ka njoftuar se është bërë pastrimi i parkut nga mbeturinat.

Për Koha.net, Kastrati ka bërë me dije se ka qenë përgjegjësi e Hortikulturës që të bëhet pastrimi i hapësirës ku është mbajtur festivali, mirëpo ka thënë se kompania nuk ka shumë staf dhe vet menaxhmenti ka angazhuar dy kompani private për të bërë pastrimin.

“Ka qenë përgjegjësi e Hortikulturës që të bëjë pastrimin e terrenit ku është mbajtur festivali, mirëpo kompania nuk ka shumë staf dhe ne kemi angazhuar dy kompani private që të bëjnë pastrimin e hapësirës”, ka thënë Kastrati.

Ai ka sqaruar se arsyet e vonesës së pastrimit kanë qenë teknike pasi që, siç thotë ai, është dashur të hiqen dy skenat që kanë qenë të ndërtuara për festival, e më pas të bëhet pastrimi i tërësishëm.

“Kemi qenë në pritje të heqjes së dy skenave të ngritura për festival, pasi që nuk mund të bëhet pastrimi i duhur i mbeturinave derisa skenat janë të ngritura. Prandaj është zgjatur ndoshta periudha e pastrimit, mirëpo edhe në këto momente jemi duke punuar që ta kthejmë në gjendjen siç ka qenë, apo ndoshta edhe më mirë”, u shpreh për Koha.net menaxheri i festivalit, Alban Kastrati.

Në parkun e Gërmisë, për 3 net radhazi është mbajtur festivali “Sunny Hill”, ku performoi super-ylli botëror me prejardhje nga Prishtina, Dua Lipa, por edhe artistë tjerë të famshëm me prejardhje shqiptare, si reperi Action Bronson, pastaj Albert Stanaj, po ashtu artist i njohur ndërkombëtarisht, reperi tjetër shqiptar që jeton në SHBA, G4shi, si dhe DJ i njohur, Martin Garrix.

Në festival u paraqitën edhe artistë të shumtë lokalë, por edhe të tjerë ndërkombëtarë. / KultPlus.com

Refuzoj të jetoj në këtë shoqëri psikopatësh…

Adrian Zalla

Kush tha që tragjeditë u zhdukën në antikitetin grek? Gabim, jetojmë në vendin e cudirave ku nuk as siguri as qetësi ku tragjedia është buka e përditshme me të cilën ushqehemi. Jemi një media-morg, një shoqëri-morg, vdesim të vrasim njëri-tjetrin dhe ta tallim atë- jetojmë në një shoqëri psikopatësh… ë

Jetojmë në një shoqëri psikopatësh të cilët nuk kanë vetëdije kanë vetëm një nënvetëdije dhe atë të sëmurë të pashërueshme. Lind pyetja? Mua ty kush na shpëton nga KJO VALË E PSIKOPATËVE QË JANË SHTUAR SI EKSOZICIONET E KRYEMINISTRIT…

E frikshme, pra unë tani duhet të kem frikë të jetoj, duhet të marr masa se mos ndonjë psikopat do kapërcejë avllinë dhe mund të vijë të na vrasë, dhe besomëni në asnjë familje nuk mungojnë psikopatët I gjen me shumicë dhe me pakicë. po a I kthejmë dot jetët që ikën? Kush do të merret me zhdukjen e këtyre elementëve në shoqëri? Pse askush nuk merret me këto përbindsha se nuk janë të pakta ngjarjet e kësaj natyre, vallë jemi një popull që fle?

Ne jemi një popull frikacak një popull I ndyrë që ngrihemi me statuse fejsbuku, ne Shqiperi ngjarjet harrohen akoma pa u qarë trupat, jemi të mjerë, dhe mua më vjen neveri që jetoj në këtë shoqëri të paaftësh të mjerësh ku ke frikë të dalësh në rrugë pa frikë, ku askush stë mbron, ku nuk kemi as politika dhe as meknizma identifikuese e mbrojtëse ne jemi një popull shfaqjesh…

Jemi një popull palcosh, mumjesh, shemtirash, psikopatësh I cili sot për sot nuk është I sigurt as për jetën e tij as për frymëmarrjen e tij, nëse qeverisesh nga një palaco përfundimi duhet të ishte ndryshe, se supozohet se duhet të mësojmë nga gabimet tona por ne mirë që nuk mësojmë vetëm I thellojmë dhe I bëjmë më të tmerrshëme gabimet tona. Një popull që fle vdes thoshte Ismail Qemali dhe është më mirë që ky popull të vdesë. Unë refuzoj të jem pjesë e këtij populli psikopatësh I cili më dhuron vetëm lajme-morgu dhe shqetësimesh…

Refuzoj të jem pjesë e kësaj shoqërie psikopatësh sepse nuk më fal qetësinë që I nevojitet një qenie me mendje dhe trup të shëndoshë. Refuzoj të jem pjesë e kësaj shoqërie psikopatësh e cila shkatërron gjithcka të bukur.Refuzoj të jem pjesë e kësaj shoqërie psikopatësh e cila vret jetën dhe sythet e saj (fëmijët kohë më parë po në Himarë një fëmijë iu hoq koka). Refuzoj të jem pjesë e një shoqërie psikopatësh e cila nuk merr përgjegjësi për jetën e vet, për qenien e vet. Refuzoj të jetoj në një vend kaq jashtë norme ku nuk gjen asgjë vecse psikopatë dhe në fund të ditës në këtë vend njerëzit më normalë etiketohen si psikopatë.

Nuk e di pse, më vjen ndërmen Odin Mondvalsen mbase ai ishte I vetmi që e kishte kuptuar jetën tamam, dhe ishte I vetmi normal në një botë mbushur me psikopatë-përbindsha… por në fund të ditës cdo I vrarë dhe cdo kriminel janë viktima të kësaj shoqërie…

Të ndreqësh do të thotë të prishësh, ne nuk na duhet të prishim themelet e vjetra, kollona e nsërtesa ne na duhet të shembim mendësi të kalbura, defektoze, të dëmshme, të cilat sjell b´vetëm kujë e kob, duhet të shkulim me rrënjë mendësitë psikopateske dhe këto njerëz me sjellje të rrezikshme të gatshme apo në perspektivë ti integrojmë në shoqëri ose ti mbyllim në vendet e posacme…

Në fund të ditës, në fund të jetës jo të gjithë mund të shpëtohen dhe unë zgjedh së pari të shpëtoj veten time duke refuzuar të bëhem pjesë e të jetoj në këtë shoqëri psikopatësh….

Fëmijët e DokuKids sot dhuruan vallëzim, emocione dhe buzëqeshje

Alberina Haxhijaj-Prizren
Foto: Sovran Nrecaj

Në Sheshin Shatërvan në Prizren ka ardhur sot performanca e fëmijëve të cilët kanë qene pjesë e punëtorisë së vallëzimit “Pasqyra” në kuadër të DokuKids, shkruan KultPlus.

