Rita Ora kërkon votën, kosovarët nuk mund ta votojnë në VMAs

Rita Ora ka postuar një video në rrjetin social Facebook ku kërkon të votohet për nominimin e saj të fundit në VMA.

Kënga “Lonely together” – bashkëpunimi mes Avicii dhe Rita Orës këtë vit është nominuar në dy kategori në VMA, në Best Dance dhe Best Visual Effects. Rita me anë të videos ka kërkuar votën e publikut gjithandej ndërsa ka treguar sa është e lumtur për këtë nominim.

“Do të jetë një natë magjike prandaj votoni këngën tonë” ka thënë këngëtarja shqiptare.

Në anën tjetër, në momentin që duam të votojmë kjo është e pamundur pasi Kosova nuk konsiderohet si lokacion i duhur për këtë votim. –Voting is not available in your location- është butoni që del në momentin kur klikohet butoni për votim.

VMA – 2018 MTV Video Music Awards këtë vit mbahet me 21 gusht. / KultPlus.com

Teatri ‘Adriana Abdullahu’ bëhet me Këshill Drejtues

Bazuar në Ligjin për Teatrot, si dhe kërkesën e komunitetit të aktorëve dhe menaxhmentit të Teatrit Profesionist “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, Agim Aliu, Kryetari i Komunës së Ferizajt, ka marr vendim për themelimin e Këshillit Drejtues të Teatrit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj

Këshilli do të jetë në këtë përbërje:

1. Nexhat Xhokli;
2. Dije Demiri – Frangu;
3. Albion Sherifi – Përfaqësues nga komuna;
4. Mevlan Saraçi;
5. Besim Ugzmajli.

Sipas kumtesës për media, në kuadër të politikave kulturore, thuhet se Aliu në prioritetet qeverisëse ka edhe rregullimin e statusit ligjor si dhe propozimin e dokumentacionit përkatës për menaxhimin më efikas me institucionet e kulturës si dhe mbështetjen e shtuar për aktivitetet identitare kulturore që organizohen në komunën tonë.

Këshilli Drejtues i Teatrit Profesionist “Adriana Abdullahu” po themelohet për herë të parë me kompetencën e mbikëqyrjes së punës së teatrit, hartimin e statutit të teatrit, aprovimin e politikave afatgjata të zhvillimit të teatrit, politikën artistike dhe kompetenca të tjera të parapara sipas ligjit në fuqi për teatrot.

Ky këshill ka mandat 4 vjeçar dhe parashihet të themelohet në kuadër të organizim të brendshëm të institucionit të Teatrit. / KultPlus.com

Eleni Foureira mbrëmë e ndezi atmosferën në Tiranë (VIDEO)

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Eleni Foureira mbrëmë ka ndezur atmosferën në Tiranë.

Këngëtarja e cila jeton e vepron në Greqi, u ftua nga pushtetarët e Tiranës për një koncert i cili mbrëmë ka sjellë atmosferë fantastike në Tiranë.

Eleni mes hiteve tjera këndoi edhe këngën “Fuego”, me të cilën përfaqësoi Qipron në Eurovizionin e këtij viti, shumë afër për të qenë triumfuese e festivalit.

Eleni Fouréira (Entela Fureraj) e lindur më 7 mars 1987 në Fier, Shqipëri, është një këngëtare greke-shqiptare që jeton në Greqi. Ajo ishte përfaqësuese e Qipros në Festivalin e Këngës Eurovizion 2018 me këngën e saj “Fuego” dhe ku zuri vendin e dytë. Presidenti i Republikës së Qipros, Nicos Anastasiades, e ka dekoruar me “Çmim Mirënjohje”. / KultPlus.com

19 shtete marrin pjesë në Eurovisionin e fëmijëve

EBU ka zbuluar shtetet që do të marrin pjesë në edicionin e 16-të të Junior Eurovision Song Contest. Një rekord prej 19 shtetesh do të ngjiten në skenën e kësaj ngjarje të muzikës, e cila këtë vit do të mbahet më 25 nëntor, në Minsk të Bjellorusisë.

Ukraina dhe Qipro nuk do të marrin pjesë, por rikthehen Azerbajxhani, Izraeli dhe Franca pas pjesëmarrjes së parë dhe të vetme në vitin 2004. Këtë vit do të jenë edhe dy vende që do të marrin pjesë për herë të parë, Kazakistani dhe Uellsi.

Lista e plotë:

01. Shqipëria
02. Armenia
03. Australia
04. Azerbajxhani
05. Bjellorusia
06. Franca
07. Maqedonia
08. Gjeorgjia
09. Irlanda
10. Izraeli
11. Italia
12. Kazakistani
13. Malta
14. Polonia
15. Portugalia
16. Rusia
17. Serbia
18. Holanda
19. Uellsi

“Man Booker” për herë të parë përfshin roman grafik në listën e të nominuarve

Romani grafik rreth zhdukjes së një gruaje të re dhe trileri për zhdukjen e një nëne kanë depërtuar në listën e gjatë të çmimit “Man Booker”, shkruan The Guardian, transmeton “Koha Ditore”. “Sabrina” e Nick Drnasos, romani i parë grafik i cili u bë pjesë e listës së gjatë të çmimit prestigjioz, eksploron efektin trishtues të lajmeve 24-orëshe pasi që një vajzë zhduket.

Juria e ka zgjedhur atë si garues për çmimin prej 50 mijë funtesh, para titujve të romaneve të shkruar nga fituesit e kaluar – përfshirë Pat Baker, Julian Barnes, Peter Carey dhe Alan Hollinghurst – duke e përshkruar atë si “të tërthortë, delikat dhe minimale” dhe duke thënë se “ndryshon formën e fiksionit”, që nënkupton se ka qenë vetëm çështje kohe kur një roman grafik arrin të depërtojë në listë.

“Ne të gjithë e kemi lexuar dhe na ka rrëmbyer”, ka thënë pjesëtari i jurisë dhe romancieri bestseller i zhanrit të krimit Val McDermid.

“Romani grafik gjithnjë e më shumë është bërë qendër në aspektin e rrëfimit të tregimit dhe e kemi ndierë se ky bën pikërisht atë që duhet bëjë një fiksion i mirë”, ka thënë ai.

Po ashtu, në garën për çmimin më prestigjioz të letërsisë në Britani të Madhe, është trileri nga shkrimtarja e zhanrit të romaneve kriminale Belinda Bauer.

“Snap” nis me rrëfimin e një nëne, e cila braktis tre fëmijët e saj në një veturë të prishur dhe më pas sjell vështirësitë e përballjes së tyre me zhdukjen e saj. Juria e ka cilësuar të “mprehtë, me stil, roman inteligjent për mënyrën sesi i mbijetojmë traumës, i cili minimizon përdorimin figurativ të zhanrit dhe e lë lexuesin me diçka që vazhdon”.

“E kam lexuar edhe pa e ditur se do të jem pjesë e jurisë së ‘Man Booker’ dhe për mua ka qenë një roman i jashtëzakonshëm”, ka thënë McDermid. “Edhe pjesëtarët e tjerë të jurisë e kanë lexuar dhe një prej tyre tha: ‘ky e tejkalon zhanrin’. E dikush tjetër tha: ‘romani pasqyron sesi ky zhanër e tregon më të mirën e vet’. Është një vepër tejet e mençur e rrëfimit mes personazheve që të bëjnë për vete dhe kjo është ajo që kemi kërkuar – diçka që është e shkruar mirë, e cila t’i rrëmben mendjen dhe zemrën”, ka thënë ai.

Lista e gjatë e cila cilësohet për “dëshirën për të marrë rreziqe”, sipas kryetarit të jurisë Kwame Anthony Appiah, po ashtu sjell edhe debutime nga Sophie Mackintosh dhe Guy Gunaratne. “The Water Cure” e Mackintosh, sipas jurisë, “e zhbën patriarkatin në thelb”, derisa “In Our Mad” e Gunaratne and Furious City”, është “roman i një qyteti të brendshëm të kohëve tona”.

Poeti Robin Robertson gërsheton vargjet dhe prozën në romanin e parë, “The Long Take”, derisa romani i parë i Daisy Johnson “Everything Under”, është i mjaftueshëm për ta vendosur 27-vjeçaren përkrah Sally Rooney, e përzgjedhur me romanin “Normal People”, si autoret më të reja në listën e këtij viti.

Johnson dhe Rooney po “shikojnë botën prej një perspektive të moshës së tyre dhe librat e tyre kanë shije të ndryshme”, ka thënë McDermid.

“Por ato janë aty, sepse na kanë mahnitur”, ka shtuar ai.

Vetëm një fitues i kaluar këtë vit ka hyrë në listën e gjatë të “Man Booker”: Michael Ondaatje me “Warlight”, i cili nis në Londrën e vitit 1945, ende duke u rimëkëmbur nga sulmet e rrufeshme. Një tjetër emër i madh në këtë listë është romancieri Richard Powers, fitues i çmimit “Pulitzer”, i përzgjedhur me veprën “The Overstory”. Me shkrimtarë amerikanë, të cilët morën “Man Booker” dy vjetët e fundit, pasi që kjo garë hapi dyert edhe për autorë jashtë Britanisë së Madhe dhe Commonwealthi – një vendim që Julian Barnes e përshkruan si “të paarsyeshëm” – skeptikët do të gëzohen me faktin se vetëm tre shkrimtarë amerikanë këtë vit janë pjesë e listës: Powers, Drnaso dhe Rachel Kushner.

