Pse edhe sot duhet lexuar Aristotelin?

Nga: Edith Hall

Që nga mesi i shekullit XVIII, bota perëndimore ka pasur mundësi të diskutojë publikisht mbi çështjet etike, pa iu referuar Krishterimit. Mendimi modern mbi moralin, që niset nga supozimi se perënditë nuk ekzistojnë, ose të paktën nuk ndërhyjnë, është në fillimet e veta.

Por, grekët e lashtë dhe romakët, ndërtuan shkolla të fuqishme filozofike të mendimit etik për më shumë se një mijëvjeçar, nga agnostikët e parë të shpallur, si Protagora (shek. V p.e.s.), te mendimtarët e fundit paganë. Akademia e Platonit në Athinë, nuk u mbyll përfundimisht deri në vitin 529 e.s. nga perandori bizantin Justinian.

Kjo traditë e gjatë e filozofisë morale, është një trashëgimi e çmuar e qytetërimit të lashtë të Mesdheut. Ajo ka nxitur disa mendimtarë shekullarë bashkëkohorë, të ballafaquar me boshllëkun moral të krijuar pas rënies së Krishterimit që nga fundi i viteve 1960, që të ringjallin shkollat e lashta të mendimit.

Më pak e njohur është receta e lumturisë (eudaimonia), e mbështetur nga Aristoteli. Në Liceun e tij në Athinë, ai zhvilloi një model për maksimizimin e lumturisë, që mund të zbatohej nga individë dhe shoqëri të tëra, dhe është ende i rëndësishëm sot.

Ajo u bë e njohur si “filozofia peripatetike”, pasi Aristoteli zhvilloi debate filozofike teksa shëtiste në shoqëri e me bashkëbiseduesit e vet. Parimi themelor i filozofisë peripatetikë është ky: qëllimi i jetës është të maksimizojë lumturinë duke jetuar me virtyte, duke përmbushur potencialin tuaj si njeri, dhe duke u angazhuar me të tjerët – familjen, miqtë dhe bashkëqytetarët – në aktivitete me përfitime reciproke.

Njerëzit janë kafshë, prandaj kënaqësia në përmbushjen e përgjegjshme të nevojave fizike (ngrënia, seksi) është udhëzues për të jetuar mirë. Por, meqenëse njerëzit janë kafshë të avancuara, natyrisht që priren të jetojnë së bashku në komunitete të vendosura (poliset): ne jemi “kafshë politike” (zoa politika).

Njerëzit duhet të marrin përgjegjësinë për lumturinë e tyre pasi ‘zoti’ është një entitet i largët, që mund të kontrollojë lëvizjen e gjithësisë, por s’ka asnjë interes për mirëqenien e njerëzve, dhe as ndonjë funksion providencial në shpërblimin e virtytit apo ndëshkimin e imoralitetit.

Megjithatë, paramendimi i një jete më të mirë dhe më të lumtur, është i mundur pasi njerëzit kanë aftësi të lindura që u lejojnë atyre të promovojnë lulëzimin individual dhe kolektiv. Këto përfshijnë prirjet për të bërë pyetje rreth botës, për të menduar mbi veprimin dhe për të aktivizuar kujtimet e vetëdijshme.

Po çfarë donte të thoshte Aristoteli me “lumturi” ose eudaimonia ? Ai nuk besonte se ajo mund të arrihej nga akumulimi i gjërave të mira në jetë – duke përfshirë të mirat materiale, statusin apo të qenit person publik – por, ishte një gjendje e brendshme dhe private e mendjes. Megjithatë, as ai nuk besonte se ajo ishte një gjendje e vazhdueshme.

Për Aristotelin, eudaimonia kërkonte përmbushjen e potencialeve njerëzore, që nuk mund të arriheshin duke kënaqur nevojat fizike. Dhe, as nuk besonte se lumturia përcaktohet nga proporcioni total i kohës sonë të kaluar duke përjetuar kënaqësi, siç bëri edhe studenti i Sokratit, Aristipi nga Kirena.

Aristoteli këmbëngulte se lumturia është e përbërë nga diçka më e madhe dhe e ndryshme, nga një grumbullim i përvojave të këndshme. Që të jemi të lumtur, duhet të mbështesim aktivitetet konstruktive të cilat besojmë se janë të orientuara nga qëllimi. Dhe, kjo kërkon një analizë të ndërgjegjshme të qëllimeve dhe sjelljes sonë, si dhe praktikimin e “etikës së virtytit” dhe të “jetuarit mirë”.

Historikisht, shumë filozofë, si egoistët, kanë pyetur nëse virtyti është në thelb i dëshirueshëm. Por, që nga mesi i shekullit XX, të tjerët rehabilituan etikën e virtytit dhe u përqendruan intensivisht mbi idetë e Aristotelit.

Filozofi i njohur grek thotë se nëse lumturia nuk është e dërguar nga Zoti, atëherë ajo “vjen si rezultat i një mirësie, së bashku me një proces mësimi dhe përpjekje”. Çdo qenie njerëzore mund të praktikojë një mënyrë jetese që do ta bëjë atë më të lumtur.

Sipas tij, lumturia është shumë më e vështirë të mbërrihet se sa kënaqësia. Por, nuk është e pamundur. Ju nuk keni nevojë për pasuri materiale, forcë fizike apo një pamje shumë simpatike për të filluar ushtrimin e mendjes tuaj sipas parimeve të Aristotelit, pasi mënyra e jetesës që ai mbron ka të bëjë me një përsosmëri morale dhe psikologjike, më shumë sesa një gjë që shtrihet tek pasuria materiale apo përsosmëria trupore.

Ai e pranon se ka edhe pengesa më të vështira: pasja e fëmijëve apo miqve që të zhgënjejnë plotësisht. Një tjetër është problemi më i vështirë me të cilin përballet çdo njeri prej nesh: humbja e fëmijëve dhe miqve nëpërmjet vdekjes.

Megjithatë, është sërish e mundur që të jetohet mirë edhe pas fatkeqësive të tilla. Në këtë kuptim, Aristoteli është një optimist moral. Ka meritën se, shumë kohë përpara Sigmund Frojdit, instinktet tona biologjike janë më të natyrshme sesa sjellja në mënyrë të moralshme.

Kjo e bën etikën e tij të pajtueshme me psikanalizën moderne. Një ide inovative aristoteliane është se emocionet që supozohet të dënueshme, madje edhe zemërimi dhe hakmarrja, janë të domosdoshme për një psikikë të shëndoshë.

Në këtë drejtim, filozofia e Aristotelit është në kontrast me pikëpamjen stoike sipas së cilës zemërimi është irracional dhe një formë e çmendurisë së përkohshme, që duhet të eliminohet. Vetëm se, sipas tij, emocionet e tilla duhet të jenë të pranishme në sasinë e duhur, “mesatare” ose “të kuptueshme”.

Zemërimi është gjithashtu thelbësor për një personalitet që ecën në jetë. Një individ apatik që nuk zemërohet kurrë, që nuk ngre zërin për veten ose vartësit e tij kur duhet, dhe nuk mund të arrijë lumturinë. Megjithatë, zemërimi i tepërt apo i njerëzve, është diçka e gabuar dhe shihet prej tij si një ves.

Ndërkohë, Aristoteli është një utopik. Ai imagjinon mundësinë që të gjithë njerëzit do të jenë një ditë të aftë të kuptojnë potencialin e tyre, dhe ta shfrytëzojnë plotësisht atë. Ai parashikoi një botë futuristike, në të cilën përparimet teknologjike do ta bënin të panevojshme punën e njeriut.

Edhe teoria politike e Aristotelit ishte fleksibile.

Mund të jeni kapitalist apo socialist, biznesmen apo punonjës humanitar, të votoni për thuajse çdo parti politike, dhe të jeni sërish jeni një aristotelian i qëndrueshëm. Aristoteli e dinte se njerëzit konfliktohen mes tyre, kur të mirat materiale janë të pakta: “Varfëria është prindi i revolucionit dhe krimit”.

Falë këmbënguljes së tij për të bazuar teorinë politike mbi nevojat themelore të njerëzimit, Aristoteli krijoi idetë më të avancuara ekonomike që u shfaqën ndonjëherë në kohën e tij, dhe kjo ishte arsyeja se pse e admironte Karl Marksi.

Një mohues i ndryshimit të klimës, nuk mund të gjente asnjë inkurajim tek Aristoteli. Ai do të ngrinte që atë kohe alarmin për dëmet që njeriu po i shkaktonte mjedisit. Për shkak të aftësisë së unike mendore, Aristoteli, thotë që një njeri i keq mund të bëjë 10 mijë herë më shumë dëm, sesa një kafshë. /Burimi: Aeon.co/ KultPlus.com

‘Pat ikur mësuesi im në Turqi, unë abetaren e laga me lot’

Agim Vinca

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha atëhere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi. /KultPlus.com

 “Pesë Stinët e Fëmijërisë Sime” me premierë në Tampere Film Festival në Finlandë

Filmi ‘Pesë Stinët e Fëmijërisë Sime” me regji të Besim Ugzmajli ka dhënë premierën në festivalin prestigjioz ‘Tampere Film Festival’ në Finlandë, përcjell KultPlus.

Regjisori Ugzmajli ka ndarë në profilin e tij në Facebook imazhe nga premiera.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e Besim Ugzmajli:

Premiera e filmit “Pesë Stinët e Fëmijërisë Sime” në festivalin prestigjioz — Tampere Film Festival – Finland

“Pesë Stinët e Fëmijërisë Sime” është një dokumentar autobiografik i vendosur në Kosovë, që gërsheton mjeshtërisht pamje reale me personazhe të animuar. Përmes një udhëtimi të thellë në kujtimet e fëmijërisë, filmi risjell një nostalgji të mbushur me dhimbje dhe dashuri. Asgjë nuk është më siç ishte dikur — vetëm kujtimet, të larmishme dhe kaotike, enden lirshëm duke vezulluar me një ndriçim të pamëshirshëm në retrospektivë./KultPlus.com

Neil Young hap turneun evropian me koncertin në Ukrainë

Legjenda e folk rock-ut, Neil Young dhe grupi i tij ”Chrome Hearts” do të hapin një turne të ardhshëm evropian me një koncert falas në Ukrainë, sipas një postimi në faqen e tij të internetit.

Muzikanti i njohur 79-vjeçar, i lindur në Toronto, i cili ishte pjesë e supergrupit ”Crosby, Stills, Nash & Young”, tha se do të ishte “një koncert falas për të gjithë”.

