Servisi Fantazia – ‘The road not taken’

30 Tetor, 2021 - 10:15 am

Shkruan: Ballsor Hoxha

I

‘Kafiqi’ – harta e shpirtit të Prishtinës

II

Pandemia, ‘Kafiqi’ – a jemi përballë kotësisë së vlerave tona?

III

‘Kafiqi’ – sociologjia ku ndodh lufta jonë!

IV

Kafet e rakisë – “Rakia connecting people”

V

MIQT – ‘çmenduria’ e guximit Prishtinas

VI

Bon Vivant – të ndërtosh kulturën e një qyteti

VII

Ellie – guximi kulturor për të ndër-komunikuar me botën

VIII

Servisi Fantazia – “The road not taken”[1]

Po e filloj këtë prezantim të asaj që është (Servisi) Fantazia, me strofën e fundit të një prej poezive më të njohura të letërsisë nga poeti amerikan Robert Frost:

Do ta rrëfej këtë me psherëtimë

Se diku epoka e epoka prej këtu:

Dy rrugë ndaheshin në mal, dhe unë –

Morra atë më pak të kaluar (nga të tjerët),

Dhe kjo e ka bërë tërë jetën time.

Nëse rruga e ndërtimit dhe krijimit të një hapjeje të Prishtinës në shijimin e hedonizmit dhe eksplorimit të mundësive të tij ka qenë tejet e rëndë e me sakrifica, rruga e Clubbing kulturës, që është thellimi i skajshëm dhe nëpër tehun e hedonizmit, vetë Clubbing, ka pasur një përvojë tejet, tejet të rëndë. Ajo, përpos sukseseve rrënjësisht bashkëkohore, është ndërtuar që nga sakrificat me jetë gjatë kësaj rruge në eksplorim, e deri tek dështimet dhe tkurrjet në “guerilla” clubbing etj.

Ka filluar, vetëm, dhe vetëm pas luftës. Derisa ata njëzet tridhjetë individë që e eksploronin këtë mënyrë jete dhe hedonizmi të thellë, deheshin në përvojën e Clubbing shumë kohë para se të vinte hapja e Club-it, kështu duke lënë të zbrazët po të njëjtin në kohën e hapjes së party-të. Apo, me party masive në një të premte, e me dështim total dhe absurd në natën e radhës, për shkak se “ka pasë drogirasha në këto party”! Në të vërtetë kjo rrugë ka qenë aq ekstreme, sa që ka pasur net kur kanë vizituar Prishtinën personalitetet më të njohura globalisht në këtë fushë të kulturës dhe socializimit, e deri tek huqja totale e të gjitha ambienteve të këtij lloji.

Sidoqoftë, çka ka për të thënë (çka do të thoshte) një kosovar, por edhe kudo në botë, për emërimin që bartë një nga ambientet më undergorund, më thellë të arrira dhe më të pjekura estetikisht në këtë kulturë dhe mënyrë të jetës, e ky emërim është – (Servisi) Fatntazia -. Ngjanë sikur ambient dhe “tunel” i David Lynch, sikur zonë e devijuar, e sikur sub-terren i cili krijon magjinë dhe habinë e eksplorimit, apo thënë më saktë mundësinë e eksplorimit qysh në të dëgjuarit e këtij emërimi. Në të vërtetë emërimi nuk e fshehë, është “jak a jak” dhe përballë çfarëdo paragjykimi dhe mundësie të asaj që ofron.

(Servisi) Fantazia është ambient i cili krijon dhe hapë aq më shumë, bukurinë e të thelluarit në hedonizëm. Të mundëson të jesh: “to high to wonder why”, dhe “too low to find my way” (varg nga një këngë e Thievery Corporation).

Është ambient i cili është arkitekturuar me kujdes të veçantë ndaj thjeshtësisë dhe spontanes, e po ashtu edhe të fuzionimit të anti – konsumerizmit dhe të estetikës moderne.

Por, sigurisht, askush nuk është këtu, atje apo kudo, kur je në Fantazia, derisa është “on” muzika e tij. I tërë qëllimi është të arriturit të zonës dhe të penetrimit thellë në muzikën si art. Në të lëshuar të saj, dhe aq më shumë në të vallëzuar dhe të dëgjuar të saj.

Ka një problem që e përcjellë tërë këtë kulturë në Prishtinë, “snobizmi” apo, shikuar ndryshe: thellimi në eksplorim. Sigurisht, kjo kulturë dhe kjo mënyrë e jetës është tejet, tejet e re, dhe shumë e brishtë në Prishtinë (e aq më shumë në Kosovë!), dhe kjo duke qenë një nga arsyet që e bën socializimin dhe këto ambiente tejet të ndjeshme dhe tejet komplekse. Në të vërtetë ka dy mënyra si mund të shihet kjo: si “snobizëm pozitiv” në të cilin individët e ruajnë përjetimin e tyre si mekanizëm mbrojtës dhe si përjetim i cili nuk ngjanë dhe as nuk arrihet në zakonshmëri; dhe në anën tjetër, mund të shihet si një hapje tejet, tejet e thellë në të cilën nuk ka (nuk ka pasur) një përvojë paraprake dhe një udhërrëfim të kësaj kulture, derisa ajo i takon pjekurisë së hershme dhe pamundësisë së të jetuarit të kësaj mënyre të jetës në kohë më të gjatë!

Por (Servisi) Fantazia është mjeshtërisht i pjekur dhe aq më shumë kultivon pasionin e thellimit të përjetimit të ‘natës’ dhe të eksplorimit të hedonizmit, jo vetëm si mënyrë jete por edhe si filozofi. Dy karakteristikat më të rëndësishme të tij janë shërbimi/stafi i tij, dhe në anën tjetër menaxhimi i cili e bartë tërë këtë eksplorim në zona më të arrira.

Stafi dhe shërbimi i (Servisi) Fantazia është sigurisht një prej shërbimeve më të dashura dhe që shërben me dashurinë më të madhe. I ndjeshëm, mirëkuptues (ndaj çfarëdo “fantazie” që shpik hedonizmi), dhe aq i afërt sa që nuk dallon shumë nga hedonistët e natës me vetë ata, ky staf krijon dashurinë shumë të nevojshme të përjetimit të skajshmërive të hedonizmit.

Dhe, në këtë, sigurisht një prej dëshmive të kësaj rruge që ka marrë kultura dhe mënyra e jetës së Clubbing, është menaxhmenti i cili me dorën e një përvoje relativihst të pjekur të të udhëtuarit nëpër ‘fantazitë’ e hedonizmit ndreq, kujdeset dhe hapë mundësitë e këtij komuniteti për të udhëtuar thellë e më thellë nëpër përjetimet e kësaj ‘nate’ krejtësisht dhe rrënjësisht ndryshe, kësaj rruge rrënjësisht ndryshe nga ajo që është e zakonshme!

Në fund, është vështirë të zgjedhësh në mes dy rrugëve, asaj të turmës, dhe asaj të Clubbing, është tejet e vështirë. Por rruga që zgjedhë njeriu në jetë është tërë ajo që e bën po të njëjtën. Clubbing si rrugë e cila rrallë kalohet, dhe e cila revoltohet ndaj turmës e trendëve, e cila në përjetimin e saj të thellë, shfaqë një botë të panjohur dhe rrënjësisht të guximshme dhe individuale për secilën që e zgjedhë. Por në (Servisi) Fantazia, ai që hyn, hyn në duart e kësaj mënyre të jetës.


[1] Titull dhe poezi nga Robert Frost. / KultPlus.com

Të ngjajshme