Istref Begolli, aktori tragjediant i cili edhe përfundoi tragjikisht

Arbër Selmani

Mbrëmjen kur i lindi fëmija i parë dhe i vetëm, aktori Istref Begolli ishte duke e luajtur rolin e “Makbethit” të Shekspirit. Begolli, ky burrë i fortë që nuk linte dërrasë të Teatrit pa lëvizur vendi, o me timbër o me paraqitjen e tij, pasi që e përfundon shfaqjen kolegët e Teatrit Kombëtar sot – asokohe Teatri Krahinor e njoftojnë se gruaja e tij ka lindë “djalë”.

Istref Begolli, me gëzim i fton kolegët që të mbledhen në Byfenë e Teatrit derisa ai sigurohet se gruaja e tij dhe “djali” i posalindur gëzojnë shëndet të mirë.  Kur thërret në telefon tek familjarët e tjerë i thonë se gruaja dhe vajza janë mirë.   Vajza?  Atij i kishin thënë se e kishte fituar një djalë. Begolli niset prej përdhesës të Teatrit ku shfrytëzohej telefoni fiks e deri në katin e tretë tek Byfeja, tejet i gëzuar për ardhjen në jetë të vajzës:

 “Ejani të gjithë, më ka lindur vajzë” – ishin fjalët brohoritëse të Begollit, i cili u bë babë në moshën 42 vjeçare.  Kolegët ia kishin dhënë lajmin jo të saktë aktorit të madh meqë ai kishte qenë i vetmi djalë në familje përkrah dy motrave të tij.

Istref Begolli me dy motrat dhe nënën e tij

Kjo vajzë e cila nisi si “djalë” është Alba Begolli që jeton në Prishtinë, në banesën e trashëguar nga prindërit Istref Begolli dhe Hadije Maloku-Begolli të cilët e jetuan jetën krahas saj. Në po këtë banesë unë ulem bashkë me Albën në vendin e quajtur këndi i Istrefit, poshtë fotografisë së tij në rolin e “Makbethit” dhe gati për të hyrë në botën e njeriut vizionar e bashkëkohor, siç e përshkruan Alba.

*

“Baba ka qenë prind me të cilin kam pasur një raport shoqëror dhe shumë të përzemërt. Për nga natyra ishte emotiv, i butë, i ndjeshëm, rrezatonte plot dashuri, por njëkohësisht edhe personalitet i fuqishëm dhe parimor. Përpos si babë, e kam pasë edhe si vëlla dhe shok me të cilin kam mundur të bisedoj për çdo gjë apo “çështje”, për ta zgjidhur apo shtjelluar bashkërisht. Unë dhe ai e kemi pasur një raport jashtëzakonisht të çiltër dhe të veçantë” tregon Alba Begolli.

“Ka qenë shumë i dhanun pas familjes, krahas karrierës së tij. I gëzohej gjithçkafit, edhe gjërave më të vogla, qoftë edhe vetëm nje dreke të zakonshme.  Ai thoshte se “duhet me ditë me i çmu e me iu gëzu gjanave të vogla sepse të mëdhatë rrallë ndodhin apo nuk ndodhin fare”.  Ka qenë shumë i afërt si familjar si dhe me gjithë njerëzit.  Unë jam me fat të jem vajza e tij dhe nana ime ka qenë gjithashtu me fat të jetë krah një bashkëshorti të tillë”, tregon tutje Alba.

Istref Begolli, një nga aktorët më të spikatur shqiptarëtë të gjitha kohërave, një figurë me plot prezencë dhe karizmë në çdo hapësirë ku depërtonte dhe realizonte role, lindi më 7 maj 1933 në Pejë.  Shumë i ri, ai do të largohej nga Peja si 15 vjeçar për ta marrë rrugën drejt themelimit të Teatrit Krahinor në Prishtinë[i] ku edhe do të lulëzonte karriera e tij si aktor i dërrasave të teatrit dhe roleve tragjike, aktor i cili shkriu e stërshkriu role të mëdha edhe në skenat  e teatrove prestigjioze të ish-Jugosllavisë.