Rreth 50 fëmijë të moshave të ndryshme duke filluar nga 6-10 vjet kanë qenë pjesë e punëtorisë “Pasqyra” ku së bashku me koreografin Prek Memaj duke filluar nga 4 gushti kanë përgatitur vallëzim.

Fëmijët pjesëmarrës, shumica e të cilëve nuk kanë vallëzuar më parë, arritën që të shfaqnin ato që i kanë mësuar gjatë këtyre ditëve duke reflektuar edhe ndjenjat e tyre përmes vallëzimit. Ata tërhoqën vëmendjen e të pranishëmve përmes hapave që realizonin por edhe përmes muzikës së zgjedhur me kujdes që dëgjohej në qendër të qytetit.

Koreografi Prek Memaj për KultPlus u shpreh i lumtur me rezultatin e fëmijëve dhe me paraqitjen e tyre.
“50 % e fëmijëve e kanë pasur takimin e tyre të parë me vallëzimin e sidomos me pjesën e baletit, por ata e kanë bërë një punë shumë të mirë. Sigurisht që ka pasur disa pengesa, ngurrime dhe më shumë emocione por e mira ishte që ata ishin vetvetja, ashtu siç janë. Kjo ju shërben si përvojë e re edhe me skenën, vallëzimin si dhe ndikon edhe në socializimin e fëmijëve”, theksoi ai.

Koreografia e fëmijëve përfshinte disa këngë të ndryshëm duke përfshirë këtu edhe këngën “I’ll be your mirror”, kënga frymëzuese e këtij edicioni të festivalit DokuFest. Po ashtu të inkuadruar në koreografi ishin edhe rrethi dhe pasqyra, e cila po zë vend të veçantë në këtë edicion të festivalit, i cili në qendër të tij e ka ‘Reflektimin’.

“E mira e gjithë kësaj është se në DokuKids kemi përdorur muzikë klasike për këtë performancë. Shumica e njerëzve që kanë kaluar sot këndej janë interesuar se nga po vjen muzikë pasi që muzika që zakonisht lëshohet nëpër lokalet afër Shatervanit është ajo popullore”, tregoi Memaj.

Punëtoria ishte një trajnim intensiv i vallëzimeve përshtatur për fëmijët që dëshironin të zhvillonin aftësitë e tyre të vallëzimit./ KultPlus.com

Rita Ora shkëlqen mes yjeve të mbrëmjes Gala të UNICEF-it

Ajka e showbiznesit botëror është “derdhur lumë” mbrëmjen e së premtes në Porto Cerva të Italisë, për të marrë pjesë në mbrëmjen verore Gala të UNICEF-it.

27-vjeçarja me origjinë shqiptare, Rita Ora vodhi vëmendjen e aparateve fotografike të reporterëve të pranishëm, teksa përshkoi tapetin e kuq me një veshje shumëngjyrëshe, e cila të vinte në dilemë nëse mbante apo jo të brendshme, transmeton tch.

Veç saj, në mbrëmje ishin të pranishme edhe ish-këngëtarja Nicole Scherzinger, tashmë 40 vjeç, me një me një fustan të kuq flakë, e po ashtu edhe supermodelja 27-vjeçare Emily Ratajkowski, me një fustan tyl të zi që shfaqte dukshëm linjat e saj.

Nuk munguan edhe yje të tjera të modelingut apo kinematografisë, si Heidi Klum, Irina Shayk apo Michelle Rodriguez, që të gjitha rrëzëllitëse. / KultPlus.com

Kanina me festival ku takohet tradita

Kanina, fshati që qëndron si ballkon mbi Vlorë, me një pamje të mrekullueshme mbi qytet, organizon festën e tij.

Festa e Kaninës 2018, vjen në kalanë e Kaninës në një nga zonat më të mrekullueshme dhe historike të Vlorës, më 15 gusht.

Në kalanë shekullore turistë dhe qytetarë do të argëtohen me ritmet e muzikës popullore vlonjate, këngë polifonike, valle si dhe me gatimet tradicionale të zonës.

Kjo festë gjithashtu bën të mundur dhe takimin e brezave pasi do të ofrojë një program të larmishëm për çdo grup moshë.

Fshati i Kaninës ndodhet 3 km larg qytetit bregedtar të Vlorës. Në këtë fshat ndodhet edhe kalaja e Kaninës, e cila është ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s.

Kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.

Dhjetë librat që duhen lexuar sipas Helena Kadaresë

Dhjetë librat që duhen lexuar sipas Helena Kadaresë

1.Nderi i humbur i Katerina Blumit, Heinrich Böll

Të mërkurën, më 20.2.1974, në vigjilje të festave të karnavaleve, një grua e re njëzeteshtatëvjeçare del në një qytet rreth orës 18.45 nga shtëpia e saj dhe niset për të marrë pjesë në një mbrëmje dëfrimi private. Katër ditë më vonë, të dielën mbrëma, në thuajse po atë orë (ose më saktë: në orën 19.04), gruaja e re i bie ziles në derën e apartamentit të komisarit të policisë të Valter Mëding, i cili tamam në atë kohë ishte duke u maskuar, – jo për arsye private, por për shkaqe shërbimi – me një veshje sheiku; ajo i deklaron Mëdingut të shastitur se në drekë, aty nga ora 12.15, kishte vrarë në apartamentin e vet gazetarin Verner Tëtges; ai, komisari, le të interesohej që ta shpërthenin derën e saj dhe “ta hiqnin” të vrarin që andej, ajo vetë paskësh bredhur midis orës 12.15 dhe 19.00 nëpër qytet në kërkim të pendesës, por pendesë as nuk kishte gjetur e as nuk ndiente; gjithashtu lutej që ta arrestonin, sepse kishte dëshirë të ndodhej atje ku ndodhej edhe “Ludvigu i saj i dashur”… Kjo është një pjesë e historisë së një prej romaneve më të bukur të Heinrich Böll, sjellë në shqip nën shqipërimin e Robert Shvarc. Heinrich Böll ishte një nga themeluesit e Grupit ’47, i cili bashkoi autorët më të rëndësishëm të letërsisë së re gjermane, që fillonte nga e ashtuquajtura orë zero.. Më 1972 mori çmimin Nobel për letërsinë. Ndër librat e tij të tjerë të njohur janë “Me syrin e një klouni”, “Ku ishte ti, Adam?”, “Dhe nuk tha asnjë fjalë”, “Portret grupi me zonjë”, etj.