Detajet janë ende duke u përpunuar, duke përfshirë datën dhe vendndodhjen e shfaqjes.

“Aktualisht jemi në bisedime”, tha Young.

“Vazhdoni të lëvizni në botën e lirë”, përfundoi ai deklaratën, duke iu referuar këngës së tij hit të vitit 1991, së bashku me një imazh të flamurit ukrainas.

Njoftimi erdhi vetëm disa ditë pasi presidenti i SHBA Donald Trump debatoi ashpër me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky në një takim në Zyrën Ovale.

Young, një kritik i Trump, i cili paditi fushatën e tij në vitin 2020 për shkelje të të drejtave të autorit për përdorimin e këngëve të tij në mitingje, tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Trump kishin “humbur pozitën e tyre”.

Turneu ”Love Earth” është planifikuar të nisë në qershor në Suedi, Norvegji, Danimarkë, Irlandë, Holandë, Belgjikë, Gjermani, SHBA dhe Kanada./KultPlus.com

Sa më shumë që “mendojnë makinat”, aq më pak mendojnë njerëzit

Labinot Kunushevci

Lajm ogurzi: idiotët kanë kolonizuar mediat sociale, idiotët nuk po njohin kufij, idiotët po minojnë terrene, idiotët po shënjestrojnë pengje sociale.

Gjendje e jashtëzakonshme.

Ju lutem, mos debatoni me idiotët që nuk lexojnë libra, kur burim të vetëm të informacionit kanë rrjetet sociale. Ata konsumojnë me qindra imazhe dhe informacione brenda ditës, por kanë pak dije e vetëdije mbi to dhe nuk dinë si t’i përdorin në rrethanat e reja të jetës.

Teknologjia digjitale, inteligjenca artificiale, sot kanë krijuar një gjeneratë të idiotëve, që japin leksione pa kompetencë, në të njëjtat hapësira publike ku edhe intelektualët e dinjitetshëm operojnë. Telefonat inteligjentë po krijojnë idiotë digjitalë në trajtë njeriu. Po nxitet një lloj autizmi digjital.

Modeli “scroolling” i kërkimit dhe absorbimit të informacioneve po e mbytë imagjinatën, po e dëmton strukturën e të menduarit dhe të mbajturit mend, po e nxitë kureshtjen për kotësira, po i futë të rinjtë në ankthin e shpejtësisë dhe kohës reale, me një varësi vështirë të shërueshme, me një gjuhë të varfër komunikimi dhe me lidhje të shumëfishta e të rrëmujshme ndërmjet vete.

A e keni parë sa shumë ju acarohen nervat kur takoheni me një idiot që gjithë ditën qëndron në telefon duke gëlltitur informacione të paverifikuara, konspiracione, propaganda, fragmente të dekontekstualizuara, mite, legjenda, populizëm, materiale komerciale, lajme të rrejshme dhe nuk e mban mend kur e ka lexuar një libër herën e fundit, ndërsa mundohet t’ju japë leksion, t’ju mësojë, madje t’ju sfidojë duke ju kundërshtuar në tezat për të cilat ju keni studiuar me vite, në argumentet për të cilat ju keni lexuar qindra libra, në temat për të cilat ju keni përvoja reale?!

Pra, vërtet ata mund të kenë shumë informacione, por ata nuk dinë asgjë. Janë injorantë të rryer, me vetëbesim të rrejshëm e me egoizëm të brishtë. Sepse rrjetet sociale nuk prodhojnë dijetarë dhe shkencëtarë.

A keni hasur në persona që pretendojnë se janë profesionistë, inteligjentë dhe intelektualë, ndërsa kur takohen me një grup të idiotëve, ndihen inferiorë dhe shkrihen në idiotë, bien në nivelin e tyre dhe mundohen të flasin me klishetë dhe zhargonin e idiotëve, duke përqafuar narracionet e tyre me një buzëqeshje artificiale komformiste?

Kemi të bëjmë me një teknologji që po bluan afërsinë fizike dhe emocionale midis njerëzve, duke e zëvendësuar kohën, emocionin, shijen, empatinë, që mund t’ia dhurojmë njëri-tjetrit.

Po ndërtohen njerëz hibridë – njerëz-makina, të automatizuar, të teknologjizuar deri në thellësi hormonale, gjenetike, qelizore, neurotike e emocionale, që mendjet njerëzore synojnë t’i kthejnë në makina statistikore algoritmike, me një inteligjencë në rritje kundrejt vetëdijes njerëzore, ku krejt makineritë e sofistikuara që do të vijnë deri në gjysmën e shekullit XXI do të jenë “zotërinjtë e njerëzve”, ndërsa profesionistët do të ndihen inferiorë përballë tyre.

Nëse në vitin 1950, Alan Turing, një nga mendimtarët më inovativë të shek. XX që hodhi themelet e para në shkencat kompjuterike dhe informatikën moderne, kishte të drejtë kur doli me pyetjen e famshme: “A mund të mendojnë makinat?”, një shekull pas tij, më 2050, askush nuk do të ketë të drejtë të shtrojë pyetjen: “Pse nuk mendojnë më njerëzit?” sepse përgjigjen e gjejnë në pyetjen e Turingut. Sa më shumë që “mendojnë” makinat, aq më pak mendojnë njerëzit.

Elitat intelektuale do të shuhen, do të margjinalizohen dhe do të jenë konsulenca e fundit në shprehje. Pra, inteligjenca artificiale synon t’i bluajë dhe t’i absorbojë kompetencat dhe kontributet e intelektualëve, që shoqëritë e ardhshme konsumuese, nën presionin e kohës dhe nën logjikën e lehtësisë, të sfiduar nga mania e përdorimit të platformave, nuk do të shpenzojnë resurse tradicionale për të ardhur deri tek një informacion, studim, produkt, rezultat apo konkluzion. Dhe mjeshtëria e modifikimit do t’i shpëtojë ata nga përgjegjësia e plagjiatit.

Inteligjenca artificiale nuk është inteligjencë krijuese. Ajo nuk krijon, nuk ka imagjinatë, nuk ka emocion, nuk ka empati dhe nuk mund të fillojë diçka nga zero, ndërsa mendja njerëzore po. AI zbaton vetëm atë që programohet dhe nuk ka liri të zgjedhjes apo gjykimit me ndërgjegje dhe vetëdije si njeriu që ndikohet nga sistemi, zakoni, kultura, familja, feja, normat etj. Vetëm raca njerëzore e plotëson komponentën humane. Kreativiteti njerëzor është kreativitet natyral dhe dhunti e Zotit, e zhvilluar me sistem të edukimit. Inteligjenca artificiale është kreativitet programues dhe modifikues, por nuk mund ta tejkalojë zgjuarsinë krijuese të njeriut.

Duke zhvilluar inteligjencën artificiale në teknologjitë që zëvendësojnë dhe përmbushin funksionet kreative dhe kritike të jetës së njeriut, nuk duan që të krijojnë njerëz të zgjuar, njerëz konkurrentë, njerëz kritikë, në mënyrë që t’i manipulojnë më lehtë, duke i bërë ata të varur thellësisht nga AI dhe kështu truri dhe mendja e tyre të diktohet nga fuqitë teknologjike.

Shikoni njerëzit që punojnë nëpër institucione e në kompani të ndryshme, si ecin, si shikojnë, si reagojnë e si sillen si qenie robotike, pa asnjë element empatie, jo si qenie sociale, por me një shpirt acari, të akullnajave sociale, që burimin e ka në super-unin e tyre, që vetëm një ngrohje globale kulturore mund ta shkrijë.

Edhe pse mund të krenohen me koeficientin e lartë të inteligjencës mendore (IQ), ata janë të ftohtë, kanë mungesë të çdo ndjesie, me mrrola në fytyrë, plot nervozizëm e me turbulenca në personalitet, të cilat akumulohen në kriza neurotike, që krejtësisht normale për ta është të mos përshëndesin e të mos buzëqeshin asnjëherë, ndërsa i shikojnë të tjerët përreth tyre si të ishin jashtëtokësorë. Nëse pyeten pse janë kështu, përgjigjen se kjo është natyra e tyre. Funksionojnë në mënyrë tipike si kompjuterë: dinë të japin vetëm përgjigje, asnjëherë të pyesin, as të bashkëndiejnë apo të gjykojnë. Çdo gjë që deri tani ka pasur burim vetëm shpirtëroren, të natyrshmen, spontanitetin, kreativitetin, tani ka rrezik të ketë burim vetëm artificialen.

Ata mund të shquhen për koeficient të lartë të inteligjencës mendore (IQ), që prek vetëm një dimension të tyre të jetës, por në sferat e tjera të inteligjencës emocionale ata dështojnë gjithmonë, në probleme të natyrave emocionale dhe sociale shpërthejnë dhe humbin ekuilibrin e jetës, nuk kanë asnjë kapacitet për t’i menaxhuar krizat e jetës apo për të ndërvepruar me njerëz në diversitet. Mund të jenë edhe shumë të suksesshëm në biznese, por mungesa e inteligjencës sociale ua tregon fytyrën e vërtetë të personalitetit.

Libri “Inteligjenca emocionale – Pse mund të ketë rëndësi më shumë se IQ-ja?” nga psikologu i njohur Daniel Goleman është libri i parë që ia sugjeroj çdo kujt ta lexojë.

Prandaj fiksimi dhe mania pas IQ-së si instrument i vetëm që karakterizon “të zotët e mendjes” është shndërruar në një mit. Njoh shumë personalitete që kurrë në jetë nuk e kanë matur IQ-në e tyre, por janë emocionalisht shumë të fortë, janë menaxherë të shkathtë dhe efikasë të problemeve, krizave dhe nyjeve, kanë një elegancë dhe diciplinë të lartë të punës, nuk kanë konfuzione dhe iluzione mbi jetën. Ata ndoshta nuk dinë t’i zgjidhin problemet matematikore në “dërrasë të zezë”, por dinë t’i zgjidhin shumë probleme komplekse reale në “përvoja dhe situata të zeza”.

Inteligjenca artificiale po krijon gjuhë programuese, që njeriut post-modern t’i ofrojë një lloj përmbushjeje shpirtërore e funksionale, duke i dhënë gjëra të gatshme, të lehta, të automatizuara dhe të shpejta sipas kërkesës, që nuk kërkojnë shumë mund apo kohë, jo si produkte të imagjinatës, por si gjenerim, përpunim dhe fragmentim informacionesh të grumbulluara nga interneti, nganjëherë si materiale të rreme që duken si autentike por krijojnë halucinacione, që në fakt janë vetëm një plagjiaturë e teknologjisë së lartë që shmang edukimin mbi të mësuarit.

