Festivali i kulturës dhe traditës shqiptare, Etno Fest, ka njoftuar se këtë vit festivali vjen me temën mbi IDENTITETIN, duke sjell performanca teatrale që eksplorojnë rrënjët, përkatësinë dhe tregimet personale, shkruan KultPlus.
Sipas një njoftimi për media, fshati Kukaj edhe këtë vit do të ketë koncerte muzikore që ndërthurin meloditë tradicionale shqiptare me ritme bashkëkohore.
“Ekspozita dhe instalacione artistike, që shprehin përmes vizualitetit sfidat dhe bukuritë e identitetit në kohët moderne.
Një gërshetim i bukur mes trashëgimisë kulturore dhe shprehjes moderne – fshati Kukaj do të jetë një pikëtakim i shpirtit krijues”, thuhet në njoftim.
Edicioni i 15-të i Festivalit Etno Fest do të organizohet prej 10 deri më 20 korrik, në fshatin Kukaj./ KultPlus.com
Pas një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm në festivale, filmi “Krahët e Punëtorëve”, i regjisorit Ilir Hasanaj, do të ketë premierën spanjolle në edicionin e 53-të të Huesca International Film Festival.
Ky festival i njohur ndërkombëtarisht, i cili zhvillohet çdo vit në qytetin Huesca të Spanjës, është një nga ngjarjet më prestigjioze për filma të shkurtër. I themeluar në vitin 1973, Huesca është një festival kualifikues për çmimet Goya dhe Academy Awards, dhe gjithashtu njeh punën e shumë regjisorëve nga e gjithë bota.
Filmi “Krahët e Punëtorëve”, i regjisorit Ilir Hasanaj, është përzgjedhur në garën zyrtare të dokumentarëve, duke u bërë pjesë e listës ekskluzive të 15 filmave dokumentarë të shkurtër që do të konkurojnë për çmimet e festivalit. Ky është një arritje e madhe për filmin dhe gjithë ekipin e tij, dhe një mundësi e shkëlqyer për ta paraqitur punën tonë para një audience ndërkombëtare.
Është një gëzim i madh dhe një nder i veçantë që “Krahët e Punëtorëve”, një film nga Kosova, do të shfaqet në një skenë të tillë të rëndësishme në Spanjë./ KultPlus.com
Autostrada Biennale ka zgjeruar bashkëpunimin me ITP Prizren, të konfirmuar zyrtarisht përmes një ceremonie nënshkrimi ndërmjet Drejtorit dhe Bashkëthemeluesit të Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu dhe Drejtorit të ITP-së, Muhamed Rexhepi.
Në kuadër të këtij partneriteti të zgjeruar, tre hangarë shtesë në ITP Prizren do të shndërrohen në hapësira ekspozuese për edicionin e 5-të të Autostrada Biennale.
Ky bashkëpunim i qëndrueshëm, i bazuar në angazhimin e përbashkët për rigjallërimin e hapësirave dhe nxitjen e dialogut artistik, synon të vazhdojë të riformësojë peizazhin kulturor të rajonit. Gjatë tre muajve të edicionit të ardhshëm, këta hangarë do të funksionojnë si hapësira ekspozuese për artin bashkëkohor, me përfshirje aktive të komunitetit dhe shkëmbim kulturor e krijues.
Kuruar nga Erzen Shkololli, ky edicion i titulluar “Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës” do të mbahet nga data 5 korrik deri më 5 tetor 2025.
Rreth Autostrada Biennale & Autostrada Hangar
Vitin e kaluar, Autostrada Biennale festoi 10 vjetorin e saj. Autostrada Biennale si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren, i themeluar në vitin 2014, funksionon në dy shpejtësi
Autostrada Biennale – Ekspozita ndërkombëtare e artit bashkëkohor, e cila mbahet çdo dy vite, duke filluar nga viti 2017. Edicioni i ardhshëm do të nisë më 5 korrik 2025.
Autostrada Hangar – Qendra për Art Bashkëkohor, që përfshin hapësira për edukim, prodhim, ekspozita dhe rezidencë për artistë, e vendosur në ish-bazën ushtarake, tani Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP).
Qendra për Art Bashkëkohor përfshin dy hangarë, rezidencën për artistë dhe teatrin e hapur. Këto hapësira ofrojnë programe të ndryshme, të krijuara nga Autostrada Biennale. Hangarët I dhe II janë të hapura për publik me aktivitete të ndryshme, si ekspozita të vazhdueshme, kuzhinën vegjetariane, studion për prodhimin e veprave artistike, depon profesionale për vepra të artit, bibliotekën, barin dhe hapësirën multifunksionale për organizimin e ngjarjeve të ndryshme.
Edicioni i katërt i Autostrada Biennale (2023), i kuruar nga Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza, u përzgjodh nga revista prestigjioze britanike “Frieze Magazine” si një ndër 10 ekspozitat më të mira në Evropë për vitin 2023. Në këtë edicion u prezantua një seri veprash të reja artistike, të prodhuara nga ekipi ynë në Autostrada Hangar in ITP, duke e pozicionuar Kosovën në hartën ndërkombëtare të ngjarjeve më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë. Ky sukses pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit kulturor dhe hapi një perspektivë të re kulturore, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Rreth ITP Prizren
Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) Prizren është një hapësirë unike në rajon që ka krijuar ambient bashkëpunues brenda një komuniteti dinamik. ITP është një qendër rajonale për ndërmarrësi, inovacion, zhvillim biznesi, industri kreative dhe zhvillim të aftësive – një burim idesh që ndikojnë në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
ITP Prizren ndërton lidhje të forta mes partnerëve të ekosistemit duke krijuar një mjedis që nxit bashkëpunimin mes sektorit privat, institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, akademisë dhe sektorit kreativ e kulturor. Duke përfshirë artin, dizajnin dhe shprehjen kulturore si pjesë të ekosistemit të tij, ITP mbështet një qasje më gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese për zhvillimin e inovacionit.
Duke sjellë së bashku këta sektorë, ITP Prizren ofron një qasje të re për të zhvilluar inovacion – përmes bashkëpunimit, vlerave të përbashkëta dhe përkushtimit ndaj zhvillimit të qëndrueshëm./ KultPlus.com
Seminari kërkimor ”Lumbardhi 101: Si të jetojmë në botën e lumit?”, do të mbahet më 11 dhe 12 prill në Kino Lumbardhi në Prizren.
Lumbardhi 101 është një seminar hulumtues me fokus në lumin Lumbardhi, një aspekt jetëdhënës, dinamik, por shpesh i mënjanuar i qytetit të Prizrenit, transmeton klankosova.tv.
