Mbrëmja letrare organizuar nga URACult prezantoi kulturën shqiptare në Gjermani

2 Korrik, 2019 - 1:00 pm

Në prag të pushimeve verore, dashamirëve të fjalës së shkruar në metropolin buzë lumit Rhein, shoqata kulturore URACult ju dhuroi një mbrëmje letrare e cila u prit jashtëzakonisht mirë.

Sipas fjalëve të organizatorit, interesim i madh për pjesëmarrje në këtë mbrëmje letrare kishte edhe nga autorë të ndryshëm nga Gjermania dhe vendet fqinje. Kjo tregon se në diasporë është duke u rritur një gjeneratë e re autorësh shqiptarë, që ngadalë por sigurt, është duke e gjetur vendin e saj në hapësirën letrare të vendeve ku jetojnë.

Autorët e rijnë që lexuan në mbrëmjen e mbajtur në Köln, Jetë Zhitia dhe Driton Sadiku, në veprat e tyre trajtojnë tema të gjeneratës së cilës i takojnë, gjeneratë që është rritur në dy kultura dhe që  gjithnjë konfrontohet me pyetjen: Kush jam unë? Ku është vendi im? Në lexime emocionale të dy autorët trajtuan shtegtimin e tyre në dy kulturat me të gjitha anët pozitive dhe negative të tyre.

Emocionalitetin e përjetimeve të tyre shumë personale i përjetoi për së afërmi edhe publiku e në bisedat e zhvilluara me moderatoren pas leximeve, autorët shpaluan mendime interesante mbi shoqërinë shqiptare në vendlindje dhe diasporë. Përvojat dhe vrojtimet nga perspektiva e tyre si intelektual të rijnë ishin temë bisede edhe me publikun pas përfundimit të programit.

Në këtë mbrëmje autori Selajdin Gashi lexoi pjesë nga veprat e Azem Shkrelit, Ali Podrimjes dhe Ismail Kadaresë.

Mbrëmja u mbyll me një rrugëtim muzikor nëpër trojet shqiptare. Babë e bijë, Agron dhe Tringa Shala, ofruan një performancë të shkëlqyeshme me këngë të  zgjedhura nga Shqipëria e Jugut, Kosova, Maqedonia Veriore deri te Arbëreshët e Italisë. I larmishëm si programi, ishte edhe publiku i kësaj mbrëmjeje që përbëhej edhe nga mysafirë nacionalitetetesh të tjera. Ky është edhe qëllimi i shoqatës URACult që me këso organizimesh të mbledh edhe komunitetin joshqiptar në Gjermani për tu prezantuar atyre kulturën shqiptare. Në vitin në të cilin festohet pesë vjetori i themelimit, URACult vërtetoi edhe një herë nivelin e lartë të organizimit të ngjarjeve kulturore. / KultPlus.com

Të ngjajshme