Atëherë

Poezi e shkruar nga Jacques Brel

Në se të duhen trena për t’ia mbathur botës
E anije me vela që udhëtimesh të shpien larg
Për të kërkuar diell që t’a mbash në sy
E kengë që ti lehte mund t’i kendosh
atëhere …

Në se të duhet agimi për të besuar të nesërmen
Dhe të nesërmen që të mundësh të shpresosh
Për të gjetur shpresën që të kap për dore
Për të gjetur dorën që ti ke braktisur
Atëhere …

Në se do të dëgjosh rrëfime e fjalë të moçme pleqsh
Për t’u ngushëlluar për ato që s’ke bërë dot
Në se poezia për ty humbet vlerë e bëhet lojë
E në se jeta jote nuk është veç një pleqëri
Atëhere …

Në se do të duhet pak mërzitje për t’u dukur i thellë
A rrëmujë qytetesh për të harruar çdo zhgënjim
E pastaj delikatesë për t’a ndjerë vehten të denjë
E pastaj zjarr e nevrik per t’u dukur i fortë trim
Atëhere…

Atëhere ti s’ke kuptuar asgjë …/KultPlus.com

“Qiell-Tokë”, ekspozita e Klement Zoraqit në Galerinë e Artit në Tiranë

Galeria e Artit Tiranë hapi mbrëmë ekspozitën restrospektive të piktorit Klement Zoraqi, të cilën e cilësoi si një udhëtim artistik.

Janë 50 vite të përmbledhura në 50 punime, kryesisht peizazhe, që nga mosha 14-vjeçare e artistit, deri në vitet e fundit. Ekspozita e titulluar “Qiell-Tokë”, do të qëndrojë e hapur për publikun, në GAT, deri më 18 shkurt.

Artisti ka dhuntinë për të “përkthyer” vizionin për botën, në gjuhën e artit figurativ. Rrjedhimisht, duke pikturuar, Zoraqi vendos një raport intim me natyrën, nëpërmjet një harmonie ndjenjë-mendim, emocion-arsye, qiell-tokë.

Galeria e Artit Tiranë ftoi artdashësit të zbulojnë këtë retrospektivë unike që feston artin dhe natyrën.

Zoraqi, i lindur më 9 mars 1960, në një mjedis familjar kushtuar artit, kulturës dhe arsimit, që në fëmijërinë e hershme ai shfaqi talentin e tij artistik në shumë fusha, duke u fokusuar rreth moshës 14-vjeçare në fushën e pikturës, si pasion i vetëm.

Mësimet e para artistike i mori në studion e peizazhistit të njohur Aristotel Papa. Studimet akademike i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1980-1984), ku u specializua në fushën e pikturës monumentale në studion e prof. Niko Progrit dhe prof. Vilson Kilicës.

Gjatë karrierës së tij 50-vjeçare, Klement Zoraqi ka marrë pjesë në ekspozita kolektive në shumë prej kryeqyteteve evropiane si dhe New York, ndërkohë që zhvillonte dhe aktivitetin e profesorit të pikturës në Liceun Artistik “Jordan Misja”./atsh/KultPlus.com

MEKI, grante për forcimin dhe zhvillimin e artizanatit në vend

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hapi thirrjen për grante “Fondi i artizanëve”.

Fondet do të ofrojnë mundësinë e mbështetjes financiare për artizanët dhe shoqatat e artizanëve që kontribuojnë në forcimin dhe zhvillimin e artizanatit dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri. MEKI bëri me dije se, kjo mbështetje synon të nxisë ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e traditave dhe dijebërjes, duke kontribuar në pasurimin e kulturës dhe ekonomisë lokale.

Kategoritë që mbështeten janë:

1. Mbështetje financiare për prodhimet artizanale. Kjo kategori mbështet artizanët që krijojnë produkte të artizanatit dhe dëshirojnë të zhvillojnë veprimtaritë e tyre. Fondi i parashikuar për këtë kategori do të jetë 500,000 lekë – 1,500,000 lekë.

2. Mbështetje financiare për transmetimin e dijebërjes ndër breza. Kjo kategori do të ofrojë mbështetje për trajnime dhe aktivitete që promovojnë kalimin e njohurive tradicionale dhe artizanale tek brezat e rinj. Fondi: 1,000,000 lekë – 2,000,000 lekë.

3. Mbështetje financiare për pjesëmarrjen në panaire dhe evente të trashëgimisë kulturore. Kjo kategori mbështet artizanët dhe shoqatat që prezantojnë punën e tyre në panaire dhe ngjarje kulturore. Fondi: 300,000 lekë – 1,000,000 lekë

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit njoftoi në rrjetet sociale se, afati i dorëzimit të aplikimeve përfundon më 28 shkurt 2025./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani bën homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit: Sot kujtojmë heronjtë që hapën rrugën drejt çlirimit të Kosovës

Në 28 vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.

Përmes rrjeteve sociale, Osmani ka shkruar se kujtojnë heronjtë të cilët hapën rrugën drejt çlirimit të Kosovës.

“Me respekt dhe krenari e kujtojmë heroin Zahir Pajaziti, vizionarin e luftës çlirimtare, i cili bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, me guxim dhe vendosmëri, krahas edhe shumë bashkëluftëtarëve të UÇK-së, hapën rrugën drejt çlirimit të Kosovës, duke u bërë simbole të sakrificës dhe përkushtimit për atdheun”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo u shpreh se e kemi për detyrë që të mos e harrojmë idealin e tyre. Ajo ka shtuar se liria për të cilën ata dhanë jetën, duhet të mbrohet jo vetëm me kujtimin për ta dhe heronjtë e tjerë të UÇK-së, por me punën, angazhimin dhe përkushtimin ndaj Kosovës, të cilën e ëndërruan dhe për të cilën ranë ata.

“Lavdi e përjetshme heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë!”, ka shkruar në fund Osmani./KultPlus.com

Kongresi i Lushnjës, mbrojtësi i integritetit territorial të Shqipërisë

Më 31 janar 1920 përfunduan punimet e Kongresit të Lushnjës, i konsideruar si nga më të rëndësishmit në historinë e kombit shqiptar.

Teksa Shqipëria kanosej nga copëtimi territorial pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, dhjetëra përfaqësues nga mbarë trojet, u mblodhën më 21 janar të vitit 1920 në Lushnjë, për të mbajtur një kongres kombëtar.

Në kushtet e një tkurrje të mundshme territoriale, Kongresi i Lushnjës tentoi të siguronte dinjitetin dhe rimëkëmbjen e shtetit shqiptar. Me detyrën e kryetarit të kongresit ishte caktuar Aqif Biçakçiu, Sotir Peci ishte nënkryetar, ndërsa Kostaq Kota e Ferid Vokopola mbanin funksionin e sekretarëve.

Krahas krijimit të qeverisë së re, në kongres u diskutua për një notë proteste ndaj qëndrimit të Konferencës së Paqes në Paris, mbi kufijtë e Shqipërisë. Në mbyllje të punimeve Kongresi i Lushnjës miratoi një akt kushtetues në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar.

Në ditën e fundit të punimeve, Kongresi emëroi kabinetin e qeverisë, me kryeministër Sulejman Delvinën, si dhe zgjodhi anëtarët e Senatit.

Në kongres ishin pjesëmarrës figura të shquara si Aqif Pashë Elbasani, Shefqet Daiu, Ahmet Zogolli dhe Mytezim Këlliçi.

Kongresi zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Teatri Kombëtar sjell dramën e gruas moderne me shfaqjen “Linda”

Teatri Kombëtar shfaqi mbrëmë dramën “Linda” nga Penelope Skinner, me regji të Violeta Trebickës.

Aktorja protagoniste që mban peshën e dramës është Luiza Xhuvani. Bashkë me të interpretojnë Vasian Lami, Alfred Trebicka, Enisa Hysa, Julinda Emiri, Igli Fusha, Trista Lulo, Artemisa Kusi.

“Linda” është një reflektim shterues mbi presionet e ndryshme me të cilat përballen gratë moderne dhe sesi pasojat e këtyre presioneve ndikojnë në brezat e ardhshëm.

Linda është një grua biznesi e vlerësuar me çmime. E martuar, ka dy vajza të bukura dhe ende mund të veshë të njëjtën masë fustani, si 15 vjet më parë.

Linda Wilde i ka kushtuar jetën e saj ndryshimit të botës. Tani, në moshën 55-vjeçare, ajo duket se i ka të gjitha. Megjithatë, nën sipërfaqe, të çarat kanë filluar të shfaqen…

“Linda” nga dramaturgia britanike, Penelope Skinner u shfaq premierë në Teatrin Royal Court, Londër, në nëntor 2015 dhe u vlerësua nga kritika.

Drama do të vijojë të shfaqet në ArTurbina edhe sonte, 31 janar si dhe në datat 1 dhe 2 shkurt 2025./atsh/KultPlus.com

Promovohet libri “Lugina e lumit Issa” i autorit Czesław Miłosz

Në hapësirat e librarisë “Dukagjini”, u promovua libri “Lugina e lumit Issa” i autorit Czesław Miłosz, me përkthim nga Romeo Çollaku, botuar në kuadër të kolanës “Effugium” – projekt i mbështetur nga Evropa Kreative.

Panelistët Blerim Latifi, profesor i filozofisë dhe i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe Durim Abdullahu, historian dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, vlerësuan lart librin, por dhe rolin e autorit Miłosz në letërsi.

Profesori i filozofisë dhe i sociologjisë, Blerim Latifi, theksoi se është tejet e rëndësishme të pasurohemi kulturalisht me një vepër të mbushur me refleksion filozofik nga një autor që ka fituar çmimin Nobel për letërsi. Ai, po ashtu, theksoi se fryma e këtij romani është ndjenjë malli – trishtim për humbjen e atdheut.

I po këtij mendimi qe edhe historiani Durim Abdullahu, i cili e vlerësoi autorin Czesław Miłosz – një profil prej intelektuali, të shumëangazhuar, por jo vetëm në letërsi.

Panelistët, po ashtu, çmuan lart kontributin e shtëpisë botuese “Dukagjini” për përkthimin dhe promovimin e kulturës evropiane në gjuhën shqipe./KultPlus.com

Shteti i Illinois në ShBA shpall 28 janarin si Ditën e Lirisë për nder të poetit dhe shkrimtarit shqiptar, Visar Zhitit

Data 28 janar në shtetin e Illinois në ShBA, do të kremtohet si Dita e Lirisë. Kjo ditë u caktua si e tillë nga guvernatori i këtij shteti, JB Pritzker, në nderim të poetit dhe shkrimtarit shqiptar, Visar Zhiti.