Ky seminar formësohet prej disa takimeve lidhur me çështje të ekologjisë, të ndërtuarit e institucioneve dhe procese gjuhësore të cilat janë elaboruar në harkun e një viti përmes bisedave me hulumtues, artistë, profesionistë, praktikues kulturorë.
Duke bashkuar mendimtarë dhe praktikues nga fusha të tilla si ekologjia, antropologjia, ekolinguistika, arkitektura, urbanizmi dhe artet, ai synon të grumbullojë dhe shkëmbejë njohuri, të ndajë gjetjet fillestare të kërkimeve të reja, të eksplorojë perspektivat e trashëgimisë ujore, infrastrukturës, biologjisë, gjuhës dhe jetës urbane për të frymëzuar mënyra të reja të të menduarit dhe të jetuarit me lumin.
Përmes kërkimit, dialogut dhe përvojave të përbashkëta, seminari synon të rilidhë banorët dhe sendet me ujërat e Lumbardhit dhe të imagjinojë të ardhmen e tij të mundshme.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Francës.
Gjatë takimit, Osmani u shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë e deri tek përpjekjet e përbashkëta për avancimin e synimeve euroatlantike.
“Ajo theksoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve me Francën dhe rolin e saj kyç në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”.
“Duke folur për sfidat e sigurisë në rajon, Presidentja Osmani vuri theksin në tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ajo theksoi se këto tendenca të Serbisë janë të qëllimshme dhe të koordinuara, duke përmendur sulmin e agresionit në Banjskë, sulmet dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it nga bandat serbe, si dhe sulmet e vazhdueshme terroriste të dirigjuara dhe mbështetura nga Beogradi”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Më tej, bëhet e ditur se e para e shtetit ka folur edhe në lidhje me dialogun me Serbinë, ku ka potencuar mungesën e vullnetit të shtetit serb për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, duke e konsideruar këtë, sipas saj, si një pengesë serioze për përparim të dialogut dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.
“Më tej, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar për avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim. Ajo theksoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është garanci për mbrojtjen e lirive themelore dhe për rritjen e standardeve demokratike në vend, ndërsa shtroi nevojën e mbështetjes së Francës në këtë proces”.
“Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë në anën e vlerave euroatlantike dhe do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e saj”, thuhet në njoftim.
Meliha Ferra, aktorja dhe themeluesja e Estradës Profesioniste të Vlorës është ndarë nga jeta.
Aktorja Meliha Ferra është një pasuri e kinematografisë dhe skenës shqiptare e cila me guximin, talentin dhe forcën e saj hodhi themelet e artit skenik në qytetin bregdetar. Ajo ishte një nga aktoret e para që ngjiti skenën me shfaqjen “Kalon turjela nëpër bucela”, duke hapur rrugën për artin e humorit në qytet në një kohë kur vajzat rrallë guxonin të ngjiteshin në skenë dhe të dilnin në dritat e forta të reflektorëve.
Meliha Ferra arriti që për vite me radhë të fitonte zemrat e publikut, por edhe respektin e kolegëve. Ajo interpretoi përkrah bashkëshortit të saj, aktorit të mirënjohur të humorit Myqerem Ferra, duke u dhuruar shqiptarëve buzëqeshje dhe emocione për vite me radhë. /atsh/ KultPlus.com
Më 25 tetor 1881 lindi Pablo Picasso, piktor dhe skulptor spanjoll dhe vdiq më 8 prill në vitin 1973.
Pikaso, Henri Matisse dhe Marcel Duchamp konsiderohen si tre artistët të cilët me mënyrat e tyre origjinale në artet plastike në dekadat e para të shekullit të 20-të, janë përgjegjës për zhvillime të rëndësishme në pikturë, skulpturë dhe artin e qeramikës.
Bashkë me Georges Braque e themeloi Kubizmin. Duke refuzuar të kthehet në Spanjë gjatë regjimit të Frankos, ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Francë.
Veprat e tij më të shquara janë “Zonjushat e Avinjonit” dhe “Guernika”.
Shpesh herë punët e Pikasos kategorizohen në periudha. Në vitet e parë të shekullit të 20-të e ndante jetën mes Parisit dhe Barcelonës, kur nisi edhe një marrëdhënie me Fernande Olivier, me të cilën u bë objekt i shumë faqeve rozë në gazetat e kohës.
Pasi fitoi famë dhe pak pasuri, Pikaso e la Olivier për Marcelle Humbert, të cilën ai e thërriste Eva. Dashurinë për të ai e shprehu në shumë prej veprave të tij kubiste.
U martua dy herë dhe pati katër fëmijë me tre gra. Në 1918 u martua me balerinën Olga Kholhlova, e cila e integroi piktorin në shoqërinë e lartë. Por jeta e tyre ishte një luftë e vazhdueshme. Jeta e lartë që dëshironte Olga binte ndesh me jetën boheme të piktorit. Gjatë kësaj kohe pati edhe një lidhje të fshehtë me 17-vjeçaren Maria Therese Walter. Gjithsesi qëndruan ligjërisht të martuar deri në vdekjen e balerinës në vitin 1955.
Fotografja dhe piktorja Dora Maar ishte gjithashtu një shoqe dhe e dashur konstante e Pikasos. Pas çlirimit të Francës pati një tjetër lidhje me një studente të re arti Françoise Gillot, me të cilën pati dy fëmijë. Ajo u nda prej tij për tradhti. Më tej pati të tjera të dashura edhe pse në një moshë të thyer.
Gjatë luftërave ai mbajti një qëndrim neutral, duke refuzuar të luftojë në njërën, apo tjetrën anë. Edhe pse nuk e komentonte asnjëherë një gjë të tillë, e grishte ideja e të qenët pacifist.
Pikaso ishte jashtëzakonisht pjellor në artin e tij. Numri i përgjithshëm i veprave që ai ka prodhuar arrijnë në rreth 50 mijë.
Punimet e Pablo Pikasos janë ekspozuar prej kohësh në shumë vende nëpër botë, por kurrë në Shqipëri, para vitit 2010, kur pikturat e tij u bënë pjesë e një ekspozite në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Koleksioni prej 71 veprash, (me vlerë prej 26 milionë dollarësh), përveç Pikasos, kishte punime në kanvas nga artistë të tillë si; Paul Klee, Renee Magritte, Marc Chagall, Piet Mondrian, Francis Bacon, Anthony van Dyck, dhe Guido Reni, Andy Warhol etj. Këto piktura, pronë e koleksionistit italian Francesko Martani, u ekspozuan në Shqipëri, më 2010, në kuadër të veprimtarive kulturore gjatë muajit të miqësisë italo–shqiptare.