Madje madje, mjegullojnë vijën e hollë që ndanë të vërtetën nga e pavërteta, faktin nga trillimi, informacionin e saktë nga informacioni i manipuluar, përmes ndërhyrjeve e sintetizimeve për figura, ngjarje, situata, që instrumentalizojnë procese të rëndësishme shoqërore e demokratike.

Ngatërrojnë kuptimin e realitetit dhe ndjenjat origjinale me botën virtuale iluzore. Ato nuk ndikojnë vetëm në orkestrimin e opinionit publik, por edhe emocional, duke krijuar narrativa të rreme. Mashtrimi, manipulimi, keqinformimi, falsifikimi dhe dezinformimi nuk janë të sigurta dhe të garantuara nga inteligjenca artificiale. Përkundrazi, ato janë instrumente brenda saj.

Shembull, kur ju keni dashur t’ia dedikonit dikujt një poezi apo një ese, e keni shkruar me plot pasion, ndjenjë, imagjinatë, empati e dashuri, ndërsa e ardhmja e inteligjencës artificiale – robotëve është se ajo do ta zëvendësojë edhe poetin në poezi, eseistin në ese, artistin në art, gazetarin në informim, makinistin në prodhim, mësuesin në edukim, sportistin në lojë, shkrimtarin në shkrimin e librave dhe përkthyesin në përkthimin e teksteve apo komunikimeve.

Do t’i sfidojë shumë profesione dhe do t’i lë pa punë shumë profesionistë, duke i bërë të ndihen të margjinalizuar, të parëndësishëm, inferiorë, të vjedhur, të mangët, nga një inteligjencë në rritje, e cila pikë kryesore referimi do t’i ketë gjetjet, kërkesat dhe nevojat e ardhshme të njerëzimit.

Por asnjë inteligjencë artificiale nuk do të mundë ta tejkalojë nivelin e të shkruarit të një autori që ka mendim të thuktë kritik. Nuk do të mundë të ofrojë shpjegime, përshkrime dhe artikulime mbi thelbin e problemeve sociologjike, siç i trajton një qenie profesionale njerëzore.

Mendja njerëzore është shumë më e aftë, më elegante, më kompetente, më e përgjegjshme, më efikase, më intiutive për zgjidhjen e problemeve. Problemet e ndërlikuara kërkojnë analizim të specifikave, të rrethanave dhe të faktorëve në kontekste socio-kulturore, me metodologji të avancuara shkencore, prandaj qasja në të dhënat që dalin nga kjo inteligjencë artificiale, në modifikime të sofistikuara të dhënash e faktesh është e pamjaftueshme dhe nuk zgjidh probleme. Njerëzit nuk do të kërkojnë apo nuk do të hulumtojnë më për problemet e ndryshme nga profesionistët e fushave, pasi do të mundohen të gjejnë zgjidhje të gatshme, të shpejtë, improvizuese, shumë herë pa sukses.

Njerëzit nuk kanë më nevojë për një inteligjencë të shkrimit për të shkruar një libër apo për të bërë një hulumtim shkencor për nevoja akademike, për të diplomuar apo për t’u kualifikuar. Kjo inteligjencë artificiale, si një kolonist akademik, ku ne mund të porositim struktura, probleme të zgjidhura e vepra të gatshme, po prodhon analfabetizëm intelektual, po cenon pronat intelektuale, po përmbys kreativitetet njerëzore dhe po shkel të drejtat e autorëve.

A mundet AI të zhvillojë dhe drejtojë në mënyrë të pavarur zbulime dhe hulumtime shkencore?

A mundet AI ta parashikojë të ardhmen apo ta interpretojë të kaluarën?

A do ta arrijmë kohën kur duhet të kujdesemi se çfarë të mendojmë sepse teknologjia rreth nesh do të jetë e aftë të na lexojë mendjen, pra kur mendja jonë do të jetë nën kontroll të plotë të teknologjisë, ndërsa konfidenca, intimiteti, personalja, sekreti dhe privatësia do ta humbin kuptimin, pasi do t’i “bluajnë” mullinjtë, jo të erës, por të teknologjisë?

E di se inteligjenca artificiale sot na tremb dhe intrigon. Por për një revolucion që do të kontrollojë trurin njerëzor dhe do të ndryshojë përvojën njerëzore duket se disa njerëz e kanë shumë seriozisht. Neuralink është një shembull në të cilin po punohet seriozisht, ku implantimi i pajisjeve, çipave në tru, mbetet një sfidë ende e pasigurt, që ngre shumë pyetje dhe dilema, jo vetëm teknike e neurologjike nëse bartë rreziqe dhe nuk garanton efikasitet pa pasoja, por edhe etike mbi privatësinë, mbi monitorimin dhe manipulimin e mendimeve dhe emocioneve njerëzore.

Kureshtja mbi mundësitë që sjellë teknologjia vërtet është një çudi. Sepse dikujt i ka shkuar mendja të kolonizojë Marsin dhe të krijojë atje një qytet të vetëqëndrueshëm për një milion njerëz, ashtu siç ëndrron Elon Musk dhe kompania e tij SpaceX, të arrijnë një gjë të tillë deri në vitin 2050. Dhe po kështu edhe e ardhmja e robotëve humanoidë mbetet një sfidë me shumë dilema, larg aftësisë së funksionimit autonom dhe të pavarur nga kontrolli i operatorëve njerëzor.

Por a kanë makinat vetëdije? A kanë makinat ndërgjegje? A kanë makinat dinjitet? A kanë makinat empati? A kanë makinat emocion? Pra, çfarë kanë ato përtej algoritmit, fuqisë përpunuese, njohjes dhe memories dhe cili është raporti i inteligjencës artificiale me atë sociale dhe emocionale? Ka shumë pyetje që unë shtroj të cilat sfidojnë idenë se inteligjenca artificiale do ta tejkalojë atë njerëzore.

Idiotët digjitalë shpeshherë qëllojnë të jenë ekspertë e profesionistë në fusha të ndryshme, por kanë një mungesë të thellë, shumë të thellë: kanë nevojë për një trajnim intensiv mbi inteligjencën emocionale. Ndjenjat dhe vlerat, si: empatia, dashuria, respekti, solidariteti, i kanë të shtypura e të ndrydhura, të mbyllura si në kasafortë hermetike, të blinduara, pothuajse duhet t’u rezistojnë goditjeve e sulmeve. Ata edhe pse e prodhojnë konfliktin, nuk e ndiejnë atë. Sepse janë të pushtuar nga një gjendje melankolie. Inteligjenca në të cilën ata besojnë, i ka tjetërsuar dhe instrumentalizuar. Ndryshe, ata do të sillen si asimptomatikë, por realisht me një sëmundje, që rrezikon të bëhet kronike dhe infektive, afërsisht skizofrenike, kulturalisht vdekjeprurëse.

Sot kemi një invadim dhe kampanjë të sofistikuar të idiotëve, të cilët, si një ortek që merr me vete çka gjen përpara, me telefona të mençur, po injektojnë injorancë kudo. Si pajisjet elektronike që akumulojnë ngarkesë elektrike, edhe idiotët kanë krijuar fusha elektromagnetike me intensitet të lartë, pasi vlera e tensionit të idiotësive është e lartë. Gjurmët e tyre i vërejmë në çdo sferë të jetës private e publike, zyrtare dhe jozyrtare.

Nuk ka nevojë për gërmime arkeologjike. Ata janë në mesin tonë, me ne e rreth nesh. Kanë homologë në çdo vend – bëjnë tifo për njëri-tjetrin. Janë infektues si viruset. Rrezikojnë të shkaktojnë vdekjen kulturore të një kombi dhe jo vetëm kaq, kulturocidi – fshirja e gjurmëve kulturore është dëshirë e tyre e zjarrtë, sepse duan të krijojnë faqe të re të historisë. Duan t’i zhdukin intelektualët e denjë dhe t’ua fshijnë veprat, ashtu si nga karbonizimi i trupave që nuk mund të identifikohen njerëzit. Murtajë e idiotëve, e shpërndarë nëpër institucione, që paralizon çdo gjë.

Fati i brishtë i një shoqërie ku ne nuk ndihemi rehat, është ky: ne jetojmë në një shoqëri post-moderne, që elektrizohet nga masa, që magjepset nga turma, që entuziazmohet nga zhurma, që frikësohet dhe nënshtrohet nga piskama, që tëhuajtësohet nga pozicioni, që argëtohet me dhunën, që përfiton nga tragjeditë dhe që asnjëherë nuk thotë FALEMINDERIT, sepse mendon se ne kemi qenë të obliguar t’i ndihmojmë asaj./KultPlus.com

Bujtina në Tropojë, vatër mikpritëse e turistëve nga e gjithë bota

Turizmi malor dhe investimet për rigjallërimin e tij vijojnë të mbeten prioritet i qeverisë, e cila ka ndërmarrë politika nxitëse për mbështetjen e këtyre investimeve.

Një prej tyre është edhe “Paketa e maleve”, e cila siguron mbështetje për investimet në këto zona, duke synuar inkurajimin e banorëve vendas për të investuar në pronat e tyre.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale modelin e suksesshëm të një agroturizmi në malet e Tropojës, e ndërtuar nga dy vëllezër të rikthyer nga emigrimi.

Kreshnik Nikoçi së bashku me vëllanë e tij Ermalin vendosën të linin emigrimin dhe të ktheheshin në fshatin e lindjes, në Velisht të Tropojës, ku investuan në kodër një bujtinë që është kthyer në vatrën mikpritëse të qindra turistëve nga e gjithë bota.

Kreshniku tregon se pas 5 vitesh në emigrim, bashkë me të vëllanë u kthye në vendlindje ku hapi edhe bujtinën.

“Me rritjen e numrit të turistëve po fitojmë çdo vit më shumë sesa jashtë vendit”, tha ai.

Kreshniku i bëri thirrje çdo të riu të rikthehet në vendin e tij, aty ku ka zemrën dhe më shumë mundësi.

“Shqipëria ofron mundësi të pafundme për atë që ka vullnet dhe dëshirë për punë”, tha ai.

“Paketa e maleve” krahas zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë rurale, do të ketë ndikim në promovimin e produkteve “Made in Albania”, si dhe do të sjellë zgjerim të hartës turistike.