Në Proklamatën e vulosur nga guvernatori Pritzker theksohet rëndësia e kësaj dite si simbol i rezistencës së poetit ndaj regjimit dhe shtypjes. Gjithashtu thuhet se kjo ditë do të celebrohet si e tillë në përkujtim të datës 28 e cila përkon me ditën e lirimit të Zhitit nga burgu.

“Duke patur parasysh që është e duhura të përkujtojmë 28 Janarin si një ditë për të nderuar Visar Zhitin dhe jetën e tij të jashtëzakonshme, duke siguruar që historia e tij të rezonojë me brezat e ardhshëm dhe që liria është një poemë e shkruar në zemrat e të gjithë njerëzve. Prandaj unë, Guvernatori i Shtetit të Illinois-it me anë të kësaj shpall 28 Janarin 2025 si Dita e Visar Zhitit, një ditë për të celebruar vlerat e lirisë artistike, të të drejtave të njeriut dhe qendresën e shpirtit njerëzor. Në dëshmi të kësaj, unë kam vënë dorën time këtu dhe kam urdhëruar që të vendoset Vula e Madhe e Shtetit të Illinois-it”, thuhet në deklaratën e guvernatorit.

Proklamata iu dorëzua Visar Zhitit nga Presidenti i Komunitetit Shqiptar në Illinois, AACI, Edon Shaqiri dhe Presidentja e “Care for Albania”, Dr. Sonila Sejdaras në një ceremoni të mbajtur në Chicago-s, në 727 West Madison St. ku morën pjesë personalitete shqiptare të fushave të ndryshme të cilët jetojnë dhe punojnë në SHBA.

“Unë dola nga portat e hekurta të burgut në atdhe dhe arrita në dritat marramendëse të Chicagos në SHBA, nuk jam vetëm, para meje kanë ardhur plot e plot të tjerë. Këtu liria është më e vërtetë dhe më e fortë, dhe që na bën ta duam shumë këtë vend si një atdhe i ri dhe na bën ta duam edhe më shumë atdheun që lamë dhe e di që rruga më e rëndësishme e lirisë është ajo që të çon tek vetja ashtu si tek tjetri, te e mira dhe te ardhmëria. Liria jeni ju” u shpreh Visar Zhiti gjatë fjalës së mbajtur.

Në ceremoni mori pjesë dhe aktori shqiptar me famë botërore Jim Belushi, i cili lexoi dhe disa poezi të Visar Zhitit./gazetasi/KultPlus.com

22 vite pa ikonën e artit skenik, Istref Begolli

Sot shënohet 22 vjetori i vdekjes së ikonës së artit skenik, Istref Begolli, shkruan KultPlus.

I lindur më 1 maj të vitit 1933 në Pejë, Begolli shkollën fillore e kreu në vendlindje.

Me artin filloi të ‘takohet’ që nga mosha 16 vjeçare, atëherë kur në vitin 1949 filloi punën si aktor i rregullt në Teatrin Popullor Krahinor. 

Kontributin e tij artistik Istref Begolli prej vitit 1961 deri në vitin 1963 e jep në Teatrin Jugosllav të Dramës, në Beograd si bashkëpunëtor i jashtëm ku ushtron studentën në lëndën e Diksionit. 

Pas tri viteve punë kthehet përsëri në Teatrin Popullor Krahinor ku punon deri në vitin 1968. Për disa vite rresht deri më 1971, Begolli vepron si aktor i lirë.

Më 1971 fillon të punojë përsëri në “TPK” gjerë me 1990, ku edhe pensionohet si aktor i këtij Teatri. 

Ajo çka mbetet pas si kujtim për të janë rolet e shumta që i ka dhënë jetë. Istref Begolli arriti të jetësoj rreth 150 role në teatër, film e televizion, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit dhe kulturës shqiptare. 

Disa nga rolet kryesore në shfaqjet janë: Mihali në shfaqjen “Zhelanat” e Matej Borit, në regji të Abdurrahman Shalës, Dhëndrri dhe Meriku në “Dasma” dhe “Hani në rrugën kryesore” të Çehovit, me regjisor Muharrem Qenën, Karl Fon Mori në “Cubat” e Shilerit, me regji të A. Shalës, Plaku i Parë në “Erveheja” e Ahmet Qirezit, me regji të Muharrem Qenës, Dyl Mehmeti në “Fosilet” e Azem Shkrelit, Paratovi në “Vajza pa Pajë” e Ostrovskit, Prifti në “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë, në regji të Piromanit, Murtaja në “Shtetrrethimin” e Kamysë, në regji të T. Durbeshiqit, Iago në “Othello” të Shekspirit, me regji të A. Shalës, Magbethi në “Magbethi” të Shekspirit, si dhe shumë të tjera..

Ndër rolet më eminente të luajtur në më se 20 filma artistik janë roli i Pavie Shatev në filmin “Atentatorët e Selanikut” i Zhika Mitroviqit, Deliu në “Era dhe Lisi” i Besim Sahatqiut, Prifti në “Proka” nga Isa Qosja, Fatmir Gashi ne “Përroi Vërshues” i Besim Sahatqiut, Polici në “Si të vdiset” i M. Stamenkoviqit, Otos në “Sulmi i kuq” i Predrag Golluboviq, Trobërku në “Mali i Leiejit” i Zdravko Velimiroviqit, etj. 

Nga rolet në filmat televiziv duhet veçuar: Plaku në “Të ngujuarit” me skenar dhe regji të Ekrem Kryeziut, Kostë Kasapi në “Kulla”, sipas Anton Pashkut e në regji të Agim Sopit, Inspektori në “Dhembja krenare”të Ismail Ymerit, Kabili në “Vallja e Çmendur” me skenar dhe regji nga Isa Qosja, Ati në “Vjeshtën e Trëndafilave”, me skenar të Veli Karahodës e në regji të Agim Sopit, etj. 

Në anën tjetër, Istref Begolli është edhe fitues i shumë shpërblimeve si çmimi i parë për rolin e Dyl Mehmetit në shfaqjen “Fosilet”, shpërblimin e dhjetorit për veprimtari të frytshme në lëmin e Teatrit dhe Filmit, në Takimet Teatrore “Joakim Vujiq” të mbajtura në Kragujevc merr vendin e parë për rolin e Priftit në shfaqjen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” të Ismail Kadaresë dhe plotë të tjera, që janë dëshmi e vlerve të mirëfilta artistike të tij. 

Istref Begolli ndërroi jetë tragjikisht ne një ditë acari më 31 janar të vitit 2003 në spitalin e Krapinske Toplices në Republikën e Kroacisë. Ai i takon plejadës të aktorëve që vunë themelet e Artit Skenik në Kosovë. 

Sot Teatri i Pejës në nderim të veprimtarisë së tij të bujshme, mban emrin e tij. / KultPlus.com

Dy shtigje panoramike ecjeje në zonat e Petrelës dhe Kërrabës

Një produkt i ri i Platformës së Inovacionit në Turizëm (TIP) është tani i hapur për publikun.

Dy shtigje panoramike ecjeje në zonat e Petrelës dhe Kërrabës janë pastruar, shënjuar dhe bërë të aksesueshme, duke ofruar përvoja të reja në natyrë pranë kryeqytetit, njoftoi sot ambasada gjermane në Tiranë.

Bëhet fjalë për Shtegun e Mareve në Petrelë dhe  Shtegun e Ciklopit në Kërrabë.

Këto shtigje ekzistuese janë zgjeruar dhe bërë rrethore tashmë, për të lidhur pika kyçe kulturore dhe natyrore, duke përfshirë rrënojat antike të Persqopit, Kalanë e Petrelës, Kalanë e Dorëzit, Qafën panoramike të Durishtit dhe ikonën natyrore Syri i Ciklopit me itineraret e reja të kacavarjes në Kërrabë duke ofruar kështu një kombinim unik të historisë, aventurës dhe natyrës.

Për një navigim më të lehtë, shtigjet janë të disponueshme  edhe si skedarë digjitalë GPX./atsh/KultPlus.com

Një grua e pjekur

Poezi nga Reancer Humano

Përktheu Klodeta Dibra

Nuk shtyp, prek lehtazi.
Nuk ngallmon, është ngasëse.
Nuk është e zgjuar, është e mençur.
Nuk miklon, dëften mprehtësisht udhën.
Nuk ka ngut, pret dekikën e duhur.
Nuk vepron, rrëshqet ngadalë.
Nuk fluturon, lëviz dallgë-dallgë.
Nuk merakoset për sasinë, pëlqen cilësinë.
Nuk shikon, vrojton.
Nuk çapitet, shkon e vjen.
Nuk mëton, thjesht pëlqen të shijojë.
Nuk gjykon, zbërthen.
Nuk ngushëllon, ndez zemrën.
Nuk kërkon, zgjon ndjesi.
Nuk robëron, jep lirì.
Nuk josh, magjeps.
Nuk është ngulmuese, është përzgjedhëse.
Nuk lëshon dritë, është e dritësuar.
Nuk pëlqen ta shohin, pëlqen të dëgjohet.
Nuk parashikon, rrok me mendje.
Nuk flet për seksin, ajo është një mjeshtre në artin e dashurisë.
Nuk është e butë, është e epshme.
Nuk urdhëron, udhërrëfen.
Nuk rilind, është në lulzim të pandërprerë.
E s’fundmi një Grua e pjekur është një e tërë e të gjitha bukurive të gjasshme
sepse është një Grua./KultPlus.com

100 vite nga shpallja e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë

Më 31 Janar 1925, Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë, pasi Asambleja Kushtetuese votoi nenin 6 të kushtetutës: “Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë.”

Që nga kjo datë kushtetutat janë ndërruar shumë herë, por ky nen ka mbetur i pa ndryshuar.

Delegatët e parlamentit të cilët më 21 janar 1925 e shpallën republikën e parë shqiptare, morën vendimin e radhës edhe për Tiranën.

Pra, 10 ditë më vonë shpallën Tiranën si kryeqytet të Shqipërisë. /KultPlus.com

*Në foto: Anëtarët e Asamblesë Kushtetuese që votuan më 31 janar 1925, Tiranën kryeqytet dhe Ahmet Zogun president

Franz Schubert, mjeshtër i lindur dhe një urë midis epokave muzikore

Franz Peter Schubert lindi më 31 janar 1797 – ishte një kompozitor austriak. Ai shkroi rreth 600 melodi, nëntë simfoni duke përfshirë të famshmen “Simfoninë e papërfunduar” muzikë liturgjike, opera, muzikë të rastësishme dhe muzikë solo për piano.