 “Në kohën kur kam lindë unë në vitin 1975, ai ka qenë në kulmin e karrierës së tij.  Diku që nga mosha 12 vjeçare kam fillu me i asistu babës në secilin rol që ai e përgatiste. Fillimisht, baba niste me mësimin e tekstit duke u familijarizu me atë tekst. Derisa e përgatiste rolin ai mbante një fletore ku e shkruante tekstin që e përpunonte vet si dhe fjalinë e fundit të partnerit në rol.  Ky “partner” isha unë gjatë asistimit.  Kësisoj e mësonte ma lehtë tekstin, ushtronim së bashku me orë të tëra si dhe në magnetofonin e tij personal.  Mund të them që prej të gjithë aktorëve shqiptarë të asaj kohe ai veçohej për diksionin e tij të shquar” tregon më tej Alba.

Banesa ku jeton Alba në të cilën Istref Begolli ka jetuar deri në vitin 2003, e deri në vitin 2017-të edhe Hadije Maloku-Begolli, është e mbushur me fotografi të kësaj treshe familjare që jetoi në simbiozë të plotë, në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Në një kënd është fotografia e vitit 1946 e Istref Begollit me nanën dhe dy motrat e tij. Jo shumë larg saj janë edhe fotografitë nga rolet e Begollit, si: “Dervishi dhe Vdekja”, “Makbethi”, nga përurimi i hapjes së Kino “ABC-së” në Prishtinë, etj.  Dhomës i jep dritë edhe një fotografi familjare nga viti 1978.

Istref Begolli

“Kam qenë shumë e lidhun me punën e babës, gjatë asistimit tim më është kriju dashuria me artin e tij.  Pastaj, në premierë, unë e dija përmendësh krejt tekstin dhe kur ulesha në karrige “dridhesha” e tëra prej tremës” rrëfen Alba.

*

Istref Begolli, në pjesën e dytë të vitit 1974 njoftohet me Hadije Malokun nga Prizreni me të cilën martohet me 28 dhjetor 1974. Në shtator të vitit 1975 vjen në jetë Alba. Çifti, në kohën kur u njoftuan ishin në ndërtim të karrierës së tyre. Hadije Maloku-Begolli ka qenë Gjykatësja e parë femër në Kosovë, pastaj deputete në Parlamentin e ish-Jugosllavisë, në vitin 1979  Kryetare e Grave të Kosovës e deri në pensionimin e saj në cilësi të Avokates Krahinore të Kosovës në janar të vitit 1990.  Hadije Maloku-Begolli vdiq në moshën 81 vjeçare me 12 shkurt 2017 pas një jete të shëndetshme dhe të gjatë.

Istref Begolli dhe Hadije Maloku Begolli / Nga albumi familjar

“Nana ka qenë person më temperament, një grua e vendosur, me mençuri të mprehtë në çdo aspekt, dhe e ka plotësu babën i cili ka pasur një natyrë më ndryshe nga ajo. Nana ka qenë shtyllë në familjen tonë të vogël e cila e ka mbajt gjallë emocionin dhe ndjeshmërinë”, vazhdon Alba.

“Që të dytë kanë pasur shije të njëjtë, qasje të njëjtë ndaj jetës, kanë qenë shumë human dhe të afërt me njerëz. Dy personalitete me botëkuptime përparimtare dhe vizionare, dy intelektualë të shquar. Unë jam rritur në një familje të shëndoshë, në një familje me mirëkuptim dhe respekt, me virtyte të larta njerëzore që rrallë mund të gjinden në kohërat aktuale.  Koha e vizionit të tyre është mu kjo në të cilën ne jetojmë sot. Më kujtohet kur baba thoshte se “çdo lagje do të duhej t’i përmbushë kërkesat e banorëve që mos me pasë nevojë me dalë në qendër të qytetit për me i plotësu obligimet dhe nevojat”.  Peng më ka mbetë, sepse sot ka ardhë ajo kohë dhe baba nuk arriti t’i sheh disa ndryshime pozitive që janë bërë” shprehet Alba, një vajzë që e ka trashëguar prej prindërve butësinë, kulturën, mirësinë dhe mbi të gjitha dashurinë për artin dhe të bukurën.