2.Tri gratë, Yasushi Inoue

Tri gratë është cilësuar si një roman që nxjerr fuqishëm në pah forcën e madhe narrative të shkrimtarit të njohur japonez Yasushi Inoues. Personazhet e tij femërorë tepër të ndërlikuar, tërheqës dhe të vërtetë. Tri gratë, më i njohuri e më i vlerësuari i autorit jashtë Japonisë është një histori dashurie me disa rrëfimtare, ku secili rrëfim i rizbulon lexuesit të vërtetën e plotë. Janë tri gra i dërgojnë nga një letër secila të njëjtit burrë, Misugit të vetëpërmbajtur e të vetëbesimtë: Midori, gruaja e tij dyshuese, Saiko, e dashura e tij prej një kohe tejet të gjatë dhe Shoko, e bija e Saikos që zbulon dashurinë e fshehtë të së ëmës. Duket sikur autori na sugjeron që, të jesh njerëzor, duhet të jesh i vetmuar. Saiko dhe Midori ishin shoqe të ngushta. Për të tria gratë emocionet e mbyllura e të pashprehura bëhen në fund të pamundura, të papërballueshme. Ndërsa Misugit i duket sikur një gjarpër i hollë po lëviz i padukshëm përbrenda shpirtrave të tyre, si një makth egoje, mëshire dhe frike. I ardhur në shqip nën përkthimin e Helena Kadaresë , libri është quajtur nga kritika si “bizhuja e letërsisë së dashurisë”.

3.Vjeshta e Xheladin Beut, Dhimitër Pasko

E konsideruar si një nga rrëfimet më të bukura të Mitrush Kutelit, “Vjeshta e Xheladin Beut” vijon të jetë në fokusin e lexuesit e kritikës.

4.Mëngjese në kafe Rostand, Ismail Kadare

“Ideja për të shkruar diçka për Kafe Rostand më kishte ardhur aq natyrshëm, saqë s’e mbaja mend as kohën, as rrethanat. Ishte një ndjesi midis pendimit dhe mirënjohjes, e ngjashme me atë ndaj shoqes së jetës, që duke qenë pranë teje në gjithçka, nuk e ka pasur, ose ty të duket se nuk e ka pasur, vëmendjen e duhur. Në këtë kafe kisha shkruar qindra faqe dhe po aq shënime për motive e sinopse, pa u kujtuar asnjëherë për atë vetë, kafenenë…”, shkruan vetë Kadare mbi këtë libër. Një përmbledhje esesh dhe shënimesh autobiografike të shkruara në kafenenë ku ndan pjesën më të madhe të kohës në Paris. Pas botimit të librit kjo kafene do të bëhej si një pikë ndalese për shumë lexues shqiptarë që kërkonin të gjenin aty shkrimtarin e preferuar. Me një estetikë të lartë mendimi libri është një udhëtim ndryshe jo vetëm në Paris por dhe në momente të ndryshme të letërsisë shqipe, apo personazheve që kanë tërhequr vëmendjen e shkrimtarit.

5.Don Kishoti, Servantes

Udhëtimi i Don Kishotit nuk është një udhëtim hapësinor, por bën pjesë në udhëtimin e brendshëm të njerëzimit. Udhëtimi i Don Kishotit ndodh në kohën e udhëtimeve të mëdha, siç është udhëtimi më i famshëm dhe më me bujë i historisë së njerëzimit: zbulimi i Amerikës. E, megjithatë, udhëtimi i një marroku nga një fshat i Spanjës në një fshat tjetër të Spanjës, një udhëtim që nuk kishte pikë rëndësie për njerëzimin, që nuk i ka sjellë atij asgjë dhe që, ndoshta, as që ka ndodhur fare, i jep njerëzimit një nga kryeveprat më të mëdha letrare.

Gjithmonë, kur kanë ndodhur zbulime në botë, zbulime të mëdha, është shtruar ideja se këto zbulime do ta transformonin letërsinë. Të fundit janë udhëtimet, zbulimet kozmike dhe sidomos fakti që njeriu ka shkelur në Hënë.

Për shumë njerëz poezia po merrte fund në botë, sepse Hëna, një nga fryëmëzueset e poezisë, tashmë humbte misterin, meqë po shkelej nga njeriu. Ne e dimë se kjo nuk ndodhi. E, megjithatë, me kalimin e kohës, kanë kaluar shumë vjet, udhëtimi i brendshëm i Don Kishotit i takon këtij kalendari të fshehtë.

Prandaj ka ndikuar në letërsinë botërore më tepër se shpikja e lokomotivës, më tepër se zbulimet e Kristofor Kolombit, më tepër se anijet kozmike. Ndonëse duhet thënë se ky personazh i madh i historisë së njerëzimit nuk ka bërë shpesh inkursione të gjalla në jetën njerëzore. Jeta e këtij personazhi është e dyfishtë: ai bën pjesë njëkohësisht në trazimin e brendshëm të njerëzimit, por edhe në jetën e jashtme të tij…

6. Çifutka e Toledos, Lion Fojhtvanger

Mbreti u dashurua çmendurisht pas një çifutke, së cilës ia kishin vënë emrin Fermoza, Bukuroshja, dhe e harroi fare gruan e vet. Nga kjo kronikë e vitit 1270, autorit i vjen frymëzimi për të shkruar rreth historisë së dashurisë së mbretit Alfons me çifutkën e bukur Rakelë (Fermoza), histori dashurie që e bëri të harronte shtetin dhe mbretëreshën dhe për shekuj me radhë ngacmoi mendjen e spanjollëve. Rrëfimi i linjës së dashurisë bëhet në sfond të pasur ngjarjesh historike, ku jepet pasioni i çmendur i mbretit për çifutkën, pasion që vë në lojë fatet e vendit, pasi me ta lidhet ngushtë fati i dy dashnorëve. Çifutja bukuroshe, megjithëse e parandien se sa të këqija mund të sillte guximi i krisur i Alfonsit, dashurohet me të. Tërheqja që ndjen për mbretin bëhet shëmbëlltyra e gjithë shkëlqimit joshës e verbues të luftërave dhe aventurave. Autori i vesh ngjarjet me petkun e realitetit dhe thjeshtësisë, çka e ndihmon në përshkrimin e qytetërimit kalorësiak. Roman i bukur, historik, vepra e fundit e autorit të shquar, i përkthyer në 25 gjuhë. Me një stil tërheqës, autori nuk përpiqet vetëm të tregojë histori, por u hedh dritë dhe u jep kuptim ngjarjeve të asaj kohe me shkëlqimin dhe magjinë që u përket, duke e bërë tmerrësisht tërheqës këtë trill aventuresk.

7.Jeto për të treguar, Gabriel Garsia Markez

“Jeto për të treguar”, përfshin jetën e Márquez, nga lindja në vitin 1927, te fillimi i karrierës si shkrimtar, e më pas në vitet ’50, kur i propozoi gruas e cila do të bëhej bashkëshortja e tij. Është një tregim për njerëzit, vendet dhe ngjarjet, ashtu siç i kanë ndodhur: familja, puna, politika, librat dhe muzika, Kolumbia e tij e dashur, episode nga jeta e tij, të pathëna deri tani, dhe incidente të cilat më vonë do të shfaqeshin, të shndërruara dhe të përfshira në letërsinë e tij. Një autobiografi e detajuar, e jashtëzakonshme dhe magjepsëse, që na sjell formimin e Márquez si shkrimtar dhe si njeri. Vepra ka ardhur në gjuhën shqipe nën përkthimin e Bashkim Shehut.