Schubert ka lindur në një familje muzikantësh, dhe ka marrë trajnim formal muzikor në fëmijërinë e tij. Ndërsa Schubert kishte një rreth i ngushtë i shokëve dhe bashkëpunëtorëve të cilët admiruar puna e tij (në mesin e tyre të shquar këngëtari Michael Johan Vogl), vlerësimi muzikës së tij gjatë jetës së tij ishte i kufizuar. Ai nuk ishte në gjendje për të siguruar punë adekuate të përhershme, dhe për shumicën e karrierës së tij ai u mbështet tek miqtë dhe familja. Ai bëri disa të holla prej veprave të publikuara, dhe herë pas here dha mësim privat muzikorë.

Ai vdiq në moshën tridhjetë e një vjeçare pas një sëmundjeje të shkurtër të pakonfirmuar. Interesi në punën e Schubert u rrit në mënyrë dramatike në dekadat e pas vdekjes së tij. Kompozitorë si Franz Liszt, Robert Schumann dhe Felix Mendelssohn zbuluan, mblodhën, dhe botuan veprat e tij në shekullin e 19, ashtu si muzikologu Sir George Grove. Franz Schubert tani konsiderohet të jetë një nga kompozitorët më të mëdhenj. Schubert ka lindur në Himelfordgund (tani një pjesë e Alsergrund), Vjenë më 31 janar 1797. Babai i tij, Theodore Franz Schubert, bir i një fshatari moravian, ishte një pedagog i famullisë, nëna e tij, Elisabet Vietz, ishte e bija e një bravandreqës master Silesian, dhe kishte qenë edhe një shërbëtore për një familje vjeneze para martesës së saj. Nga 14 fëmijë të Theodor Francit (një fëmijë i paligjshëm ka lindur në 1783), nëntë vdiqën në foshnjëri, pesë shpëtuan. Babai i tyre ishte një mësues i njohur, dhe shkollën e tij në Lihtental, në një pjesë e qarkut të Vjenës, u mirëprit. Ai nuk ishte një muzikant me famë apo me trajnime formale, por ai i mësoi djalit te tij disa elemente të muzikës. Shtëpia në të cilën ishte lindur Schubert, sot rrugës Nusdorfer 54, në rrethin e 9 të Vjenës. Në moshën 5, Schubert filloi të marrë mësim të rregullt nga babai i tij dhe një vit më vonë u regjistrua në shkollën e babait të tij në Himelpfordgund. Mësimet formale te tij muzikore gjithashtu filluan në të njëjtën kohë. Babai i tij vazhdoi për t’i mësuar atij bazat e violinës, dhe Ignaz vëllai i tij i dha mësimet e pianos. Në moshën 7 vjeqare, Schubert filloi të marrë mësime nga majkëll Holzer, organist në kishën lokale dhe mjeshtër kori. Mësimet Holzer duket se kanë konsistuar me biseda dhe shprehje të admirimit dhe djali fitoi njohje më tepër prej tij me shoqëruesin miqësor për nxënës që kanë marrë atë në një depo fqinje piano, ku ai kishte mundësi për të ushtruar mbi instrumentet më të mirë. Ai gjithashtu ka luajtur në telat e violës, me vëllezërit Ferdinand dhe Ignaz për violinë dhe babai i tij në violinqel. Schubert shkroi shumë vepra për kuartet harqesh. Schubert më parë erdhi në vëmendjen e Antonio Salieri, atëherë autoriteti kryesor i Vjenës muzikore, në 1804, kur talenti i tij vokale ishte i njohur. Në tetor 1808, ai u bë një nxënës në Stadtkonvikt (seminar Imperial) nëpërmjet një bursë kori. Në Stadtkonvikt, Schubert u prezantua me një simfoni te Mozartit. Ekspozimin e tij në këto pjesë dhe kompozime të ndryshme të lehta, kombinuar me vizitat e tij të rastit në opera vendosën themelet për njohuri më të madhe të tij muzikore. Një frymëzim i rëndësishëm muzikor erdhi nga këngët e Johann Rudolf Zumsteeg, i cili ishte një kompozitor i rëndësishëm i kohës. Miqësia e Schubertit me Spaun filloi në Stadtkonvikt dhe qëndroi gjatë gjithë jetës së tij.

Ndërkohë, aftësitë gjeniale te tij filloi ti tregojë në kompozimet e tij. Schubert ishte lejuar herë pas here për të udhëhequr orkestra në Stadtkonvikt, dhe Salieri vendosi për ta stërvitur atë privatisht për kompozime dhe teori në këto vite. Kjo ishte fillesë e parë për atë orkestër amatore për të cilën, vite më vonë, shumë kompozime të tij ishin shkruar. Gjatë pjesës tjetër të qëndrimit të tij në Stadtkonvikt ai shkroi një pjesë të mirë të muzikës kamertale, këngë të ndryshme, disa pjesë të ndryshme për piano etj.Në fund të vitit 1813 ai u largua nga Stadtkonvikt, dhe u kthye në shtëpi për studime në Normalhaupshule për të trajnuar si një mësues. Në vitin 1814 ai hyri në shkollën e atit të tij si mësues i nxënësve ri. Për më shumë se dy vjet qëndroi në këtë punë të rëndë, të cilën ai e kreu me sukses.Ai vazhdoi të marrë mësime private në përbërje nga Salieri, i cili bëri më shumë për trajnime muzikore të Schubertit sesa ndonjë prej mësuesëve të tij të tjerë.

Në 1814 Schubert u takua me një soprano te re të quajtur Tereza Grob, vajza e një prodhuesi të mëndafshit . Disa nga këngët e tij Regina ishin të përbërë për zërin e saj, dhe ajo gjithashtu performoi në premierën Mesha e tij të parë në tetor 1814. Në 1994 muzikologjia Rita Steblin zbuloi peticionin e martesës së Schubert në kishën Lichtental. Ky dokument tregon se Schubert kishte qëllim të martohej me Grob, por ishte i penguar nga ligji më 1815. Në nëntor të vitit 1816, pas dështimit për të fituar një pozicion në Laibach, Schubert dërgoi një përmbledhje të këngëve Grobit, të cilat ishin mbajtur nga familja e saj në shekullin e 20-të.

Viti më pjellor i Schubertit ishte ndoshta në vitin 1815. Ai kompozoi mbi 20.000 masa muzikore, më shumë se gjysma e të cilave ishte për orkestër, përfshirë nëntë vepra të kishës, një simfoni, dhe rreth 140 melodi. Në atë vit ai u prezantua edhe për Anselmi Hüttenbrenner dhe Franz von Schober, të cilët i bëri miqtë e tij të përjetshëm. Një tjetër mik i tij, Johann Mayrhofer, u prezantua atij nga Spaun në 1814.

Ndryshime të rëndësishme kanë ndodhur më 1816. Schober, një student i familjes së mirë, ftoi Schubertin në një dhomë bashkë me të në shtëpinë e nënës së tij. Propozimi ishte veçanërisht i përshtatshëm, për Schubertin kishte bërë vetëm kërkesë të pasuksesshme për postin e dirigjent në Laibach, dhe ai kishte vendosur gjithashtu të mos rifillojë mësimdhënien në shkollën e atit të tij. Deri në fund të vitit ai u bë një mysafir i Schoberit. Për një kohë ai u përpoq të rrisë ekonominë e shtëpisë duke dhënë mësime te muzikës, por ata ishin braktisur shpejt, dhe ai iu kushtua kompozimeve. “Unë kompozoj çdo mëngjes, dhe kur një pjesë është bërë, filloj një tjetër”. Gjatë këtij viti, ai u përqendrua në veprat orkestrale dhe korale, edhe pse ai gjithashtu vazhdoi të shkruaj melodi. Pjesa më e madhe e kësaj pune ishte e pabotuar, por dorëshkrimet dhe kopjet qarkulluonin midis miqve dhe admiruesve.

Në fillim të 1817, Schober njohu Schubertin me Johann Michael Vogl. Vogl, për të cilin Schubert vazhdoi të shkruaj një këngë shumë të madhe, u bë një nga ithtarët kryesorë vjenez të Schubertit në qarqet muzikore. Ai gjithashtu u takua me Jozef Hütenbrener i cili gjithashtu ka luajtur një rol në promovimin e muzikës së Schubertit. Këto dhe një rreth në rritje të miqve dhe muzikantë, u bë përgjegjës për nxitjen, mbledhjen dhe, pas vdekjes së tij, ruajtjen e punës së tij. Në fund të vitit 1817, i ati i Schubertit fitoi një pozicion të ri në një shkollë në Rossau (jo larg nga Lichtental). Schuberti iu bashkua me gjysmë zemre babait të vet dhe mori detyrat e mësimdhënies atje. Në fillim të vitit 1818 ai u refuzua për anëtarësim nënë bashkësinë e miqve të muzikës, dicka që mund ta conte përpara karrierën e tij muzikore. Megjithatë, ai filloi të fitojë më shumë nga lajmet e shtypit, dhe nga performanca e parë publike e një vepre laike, e poashtu mori vlerësim nga shtypi në Vjenë dhe jashtë vendit.

Schubert kaloi verën e vitit 1818 si mësues i muzikës në familjen e Count Johan Karl Esterhazi në vilën e tyre në Zeliz, Hungari. Detyrat e tij janë relativisht të lehta (piano mësimdhënës dhe të të kënduarit për të dy vajzat, Mari dhe Karoline), dhe e paguanin relativisht mirë. Si rezultat, ai për fat të mirë vazhdoi të kompozoj gjatë kësaj kohe. Në kthimin e tij nga Zeliz, ai filloi të banojë me Mayrhofer (shoku i tij). Ai çoi në Zeliz një sërë kompozimesh duet për piano.

Schubert dhe katër shokët e tij u arrestuan nga policia austriake e fshehtë, të cilët ishin të dyshimtë të çdo lloji të tubimit studentore. Një nga miqtë e Schuberit, Johan Sen, ishte vënë në gjyq, i burgosur për më shumë se një vit. Të katër të tjerët, duke përfshirë Schubert, ishin “qortuar ashpër”, për “fyerje kundër [zyrtarëve] me gjuhë fyese dhe përbuzurje”. Përderisa Schuberti nuk pa përsëri Senin, ai ka vendosur disa nga poemat e tij, “Selige Welt” dhe “Schwanengesang”, për muzikë. Incidenti mund të ketë luajtur një rol në rënien e tij me Mayrhofer, me të cilët ai jetonte në atë kohë. / KultPlus.com

Nëntë vite pa akademikun e shquar shqiptar Kristo Frashëri

Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920. Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences.

Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Institutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955. Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999.

Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj.

Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008). Kristo Frashëri si pedagog i historisë së Shqipërisë në Univeristetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj.

Akademiku Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 Janar 2016. / KultPlus.com

Vdes në moshën 78-vjeçare këngëtarja Marianne Faithfull

Këngëtarja Marianne Faithfull vdiq në moshën 78-vjeçare, shkruan rollinstoneitalia.it.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të këngëtares, kompozitorit dhe aktores Marianne Faithfull”, theksoi përfaqësuesi i saj në një deklaratë.

“Marianne ndërroi jetë paqësisht në Londër sot, e shoqëruar nga familja e saj e dashur”, thuhet në deklaratë.

Faithfull u bë një yll i njohur në vitin 1964 me këngën e saj të parë, baladën As Tears Go By.

Kënga do të ishte kënga e parë që Mick Jagger dhe Keith Richards shkruan së bashku.

Edhe pse ishte vetëm 17 vjeç dhe zëri i saj dukej i brishtë dhe rinor, ajo këndoi tekste rreth ndjenjës së lënë jashtë me një bindje që do të drejtonte të gjithë punën e saj të mëvonshme. /KultPlus.com

‘Mirë se erdhe, ndarja zgjati shumë’


Poezi nga Nazim Hikmet Ran

Mirë se erdhe!
Zbrazëtia jote qëndroi
krah nesh si një dorë e këputur.
Mirë se erdhe!
Ndarja zgjati shumë,
Malli na mori
sytë na mbetën nga oborri.
Mirë se erdhe!
Ne,
jemi siç na le.
Vetëm se u bëmë më mjeshtra
gurë duke thërrmuar
mikun nga armiku duke shquar…
Mirë se erdhe!
Kemi plot, për të thënë e dëgjuar
Por shumë gjatë, kohë s`kemi.
Le të ecim…

Burg, 1932./ KultPlus.com

Muzeu i Louvreit drejt restaurimit, “Mona Lisa” do të zhvendoset

“Mona Lisa” do të zhvendoset në një hapësirë të re ekspozuese pasi Muzeu i Louvreit në Paris do t’i nënshtrohet rinovimit. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën qëndroi para kryeveprës së Leonardo da Vincit, teksa bëri njoftimin para një audience me personalitete, sa u përket ndryshimeve që do të prezantohen në vitin 2031 dhe vizitorët do të ngarkohen me çmim shtesë për të parë pikturën.

Presidenti francez ka përshkruar projektin e tij të Rilindjes së Re, i cili do të përfshijë gjithashtu një konkurs ndërkombëtar për të hartuar një hyrje të dytë për të lehtësuar presionin në rritje të numrit të vizitorëve nën Piramidën e famshme prej xhami. Ndryshimet e tarifave do të aplikohen gjithashtu nga janari i ardhshëm, kështu që banorët jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë turistët e Mbretërisë së Bashkuar, do të paguajnë më shumë për vizitë.

Macron ka dhënë edhe përgjigje ndaj paralajmërimeve nga drejtoresha e Muzeut të Louvres, Laurence des Cars, se institucioni po vuan nga problemet e mëdha të mbipopullimit dhe dështimit të infrastrukturës. Në një letër drejtuar qeverisë, të bërë publike në fillim të këtij muaji, Des Cars ka treguar se  Piramida – e cila që nga viti 1989 është pikë unike e hyrjes në galeri – ishte “strukturalisht e paaftë për të përballuar” numrin e vizitorëve që tani arrijnë më shumë se 9 milionë në vit. Ajo tregoi gjithashtu se “në këndvështrimin e të gjithëve, prezantimi i ‘Mona Lisës’ është diçka që duhet shqyrtuar”.

Për çdo ditë rreth 30 mijë veta kalojnë shkallët e muzeut duke e bërë atë më të vizituarin në botë

Rreth tri të katërtat e 30 mijë vizitorëve të përditshëm të Muzeut shkojnë për të parë pikturën e Leonardo da Vincit, por është bërë një provë qëndrueshmërie, me një turmë të vazhdueshme që kalon nëpër “Salle des Etats” dhe merr mesatarisht 50 sekonda për të vëzhguar e për të bërë foto.
“Publiku… nuk ka asnjë mënyrë për të kuptuar punën e artistit, gjë që ngrit pikëpyetje mbi të gjithë misionin tonë të shërbimit publik”, ka shkruar Des Cars në letrën e saj. Sipas projektit të Macronit, fasada lindore e Muzeut –  e cila sot është klasike e ballafaquar nga një hendek artificial dhe një hapësirë pak e përdorur – do të ridizajnohet. Një hyrje e re do të japë qasje të menjëhershme në hapësirat e reja ekspozuese nëntokësore nën “Cour Carré”, e cila nga ana tjetër do të lidhet me zonën poshtë Piramidës.
Macron ka thënë se fronti i ri –  ndryshimi më i madh në Muze që nga projekti i “Louvrit të Madh” të presidentit François Mitterrand 40 vjet më parë –  do të lidhet me planet e qytetit për të krijuar një zonë “të gjelbër” të mbushur me pemë. Sipas tij, ky plan do të ndihmonte në integrimin e Muzeut në qytet dhe “ua kthen atë parisienëve”. Ai shtoi se largimi i “Mona Lisës” nga pozicioni i saj aktual do t’ia mundësonte Muzeut ta prezantojë atë siç duhet dhe do ta bëjë më të lehtë shikimin e kryeveprave të tjera, të cilat “shumë shpesh anashkalohen” e që janë të ekspozuara në “Salle des Etats”.

Punime të mëdha rinovimi do të ndërmerren gjithashtu në vitet e ardhshme për të modernizuar infrastrukturën dhe për të ofruar tualete të reja, restorante dhe ambiente pushimi. Kostoja e përgjithshme llogaritet në disa qindra milionë euro. Macron ka treguar se projekti nuk do t’u kushtonte asgjë taksapaguesve, pasi do të financohet përmes shitjes së biletave, donacioneve dhe marrëveshjes së sponsorizimit me Muzeun e Louvrit në Abu Dhabi. Me kompetencat e tij të shkurtuara ndjeshëm që nga humbja e shumicës në Parlamentin francez gjashtë muaj më parë, presidenti ka qenë në kërkim të një kauze të re me të cilën do të sigurojë trashëgiminë e tij. Udhëheqja e tij shumë e lavdëruar në restaurimin e bërë pas zjarrit të katedrales “Notre-Dame” duket se ia ka hapur dëshirën për një projekt të ngjashëm madhështor në Muzeun e Louvreit./KultPlus.com

Alibaba prezanton version të ri të IA, më i mirë edhe se DeepSeek

Gjigandi kinez i teknologjisë Alibaba ka njoftuar prezantimin e një versioni të ri të inteligjencës së tij artificiale, të njohur si Qwen2.5 Max.

Sipas Alibaba versioni i ri arrin performancë konkurruese me modelet e nivelit të lartë, si DeepSeek-V3, GPT-4o dhe Qwen2 të Kinës. .5 Max OpenAI dhe Meta’s Llama-3.1-405B.

Kompania po analizon ende disa standarde, raporton Wall Street Journal. /KultPlus.com

Mahatma Gandhi: Njerëzit zakonisht bëhen ashtu siç ata besojnë se mund të bëhen

“E vërteta më ka tërhequr mua brenda fushës së politikës; dhe unë pa hezitimin më të vogël mund të them se ata që thonë se religjioni s’ka të bëjë asgjë me politikën, nuk e din se çka nënkupton religjioni.”

“Njerëzit zakonisht bëhen ashtu siç ata besojnë se mund të bëhen. Nëse unë besoj se nuk mund të bëjë diçka, kjo më bënë mua të paaftë për ta bërë atë. Por kur unë të besoj se mundem, atëherë unë e fitoj aftësinë për ta bërë atë, madje edhe nëse në fillim nuk e kam pasur këtë aftësi.”

– Mahatma Gandhi, “The Story of My Experiments With Truth”/KultPlus.com

Kutia “Peckham Spring Water” nga seriali “Mućke” shitet për gati 3000 £

Një kuti kartoni bosh “Peckham Spring Water”, e cila u përdor si rekuizitës në një nga episodet më të famshme të serialit “Mućke”, u shit në ankand për shtatëfishin e çmimit të parashikuar.

Në ankandin, të cilin e ndoqën më shumë se 2000 persona, kjo kuti u shit për 2728 paund, ndërsa çmimi fillestar ishte 400, shkruan “Daily Mail”.

Kutia është përdorur si rekuizitëse në episodin “Mućki” të vitit 1992, i cili është ndjekur nga 20 milionë fansa të këtij seriali.

Në atë episod ikonik, Del Boy, i luajtur nga Sir David Jason, gjen një burim misterioz uji që më vonë rezulton të jetë ujë nga zorra e kopshtit të dikujt që ka kaluar nën shkëmbinj.

Më pas, Del Boy, në stilin e tij, i bindi autoritetet lokale që t’i jepnin një licencë për të paketuar ujin dhe për ta shitur atë si ujë mineral.

Një nga anëtarët e ekuipazhit që filmoi episodin e mbajti kutinë në ruajtje për 33 vjet përpara se të dilte përfundimisht në ankand./KultPlus.com

Orhan Pamuk: Dashuria dhe politika në kohën e murtajës


Nga Simonetta Fiori

Vetëm një shkrimtar si Orhan Pamuk, mund të shkruante romanin e madh politik të “murtajës” bashkëkohore. Jemi në Minger, një ishull imagjinar përgjatë rrugës midis Stambollit dhe Aleksandrisë në Egjipt. Ngjarjet zhvillohen midis sulltanëve, pashallarëve, burokratëve dhe princeshave, në grahmat e fundit të Perandorisë Osmane, të tronditur nga Murtaja e Zezë.

Por duket sikur ato ngjarje të viteve të para të shekullit të kaluar flasin për ne, për regjimet autoritare dhe për demokracitë tona të brishta. Ndoshta sepse “qendra sekrete” në librin “Netët e murtajës”, i sapo-botuar në Itali nga Einaudi, merret me lidhjet e shkurtra midis të mundshmes dhe së vërtetës, midis trillimit letrar dhe të vërtetës historike, midis shpikjes narrative të projektuara në një epokë të largët dhe evokimit të vazhdueshëm për të pasur një referencë ndaj ngjarjeve aktuale, të karakterizuara nga pandemia, karantinat dhe tërmetet në gjeografinë politike.

