“Vallëzimi tradicional shqip” i fëmijëve shqiptarë në New York

17 Qershor, 2022 - 2:28 pm

Shkolla Shqipe në Staten Island, New York e organizuar nga Shoqata Atdhetare Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini, nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare dhe mësimit të këngëve e valleve shqipe, po krijon një traditë të shkëlqyer të ruajtjes së identitetit kulturor e kombëtar të fëmijëve shqiptarë në mërgatën e Amerikës.

Mësueset e vallëzimit tradicional shqip, Hana Demiri dhe Nadia Hoxha, kanë rrëfyer për “Diellin” emocionet e rralla dhe ndjesinë e veçantë me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2021-2022.

KËRCIMI E VALLËZIMI SHQIP SI MUNDËSI E RUAJTJES SË TRASHËGIMISË KULTURORE SHQIPTARE

Na duket si ëndërr kjo kohë që ka kaluar, sepse gjithmonë e kemi pasur dëshirën që të shpërndajmë dashurinë tonë për Vallëzim e sidomos për folklorin shqiptar edhe me të tjerët. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajmë se sa të kënaqur jemi me progresin e fëmijëve dhe me dashurinë e sapo gjetur për vallëzim që shohim tek ata nxënës. Ne e duam secilin nxënës dhe mezi presim t’i shohim të përparojnë. Na vjen shumë mirë edhe që ato kanë një krenari dhe dëshirë që përmes kërcimit të ruajnë trashëgiminë kulturore shqiptare.

FËMIJËT DHE EMOCIONET E MAGJISHME…

Në fillim fëmijët kanë pasur turp të kërcejnë dhe të flasin gjuhën shqipe. Kur i kanë mësuar hapat e valleve, fytyrat e tyre shkëlqenin nga lumturia dhe nga krenaria që kanë arritur të bëjnë këtë gjë.

V

ALLE E MUZIKË NGA TREVAT SHQIPFOLËSE

Në vitin e ardhshëm kemi disa valle të tjera për fëmijët. Kemi dëshirë t’i familjarizojmë me të gjitha vallet shqipe. Unë dhe Nadia jemi nga Kraja por edhe fëmijët nga Ana e Malit dhe Ulqini njohin vetëm vallëzimet e tyre. Është me rëndësi që ti lidhim me shumë valle dhe në anë e tjera të Shqiptarisë, Kosovës etj, që të mos kufizohen vetëm në vallet e vendit nga ato janë. Kufijtë nuk mund të na ndajnë prej kulturës tonë, dhe shpresojmë që t’i bëjmë nxënësit ta kuptojnë këtë gjë duke mësuar valle të ndryshme shqiptare.

SHOQATA ATDHETARE KRAJA, ANA E MALIT DHE ULQINI, BASHKËPUNIM TË SHKËLQYER

Prindërit na kanë mbështetur gjatë karrierës sonë të vallëzimit me nxënësit. Kur vendosëm që do të bëheshim mësuese, ato ishin krenar që përdorëm aftësitë tona si valltarë për të mësuar të tjerët. Drejtuesit e Shoqatës Kraja, të Anës Malit, dhe të Ulqinit besuan shumë tek ne që ditën e parë dhe na kanë mbështetur edhe më shumë sepse unë dhe Nadia jemi prej zonave të tyre. Ata dëgjuan çdo kërkesë tonën.

NXËNËSIT I TEJKALUAN PRITSHMËRITË…

Nxënësit i tejkaluan pritshmëritë tona në shumë mënyra. Ata u përparuan shumë në një kohë të shkurtër dhe e dimë që do të vazhdojnë të zhvillojnë aftësitë e kërcimit me një ritëm të shpejtë. Ato e dinë vallen e Krajës, të Ulqinit, të Anës Malit, të Kosovës, dhe Shqipërisë të Jugut. Ato kanë dëshirë të mësojnë edhe Vallen e Kukësit dhe Valle me motive nga Malësia dhe nga Tropoja.

KUSH JANË MËSUESET HANA DEMIRI DHE NADIA HOXHA?

Hana Demiri filloi vallëzimin folklorik në vitin 2014. Nadia Hoxha filloi të kërcente kur ajo ishte pesë vjet dhe ka mbushur vallëzim folklorik në vitin 2016. Kam një pasion të madh për shkencat por edhe për gjuhët e huaja. Në Gusht do filloj vitin e tretë të universitetit duke studiuar shkencën e mjekësisë. Nadia u diplomua këtë vit me një diplomë në “marketing”. Ajo ka një pasion për të punuar me fëmijë të vegjël dhe për të udhëtuar. Të dyja i duam fëmijët dhe jemi shumë krenare për rrënjët tona shqiptare. Kemi dëshirë të shpërndajmë këtë krenari për shqiptarizmin përmes mësimit të këngëve dhe vallëzimit shqip./Dielli/ KultPlus.com

Të ngjajshme