Kurti viziton “Dardanët”: Juve ju ndjekin krejt njerëzit që e duan Kosovën”

5 Shtator, 2023 - 5:00 pm

Në prag të ndeshjes së shumëpritur për kualifikimet e Evropianit 2024, ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës që luhet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, kryeministri Albin Kurti në shoqëri të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministres Daulina Osmani ka vizituar kampin e Dardanëve.

Kurti ka falënderuar futbollistët kosovarë dhe stafin e Kombëtares në përgjithësi për punën e mirë dhe për emocionet e papërshkrueshme që i japin popullit të Kosovës.

“Ju vazhdimisht në ndeshjet e kaluara na keni sjell emocione, por edhe ethe. Janë emocione të paharrueshme dhe gëzime të cilat na mbajnë optimistë për të ardhmen. Ju dëshiroj shumë sukses në dy ndeshjet në vijim. E di se me Zvicrën e keni më vështirë edhe për arsye objektive, por besoj se me mbështetjen e ministrisë, me trajnerët që keni dhe me punën ekipore e ushtrimet që do të bëni në këto ditë, do të keni mjaftueshëm energji që edhe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ më 9 shtator, por edhe më 12 shtator kundër Rumanisë të jepni maksimumin dhe të merrni rezultatin që të gjithë e presin me aq dëshirë”, ka thënë Kurti.Ai ka falënderuar gjithsecilit për gjithë këtë kontribut, i cili nuk është vetëm sportiv por është edhe popullor sepse jo vetëm njerëzit që përcjellin sportin ju ndjekin.

“Juve ju ndjekin krejt njerëzit që e duan Kosovën”, ka theksuar para futbollistëve kryeministri Kurti.

Presidenti i FFK-së Agim Ademi duke e falënderuar të parin e ekzekutivit për vizitën ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që institucionet shtetërore po i japin ekipit kombëtar dhe në përgjithësi futbollit të Kosovës.

“Kryeministri është motivues i madh dhe është njeri i aksionit, prandaj e kemi parë të arsyeshme që ai si kreu i qeverisë të vjen sot për vizitë dhe të japë mesazhin e tij frymëzues për të ecur përpara së bashku”, ka thënë presidenti Ademi.

Në emër të ekipit kombëtar kryeministrin me bashkëpunëtorët e tij i ka falënderuar kapiteni Amir Rrahmani.

“Faleminderit për përkrahjen ndaj ekipit kombëtar dhe ndaj federatës. Shpresoj që edhe në të ardhmen kontributi dhe ndihma e institucioneve për rritjen e futbollit nuk do të mungojë”, ka thënë kapiteni i Dardanëve.Ndërkaq, ministri Hajrulla Çeku premtoi se institucionet do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah futbollit dhe ekipit kombëtar.

“Ju jeni të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve dhe ne jemi këtu për t’iu ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme si shtet e si institucione, jo vetëm zyrtarisht por edhe moralisht e me zemër. E keni një shtet dhe shoqëri të tërë mbrapa. Edhe jemi krejt me juve. Dijeni se po e përfaqësoni më shumë se një ekip dhe një sport. Këtu e kemi një gjasë të madhe për të ecë përpara dhe duhet ta shfrytëzojmë. Faleminderit të gjithëve për kontributin që e jepni për shtetin”, ka thënë Çeku. /KultPlus.com

Të ngjajshme