Një fillim i mbarë i “Ditëve të Kulturës Shqiptare në Zvicër”

20 Nëntor, 2017 - 12:30 pm

Aktiviteti filloi në Bernë me një shfaqje teatrore të Studios “Aktrimi”, disa këngë korale të grupit “Lyra”, një ekspozitë të arteve pamore dhe me këngë e valle popullore.

Manifestimi tashmë tradicional “Ditët e Kulturës Shqiptare në diasporë”, ka filluar të premten më 17 nëntor në Bernë. Aktiviteti është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm i publikut.

Të pranishëm në këtë mbrëmje kanë qenë ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca, Ambasaadori i Maqedonisë Rafet Hajdari dhe konsullja e Shqipërisë Eliverta Radomi. Ata kanë përshëndetur në emrin e institucioneve që përfaqësojnë, duke përgëzuar artistët nga diaspora për punën e tyre në prezantimin e kulturës shqipatre në Zvicër.
Ambasadorja Breca ka falënderuar komunitetin shqiptar në Zvicër, i cili, sipas saj, me organizimin e vet, zellin dhe përkushtimin për të ruajtur kulturën e prejardhjes, ka sjellë ketu një pjesë të Kosovës, të vendlindjes. Po ashtu zonja Breca ka përgëzuar bashkatdhetarët për integrimin në Zvicër, në këtë vend që na ka strehuar dhe ndihmuar në kohën kur kjo na është dashur më së shumti. “Këto më bëjnë të ndjehem me fat që përfaqësoj atdheun tim në Zvicër”, ka thënë veç tjerash ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca.
Ndërsa ambasadori i Maqedonisë, Rafet Hajdari ka shfrytëzuar nga rasti që të urojë festat e nëntorit të cilat janë në prag. Po ashtu ai ka përgëzuar artistët dhe Qendrën e Kulturës për manifestimin e përgatitur.

Konsullja Radomi duke përshëndetur publikun, ka thënë se ndjehet krenare të jetë e pranishme në Ditët e Kulturës Shqiptare në Zvicër. “Rrethanat kanë qenë të tilla që jemi detyruar të mërgojmë gjithandej nëpër botë. Por ne nuk kemi harruar të marrim shpirtin tonë me vete, historinë, tonë, kulturën dhe e kemi bartur atë në gjenerata”, ka thënë znj. Radomi duke iu referuar edhe pranisë në këtë aktivitet të dy e më shumë gjeneratave shqiptarësh të mërguar.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Diasporës e ardhur nga Prishtina, Shyhrete Kastrati ka përcjell përshëndetjet nga Ministria që përfaqëson. Ajo ka falënderuar Zvicrën për kontributin që ka dhënë për Kosovën dhe për mërgimtarët tanë në Zvicër. Për këtë arsye ajo ka përshëndetur në vçanti pjesëmarrësit zviceranë në aktivitet. Znj. Kastrati ka vënë theksin në faktin se e gjithë krijimtaria kulturore e prezantuar në këtë mbrëmje është fryt i punës dhe talentit të diasporës. Dhe kjo është dëshmi për nivelin e kësaj diaspore dhe integrimin e saj në shoqërinë e këtushme, ka thënë ajo.
Drejtori i Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Ridvan Murati, në cilësinë e organizatorit, ka udhëhequr programin duke informuar të pranishmit lidhur me përmbajtjen e tij dhe punën e Qendrës që ai drejton prej pak muajsh.


Programi artistik është nisur me shfaqjen e dramës “Stacioni 17 B”, të trupës artistike Studio “Aktrimi” nga Cyrihu. Shfaqja e realizuar me regjinë e Ben Apollonit dhe nën udhëheqjen artistike të Fikrim Morinës ka komunikuar shumë mirë dhe natyrshëm me publikun në sallë. Ajo, me tekstin që merr dorë nga aktualiteti i njohur për mërgimtarët por sidomos me nëntonin humoristik që e cilëson, i ka folur publikut në mënyrë të përkryer. Aktorët janë inkuadruar mjaft natyrshëm në konceptin regjisorial dhe secili prej tyre kanë ndërtuar me përkushtim rolet që u janë ndarë. Për rolin e tij më kompleks, sigurisht është për t`u veçuar Ramadan Morina, i cili dhe është bashkëthemelues dhe promotor i grupit “Aktrimi”. Bëhet fjalë për një trupë kompakte që në kushte tejet të vështira dhe pa asnjë mbështetje financiare, ia del të mbetet gjallë vetëm në saje të pasionit për artin.
Pas shfaqjes, publiku pati mundësinë të shihte ekspozitën e punimeve të artit pamor, të hapur në sallën ku mbahej i gjithë aktiviteti. Aty, në kushte jo shumë të përshtatshme për t`u shikuar, ishin ekspozuar punime të artistëve shqiptarë me qëndrim në Zvicër: Arsim Berisha, Avdi Hajdari, Kushtrim Sylejmani, Urim Berisha dhe Visar Kryeziu.
Në vazhdim grupi koral “Lyra” nga Cyrihu ka interpretuar disa këngë në frymën e melosit popullor dhe këngë të vjetra qytetare, shumë të njohura për publikun. Ka qenë kjo njëra ndër paraqitjet e rralla të këtij grupi, i cili po përpiqet të sjellë një ofertë artistike që nuk ka qenë e pranishme deri tash në komunitetin shqiptar të Zvicrës.

Në përmbyllje, me disa këngë në gjuhën shqipe dhe me një këngë zvicerane është prezantuar këngëtari i ri, Rafael Lishi./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme