Zona e Librazhdit është një nga prodhuesit kryesor të mjaltit në qarkun e Elbasanit.
Janë 6 mijë koshere në të gjithë territorin ku qindra fermerë vazhdojnë traditën e tyre në prodhimin e mjaltit, falë edhe kushteve të përshtatshme të zonën me bimësi të pasur, çka i mundëson bletës ushqim të pastër e për pasojë një mjaltë cilësor.
Bashkia e Librazhdit tashmë e ka kthyer në traditë të përvitshme organizimin e “Panairit të Mjaltit”.
Edicioni i 7-të i këtij eventi që u mbështet nën kujdesin e kryebashkiakut Mariglen Disha, bëri bashkë mbi 200 fermerë e subjekte të ndryshme bujqësore, që sollën në këtë panair jo vetëm mjaltë cilësor, por edhe produkte të tjera bio të zonës.
Në këtë aktiviteti ishin të pranishëm ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbian Mazniku, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, e institucioneve të linjës.
Panairi e ndoqën vizitorë të ndryshëm, por edhe turistë të huaj që provuan mjaltin e përpunuar përmes mënyrës tradicionale, por edhe teknologjisë moderne nga bletërritësit.
Kryebashkiaku Mariglen Disha, u shpreh se “tradita e këtij panairi ka ndihmuar bletërritësit të krijojë klientë të qëndrueshëm nga e gjithë Shqipëria dhe të promovojnë, jo vetëm mjaltin, por të gjithë prodhimet e tyre bujqësore dhe prodhimet artizanale”.
Disha vuri theksin në mbështetjen e fermerëve dhe sektorit të bujqësisë.
“Ne do të ndihmojmë gjithë bletërritësit,fermerët për gjithë produktet që prodhojnë dhe për daljen në tregje të reja” tha ai./atsh/ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar heronjtë Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin në 26-vjetorin e rënies së tyre.
Kurti është shprehur se ‘jeta e tyre ishte lavd për dashurinë; lavd për dashurinë për lirinë; lavd për dashurinë për lirinë e Kosovës. Lavdi Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit – Lladrovcit, të rënë heroikisht, këtu e 26 vjet më parë!’, transmeton Klankosova.tv.
“Ata të dy vdiqën për atë që jetuan: për lirinë e Kosovës. Vdekja e tyre ishte një rënie e njëhershme, ashtu siç jeta e tyre ishte një vepër e përbashkët, kryevepër për dashurinë dhe lirinë. Fehmi Lladrovci (1956) nga Gllanasella e Drenasit dhe Xhevë Krasniqi (1955) nga Drenoci i Malishevës ishin një çift i kulluar, që ashtu siç e shikonin njëri-tjetrin në sy me plot dashuri, bashkë shikonin drejt një synimi, lirisë së Kosovës. Ashtu siç e ka titulluar Fehmiu letrën e tij nga burgu për Xhevën, “DRITA E SYTRIT TIM XHEVË!”, ku ndër tjera ai i ka shkruar Xhevës: “Të përshëndes e të përqafoi nga larg SHPIRTI IM XHEVË! TË DUA SHUMË XHEVË””, ka shkruar Kurti në Facebook.
Rutina shpesh na bllokon dhe na kufizon. Por është aq komode dhe e sigurt sa mësohemi aq shpejt dhe harrojmë. Megjithatë, rrëfimi Zen i lopës është një nga ato anekdota që funksionon si një këmbanë. Një zgjim për atë që nuk mund ta shohim në jetën tonë të përditshme, por që na prek më shumë sesa mendojmë.
Falë kësaj historie Zen, zbulojmë simbolikën e vërtetë të lopës, çfarë do të marrim prej saj dhe shkallën e varësisë që mund të zhvillojmë ndaj gjithçkaje. Por, mbi të gjitha, do të na ndihmojë të zbulojmë se cila është lopa e jetës sonë.
Rrëfimi Zen i lopës tregon për një Mësues të mençur që po ecte nëpër fusha me dishepullin e tij. Një ditë, të dy u gjendën përballë një shtëpie prej druri ku banonte nga një çift me tre fëmijët e tyre. Ata ishin të gjithë në gjendje të keqe, me rroba të grisura dhe të pista. Këmbët e zbathura, mjedisi përreth tyre tmerrësisht i varfër.
Mësuesi e pyeti kryefamiljarin se si ia dilnin të mbijetonin, duke qenë se aty pranë nuk kishte asnjë industri apo tregti, si dhe nuk shihej asnjë pasuri rretherrotull.
Me shumë qetësi, babai iu përgjigj: “Shiko, ne kemi një lopë që na jep disa litra qumësht në ditë. Një pjesë e shesim dhe me ato para blejmë gjëra të tjera, ndërsa pjesën tjetër e konsumojmë. Kështu që ne mund të mbijetojmë”.
Mësuesi e falenderoi për informacionin, tha mirupafshim dhe u largua. Teksa ikte, i tha dishepullit: “Kërko lopën, çoje buzë greminës dhe shtyje”. I riu u habit, lopa ishte mjeti i vetëm ku mbështetej ajo familje e varfër.
Por ai mendoi se Mësuesi kishte arsyet për t’i kërkuar një veprim të tillë dhe, me përpjekje të mëdha, e çoi lopën drejt greminës dhe e shtyu poshtë. Ajo skenë e tmerrshme mbeti e ngulitur në mendjen e tij për shumë vite. Shumë kohë më vonë, dishepulli, duke u ndjerë fajtor për atë që kishte bërë, vendosi të linte Mësuesin, për t’u kthyer në atë vend dhe për t’i kërkuar falje familjes, së cilës i kishte shkaktuar dëme të mëdha. Kur u afrua, vuri re se gjithçka kishte ndryshuar.
Një shtëpi e bukur me pemë përreth, shumë fëmijë që luanin dhe një makinë e parkuar jashtë. I riu u ndje edhe më i trishtuar dhe i dëshpëruar, duke menduar se ajo familje e gjorë kishte shitur gjithçka për të mbijetuar. Kur pyeti për ta, i thanë se ishin gjithmonë aty, se nuk ishin larguar. Ai vrapoi në shtëpi dhe kuptoi se ajo ishte me të vërtetë e banuar nga e njëjta familje, si dikur.
Ai e pyeti kryefamiljarin se çfarë kishte ndodhur dhe ky i fundit, me një buzëqeshje të madhe u përgjigj: “Ne kishim një lopë që na jepte qumësht dhe me të cilën përballonim jetesën. Por një ditë lopa ra nga shkëmbi dhe ngordhi. Që nga ai moment, e gjetëm veten të detyruar të bënim gjëra të tjera, të zhvillonim aftësi të tjera që nuk e kishim imagjinuar kurrë se i kishim. Pra, filluam të ishim të suksesshëm dhe jeta jonë ndryshoi.”
Lehtësia për të bërë “gjithmonë të njëjtën”
Ndoshta, ashtu si dishepulli, edhe ju u tmerruat nga vendimi i Mësuesit për ta hedhur lopën nga shkëmbi. Megjithatë, kjo histori është një metaforë se si të veprojmë me atë që na bën të ndihemi rehat, por, në të njëjtën kohë, na kufizon.
Kur ajo familje e varfër mbeti pa ushqimin me të cilin mbijetonin, nuk u mbetej gjë tjetër veçse të kërkonin alternativa. Në vend që të përballeshin me më shumë varfëri, familjarët gjetën një mënyrë për të përparuar, diçka që nuk e imagjinonin kurrë. Nëse lopa nuk do të ishte zhdukur kurrë nga jeta e tyre, ata do të kishin vazhduar të jetonin në varfëri, pa dalë prej saj, pa besuar se mund të shkonin më tej.
Shumë njerëz janë mirënjohës për ato momente të jetës që, megjithëse të dhimbshme dhe të vështira, i kanë detyruar të largohen nga ajo zonë e sigurt në të cilën ishin vendosur dhe kishin mbetur të mbërthyer. Si qenie njerëzore, ne kërkojmë siguri, rehati, atë që nuk na bën të jetojmë në pasiguri. Por, kur e gjithë kjo shembet, zbulojmë aftësi dhe cilësi që nuk do t’i kishim imagjinuar kurrë, që kishin mbetur të fjetura brenda nesh.