“Arti i romanit, bazohet në aftësinë për të treguar historitë tona, sikur të ishin të të tjerëve,dhe për të treguar historitë e të tjerëve sikur të ishin tonat”- thotë në një rast një nga personazhet e Pamuk. Largimet dhe mohimet, kufizimet dhe izolimi, rebelimet, kulmet e autoritarizmit, burokracitë, radikalizmi fetar dhe nacionalist.

Dhe pastaj është frika, ko sëmundja e shpirtit që rrëshqet deri në marrëdhëniet më intime, në familje, madje edhe në dhomën e gjumit. Ai kishte menduar prej vitesh të shkruante një libër mbi murtajën, dhe kjo shpjegon gjithashtu edhe volumin e madh të romanit (mbi 700 faqe), i cili nuk mund të ishte një fryt i nxituar i pandemisë së fundit.

Mes kaq shumë fatkeqësive, koronavirusi i dha atij gjithashtu një përvojë që as Defo, Manxoni dhe as Kamy – tre romancierët e mëdhenj të murtajës – nuk e kishin përjetuar drejtpërdrejt. “Gjatë bllokimit, unë mësova jo vetëm se çfarë është frika, por mësova edhe ta përshkruaj, t’i jap një formë narrative”.

Si ju lindi ideja të shkruani një roman mbi murtajën, përpara se ajo të shfaqej në jetën tonë?

Kam nisur të mendoj për të që 45 vjet më parë. Ideja ishte të shkruaja një rrëfim historik mbi epideminë që preku Perandorinë Osmane në vitet e fundit të ekzistencës. Tema qendrore do të ishte frika nga vdekja, me të cilën ndërgjegjja perëndimore e lidh zbulimin e vetë ekzistencëssë individit.

Pra një reflektim me një shije më filozofike…

Po, por më pas doja ta kombinoja me një temë tjetër, i frymëzuar nga vepra e Eduard Said, Orientalizmi, e cila është një analizë e fortë e mënyrës së shtrembëruar përmes të cilitPerëndimi e ka parë Lindjen e Mesme. Isha veçanërisht i fiksuar pas fatalizmi që do tëkarakterizonte sjelljen e turqve myslimanë përballë epidemisë:sipas klishesë orientaliste, ata do të rrinin e shikonin pa bërë asgjë, sepse Zoti e ka shkruar datën e vdekjes në ballin e të gjithëve. Ai e kupton se çfarë mendimesh rrotulloheshin në kokën time…

Pra kur u përhap Covid-19, e dinit tashmë se çfarë mund të ndodhte në Turqi…

Në fakt, unë nisa ta shkruaj librin para shfaqjes së koronavirusit. Sakktësisht 5 vjet e gjysmë më parë. Mendova se ishte koha e duhur. Pasi e kisha parë qeverinë e Erdoganit të zhvendosej në një terren gjithnjë e më shumë represiv:virusi dhe masat kufizuese për ta luftuar atë, do të kishin qenë një alegori e fuqishme e autoritarizmit në rritje të regjimit turk. Asokohe murtaja ishte vetëm një metaforë.

Më pas pushoi së qeni një metaforë dhe hyri në jetën tuaj…

Në atë moment, shpërtheu kaosi. Miqtë që deri atëherë më kishin dekurajuar – “Çfarë roman i mërzitshëm mbi epideminë dhe karantinën, e kush do ta lexojë?”- filluan të më telefononin:Sipas tyre unë isha njeriu më me fat në botë. Për të mos përmendur presionin nga botuesit e mi:I dashur Orhan, a e ke mbaruar librin? Kur do të na e dorëzosh?

Si u ndjetë?

Para ndjesi të përziera. Nga njëra anë, nuk mund ta konsideroja veten me fat:Një nga viktimat e para të koronavirusit në Stamboll, ishte tezja ime që jetonte pak blloqe larg meje. Një figurë shumë e rëndësishme për formimin tim artistik. Nga ana tjetër isha i gëzuar. Pasi po shkruaja një roman historik për një murtajë të rënë në vitin 1901, dhe në të njëjtën kohë po shkruaja për të sotmen. Një gjendje krijuese tipike post–moderne.

A e ndryshoi këndvështrimin tuaj përjetimi i tragjedisë së Covid-19?

Po, rrënjësisht. Unë kisha shkruar tashmë shumë faqe. Por duke u mbështetur në leximin e librave të tjerë. E kuptova se në versionin e parë të rrëfimit nuk kishte frikë. Pra mungonte frika ime:unë isha 68 vjeç, kisha frikë për jetën time dhe atë të të tjerëve. Por personazhet e mi nuk ishin aq të frikësuar nga murtaja sa unë nga koronavirusi. Prandaj u detyrova të bëj shumë ndryshime.

Mua më duket se asnjë nga rrëfimtarët e dikurshëm të murtajës, nuk e ka përshkruar ndonjëherë këndvështrimin e tij. Ndërkohë ju flisni mbi epideminë në nivelin politik dhe shtetëror, pra për formimin e një burokracie të madhe që është ngritur rreth virusit:mjekë, farmacistë, ushtarë, ministra, autoritete fetare, pashallëqe…

Kjo do të jetë klasa e re sunduese e Mingerit, ku shpërthen një revoltë nacionaliste dhe lind një shtet i ri…

E përse zgjodhët këtë këndvështrim?

Kur kuptova që po shkruaja një roman mbi murtajën dhe politikën, desha të fokusohesha tek mekanizmat e ndërtimit të një kombi të ri. Nuk ka rëndësi nëse flasim për Turqinë, Shqipërinë, Malin e Zi apo Mingerin. Dhe së bashku me lindjen e një kombi të ri, më interesonte të tregoja kompleksin e mitografive dhe legjendave që legjitimojnë sovranët e rinj. Erik Hobsbaum i kushtoi këtij kompleksi librin e tij të famshëm “Shpikja e traditës”. Është një fe e re laike, e cila pa bekimin e Zotit duhet të motivojë një komunitet.    

Në këtë roman identifikohet qartë figura e autoritarit Abdyl Hamit, sulltani pan-islamik të Perandorisë Osmane, në një analogji me Erdoganin…

Analogjia vlen vetëm pjesërisht. Sulltani ishte shumë më i perëndimor se sa sot Erdogani. Ai e donte operën, fliste frëngjisht, lexonte me shumë pasion romane triller. Unë nuk e përfytyroj dot Erdoganin të lexojë Sherlok Holmsin! Abyl Hamiti shpiku islamin politik, dhe e përdori atë për të shantazhuar Evropën. Por Erdogan beson më shumë se ai në shenjtërinë e Islamit.

Por a mendoni se trashëgimia laike dhe pro-perëndimore e Atarturkut, është një trashëgimi e fituar përgjithmonë? Apo rrezikon të zhbëhet nga ai që është quajtur “Uragani Erdogan”?

Unë besoj se trashëgimia e Ataturkut ka pësuar dëme serioze. Simboli më i qartë i tradhtisë së tij përfaqësohet nga Hagia Sophia, një monument madhështor bizantin në Stamboll, i shndërruar falë Ataturkut nga një xhami osmane në një muze – një nderim për Perëndimin – dhe që tani me vendimin e Erdoganit është bërë sërish një vend adhurimi për myslimanët. Për kritikat që kam shprehur ndaj vendimit të qeverisë, kam pasur shumë sulme. Por në aspekte të tjera mund të them se laicizmi i Ataturkut është një traditë me rrënjë të thella në Turqi.

Për këtë libër ju jeni paditur në gjykatë me akuzën e fyerjes së Ataturkut…

Është një çështje shumë e ndërlikuar, madje paradoksale. Më thirrën nga prokuroria eStambollit dhe më thanë:“Zoti Pamuk, në romanin tuaj ju keni dashur të talleni me babain e kombit, Mustafa Kemal Ataturk. Jo zotëri, unë i hedh poshtë të gjitha akuzat tuaja. Por ne kemi marrë shumë letra ankesash, që të gjitha me të njëjtën akuzë:ju keni ofenduar kujtimin e heroit tonë kombëtar. Jo, zoti prokuror, nuk ka qenë kurrë synimi im të fyej Ataturkun. Më tregoni në cilën faqe të romanit e kam bërë këtë?”. Në atë moment avokati nuk dinte se çfarë të bënte.

Dhe si përfundoi kjo çështje?

Çështja i është referuar një gjykate më të lartë në sistemin gjyqësor turk. Por sipas avokatit tim, ajo është bërë pjesë e labirintit të Ministrisë së Drejtësisë, e cila nuk di më çfarë të bëjë me të.

Një histori surreale…

Një histori që do t’i kishte pëlqyer Franc Kafkës. Duhet të ketë ardhur një urdhër nga lart, kushedi nga kush:Çfarë mund të bëjmë për ta goditur Pamuk? Atëherë, le të ngremë akuzën për fyerjen e Ataturkut. Besoj se edhe këtë herë më shpëtoi nga burgu fama ime si shkrimtar fitues i Çmimit Nobel.

Marrë me shkurtime nga La Repubblica/ KultPlus.com

Amerika e Franklin Roosevelt, nga rrënimi në superfuqi

Nga: Luan Kondi

Një nga presidentët më të pëlqyer nga amerikanët, Franklin Delano Roosevelt, njohur ndryshme edhe si FDR (shkronjat e pra të emrit të tij), drejtoi SHBA-në me sukses gjatë Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore. Programi i tij qeverisës (New Deal) Marrëveshja e Re krijoi vende pune, lejoi hapësira për sindikatat, reformoi vendin me anë të rregullimit të Wall Street dhe sistemit bankar kombëtar, dhe siguroi një rritje ekonomike të qëndrueshme. Disa nga programet e realizuara prej tij si Siguria Sociale dhe Korporata e Sigurimit të Depozitave Federale, janë shumë të rëndësishme ende.