Përmes kësaj nisme parashikohen lehtësi procedurash për pronësinë dhe ndërtimin, sikurse edhe politika fiskale stimuluese./ KultPlus.com

7-8 Marsi, Banka e Shqipërisë publikon monedhën numizmatike

Banka e Shqipërisë solli në vëmendje këtë 7 mars se monedha më e fundit numizmatike 100 Lekë pa kurs ligjor dhe metal argjend, e prodhuar në vitin 2023, nderon figurën e Sevasti Qiriazi- Dakos (ca.1870-1949), nismëtare e arsimit në gjuhën shqipe dhe veprimtare për emancipimin e gruas.

Sevasti Qiriazi-Dako, së bashku me familjen e saj, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për arsimin në gjuhën shqipe, në një kohë kur shkollat e vendit tonë zhvillonin mësim në gjuhë të huaja dhe sundonte analfabetizmi. E njohur në popull si mësuesja e parë e shqipes, krahas ngritjes së shkollës shqipe, ajo la gjurmë edhe si veprimtare për emancipimin e gruas. Sevasti Qiriazi mbetet dhe sot e vetmja grua që ka shkruar një gramatikë në gjuhën shqipe.

Mbi kontributin e saj në lëmin e arsimit, në vitin 1903, Edith Durham shkruante “Zonjusha Kyrias (Sevasti Qiriazi), një grua shumë e përgatitur dhe kurajoze… Mbas mbylljes së shkollës mashkullore të Korçës, kjo mbeti e vetmja shkollë në Shqipërinë Jugore, ku mund të mësohej shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Edhe pse frekuentimi i asaj shkolle sillte rrezikun që vajzat dhe prindërit të ishin të persekutuar nga autoritetet turke, klasat ishin gjithmonë plot. Vajzat e krishtera dhe myslimane mësonin të shkruanin dhe të lexonin shqip dhe i mësonin dhe vëllezërve të tyre. Shkolla e Vashave ishte kaq moderne, saqë më dukej se isha kthyer papritur në Evropë.”

Kjo monedhë është në shitje në Dyqanin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë uroi të gjithë arsimtarët shqiptarë, për punën e tyre të palodhur në përmbushje të misionit fisnik të edukimit të brezit të ri./ KultPlus.com

“Ti e shpërblen mësuesin keq nëse mbetesh përjetë nxënës”

“Sa më lart që ngjitemi, aq më të vegjël u dukemi atyre që nuk mund të fluturojnë”

“Unë jam një pyll dhe një natë pemësh të errëta: por ai që nuk ka frikë nga errësira ime, do të gjejë grumbuj me trëndafila nën selvitë e mia”.

“Duhet të jesh gati që të digjesh në flakën tënde; si mund të ringrihesh, nëse nuk je bërë më parë hi”?

“Heshtja është më keq, të gjithë të vërtetat që mbahen të heshtura bëhen helmuese”.

“Njeriu i vetmuar ia shtrin dorën shumë shpejt, kujtdo që takon”.

“Ti e shpërblen mësuesin shumë keq, nëse mbetesh përjetë një nxënës”.

“Ka më shumë urtësi në trupin tënd, se sa në filozofinë tënde më të thellë”.

“Dhe një herë që zgjohesh, do të mbetesh zgjuar përjetësisht”.

“Por armiku më i keq që mund të takosh do të jetë gjithmonë vetja jote; ti rri në pritje për veten tënde, në shpella dhe pyje. I vetmuar, ti do të shkosh rrugës drejt vetes tënde! dhe rruga jote kalon nga vetja jote, dhe përtej shtatë djajve të tu! Ti do të jesh një heretik për veten tënde dhe shtrigan dhe fallxhor dhe budalla dhe dyshues dhe mëkatar dhe i lig. Duhet të jesh gati të djegësh veten tënde në flakën tënde: si mund të bëhesh i ri, nëse nuk bëhesh më parë hi?”

“Por me njeriun është njësoj si me pemën. Sa më shumë që kërkon të ngrihet lart dhe drejt dritës, aq më shumë rrënjët e tij e tërheqin poshtë, në tokë, drejt errësirës, thellësisë – të keqes”.

“Duhet të jesh një det, që të presësh një rrëke të ndotur e të mos bëhesh pis”.

“Ai që ngjitet në malet më të larta, qesh me të gjithë tragjeditë, të vërteta dhe të pavërteta”.

“Nga të gjithë gjërat që janë shkruar, më pëlqejnë ato që njeriu i ka shkruar me gjakun e vet” /KultPlus.com

Aristoteli: Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt

Aristoteli ishte student i Platonit dhe ishte i pari që e kritikoi atë. 47 nga punët e tij kanë mbijetuar.

Aristoteli është i fundit nga filozofët e mëdhenj të antikitetit dhe konsiderohet si biologu i parë.

Ai themeloi shkencën e logjikës, shtroi terrenin për metodën shkencore dhe shkroi rreth shumë subjekteve.

Aristoteli ishte gjithashtu mentori i Aleksandrit të Madh për disa kohë. Ai ka pasur influencë të madhe në mendimin e Tomas Akuinit dhe për rrjedhojë mbetet një ndër influencat kryesore në edukimin dhe teologjinë katolike.

Aristoteli, një nga mendjet më të ndritura dhe më të thella të të gjitha kohëve, shkroi mbi shumë probleme dhe nga më të ndryshmet.

Me përjashtim të matematikës, lëroi të gjitha fushat e dijes, si politika, shkencat e natyrës, artin etj.

Rreth 120 veprat e tij formojnë një lloj enciklopedie, ku përfshihen njohuri nga të gjitha fushat e diturisë. Në të gjitha veprat e Aristotelit të bie në sy dashuria për të mirën dhe të vërtetën. Megjithëse e adhuronte dhe e nderonte shumë mësuesin e tij, filozofin Platon, në mjaft pikëpamje filozofike dhe estetike nuk ishte në një mendje me të. Në një nga veprat e tij thotë se midis miqve dhe së vërtetës është gjë e shenjë të duash më shumë të vërtetën.

Aristoteli, besonte se gjithçka ndodh për një arsye, gjithmonë. Dhe se çdo eksperiencë në jetën tënde, vjen për të të formuar dhe për të të sjellë në versionin tënd më të mirë. E vetmja gjë që e pengon këtë, është të kesh zgjuarsinë për ta parë.

2- Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.

3- Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

4- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

5- Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.

6- Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.

7-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.

8- Një qytet i madh nuk duhet ngatërruar me një qytet të populluar.

9-Miku i vërtetë është një shpirt në dy trupa.

10- Të gjitha veprimet njerëzore kanë një ose më shumë prej këtyre shkaqeve: fati, natyra, detyrimi, zakoni, arsyeja, pasioni, dëshira.

11- Në më të mirën e tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; po të mos ishin ligji dhe drejtësia ai do të ishte kafsha më e keqe.

12- Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.

13- Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë.

14- Familja është shoqata e krijuar nga natyra për të siguruar nevojat e njeriut.

15- Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton.

16- Mirë është që në jetë ashtu si në gosti, të mos dalësh as i etur as i dehur.

17- Të këqijtë binden prej frikës, të mirët prej dashurisë

18- Droja është një stoli për të rinjtë, por një turp për të moçmit.

19- Trimëria është cilësia e parë njerëzore, sepse ajo është cilësia që i garanton të gjitha cilësitë e tjera.

20 -Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

21- Shkollimi është parapërgatitja më e mirë për pleqërinë.

22-  Ashtu si sytë e lakuriqëve janë të verbuar nga drita, për të njëjtën arsye edhe shpirtrat tanë janë të verbër përballë gjërave të cilat shihen më qartë se gjithçka.

23- Sikurse një dallëndyshe e vetme nuk sjell pranverë, sikurse si një ditë e vetme nuk sjell pranverë; ashtu një ditë, një kohë e shkurtër nuk e bën njeriun të bekuar e të lumtur.

24- Sikurse ne i duam sa të vërtetën aq edhe miqtë tanë, nderi na thotë që të parën ta respektojmë të vërtetën.

25- Lumturia varet nga ne.

26- Ai që ka shumë miq, nuk ka asnjë.

27- Ai që do të ishte një sundimtar i mirë, duhet së pari të ketë qenë i sunduar.

28- Ai që është i paaftë të jetojë në shoqëri, ose ai që nuk ka nevojë ngaqë i mjafton vetvetja, duhet të jetë ose një bishë, ose një perëndi.

29- Homeri i ka mësuar të gjithë poetët e tjerë artin e të treguarit të gënjeshtrave me zotësi.

30- Shpresa është një ëndërr që nuk fle.

31- E quaj më të zotin atë që i tejkalon dëshirat e tij se atë që i pushton armiqtë e tij; sepse fitorja më e vështirë është ndaj vetvetes.

32- Për të hartuar një fjalim njeriu duhet t’i studiojë tri pika: së pari, mjetet e arritjes së bindjes; së dyti, gjuha; së treti, organizimi i përshtatshëm i pjesëve të ndryshme të fjalimit.

33- Nga nëntë raste në dhjetë, gruaja shfaq më shumë dashuri sesa ndjen.

34- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

35- Është shenja e një mendje të ditur të jetë e aftë që ta mirëpresë një mendim pa u pajtuar me të.

36- Njeriu nga natyra është një kafshë politike.

37- Njerëzit veprojnë më shumë për shkak të frikës se për shkak të respektit.

38- Fatkeqësia i tregon ata që nuk janë miq të vërtetë.

39- Shumë njerëz parapëlqejnë të japin më shumë dashuri se të marrin.

40- Nënat janë më të dashura se etërit për fëmijët e tyre, sepse ato janë më të sigurta se ata janë të tyret.

41- Natyra nuk bën asgjë kot.

42- Asnjë shpirt i shkëlqyer nuk është i përjashtuar nga përzierja me çmendurinë. Nuk ka ekzistuar kurrë një gjeni i madh pa njëfarë çmendurie.

43- Bukuria vetjake është rekomandimi më i madh se çdo letër reference.

44- Qëllimi i të mençurve është jo për të sjellë kënaqësi, por për të shmangur dhimbjen.

45- I ditur ndryshon nga i padituri sa i gjalli nga i vdekuri.

46 – Rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por frutet janë të ëmbla.

47- Sekreti i humorit është befasia.

48- Shpirti nuk mendon kurrë pa një përfytyrim.

49- Ato që i di, bëji. Ato që nuk e kupton, mësoji.

50- Ne bëjmë luftë që të jetojmë në paqe./ KultPlus.com

Konfirmohet ardhja e delegacionit të NATO’s, takime me Osmanin dhe Kurtin 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vijë në Kosovë më 11 mars, ka bërë të ditur zyrtarisht NATO.