Rrëfimi mbi lopën është i jashtëzakonshëm, sepse na lejon të reflektojmë mbi mënyrën se si jetojmë.Sidomos nëse ankohemi për jetën tonë. Nuk është e nevojshme të presim që të vijë një Mësues për ta hedhur nga shkëmbi atë lopë që na kufizon kaq shumë. Sot, ne mund të shohim përtej rehatisë sonë për t’u ndërgjegjësuar për potencialin që kemi.Sepse ne nuk kemi kufij. Ne vetë i krijojmë vetes pengesa. /bota.al/ KultPlus.com
Shkodra vijon prej vitesh të ruajë me fanatizëm traditën e biçikletës, një simbol që lidhet ngushtësisht me historikun e nisjes së përdorimit të dyrrotakut në vendin tonë, pikërisht nga qyteti verior.
Në kuadër të programeve për Javën Evropiane të Lëvizshmërisë, një murale me simbolikën e saj i është shtuar Shkodrës që konsiderohet si qyteti më i madh i biçikletave në Shqipëri dhe një ndër qytetet më të mëdhaja të Ballkanit për nga përdorimi i tyre.
Kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka shpërndarë në rrjetet sociale muralen e punuar me mjeshtëri nga artistja Nermin Shurdha ku shihet një burrë me një fëmije mbi biçikletë.
“Shkodra dhe biçikleta një dashni e përjetshme”, shprehet Beci.
Historia e biçikletave të para në vendin tonë ka nisur nga qyteti i Shkodrës. Sipas një fotoje të publikuar nga “Marubi” e vitit 1897 shihen dy burrave me veshje kombëtare shqiptare me biçikleta dhe në vitet e mëvonshme, në 1907.
Me rritjen e numrit të biçikletave, disa qytetarë shkodranë krijuan në vitin 1920 sportin e çiklizmit i cili ishte rrethi i parë çiklistik në vendin tonë dhe i treti në Europë pas Francës e Italisë./ KultPlus.com
15 qytetar janë betuar pasi kanë marrë shtetësinë shqiptare para kryetarit te Bashkisë së Tiranes, Erion Veliaj.
Në ceremoninë e zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj u shpreh se ky është një moment ideal për t’u bashkuar me qytetin, i cili sot është në ditët më të mira dhe numëron rreth 1 milion turistë në muaj.
“Krejt papritur nga një ‘katund’ i vogël ose qytezë me 10 mijë banorë, sot jemi mbi 1 milion. Pra, në 104 vite kryeqytet jemi rritur 104 herë. Sot mjafton të dalësh nga dera e bashkisë dhe shikon se sa turistë ka, rreth 1 milion në muaj. Imagjinoni se çfarë ndryshimi dhe se çfarë transformimi ka pësuar qyteti çdo vit, duke u rritur dhe duke u bërë më kozmopolitan, më përfaqësues i të gjitha realiteteve dhe i të gjitha prurjeve dhe kombësive të ndryshme. Sot në Tiranë kanë rezidencën 144 kombësi. Nga një Tiranë e 91-shit, ku ishim vetëm ne tanët në një Tiranë që sot ka 25 mijë italianë dhe shumë e shumë kombësi të tjera që e quajnë dhe ata shtëpinë e tyre”, u shpreh Veliaj.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që bënë betimin që të japin kontributin për Tiranën, e cila gëzon tituj të ndryshëm falë punës së të gjithëve.
Veliaj tha se mjafton një lopatë për të mbjellë një pemë, si një mënyrë modeste për të kontribuar tek energjia e madhe e Tiranës.
“Sot Tirana është presidenca e B40, që është rrjeti i bashkive të Ballkanit, para dy vitesh ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Kryeqyteti Europian i Sportit, vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës. Në qoftë se keni kontribute për të dhënë për secilin prej tyre titujve, jeni mëse të mirëpritur. Agjencia Europiane e Mjedisit e renditi Tiranën qytetin e 10-të në të gjithë qytetet e Europës, si qyteti që ka mbjellë më shumë pemë kohët e fundit. Edhe sikur mos të keni ndonjë talent të veçantë, si puna ime, mjafton një lopatë për të mbjellë një pemë, kur keni përvjetorin apo kur keni ditëlindjet e fëmijëve, një mënyre modeste për të thënë dhashë edhe unë një kontribut tek kjo energjia e madhe e Tiranës”, deklaroi kryebashkiaku./ KultPlus.com
Helen Maria Turner e nisi pikturën në moshën 22-vjeçare dhe rrugëtoi në eterin e artit deri në vitin 1949, derikur katarakti do t’i dobësonte të parit deri në verbim.
Udhëtoi në art, modestish dhe ngulmueshëm, duke krijuar një emër dhe një identitet krijues unik.
Pavarësisht se modelet e saj ishin gratë dhe vajzat e familjes dhe tematika nuk e tejkaloi realitetit e përditshmërisë, realizimet punë mjeshtërore.
Bëri gjeniun pa ditur se çfarë saktësisht ishte ajo që po bënte.
Kujtojmë se ajo u gjet në art si një përjashtim, ndoshta nga një ëndërr, nga një goditje fati, apo diçka që shpesh kritikët nuk i gjejnë shpjegim, por nuk e përjashtojnë. Teknika e aplikuar dhe realizimi janë mbresëlënëse, janë mëtime të atyshme arti që marrin jetë në një dimension mistik. U tha dhe u provua se tablotë e Turner janë impresioniste dhe jo më impresionuese është e vetë artistja, te gruaja dhe mësuesja.
Çfarë bënë më shumë se Helen Maria Turner, etrit e impresionizmit, Claude Monet, Pierre-Auguste Renoir, Alfred Sisley, and Frédéric Bazille, apo Camille Pissarro, Paul Cézanne dhe Armand Guillaumin. Ndryshe nga Turner, ata e dini se ç’po bënin, gjithashtu ata e shitën poetikën e ngjyrës dhe befasinë e depërtimit të dritës, lojën e furçës dhe zhdërvjelltësinë e pastelit, dinamikën e panoramës dhe pulsin e portretit, me çmimin e lavdisë. E gjithë kjo gamë lexueshmërie e mjeshtërisë së pikturimit, në përgjithësi dhe impresionizmit në veçanti, ndodhen të shkrira në tablotë e amerikanes Helen Maria Turner.
Gratë në tablonë e Helen Turner kanë një statikë që përshkohet nga një dritë që reflekton çdo penelatë si në çdo pore, duke i bërë ata inkandeshente dhe të njëtrajtshme me sfondin. Ngjyra është shkrirë me dritën dhe hera-herës, ajo ndizet duke krijuar një lojë manipulimit të efektit mbi shkasin, të subjektit me sfodnin, të tipareve me njësimin e elementeve që interferojnë në tablo.
Punët e Helen Maria Turner dallojnë për natyrshmërinë e lojës endëse të ngjyrshmërisë që sendërgjon imazhin, për theksimin e butë dhe përshkues të dritës dhe efektet e perceptueshëm, të kësaj akrobacie në kohje dhe këndshikim. Njerëzorja merr shkas në tablotë e piktores me një atyshmëri dhe puls të gjallë, sikur mijëra penelat dalin nga spektri i shpërthimit të dritës, që godet duke e ngrirë çastin.
Cila është Helen Maria Turner?
Ndryshe nga artistë të tjerë të penelit, Helen Maria Turner e gjen veten në pikturë në një moshë kur zakonisht të tjerët kulmojnë. Megjithatë mosha 22-vjeçare kur ajo trokiti në portat e mëdha është një kapërcyell i hovshëm impulsesh dhe vetëdijësimesh. Pas ka mbetur rinia, kanë mbetur përvojat e netëve të gjata e ditëve zjarrvënëse të pasionit. Pas ka mbetur gjithçka dhe përpara ajo ka artistin, ka sfidën të bëhet një piktore që do të ketë emrin e famën e Helen Maria Turner. Mësuesja amerikane në pikturë, u bë e njohur për punët e saj në borja vaji, pastel, me të cilat ajo krijoi miniatura, peizazhe, dhe portrete, shpesh në stilin impresionist .