Hadije Maloku-Begolli

*

Alba e kujton një ngjarje të veçantë me babën e saj, derisa e shpalosë këtë burrë të njohur të artit dhe kulturës para neve, në cilësinë e vajzës së tij.  Ndonëse nuk e sheh të arsyeshme t’i kujtojë momentet e hidhura që iu ka sjellur jeta, sepse kur mendon në babën e saj mendon vetëm në kujtimet e mira të cilat fatmirësisht janë të shumta.

Alba Begolli dhe Istref Begolli

“Periudha pas luftës, muaji prill ose fillimi i majit i vitit 2000. Në atë kohë unë kisha telefon mobil, por prindërit ende jo.  Ditë e shtundë, me babën e vendosëm një vendtakim për në orën 9 të mëngjesit.  Unë kisha punë, prandaj i thashë babës se do ta takoja tek vendi që e caktuam bashkërisht-do të shkoj drejt atje.  E lam të takohemi në një vend në qendër të Prishtinës. Ai ka qenë tejet i përpiktë, nuk është vonuar kurrë, në asgjë. Atë fundjavë nana ishte tek familjarët e saj në Prizren. Unë dal prej banesës herët në mëngjes në 7:30 dhe në orën 09:00 shkoj te vendi i caktuar. Baba vonohet 15 minuta dhe unë filloj me mendu se mos i ka ndodhë ndonjë gjë. Shkoj në Teatër dhe interesohem në foaje mos është baba aty, disa ish-studentë e që sot janë aktorë të njohur më thanë se nuk kishte qenë fare.  E thërras nanën në Prizren dhe i them që babës mund t’i ketë ndodhë diçka, përndryshe nuk do të vonohej kaq gjatë. Ajo në ndërkohë planifikon të kthehet nga Prizreni…..Vendi ku e kemi lënë me u taku ishin dy dyqane me emër të njëjtë, mirëpo në dy lokacione të ndryshme-me pronarë të njëjtë.  Baba kishte qenë në dyqanin me lokacion tjetër nga ai ku unë e prisja pothuajse 1 orë, numrin tim të telefonit nuk e dinte përmendësh.  Te dyqani ku isha unë, dikur pronari provon ta telefonojë të vëllain e vet në dyqanin tjetër dhe ai i tregon që baba po më pret dhe se është shumë i brengosur pse nuk isha unë atje ende.  Uhhh më në fund u gjetëm! Dhe, ai niset prej lagjes “Pejton”, ndërsa unë prej qendrës të qytetit për t’u takuar diku në afërsi të Hotel “Grandit”-dhe në momentin kur bëhemi bashkë ai më drejtohet me njëfarë “idhnimi”  – “A e din që lojën e zemrës ma ke bo”, derisa njëjtë i përgjigjem edhe unë.  E krejt kjo si pasojë e keqkuptimit nga ana jonë!  Ky është një moment që e kujtoj me shumë mall” tregon Alba.

Gjatë luftës në Kosovë, Alba me prindërit e saj nuk largohen nga banesa në Prishtinë. Ka qenë periudhë e rëndë për të gjithë, kujton ajo, e që nuk la pa e prekur edhe jetën kulturore e artistike të asaj kohe.