Edhe pse ai u përpoq të mbante Amerikën neutrale gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mbështetur gjithnjë aleatët, por pas sulmeve në Pearl Harbor, Roosevelt e çoi Amerikën në luftë të drejtpërdrejtë. Udhëheqja e tij rezultoi një strategji efikase në luftë pasi mundësoi shkatërrimin përfundimtar të nazistëve dhe fuqive të Boshtit. Shumë historianë mendojnë se hyrja e SHBA-së në luftë ishte një pikë kthese, e pikërisht kjo e bëri Rooseveltin një president të njohur. Franklin kujtohet si një politikan i madh, nga modeli qeverisës i të cilit mund të përfitohet mjaft. Franklin D. Roosevelt udhëhoqi popullin amerikan gjatë një momenti shumë të rëndësishëm të historisë së SHBA-së. Në prag të një lufte të madhe botërore, kur vendi ishte ekonomikisht i shkatërruar, u desh një njeri i fortë, si Franklin, që t’i trajtonte në mënyrë strategjike këto kriza. Presidenca e Roosevelt la një trashëgimi, që e bën atë një emër të madh të familjes së tij. Gjatë viteve ka ndodhur të harrohen disa prej presidentëve të SHBA-së, por me Franklin Roosevelt, që drejtoi dymbëdhjetë vjet, vështirë të ndodhë kjo. Reformat e ndërmarra nga Roosevelt e radhisin atë në krye të listës së presidentëve. Franklin Roosevelt ishte presidenti me moshë të re, që e solli Amerikën në epokën moderne të shekullit XX. Njeriu i fortë, i cili mposhti sëmundjen dhe paaftësinë për të udhëhequr një komb në luftë, mbetet një figurë historike që do të vlerësohet dhe respektohet edhe nga brezat e ardhshëm.  

Si u formua personaliteti i Franklin Roosevelt 

Franklin, edhe pse një president i lavdishëm, nuk ka qenë asnjëherë një nxënës dhe student i shkëlqyer. Ai deri në moshën 14-vjeçare mësoi në çifligun familjar Springwood. Më vonë u dërgua në shkollën përgatitore në Groton, ku shkonin fëmijët e familjeve të pasura, dhe më tej ndoqi studimet në Harvard. Ai mori nota mesatare në të gjithë shkollën dhe madje edhe gjatë shkollës së drejtësisë. Ai u diplomua në Harvard për histori, dhe më vonë ndoqi studimet për drejtësi në Universitetin e Columbias, por i ndërpreu ato pasi dha provimin e avokatisë. Edhe pse pa një diplomë në drejtësi, ai u përpoq të fillonte karrierën si avokat deri sa vendosi të hynte në shërbimin publik. Ashtu siç ndodh te shumë njerëz të suksesshëm, shkollimi i tij në fillim nuk ishte një tregues i vërtetë i asaj që Franklin Roosevelt do të ishte në gjendje të realizonte më vonë në jetë. Përkundër atij suksesi të madh që arriti si një udhëheqës i fuqishëm, Franklin nuk kishte një edukim shumë të fortë formal. Sot do të ishte shumë e vështirë që dikush të bëhet president pa një arsimim të fuqishëm, dhe sidomos pa një prapavijë të fortë ligjore. Edhe pse nuk shkëlqeu në shkollë, Franklin Delano Roosevelt mësoi shumë nga përvoja e jetës. Kjo e ndikoi atë në marrjen e vendimeve shumë të zgjuara gjatë karrierës së tij presidenciale. Franklin ishte kushëriri i pestë i Theodore Roosevelt, Presidentit të 26-të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai erdhi nga një familje shumë e privilegjuar, e cila kishte shumë të afërm me ndikim të madh në politikë dhe fusha të tjera. Krenar për prejardhjen e familjes së tij, Franklin pohonte se kishte lidhje me njëmbëdhjetë Presidentë të SHBA-së, si edhe njerëz të famshëm si Robert E. Lee, Jefferson Davis, Mbretëresha Elizabeth dhe Winston S. Churchill. Kjo tregon se aftësitë udhëheqëse të Franklin ishin në linjën e gjakut të tij.Franklin lidhi martesë me Eleanor Roosevelt, mbesën e Theodore Roosevelt. Eleanor ishte grua e zgjuar dhe e mirëarsimuar për kohën e saj. Ajo ndikoi shumë në “New Deal” (Marrëveshjen e Re), si dhe ndihmoi Franklinin në reformat e nevojshme gjatë Depresionit të Madh.  

Një Roosevelt ndryshe në politikë 

Edhe pse Franklin erdhi nga një linjë e gjatë politikanësh, ai ishte i pari demokrat në familjen e tij. Të gjithë Rooseveltët përfshirë dhe Theodorin, ishin republikanë. Në fakt, vendimi i tij për të qenë një demokrat e ndihmoi të fillonte karrierën politike. Në zgjedhjet për Senatin e Shtetit të Nju Jorkut, në vitin 1910, edhe pse kandidonte me siglën e demokratëve, ai u votua kryesisht për shkak të emrit të familjes së tij. Vetëm një demokrat kishte mundur të fitonte në Kontenë e Dutchess, zona ku kandidonte Franklin, që nga viti 1856. Atë kohë, shumë njerëz ende kujtonin me respekt të madh Theodore Rooseveltin, ndaj dhe Partia Demokratike vendosi të kandidonte atje një Roosevelt demokrat. Franklin fitoi me diferencë votash dhe kjo shënoi nisjen e karrierës së tij politike.  Roosevelt kishte një karrierë premtuese sepse më herët ai kishte shërbyer si senator i shtetit dhe Ndihmës Sekretar i Marinës. Në vitin 1920, ai konkurroi për një biletë në Shtëpinë e Bardhë, për zëvendëspresident, teksa guvernatori i Ohios, James Cox ishte kandidat për Presidentit. Ata humbën në betejën elektorale me Warren G. Harding dhe Calvin Coolidge. Kjo nuk e pengoi Franklin të vazhdojë shërbimin në poste publike.  

Presidenti në karrigen me rrota 

Franklin Roosevelt u paralizua pas një goditjeje nga poliomieliti në vitin 1921. Ai nuk e la paaftësinë fizike ta ndalonte për t’u marrë me politikë. Roosevelt u përpoq pareshtur të gjente një kurë për sëmundjen e tij. Për një kohë, ai u tërhoq për shkak të sëmundjes, por bashkëshortja Eleanor dhe Louis Howe e inkurajuan të vazhdonte më tej. Roosevelt punoi shumë në përmirësimin e imazhit fizik dhe politik. Ai mësoi të ecte vetë në distanca të shkurtra. Franklin kujdesej të mos shfaqej në publik duke përdorur karrigen me rrota. Asnjëherë nuk deshi të mësohej nga publiku aftësia e tij e kufizuar. Roosevelt i mbajti larg mediat nga ky problem, ndaj ekzistojnë vetëm tre foto që e tregojnë atë në karrigen me rrota. Paraliza e Franklin e solli poliomielitin në vëmendje publike. Mijëra jetë janë kursyer nga çrrënjosja e kësaj sëmundjeje. Për zbulimin e vaksinës kundër poliomielitit ka meritë edhe Roosevelt, pasi nxiti hulumtuesit. Pas disa mosmarrëveshjeve me persona me ndikim në Partinë Demokratike të Nju Jorkut, Roosevelt u shfaq në paqe me ta në Konventat Kombëtare të vitit 1924 dhe 1928 për të emëruar guvernatorin e Nju Jork, Al Smith si kandidat për president. Kjo e rriti ekspozimin e tij kombëtar, ndaj dhe Al Smith i kërkoi të kandidonte për guvernator i Nju Jorkut, në vitin 1928. Roosevelt fitoi me rezultat të ngushtë, por ky triumf i dha besimin të kuptonte se ylli i tij politik ishte në ngjitje. Si guvernator, ai besonte në një qeveri progresive që krijonte programe të reja sociale. Në vitin 1930, republikanët u fajësuan për Depresionin e Madh dhe Franklin Roosevelt ndjeu se kishte ardhur koha e triumfit. Ai filloi përgatitjen për një kandidim në zgjedhjet presidenciale. Shpesh bënte thirrje publike për ndërhyrjen e qeverisë në ekonomi, që të siguronte lehtësi, shërim përmes reformave. Qasja e tij optimiste, pozitive dhe përvoja personale e ndihmuan të fitonte ndaj kandidatit republikan Herbert Hoover, për president, në nëntor të viti 1932. Kur Roosevelt mori detyrën, në mars të vitit 1933, Amerika numëronte 13 milionë të papunë dhe qindra banka ishin mbyllur. Roosevelt u përball me krizën më të madhe në historinë e SHBA-së që nga Lufta Civile. Në 100 ditët e para si presidenti Franklin Roosevelt propozoi reformë të thellë ekonomike materializuar në programin “Marrëveshja e Re”. Ai urdhëroi mbylljen e përkohshme të bankave për të ndaluar tërheqjen e depozitave. Ai formoi një “Task Forcë” me ekspertë ekonomikë, të cilët projektuan agjencitë për të mbështetur fermerët, punësuar të rinjtë, rregulluar pagat e çmimet, siguruar depozitat bankare, rregulluar tregun e aksioneve, subvencionimin e kolateralëve etj. Që nga viti 1936, ekonomia tregoi shenja përmirësimi. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 34 për qind, dhe papunësia ra nga 25 për qind në 14 për qind. Por, Franklin Roosevelt u përball me kritika për rritjen e shpenzimeve qeveritare, buxhet të çekuilibruar, dhe se e kishte çuar vendin drejt socializmit. Disa akte të Marrëveshjes së Re u deklaruan jo kushtetuese nga Gjykata e Lartë e SHBA-së. Në vitin 1938, opinioni jo pozitiv për qeverisjen, rritja e ngadaltë ekonomike dhe fitoret e republikanëve në zgjedhjet e ndërmjetme, nuk i dha mundësinë Rooseveltit të kalonte legjislacionin e reformës.  