Jeta dhe karriera
Turner lindi më 13 nëntor 1858 në Louisville, Kentucky ndërsa prindërit e saj, Mortimer Turner dhe Helen Maria Davidson, ishin në një vizitë familjare në qytet. Ajo ishte stërmbesa e John Pintard nga Nju Jorku, mbesa e një mjeku të njohur të New Orleans dhe vajza e një biznesmeni të pasur nga Luiziana.
Turner kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj të hershme, midis Aleksandrisë, Luiziana dhe Neë Orleans, dhe shumë shpejt u bë refugjate nga situata e provokuar e Luftës Civile Amerikane, e cila shkatërroi pasurinë e babait të saj dhe çoi në humbjen e biznesit të saj.
Nëna e saj vdiq në 1865 pas një sëmundjeje të gjatë. Ishte vetëm 13 vjeç kur humbi edhe babain, duke mbetur nën kujdesin e një xhaxhai beqar nga New Orleans, i cili jetonte në “varfëri fisnike”.
Si aspirante për piktore filloi të merrte mësime falas të ofruara nga Universiteti Tulane, duke vazhduar nën drejtimin e Andres Molinary dhe Bror Anders Wikstrom, Gjithashtu ajo studjoi në Shoqatën e Artistëve në New Orleans .
Vdekja e xhaxhait më 1890 i hodhi mbi supe gjithë barrën e jetës. Kosokohe ajo zuri një pozicion si mësuese arti në St. Mary’s Institute, një shkollë vajzash në Dallas, Texas, duke filluar nga viti 1893. U transferua në New York City më 1895 për studime të mëtejshme dhe ndoqi Lidhjen e Studentëve të Artit ku u pranua pavarësisht se ishte mbi kufirin e moshës, Cooper Union dhe Universiteti Columbia; mësuesit e tij përfshinin Arthur Wesley Dow, Kenyon Cox, William Merritt Chase dhe Douglas Volk.
Motra e saj Laurette, një artiste tekstili, erdhi më të në Nju Jork. Turner udhëtoi me Chase dhe klasën e tij në Itali më 1904, 1905 dhe 1911, një udhëtim që nuk la gjë tek ajo.
Turner dha mësim në YWCA për shtatëmbëdhjetë vjet, duke filluar me një kurs të ri në hartimin e kostumeve. Nga viti 1906 ajo qëndroi në Koloninë e Artistëve në Cragsmoor, Nju Jork, ku u prezantua nga Charles Courtney Curran, duke vazhdaur atje me pak ndërprerje, deri në vitin 1941.
Në vitet e hershme mori me qira një hapësirë atje, por më 1910 arriti të ndërtonte një shtëpi dhe studio të quajtur Takusan. Motra e saj Lettie vdiq në vitin 1920. Më 1926 ajo u kthye në New Orleans dhe u vendos atje, duke udhëtuar në veri vetëm për sezonin e verës. Në New Orleans ai vazhdoi të jepte mësim në Klubin e Arteve dhe Artizanatit.
Ajo u zgjodh anëtare e Akademisë Kombëtare të Dizajnit më 1913, duke marrë 61 nga 64 vota, dhe u zgjodh gjithashtu anëtare me të drejta të plota më 1921, duke qenë kështu gruaja e tretë me këtë status dhe një nga akademiket e para në Shtetet e Bashkuara jugore.
Për më tepër, mund të shtojmë se më 1916 William T. Evans e quajti atë Anëtare e Artistëve të Jetës në Klubin Kombëtar të Arteve, duke patur privilegjin të ishte gruaja e parë që ju dha ky nder.
Ajo vijoj të pikturonte deri në vitin 1930. Problemet me shikimin të cilat erdhën gjithnjë duke u agravuar e vranë përdhunshëm tek ajo të drejtën për të hedhur art në tablo. Vdes më 31 janar 1958. /albertvataj/ KultPlus.com
“Hani i Gështenjave”, një tjetër sipërmarrje agroturizmi, ka hapur dyert në Qafë Plloçë të Pogradecit, e ngritur në një pikë strategjike nga ku mund të shihet i gjithë qyteti dhe liqeni i Pogradecit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot pamje nga ky agroturizëm që ofron një eksperiencë unike për turistët vendas e të huaj.
“Mes natyrës përrallore të zonës, mikpritjes së ngrohtë pogradecare dhe ushqimit tradicional të gatuar me mjeshtëri, me produkte nga kopshti direkt në tavolinë, “Hani Gështenjave” ofron një eksperiencë unike për turistët vendas dhe të huaj”, tha Denaj.
I rrethuar me bukuri natyrore, peizazh piktoresk, objekte historike dhe kulinari tradicionale kjo zonë ofron shumë mundësi edhe për turizmin e aventurës.
Agroturizmi është një mundësi e mirë për zhvillimin e kësaj zone, ku investimet në vepra publike, rrugë rurale, ujësjellës nuk mungojnë dhe bukuritë natyrore ruhen me fanatizëm nga banorët e fshatit./ KultPlus.com
A e dini se vetëm 56 minuta larg nga Italia ekziston një vend ku mund të jetoni dhe ta vizitoni për vetëm 20 euro në ditë?
Më pak se një orë larg me rrugë ajrore nga Italia qëndron një parajsë tokësore – që ndoshta shumë prej jush ende nuk e dinë: Shqipëria, shkruan Susanna Bargiacchi në një artikull të botuar në revistën italiane të udhëtimeve “TTi Viaggi”.
Kjo tokë me bukuri dhe autenticitet të jashtëzakonshëm po shfaqet si një nga destinacionet më ekonomike dhe magjepsëse për turistët që kërkojnë aventura me kosto të ulët.
Me një kosto prej vetëm 20 euro në ditë, vendi i vogël mesdhetar ju ofron mundësinë të jetoni një eksperiencë ëndrrash, duke eksploruar plazhe të pacenuara, male të gjelbëruara dhe qytete të pasura me histori.
Shqipëria është sekreti i ruajtur në Ballkan dhe, ndryshe nga shumë destinacione të tjera evropiane, ofron një ndërthurje unike të natyrës, kulturës dhe kuzhinës pa boshatisur portofolin tuaj.
Plazhet e Rivierës Shqiptare: një parajsë tokësore me kosto të ulët
Mrekullia e parë që tërheq vizitorët në Shqipëri është bregdeti i saj i mrekullueshëm.
Riviera Shqiptare, me plazhet e bardha dhe ujërat e kristalta, është një nga perlat më të bukura të Mesdheut.
Vende të tilla si Ksamili dhe Dhërmiu ofrojnë peizazhe si në kartolina, me detin bruz dhe plazhet ende pa shumë njerëz, sidomos jashtë stinës së verës.
Dhe gjëja e mrekullueshme është se, edhe me një buxhet të kufizuar, ju mund të shijoni gjithë këtë luks.
Një natë në bujtinë apo apartament kushton mesatarisht më pak se 15 euro, ndërsa një vakt në një restorant lokal, me peshk të freskët dhe perime të stinës, mund të shijohet për vetëm 5 euro.
Qytetet e pasura me histori dhe kulturë: Tirana dhe Berati
Shqipëria nuk ka vetëm det. Qytetet e saj ofrojnë një ndërthurje magjepsëse të historisë dhe modernitetit.
Tirana, kryeqyteti i gjallë, është një shembull i përsosur sesi tradita dhe progresi mund të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike.
Këtu, ju mund të vizitoni muzetë, galeritë e artit dhe monumentet historike, si Piramida e Tiranës apo Kulla e Sahatit.
Qyteti është gjithashtu plot me bare dhe restorante ku mund të shijoni kuzhinën tipike shqiptare pa shpenzuar shumë.
Rreth dy orë larg Tiranës ndodhet Berati, një nga qytetet më të vjetra dhe më piktoreske në Shqipëri, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve” për shkak të shtëpive të tij osmane me pamje nga lumi Osum.
Qendra historike e Beratit është vendosur në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe duke ecur nëpër rrugët e tij të ngushta me kalldrëm – do të ndiheni sikur jeni kthyer pas në kohë.
Edhe këtu, kostot janë tepër të ulëta. Ju mund të akomodoheni duke përfshirë mëngjesin për më pak se 10 euro në natë – dhe të hani drekë në një restorant lokal për më pak se 5 euro.