Pikaso është pagëzuar Pablo Diego Jose Francisco de Paula Juan Nepomuceon Maria de los Remedios Cipriano de la Santisima Trinidad Martyr Patricio Clito Ruíz y Picasso, sipas disa të afërmve të tij. Emri Pikaso i vjen nga e ëma, Maria Pikaso y Lopez. Babai quhet Jose Ruiz Blasco.
2- Ai lindi më herët
Pikaso pati një lindje kaq të vështirë dhe ishte një bebe kaq e dobët kur lindi, sa mamia mendoi se mos kishte lindur para kohe. Ajo e la në tavolinë që të kujdesej nëna e tij. Ishte xhaxhai i tij që i vuri emrin Don Salvador, që e shpëtoi. Ai thotë: “Doktorët në atë kohë i thanë se nuk do të mbijetonte, por ai ia doli shumë mirë. I fryva duhan në fytyrë dhe menjëherë ai reagoi”.
3- Fjala e parë: laps
Pikaso duket se ka lindur artist. Fjala e parë ishte laps, “piz”, shkurtimi në spanjisht. Babai i tij, Ruiz, një profesor arti dhe artist, e arsimoi në këtë fushë duke filluar nga mosha 7 vjeçare. Ruiz u zotua se do të hiqte dorë nga piktura, pasi në moshën 13-vjeçare, Pikaso ia kishte kaluar për mjeshtëri.
4- Vizatimi i parë i Pablos
Në moshën 9-vjeçare, Pikaso përfundoi pikturën e parë, “Le Picador”, një burrë që kalëronte një dem. Piktura e parë në moshë madhore quhet “First Communion, ku portretizohet babai, nëna dhe motra e vogël, të gjunjëzuar në altar. Pikaso ishte 15 vjeç kur e përfundoi.
5- Pikaso ishte nxënës i tmerrshëm
Për këtë nuk ka dyshim, Pikaso ishte brilant, nga ana artistike. Ai ishte shumë vite më para se shokët e klasës, edhe pse ishin katër ose pesë vite më të vjetër se ai. Por Pikaso shpesh sillej keq dhe dënohej. Atë e nxirrnin nga klasa dhe e linin të ulur në stol në fund të klasës.
6- Puna e parë e Pikasos
Pikaso e nënshkroi kontratën e parë në Paris me një shitës arti, Pere Menach, i cili ra dakord ta paguante 150 franka në muaj (750 dollarë sot).
7- A e grabiti Pikaso Mona Lizën?
Në të vërtetë, jo, por në vitin 1911, kur Mona Liza u grabit nga muzeu i Luvrit, policia mori shokun e Pikasos, poetin Guillaume Apollinare, në polici. Apollinaire i vuri gishtin Pikasos si të dyshuar, kështu policia e mori në pyetje edhe atë. Të dy më vonë u liruan.
8-Kubizmi: Plot me kuba të vegjël
Në vitin 1009, Pikaso dhe artisti francez, Georges Braque, themeluan lëvizjen e artit, kubizmin. Në të vërtetë, ishte kritiku francez i artit, Louis Vauxcelles, që fillimisht e quajti “kuba të çuditshëm”, pasi vuri re se Pikaso dhe Braque pikturonin piktura “plot me kube të vegjël.
9- Pikaso ishte Don Zhuan
Duke qenë se ishte artist i njohur, Pikaso kishte shumë sukses me vajzat. Në të vërtetë pati shumë të dashura. Ja një liste e shkurtër e më të njohurave. Fernande Olivier, Marcelle Humbert, Marie-Thérèse Walter, Dora Maar, Françoise Gilot.
10- Makina e Pikasos
Kjo nuk është me saktësi makina e tij, por e ka një histori. Para tre vitesh, mekaniku Andy Saunders nga Dorset, Angli, e konvertoi makinën e tij “Citroen 2CV” në një vepër arti të frymëzuar nga Pablo Pikaso. Saunders e quajti makinën “Picasso’s Citroen”, sepse dukej më e bukur nga sa ishte fillimisht.
Subjekti i kësaj pikture, një meditim mbi kotësinë femërore dhe frikën nga plakja, është Marie-Thérèse Walter (1909–1997). i cili u takua për herë të parë me Picasson në vitin 1927 kur ajo ishte 17 vjeç dhe ai ishte një burrë i martuar 45 vjeç. Ajo shpejt u bë zonja dhe muza e tij, duke u shfaqur shpesh në veprat e tij gjatë dekadës së ardhshme.
Megjithatë, “Vajza para një pasqyre” është kryevepra e pamohueshme e shortit, që përshkruan ngjyrën bionde, me faqe rozë, teksa shikon në humnerën e errët dhe të shtrembëruar të vetes së saj të ardhshme.
Ajo është e rrethuar nga letër-muri në një model harlequin që ka për qëllim të evokojë një nga temat e preferuara të Picasso-s – një metaforë, ndoshta, për vetë artistin si një prani e kudogjendur në jetën e Walter. /Liberale.al
Subjekti i kësaj pikture, një meditim mbi kotësinë femërore dhe frikën nga plakja, është Marie-Thérèse Walter (1909–1997). i cili u takua për herë të parë me Picasson në vitin 1927 kur ajo ishte 17 vjeç dhe ai ishte një burrë i martuar 45 vjeç. Ajo shpejt u bë zonja dhe muza e tij, duke u shfaqur shpesh në veprat e tij gjatë dekadës së ardhshme.
Megjithatë, “Vajza para një pasqyre” është kryevepra e pamohueshme e shortit, që përshkruan ngjyrën bionde, me faqe rozë, teksa shikon në humnerën e errët dhe të shtrembëruar të vetes së saj të ardhshme.
Ajo është e rrethuar nga letër-muri në një model harlequin që ka për qëllim të evokojë një nga temat e preferuara të Picasso-s – një metaforë, ndoshta, për vetë artistin si një prani e kudogjendur në jetën e Walter. /Liberale.al/KultPlus.com
E kam të vështirë ta kuptoj rëndësinë që i jepet fjalës “kërkim“ në lidhje me pikturën moderne. Simbas meje, në pikturë, kërkim nuk do të thotë asgjë. Të gjesh: ky është problemi. Askujt nuk mund t‘i zgjojë kureshtje një njeri që vështron ngultazi përtokë, duke kërkuar kuletën që rastësia mund ta ketë hedhur në rrugë. Kush gjen diçka, nuk ka rëndësi se çfarë, edhe nëse kërkimi i asaj gjëje s’ishte qëllimi i tij, ai po që na zgjon kureshtjen, pse jo dhe admirimin.