Fituesi i çmimit “Gurdian First Book Award”, Donal Ryan, është pjesë e listës me storien për refugjatët sirianë, për një punëtor të kujdesit dhe kontabilist, në romanin me titull “From a Low and Quiet Sea”. “Washington Black” i Esi Edugyan, historia e një skllavi, i cili bëhet shërbëtor personal i një shkencëtari ekcentrik, dhe “Milkman” i Anna Burns, një vrojtim mbi Irlandën gjatë trazirave nëpërmjet perspektivës së një vajze të re, do të garojnë në listën e gjatë prej 13 autorësh nga 171 sa kishin aplikuar – numri më i madh i librave garues deri më tani për këtë çmim.

“Ne jemi munduar të lexojmë verbërisht aq sa kemi mundur”, ka thënë McDermid.

“Nuk jemi brengosur se nga vijnë shkrimtarët apo nëse ka qenë libri i tyre i parë apo i 40-i. Unë lexoj në ‘iPad’ kështu që me të vërtetë po lexoja verbërisht pa biografi të autorit, por me informacione të botuesit”, ka shtuar ai.

Appiah ka thënë se bashkë me pjesëtarët e tjerë të jurisë kanë qenë të goditur nga mënyra se si romanet në listën e gjerë “përçajnë mënyrën sesi i kemi menduar gjërat që i kemi ditur, dhe na kanë bërë të mendojmë për gjërat që nuk i kemi ditur”.

Appiah në panel është i shoqëruar nga McDermid, kritiku Leo Robson, akademikja feministe Jacqueline Rose dhe artistja e shkrimtarja e romaneve grafike, Leanne Shapton. Lista e ngushtë për “Man Booker” do të publikohet me datën 20 të muajit shtator, ndërsa fituesi do të shpallet më 16 tetor.

Era: Do të dëgjoni vetëtimën, dhe do të më mbani mend

Këngëtarja me famë botërore nga Kosova, Era Istrefi, përmes një postimi në Instagram dje ka paralajmëruar se këtë të premte do të sjellë këngën e re me videoklip.

Kënga do të titullohet “Oh God” dhe atë e ka punuar në bashkëpunim me artistin e njohur xhamajkan Koshens.

You’ll hear the thunder, and remember me

A post shared by Era (@eraistrefi) on

Sot, ajo ka postuar një fotografi në profilin e saj në Instagram në të cilën shihet vet këngëtarja dhe prapa saj një vetëtimë.

“Do të dëgjoni vetëtimën, dhe do të më mbani mend”, ka shkruar Era.

A është kjo pamje nga videoklipi? Do ta kuptojmë këtë të premte. / KultPlus.com

Dino Merlin me koncert në Budva

Këngëtari Dino Merlin do të mbajë koncert në Budva.

Me datë 5 gusht, Dino Merlin do të mbajë koncert në Top Hill në Budva.

Çmimi i biletave sillet nga 15-25 euro për këtë koncert.

Dino Merlin filloi karrierën e tij muzikore me rock band Merlin, albumin e tij debutues Kokuzna vremena e publikoi në vitin 1985.

Ai është një nga këngëtarët më të suksesshëm në hapësirën e ish-Jugosllavisë. / KultPlus.com

Aktivistja Oksana Shachko nga FEMEN ka vdekur

Oksana Shachko është gjetur pa jetë në apartmentin e saj në Paris.

Një prej themelueseve të FEMEN – Oksana, në moshën 31 vjecare ka bërë vetvrasje derisa ka lënë edhe një shënim.

FEMEN është një grup i aktivisteve feminist nga Ukraina me lokacion në Paris.

FEMEN kanë treguar për pikëllimin e tyre dhe kanë vlerësuar lart angazhimin e Oksanës. / KultPlus.com

‘Obbobobbobo dul peshku’, puna e re e Sislej Xhafës në Itali

‘Obbobobbobo dul peshku’ është puna më e re artistike nga Sislej Xhafa.

Koncepti lidhet edhe me trenin.

Trenat gjatë luftës së fundit në Kosovë u përdorën për deportim masiv të qytetarëve. Treni është shenjë e progresit – thuhet në videon e realizuar ku artisti Sislej Xhafa tregon më shumë për punën në fjalë.

Sa herë kalon treni, pason një incizim i duartrokitjeve.
“Treni është një dëshirë për liri, sikur peshkimi. Në kohën e komunizmit, peshkimi ishte i ndaluar në Shqipëri. Kur njerëzit shihnin peshq, ata nuk mund ti preknin dhe thonin me vete ‘Obbobobbobo dul peshku’” tregon artisti në këtë video prezantuese të projektit.

Ekspozita është hapur në Nialtri, nga 21 deri me 28 korrik, në Itali. Në fakt ekspozita është e veçantë pasi është krijuar një hapësirë specifike për të vënë në jetë instalacionin e Sislejit, artistit problematik që në Kosovë po shkakton debat me shfrytëzimin e lopëve për ekspozitën e tij të fundit.

Ekspozita inspirohet nga zhvillimet e turizmit, zërat që përzihen me natyrën dhe lëvizjen.
Kuratore e ekspozitës është Cristiana Colli. / KultPlus.com

Dimër jashtë e dimër brenda

Poezi nga PANO TAÇI.