8. Mos bëj dëm, Henry Marsh

I mahnitshëm dhe informues; një ditar magjepsës i një karriere të jashtëzakonshme. Libri guxon të nxjerrë në pah humanizmin e gjallë dhe të brishtë që fshihet pas kirurgjisë së trurit, duke zhveshur meningjet për të zbuluar botën e shndritshme, torturuese dhe tmerrësisht tërheqëse të neurokirurgjisë. Një libër që fillon kështu: “Shpesh më duhet të operoj në tru dhe kjo është diçka që e urrej ta bëj.” – nuk mund ta lësh, duhet të vazhdosh ta lexosh, apo jo?”. Libri ka ardhur në shqip nën përkthimin e Mentor Petrelës e Florian Dashit.

9.”Mjeshtri dhe Margarita”, Mihail Bulgakov

“Mjeshtri dhe Margarita” në Bashkimin Sovjetik të periudhës staliniste mundi të shpërndahet në dorëshkrim në mënyrë klandestine në rrethin e ngushtë të miqve të Bulgakovit. Në format libër u botua vetëm njëzet e gjashtë vjet mbas vdekjes së tij.

Kjo kryevepër konsiderohet si një roman kompleks, e ndërlikuar dhe tronditëse. Përshkrimi alegorik deri në detaje i dramës njerëzore e zhvendos lexuesin mes dy botëve paralele. Pasi ka përjetuar emocione tronditëse ai e ka të vështirë që të bëjë dallimin mes asaj që është e gënjeshtërt dhe së vërtetës.

Ky trazim i ndjesive gjatë leximit nuk lë hapësirë për një zgjedhje vetjake, por e dikton lexuesin për t’i shkuar këtij “teatri” deri në faqen e fundit i shoqëruar me dilema të shumta dhe vështirësi që të bëjë zgjedhjen e duhur mes botës materiale dhe asaj ideale, mes jetës tokësore dhe shpresës për të ardhshmen, gëzimit të rilindjes apo hidhërimit mbas një jete të vështirë e pa shpresë.

Intrigë demoniake, perde të shumta tymi.., satirë therëse, kjo është gjuha e Bulgakovit i cili na bën të reflektojmë për njerëzit, rrezikun që paraqet ndikueshmëria e manipulatorëve dhe sharlatanëve në një grupim shoqëror të caktuar.

Ky libër e çon individin në një marrëdhënie trishtuese e pa perspektivë, e ku i duhet të luftojë për të ringjallur vetveten, përballë një bote të ndërtuar mbi pabesinë dhe dashurinë e humbur.

10.Shosha, Isaak Bashkevic Singer

Romani “Shosha”, një bestseller ndërkombëtar dhe romani i preferuar i vetë autorit, është një histori dashurie që nuk harrohet lehtë, e vendosur në Varshavën çifute, në vigjilje të shkatërrimit të saj. Shkrimtari i ri, Aaron Greidingeri, i cili në këtë roman ngjan si dy pika uji me vetë autorin, është njëzet e pesë vjeç dhe jeton si të gjithë çifutët e tjerë në Poloninë e viteve 1939, duke “bërë sikur…”.

Ai bën sikur është diçka e rëndësishme, bën sikur mund të bjerë në dashuri dhe sikur e nesërmja do të ekzistojë… Aaron ka botuar një libër, të cilin e mban në gojë e gjithë Varshava. Ai punon gjithashtu mbi një pjesë letrare, i nxitur nga milioneri çifuto – amerikan Sam Dreiman. E dashura e këtij amerikani të pasur, artistja Beti, e cila përgatitet të luajë rolin kryesor në këtë dramë, bie në dashuri me shkrimtarin e ri dhe i propozon atij të martohet me të dhe të përfitojë edhe pasaportën amerikane, që është ëndrra e paarritshme e të gjithë çifutëve polakë.

Nga dashuria që ka për të, edhe vetë i dashuri i saj, milioneri amerikan pranon t’i ndihmojë ata të dy, për ta realizuar këtë ëndërr. Por Aaroni gjen Shoshën, një shoqe e fëmijërisë së tij, të cilën nuk ka mundur ta harrojë. Fëminore, e brishtë, pak e vonuar, siç thonë disa, Shosha do të mishërojë gjithë pastërtinë, freskinë dhe pafajësinë, për të cilën ëndërronte ky shkrimtar i ri, edhe pse sjelljet e tij i ngjanin një Don Zhuani të velur nga jeta.

Me një mençuri të një lloji të veçantë, me një logjikë fëminore, Shosha i di më së miri gjërat më thelbësore të jetës, i kupton dhe i pranon ato. Gruaja – fëmijë nuk është një personazh krejtësisht i ri në veprën e Singerit, por këtu arrin një përmasë të tillë në fushën e dhembshurisë, që nuk përjashton kurrsesi pasionin. Libri ka ardhur në shqip nën shqipërimin e Helena Kadaresë.

Dënimi me vdekje nuk ia zgjidh hallin shoqërisë primitive

Nga Enkel Demi

Është e tmerrshme ajo që ndodhi në Selenicë. Është e papërshkrueshme kjo ngjarje, e cila na rrëfen sa të lirë e ka çmimin e jetës shqiptari. Ne jetojmë ende në një shoqëri primitive, ku për ca pula kryhet një masakër. Primitivizmi i shoqërisë sonë vazhdon me qeverinë që nuk e vë ujin në zjarr, përkundrazi vazhdon të theket në diell, madje ka paturpsinë të flasë për rritje ekonomike. Nuk ka një mbledhje urgjente të kabinetit, dorëheqje apo shkarkime në polici, një qëndrim të ministrit të brendshëm, lëre pastaj një reagim të shëndetshëm si klasë politike që kërkohej nga Namik Dokle.

Nuk ka asgjë; janë vrarë tetë frymorë në një humbëtirë dhe kaq.

Por, shoqëria shqiptare nuk heq dorë nga primitivizmi i saj; zbraz urrejtjen, atje ku mundet të shprehet në liri, në rrjetet sociale. Për paradoks, në të njëjtat rrjete vrasësi kryen sfidën e tij maroke.

Shqiptarët kërkojnë për vrasësin dënime të shumëllojshme, të cilat janë nga varje në litar, plumb ballit, rrjepje lëkure, për të shkuar tek një koleksion të tërë torturash mesjetare para se t’ia ndajnë jetën. Ky farë “referendumi” popullor rrëfen më së miri që në thelb një njeri që tërbohet, meqë e akuzuan se vodhi pulat dhe ca të tjerë që evokojnë rrjepjen e tij të gjallë, janë prodhim i të njëjtës shoqëri primitive, e cila i ka veç për propagandë standartet e demokracisë, zgjedhjet e lira, të drejtën e jetës, pronës e kështu me radhë.

Kjo shpjegon për bukuri, përse shqiptarët udhëhiqen nga dallkaukë që i vjedhin, i grabisin, u marrin plaçkën dhe shpirtin. Kjo shpjegon qartazi, përse qeveria mendon se vetëm me hu udhëhiqet ky milet, prandaj e plasin në burg për një faturë energjie, e lënë të vdesë majë shtyllës për të lidhur korrentin, e lënë pa bukë, i grabisin pronën në mes të Tiranës, policinë ia besojnë narkotrafikantëve, reformën në drejtësi pinjollëve të ish-Bllokut.