Më kanë akuzuar se kam kryer shumë mëkate: por akuza më e rreme është se unë paskam si qëllim kryesor të punës sime prirjen për të kërkuar. Kur pikturoj, qëllimi im është të tregoj atë që kam gjetur dhe jo atë që po kërkoj. Në art qëllimet nuk janë të mjaftueshme dhe, siç themi ne në Spanjë, dashuria duhet të tregohet me vepra dhe jo me argumente. Vlerë ka ajo që bëjmë dhe jo ajo që synojmë të bëjmë.
Të gjithë e dimë se arti nuk është e vërteta. Arti është një gënjeshtër që na ndihmon të realizojmë të vërtetën, së paku të vërtetën që na është dhënë të kuptojmë. Artisti duhet të dijë mënyrën me të cilën do t’i bindë të tjerët për të vërtetën e gënjeshtrave të tij. Nëse nëpërmjet punës së tij ai arrin të na tregojë vetëm faktin se ka kërkuar dhe rikërkuar mënyrën e realizimit të gënjeshtrave të tij, ai kurrë nuk do mund të arrijë diçka.
Shpeshherë ideja e kërkimit e ka nxjerrë pikturën nga udha, ndërsa artistin e ka bjerrë nëpër stërhollime mendore. Ndoshta ky ka qenë gabimi kryesor i artit modern. Shpirti i kërkimit i ka helmuar ata që nuk i kanë kuptuar plotësisht të gjithë elementët pozitivë dhe përmbyllës të artit modern dhe i ka bërë të përpiqeshin të pikturonin të padukshmen, pra të papikturueshmen.
Ata flasin për natyralizëm dhe kundërvënie ndaj pikturës modene. Do më pëlqente të njihja ndokënd që ka parë një vepër arti natyrale. Natyra dhe arti, duke qenë dy realitetet krejtësisht të ndryshme, nuk mund të jenë e njejta gjë. Nëpërmjet artit ne shprehim konceptimin e asaj që natyra nuk është.
Velázques na ka përcjellë shëmbëlltyrën e njerëzve të epokës së tij: pa dyshim që ata ishin ndryshe nga ç’i ka pikturuar ai, por ne nuk mund të konceptojmë Filipin IV ndryshe nga ç’e ka pikturuar Velázques. Edhe Rubens ka bërë një portret të të njejtit mbret, por duket tjetër njeri. Ne besojmë në atë që ka pikturuar Velázques sepse ai na bind me të drejtën e pushtetit.
Qysh nga origjina, nga primitivët, veprat e të cilëve janë qartësisht të ndryshme nga natyra, dhe deri tek artistë si David, Ingres, e deri dhe Bouguereau, të cilët besonin se e pikturonin natyrën ashtu siç është, arti ka qenë përherë art dhe jo natyrë. Dhe nga pikëpamja e artit nuk ka forma konkrete apo abstrakte, por vetëm forma, të cilat s’janë gjë tjetër veçse gënjeshtra bindëse. Nuk ka dyshim se këto gënjeshtra janë të nevojshme për pjesën tonë mendore, sepse pikërisht përmes tyre ne mund të krijojmë këndvështrimin tonë estetik mbi jetën.
Kubizmi nuk është i ndryshëm nga asnjë shkollë tjetër e pikturës. Për të gjitha shkollat janë të përbashkëta të njejtët parime e të njejtët elementë. Fakti se për shumë vite kubizmi nuk është kuptuar, dhe ka ende sot ka njerëz të cilët nuk arrijnë ta shohin, nuk do të thotë kurrgjë. Unë nuk di të lexoj në anglisht. Një libër në anglisht për mua është një libër i bardhë. Por ama kjo s‘do të thotë se gjuha angleze nuk ekziston. Përse duhet të qortoj ndokënd, veç vetvetes, nëse nuk arrij të kuptoj diçka rreth së cilës nuk di kurrgjë?
Shpesh dëgjoj të shqiptohet fjala evolucion. Më kërkojnë të shpjegoj se si evoluon piktura ime. Për mua, në art nuk ka të shkuar apo të ardhme. Nëse një vepër arti nuk mund të jetojë përngahera në të tashme, nuk duhet të merret në konsideratë. Arti i grekëve, i egjiptianëve, i piktorëve të mëdhenj që jetuan në kohë të tjera, nuk është art i së shkuarës. Mbase sot është më i gjallë nga ç’ka qenë ndonjëherë. Arti nuk evoluon vetvetiu, idetë e popujve ndryshojnë e bashkë me to ndryshojnë edhe mënyrat e shprehjes. Kur dëgjoj të flitet për evoluimin e ndonjë artisti, më duket sikur njerëzit e shikojnë atë në këmbë midis dy pasqyrave që riprodhojnë shëmbëlltyrën e tij në sasi të panumërt- e që kundrojnë edhe shëmbëlltyrat vijuese të pasqyrës tjetër si të ardhmen e tij- teksa shëmbëlltyra e tij e vërtetë ndodhet në të tashme.
Ndryshimi nuk do të thotë evolucion. Nëse një artist ndryshon ekspresionin e tij, kjo do të thotë se ai ka ndryshuar vetëm mënyrën e tij të të menduarit, gjë që mund të jetë për më mirë ose për më keq. Mënyrat e shumta që kam përdorur unë nuk duhet të konsiderohen si një evolucion apo si shkallë që çojnë drejt një ideali të panjohur të pikturës. Gjithë ç’kam bërë ka qenë gjithnjë për të tashmen, me shpresën e të mbeturit përherë në të tashmen.
Kur kam gjetur diçka për të shprehur, e kam bërë pa menduar për të shkuarën apo të ardhmen. Nuk besoj se në mënyrat e mija të ndryshme kam përdorur elementë rrënjësisht të ndryshëm; nëse objektet që kam dashur të shpreh më kanë propozuar mënyra të ndryshme ekspresioni, unë nuk kam ngurruar fare t’i përdor. Unë nuk kam bërë as eksperimente e as prova. Kur kam diçka për të thënë, e them në mënyrën që më duket më natyrale. Motive të ndryshme kërkojnë në mënyrë të pashmangshme metoda të ndryshme ekspresioni. Kjo nuk do të thotë evoluim apo ecje përpara, por përshtatje e idesë që duam të shprehim me mënyrat e shprehjes së kësaj ideje.
Arti kalimtar nuk ekziston. Në historinë kronologjike të artit ka periudha që janë më pozitive dhe më të plota se të tjerat; kjo do të thotë vetëm se ka periudha në të cilat ekzistojnë artistë më të mirë se në periudhat e tjera. Nëse historia e artit do mund të paraqitej në mënyrë grafike, ashtu siç veprohet me digramat që shënojnë ndryshimet e temperaturës së të sëmurit, do viheshin re të njejtat linja që ulen e çohen, duke provuar kështu që në art nuk ka ngjitje dhe përparim, por shënohen do lloj uljesh e ngritjesh si në çdo tjetër fushë. E njejta gjë ndodh edhe në punën individuale të një artisti.