Me bastun akulli ikën
dimri nëpër udhë.
ku shkel, tokës i kall frikën
e drurët i rrudhë.

Qiell borën po esit
mbi male e fusha.
del gjahtari t’i bëj pritë
shapkës te gajusha.

Lodra e rrufesë gjëmon
e zjarr i kall qiellit.
reja me retë vallzon
për inat të diellit.

Qershia me sy për dhe,
nudo, mardh e tëra.
bredhi flokëhalat i ngre
me nfricë për gjelpëra.

Si një dimër këtë mbrëmje
kallkan nëpër derte,
pllaq e plluq iki mbi dhembje
e s’di se ku vete.

Vera Ora në mbështetje të këngëtares së varur nga droga

Vera Ora, nëna e këngëtares shqiptare Rita Ora, ka postuar një fotografi në rrjetin e saj social Facebook duke shprehur solidaritet me këngëtaren Demi Lovato.

Demi mbrëmë është hospitalizuar për shkak të varësisë nga droga.

Në fotografinë e postuar nga Vera, ku shihen Rita Ora dhe Demi Lovato, shkruhet:

“Varësia është një kurvë e të gjitha sëmundjeve!!! Po shprehem kësisoj sepse kjo më shqetëson tej mase. Sa herë shoh pacientët me varësi në punën time si psikiatre, kjo sëmundje më bën të pafuqishme. Jam e sigurtë se ajo është e fuqishme, Demi, dhe shpirti i saj do të shërohet shpejt” ka shkruar Vera Ora në mbështetje të këngëtares së hiteve “Stone Cold” apo “Sober”.

Demi Lovato mbrëmë është dërguar në spital pasi ka arritur në mbidozë të drogës. Ajo është gjetur në shtëpinë e saj pa vetëdije dhe po trajtohet në Hollywood Hills atje ku edhe jeton, në Cedars-Sinai Medical Center.

#prayforDemi është hashtagu që po përdoret në rrjete sociale në mbështetje të yllit të muzikës pop, e cila dallohet për vokalin e saj të fuqishëm. / KultPlus.com

Dy viktima shqiptare në plazhin e Ulqinit

Shtetasja e Sllovenisë, 35 vjeçarja me prejardhje shqiptare Zejnepe Izairi, dhe djali i saj 10 vjeçar kanë vdekur, derisa babai Petriti (36 vjeçar) dhe vajza e tyre 13 vjeçare janë lënduar në fatkeqësinë që ndodhi dje në det afër Ulqinit.

Fatkeqësia ka ndodhur dje pak pas orës 14:00 në det afër Hotelit Otrant në Plazhin e Madh, raporton RTCG.

Siç mëson “Vjesti” nga disa burime, incidenti sipas të gjitha gjasave ka ndodhur kur një anije turistike e cila transportonte turistë ka bërë kontakt me të ashtuquajturën “Banane” të cilën e tërheq skuteri. / KultPlus.com

Kush është Osho, indiani që e quajti Nënë Terezën mashtruese

Rajneesh (11 dhjetor 1931-19 janar 1990), i njohur edhe si Acharya Rajneesh, dhe së fundmi si Osho, ishte një mistik indian dhe udhëheqës i lëvizjes Rajneesh në Indi.

Gjatë jetës së tij ai u pa si një udhëheqës i ri i diskutueshëm i lëvizjes fetare. Në vitet 1960 ai udhëtoi nëpër Indi si një folës publik dhe ishte një kritik vokal i socializmit, Mahatma Gandhi. Rajneesh theksoi rëndësinë e meditimit, ndërgjegjësimit, dashurisë, festimit, guximit, krijimtarisë dhe humorit që ai e konsideronte si të shtypur nga aderimin në sistemet e besimit statik, traditën fetare dhe socializimin.

Një lider i diskutueshëm, ai kishte miliona ndjekës në mbarë botën, dhe gjithashtu mijëra kundërshtarë. Besimplotë dhe i sinqertë, ai ishte një folës i talentuar i cili kurrë nuk u largua nga shprehja e pikëpamjeve të tij mbi tema të ndryshme, madje edhe ato që konsideroheshin tabu nga shoqëria konservatore. Ai u rrit për të qenë një adoleshent rebel dhe vuri në pikëpyetje normat ekzistuese fetare, kulturore dhe shoqërore në shoqëri. Ai filloi punën e tij si një mësues shpirtëror njëkohësisht, ndërsa nisi një karrierë profesionale si profesor filozofie. Përfundimisht ai dha dorëheqjen nga puna e tij akademike për t’u përqëndruar në karrierën e tij shpirtërore. Gjatë një periudhe kohe ai e ngriti veten si një mësues feje shumë popullor, jo vetëm në Indi, por edhe ndërkombëtarisht.

Ai gjithashtu shtoi lloje të reja të praktikës së meditimit.