Lavdia e një udhëheqësi të madh 

Që nga fundi i Luftës së Parë Botërore, Amerika kishte adoptuar një politikë izolacioniste në politikën e jashtme. Në fillim të viteve 30-të, Kongresi miratoi aktet e neutralitetit të SHBA-së, duke parandaluar ndërhyrjen e saj në konfliktet e huaja. Në vitin 1933, Franklin D. Roosevelt largoi vendin nga parimi i njëanshëm i Doktrinës Monroe dhe themeloi politika të fqinjësisë së mirë me Amerikën Latine. Megjithatë, me lindjen e konflikteve ushtarake në Azi dhe Evropë, Roosevelt ka kërkuar mënyra për të ndihmuar Kinën në luftën me Japoninë dhe deklaruar se Franca dhe Britania e Madhe ishin “Vija e parë e mbrojtjes” së Amerikës nga Gjermania naziste. Në vitin 1940, Roosevelt nuk ishte shprehur publikisht se do të kandidonte për një mandat të tretë presidencial. Por duke parë fitoret e Gjermanisë në Evropë dhe dominimin në rritje të Japonisë në Azi, ndjeu se vetëm ai kishte përvojën dhe aftësitë për të udhëhequr Amerikën në situata të tilla. Në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike në Çikago, Roosevelt i sfidoi të gjithë kundërshtarët dhe doli kandidat për president i demokratëve. Në nëntor 1940 ai fitoi zgjedhjet presidenciale kundër republikanit Wendell Willkie. Gjatë vitit 1941, Franklin Roosevelt inkurajoi fabrikat e SHBA-së të bëhen një “arsenali i demokracisë” për aleatët – Francën, Britaninë dhe Rusinë. Mizoritë e luftës i detyruan amerikanët të ishin më pak izolacionistë. Roosevelti shfrytëzoi qëndrimin e patundur kundër Fuqive të Boshtit si Gjermania, Italia dhe Japonia për të marrë mbështetjen dypartiake në Kongres për rritjen e numrit të ushtarëve që merrnin pjesë në furnizimin e Aleatëve. Shpresat për të mbajtur SHBA-në larg luftës përfunduan me sulmin japonez në Pearl Harbor, më 7 dhjetor të vitit 1941. Gjatë Luftës II Botërore, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Franklin Roosevelt, ndihmoi në realizimin e një strategjie efikase për të fituar mbi Gjermaninë në Evropë dhe Japoninë në Azi e Paqësorin Lindor. Gjatë kësaj kohe, Roosevelt promovoi formimin e Kombeve të Bashkuara. Në shkurt të vitit 1945, ai mori pjesë në Konferencën e Jaltës së bashku me kryeministrin britanik, Winston Churchill dhe sekretarin e përgjithshëm sovjetik, Josif Stalin, për të diskutuar riorganizimin e pasluftës. Pas Konferencës së Jaltës ai u kthye në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shëndeti jo i mirë e dha goditjen. Pasditen e 12 prillit të vitit 1945, Roosevelt pësoi hemorragji cerebrale dhe u shua. Vdekja e Franklin Roosevelt tronditi publikun amerikan.  

Një lider i sprovuar 

Franklin D. Roosevelt ishte udhëheqësi më i rëndësishëm i shekullit të 20-të. Ai shpëtoi demokracinë amerikane nga Depresioni i Madh, udhëhoqi aleatët në fitoren mbi diktatorët, dhe triumfoi në katër palë zgjedhje të njëpasnjëshme. Fitorja e tij merr edhe më shumë vlera pasi dihet se vuante paaftësinë fizike, pas prekjes nga Poliomieliti në vitin 1921. Drejtimi që Franklin i bëri SHBA-së tregon efektivitetin e dukshëm të qeverisjes, një shembull i mirë për politikën e sotme. Roosevelt ishte një udhëheqës i ndërlikuar, i diskutueshëm, por çdo kombinim i ADN-së dhe përvojës e bëri atë të ishte jashtëzakonisht efektiv, sidomos në mandatin e tij të parë dhe të tretë, dhe pasardhësit e kanë parë vazhdimisht atë si një nga udhëheqësit më të fuqishme në historinë e SHBA. Një nga parimet e drejtimit të tij ishte; “Qëllimet mbaji të sigurta, mjetet për ti arritur ato fleksibël”. Fakt është se në vitet 1939-1941, Roosevelt e transformoi Amerikën nga një fuqi e mesme e ndarë dhe në mëdyshje në një udhëheqëse globale. Ai e shtyu izolimin në skajet e jetës kombëtare dhe e tërhoqi vendin në luftë, një veprim ky i kryer me kujdes dhe finesë. Franklin i ndryshonte vazhdimisht taktikat, por pas tyre gjithnjë dallohej synimi i qartë dhe i palëkundur. Për të realizuar synimet e tij, Roosevelt e ktheu qeverinë në një anije me vela, që ecte e fiksuar vetëm drejt progresit, edhe pse ndonjëherë lëkundej, por më në fund e ankoronte atë në portin e zgjedhur prej tij. Suksesi i udhëheqjes së Roosevelt ishte bashkëpunimi; “Ju jeni më të fortë kur punoni me të tjerët”, shprehej FDR. Për shkak të paralizës, pasojë e poliomielitit, Roosevelt u detyrua të mbështetet për arritjen suksesit politik dhe mbijetesën e tij, te familja, miqtë dhe bashkëpunëtorët. Në rrethanat që paraprinë Pearl Harborin, ai caktoi pesë burra të jashtëzakonshëm – diplomatin e mirëshkolluar, Sumner Welles, aventurierin dhe drejtuesin e ardhshëm të aktiviteteve të fshehta të inteligjencës (OSS- Zyra e Shërbimeve Strategjike) Republikanin “Wild Bill” Donovan, punonjësin social dhe influent, Harry Hopkins, kandidatin presidencial të Partisë Republikane (GOP-Grand Old Party) Wendell Willkie, dhe biznesmenin e diplomatin Averell Harriman. Roosevelt i dërgoi ata në misione të veçanta në Europë, që ishin vendimtare për luftën dhe Amerikën e shekullit XX. Pesë të dërguarit ishin frymëzimi dhe instrumentet e politikës së jashtme të Franklin D. Roosevelt. Përvoja e Roosevelt na mëson se: “Të jesh në dijeni të veprimeve të kundërshtarit”, është domosdoshmëri për jetëgjatësinë politike të një lideri. Filozofi dhe diplomat i kohës së luftës Isaiah Berlin ka vërejtur se Franklin Roosevelt besonte në “fleksibilitet, improvizim, trajtimin e personave dhe shfrytëzimin e burimeve të shumëllojshme në mënyra të reja dhe të papritura”. I vendosur për ta neutralizuar krahun izolacionist të Partisë Republikane, ngriti në nivele ndërkombëtare republikanin, Wendell Willkie. Ndokush mendonte se nuk do të ishte e mundur që një ish-rival presidencial t’i shërbente qëllimeve të Rooseveltit, por gaboi. Në të vërtetë, ai zotëronte një shkallë të tillë të lartë të besimit në vete, se koncepti i tij i udhëheqjes së presidencës krejtësisht pa vështirësi apo shqetësim është në thelb shëmbëlltyrë e vetë personalitetit të tij. Besimi i Roosevelt mundësoi mospajtimin e presidentit me këshilltarët kur duhet të merreshin vendime të rëndësishme, mbështetja e tij e hershme për Britanisë në fillim të Luftës së Dytë Botërore shushati shumica e tyre. Zëvendëspresident, guvernator në Nju Jork, dhe më në fund president, ai pothuajse ia ka kushtuar të gjithë jetën e tij shërbimit publik. “Kurioziteti është një gjë e mirë”. Kjo zinte vend të rëndësishëm në metodat e qeverisjes së Roosevelt. Ai liroi zinxhirët komandues. La mënjanë protokollet dhe krijoi perandorinë ndërthurëse administrative. Shpesh ai ua ndante një detyrë të vetme shumë njerëzve. Kjo ishte metoda e duhur për këtë çmenduri administrative. Duke kërkuar inteligjencës kudo, ai shmangu kapjen pas një burimi të vetëm. Me vendosjen e këshilltarëve të tij kundër njëri-tjetrit, ai testoi fuqinë e argumenteve të tyre. Duke shkrirë autoritetin, ai mbante kontrollin mbi çdo gjë. Roosevelt shquhej për Guximin dhe karakteri i fortë. Ai nuk e lejoi asnjëherë paaftësinë të pushtonte shpirtin e tij. Kjo duket në mënyrën se si ai është marrë me poliomielitin që i shkaktoi paaftësinë fizike kur ishte vetëm 39 vjeç. Të gjithë të njohurit e tij ranë dakord: ai u përball me pafuqinë me kurajë, këmbëngulje, dhe shpresë. Këto tipare të karakterit u shfaqën kur, si udhëheqës dhe komandant i përgjithshëm, ai inkurajoi një komb duke luftuar kundër Depresionit të Madh dhe fuqive të Boshtit në Luftën II Botërore. Studiuesi David Kennedy e quan atë një burrë të provuar në jetën politike dhe madje edhe një pasuri kombëtare. Roosevelt ishte një udhëheqës i përgjegjshëm ndaj detyrës. Ndjenja e shërbimit ndaj vendit i ishte rrënjosur nga prindërit, familja e tij e zgjeruar dhe mësuesit në Groton. Ai kurrë nuk kishte parashikuar ndonjë karrierë tjetër veç asaj të shërbyesit publik. I mprehtë dhe mendjehollë, si kushëri i Theodore, Franklin u ngjit në hierarki nga senator i Shtetit të Nju Jorkut e ndihmës sekretar i Marinës, kandidat presidencial. Shumica e njerëzve pranojnë se ai ishte një lider efektiv. Shkrimtarë të shumtë janë përpjekur të gjejnë cilësitë që e bënë atë tërheqës për ndjekësit e tij. Më mirë se kushdo tjetër historiani David Kennedy ka përshkruar disa nga karakteristikat e Roosevelt. “Presidenti i 32 i SHBA-së, ishte njohës i mirë i situatave, karizmatik, vetëbesues, i angazhuar në shërbimin publik, me karakter të fortë, vizion të qartë për të ardhmen e kombit dhe rolin e SHBA-së në botë, zotëronte aftësi politike për të realizuar një fazë përgatitore perfekt përpara marrjes së një vendimi, etj.  Ai zotëronte një kureshtje të madhe, një oreks të pakufi për dije që kombinoheshin me kapacitetin e tij për të absorbuar një gamë të habitshme të fakteve përmes bisedës. Bashkëbisedimi ishte mënyra e tij e preferuar e të mësuarit, ai donte t’i flisnin gjerësisht për çdo gjë”, shkruan David Kennedy. 