Shumë njerëz mendojnë se kubizmi është një art kalimtar, një eksperiment që nuk mund të sjellë rezultate të mëtejshme. Ata që mendojnë kështu nuk e kanë kuptuar. Kubizmi nuk është një farë apo fetus, por art që trajton një shkallë formash parësore, dhe kur një formë realizohet shfaqet aty për të jetuar jetën e saj. Një lëndë minerale që ka një formë gjeometrike nuk është bërë për qëllime kalimtare; ajo është aty për të mbetur dhe mbetur përherë në formën e saj; nëse duam të zbatojmë në art ligjet e evolucionit dhe të transformizmit, atëherë duhet të pranojmë që gjithçka është kalimtare. Por, në të kundërt, arti nuk hyn në këto absolutizma filozofike. Në qoftë se kubizmi ishte art kalimtar, unë jam i bindur se e vetmja formë që do mund ta pasonte kishte për të qenë një formë tjetër e kubizmit.
Janë bërë përpjekje për ta shpjeguar kubizmin nëpërmjet matematikës, trigonometrisë, kimisë, psikanalizës, muzikës, e kushedi ç’gjëje tjetër. E tërë kjo s’ka prodhuar send tjetër përpos letërsi, për të mos thënë “pa kuptim“, dhe ka sjellë rezultatin e keq të verbimit të njerëzve përmes teorive.
Kubizmi ka qëndruar përherë brënda kufinjve të pikturës, duke mos mëtuar kurrë të dalë jashtë saj. Vizatimi, piktura dhe ngjyra janë mirëkuptuar dhe përkushtuar në kubizëm po me të njejtin shpirt dhe mënyrë siç janë mirëkuptuar në shkollat tjera. Kohërat tona mund të jenë të ndryshme sepse ne kemi ndërkallur në pikturë objekte dhe forma të panjohura më parë, kemi hapur sytë mbi gjithë çfarë na qarkon, e edhe mendjen.
Formës dhe ngjyrës u kemi dhënë kuptimin e tyre të veçantë gjer ku kemi arritur ta shohim. Në objektet tanë ruajmë harenë e zbulimit, kënaqësinë e së papriturës; vetë objekti ynë duhet të jetë një burim vëmendjeje. Por ç’dobi ka vallë të flasim rreth asaj që bëjmë, në një kohë kur të gjithë mund ta shikojnë, nëse duan?
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, priti sot në takim një delegacion të Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës, të kryesuar nga z. Albert Kinolli.
Osmani uroi kryetarin Kinolli dhe të gjithë qytetarët e komunitetit rom në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për të reflektuar mbi sfidat dhe arritjet, si dhe për ta riafirmuar përkushtimin institucional ndaj të drejtave dhe barazisë së komunitetit rom.
Gjatë takimit, ajo vlerësoi lart kontributin përfaqësuesve të komunitetit rom dhe komunitetit rom në përgjithësi në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse, duke e cilësuar zërin e tyre si thelbësor në proceset demokratike të vendit.
Duke nënvizuar angazhimin e saj të vazhdueshëm për fuqizimin e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, Presidentja Osmani vlerësoi punën e Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe mekanizmave të tjerë që synojnë fuqizimin e pjesëmarrjes dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve, me theks të veçantë për komunitetin rom.
Osmani potencoi se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore në fuqizimin e të rinjve rom, veçanërisht vajzave dhe grave, përmes programeve që rrisin qasjen dhe përfshirjen në sistemin arsimor. Ajo shtoi se përkushtimi për barazi nuk duhet përqendrohet vetëm në arsim, por edhe në krijimin e mundësive të barabarta për punësim dhe përfshirje aktive në jetën publike e institucionale të vendit./KultPlus.com
Nëse më do, më duaj të gjithën, jo veç në pjesët e dritës dhe hijes… Nëse më do, më duaj të zezë, të bardhë, gri, jeshile, bjonde dhe brune… Më duaj ditën, më duaj natën… dhe në mëngjesin e hershëm në dritaren e hapur!
Nëse më do, mos më hiq pjesë: Më duaj të gjithën… ose mos më duaj!
94 vite më parë vdiq poeti suedez, Erik Axel Karlfeldt, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1931, shkruan KultPlus.
Poeti suedez ka lindur më 20 korrik të vitit 1864 në Stockholm. Ai ka studiuar në Universitetin e Uppsala, dhe për të ndjekur studimet atij iu desh të punoj si mësues në disa shkolla. 5 vjet pas diplomimit ai u punësua në Bibliotekën Mbretërore të Stockholmit.
Në vitin 1905 ai u zgodh anëtar i Akademisë suedeze, më 1905 u zgjodh anëtar i Institutit Nobel Norvegjez të Akademisë, më 1907 anëtar i Komunitetit të Nobel-it, dhe më 1912 Sekretar i përhershëm i Akademisë, post të cilin e mbajti deri në vdekje.
Disa nga veprat e tij janë:
Modern Swedish Poetry Part 1 (1929) Arcadia Borealis (1938) The North! To the North! (2001)
Ndërsa poezitë e tij ishin: Këngët e shkretëtirës dhe të dashurisë që u shtyp në vjeshtën e 1895, Kënga e Fridolinit, Kënaqësia e Fridolinit, Flora dhe Pomona, dhe Briri i vjeshtës.
Në vitin 1917 Universiteti Uppsala i dha një dekoratë nderi.
Nuk kalon nji natë e n’andërr porsi zgjandërr e shof nanën këtu përbri; me krye vjerrte, me lot për sy rri tue shfry njat idhnim që don me e gri Ndejun m’duket prap te votra ku me motra n’dritë t’kandilit qepte e arnote por njat gaz ka që i shndritte kur goditte petkat e djalit e shendote Kqyr njat vend ku n’mbramje rrishe kur nuk kishe fije idhnimi nëpër ftyrë e ngurron, si t’kenke gurit e, pshtetë murit lot’ i dalin rrkaje tuj kqyrë “T’kishe dekë ma mirë, o i mjerë – thotë sa herë, – Afër nanës qe t’desh e t’ruejti; t’kishe mbyllë me duer te mia këtu te shpia njata sy qe mordja shuejti Afër vorrit tand nan-shkreta porsi bleta ishte sjellun tue gjimue e n’at bar qe kishte qitë për gjithë ditë ndonji lule kish kerkue…” …E mandej, si del nji krue tue bumue rreth e rreth prej brijes s’malit rrkaj i ulen lot’ per rrudha – Nuk asht udha nanë, m’u idhnue per t’zeza t’djalit Kur n’kët shekull n’drit’ e qite kur e rrite me njat mund qe nep hitia (kujdes i madh) “Nji nanë tjetër, – thoshe, – ke, bir n’kët dhe nana jote a shqiptaria Mend e zemër për të shkriji e përtriji nam e lavd kur t’i vijë dita” Mbas fjalësh t’tua përherë shkova e t’ndigjova: shqiptarin’ nuk e korrita./ KultPlus.com
Sot janë bërë 68 vite nga rihapja për qarkullim e Kanalit të Suezit, pas mbylljes së tij në vitin 1956, shkruan KultPlus.