Malet dhe Parqet Natyrore
Nëse e doni natyrën, Shqipëria ofron shumë më tepër se brigjet e saj të mrekullueshme.
Brenda vendit shqiptar dominojnë malet dhe parqet natyrore impozante – të cilat janë një parajsë e vërtetë për adhuruesit e ecjes dhe aventurave.
Parku Kombëtar i Valbonës, për shembull, është një nga destinacionet e preferuara për vizitorët që kërkojnë qetësi dhe peizazhe mahnitëse.
Këtu mund të eksploroni shtigje të natyrës, me pamje spektakolare të maleve dhe liqeneve alpine.
Edhe në këto zona, çmimet janë jashtëzakonisht të përballueshme. Një dhomë në një bujtinë tradicionale kushton pak më shumë se 10 euro për natë – dhe ushqimet janë po aq të lira./ KultPlus.com
Flamingot janë rikthyer edhe për këtë sezon në liqenin e Pogradecit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të hijshme nga liqeni i Pogradecit, i cili është kthyer në ndalesën e radhës së flamingove.
Vitet e fundit flamingot janë kthyer në një atraksion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.
Flamingot janë shpendë që migrojnë në vendet e ngrohta dhe parapëlqejnë ujëra të kripura dhe të cekëta, ku gjejnë ushqimin e tyre të zgjedhur.
Në vendin tonë habitati i këtij lloji është Laguna e Nartës, Karavasta.
Prej disa vitesh tashmë, flamingot frekuentojnë edhe liqenin e Pogradecit për një periudhë të shkurtër kohore, edhe pse ai nuk përbën habitatin e tyre natyror./ KultPlus.com
“Liqeni i Mjelmave”, pjesë e International Dance Festival që po mbahet në Tiranë dhuroi emocione për publikun në sallën e Teatrit Kombëtar të Opera dhe Baletit.
Kryeministri Edi Rama ndërsa përcolli në rrjetet sociale foto të magjishme nga ky balet, shprehu edhe vlerësimin për interpretimin bashkëkohor të jashtëzakonshëm të klasikes së baletit, “Liqeni i Mjellmave”, nën koreografinë e mjeshtrit shqiptar me famë ndërkombëtare, Angjelin Preljocaj.
Një përzierje e përsosur e elegancës dhe dramës, e shoqëruar nga tingujt e pavdekshëm të Tchaikovsky-t, që mbushi skenën me emocion dhe art.
International Dance Festival do të sjellë një sërë shfaqjesh magjike për tre javë në Tiranë, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër të kulturës ndërkombëtare.
Ky program mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Tiranë.
Publiku duartorkiti gjatë artistët në skenë, ndërsa surprizat dhe emocionet do të vijojnë në TKOB që tashmë me shfaqjet e veta po mbledh gjithnjë e më shumë artdashës. / KultPlus.com
“Xhevë dhe Fehmi Lladrovci janë gardianët e përjetshëm të lirisë dhe Republikës së Kosovës”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani për dy heronjtë në 26-vjetorin e rënies së tyre.
“Sot shënojmë 26-vjetorin e rënies heroike të dy gjigantëve të historisë së kombit tonë, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që kemi sot. Ata ranë së bashku pikërisht në këtë ditë, të bashkuar edhe në përkushtimin e palëkundur për çlirimin e Kosovës”.
Osmani tha se Xheva dhe Fehmiu ishin më shumë se luftëtarë – simbole të shpresës dhe forcës për të gjithë ata që ëndërruan dhe dëshiruan një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
|Trashëgimia që kanë lënë pas Xheva dhe Fehmiu i tejkalon kohët. Ata kurorëzuan veprimtarinë e tyre patriotike me aktin e heroizmi të rënies në krye të betejës. Në çdo cep të Kosovës ndihet sakrifica e tyre – në lirinë që jetojmë, në shtetin që kemi ndërtuar dhe në shpresën për një të ardhme më të ndritur. Lavdi e përjetshme Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit!”, ka shkruar ajo. / KultPlus.com
Vjeshta nuk është e gjitha me erë të ftohtë dhe shi. Si të gjitha stinët, ajo ka hijeshinë e saj unike. Mbi të gjitha, është ajo kohë e vitit kur natyra tregon aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të prodhuar një mori nuancash të kuqe, të verdhë dhe ari. Për këtë arsye, ky është një sezon për të bërë fotografi të mrekullueshme.
Ne kemi mbledhur një koleksion prej 15 fotografive të realizuara në vende të ndryshme anembanë botës për t’ju kujtuar se sa magjike është vjeshta./ KultPlus.com
Mot më stabil do të ketë gjatë javës vijuese. Temperaturat me trend të rritjes deri fundjavën e ardhshme.
Pas reshjeve që pritet të përfshinë vendin ditën e mërkurë, të javës së ardhshme, në pjesën e dytë të javës, vazhdon të paraqitet periudhë e motit më stabil, me më shumë diell nga dita e premte dhe fundjavën e ardhshme.
Temperaturat pas një rënie të lehtë të mërkurën, shënojnë rritje, madje edhe në temperatura verore, me maksimale deri në 26C e 27C.
Në ditët e para të tetorit, pritet mot më i ndryshueshëm, ku nuk duhet përjashtuar mundësi për të reshura shiu, ndërkohë që temperaturat zbresin përreth vlerave mesatare, në 20C e 21C, maksimalet, e minimalet në 8C e 9C.
Këtë të diel më 22 shtator në hemisferën veriore fillon stina e vjeshtës, në orën 14:44./ KultPlus.com
Poshtë selisë së Kombeve të Bashkuara, një post i sigurisë moderne i quajtur “Brain Center” gumëzhin me aktivitete në prag të takimit të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme. Pelegrinazhi vjetor diplomatik po sjell më shumë se 140 liderë botërorë në qytetin e Nju Jorkut, duke përfshirë liderët e Izraelit, palestinezëve dhe Ukrainës.
Mbajtja e tyre e sigurt është sfida tjetër e madhe e Shërbimit Sekret të SHBA-së, shkruan AP, transmeton Gazeta Express. Nga Kosova në këtë ngjarje po merr pjesë presidentja Vjosa Osmani.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së filloi më 10 shtator dhe zgjat deri të hënën tjetër, më 30 shtator, por debati i nivelit të lartë fillon të martën, më 24 shtator.
Agjencia, nën një re pas një atentati të korrikut ndaj ish-presidentit Donald Trump, është e sigurt në planin e saj shumë-shtresor dhe shumë agjencish për të mbrojtur Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila konsiderohet një ngjarje e Sigurisë Speciale Kombëtare e nivelit të njëjtë sikurse ngjarja e Super Bowl.
Plani i zhvilluar me policinë e Nju Jorkut dhe Sigurimin e OKB-së dhe Shërbimin e Sigurisë, në mes agjencive tjera përfshin jo vetëm autokolona dhe detaje mbrojtëse, por helikopterë dhe anije patrullimi të NYPD-së, një duzinë ekipe të sigurisë K-9 të OKB-së që kërkojnë mbyllje rrugësh dhe devijimet e trafikut. Shërbimi Sekret po sjell agjentë nga postet në mbarë botën për ngjarjen. Roja Bregdetare po kufizon hyrjen e lumit Lindor pranë OKB-së dhe Administrata Federale e Aviacionit po mbyll hapësirën ajrore.
Këtë vit, ai po vjen gjatë një shtrirjeje veçanërisht të ngarkuar të theksuar nga konventat republikane dhe demokrate dhe javët e fundit të fushatës presidenciale. Duke folur të hënën pasi Shërbimi Sekret pengoi një tjetër tentativë për vrasjen e Trump në Florida, ushtruesi i detyrës së drejtorit Ronald L. Rowe Jr. tha se punonjësit po “vinin vijën e kuqe”. Por, tha ai, “ata po ngrihen deri në këtë moment” dhe po përballen me sfidat.
“Tempoja operacionale është tepër e lartë”, tha Patrick Freaney, agjenti special i ngarkuar me zyrën në terren të Shërbimit Sekret në Nju Jork.
