Media britanike ‘Time Out’: Tirana mes qyteteve më të mira për t’u vizituar në Evropë në 2025

Udhëtimet po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta në Evropë dhe shumë nga destinacionet e njohura në Greqi, Spanjë dhe Itali janë prekur nga turizmi masiv dhe çmimet kanë vazhduar të rriten, shkruan Sophie Dickinsonnë një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Time Out”.

Nëse buxheti juaj është shtrënguar këtë vit, ekzistojnë ende shumë vende që ofrojnë pushime me kosto të përballueshme.

Këto destinacione më pak të njohura nuk janë të mbipopulluara me turistë dhe fluturimet atje ofrohen me çmime shumë më të lira.

Në listën tonë të destinacioneve, ne kemi renditur 14 qytetet më të lira dhe më të mira për t’u vizituar në Evropë këtë vit.

Tirana, Shqipëri

Vija e bukur bregdetare e Shqipërisë është shndërruar në destinacionin më të kërkuar gjatë dy viteve të fundit – si një alternativë buxhetore ndaj Greqisë, Spanjës dhe Italisë.

Gjatë vizitës tuaj në Shqipëri nuk duhet të humbisni  kryeqytetin e tij – veçanërisht nëse po kërkoni një pushim buxhetor në qytet.

Tirana është e zhytur në historinë e epokës komuniste: Bunk’art 1, një bunker i Luftës së Ftohtë i kthyer në muze, dhe një nga atraksionet më të njohura të qytetit kushton vetëm 4 paund për ta vizituar.

Ndërsa shumë ndërtesa tradicionale që atëherë u janë nënshtruar ndryshimeve të gjalla në formën e artit të rrugës.

Gjithashtu, Tirana ofron restorante të shkëlqyera si “Mystic 2” dhe bare si “Radio Bar”, të cilat shërbejnë pjata dhe kokteje të shkëlqyera me çmime të përshtatshme.

Qytetet më të lira dhe më të mira për t’u vizituar në Evropë këtë vit:

1.Tiranë, Shqipëri
2. Kaunas, Lituani
3. Porto, Portugali
4. Zagreb, Kroaci
5. Riga, Letoni
6. Cesky Krumlov, Republika Çeke
7. Bukuresht, Rumani
8. Hull, BM
9. Sofje, Bullgari
10. Argos, Greqi
11. Krakov, Poloni
12. Beograd, Serbi
13. Marsalforn, Maltë
14. Graz, Austri    /atsh/ KultPlus.com

Bideni nderon Papa Françeskun me Medaljen Presidenciale të Lirisë

Presidenti i Amerikës, Joe Biden nderoi të shtunën Papa Françeskun me Medaljen Presidenciale të Lirisë, çmimi më i lartë civil i dhënë nga presidenti, duke thënë se Papa është “një dritë besimi, shprese dhe dashurie që shkëlqen në të gjithë botën”.

Bideni kishte planifikuar t’ia jepte medaljen Papës personalisht të shtunën në Romë në atë që do të ishte udhëtimi i fundit jashtë shtetit i presidencës së tij, por ai anuloi planet e udhëtimit në mënyrë që të mund të monitoronte zjarret në Kaliforni.

Shtëpia e Bardhë tha se Bideni nderoi Papën përmes një telefonate në të cilën ata diskutuan lidhur me përpjekjet për të promovuar paqen dhe për të lehtësuar vuajtjet në mbarë botën.

Bideni po përgatitet të largohet nga detyra më 20 janar dhe ka bërë nderime për individë të shquar, duke përfshirë mbështetësit dhe aleatët, javët e fundit.

Pse na pëlqen aroma e librit?

Shkenca ka arritur të gjejë se pse aroma e librave ndonjëherë është aq e parezistueshme. 

Disa studiues nga Kolegji Universitar për Trashëgimi të Qëndrueshme në Londër, e kanë kryer një eksperiment duke i pyetur pjesëmarrësit se si ndjeheshin rreth disa aromave të ndryshme.

Mes tyre, natyrisht, ishte edhe aroma e librit të vjetër. Zbulimet e tyre pastaj u publikuan në Shkencën e Trashëgimisë.

Pa e ditur se çfarë po nuhasnin, pjesëmarrësit në këtë eksperiment në shumicën e rasteve, aromën e librin e përshkruanin si aromë çokollate.

Ndërsa e dyta që më së shumti është cekuar ka qenë aroma e kafes. Sipas shkencëtarëve, letra e vjetruar i ka disa nga komponentët e njëjta kimikale me kafen dhe çokollatën.

Në këtë kuptim, nuk është shumë befasuese se pse këta pjesëmarrës të këtij eksperimenti ishin në gjendje ta identifikonin këtë aromë familjare, meqenëse shumica e atyre që e pëlqejnë leximin, e pëlqejnë edhe çokollatën gjithashtu. /KultPlus.com

Vendi në flakë prej ditësh, rreth 35,000 shtëpi e biznese mbesin pa energji elektrike në Los Angeles

34,646 shtëpi dhe biznese në Los Angeles janë tani pa energji elektrike, sipas Poweroutage.us, një monitorues i ndërprerjeve që gjurmon ndërprerjet në të gjithë SHBA-në, raporton The Guardian.

Rreth 18,400 klientë të Edison të Kalifornisë Jugore mbeten pa energji elektrike, si dhe rreth 16,100 klientë të Departamentit të Ujit dhe Energjisë në Los Angeles dhe rreth 100 me Pasadena Water and Power, sipas të dhënave më të fundit.

Në një përditësim të postuar në X disa orë më parë, Departamenti i Ujit dhe Energjisë në LA tha se që nga fillimi i zjarreve të martën ata kanë rikthyer furnizimin me energji elektrike për mbi 355,000 klientë./ KultPlus.com

Pse liberalët stërmundohen për t’u përballur me ndryshimin epokal

Nga Ivan Krastev

Teksa vëzhgoja dëshpërimin e liberalëve në të gjithë botën pas fitores së Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, pata një ndjesi të ngjashme me diçka që kam përjetuar më parë. Ky moment më ktheu pas në vitin 1989, kur ra Muri i Berlinit, duke shënuar fillimin e fundit të komunizmit sovjetik dhe heqjen e Perdes së Hekurt, e cila kishte ndarë Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore. Dallimi ishte se bota që u shemb në vitin 1989 ishte e tyre, pra e komunistëve. Tani është e jona, e liberalëve.

Në vitin 1989, jetoja në një shtet të Paktit të Varshavës, dhe kur bota u përmbys isha në vitin e fundit të studimeve të filozofisë në Universitetin e Sofjes në Bullgari. E gjithë ajo eksperiencë ndihej si një kurs i zgjatur universitar në ekzistencializmin francez. Të shihje fundin e papritur të diçkaje që na kishin thënë se do të zgjaste përgjithmonë ishte një ndjenjë tronditëse – çliruese dhe shqetësuese njëkohësisht. Ne, studentët, ishim të pushtuar nga ndjenja e re e lirisë, por ishim gjithashtu të vetëdijshëm për brishtësinë e çdo gjëje që kish lidhje me politikën. Ajo ndarje radikale mes dy kohëve rezultoi të ishte një përvojë përcaktuese për brezin tim.