Kanali i Suezit është një kanal artificial detar, i gjatë 163 km, ndërmjet Detit Mesdhe dhe Detit të Kuq, kanal i cili ndan kontinentin e Afrikës nga kontinenti i Azisë. Kanali i Suezit është lidhja më e afërt detare e hemisferës perëndimore dhe hemisferës lindore të Tokës.
Ky kanal ka rëndësi të madhe gjeo-strategjike për arsye se është rruga më e rëndësishme e tankerëve detar për furnizimin e Evropës me naftën e Lindjes së Afërme.
Kanali i Suezit është hapur në vitin 1869, dhe gjendet në Gjirin e Egjiptit.
Në vitin 1956, kryetari i Egjiptit Gamal Abdel Naser e ka nacionalizuar Kanalin e Suezit dhe për këtë arsye Franca, Anglia dhe Izraeli kryen një invazion ndaj Egjiptit në këtë vit.
Prej këtij konflikti shumë anije u fundosën, dhe kanali i Suezit u mbyll deri në prill të vitit 1957./KultPlus.com
Më 8 prill 1937 u botua kryevepra letrare monumentale shqiptare e At Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”.
Fishta filloi ta shkruante nga viti 1905, duke e përfunduar kështu në vitin 1937. Epopeja Lahuta e Malcisë përshkruan luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta. Ajo nuk është një poemë që ka një veprim kryesor dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha.
Heronjtë e Lahutës janë të shumtë: Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, që funksionalisht në vepër janë të ngjashëm, se kanë veçantitë e heroizmit shqiptar. Vepra nis me këndimin e heroizmave shqiptare për të mbrojtur tokat e veta nga sulmet malazeze, të përqendruara në Shqipërinë e Veriut, mirëpo vjen duke u zgjeruar në hapësirë dhe në kohë për të kapur ndodhitë e cilësitë shqiptare. Vepra nis me trajtimin e një krahine, për t’u zgjeruar në tërësinë etnike shqiptare; nis me trajtimin e burrnisë së një ambienti për të arritur te koncepti i kombit.
E ndikuar dendur nga këngët epike veriore, përmban elemente të besimeve popullore shqiptare dhe ndikime të letërsisë sllave të jugut. Ndikimin letrar e mori nga fretërit françeskanë gjatë studimeve në kuvendet françeskane në Bosnie. Më 1905 u botua në Zara te Kroacise “Bleni I” i veprës, me pesë këngë me të hollat që i kishte dërguar Faik Konica. Një vit më vonë u botua “Bleni II”, me katër këngë dhe kështu me radhë, deri në botimin përfundimtar me 30 këngë.
Autori në variantin përfundimtar krijoi një renditje të këngëve për të sugjeruar një kronologji të ngjarjeve që perfshijne ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit 19 deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës më 1913. Vepra mbështetet në tre lloje këngësh historike si: Vranina, Kongresi i Berlinit, Lufta e Ballkanit, Konferenca e Londrës – ku i referohet këngëve historike; kreshnike, me shpërthimet krijuese imagjinative që i referohen Ciklit të Kreshnikëve dhe te këngëve baladë, autoriale, si Patër Gjoni dhe Tringa, që japin me detaje imagjinatën e poetit edhe kur mbështeten në paratekstet e baladave, duke i transformuar në stilin vetjak./KultPlus.com
Merre një grusht dhimbjeje Shto ca pika loti! E pak pluhur rrugësh të pasosura Pak aromë stinësh të harruara Në fund I shton erëza djegëse dashurie Dhe i hedh ca yje përsipër Dhe e lë të piqet Të piqet në zjarr të shpirtit Deri në agim… / KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale.
Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet Rome në të gjithë botën. Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë i mbajtur në prill të vitit 1971.
Romët kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim dhe pikturë. Muzika tradicionale rome është ndoshta pjesa më e njohur e kulturës rome. Muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë si Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara she klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë. Kërcimi tradicional është një tjetër element i rëndësishëm i kulturës rome, ka ruajtur elemente nga India, ashtu siç edhe ka përfshirë elemente nga kultura e vendeve në të cilat romët kanë jetuar. Kërcimi Flamengo përfaqëson shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.
Gjuha rome është ruajtur mirë dhe flitet në të gjithë botën në dialekte të ndryshme. Vitet e fundit shumë studiues kanë punuar për ta standardizuar gjuhën rome duke prodhuar abetare dhe fjalorë. Analizat gjuhësore kanë treguar se ajo është shumë e ngjashme me gjuhët e folura në Indinë qendrore dhe veriore, dhe kjo lidhje gjuhësore besohet se dëshmon origjinën gjeografike të romëve.
Romët kanë shkëlqyer edhe në punimet artizanale si në punimin e metalit, qëndisjen dhe gdhendjen e bizhuterive. Shportat e kashtës të punuara me dorë janë një tjetër produkt tipik i romëve.Veshjet tradicionale përdoren akoma gjerësisht në komunitetin rom, ku gratë veshin fund të gjatë të lidhur në të majtë të belit, një bluzë dekolte, një jelek bolero, një përparëse dhe vathë me ngjyra.
Flamuri rom është flamuri ndërkombëtar i romëve. Ai është krijuar nga Unioni i Përgjithshëm i Romëve në Rumani në vitin 1933 dhe u miratua nga përfaqësuesit ndërkombëtar romë në vitin 1971. Ngjyra blu simbolizon qiellin, ndërsa jeshilja përfaqëson tokën dhe të korrat. Flamuri mban gjithashtu një rrotë të kuqe (chakra) në kujtim të origjinës indiane të romëve, e cila simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe progresin. / KultPlus.com
Sot janë bërë 52 vite nga vdekja e piktorit të njohur, Pablo Ruiz Picasso, i cili ka vdekur në Mougins të Francës.
Picasso ka qenë piktor, projektues grafik, skulptor spanjoll, dhe njihet si pioner i kubizmit. Ai konsiderohet si një nga artistët më të rëndësishëm të shekullit XX.