Dënimi me vdekje apo çdo alternativë e tij mesjetare, nuk ka për ta zgjidhur kurrë masakrën e radhës që do të vijë mos nesër, në ditët, javët a muajt e ardhshëm. Ideja se frika ruan vreshtin është bërë bozë, nëse nuk gjejmë forcë të dalim nga qerthulli i shoqërisë primitive, ku krimi më popullor ka motivin “pse m’shef?”. Përderisa në shtëpitë e shqiptarëve kërcet druri si “gamori n’duhon”, gruaja, motra, nëna shembet në dru, polici të dhunon në rrugë, prokurori në gjyq, gjykatësi, kur jep vendimin, qeveria, kur të grabit dhe të gjobit ty për hajninë e saj, atëherë përse duhet të çuditemi që njëri vrau tetë njerëz për pulat? Ai është qytetari më i denjë i kësaj shoqërie dhe këtij sistemi, ku mbizotëron kudo vetëm një ligj; ligji i xhunglës ose më mirë: “peshku i madh e ha të voglin”.

Nuk ndodh në politikë e njëjta gjë?

Nuk ndodh në media e njëjta gjë?

Nuk ndodh në rrjetet sociale?

Nuk ndodh në katund dhe qytet?

Nuk ndodh në shtëpi?

Prandaj, sikur ta rrjepin dhe më pas ta shkojnë në hell atë gjytyrymin e Selenicës, asgjë nuk ka për t’u zgjidhur, pasi e keqja nuk është heqja e dënimit me vdekje, por shoqëria primitive, ku kemi lëshuar rrënjë.

Dua Lipa: Prishtina jeme sa shumë të du

Dua Lipa mbrëmë i dha atmosferë Prishtinës.

Lipa erdhi në kuadër të Sunny Hill Festival dhe elektrizoi skenën duke kënduar hitet e saj më të mëdha. Sot ajo pati edhe një reagim në rrjete sociale pas emocionit që morri mbrëmë prej qindra shikuesve.

“ONE TIME FOR MY HOMETOWN!! Prishtina jeme sa shumë të du. Unforgettable night! Faleminderit për mirepritjen edhe energjine! A lot has changed since I was last here 2 years ago with only 35 minutes worth of songs and no album out at the time and still the love was just the same! So proud to have brought my Self-titled tour show and give you the full show that i’ve always wanted to do! Thank you @sunnyhillfestival excited to run around the festival today and just enjoy another day of fun! LOVE LOVE LOVE // ” ka shkruar Lipa.

Sunny Hill Festival sonte vazhdon me natën e dytë dhe nesër mbrëma me natën e tretë. Festivali mbahet nën patronazhin e vetë Dua Lipës, një prej këngëtareve më të mira për momentin në zhanrin e saj në botë. / KultPlus.com

Elina Duni, Dren Abazi e Offchestra në ANIBAR në Pejë

Këtë vit në programin e koncerteve të Anibar vijnë Elina Duni & Rob Luft feat. Enzo Zirilli, Dren Abazi, Offchestra, Blla Blla Blla…, Ambasadi, Gamblemania, Monochrome, Geri, Uje pa Gaz, Tomoyoshi, Gemza, Blerta Kosova, Nani, Florent V, Sapton!

Në javën e dytë të Gushtit, parku i magjishëm i Karagaqit do të ngjallet me tingujt e muzikës. Pas një dite të animuar në ajrin freskues të kinemave të hapuna të Anibarit, bashkohuni në koncertet e mbrëmjes. Duke mbuluar një shumëllojshmëri të zhanreve muzikore, line-up i këtij viti do t’iu japë freskitë e duhura verore.

13 Gusht | 23:00

AMBASADI do të jetë bendi i parë që do ta hap javën tonë me Bledar Borakun në kitarë, Dritëro Nikqin në kitarë/sint, Liburn Jupolli në sint dhe Nesim Maxhuni në bateri. Nata do të vazhdoj me DJ Nanin i cili do të na mirëpres me tingujt e muzikës së tij.

14 Gusht | 23:00

Dren Abazi është themeluesi dhe udhëheqësi i Zig Zag Orchestra, një grup i njohur në Kosovë, Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit. Muzika e tij është një mix i muzikës ballkanike, jazz, klezmer, ska dhe rock. Ai do të na mahnitë me performancën e tij. Për ta përmbyll këtë natë do të përkujdesen Florent V dhe Sapton.

15 Gusht | 23:00

Gamblemania do të lulëzojë këtë sezon si kurrë më parë! Xhurim Dema (MC), Ardian Bakalli (Baterite) dhe Fatjon Miftari (Piano) do të jenë partnerë me projektin BLOOM. BLOOM është një projekt kulturor dhe artistik ku arti vizual dhe muzika janë të ndërthurura. Përmes projektit BLOOM, ju sigurojmë se fansat e muzikës moderne do të kenë një eksperiencë të paharrueshme përmes një performance të padëgjuar dhe të padukshme në rajonin tonë. Për ta përmbyll këtë natë do të kujdeset Gemza Burgija.

16 Gusht | 23:00

Elina Duni dhe Rob Luft me Enzo Zirilli

Ne kemi rënë në dashuri me tingujt e saj unik të përzierjes së tradicionales dhe xhazit. Këngëtarja shqiptare e njohur ndërkombëtarisht do të performojë në festivalin Anibar më 16 gusht. E percjellur nga kitaristi Rob Luft, i cili konsiderohet si një nga yjet në rritje të skenave bashkëkohore të xhazit në Londër, dhe bateristi italian Enzo Zirilli. Blerta Kosova do të performojë po atë natë.

17 Gusht | 23:00

Hard Rock kthehet drejtpërdrejt në zemren e qytetit. Përmes këngëve më të njohura Hard Rock, MONOCHROME do t’ju kthejë në kohën e lavdishme të muzikës Hard Rock. Bashkohu me ne të premten me 17 gusht. Ndjekur më vonë nga Uj pa gaz.

18 Gusht | 23:00

Blla Blla Blla … Tingujt e tyre rock nuk kanë asnjë përgjëthsim sa i përket zhanrit për shkak të përzierjes së rock-it dhe punk-it të Ballkanit! GER KACERJA është një nga DJ-t më të preferuar të skenës elektronike Shqiptare. Ai luan një seri zhanresh nga slow në disco dhe techno. Geri nisi karrieren si DJ ne 2010, dhe përzgjedhja e tij muzikore ka vazhduar te jetë dalluese, dinamike dhe e kërcyeshme.

19 Gusht | 23:00

Offchestra, Jazz-Ska-Reggae që përfshin Hip Hop modern me shije ballkanike, një kombinim i ‘nxehtë’ që do të shkundë botën tuaj dhe ju bën të dëshironi që të mos keni punë të hënën! Tomoyoshi është një DJ/Producent nga Japonia ai ka qenë pjesë e shumë labels për DJ sikur: V, True Playaz, Joker, Dope Dragon, Dread, Ruffneck Ting, Suburban Bass, Kemet Kru, Trouble on Vinyl. Këtë vit në Anibar do të përformoj me DnB muzikë për natën e fundit të festivalit.