Associated Press kapi një vështrim të rrallë brenda përgatitjeve të sigurisë për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të njohur si UNGA, duke përfshirë “Brain Center” dhe një qendër të përbashkët operacionesh që lejon Shërbimin Sekret, NYPD dhe agjencitë e tjera të komunikojnë menjëherë për të çrrënjosur kërcënimet dhe pengesat logjistike. Ata po bashkërendojnë gjithashtu me shërbimet e huaja të sigurisë që mbrojnë secilin prej personaliteteve.
Freaney tha se përcaktimi i Ngjarjes së Sigurisë Speciale Kombëtare – për ngjarje të veçanta me rëndësi kombëtare – zbut rrugën për planifikimin, komunikimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional. Shërbimi Sekret është përgjegjës, por operacionet e fuqishme kundër terrorizmit dhe të tjera të NYPD-së, si dhe Shërbimi i Sigurisë dhe Sigurimi i OKB-së prej 300 personash, luajnë role kryesore.
“Ne kemi mbi 140 krerë shtetesh, krerë qeverish që po lëvizim nëpër qytet”, tha Freaney gjatë një turneu në qendrën e përbashkët të operacioneve, e cila ka hapësirë për 10 agjenci lokale dhe federale, duke përfshirë FBI-në dhe Menaxhimin Federal të Emergjencave. Agjencia dhe Departamenti i Shtetit dhe i Mbrojtjes.
“Një nga gjërat më të rëndësishme është t’i sjellësh të gjithë këtu dhe më pas të largohen të sigurt”, tha Freaney.
“Mendoni për këtë në mënyrë logjistike – duke sjellë 140 autokolona në një zonë të gjitha në të njëjtën kohë. Kjo luan një pjesë integrale të sjelljes së këtyre detajeve në mënyrë të sigurt”.
Shërbimi Sekret, NYPD dhe Departamenti i Shtetit do të operojnë gjithashtu qendrat e tyre komanduese – në Brooklyn, në One Police Plaza në Manhattan dhe në një sallë ballore hoteli aty pranë. NYPD, forca më e madhe policore e vendit, ka Qendrën e saj të Përbashkët të Operacioneve të pajisura për t’u dhënë oficerëve burime në kohë reale nga kamerat e sigurisë, dronët dhe helikopterët, së bashku me informacione të tjera kritike.
Shërbimi i Sigurisë dhe Sigurimi i OKB-së, i cili është përgjegjës për mbajtjen e sigurt të kampusit të selisë së OKB-së, ka postin e tij komandues në “Brain Center”.
Posta e komandës ka personel gjatë gjithë kohës nga oficerë sigurie të OKB-së, të cilët punojnë me ndërrime 12-orëshe, ndërsa liderët botërorë janë në qytet. Qëllimi, tha inspektorja Malinda McCormack, është të marrë, analizojë dhe shpërndajë shpejt informacionin.
Planet e sigurisë për UNGA filluan të marrin formë disa muaj më parë. Shërbimi Sekret dhe agjencitë e tij partnere përdorin mbledhjet e kaluara – ky është edicioni i 79-të – si një plan, ndërsa bëjnë rregullime për ndryshimin e ngjarjeve botërore si luftërat në Gaza dhe Ukrainë.
“Ka një besim të jashtëzakonshëm”, tha Michael Broëne, shefi i Shërbimit të Sigurisë dhe Sigurimit të OKB-së. “Ka një ndjenjë të pabesueshme kolegjialiteti dhe bashkëpunimi, që mendoj se është një përbërës kyç për suksesin në një operacion shumë kompleks dhe sfidues siç është UNGA”.
Që nga e premtja, thanë autoritetet, nuk kishte kërcënime specifike për ngjarjen.
Por, Rebecca Weiner, zëvendëskomisionerja e NYPD-së për inteligjencën dhe kundërterrorizmin, pranoi se “kaoticiteti, diversiteti dhe natyra e paparashikueshme e mjedisit kërcënues” kërkon që zbatimi i ligjit të jetë i shkathët dhe të parashikojë të gjitha mënyrat e shumta që dikush mund të kërkojë të shkaktojë dëm.
“Këto janë kohë shumë të ndryshme”, tha Weiner.
Udhëheqësit botërorë po takohen në OKB për herë të parë që kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, duke shkaktuar një ofensivë izraelite në Gaza që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz. Shefi i Patrullës së NYPD, John Chell tha të premten se departamenti ka numëruar më shumë se 4,000 protesta për luftën, me të tjera që priten javën e ardhshme.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti palestinez Mahmoud Abbas priten që të shkojnë të dy në OKB. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjithashtu pritet të kthehet. Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë, por po dërgon ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov.
Ndërsa luftimet janë një oqean larg, autoritetet “po mendojnë për atë që po ndodh jashtë shtetit në këto vende të origjinës dhe çfarë mund të parashikojmë këtu”, tha Weiner.
“I gjithë qëllimi i kësaj asambleje është bashkimi i vendeve”, shtoi ajo. “I gjithë qëllimi i qëndrimit tonë të sigurisë është të sigurohemi që ne po bëjmë të njëjtën gjë”./ KultPlus.com
Të enjten, në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita ‘SPÄTWERK’ e artistit Dren Maliqi, ekspozitë kjo që sjell një përmbledhje të veprave të krijuara gjatë dy dekadave të fundit, nga viti 2003 deri në vitin 2023.
Kuruar nga Catherine Nichols, kjo ekspozitë është një udhëtim përmes punëve të ndryshme artistike, që përfshijnë fotografi, video, piktura, instalacione, postera dhe projekte pjesëmarrëse, duke ofruar një reflektim të thellë mbi tensionin mes mendimit dhe veprimit që karakterizon krijimtarinë e Maliqit.
Veprat e Maliqit ekspozohen në një rrjedhë të vazhdueshme në katin e parë të galerisë, ku veprat e hershme ndërthuren me ato më të rejat, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm mes së kaluarës dhe së tashmes. Ky përzierje kohore ofron një perspektivë të re mbi temat historike, sociale, kulturore dhe politike, duke vënë në pikëpyetje natyrën e artit bashkëkohor dhe rolin e tij në botën moderne.
Artisti Dren Maliqi, tha në hapje të ekspozitës se këto vepra paraqesin punën e tij 20-vjeçare dhe se çfarë flasin ato edhe në ditët e sotme.
“Me Catherine jam njoftuar gjatë periudhës së Manifestës. Kemi punuar për një vit dhe ka vazhduar kontaktin deri sa vitin e kaluar unë i kam propozuar dhe ajo më ka shtyer që të bëj këtë ekspozitë. Ekspozita titullohet ‘Punë të vonshme’ , jemi munduar që të paraqesim një punë të 20 viteve të fundit dhe me i rishiku sot çfarë flasim ato”, tha Maliqi për KultPlus.
Kuratorja e ekspozitës, Catherine Nichols, tha për KultPlus se u takua për herë të parë me Dren Maliqin tek ‘Manifesta’ dhe që atëherë filluan të flisnin për artin dhe aty ishte edhe zanafilla e këtij bashkëpunimi.
“Ne filluam të flasim tre vite më parë kur unë fillova të punoj tek ‘Manifesta’. Ne filluam të flasim rreth artit dhe unë zbulova sa në mënyrë inteligjente ai fliste për artin dhe historinë e artit. Ne folëm dhe më pas Dreni vendosi që të bëjë një ekspozitë për t’u kthyer pas në veprat e tij të mëhershme dhe në veprat e fundit gjithashtu” theksoi Nichols.
Ndërkaq, ‘SPÄTWERK’ do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 30 tetor 2024./KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vizituar Federatën Pan Shqiptare “Vatra” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Osmani tha se e themeluar nga Noli e Konica, “Vatra” u bë vatër e shqiptarëve të ShBA-së.
“Në kohët më të vështira për popullin shqiptar, “Vatra” ishte pikë referimi për shqiptarët e Amerikës, duke mbrojtur dhe promovuar identitetin tonë kombëtar dhe kauzën për liri, pavarësi e demokraci”, shkroi Osmani.
Tutje, ajo u shpreh e nderuar me vizitën në “Vatra” dhe anëtarësinë e shoqatës më të vjetër shqiptare në Amerikë.
Shqipëria po përjeton ditët më të mira të turizmit me fokus tek deti dhe rëra.
Ky vit parashikohet të mbyllet me gati 14 milionë turistë që vizitojnë vendin tonë.