Gjatë veprimtarisë së tij, Picasso ka punuar rreth 15 mijë piktura, grafika, vizatime, plastika dhe qeramika. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Zonjushat e Avinjonit” dhe “Guernika”.
Puna e tij ka qenë aq me peshë, aq sa ka edhe ndarje të periudhave kohore në bazë të asaj çka ka krijuar Picasso:
Periudha blu 1901-1904
Periudha rozë 1905-1907
Periudha e influencës afrikane 1908-1909
Periudha e kubizmit analitik 1909-1912
Periudha e kubizmit sintetik 1912-1919
Picasso u martua dy herë dhe pati katër fëmijë me tre gra. Ai u lind më 25 tetor të vitit 1881 në Malaga./KultPlus.com
Dielli sapo ka kaluar minimumin e një prej cikleve të tij më të mëdha, të quajtur cikli Gleissberg, i cili zgjat afërsisht 80-100 vjet, dhe për këtë arsye mund të jetë duke shkuar drejt 50 viteve të aktivitetit intensiv: tregon studimi i botuar në revistën Space Weather i koordinuar nga Universiteti i Kolorados.
Aktiviteti diellor është jashtëzakonisht i paparashikueshëm dhe “është e rrezikshme të thuhet se në 50 vitet e ardhshme aktiviteti diellor do të rritet, ne ndoshta do ta dimë këtë vetëm në prapavijë”, thekson Mauro Messerotti, profesor i Meteorologjisë Hapësinore në Universitetin e Triestes.
“Ka shumë variante në lojë dhe aktiviteti i Diellit nuk mund të modelohet kaq saktë”, shton ai.
Përafërsisht dihet cikli 11-vjeçar që karakterizon yllin tonë: cikli aktual, i 25-ti që nga fillimi i regjistrimit të njollave diellore në vitin 1755, filloi në vitin 2019 dhe zyrtarisht arriti kulmin e tij në fund të vitit 2024.
Por aktiviteti diellor është shumë më kompleks: cikli njëmbëdhjetëvjeçar është i ndërthurur me ciklin tjetër shumë më të gjatë.
Studiuesit e udhëhequr nga Kalvyn Adams analizuan të dhënat e mbledhura nga disa satelitë të agjencisë amerikane Noaa (Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës) që orbitonin në të ashtuquajturat rripa Van Allen: zona në formë donuti brenda magnetosferës së Tokës në të cilën grumbullohen grimcat e ngarkuara, të cilat përgjithësisht era e erës rrjedhin nga fusha magnetike e diellit.
Duket, në fakt, se një fluks më i madh i grimcave në këtë zonë është i lidhur me më pak aktivitet diellor dhe anasjelltas.
Rezultatet tregojnë se, duke nisur nga viti 2022, do të ketë një përmbysje të trendit me një rënie të qartë të fluksit të grimcave dhe kjo do të shënonte, sipas autorëve të studimit, kalimin e minimumit në ciklin Gleissberg./ atsh/ KultPlus.com
Studioja arkitekturore franceze L’AUC u shpall fituesja për vizionin e zhvillimit të zonës qendrore të Tiranës, e njohur për qytetarët si zona e Cirkut.
L’AUC u përzgjodh nga gara ndërkombëtare ndërmjet 6 studiove prestigjioze të arkitekturës, të cilat prezantuan sot projektet, përkatësisht: COBE, Danimarkë; GO HASEGAWA & Assiciates, Japoni; GROUPWORK, Britani e Madhe; NIETO SOBEJANO, Spanjë; ARCHEA Associati, Itali.
“Jam shumë i kënaqur. Për nga hapësira vendi sillte vështirësi, ishte diçka vërtet delikate dhe u përpoqëm të bënim të pamundurën, besojmë se arritëm të bënim të pamundurën, bëmë më të mirën e mundshme. Jemi entuziastë për të vijuar projektin më tej, jemi të kënaqur të ndajmë vizionin tonë edhe me arkitektë të tjerë”, u shpreh një nga përfaqësuesit e studios L’AUC.
“Jam shumë e kënaqur që L’AUC është përzgjedhur, me shumë kënaqësi do ta përdorim imagjinatën tonë për të bërë diçka shumë të mirë për Tiranën dhe vizitorët”, u shpreh një tjetër përfaqësues i studios arkitekturore L’AUC.
Nga juria u vlerësua ideja dhe koncepti i propozuar, duke theksuar disa aspekte të rëndësishme të projektit dhe filozofisë që qëndron pas tij.
“L’AUC, hartoi një skemë që quhej shesh i përbashkët Tirana, kishte një lloj skulpturimi të nënthënë e një lloj ndjesie poetike. Gjithashtu u vërejt që ndjesia dhe pamja moderne e Tiranës është e përfshirë në skena, në shprehi të ndryshme, në ngjyra të ndryshme, në materiale të ndryshme, e po kështu në shkallë të ndryshme, ishte një koncept mjaft elastik, e siç u tha nga arkitektektët nuk është një masterplan apo vepër arkitekturore, por është një vizion që ka shkallë njerëzore, një peizazh mjaft të bukur dhe na pëlqeu po ashtu kati horizontal, që shërben si ndarje në shkallë të caktuar në pjesën e sipërme dhe të poshtme. Pastaj ishin katër kolonat që në fakt u konsiderua si shprehi shumë e fortë nga arkitekti dhe ishte e tillë dhe biem dakord me autorin për këtë propozim se ka një qartësi e forcë ikonike duke pasur këto katër ndërtesa rrethore. E gjitha kishte të bënte me krijimin e një qartësie në të gjithë kontekstin që u vlerësua nga juria. Vlerësuam shumë që arkitektët kishin shpenzuar kohë për të studiuar arkitekturën e mëparshme dhe traditën e historinë shqiptare”, u shpreh një nga anëtarët e jurisë.
Anëtari i jurisë dha disa sugjerime lidhur me projektin e paraqitur duke theksuar nevojën për ta bërë projektin më realist dhe të mundshëm për t’u realizuar në mënyrë efikase.
“Disa gjëra që duhen konsideruar, pozicioni i Teatrit, ne e kuptojmë tërësisht që ato gjëra që ju vendosni në anën tjetër janë bërë për të tërhequr njerëzit që të vijnë në këtë zonë, në mendojmë se pavarësisht strategjisë suaj do të gjeni mënyrën e duhur për ta ndërruar këtë situatë. Ky është një masterplan dhe për këtë arsye ju bëjmë thirrje që të punoni me arkitektë të tjerë në këtë vizion që na keni shpalosur sot. Siç u tha dhe nga anëtarët e jurisë thamë që është master plan dhe jo vepër arti në vetvete, një vizion për të gjithë hapësirën dhe ju, L’AUC, do të jeni ata që do të udhëhiqni punën që do të bëhet”, u shpreh anëtari i jurisë./ atsh/ KultPlus.com
Robert De Niro, legjenda e kinemasë, do të marrë Palmën e Artë të Nderit për të gjithë karrierën e tij, gjatë ceremonisë së hapjes së Festivalit të Filmit në Kanë, më 13 maj.