Por ajo këputje ishte edhe më e gjerë – në një shkallë globale më të madhe – se sa e kuptonim në atë kohë. Viti 1989 ishte me të vërtetë një annus mirabilis, por shumë ndryshe nga mënyra se si liberalët perëndimorë e kanë përshkruar në tre dekadat e fundit. Vendosmëria që Partia Komuniste e Kinës tregoi në shtypjen e lëvizjes pro-demokracisë në Sheshin Tiananmenit rezultoi të kishte ndikim më të fortë, sesa rrëzimi i Murit të Berlinit.

Për rusët, aspekti më i rëndësishëm i vitit 1989 nuk ishte fundi i komunizmit, por fundi i perandorisë sovjetike, me tërheqjen e trupave të saj nga Afganistani. Ishte pra, viti kur Osama bin Laden shpalli fitoren e xhihadistëve ndaj BRSS-së ateiste. Dhe 1989 ishte gjithashtu viti kur nacionalizmi filloi të rimerrte epërsi politike në ish-Jugosllavi.

Rikthimi i Donald Trump-it në pushtet në SHBA mund të jetë një tjetër rast që shënon një ndarje të tillë politike me përmasa të mëdha. Nëse liberalët duan t’i përgjigjen sfidës së një administrate të re të Trump-it, ata duhet të reflektojnë me kujdes për atë që ndodhi në vitin 1989 dhe të hedhin poshtë narrativën që i kanë thënë vetes deri sot. Mënyra më e mirë për të kapërcyer dëshpërimin është të kuptosh më mirë atë që ka ndodhur.

Nga një këndvështrim liberal, krahasimi i revolucioneve anti-sovjetike të vitit 1989 me revolucionet illiberale të ditëve të sotme mund të duket skandaloz. Në frazën e famshme të Francis Fukuyama-s, 1989 ishte “fundi i historisë,” ndërsa fitorja e Trump-it, sipas shumë liberalëve, mund të paralajmërojë fundin e demokracisë.

Viti kur ra Muri i Berlinit shihej si triumfi i Perëndimit; tani dominon diskursi për rënien e Perëndimit.

Shembja e komunizmit shënohej nga një vizion për një të ardhme demokratike dhe kapitaliste; ajo e ardhme tani është plot pasiguri.

Në vitin 1989, atmosfera ishte ndërkombëtare dhe optimiste; sot ajo është kthyer në nacionalizëm dhe herë pas here, edhe nihilizëm.

Por këmbëngulja mbi këto ndryshime midis asaj kohe dhe tani bën që të humbasësh thelbin e ngjashmërive të tyre. Të jetosh në momente të tilla të historisë të mëson shumë gjëra, por më e rëndësishmja ndër to, është shpejtësia e ndryshimit: njerëzit mund të ndryshojnë totalisht pikëpamjet dhe identitetin e tyre politik brenda natës; ajo që vetëm dje konsiderohej e pamendueshme, duket sot e vetëkuptueshme. Ndryshimi është aq i thellë saqë njerëzit i shohin shpejt si krejt të pakonceptueshme, ato që ishin dikur supozimet dhe zgjedhjet e tyre.

Trump-i rroku imagjinatën e publikut jo sepse kishte një plan më të mirë për të fituar luftën në Ukrainë, apo për të menaxhuar globalizimin, por sepse kuptoi që bota e djeshme nuk mund të ekzistonte më. Identiteti politik i pasluftës i Shteteve të Bashkuara, ka humbur në greminën e kutisë së votimit. Kjo administratë e Trump-it mund të ketë sukses ose mund të dështojë sipas rrethanave, por bota e vjetër nuk do të kthehet më. Madje shumica e liberalëve as nuk e duan më. Pak amerikanë ndihen sot mirë me idenë e “veçantisë amerikane.”

Pas fitores së Trump-it, disa komentatorë politikë i kthyen sytë drejt viteve 1930, kur fashizmi kërcënonte botën. Problemi është se vitet 1930 janë përtej kujtesës së gjallë, ndërsa vitet 1990 janë ende të freskëta për shumë prej nesh. Ajo që kam mësuar nga ajo dekadë është se një këputje politike radikale, u jep fituesve një “çek të bardhë”. Të kuptuarit e arsyes pse njerëzit votuan për Trump-in nuk ndihmon shumë, për të kuptuar atë që ai do të bëjë në zyrë.

Thyerje të tilla politike arrihen nga koalicione të paimagjinueshme më parë, të bashkuara më shumë nga intensiteti, sesa një program i përbashkët. Politikanët që i përkasin këtyre koalicioneve zakonisht kanë një aftësi të ngjashme me kameleonin për t’iu përshtatur momentit – jo më shumë, në kohën tonë, sesa Trumpi.

Liberalët amerikanë, të cilët janë hutuar, se si ka mundësi që njerëzit mund ta trajtojnë një playboymiliarder si udhëheqës të një lëvizjeje anti-establishment, mund të kujtojnë se Boris Jelsini, heroi i revolucionit antikomunist të viteve 1990 në Rusi, vetëm pak vite më herët kishte qenë një nga udhëheqësit e Partisë Komuniste.

Ashtu si fundi i epokës sovjetike, rizgjedhja e Trumpit do të ketë dimensione globale. Ajo shënon fundin e Shteteve të Bashkuara si një perandori liberale. Amerika mbetet fuqia kryesore e botës, po, dhe do të mbetet një lloj perandorie, por nuk do të jetë një perandori liberale. Siç ka dëshmuar historia e njollosur e Biden-it për mobilizimin e mbështetjes për mbrojtjen e “rendit ndërkombëtar liberal” përballë pushtimit rus të Ukrainës, vetë ideja e një rendi të tillë, sipas shumë kritikëve kish qenë gjithmonë një trillim perëndimor. Ajo ekzistonte për sa kohë që SHBA-të kishin fuqinë dhe vullnetin politik për ta imponuar.

Trumpi nuk do ta bëjë këtë. Në politikën e jashtme, Trumpi nuk është as realist, as izolacionist; ai është revizionist. Trumpi është i bindur se SHBA është humbësja më e madhe, në botën që ka krijuar po vetë. Sipas pikëpamjes së tij, në tre dekadat e fundit Amerika është bërë një peng, dhe jo një hegjemon i rendit ndërkombëtar liberal. Në botën e pasluftës, SHBA integroi me sukses kundërshtarët e vet të mundur, Gjermaninë dhe Japoninë, në qeverisjen demokratike, tregtinë ndërkombëtare dhe begatinë ekonomike. Kjo nuk u zbatua për Kinën: sipas këndvështrimit të Trumpit, Pekini ka qenë fituesi i vërtetë i ndryshimeve të pas 1989-ës.

Ardhja e dytë e Trumpit do të jetë padyshim e ndryshme nga e para. Në 2016, takimi i Trumpit me pushtetin amerikan ishte si një nga ato takimet e një çifti, që nuk janë njohur kurrë më parë. Ai nuk dinte me saktësi se çfarë donte, dhe pushteti amerikan nuk dinte me saktësi se kush ishte Trumpi. Jo më.

Amerika mund të mbetet demokraci, por do të bëhet më e egër. Nën udhëheqjen e re, institucionet e saj me siguri do t’i largohen sigurisë së politikës konsensuale dhe do të marrin kot. Në kohë ndryshimesh të shpejta, udhëheqësit politikë nuk përpiqen ta administrojnë shtetin, por ta mundin atë. Ata i shohin shtetin dhe “shtetin e thellë”, si sinonime. Udhëheqësit joliberalë i zgjedhin anëtarët e kabinetit ashtu sikurse perandorët zgjidhnin dikur guvernatorët e provincave rebele: Ajo që ka më shumë rëndësi është besnikëria e të emëruarit, dhe aftësia e tij për t’i rezistuar kooptimit apo korruptimit prej të tjerëve.