Osho, për shqiptarët u bë më i njohur pas kundërvënies së tij ndaj veprave të Nënë Terezës. Ai tregonte për një letër që ia kishte shkruar Nënë Tereza, disa ditë pasi kjo e kishte fituar çmimin Nobel për paqe. Letrës, ajo ia kishte bashkëngjitur fjalët që Osho i kishte shkruar në gazetë: Mashtruese, sharlatane dhe hipokrite. Sipas tij mashtrues nuk ishte vetem ai person që mashtron dikë, por edhe që mashtron vetëvetën. Ai e konsideronte Nënë Terezën në këtë nivel. Sipas tij, shenjtorja me origjinë shqiptare nuk kishte pasur qëllime të këqija, por duke mashtruar vetëvetën, ka mashtruar edhe të tjerët. “Ajo ka qenë duke shërbyer të varfrit, por të varfrit kanë qenë duke u shërbyer prej shekujsh dhe varfëria nuk është zhdukur. Varfëria nuk është dukeu zhdukuar, duke i shërbyer ata”, konsiderontr mistiku dhe mësuesi spiritual nga India. Sipas tij, pranimi i çmimit Nobel nga Nënë Tereza, është një arsye pse atë e konsideron mashtruese të pavetëdijshme. Ai e justifikon këtë edhe duke shtuar se paratë e Nobelit nuk dihet se nga vijnë.

Osho arsyetonte tutje duke thënë se e ka quajtur Nënë Terezën “sharlatane”, sepse një njeri religjioz nuk do ta pranonte çmimin Nobel në asnjë mënyrë. Osho madje hidhte dyshimet se nga i kishte siguruar Nënë Tereza gjithë ato fonde për ushqime.

Megjithatë, ai mbetet një figurë popullore për gjithë botën, ndaj kemi përzgjedhur disa nga thëniet e tij. Disa nga aforizmat më të famshme janë:
– Ju ndiheni mirë, ju ndiheni keq, dhe këto ndjenja janë duke dalur nga vetëdija juaj, nga e kaluara juaj. Askush nuk është përgjegjës përveç jush. Askush nuk mund t’ju bëjë të zemëroheni dhe askush nuk mund t’ju bëjë të lumtur.
– Largojeni idenë për t’u bërë dikush, sepse ju tashmë jeni një kryevepër. Ju nuk mund të përmirësoheni. Ju duhet vetëm duhet ta dini, ta kuptoni atë.
– Pyetja e vërtetë nuk është nëse jeta ekziston pas vdekjes. Pyetja e vërtetë është nëse jeni gjallë para vdekjes.
– Jeta fillon aty ku mbaron frika.
– Frika më e madhe në botë është mendimi i të tjerëve, dhe momenti kur nuk keni frikë nga turma, ju nuk jeni më një dele, ju bëheni një luan. Një zhurmë e madhe lind në zemrën tënde, zhurma e lirisë.
– Bëni sa më shumë gabime, duke kujtuar vetëm një gjë: mos përsërisni të njëjtin gabim. Dhe do të zhvilloheni.
– Nëse e doni një lule, mos e këpusni atë. Sepse në qoftë se ju e merrni atë ajo vdes. Pra, nëse e doni një lule, lëreni të ekzistojë. Dashuria nuk ka të bëjë me posedimin. Dashuria ka të bëjë me vlerësimin.
– Ju keni nevojë për pushtet vetëm për të bërë diçka të dëmshme. Përndryshe dashuria është e mjaftueshme, dhembshuria është e mjaftueshme.
– Miqësia është dashuria më e pastër. Është forma më e lartë e dashurisë, aty ku nuk kërkohet asgjë, nuk ka kushte, ku njeriu vetëm jep e shijon.

Demi Lovato dërgohet me emergjencë në spital

Këngëtarja Demi Lovato është dërguar me emergjencë në një spital në Los Angeles shkaku i mbidozës me heroinë, raporton TMZ.

25-vjeçarja është dërguar në spital pasdite nga shtëpia e saj në Hollywood Hills.

Tabloidi amerikan raporton se nuk dihet gjendja e saj.

Muajin e kaluar Lovato kishte bërë të ditur se u ishte kthyer drogave pas gjashtë vjetësh esëll. / KultPlus.com

Konfrontimi verbal mes Policisë dhe aktivistëve për mbrojtjen e kafshëve në Prishtinë

Dhjetëra aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve protestuan të martën në Prishtinë para Galerisë Kombëtare të Kosovës, në kundërshtim të ekspozitës “Tetë lopë Kosove” të artistit kosovar Sislej Xhafa, i cili për një vepër artistike i mbajti të mbyllura tetë lopë në një ahur të improvizuar në hapësirat e galerisë.

Por në përfundimin e protestës aktivistët nuk u lejuan nga Policia e Kosovës që t’i vendosnin pankartat që kishin përgatitur në kundërshtim të ekspozitës dhe keqtrajtimit të kafshëve.

