займ на карту онлайн потребительский кредит

Pianistja shqiptare bën famë në Washington

Qershor 3, 2019 - 3:36 pm

Të bësh karrierë në muzikë klasike është një rrugë e vështirë. Ky rrugëtim bëhet edhe më sfidues kur ndodhesh në vend të huaj. Por Merzana Kostreci me punën dhe talentin e saj, po mahnit publikun me lojën e saj në piano. Artistja shqiptare, po bën karrierë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke synuar që të bëhet një emër i njohur i muzikës klasike.

Karrigia pranë pianos është vendi më i rehatshëm për të, ndërsa tingujt e këtij instrumenti muzikor janë arma e saj më e fortë. Artistja shqiptare Merzana Kostreci, po bën karrierë si pianiste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ëndërr të cilën e ka qysh nga fëmijëria.

“Unë e kam nisur pianon që e vogel dhe kam vite që performoj për publikun. Jo vetëm që është e veçantë për mua, sepse mua më pëlqejnë të gjitha llojet e muzikes, por kur luaj muzikë klasike, piano për mua është si një pjesë e imja. Performanca në piano dhe pjesët kur unë luaj për publikun, shprehin atë që mund të ndjej dhe nuk e them dot me fjalë. Kënaqësia më e madhe është kur edhe publiku e pëlqen performancën dhe unë arrij të përcjell ndjenjat e mija nëpërmjet muzikës tek publiku”, thotë Merzana.

Pianistja Kostreci deri tani ka realizuar disa performanca në Evropë e SHBA. Çmimet artistike të fituara në Shqipëri, i mundësuan asaj shkollimin në Universitetin e Muzikës në Këln të Gjermanisë. Por diplomimi në vitin 2003 duket nuk i mjaftoi Merzanës… Ajo vazhdoi studimet për piano në Universitetin e Maryland-it, në Shtetet e Bashkuara.

“Sfida që kam hasur unë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vend i huaj së pari, ka qenë sepse nuk është vendi ku ke lindur dhe do pak kohë që të krijosh një reputacion si muzikante. Gjithashtu kam pasur vështirësi si muzikante klasike, sepse këtu ka nga të gjitha llojet e rrymave të muzikës që konkurrojnë për të patur një treg, për t’u bërë të sukssesshëm”, thotë Merzana.

“Pjesët që kam zgjedhur për këtë recital janë kryesisht pjesë të stilit romantik. Kam katër pjesë nga Shopen. Pjesët nga Shopen janë intime në përgjithësi dhe i kam zgjedhur tamam për sezonin e pranverës. Gjithashtu kam një pjesë nga Shuman, që është një pjesë më virtuoze. Gjithmonë kam qejf të kem pjesë virtuoze në repertor, sepse janë më ritmike dhe më të gjalla”, thotë ajo.

Interpretimin e saj e shoqëruan duartrokitjet e gjata. Nuk munguan as lëvdatat për artisten Kostreci, nga publiku që u largua nga shfaqja me përshtypje dhe ndjenja pozitive.

“Kjo paraqitje i ka tejkaluar pritjet e mija. Unë kuptoj shumë nga muzika klasike dhe pashë një performancë të mirë. Kjo shfaqje po më kujton fjalët e një muzikanti profesionist, që thoshte se performanca të këtij niveli nuk arrihen nga ato që ke lexuar dhe ke mbajtur mend, jo ajo që është në duart, mendjen dhe në shpirtin e një artisti. Prandaj kjo artiste mori duartrokitje më se të merituara. Për mua është privilegj të jem këtu dhe e falenderoj për këtë”, thotë David Pappert, banor i Uashingtonit dhe ish-drejtor i Bordit të Drejtorëve të Universitetit Duquesne.

“Ne u kenaqëm shumë sonte. Merzana na mbajti pezull me muzikën e vet. Ishte kënaqesi jo vetëm për faktin që ti shkon diku në një salle koncerti, muziken e bukur por për ne është shumë e veçantë për të mbështetur njëri tjetrin, për të mbështetur pikërisht artistët e rinj, talentet e reja, nxënësit, studentët të cilët performojnë kudo ku ata janë. Ishte kënaqësi shumë e madhe”, thotë banorja e Uashingtonit Enkelejda Balliu.

“Mendoj se ajo është shumë e talentuar, luan me pasion. Jam e mahnitur nga fuqia e saj. Jam e impresionuar nga pjesët e luajtura nga ajo. Shpresoj që ajo të ketë karrierë të mrekullueshme. Ajo duhet të vazhdoj të luajë profesionalisht dhe të vazhdojë ta rrisë audiencën e saj, sepse e meriton të njihet. Ajo është një pianiste e mrekullueshme”, thotë Caren Ginsberg.

“Koncerti që sapo ndoqëm ishte me të vërtetë shumë i arritur nga ana artistike dhe teknike. Meri Kostreci është shumë e talentuar dhe të gjitha veprat që luajti ajo sot, ishin jo vetëm të bukura, por kishin të gjithë spektrin e emocioneve, nga ato romantike tek ato më të fuqishme. Për sa i përket aktiviteteve kulturore në zonën tonë është një gjë që të jep kënaqësi të jashtëzakonshme që të kesh një aktivitet si ky që e ndoqëm”, thotë Evi Budo Struble.

Merzana Kostrecin e pret një rrugë e gjatë drejt synimeve të saj, por ajo premton se nuk do të ndalet në rrugëtimin drejt suksesit, krahas punës së përditshme që bën si mësuese pianoje.

Kjo ishte hera e tretë që ajo interpretoi e vetme. E veçanta e këtij recitali është se të gjitha pjesët e luajtura, i ka përgatitur vetë. Herën tjetër ajo synon t’i sjellë para publikut tingujt e saj, në një koncert me orkestër. / KultPlus.com

Të ngjajshme