Në administratën e parë të Trumpit, mbretëroi kaosi; administrata e tij e dytë do të mbretërojë duke përdorur kaosin si armë. Kjo Shtëpi e Bardhë do të mposhtë kundërshtarët duke “përmbytur terrenin” me urdhra ekzekutivë dhe deklarata. Ai do të lërë shumë kundërshtarë të hamendësojnë se përse po merr vendimet që merr dhe do t’i çorientojë të tjerët me shpejtësinë dhe sasinë e tyre.

Në vitin 2020, Bideni mundi Trumpin duke premtuar normalitet. Normaliteti nuk do t’i ndihmojë më demokratët. Në shembullin më të fundit të një fitoreje antipopuliste, Donald Tusk triumfoi në zgjedhjet parlamentare të Polonisë në vitin 2023 dhe u kthye si kryeministër, jo sepse premtoi normalitet, por sepse partia e tij, Platforma Qytetare, ishte në gjendje të krijonte një identitet të ri bindës politik. Partia e Tusk miratoi qëndrime më progresive për çështje të tilla të diskutueshme si të drejtat e abortit dhe mbrojtja e punëtorëve, por gjithashtu u mbështoll me flamur dhe përqafoi patriotizmin. Tusk u ofroi polakëve një narrativë të re dhe pompoze, jo thjesht një strategji të ndryshme zgjedhore. Suksesi i Platformës Qytetare varej ende nga formimi i një koalicioni me partitë e tjera, një bazë potencialisht e brishtë për qeverisje, por ajo ofron, të paktën, një model se si qendra liberale mund të ribëhet dhe të frenojë përparimin e populizmit joliberal.

Rreziku për Shtetet e Bashkuara është i lartë: vitet e ardhshme, politika amerikane mund të bjerë kollaj në një hakmarrje mizore çikërrimash, ose më keq. Por nuk do të ishte e mençur që liberalët t’i përgjigjen këtij momenti duke vepruar si mbrojtës të një status quo-je që po zhduket. Kjo do të nënkuptonte thjesht reagimin ndaj çdo gjëje që bën Trumpi. Mendësia e rezistencës mund të jetë mënyra më e mirë për të kuptuar tiraninë, por nuk është mënyra më e mirë për të trajtuar një moment këputjeje radikale politike, në të cilin tirania është e mundur, por jo e pashmangshme.

Në 1989, politologu Ken Jowitt, autor i një studimi shumë të mirë të kryengritjeve komuniste në atë periudhë, “Kaosi i Ri Botëror”, vërente se një këputje e tillë i detyron udhëheqësit politikë të hartojnë një fjalor të ri politik. Në momente të tilla, fjalë që më parë kanë qenë magjike nuk funksionojnë më. Slogani “Demokracia në rrezik” nuk u solli dobi demokratëve gjatë zgjedhjeve, sepse shumë votues nuk e shihnin vetë Trumpin si rrezik.

Siç vërente shkrimtari George Orwell, “është një përpjekje konstante që të shikosh atë që ke mu përpara hundës”. Sfida e të kuptuarit të të resë, edhe atëherë kur fakti i mbërritjes së saj është i pamohueshëm, do të thotë se ndjeshmëritë e liberalëve do të pësojnë tronditje kur të shohin se sa pak lotë do të derdhen për fundin e rendit të vjetër. Ndryshe nga sa dukej korrekte në vitin 2016, detyra e kundërshtarëve të Trumpit sot nuk është që t’i rezistojnë ndryshimit politik që ai ka sjellë, por ta përqafojnë atë – dhe ta përdorin këtë moment për modelimin e një koalicioni të ri, për një shoqëri të re. / The Atlantic / KultPlus.com

Dhjetë fakte befasuese mbi Agatha Christie

Shkrimtarja Agatha Christie rezulton se nuk ka qenë edhe aq e panjohur për dramat dhe emocionet në jetën e saj, pasqyruar edhe te veprat që la pas.

E lindur më 15 shtator 1890, Agatha Christie kishte 14 vjet që kishte nisur karrierën e saj të suksesshme si shkrimtare librash me detektivë kur botoi “Vrasje në Orient Express”.

Libri, i botuar më herët në Amerikë, në të famshmen “Saturday Evening Post”, u kthye në romanin më të shitur të të gjitha kohërave.

E përditshmja britanike “BBC”, ka renditur 10 fakte befasuese mbi Agatha Christie:

Pionere e sërfit

Agatha Christie mësoi të bënte sërf që në 1920-n

Së bashku me bashkëshortin, Archibald Christie, do të mbahen mend si evropianët e parë që mësuan artin e sërfit në këmbë.

Pas martesës, çifti do të udhëtonte shumë nëpër botë.

Nga kërkimet e fundit rezulton se Agatha e ushtroi këtë sport edhe në Afrikën e Jugut, Australi, Zelandën e Re dhe Hawaii.

Ajo dhe Archie mësuan të bënin sërf, pavarësisht dallgëve të fuqishme.

Mjeshtre e helmeve

Në fillim të Luftës së Parë Botërore, zbulohet se Christie kishte punuar me VAD (Detashmentin e Ndihmës Vullnetare).

Më vonë, ajo do të punonte në ambulatorin e spitalit vendas. Aty, asaj ju ngjall një interes dhe njohuri mbi helmet.

Viti 1926 u regjistrua si më i dhimbshmi në jetën e autores.

Pasi fitoi famë me publikimin e “Vrasjes së Roger Akroyd”, ajo nuk do të përballonte një sërë humbjesh. Fillimisht do të humbte të ëmën.

Më pas, Archie do t’i rrëfente për tradhtinë e tij dhe se nuk e dashuronte më. Ai u lidh me partneren e tij të golfit, Nancy Neele.

E zhgënjyer, por edhe nga fakti se vuante prej amnezisë, Agatha u zhduk për 11 ditë.

Ajo ishte regjistruar në hotelin “Hydropathic Harrogate”, si Teresa Neele.

Të gjitha dyshimet ranë mbi Archie Christie.

Pasi një punonjës i hotelit e njohu atë, koloneli Christie u çlirua nga akuzat dhe në vitin 1928 Agatha u divorcua nga Archie Christie.

Filmi nga Michael Apted në vitin 1979 “Agatha”, me protagonistë Vanessa Redgrave dhe Dustin Hoffman, është një tregim imagjinar i atyre 11 ditëve të kaluara nga shkrimtarja.

Shkrimtarja femër më e suksesshme

Librat e Agatha Christie janë më të shiturit e të gjitha kohërave. Jo vetëm në periudhën kur nuk kishte asnjë roman kriminal tjetër – me mbi 100 milionë kopje të shitura në të gjithë botën.

Ato janë të botuara edhe në gjuhën shqipe, nga Shtëpia Botuese Dituria.

Shitjet në të gjithë botën, të të gjithë librave të saj arrijnë diku midis dy-katër miliardë, Christie është një nga autoret më të shitura ndonjëherë – e mundur vetëm nga William Shakespeare.