‘Nuk është prona juaj’, për gratë që po e vuajnë dhunën në familje

Alberina Haxhijaj- Prizren

Në kuadër të DokuFest-it është shfaqur dokumentari “Nuk është prona juaj” nga Amanda Fisher, shkruan KultPlus.
Dokumentari “Nuk është prona juaj” paraqet rrëfimet e të mbijetuarve nga komunitetet e ndryshme të Kosovës dhe diskuton mbi zinxhirin që lidhë dhunën në familje me të drejtën e gruas për pronë.

Në dokumentar paraqiten disa histori të grave të cilat kanë përjetuar dhunë në familje duke treguar se dhuna në familje nuk ka të bëjë aspak me atë se sa e shkolluar është një grua apo pozitën që ajo ka në shoqëri. Përkundrazi ky dokumentar vë në pah se çdo grua mund të jetë viktimë e dhunës në familje prandaj duhet që ligji të jetë ai i cili i mbron ato.

Përmes intervistave në dokumentar vihen në pah edhe traditat zakonore dhe fetare të cilat lidhen me statusin e gruas në shoqëri duke u fokusuar edhe në të drejtën e grave në prona. Dokumentari paraqet edhe mangësitë që ekzistojnë në disa ligje si dhe atë që shoqëria e Kosovës dhe institucionet duhet të bëjnë që të ndihmojnë në këtë drejtim.

Me të përfunduar dokumentari i cili zgjati rreth një orë, fjalën e mori regjisorja Fisher e cila falënderoi të gjithë që u bën pjesë e dokumentarit të saj e veçanërisht gratë të cilat i ndanë më të historitë e tyre.
“Faleminderit të gjithëve të cilët kanë kontribuar në këtë film dhe veçanërisht grave pasi që duhet shumë fuqi për të ndarë ndjenjat e tyre, ato për mua janë heroinat e vërteta”, tregon Fisher.
Regjisorja tregoi se që në fillim kanë dashur qe të bëjnë diçka të veçantë dhe të shkojnë më thellë, jo vetëm të tregohet për dhunën në familje por gjithashtu edhe për të drejtën në pronë e cila pothuajse nuk ekziston fare. Ajo po ashtu theksoi se e mira e këtij dokumentari është se në të janë përfshirë gra të të gjitha moshave, klasave, shkallëve të edukimit.

E pranishme ishte edhe Luljeta Aliu, e cila ka përjetuar dhunë në familje. Ajo është themeluese e Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi INJECT. Me të pranishmit përmes dokumentarit ajo tregoi historinë e saj dhe iniciativën të cilën e mori për të ndryshuar Ligjin për Familjen, gjegjësisht saktësimin e dispozitave ligjore në lidhje me ndarjen e pasurisë së përbashkët bashkëshortore.

Po ashtu ajo theksoi se ajo që hasin më së shumti gratë të cilat përballen me dhunë në familje apo mohim të së drejtës në familje është diskriminim institucional.

Në anën tjetër i pranishëm ishte edhe Zëvendësministri i Drejtësisë – Naim Qelaja, i cili po ashtu është edhe Koordinatori Nacional Kundër Dhunës në Familje.

Ky dokumentar synon që të përdoret edhe nëpër masterklasa, punëtori apo ligjërata të ndryshme të cilat në fokus kanë luftimin e dhunës në familje dhe diskutimin për të drejtat që kanë gratë në prona. / KultPlus.com

Në këtë gjendje ka mbetur Parku i Gërmisë pas koncertit të Dua Lipës

Pas koncertit të mbrëmshëm në Parkun e Gërmisë, ku performoi këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa, i tërë parku është i mbushur me mbeturina.

Shishe të ujit, mbeturina e qese e kanë “vërshuar” Gërminë. E gjithë kjo pas koncertit të mbrëmshëm ku performoi Dua Lipa. Deri tani askush nuk ka dalë në këtë park për ta pastruar.

Kjo shihet edhe në disa foto që ka publikuar kamermani Sylejman Kllokoqi në Facebook.

Akademikut Hivzi Islami i ndalohet prapë hyrja në Serbi

Akademik Hivzi Islamit sot për herë të dytë pala serbe ia ka ndaluar hyrjen në territorin e Serbisë, shkruan Insajderi.

Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj.

“Pala serbe definitivisht është e pa interesuar dhe totalisht joserioze në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Sot, për herë të dytë përsëriti ndalimin e akademikut Hivzi Islami në pikën kufitare me Serbinë”.

Zyberi i cili tha se zyrtarët e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës në vazhdimësi përballen me gjëra të tilla, ka paralajmëruar masë reciprociteti me Serbinë.

“BE do te lajmërohet nga ana jone që reciprociteti nga ana e Kosovës është mundësi reale tani”.

Tri ditë më parë Islami u ndalua nga autoritetet serbe, ai ishte nisur me familjen për vizitë te familjarët e tij në Bujanoc.

Pala serbe së fundi ja kishte ndaluar hyrjen edhe analistit Shkelzen Maliqi.

Ku gjimon rrfeja n’Prishtinë

Erenestina Gjergji Halili

Iu ka vjedh’ shtratit’ Zeusit plak, Hera m’katare,
t’linjtën cohë, hodhi shtatit e plakun Zeus pâ n’shpin’,
qát dekik iu vodh Olimpit e érdh me çù dashni n’tok’,
páj, qat dekik, rá skeptri e rr’feja n’Prishtinë…

Oh, ta ka tùnd dheun, minádi i burrit t’tradhtùem,
prej Hers’, m’katáres e zoj’s Olimpit e t’barkut,
-Ku âsht plaku – thané – âsht pengu i gjakut!
Aten’e Hermes, n’Çudë, strukë prej s’largut…

Prej friget, Her’s kthye n’mish e sumbull epshit,
çârt iu ka boja n’lkur’, lukth e kunor’ apet,
-N’besë tande – i tha Prishtin’s – mos m’lén!
N’ajër i mbet’ fryma, n’kthim për nân mbret…

E tokësor’t u çuen me mârrë frymë!

‘Shkoi lepuri tu mjeku i dhamve’

Shkoi lepuri tu mjeku i dhamve. Po i thot:
A ban me m’i nreqe dhamet e me m’i vu ma t’mdhaj se e kam anmikun e forte, dhelpnen.
Mjeku ja nreqi dhamet si desht lepri. Lepri ju falenderue e po shkon fushes.
Kur mrrini tu ni uje, po i kqyr dhamet e vet n’uje. Ju duken t’vogjel edhe u frigue qe s’un e sulmon dhelpnen me to. Shkoi prap tu mjeku e i tha me ja vu dhamet edhe ma t’mdhaj. At’here mjeku i tha:
Dhambe ma t’mdhaj s’kemi, po ty ba lazem me ta marue ni zemer tjeter, e un zemren s’un ta maroj!