Ai do të vijë në Prishtinë bashkë me zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, me të cilën do të do të vizitojnë KFOR-in dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

Rutte do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për diskutime dypalëshe.

Me Osmanin, ai do të mbajë një konferencë të përbashkët për media nga ora 14:50.

Përveç krerëve kosovarë, Rutte së bashku me ambasadorët nga partnerët kontribuues të trupave të KFOR-it do të zhvillojnë takim edhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani dhe drejtorin e NALT-it, gjeneral brigade Christian Nawrat, si dhe do të kenë mundësinë të angazhohen me personelin e KFOR dhe NALT.

“Ata gjithashtu do të kenë një shkëmbim me shefat e misionit të Bashkimit Europian, ambasadorin Aivo Orav dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Gjeneral Major Giovanni Barbano, Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Shefen e Misionit të UNMIK-ut, znj. Caroline Ziadeh dhe ushtruesen e detyrës së Shefes së Misionit të OSBE-së, znj. Cornelia Taylor”, thuhet në komunikatën e NATO-s.

Rutte do të vijë në Kosovë pas qëndrimit në Bosnje e Hercegovinë./ KultPlus.com

Kurti pret në takim koordinatoren e OKB-së në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot Koordinatoren e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, me të cilën diskutoi mbi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qeveritare dhe agjencive të OKB-së.

Siç njoftoi Zyra e Kryeministrit, Kurti vlerësoi kontributin e OKB-së në zhvillimin e vendit dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj parimit “që askënd mos ta lëmë prapa, duke vendosur drejtësinë sociale në qendër të politikave shtetërore”.

“Në takim u diskutua edhe mbi rëndësinë e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar domosdoshmërinë e trajtimit të kësaj çështjeje si krim lufte dhe detyrimin për të garantuar mbështetje të vazhdueshme institucionale për të mbijetuarat. Po ashtu, u trajtua çështja e verifikimit të diplomave, ku Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zgjatjen e mandatit të Komisionit për këtë proces të rëndësishëm, duke siguruar që çdo qytetar të ketë mundësinë e barabartë për të ushtruar të drejtat e tij akademike dhe profesionale”, thuhet në komunikatë.

Ata diskutuan gjithashtu mbi rëndësinë e digjitalizimit për rritjen e transparencës dhe efikasitetit në administratën publike në çdo cep të vendit që konsiderohet prioritet i Qeverisë së Kosovës në rrugën e modernizimit të institucioneve shtetërore.

Qeveria e Kosovës tha se ka mundësuar mekanizma ligjorë për bashkëpunimin e rregulluar dhe efektiv me agjencitë e OKB-së në vend, duke thelluar partneritetin në fusha me rëndësi strategjike për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve./ KultPlus.com

‘Kush hap një shkollë, mbyll një burg’

Sot shënohet 138 vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe, e cila u hap në vitin 1887 në Korçë, në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane, shkruan KultPlus.

Arsimi është arma më e fuqishme dhe e vetmja rrugë drejt zhvillimit të shoqërisë

Sot për nder të ditës së mësuesit, KultPlus ju sjell thënien e njohur të shkrimtarit të njohur francez, Viktor Hygo.

‘Kush hap një shkollë, mbyll një burg’ / KultPlus.com

Fotografi e rrallë nga shkolla e parë shqipe në Korçë

Sot janë bërë plot 138 vjet që nga dita kur në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, ditë që përmbushi aspiratat e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare, shkruan KultPlus.

Data 7 mars 1887 shënon ditën kur në Korçë u krijua shkolla e parë zyrtare shqipe. Shkolla ishte në qendër të qytetit dhe mblodhi shumë studentë, djem dhe vajza. KultPlus ju sjellë një fotografi nga nxënësit dhe mësimdhënësit e asaj kohë që shijuan ditët e para të mësimit në këtë shkollë.

Mësuesit e parë të kësaj shkolle ishin: Pandeli Sotiri, Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Janko Minxha, Nuçi Naçi, Thanas Nona, Hafiz Ali Korça, Kristaq Vaja dhe Nikollaq Zografi.

Mësuesi dhe drejtoru i parë i saj – Pandeli Sotiri, e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës.

Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta.

Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. / KultPlus.com

Ditën kur vodha orën e shokut mësuesi nuk më turpëroi, por më dha mësimin më të madh të jetës

Sot, KultPlus sjell një rrëfim tejet emocionues që tregon rëndësinë dhe vlerën e madhe të mësuesit.

Një zotëri i ri në moshë takon një të moshuar.

– A më mbani mënd?

– Jo.

– Kam qenë nxënësi juaj.

– Çfarë bëni; Me çfarë merreni?

-U bëra dhe unë mësues, ia kthen djaloshi.

-Si e sheh veten, je i mirë në punën që bën?

-E vërteta është se po. Ju më frymëzuat dhe doja t’ju ngjaj.

I çuditur zotëria i moshuar, pyet të mësojë se çfarë ishte ajo që i mbeti në mëndje dhe e frymëzoi kaq shumë saqë donte të bëhej dhe ai mësues. Dhe ish nxënësi i tij i shpjegoi historinë e mëposhtme.

-Një ditë një shok klase- që ishte dhe shoku im i ngushtë, erdhi në klasë dhe më tregoi një orë të re shumë të bukur. Nuk i rezistova dot tundimit dhe në një çast ia vodha orën. Pas pak, kuptoi se ora mungonte nga xhepi i tij dhe menjëherë lajmëroi mësuesin që jepte mësim në atë orë në klasë, dhe ishit ju.

Ju, pra, iu drejtuat klasës dhe thatë:

-Ora e një shokut tuaj të klasës u vodh gjatë mësimit. Kushdo që e ka vjedhur, i lutem ta kthej menjëherë.

-Më erdhi kaq shumë turp nga ideja e poshtërimit para klasës, saqë nuk guxova të zbulohesha. Pastaj ju mbyllët derën, na the të gjithëve të qëndrojmë në këmbë dhe se do kontrolloje të gjithë xhepat tanë derisa ta gjeje. Por vurët një kusht: se të gjithë ne duhet të lidhnim sytë për të mos parë fajtorin. Dhe kështu ndodhi. Kur arritët tek mua, e gjetët në xhepin tim dhe e morët. Por, ju vazhduat kërkimin dhe në xhepat e të tjerëve dhe kur mbaruat, na the:” tani mundeni ti hapni sytë, ora u gjend.” Nuk e zbuluat kurrë emrin tim para klasës dhe as nuk ma përmende kurrë këtë ndodhi. Prisja të më injoronit, të më poshtëronit, të më përjashtonit, por asgjë nga këto nuk ndodhi. Atë ditë shpëtuat dinjitetin tim përgjithmonë. Ajo ditë ishte dita më e turpshme e gjithë jetës time dhe me mënyrën tuaj më dhatë një mësim. E kujtuat ngjarjen z. Mësues?

-Po, duke të dëgjuar, i kujtova të gjitha. Por ekziston diçka që nuk më kujtohet dhe ajo je ti, sepse edhe unë i kisha sytë të mbyllur kur po i kontrolloja të gjithëve!!

Morali: Nëse duhet të poshtërosh dikë para syve të të gjithë shokëve të tij të klasës për ta dënuar, atëherë vetëm mësues nuk quhesh, thjesht, nuk je. Të tillë mësues kanë prekur shpirtëra dhe mbeten në zemrat dhe kujtesën e nxënësve.

Shqipëruar nga M. Sota

Foto e Robert Doisneau, L’information scolaire, Paris 1956./ KultPlus.com

Letra emocionuese që Abraham Lincoln i dërgoi mësuesit të djalit të tij

E cili prind, sot nuk do të kishte dashur t’i drejtohej mësuesit të fëmijës së tij, ashtu si Abraham Lincoln mësuesit të të birit. Prandaj, meqë sot është dita e parë e vitit të ri shkollor, kjo letër ia vlen të lexohet sërish, të paktën nga prindërit dhe mësuesit.

Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln, e dinte vlerën e dijes dhe të mësuarit në jetë. Për këtë, ai kishte vendosur që mësuesit të djalit të tij, t’i shkruante në formë përkujtimi rreth mënyrës se si duhet trajtuar një fëmijë i vogël. Lincoln i kishte renditur mësuesit të djalit të tij, pikërisht në ditën e parë të shkollës, një sërë arsyesh e mësimesh të arta të cilat dëshironte që djali i tij t’i mësonte nga mësuesi.

Lexoni më poshtë letrën e Abraham Lincoln të shkruar në vitin 1830:

Mësues i nderuar,

Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e çuditshme dhe e re, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht.

Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.

Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.

Për këtë, i dashur Mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë – por butësisht, nëse mundeni.

Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

Atij do t‘i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur – si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.

Mësojeni se mund të ketë dështim të ndershëm dhe fitore të turpshme.

Mësojeni t’i përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër.

Mësojeni të këtë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do t`i thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t`i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshitë të gjithë atë që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij sesi të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajën për të qenë i padurueshëm. Lejoheni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në zotin. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë. Dhe është biri im”.

Me respekt,

Abraham Lincoln /KultPlus.com

Historia e panjohur e Ferid Jegenit, mësuesit patriot që hapi shkollat e para në Dibër

Tashmë është bërë publike historia e panjohur të Ferid Tofik Jegenit me origjinë nga Dibra e Madhe, i cili pasi morri mësimet e para në qytetin e lindjes dhe më pas në Selanik, bashkë me shumë djem dibranë vazhdoi studimet në kryeqëndrën e Perandorisë osmane në Stamboll, duke ndjekur Fakultetin e Shkencave Ekzakte (Dega Matematikë), por u detyrua t‘i ndërpresë ato, pasi në atë kohë filluan trazirat e luftës ballkanike dhe familja u detyrua ta tërhiqte Feridin në Dibër, ku dhe nisi punën si sekretar krahinor në Komunën e Maqellarës, punë të cilën ai e vazhdoi deri në vitin 1915, ku bashkëpunoi ngushtë me këshillat e pleqve dhe popullin e asaj treve dhe me ndihmën e tyre u ndërtuan privatisht e u hapën 7 shkolla shqipe në fshatrat: Trebisht, Ostren i Vogël, Borovë, Klenjë, Stërblevë, Lejcan, Lladomiricë.