Christie i donte qentë, zakonisht racën terrier.

Qeni i saj i parë quhej George Washington, por i preferuari i saj ishte një terrier me flokë të shkurtër i quajtur Peter, i cili luajti në Dumb Witness me emrin Bob.

Në dedikimin e librit thuhet: “I dashur Peter, më besnik i miqve dhe më i dashur ndër shokët, një qen në një mijë”.

Thesar i pazbuluar

Christie u martua me arkeologun Max Mallowan në shtator të 1930.

Ajo u kthye në fotografen e tij personale të artefakteve në ekspeditat e tij, në Siri dhe Irak. Ajo kurrë nuk i mori atributet që i takonin.

Eksplorimi i atyre ekspeditave do të ndikonin shumë në shkrimin e saj të “Vdekje në Nil”, “Vrasje në Mesopotami” dhe “Vrasje në Orient Express”.

Sfidat e saj

Ajo kishte filluar të shkruante histori detektive pas një basti mes saj dhe së motrës Madge se “ajo nuk ishte e aftë ta bënte atë”.

Agatha luftoi për të gjetur karakterin protagonist.

Mes një grupi refugjatësh belgë, në Torquay, lindi dhe personazhi Hercule Poirot.

Bashkëshorti i dytë i Agatha-s, arkeologu Max Mallowan

Ajo e “vrau” Poirot, duke e futur në një kasafortë…

Nga fundi i viteve ‘30, Christie i dukej Poirot “mjaft i padurueshëm”.

Në vitin 1940 e vrau atë në tregimin “Perde”.

E bindur nga familjarët e saj, miqtë dhe botuesi i saj, e vendosi dorëshkrimin në një kasafortë dhe vazhdoi të shkruante personazhin deri në vitin 1975, kur tregimi u botua përfundimisht.

Sipas familjarëve të saj, Christie ishte një damë e vërtetë.

Ajo pranoi të martohej me Max, vetëm pasi ai u shpall kalorës për shërbimet e tij në arkeologji.

Agatha dashuronte të rrinte në bibliotekë

Megjithëse vëllai dhe motra e saj u dërguan në shkollë, Agatha nuk u dërgua në shkollë.

Që në moshën 5-vjeçare, Christie mësoi të lexonte dhe u shkollua nga biblioteka e babait të saj.

Një fillim i mrekullueshëm për një karrierë kaq të suksesshme./KultPlus.com

(AP)
CHRISTIE-LS-032916-AP

Fatos Kongoli sot feston ditëlindjen e 81-të, ndër përfaqësuesit më të mirë të letërsisë shqipe

Fatos Kongoli lindi më 12 janar 1944 në Elbasan dhe sot feston ditëlindjen e 81-të. Ai konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë shqipe, shkruan KultPlus.

Kongoli ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”.

Librat e Kongolit janë botuar në disa vende të botës. Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika”. Është fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004).

Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për vitin 2006, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani. Në vitin 2016 është shpallur “Shkrimtari më i mirë i vitit”, nga Fondacioni Kulturor “Harpa” në Fier.

Disa nga veprat kryesore të tij janë: “Ne të tre” (1985)”Karuseli” (1990), “I humburi” (1992), “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë” (1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003), “Te porta e shën Pjetrit” (2005), “Jetë në një kuti shkrepësesh”, roman, 2007. / KultPlus.com

Anton Xanoni, një figurë e shquar që dha kontribut në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe

At Anton Xanoni, figurë e shquar e arsimit katolik, vdiq në Shkodër më 15 shkurt 1915. Ai është një ndër figurat e shquara të arsimit katolik gjatë periudhës së Rilindjes. Ishte Anton Xanoni, i cili dha kontributin e tij në fushën e gjuhës, letërsisë dhe botimeve të teksteve shkollore duke ushtruar një ndikim të dukshëm për të zhvilluar gegënishten në gjuhën shqipe.

At Anton Xanoni lindi në Durrës më 12 janar 1862, por që fëmijë u shpërngul në Shkodër, ku u rrit në gjirin e etërve jezuitë. Si kreu shkollën e mesme, duke parë talentin e tij, jezuitët e dërguan të kryente studimet e larta në Kuvendin Kartuzian Porta Coeli në veri të Valencies, në Spanjë (1883), në Kraljevicë (1884), në Kremonë të Italisë (1886) dhe në Kolegjin Gregorian në Krakovi të Polonisë (1890-1892).

Më 1892 u shugurua meshtar në Krakovi dhe dy vjet më pas në u kthye Shkodër për të kryer misionin meshtarak e për të dhënë gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë, trembëdhjetë vjet më parë. Më 1896, para se të kthehej në Shqipëri, dha mësim një vit në kolegjin Gregorian në Kier, në juglindje të Torinos në Itali.

At Xanoni, së bashku me poetin e gjuhëtarin e shquar, dom Ndre Mjedjën (1866-1937) si dhe me të vëllain e tij, imzot Lazër Mjedën, ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare Agimi, themeluar më 1901, e cila punonte për nxitjen e krijimeve letrare në gjuhën shqipe, duke përdorur edhe alfabetin e ri.

Ishte Atë Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës dhe të stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes, në një shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi në Prîsi në lâmë të letratyrës, Shkodër 1911-1912.

Ai mbante qëndrim purist në shkrimin e shqipes, ishte ithtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk qe vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer për kohën kur jetoi.

Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit Elçija e Zemers t’Jezu Krisctit me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe politikën, por edhe me tregime të shkurtra e me vjersha apo përkthime, që pëlqeheshin shumë.

Mbeti në histori edhe për veprat Gramatika shqyp, Shkodër 1909, Shkurtorja e historis së moçme, 1910, e në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes Rrnoftë Shqypnia, kushtuar shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur e pabotuar edhe sot e kësaj dite. At Xanoni vdiq në Shkodër më 15 shkurt 1915. Kujtohet si themelues i shkollës letrare të jezuitëve, si një veteran i arsimit e i kulturës shqiptare./VN/ KultPlus.com

49 vjet nga vdekja e Agatha Christie, gruaja e pazakontë e letërsisë së trillit

Më 12 janar të vitit 1976 u nda nga jeta Agatha Christie, autorja e cila u bë e njohur në botë për novelat e saj të zhanrit krim, gjithsej 66 të tilla, 14 vëllime me tregime të shkurtra dhe po ashtu për dramën më të shfaqur në histori “The Moustrap”.

Ajo është autorja më e shitur në botë, me 2 billion kopje të shitura, duke e thyer edhe rekordin botëror në Guiness World Records.

Shumë libra të Christie janë adaptuar për televizion, radio, dhe libra grafik. Janë dikund rreth 30 filma të bazuar në romanet e saj. Autorja u edukua në shtëpi nga prindërit e saj dhe filloi të shkruante tregime të misterit gjatë Luftës se dytë Botërore.

Fillimet e saj ishin të vështira dhe shpesh nuk iu pranuan librat nga shtëpitë publikuese, megjithatë libri i saj i parë “The Mysterious Affair at Styles” ishte një sukses i madh. Gjatë fundit të karrierës së saj ajo flloi të shkruante romane të zhanrit romancë me libra si “Unfinished Portrait” dhe “A daughter’s daughter” ndër pseudonimin Mary Westmacott.