Proza popullore e Drenicës – Anton Çetta

Anton Çetta lindi në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë, ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë.
Ai mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane.

“Plaku i urtë”, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90. Në zgjedhjet e para paralele të organizuara më 1992, Anton Çetta zgjidhet deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së.

Serbët nxisin urrejtje në fotografinë e Dua Lipës dhe Shpend Ahmetit

Këngëtarja kosovare Dua Lipa është takuar dje në Prishtinë me kryetarin Shpend Ahmeti.

Dua kësisoj dje, para koncertit të madh për të cilin KultPlus raportoi vazhdimisht me gazetarët e saj në koncert, morri Çelësin e Qytetit nga Ahmeti.

Fotografitë të cilat ajo më pas i postoi në rrjetin social Instagram, siç bën gjithmonë ajo, nxitën jo befasishëm urrejtjen e serbëve që komentuan klishenë “Kosovo je Srbija”.

Dhe kjo ndodhë shpesh, sidomos në rastet kur këngëtarët janë nga Kosova dhe korrin suksese jashtë vendit.

Jo se Serbia nuk ka këngëtarë të mirë dhe të tillë që kanë suksese edhe jashtë kufinjve të Serbisë, por gjithmonë ekziston tendenca për komente të tilla.

Dua ka postuar edhe fotografinë ku bën shqiponjën me duar, bashkë me kryetarin Ahmeti, krahas fotografive tjera gjatë takimit që e pati me të parin e kryeqytetit kosovar. / KultPlus.com

‘Kam strehë fytyrën e një vajze’

Adonis (Ali Ahmad Sa’id Esber)

Kam strehë fytyrën e një vajze
që ka strehë një dallgë
të cytur prej baticës drejt ranishtës,
bregu saj ka humbur gjurmët mes guaskave.

Kam strehë fytyrën e një vajze
që më merr jetën, që don të mbetet
në gjakun tim,
e si fener i shuar
të lundrojë der’ në skaj të marrëzisë.

shqip / Edon Qesari

Ç’është ky shi që bie?

Miranda Haxhia

Ç’është ky shi që bie?
në muret e burgut lëshohen rrëkeza
Ku, në pranga ati ndrydhi jetën
luhatet në lamtumirë të prishet foleza…

Bulëza malli mbulojnë fytyrën e gruas
Kur bijtë ia ndan oguri i fatit të keq
Nuk është shi që bie me rrebesh
Pa fund për pesëmbëdhjetë vjet.

Janë lotët, malli, dhimbja, dashuria
Kurajë për t’u ngritur përsëri
Mikja ime e mbajtur fort nga dashuria
Fshij lotët e ndale atë shi.

‘Një muaj’, melodia e Muharrem Qenës dhe gruaja e verbër në mëshirë të fatit

Alberina Haxhijaj

Në kuadër të këtij edicioni të Festivalit DokuFest është dhënë premiera kombëtare e filmit “A month” me regji nga Zgjim Terziqi, shkruan KultPlus.

Zgjim Terziqi ka qenë duke shkruar një skenar krejtësisht tjetër para se t’ia fillonte realizimit të filmit “Një muaj”.

Mirëpo tregimi i vërtetë i një gruaje të verbër pa shtëpi, që jeton me paktin e katër motrave të saj për ta mbajtur atë në shtëpitë e tyre përkatëse nga një muaj secila, ka zgjuar kureshtjen e tij si regjisor. Dëshira për ta parë këtë histori në ekran solli edhe filmin e tij “Një muaj”.

Filmi tregon jetën e Anës, një e verbër e cila çdo muaj ndërron shtëpinë, duke vizituar herë njërën motër e herë tjetrën, disa prej të cilave nuk është se shfaqin dashuri dhe interes për të. E Ana në pamundësi për tu kujdesur për veten shihet duke ua dorëzuar motrave nga 120 euro nga asistenca e saj për kujdesin që i ofrojnë.

“Në momentin kur e kam dëgjuar këtë rrëfim kam menduar se kisha pas dëshirë me e pa si film dhe kur diçka kam dëshirë me e pa atëherë nëse nuk e ka bo dikush tjetër duhet me e bo unë”, thekson regjisorin Terziqi.
Ana (Makfire Miftari) është një person i qetë dhe e cila nuk flet shumë, ajo qetësinë e gjen duke dëgjuar radion, ndërsa shpirti i saj i dëlirë ndriçon kur në të dëgjon këngën “A thua”, nga Muharrem Qena. Kjo këngën çdo herë zgjon emocione te Ana, diçka të tillë mund të shohim kur ajo së bashku me motrën e saj Ajshen (May-Linda Kosumovic), këndojnë në veturë këtë këngë pasi që radioja e Anës është dëmtuar.

Ajshja është motra e vogël e cila bart një dashuri shumë të madhe për Anën dhe është njëkohësisht e vetmja që brengoset për të. “Do gjejmë një zgjidhje”, i thotë ajo Anës, para se ajo të largohet për të kaluar muajin tjetër te motra e saj Valbona. Aty tensioni që vërehet në mes të Anës dhe burrit te Valbonës, Enverit (Luan Jahës), sjellë një rrjedhë tjetër në film.

“Mirëpo Ana e filmit është e kundërt me personin në jetën reale, ajo është aktive, flet më shumë mirëpo mua më emocionojnë karakteret të cilat janë më naive”, tregon regjisori Zgjim Terziqi.

Aktorja Makfire Miftari e cila e sjellë mahnitshëm dhe e mishëron rolin e Anës shprehet se ka qenë e lehtë për të që ta sjellë këtë rol pasi që i ka kushtuar shumë kohë përgatitjes dhe hulumtimit të rolit.
“Unë gjatë gjithë kohës jam bërë gati për këtë rol, pasi që na zakonisht gjithë jetën tonë e kalojmë duke u bërë gati për role. Kam qenë e gatshme, e përgatitur dhe kam lexu shumë edhe pse e kam pasur skenarin në një kohë shumë të shkurtë, pesë apo shtatë ditë por kam qenë e gatshme dhe kjo e ka bërë të lehtë”, u shpreh ajo.

Filmi mbaron me pamjen e Anës duke dëgjuar këngën e saj të preferuar në një radio të re, një tregues që ndoshta pavarësisht luftës së Anës, tregon se ajo ia ka arritur që ta gjejë lumturinë që e kërkonte. / KultPlus.com

‘Mirë se vjen në Serbi’, përgjigjet i dashuri i Dua Lipës

Isaac Carey nuk mund ta shoqërojë të dashurën e tij Dua Lipa në çdo koncert, megjithatë herë pas here është përkrah saj.

Në koncertin e saj të radhës në Kosovë Isaku nuk kishte si të mungonte. Ata kanë postuar disa fotografi gjatë udhëtimit në avion, por një koment dashakeq ka ndryshuar për pak atmosferën.

Ndërsa Isaac kishte shkruar në përshkrimin e fotografisë vendodhjen “Prishtinë”, një vajzë ka komentuar “Mirë se vjen në Serbi”. Pa u zgjatur shumë në debatin që e kanë vijuar më gjatë komentuesit e tjerë, i dashuri i Duas i ka shkruar thjesht: “Gjeografia nuk është pika jote më e fortë”.