14 vjet pasi ishte president i Jurisë në 2011, aktori, regjisori dhe producenti amerikan do të shpërblehet gjatë këtij edicioni të 78-të dhe do të takojë pjesëmarrësit e festivalit në skenën e ”Salle Debussy”.
Ndër aktorët më të mirë në historinë e kinemasë, De Niro vazhdon të përfaqësojë një pikë referimi për Hollywood-in.
10 interpretimet e tij që kanë hyrë në histori janë:
1 – Mean Streets (1973) 2 – Taxi Driver (1976) 3 – The Deer Hunter (1978) 4 – Ragging Bull (1980) 5 – Once Upon a Time in America (1984) 6 – The Untouchables – (1987) 7 – Good Fellas (1990) 8 – Heat (1995) 9 – Jackie Brown (1997) 10 – The Irishman (2019)./ atsh/ KultPlus.com
26 vite pas zhdukjes me dhunë të 24 shqiptarëve, sot në fshatin Rashiq të Pejës, është zbuluar një pllakë përkujtimore për memorializimin e 11 civilëve dhe 13 ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të zhdukur me dhunë nga një grup ushtarësh serb në vitin 1999.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se të zhdukurit me dhunë të këtij rasti, si dhe të gjithë të rënët në rrugën e vështirë të popullit të Kosovës për liri, do të kujtohen përgjithmonë.
“Më 7 prill të vitit 1999, në një zonë afër fshatit Lybeniq të Pejës, një grup ushtarësh serbë i zhdukën me dhunë 24 shqiptarë, prej të cilëve 11 civilë dhe 13 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 26 vite pas zhdukjes së tyre me dhunë, sot në fshatin Rashiq të Pejës, u zbulua një pllakë përkujtimore për memorializimin e këtyre 24 shqiptarëve”, ka thënë Kryeministri Kurti.
Në këtë pllakë përkujtimore u memorializuan: Hazir Bezeraj (1948), Januz Bezeraj (1939), Muhamed Bezeraj (1952), Abedin Shala (1980), Jeton Shala (1971), Nazmi Shala (1955), Sejdi Shala (1965), Selim Shala (1958), Valdet Shala (1981), Demë Shala (1954), Kushtrim Shala (1979), Agim Gjocaj (1957), Arben Gjocaj (1970), Lulzim Gjocaj (1973), Nazmi Gjocaj (1955), Selvete Gjocaj (1972), Syl Gjocaj (1976), Deli Bricori (1962), Bajram Velijaj (1976), Hasan Morina (1950), Rexhep Berisha (1962), Nebih Berisha (1970), Hazir Berisha (1948) dhe Avdi Berisha (1964).
“Serbia vazhdon t’i mbajë të paqasshme arkivat e ushtrisë dhe të policisë së saj, si dhe të refuzojë të bashkëpunojë plotësisht e për çdo rast për të dhënë informacione për të zhdukurit gjatë luftës.
Të zhdukurit me dhunë të këtij rasti, si dhe të gjithë të rënët në rrugën e vështirë të popullit të Kosovës për liri, do të kujtohen përgjithmonë. Historia e tyre do të mbetetet trashëgimi e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Lavdi”, ka thënë Kryeminisri Kurti./ KultPlus.com
Një tjetër zonë qendrore e Tiranës, e mirënjohur për qytetarët si zona e Cirkut, do të rivitalizohet, falë një projekti bashkëkohor që do të përzgjidhet nga gara ndërkombëtare e 6 studiove të arkitekturës, nga të cilat, 5 janë të reja për publikun shqiptar, por me shumë eksperiencë në vendet e tyre dhe në botë.
Në praninë e Kryeministrit Edi Rama po prezantohen sot projektet nga përfaqësuesit e studiove, përkatësisht: COBE, Danimarkë; GO HASEGAWA & Assiciates, Japoni; GROUPWORK, Britani e Madhe; L’AUC, Francë; NIETO SOBEJANO, Spanjë; ARCHEA Associati, Itali, – ku në përfundim do të shpallet edhe projekti fitues.
Në nisje të prezantimeve, Kryeministri Rama vlerësoi se kjo është një tjetër maratonë arkitekture për vizionin e zhvillimit të një zone qendrore në Tiranë.
“Brenda një harku shumë të shkurtër kohe rikthehemi këtu për një tjetër konkurs ndërkombëtar, këtë herë një konkurs i organizuar nga vetë subjekti në kuptimin e kërkesës për të bërë një zhvillim shumë të rëndësishëm në qendër të Tiranës”, tha Rama.
Ashtu si është vepruar edhe në raste të tjera, Rama tha se “kemi kërkuar që ky zhvillim t’i nënshtrohet konkursit”.
“Jemi këtu bashkë me një juri, prestigji i së cilës vjen nga prania e disa arkitektëve vërtetë të jashtëzakonshëm që nuk janë thjesht të ftuar nga jashtë, por janë edhe protagonistë të transformimeve të rëndësishme të vendit në fushën e zhvillimit urban me projektet e tyre. Dëshiroj që duke i falënderuar anëtarët e jurisë që pranuan ftesën për të na ndihmuar në një gjykim sa më të mirarsyetuar, të falënderoj edhe të gjitha studiot që aplikuan”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ishin një numër i konsiderueshëm studiosh që aplikuan.
Rama theksoi se “ky është një tjetër gur i rëndësishëm që ne synojmë të vëmë në rrugën e re të vendit, një rrugë ku Tirana është “lokomotiva” e një transformimi epokal, falë dhe pikërisht këtyre zhvillimeve që kanë përfshirë një numër të jashtëzakonshëm arkitektësh ndërkombëtarë”.
“Këto zhvillime kanë krijuar një hapësirë të jashtëzakonshme për arkitektët vendas, për të gjithë vajzat dhe djemtë që kanë pasion arkitekturën dhe që e ushtrojnë këtë profesion, që faktikisht të jetojnë në një vend që sot është një ‘universitet’ i hapur dhe që falë, jo vetëm këtyre konkurseve, por edhe partneriteteve me studiot e mëdha ndërkombëtare, të mund të përfitojë një dije shumë të çmuar, një dije përmes ndërveprimit me profesionistë shumë të spikatur të kësaj fushe mundësish edhe parafytyrimesh të pafundme”, shtoi Rama. /atsh/ KultPlus.com