Chrisite u titullua Damë nga shteti i Anglisë në vitin 1971, ndërsa ajo u pa për herë të fundit në publik në vitin 1974 kur u shfaq drama e saj “Murder on The Orient Express“. / KultPlus.com

Maja e Jezercës në zemër të Alpeve eksplorohet çdo ditë nga të apasionuarit e natyrës

Maja e Jezercës , e cila ndodhet në mes luginës së Valbonës dhe lumit të Shalës është kthyer vitet e fundit në një destinacion për të apasionuarit pas natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ngjitja në majën e Jezercës nga një grup alpinistësh në këto ditë të para janari, ku është mbuluar edhe nga petku i bardhë i dëborës.

“Maja e Jezercës, më e larta e Parkut Kombëtar të Alpeve, që çdo ditë po eksplorohet nga të apasionuarit pas eksperiencave unike mes natyrës së egër në zemër të alpeve”, shkruan Rama.

Në ditët e para të janarit Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë, një nga territoret më atraktive dhe më magjepsëse të trevave shqiptare me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike, po vizitohet nga të apasionuarit pas ngjitjeve në mal.

Por edhe gjatë vitit që lamë pas, ky park ishte një ndër më të vizituarit nga turistë vendas e të huaj në 12 muajt e vitit 2024.

Thethi, Vermoshi dhe Boga gjatë 2024 u vizituan nga 457 965 vizitorë, nga të cilët 256 290 vendas dhe 201 675 të huaj. Ndërsa lumi i Gashit, Lugina e Valbonës dhe Lugina e Tropojës janë vizituar nga 177 447 turistë,  nga të cilët 102 548 vendas dhe 74 597 të huaj.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij.

Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpe dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit./ KultPlus.com

Media britanike “Time Out”: Tirana mes qyteteve më të mira për t’u vizituar në Evropë në 2025

Udhëtimet po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta në Evropë dhe shumë nga destinacionet e njohura në Greqi, Spanjë dhe Itali janë prekur nga turizmi masiv dhe çmimet kanë vazhduar të rriten, shkruan Sophie Dickinsonnë një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Time Out”.

Nëse buxheti juaj është shtrënguar këtë vit, ekzistojnë ende shumë vende që ofrojnë pushime me kosto të përballueshme.

Këto destinacione më pak të njohura nuk janë të mbipopulluara me turistë dhe fluturimet atje ofrohen me çmime shumë më të lira.

Në listën tonë të destinacioneve, ne kemi renditur 14 qytetet më të lira dhe më të mira për t’u vizituar në Evropë këtë vit.

Tirana, Shqipëri

Vija e bukur bregdetare e Shqipërisë është shndërruar në destinacionin më të kërkuar gjatë dy viteve të fundit – si një alternativë buxhetore ndaj Greqisë, Spanjës dhe Italisë.

Gjatë vizitës tuaj në Shqipëri nuk duhet të humbisni  kryeqytetin e tij – veçanërisht nëse po kërkoni një pushim buxhetor në qytet.

Tirana është e zhytur në historinë e epokës komuniste: Bunk’art 1, një bunker i Luftës së Ftohtë i kthyer në muze, dhe një nga atraksionet më të njohura të qytetit kushton vetëm 4 paund për ta vizituar.

Ndërsa shumë ndërtesa tradicionale që atëherë u janë nënshtruar ndryshimeve të gjalla në formën e artit të rrugës.

Gjithashtu, Tirana ofron restorante të shkëlqyera si “Mystic 2” dhe bare si “Radio Bar”, të cilat shërbejnë pjata dhe kokteje të shkëlqyera me çmime të përshtatshme.

Qytetet më të lira dhe më të mira për t’u vizituar në Evropë këtë vit:

1.Tiranë, Shqipëri
2. Kaunas, Lituani
3. Porto, Portugali
4. Zagreb, Kroaci
5. Riga, Letoni
6. Cesky Krumlov, Republika Çeke
7. Bukuresht, Rumani
8. Hull, BM
9. Sofje, Bullgari
10. Argos, Greqi
11. Krakov, Poloni
12. Beograd, Serbi
13. Marsalforn, Maltë
14. Graz, Austri   / KultPlus.com

41 vjet nga rënia e dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha

Rexhep Mala e Nuhi Berisha ranë heroikisht ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984, gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Iniciativa e Rexhep Malës për të formuar një Komitet të Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar, u pëlqye nga bashkëveprimtarët e tjerë, dhe kësisoj ky komitet shërbeu edhe si Lëvizje Çlirimtare e Shqiptarëve për të çuar në protestat e njohura studentore të vitit 1981.

Mala dhe Berisha njihen si dy figura të rezistencës, e ku gjithashtu vlerësohen shumë përpjekjet e tyre pë liri e pavarësi.

Veprimtaria e tyre nderohet edhe në manifestimin “Flaka e Janarit”. /KultPlus.com

Më 12 janar 1912 u mbajt kuvendi i Taksimit, themeli i pavarësisë

Më 12 janar në lagjen Taksim të Stambollit u organizua një takim mes Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, ku u vendos të mbahej një mbledhje më e gjerë, e cila u zhvillua në shtëpinë e Syrja bej Vlorës nën kryesinë e Ismail Qemalit, që u quajt kuvendi i Taksimit, i cili është themeli i Pavarësisë.

Organizimin e forcave kryengritëse për në verilindje të Shqipërisë e mori përsipër Hasan Prishtina, që u nis për në Kosovë.

Esat Toptani premtoi për organizimin e kryengritjes në Shqipërinë e Mesme, ndërsa Syrja Vlora, Aziz Vrioni dhe Myfit Libohova u zotuan të ngrinin në këmbë Shqipërinë e Jugut.

Ismail Qemali u angazhua të siguronte ndihmë nga kolonitë shqiptare, si edhe nga faktori ndërkombëtar. / KultPlus.com

‘Tragjedia e jetës është se plakemi shumë herët dhe mësojmë shumë vonë’

I vogli i familjes Franklin nuk i lexonte librat, ai i përpinte ato. Ai ngrihej në 5:00 të mëngjesit çdo ditë dhe lexonte një libër, përmbajtjen e të cilit ia rrëfente të atit ndërsa ai merrte kafenë.

Benjamin Franklin ishte më i vjetri nga burrat e shquar që themeluan shtetin amerikan dhe i pari amerikan i nderuar në Evropë si shkencëtar dhe burrë shteti, si mbrojtës i të drejtave të kolonive amerikane para mbretit të Anglisë.

Benjamin Franklin përfaqëson suksesin amerikan: nga djali i një sapunbërësi, me punë të madhe, e të pavarur ai e ngriti veten në lartësinë e madhështisë.

Biografi i tij Alfred Tamarin e përmbledh kështu rritjen e personalitetit të Benxhamin Frenklinit.

“Benjamin Franklin ishte amerikani i parë që u bë figurë botërore. Nga një djalë i ri me prirje për shkollë ai u bë shkencëtar, shpikës, legjislator, diplomat dhe burrë shteti me famë botërore”.

Emri i Benxhamin Franklinit është i vetmi emër të cilin e shohim në katër dokumentet kryesore të themelimit të Shteteve të Bashkuara: Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetutës, Traktatit të Aleancës me Francën dhe Traktatin e paqes me Anglinë. Derisa sot shënohet përvjetori i vdekjes së tij, plot 232 vite që kur ai vdiq.