Kur Feridi punonte në krahinën e Gollobordës, në zbatim të vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit 1913, pas nëntë vitesh po përcaktohej në terren kufiri lindor i vendit tonë me Jugosllavinë, i caktuar që më 1913-ën, nga Traktati famëkeq i Londrës, nga një komision i ngritur për këtë qëllim. Në atë kohë, falë edhe gjuhëve të huaja që zotëronte, Feridi u thërrit si konsulent pranë atij komisioni, ku shërbeu disa muaj. Me punën e tij ai ndikoi shumë në vendimet e atij komisioni për vendosjen e vijës së kufirit, duke vërtetuar se të gjitha fshatrat e asaj zone, flisnin gjuhën shqipe.

Pasi Ferdi shërbeu edhe si drejtor i shkollës dhe i konviktit në fshatin Kastriot në Peshkopi, ai u transferua në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, me motivacionin; “Për ide të shkëlqyera në fushën e arsimit dhe për rolin e shkollës në një shoqëri të qytetëruar”. Por edhe pse Ferid Jegeni punoi me një përkushtim të rrallë për disa dekada në përhapjen e arsimit shqip, gjatë viteve të regjimit komunist, puna dhe kontributi i tij u la në harresë, duke mos i’u dhënë vendi që i takonte.

Ferid Jegeni, mësuesi që hapi shkollat e para në Dibër;

Një ndër ata mijëra mësues të armatës së madhe të arsimtarëve shqiptarë, të cilët i’a kushtuan të gjithë jetën e tyre përhapjes së gjuhës shqipe dhe çështjes kombëtare, pa dyshim që mbetet edhe Ferid Jegeni. Një intelektual i njohur me origjinë nga Dibra e Madhe, puna dhe kontributi i të cilit, u la në harresë gjatë viteve të periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nisur nga ky fakt, në shenjë homazhi dhe nderimi, Memorie.al po e kujton këtë misionar të shquar të arsimit shqip, duke sjellë në këtë shkrim një histori të shkurtër të jetës dhe punës së tij, kryesisht në lëmin e arsimit.

Shkollimi në Manastir, Selanik e Stamboll;

Sipas dëshmive dhe kujtimeve të disa prej pinjollëve të familjes së njohur Jegeni nga rrethi i Dibrës dhe të afërmve të tyre, Ferid Jegeni, i cili ishte djali i madh i patriotit të njohur, Tofik Jegeni, u lind në Dibër të Madhe, më 20 shtator të vitit 1893. Ata kujtojnë se Feridi vinte mesatar nga shtati, por kish një trup të lidhur, me sy depërtues dhe që shquhej jo vetëm për edukatën në të sjellur, por edhe për inteligjencën, gjë e cila shumë shpejt tërhoqi vëmendjen e mësuesve dhe shokëve të shkollës. Mësimet e para Feridi, i mori në qytetin e tij të lindjes, në Dibër të Madhe, ku dhe mbaroi me rezultate të larta shkollën qytetare, drejtor i së cilës në atë kohë ishte Abdyl efendi Tirana (Balla).

Nën drejtimin e të atit, Tofikut, bashkë me shumë djem të tjerë dibranë, Feridi mori mësimet e para në gjuhën shqipe me alfabetin e Stambollit. Mësimet e para në qytetin e lindjes, i mbaroi shkëlqyeshëm, duke u shpallur nxënësi më i mirë, dhe si shenjë stimulimi, nga drejtuesit e shkollës atij i dhuruan një orë prej floriri. Pasi mbaroi shkollën qytetëse në Manastir, Feridi, vazhdoi shkollën e mesme në qytetin e Selanikut në Greqi, ku ai u dallua në përvetësimin e gjuhëve të huaja. Si rezultat, në mbarimin e shkollës në Selanik, ai zotëronte shkëlqyeshëm turqishten, frëngjishten, arabishten dhe persishten. Pas kësaj ai ndoqi mësimet në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, në Stamboll, duke studiuar për shkencat ekzakte (në matematikë), por u detyrua t‘i ndërpresë ato, pasi në atë kohë filluan trazirat e luftës ballkanike. Si rezultat i atyre ngjarjeve, familja u detyrua ta tërhiqte Feridin në Dibër, ku dhe nisi punën si sekretar krahinor në Komunën e Maqellarës, punë të cilën ai e vazhdoi deri në vitin 1915.

Hap shkollat në Zerqan;

Në atë periudhë kohe që Feridi shërbente si nëpunës në Komunën e Maqellarës, jashtë detyrës shtetërore, në mënyrë vullnetare, ai u mësonte të rinjve gjuhën shqipe. Por gjatë asaj kohe Feridin e brente lënia për gjysmë e shkollës në Stamboll dhe nisur nga ky fakt, ai i’u përvesh punës duke bërë të mundur që në vitin 1920, të jepte provimet dhe të merrte dëshminë e aftësisë për të dhënë mësim në shkollat e mesme të vendit. Pas kësaj, po atë vit, Feridi nisi detyrën e mësuesit në fshatin Patin të nënprefekturës së Matit.

Në dhjetor të vitit 1922, ai u emërua krahinar (kryetar komune), në trevën e Gollobordës. Sipas dëshmive të familjarëve të tij, Feridi, kujtonte shpesh se ajo periudhë kohe, kishte qenë vendimtare në përcaktimin e synimeve të tij, për t‘ju kushtuar përhapjes së gjuhës shqipe dhe mjaft problemeve të tjera që kishin të bënin me ç’ështjen kombëtare. Kjo është dhe periudha kur ai punoi intensivisht, me të gjitha fuqitë fizike e morale, për përhapjen e dijes e të kulturës në trevën e Dibrës. Në janar të vitit 1923, Feridi i bëri një kërkesë Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku argumenton domosdoshmërinë e hapjes së shkollave shqipe në nënprefekturën e Zerqanit, krahinë e cila historikisht kishte qenë arsimdashëse dhe kishte nxjerrë jo pak figura të shquara, por që në atë kohë ishte lënë në harresë.

Kërkesa e Feridit u pranua menjëherë nga Ministria e Arsimit dhe me miratimin e saj ai nis punën për të realizuar qëllimin që i kishte vënë vetes. Për këtë gjë, Feridi bashkëpunoi ngushtë me këshillat e pleqve dhe popullin e asaj treve. Me ndihmën e tyre u ndërtuan privatisht dhe u hapën 7 shkolla shqipe në fshatrat: Trebisht, Ostren i Vogël, Borovë, Klenjë, Stërblevë, Lejcan, Lladomiricë. Mirëpo, edhe pse u bë e mundur hapja e shkollave në këto fshatra të thellë, Feridi nuk e quante të përfunduar misionin e tij dhe qëllimin që i kishte vënë vetes, pasi mungonin mësuesit që do të jepnin mësim në ato shkolla. Nisur nga ky fakt, Feridi, nis të përgatisë vetë kuadrin mësues, duke udhëtuar fshat më fshat, në një reliev malor dhe kushte klimaterike të ashpra, duke organizuar kurse për përgatitjen e mësuesve të rinj.

Funksionar në Ministrinë e Arsimit;

Në vitin 1924, Feridi krijon familje duke u martuar me një vajzë të re në Dibër të Madhe, e cila quhej Menduka Pustina, e bija e Ali Pustinës, nga familjet më të dëgjuara të Dibrës, mbesa e Nuredin Pustinës, dy personalitete, shoqërore e politike mjaft të njohura të asaj kohe. Ali Pustina ra heroikisht më 1914-ën, në luftë kundër pushtuesit serb, në zonën e Gollobordës. Sipas dokumenteve që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, (kutia nr.2, dosja 28, fleta 323, viti 1923), bëhet e ditur se Ferid Jegeni, ka shërbyer edhe si drejtor i shkollës dhe i konviktit në fshatin Kastriot në Peshkopi, duke qenë kështu i pari drejtor i emëruar i asaj shkolle të famshme, me mjaft emër jo vetëm në Qarkun e Dibrës, por edhe më gjerë.

Gjatë asaj periudhe që ai shërbeu pranë asaj shkolle, nuk mungojnë përpjekjet e jashtëzakonshme të Feridit për ta vënë punën në shkollë mbi baza shkencore dhe për të organizuar e sistemuar konviktin, i cili ishte i pari në atë trevë. Pas pesë viteve që shërbeu ai, në vitin 1928, Feridi transferohet në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, me motivacionin; për ide të shkëlqyera në fushën e arsimit dhe për rolin e shkollës në një shoqëri të qytetëruar. Feridi u përpoq dhe punoi me një përkushtim të rrallë, për një zhvillim të arsimit shqiptar mbi baza ligjore, shkencore e pedagogjike.

Largimi nga Ministria e Arsimit, si person “non grata”;

Sipas dëshmive të familjarëve të tij, si një atdhetar dhe nacionalist i vendosur në çështjen kombëtare, në një kohë kur në arsimin dhe kulturën shqiptare kishin hyrë ideologji të huaja (ndikimi i metodave fashiste italiane), të rrezikshme dhe me pasoja për fatet e Shqipërisë, Ferid Jegeni, do të kundërshtonte, madje nuk do të lejonte ndërhyrjet imponuese në punën e arsimit shqiptar. Pikërisht për këtë qëndrim më 1938-ën, kur ishte funksionar në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, në moshën 45-vjeçare, e nxjerrin në pension, si person “non grata”.

Pas kësaj, Feridi kthehet në vendlindjen e tij tepër i zhgënjyer, dhe për të mposhtur dhimbjen e njëkohësisht dhe pafuqinë e vet, fillon të merret me mbarështrimin e çifligut të familjes, në Sokolliq të Dibrës së Madhe. Atë punë ai e bënte bashkë me të vëllain, Musa Jegenin.

Ndihmon në shkollimin e të rinjve dibranë;

Gjatë periudhës kur Feridi punonte në Ministrinë e Arsimit, ku ai mbulonte edhe sektorin e bursave, ai bëri një përpjekje të madhe për t‘ju akorduar bursa shtetërore, mjaft fëmijëve dhe nxënësve dibranë dhe atyre të viseve të ndryshme të Kosovës. Kështu, gjatë asaj kohe shumë nxënësve nga trevat e Kosovës e të Dibrës, i’u dhanë bursa për të ndjekur shkollat e mesme dhe të larta, jo vetëm në shkollat, liceun pedagogjik dhe tregtar, apo në gjimnazin ushtarak dhe në shkollën Mbretërore Ushtarake në Tiranë e në qytetet kryesore të vendit, por edhe jashtë shtetit.