“Sis’lej Baglat”, “Galeria e Ahurit”, “Stop qasjes antopocentrike” dhe parulla të tjera të aktivistëve nuk u lejuan të ngjiteshin në muret e ahurit të improvizuar, pasi Policia e Kosovës paralajmëroi arrestimin e tyre nëse do vepronin ndryshe.

“Unë e thash atë çka duhet me u respektu. Ty nuk ta ndaloj me i vendos ato, mirëpo pasi e kryn kundërvajtjen vjen me ne në stacion”, i drejtohet polici njërit prej aktivistëve që dëshiron të vendos pankartat në murin e ahurit të improvizuar.

E pas paralajmërimit të policëve, aktivistët u tërhoqën, por megjithatë pankartat e tyre i vendosën në pjesë të tjera të hapësirave në oborrin e Galerisë Kombëtare të Arteve. / KultPlus.com

“Sis’lej baglat” dhe “Galeria e Ahrit”, mbahet protesta për lopët e ekspozitës së Xhafës

Një numër i vogël i qytetarëve, sikundër që organizimet në Facebook premtojnë shumë, ishin të pranishëm sot para Galerisë Kombëtare të Kosovës, për të protestuar rreth asaj që po konsiderohet një debat tjetër i këtyre ditëve në Kosovë – trajtimi i lopëve si pjesë artistike në ekspozitën e fundit nga artisti shqiptar Sislej Xhafa.

‘Vuajtja nuk është ART’, ‘ Galeria e Ahrit’, ‘Kafshët nuk i durojnë zhurmat e qytetit’ ishin disa prej mbishkrimeve në pankartat të cilat i bartnin sot protestuesit në një protestë të paralajmëruar prej kohësh nga aktivistët për mbrojtjen e kafshëve, shkruan KultPlus.

“Në Kosovë e dijmë mirë se qysh trajtohen kafshët, e dijmë këtë prej qenëve endacakë por edhe atyre me pronar e shoqërues. Jemi të vetëdijshëm që këtu po mbahen disa lopë dhe si organizata për të drejtat e kafshëve po e mbajmë një protestë simbolike për të reaguar ndaj artistit dhe disa artistëve tjerë të cilët e pamë se kanë reaguar shumë keq” tha në protestë Elza Ramadani, një prej aktivisteve si pjesë e organizimit të protestës.

“Ne nuk jemi kritikë të artit, nuk na intereson arti dhe as shija e Xhafës apo artistëve tjerë. Ne veç jemi të dëshpëruar me institucionet që po na marrin për qesharak” vazhdoi tutje Ramadani.
Protesta ishte paralajmëruar nga United for Animals – UFA, pasi artisti Sislej Xhafa ka marrë tetë lopë të cilat do të qëndrojnë tek Galeria Kombëtare e Kosovës, si pjesë e ekspozitës “Love you without knowing”.

Në protestë ka folur edhe Driton Gusia – aktivist, duke treguar se është absurd fakti se është harxhuar një shumë e madhe e parave për një ekspozitë të tillë, dhe se kjo nuk është hera e parë që protestohet për të drejtat e kafshëve dhe kundër keqtrajtimit të tyre.

Grupi i aktivistëve ka treguar se natën kur ndodhi koncerti i Elvana Gjatës në kryeqytet ata kanë vizituar lopët në Galeri, dhe besojnë se ato kanë qenë të terrorizuara nga zhurma dhe nga ambienti afër koncertit kur janë lëshuar fishekzjarret. / KultPlus.com

Kur do të flasësh o Ali Podrimja

Një poezi e njohur e Ali Podrimjes, dhe ndër më të pëlqyerat edhe të vetë shkrimtarit, është “Kur do të flasësh o Ali Podrimja”. Poezia është shkruar në vitin 1990, një vit i cili ishte dëshmitar i ndryshimeve në sistemin jugosllav dhe fillimit të vuajtjes për shqiptarët në këtë sistem.

Në shuplakë fiket ylli
na shikon në sy dhe përbihesh
shpinën pa na kthyer asnjëherë o ali podrimja

Rri atje nën qiellin e ftohtë dhe hesht me vjet
beson ende
në njeri

E emri të falsifikohet
mbiemri nënshkrimi datëlindja
emir i nënës i babait i vendlindjes i të parit
përrallat fëmijërore vallet lodrat
heronjtë këngët vajet kremtet

Mbi gjuhën tënde të lashtë mbi fisin
shqirren
dhe derdhen përronj të zez

E ti hesht o ali podrimja
beson ende
në njeri

Në hone të errta në bodrume mesjetare
elaborate emërtime të çuditshme rrënime
mallkime
lehje ndjekje kyçje
gjueti e egër

Ndizen fiken qirinj erë temjani pikojnë fjaët
trupat rezervati
nën sjetull të fatit dheun marrin fëmijët
Gruaja end e shkreh pëlhurën
në Kullë letre
Mbi kokë zgjatet hija sorrat korbat qiellit
kaçurrelat e verdha kreh
me një grusht dhé në gji
nisesh larg larg

Në Evropën mondane je albanais
arbëresh në Itali në Greqi arvanitas
arnaut në Turqi hamdurlah
në Amerikë mish konservash
e asgjë tjetër
e asgjë tjetër

Kushedi sa gjuhë flet zoti yt
E ti hesht o ali podrimja
beson ende
në njeri
Por por
kur do të flasësh o burrë i dheut
apo më parë duhet të lindësh
Kulmin tënd ç’e mbulojnë myshqet

Ali Podrimja

“Hajt bacë t’u rritë mendja”

Ali Podrimja ka lindur në Gjakovë.