Familja Begolli, nga albumi familjar

“Prej viteve 90-të baba nuk ka qenë i angazhuar në Teatrin Krahinor (aso kohe). Kur pushtuesit serb i morën të gjitha institucionet e morën edhe Teatrin, prandaj baba ka pasë shkëputje të gjatë nga krijimtaria e tij.  Në ndërkohë i ka realizuar disa drama televizive, natyrisht në rrethana të vështira. Nuk e lëshuam banesën gjatë luftës sepse ai vendosi ashtu.  Atëkohë ishte vital, por, po hynte në moshën e tretë të pjekurisë. Pas luftës, në pjesën e dytë të vitit 1999 dhe në fillim të vitit 2000 ka dhënë rolin e Atit në filmin “Vjeshta e Trëndafilave” shkruar nga V. Karahoda-në regji të A. Sopit, e që ishte roli i tij i fundit” kujton Alba Begolli sot, e cila merret me përkthime nga gjuha Shqipe në gjuhën Angleze dhe anasjelltas.

“Më vjen mirë që nuk jam gjykatëse ose aktore.  Unë kam shpirt artistik dhe kam vendosë ta studioj Gjuhën dhe Letërsinë Angleze, dhe duke e pasë këtë lëmi dhe kualifikim tani merrem me përkthime. Për mua përkthimi është lloj arti në vete, përkthimin e konsideroj dhe e përjetoj si një vepër arti.  Më vjen mirë që kam profil tjetër nga ajo e prindërve, por, dashurinë për artin e kam trashëgu prej babës. Për t’u bërë juriste as nuk kam sens e as nuk kam pasur interesim” thotë Alba.

*

Istref Begolli e vazhdon jetën e tij të mbushur me role kolosale në teatro dhe filma për 50 vite të plota karriere.  Alba, më tej, na tregon se ai në veçanti e ka pasur një dorëshkrim tejet të bukur të cilin ajo e trashëgoi.  Krahas diksionit dhe timbrit të tij të veçantë dhe të mirënjohur, ka ditur edhe të këndojë bukur.  

Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë tragjedianti më i madh i Teatrit Shqiptar.  Mbi të gjitha njihej edhe për tremën e tij famoze para secilës premierë që kishte. Ka qenë perfeksionist i madh në punë dhe në jetë, në përgjithësi.

Rolet e tij, si: “Makbethi”, Jagua tek “Othello” të Sheksipirit, Prifti në “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” të  I. Kadaresë, në “Bregun e Pikëllimit” të T. Dervishit, në “Dervishi dhe Vdekja” të M. Selimoviçit,  të Atit në “Vjeshtën e Trëndafilave”, në  “Përroin Vërshues”, film në regji të B. Sahatçiut, pastaj në dramat televizive: “Oda e Junikut” në regji të A. Mikullovcit;  “Kulla” e A. Pashkut, “ Vallja e Çmendur” e Qosjes, etj. i kanë dhënë Istref Begollit vendin e tij të merituar në hartën dhe pasaportën e kulturës të artit Shqiptar si dhe një vulë emblematike.

Në librin e lëndës të ‘Historisë’ në shkollat fillore, në një pjesë ku mësohet për artin dhe kulturën është përfshirë vepra e aktorit të madh Istref Begolli.  Teatri Profesionist i qytetit të tij të lindjes në Pejë mban emrin “Istref Begolli”.

Aktori Istref Begolli

“Përderisa populli i rëndomtë sot e kësaj dite e çmon ende, e nderon, njerëzit e kujtojnë me dashuri, nostalgji, kjo për mua ka rëndësi.  Ai i ka folë popullit, publikut.  Emri i tij kësisoj bartet në gjenerata e gjenerata dhe ata mësojnë e flasin për mjeshtrinë e artit të tij” vazhdon Alba.

Albës nuk i ka mbetur peng asgjë karshi prindërve të saj. Si e vogël dhe adoleshente ishte e kënaqur të jetë i vetmi fëmijë. Por, me t’i kaluar të njëzetat ajo thotë se nisi të kuptonte e reflektonte mbi mungesën e një familjari tjetër, vëllait apo motrës.