Dua Lipa e merr Çelësin e Qytetit nga kryetari Shpend Ahmeti

Këngëtarja kosovare Dua Lipa sot është takuar në Prishtinë me kryetarin Shpend Ahmeti.

Dua kësisoj ka marrë edhe Çelësin e Qytetit, një mirënjohje që u ndahet personaliteteve nga Prishtina për kontributin e tyre në art dhe kulturë, brenda e jashtë Kosovës.

Dua po qëndron këtyre ditëvë në Prishtinë për një koncert të radhës, sonte në kryeqytet.

“Prej fillimit keni qenë afër meje. Faleminderit për këtë mirënjohje, ndihem mirë” ka thënë Dua kur morri këtë mirënjohje.

Shpend Ahmeti ka thënë se e falënderon Duan që po e vendosë Prishtinën në hartën botërore me koncertet dhe me sukseset e saj, shkruan KultPlus.

“Ky është fillimi i një bashkëpunimi për përparimin e artit dhe kulturës në Kosovë, së bashku” ka treguar në fund për media Dua Lipa.

Kënga e fundit e Dua Lipës, One Kiss, po bën bujë në botë dhe është shndërruar në një hit veror. / KultPlus.com

‘Gratë në Kosovë s’janë të sigurta në punë e shkollë, tash as në familjet e tyre’

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se gratë në Kosovë përveç që nuk janë të sigurta në punë dhe shkollë, tash s’kanë siguri as në familjet e tyre.

Ajo ka shtuar se Pjetër Nrecaj iu shtua numrit të vrasësve në Kosovë, për shkak që këtë e lejoi sistemi, transmeton KTV.

“Pjetër Nrecaj iu shtua numrit të vrasësve në Kosovë. Ky kriminalitet që vret gratë mundësohet nga një sistem që lejon këto vrasje mizore, thirrjet për ndihmë përfunduar në vesh të shurdhër”, ka thënë ajo.

Jahjaga këto komente i bëri për shkak se ditë më parë Pjetër Nrecaj vrau bashkëshorten dhe vajzën e tij në Brekoc të Gjakovës.

“Gratë në Kosovë nuk janë të sigurta në punë dhe shkollë, e tash as në familjet e tyre. Edhe sa jetë duhet të shuhen për të marrë përgjegjësi sistemi, ku ka mbetur betimi i gjyqtarëve e të tjerëve në drejtësi”, ka thënë Jahjaga. / KultPlus.com

Policia jep detaje për masat në trafikun e Prishtinës për shkak të ‘Sunny Hill Festival’

Për shkak te festivalit Sunny Hill i cili do të mbahet në parkun e Gërmisë që nga sot deri me datën 12.08.2018, Drejtoria Rajonale e Policisë –Prishtinë, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër dhe jashtë saj, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik si dhe një ambient i qetë dhe i sigurt, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Meqenëse në këtë festival do të marrin pjesë këngëtarë me renome botërore , pritet se përveç qytetarëve të kryeqendrës, parkut të Gërmisë, t’i drejtohen edhe qytetarë nga vende të tjera, transmeton Koha.net.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës , për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, aksidentet eventuale, për të mundësuar një transport publik të qytetarëve në suaza të normales, do të veproj në të gjitha rrugët të cilat lidhen me rrugën kryesore që lidhë qytetin me parkun e Gërmisë, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve.

Në këtë kontekst, policia do të ndaloj dhe ri drejtoj të gjitha veturat përveç atyre të banorëve të lagjeve që lidhen më parkun Gërmia (Sofali, Tauk Bahqe), autobusëve të Trafikut Urban, automjeteve të Emergjencës, të Hortikulturës, KRM “Pastrimi”, Drejtorisë së Inspeksionit të Prishtinë, KFOR-it, EULEX-it si dhe veturave të PK-së, të cilat janë të angazhuara në këtë operacion.

Ndalja dhe ridrejtimi i të gjitha veturave do të bëhet në:

Kryqëzimin e rrugëve “1 Tetori”, “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paçarizi”; (Kryqëzimi Velani)

Kryqëzimin e rrugëve “Nazim Gafurri”, “ Xhavit Ahmeti” dhe “ Dr. Lec Gradica”; (Kryqëzimi te ish rruga Bledi)

Kryqëzimin e rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sofalisë në drejtim të Pishinës dhe parkut “Gërmia”.

Operacioni në fjalë ka filluar të implementohet që në orët e hershme të datës 10.08.2018, andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten me këtë rast në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt parkut Gërmia me vetura. / KultPlus.com

Dua Lipa këndon ‘Kuq e Zi’ në Prishtinë (VIDEO)

Këngëtarja Dua Lipa po i shijon ditët e saj në Kosovë.

Lipa, emri më i madh në muzikën aktuale në Angli, ka ardhur në Kosovë për koncertin e saj në kuadër të Sunny Hill Festival.

Në Instagram, shoqet e saj por edhe vetë ajo kanë postuar momente ku Dua këndon në shqip dhe vallëzon me këngë të ndryshme shqipe, përfshirë këngë të Elvana Gjatës e Era Istrefit. / KultPlus.com

Arrestohen aktivistë të Vetëvendosjes, shkruanin parulla kundër dhunës ndaj grave

Vetëvendosje ka konfirmuar se mbrëmë janë arrestuar shtatë aktivistë të saj, të cilët shkruanin parulla kundër dhunës ndaj grave.

“Policia e Kosovës, e paaftë dhe e dështuar për t’i mbrojtur gratë nga dhuna dhe vrasjet ka arrestuar mbrëmë pas mesnate shtatë aktiviste e aktivistë deri sa po shkruanin parulla në Gjakovë mbi vrasjen e grave. Parulla ‘Gratë dhunohen, policia injoron’ është tregues për përkushtimin e institucioneve ndaj vetë qytetarëve të saj. Institucionet flenë kur duhet të kryejnë punën e tyre dhe tregohen syçelë për t’i penguar aktivistet që kërkojnë drejtësi”, thuhet në një postim të Vetëvendosjes në Facebook, përcjell Koha.net.

VV thotë se aktivistët e arrestuar janë: Arlinda Gashi, Guxim Krasniqi, Uran Hasani, Kujtim Hasani, Ndriçim Berberi dhe Gerolld Nikoliqi.

“Parullat janë shkruar edhe te Gjykata Themelore në Gjakovë dhe ne e mbajmë përgjegjës komplet sistemin e drejtësisë për këto vrasje. Shteti jo vetëm që nuk bën asgjë t’i parandalojë por as pasi ndodhë krimi veprojnë sipas drejtësisë. Ne nuk mund të presim e shohim se si emrat e grave rrisin listat e vrasjeve. Prandaj sot në Gjakovë protestojmë për drejtësinë, për jetën, kundër dhunës, kundër mizogjinsë, kundër diskriminimeve”, thotë VV. / KultPlus.com