40 thënie nga Franklin

1. Fshatari mes dy avokatëve është sikur peshku mes dy macesh.

2. Zemra e një të çmenduri është në majën e gjuhës së tij, por gjuha e një të mençuri është në zemrën e tij.

3. Mësoji tët biri/vajzës të heshtë, të flasë mëson vetë.

4. Të rebelohesh ndaj tiranëve është t’i bindesh Zotit.

5. Nëse macja mban doreza, zor se do të zërë minj.

6. Tragjedia e jetës është se plakemi shumë herët dhe mësojmë shumë vonë.

7. Çdo gjë që nis me tërbim, mbaron me turp.

8. Një varkë me vela dhe një femër shtatzënë, janë gjërat më të bukura që mund të shihen.

9. Nëse e dashuron jetën, mos e shpërdoro kohën, pasi koha është substanca nga e cila përbëhet jeta.

10. Kujdes me shpenzimet e vogla, pasi një peshë e vogël mund të fundosë një anije të madhe.

11. Tre persona mund ta mbajnë një sekret, nëse dy prej tyre janë… të vdekur.

12. Ata që mund të heqin dorë nga liria thelbësore për të fituar pak siguri të përkohshme, nuk e meritojnë as lirinë e as sigurinë.”

13. Kurrë s’ka ekzistuar paqe e keqe ose luftë e mirë.

14. Nëse dështon të planifikosh, ti je duke planifikuar të dështosh.

15. Investimi në dituri paguan interesin më të mirë.

16. Luftoji gjithnjë veset e tua, jeto në paqe me fqinjët e tu dhe bëj që çdo vit i ri të të gjejë më të mirë.

17. Shtëpia nuk është vendbanim, përveç nëse ka ushqim dhe ngrohtësi për mendjen edhe për trupin.

18. Një lek i kursyer është një lek i fituar.

19. Të jesh i ngadalshëm në përzgjedhjen e shokëve, edhe më i ngadalshëm në ndërrimin e tyre.

20. Bukuria dhe marrëzia janë miq të vjetër.

21. Të jesh injorant nuk është turp aq i madh, sa të mos duash të mësosh.

22. Zoti u ndihmon atyre që ndihmojnë veten.

23. Mysafirët, si peshqit, fillon t’u vijë era pas tri ditësh.

24. Gjysmë e vërteta shpesh është një gënjeshtër e madhe.

25. Të jesh i varfër nuk është turp, por të turpërohesh për atë, është.

26. Ai i cili i ekspozon shumë shpesh gruan dhe kuletën është në rrezik t’i huazohen që të dyja.

27. Ai i cili është i mirë për arsyetime, rrallë është i mirë për ndonjë gjë tjetër.

28. Kush jeton veç nga shpresa do të vdesë nga uria.

29. Ai i cili ngrihet vonë, duhet të ecë shpejt gjithë ditën.

30. Kush dashurohet me veten e tij nuk do të ketë asnjë rival.

31. Nëse njeriu zbraz kuletën në kokë, askush nuk mund t’ia marrë.

32. Nëse nuk rrimë bashkë, patjetër duhet të rrimë të ndarë.

33. Nëse dëshiron shumë gjëra, shumë gjëra do të duken pak.

34. Nëse dëshiron të jesh i dashur, duaj dhe bëhu i dashur.

35. Mosha e humbur nuk është gjetur asnjëherë përsëri.

36. Shumë njerëz mendojnë se po blejnë kënaqësinë, kur ata në të vërtetë i shesin veten asaj.

37. Asnjë komb nuk është shkatërruar ndonjëherë nga tregtia.

38. Vrojto të gjithë njerëzit, veten më së shumti.

39. Mos fol keq për asnjë njeri, por i thuaj të gjitha të mirat që i di, për të gjithë. / KultPlus.com

Dr. Rifat Latifi boton librin “Surgical Decision Making”, autori e vlerëson si një ndër librat më të preferuar

Shtëpia botuese prestigjioze “Springer“ ka botuar në gjuhën angleze librin “Surgical Decision Making”, të autorit të njohur nga fusha e kirurgjisë Prof. Dr. Rifat Latifi, i cili me përvojën e tij të pasur dhe me ndikimin e tij profesional dhe akademik, që ka lënë gjurmë të pashlyera në analet e kirurgjisë globale, këtë libër e sjell për të gjithë adhuruesit, ekspertët, studiuesit e shumtë kudo në botë, si një sihariq për këtë fillim vit.

Profesor, Rifat Latifi tashmë konsiderohet si një ekspert me nam në arenën ndërkombëtare dhe çdo prezantim i tij shkencor e studimor, pritet me kënaqësi nga publiku dhe jo vetëm.

Ndryshe lajmin për botimin e librit e ka bërë të ditur vet autori profesor Latifi përmes një postimi në rrjetin social “Linkedin” i cili botimin e këtij libri e konsideron edhe një prej librave më të preferuar.

Më poshtë, KultPlus e sjell të plotë njoftimin e Dr. Rifat Latifit

“Me kënaqësi njoftoj se edicioni i ri i një prej librave të mi të preferuar që kam shkruar/redaktuar është publikuar dhe do të jetë i disponueshëm më 24 janar 2025: – Surgical Decision Making .Marrja e Vendimeve Kirurgjikale“ Ky edicion i rishikuar dhe i zgjeruar trajton vendimmarrjen kirurgjikale në procedura të ndërlikuara kirurgjikale, duke përfshirë marrjen e vendimeve të vështira, ndërgjegjësimin e vazhdueshëm mbi gjendjen fiziologjike të pacientit, profilin biokimik, rikuperimin me parametra përfundimtarë dhe gjendjen fiziologjike të vetë kirurgut. Diskutohen gjithashtu vendime specifike kirurgjikale, si kur duhet ndërhyrë dhe kur jo, ri-operacionet dhe operacionet në kushte dhe grup mosha të caktuara. Ky edicion i ri adreson këto dhe elementë të tjerë që janë të rëndësishëm për procesin e vendimmarrjes intraoperative dhe perioperative, duke përfshirë pyetje bazë që nuk janë trajtuar siç duhet në literaturë. Shumë prej nesh marrim vendime bazuar në prova aktuale, por shpesh ato bazohen në “ndjenjën e brendshme”, “intuitë” apo “efektin e flokëve të thinjur,” ndër teknika të tjera. Në këtë libër, anatomia e këtyre vendimeve eksplorohet nga një këndvështrim teorik si dhe përmes të dhënave objektive që ne si kirurgë përdorim për të marrë vendime kirurgjikale. Askund tjetër, çështja e si marrim një vendim – shpesh me një sasi shumë të kufizuar të dhënash, vendime që vendosin mes jetës dhe vdekjes së dikujt – nuk është më e dukshme se në kirurgjinë e traumës dhe në operacionet komplekse, përfshirë kthimin e paparashikuar në sallën operatore. Përvoja jonë kolektive si kirurgë tregon se një kombinim faktorësh kontribuojnë në procesin tonë të vendimmarrjes perioperative dhe intraoperative, përfshirë arsimin, njohuritë klinike, mentorimin, si dhe kreativitetin dhe ekselencën që vijnë me praktikën e gjatë dhe disiplinën e rreptë. Edicioni i dytë i Surgical Decision-Making: Evidence and Beyond ofron një burim të veçantë dhe të vlefshëm në fushën e kirurgjisë për kirurgët që janë aktualisht në trajnim dhe për ata që tashmë ushtrojnë kirurgjinë në nivel akademik apo në komunitet.