“Fillimisht ka qenë vendim i babës, me të cilin nana nuk është pajtuar menjëherë shkaku im. Ajo ka dashur që unë ta kem një vëlla apo motër, por baba nuk është bindur. Ndoshta është friku që nuk do të mundet me ia dalë njëkohësisht me familje dhe me profesionin e tij që aq shumë i donte. Mbase, mund të kishte qenë vendim “avant-garde” nga ana e tij. Ka qenë shumë i lumtur që më kanë mua. Thjesht, ka qenë planifikim i familjes…..  Faktin që jam i vetmi fëmijë nuk e shoh si përfitim, por ky është fati im” thotë Alba.

Nga albumi familjar / Familja Begolli

Në fund, jemi ulur në kolltukun shumë afër këndit që Alba, në banesën e saj e quan “këndi i babës”. Bisedojmë për ditët e fundit të Begollit.

“Baba ka vdekë në mënyrën më banale që është e mundur, prej alergjisë në penicilin. Kjo ishte arsyeja që truri i tij mbeti pa oksigjen përreth 25 minuta, në një ditë vere korriku në vitin 2002, mu para 17 vitesh.   Ambulanca e lagjes ku e mori ineksionin nuk ka pasur kujdes në rast të reaksionit alergjik, si mungesë e profesionalizmit të tyre, bile nuk kanë pasur oksigjen e as terapi intervenuese kundër alergjisë. Ngjashëm, vetura e Ndihmës së Shpejtë e QKUK-së nuk ka pasur oksigjen, as mjete elementare për ndihmë mjekësore. Kjo krejt ishte humbje në kohë. Si pasojë e këtij gabimi fatal të institucioneve tona shëndetësore ai ka qenë 7-8 muaj në komë vigjile, dhe në acarin e 1 shkurtit të vitit 2003 ndërroi jetë në Kroaci. Asnjëherë, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për humbjen tragjike të tij, Ministria e Shëndetësisë e ka neglizhuar që nga ajo kohë.  Shpesh mendoj që baba ka vdekë në këtë mënyrë, pasi që të gjitha rolet i ka pasë tragjike, ashtu edhe tragjikisht vdiq” përfundon Alba, derisa edhe unë edhe ajo kalojmë në emocione të përziera duke i kujtuar realitetet e bukura të kësaj familje unike dhe të dramave që pos Teatrit shpesh hynin edhe në jetën e njerëzve si Istref Begolli i ynë.

( Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së )


[i] https://www.kultplus.com/teatri/istref-begolli-djali-kokeforte-cili-udheton-per-ne-prishtine-1980/?fbclid=IwAR0_OHMbPr1cQdz_X6tXJpV-Vmv5RLtBGMaIXJe7Vb6tekYSsXpzPtr-z_Y

Kushtuar Istref Begollit

Në varrin e aktorit
(I.Begollit)

Ngadal pikë shiu i së dielës
Si me lotë nga sytë e qiellit
Njërin të dashur vajton, në heshtje:
Pllaka e mermert me emrin e tij
Dritëson nga pikat e sermta
Të cilat herë herë pikojnë nga gjethet
E mështeknes , përkulur motërsisht
Mbi vetmitarin e madh.
Pelegrin nga larg, përshëndes
Hijen e tij, ajo më falet
Nga shiu, nga gjethi, nga vjeshtë lulet,
Nga perdja e zezë e dheut.

Një të diele , të hirt me shi…
Musa Tullari

“Republika e brekëve” së shpejti në Pejë

Në Teatrin e Qytetit “Istref Begolli” në Pjesë, më 24 nëntor vjen premiera e komedisë “Republika e brekëve”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje vjen nën regjinë e Jeton Ahmetaj, ndërsa asistentë regjie janë Flormend Shabaj dhe Agon Bala.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje janë: Flormend Shabaj, Fitore Broqi, Agon Bala, Herodita Ramshaj, Fisnik Sykaj, Luan Daci, Shpresa Salihaj dhe aktor mysafir është Veton Osmani. / KultPlus.com