Por një shprehje thotë: ‘Është e vështirë ta arrish një gjë, por akoma më e vështirë për ta mbajtur atë’. Çfarë duhet bërë që ky ‘boom’ turistik të ketë vazhdimësi.
“Me çdo kusht ne duhet të dimë të jemi të veçantë në ofertën tonë. Duhet të konkurrojmë me atë të cilën e kemi speciale, autentike. Ne nuk i konkurrojmë dot shtetet e tjera, konkurrentët tanë të fuqishëm si Greqia, Italia e Jugut, Mali I Zi, Kroacia etj, me oferta klasike.
Ne duhet të promovojmë dhe të japim oferta bazuar mbi vlerat tona të veçanta, ku turizmi i brendshëm mendoj se duhet të jetë kryesori. Me këtë I referohem gatimeve, zonave të paprekura që sot nuk I kanë konkurrentët tanë, pra Shqipëria e brendshme si të thuash, dhe njëkohësisht edhe Shqipëria bregdetare që natyrisht është shtyllë.
Ato teoritë për të zhdukur plazhet publike duhet të bjenë poshtë, pasi nuk bëhet në asnjë nga këto vendet e tjera. Ne duhet të marrim masa drastike për përpunimin e ujërave të zeza, mosderdhjen e tyre në lumenj, liqene dhe dete, të menaxhojmë mbetjet e ngurta, dhe të vazhdojmë me investimet në rrjetin tonë rrugor të brendshëm“-shprehet Gjergj Buxhuku, Administrator i Konfindustria-s.
Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës u shfaq premiera e dramës “Martesa” e autorit Witold Gombrowicz, e sjellë në skenë nga regjisori Norbert Rakowski. Kjo vepër e njohur e letërsisë dramatike polake të shekullit XX është një rrëfim mbi përditshmërinë, një studim i thellë dhe i çuditshëm mbi njeriun dhe jetën e tij të zhytur në ëndërr dhe absurditet, shkruan KultPlus.
Në qendër të dramës qëndron protagonisti, Henri (Armend Smajli), i cili kthehet nga lufta në një realitet të ndryshuar dhe të panjohur për të. Kjo botë e ndryshuar është një metaforë për kthimin në një vend të prekur nga lufta dhe konfliktet shoqërore e politike, duke u bërë një alegori për shoqëritë post-konfliktuale që përpiqen të rindërtojnë vlerat dhe marrëdhëniet njerëzore. Motivi kryesor i veprës përqendrohet në pyetjen nëse është e mundur të rindërtohet një rend i ri moral dhe social pas një konflikti shkatërrimtar.
Akti i martesës në këtë dramë nuk erdhi si një simbol tradicional i bashkimit dhe dashurisë, por si një pakt midis personazheve, që përfaqësojnë vizione dhe pritshmëri të kundërta për të ardhmen.
Me lëvizje e kthesa të papritura, aktorët Armend Smajli, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buqaj, Era Balaj dhe Adhurim Demi sollën në skenë një interpretim të fuqishëm të kësaj drame komplekse. Performanca e tyre u dha jetë karaktereve të përplasuara me krizën e identitetit dhe kërkimin për dinjitet në një botë që është thellësisht e deformuar nga trauma e së kaluarës.
Pas shfaqjes, për KultPlus foli regjisori Norbert Rakoëski, i cili vlerësoi punën me aktorët e Teatrit kombëtar të Kosovës.
“Unë kam një eksperiencë 30-vjeçare si regjisor, kjo nënkupton që për mua të gjithë aktorët kudo në botë janë të njëjtë, të gjithë duan që të aktrojnë në mënyrën e tyre më të mirë, prandaj edhe ëstë e rëndësishme që të zgjedhim aktorët e duhur për rolet e caktuara, pra kasta është shumë e rëndësishme. Bashkëpunimi me aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës ishte shumë i mirë, ajo që më befasoi më së shumti ishte seata punuan me një tekst të vështirë siç është ai i Gombroëicz që është një autor i panjohur për Kosovën.”, tha Rakoëski duke shtuar më tutje se me përpjekjen e të gjithëve arritën të nxjerrin një rezultat me të cilin të gjithë janë të kënaqur.
Ndërkaq, pas shfaqjes foli edhe aktori Armend Smajli, i cili në shfaqje u paraqit me rolin kryesor.
“Shfaqja është një absurditet, një teatër, një darmaturgji klasike. Në gjithë atë absurditetin, janë disa linja që si artistë mundohemi t’ia nxjerrim një lloj konkretizimi. Në gjithë atë absurditetin, janë disa linja që si artistë mundohemi t’ia nxjerrim një lloj konkretizimi. Një djalë i ri që kthehet prej luftës edhe ne nuk e dijmë çka ka ndodhur me të para se të shkojë në luftë dhe nuk e dijme kur kthehet, çka ka ndodhur me familjen dhe ish të fejuarën e tij. Është në kërkim të diçkaje, është në kërkim të riparimit të jetës që e ka pasur. Shfaqja është shkruar pas luftës së dytë botërore dhe vazhdon të ketë shumë gjëra aktuale edhe për kohën e sotme”, theksoi Smajli i cili mes tjerash u shpreh i lumtur që kjo dramë u inskenua edhe në teatrin kombëtar të Kosovës.
Shfaqja “Martesa” do të vazhdojë të shfaqet edhe sonte, më 23 dhe 25 shtator./KultPlus.com
“EA Festival, liri dhe transformim” vjen në Shqipëri përgjatë Javës Kulturore Britanike, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Një festival idesh kuruar nga Lea Ypi, profesore në Teori Politike në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër, profesore Nderi në Filozofi në Universitetin Kombëtar Australian, autore e librit ‘Të Lirë’ përkthyer në 30 gjuhë të botës, vjen në Durrës e Tiranë më 21 dhe 22 shtator.
“Liri dhe Transformim” është një event dyditor kulturor që mbledh shkrimtarë, publicistë dhe mendimtarë do të diskutojnë mbi historinë, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë dhe migracionit, politikën dhe poezinë.
“Nuk ishte e vështirë pjesa logjistike për mua pasi janë personazhe që i kam takuar në Angli në takime letrare. Ajo që është pak më e vështirë, është pjesa emocionale sepse unë jam nga Durrësi. Dita e parë e festivalit është në Durrës. Është qyteti i lindjes, i shumë kujtimeve dhe të kthehesh pas kaq shumë vitesh me një aktivitet kulturor në një qytet ku edhe je rritur nga ana kulturore, kthimi ka qenë më i vështirë. Janë dy ditë me debate me tema të ndryshme. Ideja ishte të sillnim disa personazhe të njohur të fushave letrare, filozofike , të shkencave politike, të të drejtave të njeriut që diskutojnë për librat e publikuara kohët e fundit dhe ja sjellin publikut durrsak me shpresën që do jetë fillimi i një dialogu interesant midis lexuesve dhe këtyre personazhe të jetës britanike”, tha autorja Lea Ypi.
Ypi u shpreh se “Shqipëria ka marrë gjithnjë e më tepër vëmendjen e të huajve. E keni parë edhe nga shifrat e rritjes turistike. Për mua një vend njihet më mirë kur njihet kultura e një vendi. Kultura e trojeve shqiptare është një pikë takimi interesant midis lindjes dhe perëndimit, midis kulturës islame dhe kristjane. Them se edhe për ata që e vizitojnë Shqipërinë e njohin më mirë nëse e qasin përmes kulturës”.
“Disa nga autorët që janë pjesë e këtij festivali, janë autorë që kanë trajtuar tema që kanë lidhje me Ballkanin, Shqipërinë. Kjo është hera e parë që provuam që ta sjellim dhe në Shqipëri. Varet nga publiku, debatet”, tha autorja Lea Ypi.
EA Festival ka realizuar me sukses dy bienale të festivalit “EA Festival” mbi letërsinë dhe idetë, dhe “EA Sustain” një ngjarje për ambientin, kulturën dhe sipërmarrjen.