Në këtë periudhë, shumë djem dhe vajza dibrane u arsimuan me përkrahjen e Feridit, madje edhe të të vëllait të tij më të vogël, Isa Jegenit, i cili në atë kohë, ishte funksionar në Drejtorinë e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë. Vëllezërit Jegeni, që arsimimin e shihnin si një domosdoshmëri për mëvetësinë dhe përparimin e atdheut të tyre, pa shkelur parimin që t’u jepnin bursa nxënësve me nota shumë të mira dhe që ekonomikisht nuk kishin të ardhura financiare, mundoheshin të përkrahnin këta të fundit, të bindur se të pasurit do të mund t‘i mbanin fëmijët e tyre në shkollë me mundësitë e veta, e në këtë mënyrë rritej numri i të shkolluarve.

Feridi bënte punë agjitative dhe i nxiste familjet e të varfërve që të mos i pengonin fëmijët e tyre për të vazhduar shkollën. Madje, në shumë raste ua shkruante vetë kërkesat nxënësve. Një plejadë e tërë intelektualësh nga treva e Dibrës, jashtë dhe brenda kufirit, mbaruan shkollat e mesme dhe të larta, në sajë të kujdesit e ndihmës së madhe të Ferid dhe Isa Jegenit. Kështu vazhduan liceun e Korçës; Nazmi Uruçi, Akil Sakiqi, Muntaz Kodra e të tjerë djem dibranë, që më vunë u bënë kuadro të larta të shtetit shqiptar.

Në Shkollën Tregtare të Vlorës, studionin Xhevat Pustina, Remzi Verzivolli, Remzi Pustina etj. Në shkollën teknike “Harry Fultz”, Tiranë, studiuan Irfan Tërshana, Dali Ndreu etj. Po kështu, vëllezërit Jegeni kanë ndihmuar për të studiuar jashtë shtetit për shkencat mjekësore edhe Hiqmet Menzelnxhiun (Dibra), Abdulla Pashollin, Urfi Agollin, Shefqet Ndroqin etj., të cilët në specialitetet e tyre u bënë figura të shquara në mbarë vendin.

Kontributi i Jegenit, s‘u vlerësua nga regjimi komunist!

Por edhe pse Ferid Jegeni punoi me një përkushtim të rrallë për disa dekada në përhapjen e arsimit shqip, gjatë viteve të regjimit komunist, puna dhe kontributi i tij u la në harresë, duke mos i’u dhënë vendi që i takonte. Edhe pse në arkivat e shtetit shqiptar gjenden mjaft dokumente me relacionet e bërë kundër tij nga ana e legatës italiane, në periudhën kur Feridi punonte si drejtor drejtorie në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, atij nuk i’u dha kurrë pensioni patriotik.

Madje, jo vetëm kaq, por veprimtaria e tij në fushën e arsimit shkollor, ku qe jo vetëm mësues i nderuar e drejtues shkolle, por edhe drejtor drejtorie në Ministrinë e Arsimit deri në vitin 1938, nuk u përmend as nga shkruesit e historisë së arsimit në Shqipëri. Në muajin nëntor të vitit 1963, i harruar krejtësisht nga shteti të cilit ai i shërbeu për dekada me radhë, Ferid Jegeni ndërroi jetë, pa marrë edhe pensionin që i takonte. Vetëm pas viteve ‘90-të, me propozimin e Ministrisë së Arsimit, Presidenti i Republikës, Sali Berisha, me dekretin nr.642, datë 3.9.1993, i dha titullin “Mësues i Merituar”.

Jeta dhe puna e mësues Feridit në kujtimet e nxënësve të tij;

“Ai ishte një misionar i vërtetë i arsimit shqip”

Sipas Vesel Pitarkës dhe Nefail Pustinës, ish-nxënës të shkollës qytetase të Kastriotit, Peshkopi, (shkollë ku kishte dhënë mësim Feridi), të cilët më vonë do të vazhdonin shkollën ushtarake në Tiranë, me ndërhyrjen e vëllezërve Jegeni, ata u dërguan për të studiuar në Itali. Përkatësisht për ‘Roje Finance’ dhe Inxhinieri, ‘Xhenier ushtarak’. Pas studimeve në Itali, Pitarka me Pustinën u kthyen në Shqipëri, ku patën një karrierë të shkëlqyer në fushat e tyre. Këta ish-nxënës të Ferid Jegenit, së bashku me shokët e tyre: Miftar Jegeni, Ahmet Jegeni dhe Hajri Jegeni, vite më vonë do të kujtonin: “Shkolla dhe konvikti “Dibra” në Kastriot të Peshkopisë, qenë ndër më të mirat e shkollave të vendit. Ferid Jegeni në atë kohë ishte drejtor i shkollës dhe i konviktit, i cili i rrinte mbi kokë vetë çdo pune. Flinte apo nuk flinte 4-5 orë gjumë në 24 orë, por ishte energjik dhe i papërtuar. Përveç kujdesit për përparim në mësime të nxënësve, ai u mësonte atyre të bënin një jetë të kulturuar, në çdo aspekt”. Një tjetër ish-nxënës i Feridit, Ruzhdi Shehu, oficer-akademist, kujton: “Ferid Jegeni atdhetarizmin e vet e manifestonte edhe në fushën fetare. Ai na i përkthente lutjet fetare nga arabishtja në shqip, që ne të luteshim në gjuhën tonë të bukur. Ai, kishte një shije të hollë, fjalë pak, por fjala e tij ishte për të gjithë bindëse. Ai, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ishte një misionar i arsimit shqiptar, me zemër të madhe, fisnik, mësues i denjë dhe patriot i ndershëm.

Historia e Feridit me Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, që e bindi komisionin që t‘i linte fshatrat shqiptarë këtej kufirit

Ndërkohë që Feridi punonte në krahinën e Gollobordës, në zbatim të vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit 1913, pas plot nëntë vitesh po përcaktohej në terren kufiri lindor i vendit tonë me Jugosllavinë, i caktuar që më 1913-ën, nga Traktati famëkeq i Londrës, nga një komision i ngritur për këtë qëllim. Në atë kohë, falë edhe gjuhëve të huaja që zotëronte, Feridi u thërrit si konsulent pranë atij komisioni, ku shërbeu disa muaj me radhë. Me punën e tij ai ndikoi shumë në vendimet e atij komisioni për vendosjen e vijës së kufirit, duke vërtetuar se të gjitha fshatrat e asaj zone, flisnin  gjuhën shqipe.

Jo vetëm familjarët e Ferid Jegenit, por edhe mjaft të moshuar të atyre zonave ku ai bashkëpunoi ngushtë me përfaqësuesit e huaj të kontrollit dhe ndarjes së kufijve, e mbajnë mend dhe tregojnë akoma në bisedat e tyre rreth odave dibrane, një histori të largët të ndodhur në ato anë kur ndahej kufiri. Ata tregojnë se si Feridi arriti të bindë Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, vetëm me anën e një manovrimi: Ai nxori nga xhepi një qese me para të vogla metalike (korona), dhe i’a dha një mësuesi në oborrin e një shkolle, duke e këshilluar t‘ua hidhte fëmijëve kur ata të dilnin në pushim.

Në prani të përfaqësuesve të Komisionit të Kontrollit të Kufijve, mësuesi dibran veproi ashtu si e porositi Feridi dhe menjëherë të gjithë fëmijët u hodhën për të marrë monedhat, duke thërritur: “Mora kaq, mora aq”. Bile nisën edhe të grinden. “Ma more p’i dore”, “Të marrtë drejqi” etj. Në këto çaste, Feridi u kthehet maqedonasve dhe u thotë: “Hë…, si flasin këtu fëmijët”?! Ata ngelën dhe deshën s‘deshën, thanë: “shqip”. Kështu, falë këtij manovrimi të Feridit, disa fshatra, si: Gjinovec, mali i Gjinovecit (1616 m. mbi nivelin e detit), mali i Raducit, fshati Vernica, Trebishti dhe të tjera, mbetën brenda kufirit tonë shtetëror. Madje, po të shikohet me vëmendje vija kufitare e atij sektori, pasi kufiri kalon nëpër kreshtën e masivit malor të Jabllanicës, në zonën që përshkruam më lart, ajo pëson një kurbim pikërisht te fshatrat dhe malet që treguam më sipër.

Për këtë histori kanë dëshmuar para disa vjetësh edhe Rasim Mata dhe i vëllai i tij, të cilët kishin qenë nxënës në shkollën kur ndodhi ajo histori që përshkruam më lart. Po kështu, lidhur me këtë ngjarje, ka dëshmuar edhe Ali Erebara, jurist dhe anëtar i atij komisioni. Kur është pyetur z. Ali Erebara për atë ngjarje, ai është shprehur: “Unë atë gjest që bani Feridi nuk kam me e harrue kurrë, nuk e ka ba njeri deri më sot. Por ai, Feridi ka shumë merita, sidomos në përhapjen e arsimit në atë zonë. Për këtë ka dokumente në arkiv, sepse çdo gjë është shënuar në procesverbalin e përcaktimit të kufijve”./Memorie.al/ KultPlus.com

Fjalët e fuqishme të mësuesit që motivuan studentët e tij

Dikur një mësues la takim me disa nga nxënësit e tij të mëparshëm për të mësuar se si po ia çonin ata me jetën e tyre, ai kishte kohë pa i takuar ata dhe mendoi se duhet t’i takonte për të folur mbi jetën.

I pari tha se nuk po ia çonte dhe aq mirë, sepse po haste nëpër vështirësi për t’u ngritur në pozitë në punën që bënte.
I dyti tha se një miku i tij kishte blerë një makinë të mirë, ndërsa ai ndihej keq që nuk kishte të ardhura të blinte edhe vetë një makinë të tillë.
Ndërsa në karrigen tjetër ishte ulur një vajzë, e cila u shpreh se dëshironte të ndiqte një master shkencor në administrim biznesi në mënyrë që njerëzit ta merrnin më seriozisht kur kërkonte punë, por nuk ia kishte dalë dot mbanë.

Pastaj profesori ia ktheu: “Dukeni të gjithë të stresuar. Si thoni sikur të bëjmë pak pushim, të marrim disa kafe dhe ta vazhdojmë diskutimin tonë?”.

Nxënësit e tij ranë dakord dhe ai solli në tavolinë kafenë dhe disa filxhanë çaji. Disa ishin të thjeshtë, ndërsa disa të tjerë më të bukur.

Nxënësit zgjodhën tri filxhanët e mëdhenj dhe të bukur.

Mësuesi e vuri re këtë gjë dhe u tha: “Ju të tre zgjodhët filxhanët më të bukur dhe më të shtrenjtë, duke i lënë mënjanë filxhanët e thjeshtë.