Gjakovën do ta kishte gjithmonë në zemër, shkrimtari i cili ndërroi jetë në 21 korrikun e vitit 2012-të.
Podrimja, një prej shkrimtarëvë më të mirë shqiptarë ndonjëherë, në një intervistë në vitin 2012-të, vetëm pesë muaj para se të vdiste, u pyet për shakanë e tij më të preferuar gjakovare.

Gjakova njihet për humorin më të zi – komentojnë dhe pyesin dy intervistuesit, për Ali Podrimjen.

“Shakaja gjakovare që më pëlqen më së shumti është “Hajt bacë t’u rrittë mendja”, kjo” thotë Podrimja në këtë intervistë, botuar në World Literature Today, realizuar nga Adam J. Goldwyn & Rineta Hoxha.

“Hajt bacë t’u rrittë mendja” vjen edhe si shaka, por më shumë si një proverb i përdorur më shumë në Kosovë për njerëzit që mendojnë se kanë shumë njohuri e në fakt kanë mungesë të shumë njohurive e informacioneve, shkruan KultPlus.

Më 21 korrik u bënë gjashtë vite nga vdekja e Ali Podrimjes, i cili mbetet në zemrat e lexuesve me krijimet e tij letrare ndër vite. / KultPlus.com

‘E trishtë të jetosh në një shoqëri ku Era Istrefi merr medalje kombëtare’

Nga Ergys Mertiri

Të përzgjidhesh për këngën hapëse të një botërori, mund të jetë një event me rëndësi për çdo këngëtar, por nuk tregon asgjë mbi vlerat artistike të këngës. Ia kanë arritur kësaj edhe këngëtarë ordinerë si Ricky Martin, Shakira apo Pitbull me Jennifer Lopes dhe as ngre as ul gjë në listë edhe Era Istrefi.

Muzika që ajo përfaqëson është thjesht dhe vetëm komerciale pa asnjë vlerë artistike reale. Ajo ka vetëm efektin që të tërheqë masa të mëdha njerëzish, të pakultivuar me art e kulturë, por asgjë përtej kësaj. Kjo është e kundërta e artit, është konsum, mall tregu, tagji për popullin dhe si e tillë mund ta konsiderojmë si ant-iart, që shkatërron vlerat kulturore të një shoqërie. Kjo lloj muzike është jetëshkurtër. Ajo nuk mbahet mend, vdes që pas konsumimit të parë.

Publiku e harron menjëherë, sapo një hit i ri hidhet në treg. Dekorimi i Era Istrefit nga Presidenti i Kosovës, ashtu siç më parë është dekoruar edhe Rita Ora nga ish-presidentja Jahjaga, është në kuadrin e kompleksit të inferioritetit kulturor që shqiptarët shpërfaqin në mënyrë të frikshme dekadat e fundit. Ky akt është ekspozim i fuqishëm i provincialitetit që na përfaqëson në instancat më të larta drejtuese e kudo.

Ti japësh Era Istrefit medaljen jubilare të 10 vjetorit të pavarësisë do të thotë të kesh ngatërrim zorrësh në tru, do të thotë të degjenerosh vlerat më të thella të një shoqërie që ia doli të çlirohet nga një robëri 100 vjeçare, duke i shkartisur këto me vlerat e një kulture që promovon gjithçka profane si konsumin, vanitetin, mendjelehtësinë, të mosmenduarit, të qenit bosh. Ky lloj pseudoarti është modeli më i keq që mund ti ofrojmë shoqërisë e sidomos të rinjve.

E trishtë të jetosh në një shoqëri ku Era Istrefi merr medalje kombëtare, ndërsa në Kosovë ka artistë brilantë që prodhojnë muzikë të niveleve evropiane. Mund të themi psh. që një kompleks muzikor thuajse i panjohur si Gilespie, u përzgjodh para disa vitesh nga Red Hot Chili Papers mbështetës që do të këndonte në koncertin e tyre në Beograd. Për çdo muzikant serioz, ky propozim do të ishte një vlerësim shumë herë më i madh sesa ngjitja në skenën e një botërori për të englendisur turmat e tifozëve.

E njëjta gjë ndodh rëndom edhe në Shqipëri, ku mediokriteti dhe banaliteti janë kudo më të kërkuar dhe më të vlerësuar. Ndërsa prishet godina e teatrit sheshet e bashkisë ushtojnë nga koncertet e sharabajkave të botës që vijnë e pozojnë si yje që po iu hapin pak sytë edhe shqiptarëve.