Që prej fillimit në 2021, EA Festival është kthyer në një nga festivalet elitare për sa i përket ideve në Anglinë Lindore. Tashmë dy festivalet paraprake janë të mirënjohura për mprehtësinë e folësve dhe në rastin e EA Festival për qasjen kuratoriale./atsh/ KultPlus.com
William Carlos Williams (1883 – 1963), poet dh eprozator amerikan, i afërt me lëvizjet letrare të modernizmit dhe imazhizmit
PËRDORIMI I FORCËS
Nga William Carlos Williams
Ata nuk kishin qenë kurrë pacientë të mi, krejt çka dija ishte emri, Olson. Ju lutemi, ejani poshtë sa më shpejt që të mundeni, vajza ime është shumë e sëmurë.
Kur mbërrita më doli përpara nëna, një grua e madhe e tromkasur, bukur e pastër dhe e përulur, e cila tha prerazi, A jeni ju doktori? dhe më la të hyja brenda. Mbrapa, shtoi ajo. Duhet të na falni, doktor, po e mbajmë në kuzhinë ku është më nxehtë. Ka shumë lagështi këtu nganjëherë.
Fëmija ishte veshur trashë dhe i ati po e mbante në prehër afër tavolinës së kuzhinës. Ai u përpoq të ngrihej, por unë i bëra me kokë të mos e merrte mundin, e hoqa pallton dhe hodha një shikim përreth. Munda të shihja se të gjithë ishin goxha nervozë, duke më parë nga lart poshtë gjithë mosbesim. Siç bën vaki zakonisht në raste të tilla, nuk po më thoshin më shumë se sa që duhej, më përkiste mua ta thosha timen; ja pse ato po harxhonin tre dollarë.
Fëmija po më përpinte me sytë e saj të palëkundur të ftohtë dhe nuk kishte kurrfarë shprehjeje në fytyrë. Ajo nuk lëvizi fare dhe dukej, nga brenda, e qetë; një krijesë e vockël jashtëzakonisht tërheqëse dhe në dukje e fortë si mëshqerrë. Por fytyra e saj ishte e skuqur, po merrte frymë me shpejtësi dhe i rashë në të se kishte temperaturë të lartë. Kishte flokë të verdha të mrekullueshme me bollek. Një nga ato fotografitë e fëmijëve që zakonisht reprodukohen në trakte parlajmëruese dhe në seksionet e fotogravurave në gazetat e së dieles.
Ajo ishte me ethe që prej tre ditësh, mori të thoshte babai i saj dhe nuk e dimë prej nga e ka. Gruaja ime i ka dhënë ca gjëra, e dini edhe ju vetë, siç bëjnë njerëzia, por s’i kanë bërë asnjë të mirë. Dhe ka pasur një mori sëmundjesh këtej rrotull. Kështu që menduam se më ishte më mirë t’ia hidhnit një sy ju dhe të na thoni si është puna.
Siç bëjnë rëndom doktorët bëra një provë të vogël si pikënisje. A mos e ka fytin të gërrithur?
Të dy prindërit u përgjigjen njëherësh. Jo… Jo, ajo tha se nuk ka dhimbje fyti.
A po të dhemb fyti?, pyeti prapë mamaja fëmijën. Por shprehja e vajzës së vogël nuk ndryshoi as nuk i lëvizi sytë nga fytyra ime.
A ia keni shikuar?
Jam përpjekur, tha nëna, por s’mund të shihja gjë.
Siç është e kuptueshme, ne kemi pasur një mori rastesh të difterisë në shkollën në të cilën kishte shkuar ky fëmijë gjatë këtij muaji dhe të gjithë ne, bukur haptazi, po e vrisnim mendjen për këtë, sado që askush ende nuk e kishte thënë asnjë fjalë.
Mirë, thashë, hajt t’i hedhim një sy fytit së pari. Buzëqesha në mënyrën time më profesionale dhe duke pyetur për emrin e parë të fëmijës thashë, hajde de, Mathilda, hape gojën dhe lërmë të shoh fytin tënd.
Punë që s’bëhej.
Au, hajde de, e lajkatova, veç hape gojën krejt dhe lërmë t’i hedh një sy. Shiko, thashë duke i hapur plotësisht të dy duart, nuk kam asgjë në duar. Veç hape dhe lërmë të shikoj.
Sa njeri i mirë, na ndërpreu nëna. Shiko sa i këndshëm është me ty. Hajde, bëj siç të thotë. Ai nuk do të të lendojë.
Këtu unë i kërcëllita dhëmbët me neveri. Sikur të mos e kishin përdorur fjalën “lendim”, do të kisha qenë në gjendje të mbërrija diku. Po nuk mund të lija veten të nxitohesha ose bezdisesha dhe, duke folur ngadalë, u mora përsëri me fëmijën.
Teksa e avita karrigen time pakëz më afër papritur, me një lëvizje si prej maceje, të dy duart e saj instinktivisht u zgjatën drejt syve të mi dhe pothuajse sa s’më kapi. Në të vërtetë i preku syzet e mia fluturimthi dhe ato ranë poshtë, megjithëse nuk u thyen, disa këmbë larg meje në dyshemenë e kuzhinës.
Nëna dhe babai, që të dy, u sprapsën të zënë në siklet dhe kërkuan falje. Ti moj vajzë e ligë, tha nëna, duke e kapur për dore dhe shkundur. Shiko çka bëre. Njeriut të këndshëm.
Për atë zot, iu ktheva. Mos më quaj njeri të këndshëm para saj. Unë jam këtu të shikoj fytin e saj se mos ka difeteri dhe kështu të vdesë prej saj. Por s’ka asgjë të tillë. Shiko këtu, i thashë fëmijës, do të ta shikojmë fytin. Ti je mjaft e rritur që të kuptosh se çka po të them. A do ta hapësh gojën tash vetë, apo do të ta hapim ne?
Asnjë lëvizje. Madje as çehrja s’i kishte ndryshuar. Frymëmarrja e saj megjithatë po bëhej gjithnjë e më rëndë. Dhe prapë përleshja. Më duhej ta bëja. Më duhej të kisha një mostër fyti për mbrojtjen e saj. Por së pari u thashë prindërve se kjo varej plotësisht prej tyre. Ua shpjegova rrezikun, por thashë se nuk do të këmbëngulja në ekzaminimin e fytit derisa të mos e merrnin përgjegjësinë.
Nëse nuk bën çfarë po të thotë doktori, atëherë do të të çojmë në spital, e paralajmëroi nëna rreptësisht.
Ashtu, ë? M’u desh të buzëqeshja me vete. Pas së gjithash, tashmë kisha rënë në dashuri me shejtanken e egër, ndërsa prindërit e saj ishin të përbuzshëm. Në përleshjen që vijoi ata u bënë seç herë e më të neveritshëm, të dërrmuar, të rraskapitur ndërkohë që ajo s’do mend arriti majat e mahnitshme të furisë së marrë të sforcimit të shkaktuar nga tmerri që ndiente prej meje.
Babai bëri më të mirën e tij dhe ai ishte një burrë i madh, por fakti se ajo ishte bija e tij, turpi i tij nga sjellja e saj dhe droja mos po e lëndonte, e bënë ta lëshonte atë pikërisht në kohën kur pothuajse kisha korrur sukses, për çka desha ta vrisja. Por droja e tij se po ashtu mund të kishte difteri e bëri të më thoshte të vazhdoja tutje, të vazhdoja tutje sado që ai vetë ishte duke u ligështuar, ndërsa nëna lëvizte para e mbrapa nesh duke i ngritur dhe ulur duart në një agoni lemerie.
Vendose para vetes në prehrin tënd, e urdhërova, dhe mbaje për kyçeve të duarve.
Por posa e bëri këtë, fëmija nxori një britmë. Mos, po më lëndon. Mos m’i prek duart. Lëri, po të them. Pastaj piskati tmerrësisht, histerikisht. Ndalu! Ndalu! Po më vret!
A mendon se mund ta përballojë, doktor! tha mamaja.
Ti dil jashtë, i tha i shoqi gruas së vet. A mos po dëshiron që kjo të vdesë nga difteria?
Hajde tash, mbaje, i thashë.