Ndërkohë, për botën akademike shqiptare në fushën mjekësore – kirurgjikale vlerësohet se ky libër ka një vlerë të jashtëzakonshme./ KultPlus.com

Porosia e Kantit dhe shpërdorimi nga moderniteti

Nga Albert Vataj

Shprehja e Kantit “Njeriu duhet trajtuar gjithmonë si qëllim dhe kurrë si mjet” është një nga parimet qendrore të etikës filozofike, të shprehur në kryeveprën “Imperativin Kategorik”. Kjo ide lidhet me respektin që duhet të kemi për dinjitetin dhe vlerën morale të çdo individi.

Kanti argumenton se çdo qenie njerëzore ka një vlerë të brendshme dhe të pakushtëzuar që nuk varet nga qëllimet e jashtme apo interesat utilitare. Kjo do të thotë, se njeriu nuk është thjesht një mjet për arritjen e qëllimeve të dikujt tjetër, por një qenie me dinjitet dhe autonomi që meriton respekt të pakushtëzuar.

Trajtimi i njeriut si qëllim do të thotë të respektosh autonominë e tij, të drejtën për të marrë vendime të lira dhe të arsyetuara për jetën e tij. Nuk duhet të manipulosh, të shfrytëzosh ose të detyrosh dikë për të arritur qëllimet e tua, gjë e cila është një realitet që merr nën kërcënim identitetin dhe integritetin e individit në përballjeN e tij me rritjen e pretendimeve dhe minimizimin e mundësisë për të përfituar nga atributet e kësaj të drejte themelore, për të cilën këshillon Kant dhe shpërdoron moderniteti.

Kësisoj konstato se trajtimi i njeriut si mjet, ndodh kur një person përdoret për përfitim personal, pa marrë parasysh ndjenjat, interesat ose dinjitetin e tij. Kjo mund të ndodhë në situata si të themelta që lidhet me parimet, mbi të cilat vepron pragmatizmi i realitetit.

Referuar mësimeve të Emanuel Kant përftojmë se, çdo person ka të drejta të patjetërsueshme që nuk mund të sakrifikohen për “të mirën e përgjithshme”.

Pacientët nuk duhet trajtuar si mjete për eksperimentim shkencor, por si qëllime më vete, me të drejtën për të vendosur mbi trupin e tyre.

Kant na thotë se njerëzimi brenda çdo individi është një qëllim në vetvete. Duke e respektuar këtë parim, ne afirmojmë dinjitetin njerëzor dhe ndërtojmë një shoqëri më etike dhe më humane.

Është fakt i pamohueshëm se moderniteti e ekspozon njeriun ndaj kërcënimit të trajtimit si mjet dhe jo si qëllim, pa pikësynim të qëllimshëm, por thjeshtë për shkak të ndryshimeve të mëdha sociale, ekonomike, teknologjike dhe politike që kanë karakterizuar botën.

Progresi i pagjasë shpesh e trajton individin si një mjet për prodhim dhe përfitim, ku punëtorët konsiderohen thjesht si burime të zëvendësueshme dhe jo si qenie me vlera të brendshme.

Globalizimi ka krijuar një treg global pune ku njerëzit, veçanërisht në vendet më të varfra, shpesh shfrytëzohen për kosto më të ulëta të punës, duke u trajtuar si mjete për përfitime të atyre që marrin nën kërcënim resurset dhe kapacitetet gjeneruese të botës, si një habitat i gjithëpranuar në një bashkëjetesë të harmonishme, ku mundësitë janë në proporcion të drejtë me kërkesën.

Në epokën e teknologjisë së informacionit, njerëzit shpesh reduktohen në të dhëna dhe algoritme. Kompanitë teknologjike përdorin të dhënat personale për qëllime komerciale, duke trajtuar individët si mjete për reklamim dhe fitim.

Manipulimi i informacionit në mediat sociale ka krijuar një model ku njerëzit trajtohen si mjete për të ndikuar opinionin publik ose për të manipuluar vendimet e tyre konsumatore, dhe jo vetëm kaq, për të shpërbërë në mënyrë graduale dhe të pakthyeshme thelbësoren e njeriut, duke e zhveshur atë nga çdo parim, ideal dhe ego e progresit shpirtëror.

Në botën politike, njerëzit shpesh trajtohen si një masë për vota, ku udhëheqësit fokusohen në mbajtjen e pushtetit dhe jo në mirëqenien e individëve. Populizmi dhe manipulimi politik shpesh shfrytëzojnë emocionet dhe frikërat e njerëzve për qëllime të ngushta pushteti.

Njeriu modern shpesh shihet si një konsumator, ku vlera e tij përcaktohet nga aftësia për të blerë. Në këtë mënyrë, individi reduktohet në një pjesë të një mekanizmi ekonomik dhe humbet vlerën e tij si qëllim.

Respektimi i dinjitetit njerëzor nga Kanti te moderniteti kanë pësuar një ndryshim të themeltë, por pa mundur dot ta shuaj atë zë të gjëmimshëm të mendimit pozitivist, sipas të cilit shoqëria duhet të respektojë secilin individ si qëllim në vetvete. Kjo kërkon sisteme që mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, duke garantuar që askush të mos shfrytëzohet për interesin e dikujt tjetër.

A është e mundur kjo?

Kant do të argumentonte për ndërtimin e ligjeve dhe institucioneve që mbrojnë autonominë dhe dinjitetin e individëve, duke kufizuar pushtetit absolute, të orientuar nga manipulimi dhe shfrytëzimi e njerëzve.

Individët duhet të fuqizohen për të kuptuar dhe mbrojtur vlerën e tyre si qenie me dinjitet. Formimi etik mund të ndihmojë në krijimin e një kulture që refuzon instrumentalizimin e individit.

Mendimi filozofik i Kanti ka qenë dhe mbetet në anën e zgjidhjes së problemeve, më shpresën dhe synimin për një botë ku njerëzit janë partnerë të barabartë dhe jo mjete të shfrytëzimit./ KultPlus.com

Ngrohja globale në vitin 2024 ishte mesatarisht 1,6 gradë Celsius

Sipas një raporti të publikuar sot, 2024 ishte viti i parë që temperaturat ishin mesatarisht 1,5 gradë Celsius mbi standardin e klimës që nga fillimi i regjistrimeve.

”Kjo gjithashtu e bëri atë vitin më të ngrohtë në histori”, sipas të dhënave nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike ”Copernicus”, i cili kishte paraqitur vlerësime të ngjashme paraprake në muajt e fundit.

Sipas të dhënave të fundit, viti i kaluar ishte 1,6 gradë Celsius më i ngrohtë se temperatura mesatare e vlerësuar për periudhën 1850-1900, periudha e referencës paraindustriale.

Në të njëjtën kohë, secili nga 10 vitet e fundit (2015-2024) ka qenë ndër 10 më të ngrohtat që nga fillimi i regjistrimeve./ atsh/ KultPlus.com

Fragment nga ‘Libri i Bardhë’ i nobelistes Han Kang

“Bardhë / Libri i Bardhë” nga nobelistja Han Kang

Petku i të sapolindurës

Fëmija i parë i nënës sime vdiq as dy orë pasi erdhi në jetë, më thanë.