Mesazhi që na vjen nga presidenca në Kosovë, siç ndodh rëndom edhe në Shqipëri është i trishtë. Ky shtet nuk interesohet për vlerat, kulturën dhe artin e vërtetë, por vlerëson dhe nderon vetëm çingijet, ndërsa favorizon gjithmonë kopukët, kurvat dhe hajdutët!

Lidhja mes Dua Lipës, Titos dhe Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë

Për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës po shkruhet shumë.

Kohëve të fundit, kjo ndodhë sepse një model i kësaj Biblioteke – arkitektura e së cilës gjithmonë shkakton debat, është pjesë e ekspozitës “Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948-1980’.

Ekspozita në MoMA e cila e eksploron arkitekturën e dikurshme në Jugosllavi, së fundmi është zgjedhje e kritikës pamore edhe në New York Times.

Jason Farago e ka vizituar ekspozitën ndërsa tregimi dhe kritika e tij jo pak herë sillet edhe kah Kosova, Prishtina dhe Biblioteka Kombëtare e cila edhe sot shihet si objekt i bukur në mes të Prishtinës dhe gjen përdorimin e saj në ambientin e rrethuar me gjelbrim.

“Kosova, origjina e një prej yjeve më aktive momentalisht në muzikën pop, Dua Lipa” shkruhet diku mes rreshtave të kritikës derisa tregohet për objektin e Bibliotekës, ndërtuar nga Andrija Mutnjakovic me 99 kupola hemisferike frymëuar nga arkitektura islamike.

Në kohën e Titos, shkruan NYTimes, ishte më e lehtë të ishe artist në këtë pjesë sesa në Bashkimin Sovjetik, në Shqipëri apo në Rumani. Megjithatë, jo gjithçka ishte parajsë, shkruan KultPlus.

“Në Prishtinë, në po këtë library librat u cenzuruan dhe tensionet gjuhësore e etnike në të vërtetë asnjëherë nuk u larguan në tërësi” shkruhet në kritikën që i bëhet ekspozitës ku ka edhe përfaqësim kosovar.

Brenda kritikës përmendet edhe Beogradi i Ri – një pjesë që edhe sot po ndërtohet, një vazhdimësi e Beogradit por mbushur me pjesë brutaliste. Në anën tjetër, një tërmet që goditi Shkupin në vitin 1963, bëri që më vonë qyteti të rindërtohej me një formë që u quajtu – “metabolism” – përdorur nga japonezi Kenzo Tange. / KultPlus.com

Shtëpia ime pa qetësi

Ali Podrimja

Shtëpia ime prej kashte, prej balte;
shtëpia ime prej vuajtje;
shtëpia ime prej gëzimit;
shtëpia ime me një bisht dhie.

Gjel, kur ti kërcen tra e m’tra thonë – moti ndërron,
gjeli im i untë,
kur ti kërcen tra e m’tra.

Shtëpia ime prej kashte, prej balte;
shtëpia ime vuajtje;
shtëpia ime prej gëzimit –
shtëpia ime pa qetësi.

‘Gjirokastra po zhduket nga pak çdo ditë’

Ish-presidenti Bujar Nishani ka ngritur shqetësimin e zhdukjes dhe rrënimit të trashëgimisë kombëtare. Në një postim në Facebook, ish-presidenti Nishani ka kërkuar vëmendjen e qytertarëve për të mbrojtur Gjirokastrën.

Postimi i plotë:

Gjirokastra e vjetër, një perlë nga fare të paktat, (që ne shqiptarët trashëguam nga historia jonë shumë e vjetër por me pak dëshmi), po degradon dhe zhduket nga pak çdo ditë.

Duan të na fshijnë edhe historinë edhe trashëgiminë edhe civilizimin.

Duan vetëm kulla, beton, para, pisllëk, kaos.

Ti mbrojmë ato pak prova të trashëgimisë së qytetërimit tonë që na kanë mbetur.

Makutërit në pushtet duan të zhdukin çdo gjë.

Ata, atë standard kanë.

Qytetarët të flasin.

Sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës vjen Vanessa Redgrave

Vanessa Redgrave sonte rikthehet në Prishtinë.

Fituesja e çmimit Oscar, pasi ishte e pranishme në edicionin e parë të festivalit PriFest para dhjetë vitesh, sonte vjen prapë në Kosovë.

Sonte, Redgrave do të jetë prezente në Teatrin Kombëtar për ta prezantuar filmin e saj “Sea Sorrow”, i cili shfaqet me fillim nga ora 20:00.

Sonte shënohet nata e pestë e këtij edicioni jubilar të PriFest në kryeqytetin kosovar.

Filmi “Sea Sorrow” fokusohet në vetë përvojën e Redgrave duke treguar refugjatët që largohen nga zonat e luftës në Evropë. Një krahasim midis trajtimit që i bënin dukurisë qeveritë e viteve 30-të dhe atyre sot. / KultPlus.com