Atëherë e kapërtheva kokën e fëmijës me dorën time të majtë dhe u mundova të fusja shpatullen e drunjtë mes dhëmbëve të saj. Ajo luftoi, me dhëmbë të shtrënguar, dëshpërimisht! Po edhe unë tashmë isha tërbuar – ndaj atij fëmije. U mundova ta mbaja veten, por nuk munda. Di si të hap fytin për inspektim. Dhe bëra më të mirën. Kur më në fund vura shpatullën e drunjtë mbrapa dhëmbëve të fundit dhe futa vetëm majën e saj në zgavrën e gojës, ajo e hapi për një çast, por para se unë të mund të shihja ndonjë gjë ajo e mbylli prapë, e shtrëngoi tehun e drunjtë mes dhëmballave të saj dhe e bëri cifla-cifla para se unë të mund ta nxirrja.
A nuk po të vjen marre, iu sul e ëma e saj. Si nuk po të vjen marre të sillesh ashtu para doktorit?
Ma sill një lug të lëmuar me bisht a diçka të tillë, i thashë së ëmës. S’do të ndalemi me kaq. Goja e fëmijës tashmë ishte duke nxjerrë gjak. Gjuha e saj ishte prerë dhe ajo po bërtiste me piskama të egra histerike. Me gjasë duhej të isha ndalur dhe të kthehesha pas një ore a më vonë. S’do mend se do të kishte me qenë më mirë. Por unë i kam parë të paktën dy fëmijë të dergjur të vdekur në shtrat nga neglizhenca në raste të tilla dhe duke e ndier se mund të gjeja një diagnozë tash ose kurrë më bëri të vazhdoja tutje. Po më e keqja qe se edhe unë e kisha humbur arsyen. Mund ta kisha bëra copa gjatë tërbimit tim dhe ta kisha shijuar. Ishte kënaqësi t’i sulesha. Fytyra im po më digjej nga dëshira.
Shejtanka e vockël e mallkuar duhej të mbrohej nga idiotësia e saj, themi në momente të tilla. Të tjerët duhet të mbrohen prej saj. Është nevojë shoqërore. Dhe të gjitha këto gjëra janë të vërteta. Por agjentët janë një tërbim i verbër, një ndjesi e turpit të të rriturit, të lindur nga një dëshirë e zjarrtë për çlirim muskulor. S’ka të ndalur pastaj.
Në mësymjen e mbrame të paarsyeshme e mbërtheva fort qafën dhe nofullën e vajzës. E shtyva fort lugën e rëndë të argjentë mbrapa dhëmbëve të saj teposhtë fytit derisa e mbylli gojën. Dhe ja ku ishte – të dy bajamet e mbuluara nga membrana. Ajo kishte luftuar trimërisht të më zbonte të mos e zbuloja sekretin e saj. Ajo e kishte fshehur këtë fyt të lënduar për tri ditë të paktën dhe i kishte gënjyer prindërit e vet me qëllim që thjesht t’i shpëtonte një rezultati si ky.
Tash ajo ishte përnjëmend e tërbuar. Kishte qenë në mbrojtje deri tash, por tash ishte vënë në sulm. U mundua të shkëputej nga prehri i të atit dhe të fluturonte drejt meje ndërkohë që lotët e disfatës po ia vishnin sytë.
/Marrë nga Norton Anthology of Short Stories, W.W. Norton & Company, 1987/Gazeta Express/ KultPlus.com
Papa Françesku më 21 shtator 2014 vizitoi Tiranën si vendin e parë evropian.
Ati i Shenjtë përqafoi popullin e sprovuar nga diktatura komuniste dhe përforcoi në fe bashkësinë katolike, inkurajoi forcën e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët.
Në 21 shtatori të vitit 2014, Papa Françesku vendosi të shkojë në Shqipëri, në vizitën e tij të parë evropiane që nga fillimi i papnisë.
Papa Bergoglio erdhi në Shqipëri 21 vite pas Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, më 25 prill 1993, rivendosi hierarkinë e Kishës katolike të dalë nga vitet e tmerrshme të persekutimit ateisto-komunist.
Fjalët e Papës Françesku ishin krejt të qarta. “Askush – tha Ati i Shenjtë – të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa planifikon e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij”. E, më pas, gjatë takimit me krerët fetarë në Universitetin Katolik, shtoi: “Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh!”. Shqipëria, përsëriti disa herë, “dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”.
Papa i nxiti të rinjtë të mësojnë nga shembulli i martirëve. Martirët! Shumë më tepër se 40 të parët, fytyrat e të cilëve mbushnin rrugën kryesore të Tiranës, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Shqipëria – tha Papa Françesku gjatë meshës në sheshin Nënë Tereza – është tokë martirësh: shumë e kanë paguar me jetë besnikërinë e tyre. Nuk kanë munguar sprova guximi të madh e koherence në dëshminë e fesë”.
10-vjetori i vizitës së Papës Françeskut në Tiranë, më 21 shtator 2014 u përkujtua edhe në takimin Mesdhetar “Med24”, i cili u mbajt në Tiranë nga 15 deri më 21 shtator.
Në një klimë entuziazmi rinor dhe bashkimi kishtar, u përkujtua 10 vjetori i vizitës së Papa Françeskut në vendin tonë. Në Katedralen e Shën Palit, në Tiranë, ku njëkohësisht po zhvillohet edhe takimi Mesdhetarë, Med.24, Mesha e shenjtë u kremtua nga Kardinali E.T. Kardinali Cristobal Lopez Romero. Kjo Meshë gjeti të bashkuar mbarë hierarkinë kishtare të vendit tonë dhe një numër të madh ipeshkvinjsh nga vende të ndryshme të Detit Mesdhe.
Në përshëndetjen e tij Sh. T. Imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv i Tiranë Durrësit, e cilësoi si historike dhe të bekuar ditën që Ati Shenjtë Françesku shkeli në tokën arbnore. Porositë e tij janë aktuale edhe sot nënvizoi Imzot Dodaj. Duke shprehur gëzimin e tij personal që dhjetë vite më vonë, Tirana pret një takim si ky i Med.24, ai pohoi se sot, më shumë së asnjëherë nga kjo Katedrale duhet të jehojë lutja por edhe impenjimi për paqe dhe vëllazëri.
Gjithçka mund të realizohet nga një brezni e prekur nga dashuria e Zotit theksoi Imzot Dodaj. Në homelinë e tij, Kardinali Cristobal Lopez Romero, duke folur për pasurinë e jashtëzakonshme të qytetërimeve të pranishme në Mesdhe, evidentoi pasurinë njerëzore që buron prej kësaj pranie. Para të rinjve të pranishëm, ai ofroi Marin si model për tu ndjekur dhe imituar në jetën njerëzore. Ajo është modeli i shërbimit, shpresës dhe mbretërisë së Zotit pohoi ai.
Në këtë dimension, pavarësisht diferencave të prejardhjes apo besimit, angazhimi në këto tre aspekte është e vetmja rrugë për një Mesdhe në paqe dhe një botë pa luftëra. Kështu që secili prej jush duhet të jetë pelegrin, dishepull dhe misionar i paqes, nën shembullin e Maris dritë e popujve, përfundoi Kardinali Cristobal Romero. Në përfundim të Meshës u zhvillua edhe një aktivitet artistko-kulturorë në përkujtim të kësaj dite, ku u shfaqen disa prej elementeve identitarë të kulturës tonë shqiptare.
Gjatë vizitë së tij, Papa Françesku u takua me krerët më të lartë të vendit./atsh/ KultPlus.com
Muharrem Qena, një shpirt i veçantë që krijoi art në fusha të ndryshme, me zërin e tij na la disa këngë të cilat dëgjohen edhe sot.
Përtej këngëve, tekstet e tyre të cilat shpesh i shkroi ai vet kanë vlerën e tyre dhe tej emocionit janë edhe të thella dhe poetike.
A thu asht ma lehtë pa dhimbje A thu ma bukur pa lot A thu ti ke me u kthye Dhe prapë me qenë na të dy A thu me është fati i tillë A thu gjithmonë me vuajtje A thue ti dot më kthehesh Dhe prapë me qen na të dy
Çdo gjë kalon në jetë Atëherë dhe dielli kur të lind Mbas diellit prapë shi do t’ ketë Kështu asht me të vërtetë
Ndoshta të tillë e kam fatin Ndoshta gjithmonë me vuajtje Ndoshta ti kurrë s’do t’më kthehesh Edhe kjo ngjan në këtë jetë. / KultPlus.com