Është normale për ju të kërkoni më të mirën për veten tuaj, si dhe zgjidhjen më të mirë për problemet dhe streset tuaja.

Mirëpo, duhet të kuptonit diçka.
Ju dëshironit kafenë, jo bukurinë e filxhanit dhe një filxhan i bukur nuk ia shton gjë shijen kafesë.
Por vëmendja juaj u drejtua drejt bukurisë së jashtme, në vend të kuptimit të brendshëm.

Jeta është si një kafe. Puna, paratë dhe pozita jonë në shoqëri përfaqësohen nga filxhanët. Këto janë thjesht përbërës, tek të cilët ne bazohemi për të jetuar jetën tonë.

Mirëpo cilësia e filxhanit nuk e ndryshon dhe as e përcakton cilësinë e jetës që ne jetojmë. Ndonjëherë ne përqendrohemi kaq shumë tek puna, paratë dhe pozita jonë në shoqëri, saqë harrojmë se çfarë ka më tepër rëndësi: Harrojmë esencën, kafenë. Pra, harrojmë të jetojmë jetën.

Duhet të mbajmë në mendje gjithmonë se njerëzit e suksesshëm jo gjithmonë janë të lumtur, por njerëzit e lumtur janë gjithmonë të suksesshëm. / KultPlus.com

“Ti e shpërblen mësuesin keq nëse mbetesh përjetë nxënës”

“Sa më lart që ngjitemi, aq më të vegjël u dukemi atyre që nuk mund të fluturojnë”

“Unë jam një pyll dhe një natë pemësh të errëta: por ai që nuk ka frikë nga errësira ime, do të gjejë grumbuj me trëndafila nën selvitë e mia”.

“Duhet të jesh gati që të digjesh në flakën tënde; si mund të ringrihesh, nëse nuk je bërë më parë hi”?

“Heshtja është më keq, të gjithë të vërtetat që mbahen të heshtura bëhen helmuese”.

“Njeriu i vetmuar ia shtrin dorën shumë shpejt, kujtdo që takon”.

“Ti e shpërblen mësuesin shumë keq, nëse mbetesh përjetë një nxënës”.

“Ka më shumë urtësi në trupin tënd, se sa në filozofinë tënde më të thellë”.

“Dhe një herë që zgjohesh, do të mbetesh zgjuar përjetësisht”.

“Por armiku më i keq që mund të takosh do të jetë gjithmonë vetja jote; ti rri në pritje për veten tënde, në shpella dhe pyje. I vetmuar, ti do të shkosh rrugës drejt vetes tënde! dhe rruga jote kalon nga vetja jote, dhe përtej shtatë djajve të tu! Ti do të jesh një heretik për veten tënde dhe shtrigan dhe fallxhor dhe budalla dhe dyshues dhe mëkatar dhe i lig. Duhet të jesh gati të djegësh veten tënde në flakën tënde: si mund të bëhesh i ri, nëse nuk bëhesh më parë hi?”

“Por me njeriun është njësoj si me pemën. Sa më shumë që kërkon të ngrihet lart dhe drejt dritës, aq më shumë rrënjët e tij e tërheqin poshtë, në tokë, drejt errësirës, thellësisë – të keqes”.

“Duhet të jesh një det, që të presësh një rrëke të ndotur e të mos bëhesh pis”.

“Ai që ngjitet në malet më të larta, qesh me të gjithë tragjeditë, të vërteta dhe të pavërteta”.

“Nga të gjithë gjërat që janë shkruar, më pëlqejnë ato që njeriu i ka shkruar me gjakun e vet” /KultPlus.com

Pasi fitoi çmimin Nobel, Albert Camus shkroi një letër të mrekullueshme për mësuesin e fëmijërisë

Një nga shembujt më të bukur të kësaj mirënjohjeje vjen nga Albert Camus, njeriu me dhuntinë e miqësive të rralla, që e kaloi jetën duke mësuar si të jetonte me një qëllim dhe duke kërkuar kuptimin e lumturisë dhe dashurisë.

Kur Camus nuk ishte as një vjeç, i ati u vra në betejë gjatë LIB. Ai dhe i vëllai u rritën nga një mama analfabete, pothuajse e shurdhër dhe një gjyshe despotike, kushte ku nuk mund të pretendohej  një e ardhme e ndritur, por si provë e asaj që mund të ndodhë kur arsimi nxit potencialin më të mirë të një njeriu duke fisnikëruar shpirtin, një mësues, Louis Germaine, pa te Albert-i i ri diçka të veçantë dhe ndërmori detyrën për të nxjerrë një thelb të konsoliduar  dhe një qëllim nga ai djalë, detyra e çdo mentori të mirë. Nën krahët e mësuesit të tij, Camus i i hodhi poshtë letrat e errëta që i kishin ngecur në duar dhe filloi të shndërrohej në gjeniun e ardhshëm që të gjithë e njohim.

Tridhjetë vjet më vonë, Camus u bë njeriu i dytë më i ri në botë që kishte fituar çmimin Nobel, që iu dha për “seriozitetin e sinqertë” të punës së tij, që “ndriçon problemet e koshencës së njeriut.” Pak ditë pasi kishte marrë vlerësimin më të lartë të njerëzimit, Camus bëri të njohur ndikimin e mësuesit të tij në një letër të mahnitshme, që është përfshirë në faqet e fundit të librit të tij “The First Man”.

19 nëntor, 1957

I dashur Zoti Germain,

Po i lë emocionet e forta të këtyre ditëve të qetohen pak para se t’ju flas nga thellësia e zemrës sime. Mua, sapo më kanë dhënë një nderim shumë të madh, që as e kisha kërkuar dhe as isha përpjekur ta merrja, por kur e mora vesh lajmin, mendimi im i parë, pas mamasë sime, ishit ju. Pa ju, pa dorën plot dashuri që ju i zgjatët atij djali të vogël të varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tuaj, asgjë nga të gjitha këto, nuk do kishte ndodhur. Unë nuk para bëj shumë nga këto lloj falënderimesh, por të paktën ky më jep mundësinë t’ju tregoj çfarë keni qenë dhe çfarë ende jeni për mua dhe t’ju siguroj që përpjekjet tuaja, puna juaj dhe zemra bujare që vutë në të, jeton ende te një prej nxënësve të vegjël, i cili, pavarësisht që kanë kaluar shumë vite, nuk ka ndaluar kurrë së qeni nxënësi juaj mirënjohës. Ju përqafoj me gjithë zemrën time. KultPlus.com

Poezia e Naim Frashërit kushtuar hapjes së mësonjëtores shqipe në Korçë

Naim Frashëri

O vëllezër shqipëtarë
Gëzohi! që erth kjo ditë,
Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë
Që sjell gjithë mirësitë.

Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë!
Se arriti koh’ e mirë,
U gdhi nata u bë ditë

Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë! / KultPlus.com

Urimi i Presidentes Osmani për 7 Marsin – Ditën e Mësuesve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 7 marsin, duke u shprehur se themelimi i shkollës së parë shqipe në Korçë, është një akt i guximshëm i patriotëve tanë.

“Më 7 Mars kujtojmë themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887, një akt i guximshëm i patriotëve tanë, që e kuptuan se pa gjuhë dhe dije, nuk ka as komb të suksesshëm”, është shprehur Osmani.

Tutje, ajo është shprehur se shkolla është më shumë se një institucion mësimor – është fortesa ku ndërtohet e ardhmja. Mësuesit mbeten shtylla e shoqërisë dhe ata që formësojnë mendjet dhe zemrat e kombit.

“Në këtë ditë, nderojmë të gjithë mësuesit – ata që na mësuan shkronjat e para dhe ata që ende mësojnë brezat e rinj. Respekt, mirënjohje dhe përulësi para misionit të tyre fisnik!”, ka shtuar presidentja Osmani./KultPlus.com

Në datën 7 mars përkujtojmë ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe themelimin e Principatës Shqiptare

Vilhelm Vidi lindi në Noi Vid të Gjermanisë më 26 mars 1876 dhe ishte djali i dytë i princit Adolf Maksimilian Karl Vid. U martua me Sofinë, princeshë e Shënburg-Valdenburgut.

Në tetor 1913, Fuqitë e Mëdha i paraqitën Vidit propozimin për të marrë fronin shqiptar. Ai dha pëlqimin për këtë ofertë më 3 nëntor 1913. Një delegacion shqiptar i kryesuar nga Esad Pashë Toptani shkoi në Gjermani për t’i ofruar atij fronin në emër të shqiptarëve.

Më 7 mars 1914, Princ Vidi me oborrin e tij zbriti në Durrës. Ai nuk arriti të qëndronte gjatë në krye të fronit mbretëror shqiptar, për shkak të kryengritjes së shqiptarëve kundër tij si dhe fillimit të Luftës së Parë Botërore.

Më 3 shtator 1914, Princ Vidi u largua nga Shqipëria së bashku me familjen me anijen “Misurata”. Ai u angazhua si oficer i ushtrisë gjermane në këtë luftë. Pas përfundimit të luftës, së bashku me familjen e tij jetoi fillimisht në Tirol e më pas në Mynih. Më 1925 u vendos në Rumani në pronat e princeshës Sofia. Lidhur me Princ Vidin, Fan Noli ka shkruar: “Princ Vidi mund të kritikohet vetëm pse s’qe në gjendje të bënte mrekullira”.

Vilhelm Vid vdiq në Predeal të Rumanisë më 18 prill 1945. / KultPlus.com

Një natë

Poezi e shkruar nga Constantine P. Cavafy.

Dhoma ishte e varfër, e ndyrë,
fshehur mbi një tavernë të përdalë.
Nga dritarja dukej sokaku,
i ngushtë, i pisët. Nga poshtë
vinin zërat e ca punëtorëve
që luanin letra dhe gëzonin.
Atje, në atë shtrat të vrazhdë, të thjeshtë
kisha trupin e erosit, kisha buzët
epshare, bojëshegë të dehashpirtit –
shegë me një të tillë dehje, sa edhe tani
që shkruaj, pas kaq e kaq vitesh
në këtë shtëpi të vetmuar, dehem përsëri. / KultPlus.com

Eqrem Çabej: Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision, ju do të punoni për formimin e njeriut

Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.

Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejt për mësuesit.

Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut.

Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.

• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur.
• Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet.
• Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën.
• Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.
• Mos jini kategorikë.
• Gjithçka shikojeni me sy kritik.
• Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe.
• Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta
• Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.
• Mos bëni asnjë punë shkel e shko.
• Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.
• Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.
• Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.
• Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja më kryesore…. / KultPlus.com