Presidenti i katër mandateve u shua në krye të detyrës 

Para Frankin D. Roosevelt, disa presidentë u përpoqën të kërkonin më shumë se dy mandate, por të tjerë e kanë konsideruar të mjaftueshëm drejtimin e vendit në vetëm dy të tillë. Mund të përmendim këtu Ulysses S. Grant, i cili ka bërë përpjekje për një mandat të tretë, por nuk u pa si kandidat i mundshëm nga partia e tij. I ndryshëm ishte rasti i George Washington, i cili u bë i famshëm për mospranimin e një mandati të tretë, dhe shumë ia atribuojnë pikërisht atij amendamentin që u krijua më pas për të krijuar një qeverisje vetëm në dy presidenca. Franklin Roosevelt është i vetmi që u zgjodh të drejtonte vendin në katër mandate. Pasi këtij shërbimi presidencial të Franklin Roosevelt, u propozua dhe më pas u ratifikuara një amendament, ku përcaktohej një afat për presidencën deri në dy mandate. Njerëzit mendonin se të pasurit e një presidenti që shërbente në kaq shumë mandate mund të çonte në korrupsion politik, pushtet të pakufizuar, për shkak të kohës së gjatë të qeverisjes nga një person. Ka pasur disa tentativa për shfuqizimin e këtij amendamenti, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë e suksesshme. Franklin Roosevelt do të mbetet i vetmi që ka shërbyer më shumë se dy mandate në krye të SHBA-së. Ai shërbeu si president për dymbëdhjetë vjet, dhe madje u shua pas vitit të parë të mandatit të tij të katërt, pak para shpalljes së fitores ndaj Japonisë, nga një hemorragji cerebrale më 12 prill, 1945. Nga 44 presidentë të Shteteve të Bashkuara, vetëm tetë prej tyre humbën jetën në mandatin e tyre presidencial. Franklin ishte një nga të paktët që u shua nga shkaqe natyrore. Presidentët; Lincoln, Kennedy,  Garfield dhe McKinley, u vranë teksa udhëhiqnin SHBA-në. William Harrison, Presidenti i 9-të i SHBA-së, vdiq në vitin 1841 nga pneumonia, Zachary Taylor, Presidenti i 12-të i SHBA-së, vdiq në vitin 1850 pasi vuante nga disa sëmundje, ndërsa Warren G. Harding, presidenti i 29-të, vdiq nën dyshimin për helm, ndërsa mjekët e tij shkak përcaktuan komplikacionet në zemër. /KultPlus.com

‘Merr një buzëqeshje’, poezia e mrekullueshme e Mahatma Gandhit

Poezi nga Mahatma Gandhi

Merr një buzëqeshje,
dhuroja atyre që nuk e kanë patur asnjëherë.
Merr një rreze dielli,
dhe bëje të fluturojë atje ku mbretëron nata.

Zbulo një burim,
bëj të lahen ata që jetojnë në baltë.
Merr një lot
vendose në syrin e atyre që nuk kanë qarë kurrë.

Merr kurajën
dhe vendose në shpirtin e kujt nuk di të luftojë
Zbulo jetën,
rrëfeja atyre që nuk dinë ta kuptojnë

Merr shpresën,
dhe jeto në dritën e saj
Merr bollëkun,
dhe dhuroja kujt nuk di të dhurojë

Zbulo dashurinë,
dhe bëja të njohur botës./ KultPlus.com

“Lenorë” premierë në ‘Dodonë’, shfaqja e cila rrumbullakoi esencën poetike të plagëve dhe fuqisë së shpirtit njerëzor

Era Berisha

“Lenorë” titullohet shfaqja e cila mbrëmë shpalosi historinë në teatrin Dodona në Prishtinë. Premiera qe një përvojë teatrale e cila magjepsi me historinë e ndjeshme dhe simbolike. Shfaqja ka bashkuar zërat e gjigantëve letrarë përmes një sërë monologësh të cilat vinin qartazi e bukur. Fragmentet e Jacques Prévert, Charles Bukowski, Oscar Wilde, Gabriel García Márquez, Pablo Neruda, Robert Frost, Constantine P. Cavafy, Nâzım Hikmet, W.H. Auden, N.Simon, T.Williams, Alexander Pushkin dhe Samuel Beckett, erdhën në një mënyrë të atillë që la një plagë të hapur tek publiku, shkruan KultPlus.

Dritat e skenës u fikën fiks në orën 19:42, dhe bashkë me to edhe shushurimat brenda sallës. Skenografia e thjeshtë i hapi rrugën kuptimit të thellë të shfaqjes. Një katror i hapur i vendosur në skenë ishte ajo kutia brenda së cilës zhvillohej gjithçka, dhe përtej saj dilte herë pas here aktori Armend Zeqiri i cili rrëfente historinë e Lenorës, vajza që gjeti dashurinë por që përfundoi në një katrahurë të madhe përtej saj. Rrëfimi i Zeqirit erdhi këndshëm, teksa tregonte për secilin akt të radhës.

Shfaqja e cila zgjati plot një orë, rrëfeu emocionet njerëzore; dashurinë, humbjen, rebelimin, mallin dhe reflektimin ekzistencial. “Lenora” e cila luhej nga aktorja Valmira Hoti, erdhi bujshëm. Ajo rrëfeu jetën e Lenorës nga caku në cak. Intimiteti i marrëdhënies së rolit të saj me personazhin e partnerit “Adrien” që luhej nga aktori Rifat Smani ishte diçka që e ftoi audiencën për të kuptuar rëndësinë që kanë fjalët, veprimet dhe gjestet poetike.

Përpunimi i esencës poetike së shkrimtarëve të njohur ka qenë diçka e bukur. Shfaqja “Lenorë” erdhi si një ekspozitë emocionesh ku në të luftohej për jetë por mbi të gjitha, për dashurinë. Skenat një nga një tregonin takimin e parë të dy personazheve, pastaj rrjedhën e dashurisë së tyre, kujtimet që ia shpalosnin njëri-tjetrit e deri tek errësira që ia mbushi shpirtin të dyve nga prezenca e luftës që sapo kishte gjetur shtëpinë e tyre.

Lenora në një pikë të shfaqjes e kupton që do të bëhet nënë, por shumë shpejtë gjithçka ndryshon. Lufta zë vendin kryesor. Shpirti i saj thyhet në copëza, teksa humbjen e fëmijës e portretizon duke hedhur gjak mbi dy dritaret e improvizuara në skenë. Është një thirrje universale që i bëhet botës për të ndalur luftën dhe derdhjen e gjakunt të njerëzve.

Shfaqja “Lenorë” provokon audiencën për të kuptuar thellësinë e ekzistencës, mbijetesës, kujtimeve dhe vuajtjes poetike. Pra, brenda shfaqjes tregohet një dashuri që sfidohet nga lufta, duke u interpretuar nga një gjuhë poetike që jehon brenda katër mureve në sallë. Ëndrrat e thyera gjejnë vendin edhe tek pasqyrat të cilat në skenë shpesh reflektojnë dritë. Ato thyerje dritash reflektojnë krisma pushke e vdekjeprurëse. Në anën tjetër, kemi rolin e Adrienit, që burgoset dhe plot dyzetekatër orë qëndron duke dëgjuar zhurmën e zorrëve të tij dhe zhurmën e automatikëve që hidhen në ajër. Ai arrin të ikë nga aty dhe ta gjejë të dashurën Lenorë, mirëpo tashmë asgjë nuk është si në fillim.

“Lufta është idiotësi”, thërrasin aktorët në skenë, teksa fisheku i hedhur humb shëmbëllimin e vetë dhe terri plotëson fundin. Është një plagë e hapur që përkon me realitetin e hidhur të tanishëm në botë, realitet ky të cilin shpeshherë e shtyjmë anash në mendime. Shfaqja “Lenorë” nuk ka një fund të lumtur, njashtu sikurse fikja e qirinjëve që tashmë janë simbol për të nderuar të vdekurit, por edhe ata që në luftë janë zhduk e nuk janë gjend më.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe idesë pas saj, për KultPlus foli regjisori Bashkim Ramadani.

“Për mua, dramatizimi i tekstit përfundimtar të shfaqjes ka qenë një sfidë e madhe dhe e vështirë. Kam përdorur poezi, monologë dhe fragmente të ndryshme, të cilat janë shndërruar në dialogë mes personazheve. Kjo qasje më ka mundësuar të eksploroj një mënyrë eksperimentale të ndërtimit të narratives. Tema qendrore dhe kulmore e shfaqjes është lufta dhe pasojat e saj tek dy të rinj, Lenorë dhe Adrien, që jetojnë në pasiguri dhe traumë të vazhdueshme. Përmes vizionit tim regjisorial dhe përjetimeve të këtyre personazheve, kam sjellë një tekst përfundimtar që nga një material dramaturgjik ka marrë formë si tekst skenik, i mbështetur nga metaforat dhe simbolet e gjetjeve dhe zgjidhjeve të mia regjisoriale”, thotë ai.

Sipas tij, skenografia, kostumet, rekuizitat dhe i gjithë arsenali skenik kanë qenë në funksion të shfaqjes, duke përforcuar vizionin dhe konceptin regjisorial. Ndriçimi dhe përzgjedhja muzikore, po ashtu kanë ndihmuar ndjeshëm zhvillimin e dinamikave mes skenave dhe raporteve të personazheve, varësisht nga rrethanat emocionale e dramatike.

“Unë besoj dhe shpresoj se këtë material dramatik, përmes konceptit regjisorial, e kam sjellë në formën më të denjë dhe më të arrirë për një shfaqje teatri. Arritja më e madhe e këtij rrugëtimi dhe eksperimenti teatror është krijimi i një teksti dramatik funksional, të shoqëruar nga elemente skenike që e bëjnë shfaqjen plotësisht të realizuar”, përfundon Ramadani.

Ndërsa, aktorja Valmira Hoti që luan rolin e Lenorës është shprehur tejet e lumtur me rezultatin e shfaqjes, teksa ka thënë se roli i saj ka qenë tejet kompleks.

“Roli i Lenorës ka qenë mjaft kompleks, por më ka ofruar mundësi të shumta shprehëse dhe përjetimi e transformimi. Për mua, është një nga rolet më të dashura, të cilin do ta mbaj gjatë në kujtesë dhe do ta luaj me shumë kënaqësi. Ka qenë një punë e lodhshme që ka kërkuar shumë durim dhe përkushtim, por në fund ia ka vlejtur,” thotë ajo.

Bashkëpunimin me partnerët skenikë dhe të gjithë bashkëpunëtorët, ajo e ka vlerësuar si shumë të mirë.

Shfaqja është bashkëprodhim me Teatrin Dodona dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Barabar Centre.

Skenografia: Burim Arifi

Kostumografia: Blendina Xhema

Dizajni i dritave: Skender Latifi

Ilustrimi dhe dizajni: Dardan Luta

Fotografitë: Sovran Nrecaj

Video: Genc Berisha

Teknikë të skenës: Albert Gashi, Bedri Maloku, Fadil Bekteshi./ KultPlus.com