Më thanë që ishte vajzë, me fytyrë të bardhë si ëmbëlsirat prej orizi në formë gjysmëhëne. Ndonëse shumë e vogël, dy muaj e parakohshme, tiparet e saj qenë përvijuar qartësisht. Kurrë nuk mund ta harroj çastin, më tha nëna, kur ajo i çeli dy sytë e zinj dhe i ktheu drejt fytyrës sime.

Asokohe prindërit e mi jetonin në një shtëpi të izoluar në fshat, afër shkollës fillore ku babai im jepte mësim. Data e pritshme e lindjes ende ishte shumë larg, prandaj nëna u gjend krejtësisht e papërgatitur kur një mëngjes i plasën ujërat. Askush nuk ishte atypari. Telefoni i vetëm i fshatit gjendej në dyqanin e vogël pranë stacionit të autobusëve – njëzet minuta larg. Babai do të kthehej nga puna pas gjashtë orësh.

Ishte dimër i hershëm, bryma e parë e vitit. Nëna ime 22 vjeçare shkoi këmbadoras deri në kuzhinë dhe vloi pak ujë për t’i sterilizuar një palë gërshërë. Duke kërkuar kuturu nëpër kutinë për qepje gjeti pak stof të bardhë, të përshtatshëm për petkun e të porsalindurës. E mbërthyer nga kontraktimet dhe tmerrësisht e frikësuar, lotët filluan t’i rridhnin gjersa e përdridhte gjilpërën. Përfundoi petkun e vockël, kapi një jorgan të hollë për ta përdorur si lidhëse djepi dhe i shtrëngoi dhëmbët kur dhimbja iu kthye, gjithnjë më e shpejtë dhe më intensive.

Mbas të gjithave, lindi. Ende e vetme, e këputi kordonin e kërthizës. Trupin e vogël e të përgjakur e veshi me petkun e sapokrijuar dhe e mbajti në krah masën rënkuese. Pashë Zotin mos vdis! – pëshpëriti me zë të mekur, pa u ndalur, si një mantra. Pas një ore, qepallat e mbyllura fort të foshnjës papritmas u çtegelisën. Derisa sytë e nënës sime u panë me sytë e fëmijës së saj, buzët sërish iu drodhën menjëhershëm. Pashë Zotin mos vdis! Rreth një orë më vonë, foshnja vdiq. Qëndruan në dyshemenë e kuzhinës – nëna ime me foshnjën e vdekur shtrënguar në gjoks, duke e ndier të ftohtin që ngadalë i përshkonte në mishra, për t’iu kredhur në eshtra.

Vaj s’dëgjohej më.

Heshtje

Kur ditëve të gjata më në fund u shihet skaji, është e nevojshme një kohë për të qenë të qetë. Njëjtë si kur, pavetëdijshëm para stufës, heshtas i mbaj duart të shtangura, me gishtat hapur dhe shtrirë në ngrohtësinë e saj të lehtë.

Flokëthinjur

Asaj i kujtohet njëri nga ish-shefat e saj, burrë në mezomoshë, i cili thoshte se kishte merak që përsëri ta takonte të dashurën e dikurshme kur të plakej, me flokë të bardhë si pupla. Kur të jemi shumë të moshuar… Kur secila fije floku të na zbardhet, atëherë dua ta shoh, patjetër.

Nëse do të ekzistonte një kohë që do të donte ta shihte sërish, kjo gjithsesi do të duhej të ndodhte në atë rast.

Kur edhe rinia, edhe trupi, do të kishin mbaruar.

Kur s’do kishte më kohë për afsh.

Kur veç një gjë do mbetej për t’u bërë pasi të përfundonte takimi: të ndaheshin. Të largoheshin prej trupave të tyre, duke u shkëputur përjetësisht.

Xixëllimë

Ç’është kjo punë me mineralet xixëlluese, si argjendi, ari ose diamantet, që i bën njerëzit t’i konsiderojnë fisnike? Sipas një teorie, për njeriun e lashtë xixëllimat e ujit sinjalizonin jetën. Uji shkëlqyes nënkuptonte ujë të pastër. Vetëm ai ujë që është i pijshëm – dhe jep jetë – është i tejdukshëm. Kurdo që, pas ecjeve nëpër shkretëtira, pyje dhe moçale të qelbura, një grup arrinte të dallonte në largësi masë uji bardhësisht xixëlluese, pjesëtarët e tij ndiheshin të plasaritur lumturie. Sepse do të ishte jetë. Sepse do të ishte bukuri.

Krahë

Në periferinë e këtij qyteti ajo e pa fluturën. Fluturën e bardhë, me krahë të palosur mbi kallamishte, në një mëngjes nëntori. Asnjë flutur nuk ishte parë që nga vera. Ku ka mundur të fshihej kjo? Javën e kaluar temperatura e ajrit ra shumë dhe ndoshta për shkak të ngrirjes së shpeshtë të krahëve prej tyre kulloi ngjyra e bardhë, duke i bërë disa pjesë pothuajse të tejdukshme. Aq të kthjellëta, saqë vezullojnë nga reflektimi i tokës së zezë. Tash duhet vetëm pak kohë dhe bardhësia do të largohet krejtësisht prej këtyre krahëve. Ata do të shndërrohen në diçka tjetër, s’do të jenë më krahë, ndërsa flutura do të bëhet diçka tjetër e s’do të jetë më flutur.

Shtëllungë goje

Mëngjeseve të ftohta, shtëllunga e parë që na lirohet kur marrim frymë është dëshmi që po jetojmë. Dëshmi e ngrohtësisë së trupave tanë. Ajri i ftohtë nxiton në mushkëritë e zeza, e thith ngrohtësinë nga trupi ynë dhe frymënxirret në formë të perceptueshme – i bardhë me pikla të përhime. Shpërhapje e mrekullueshme e jetëve tona, jashtë në ajrin e zbrazët.

Stuhi bore

Disa vite më parë u dha paralajmërimi për reshje të dendura bore. Seuli rrezikohej pandalshëm nga stuhitë e borës, gjersa ajo ecte e vetme përgjatë shtegut kodrinor. Çadra e

saj rezultoi e padobishme ta mbronte prej borës. Vazhdoi ecjen, ndërsa shtjellat e shpejta dhe të trasha të fjollave të bardha i binin fytyrës dhe trupit. E pazonjë për ta kuptuar se ç’dreqin ishte kjo gjë kaq e ftohtë, kaq armiqësore. Kjo brishtësi që zhdukej, kjo rëndësirë shtypëse e bukurisë.

Përkthyer nga Artan Muhaxhiri

-Bukuri lirike, thellësi filozofike, zbulim mallëngjyes i gjendjes njerëzore.

“Bardhë / Libri i Bardhë” i nobelistes Han Kang veçohet për gjuhën magjepsëse të prozës poetike. Mini-tregimet meditative krijojnë simbolikë shumështresore të së bardhës, me perspektivat e përjetimeve universale të brishtësisë shpirtërore.

“Eksplorim formësisht i guximshëm, emocionalisht shkatërrues dhe thellësisht politik i pikëllimit personal përmes prizmit të ngjyrës së bardhë” – e cilësoi The New York Times Book Review.

Origjinali u botua me titullin “Huin” (“Bardhë), në vitin 2016, kurse përkthimi në anglisht një vit më pas, si “The White Book” (Libri i Bardhë)./ KultPlus.com

Sot, 72 vjet nga hapja e Teatrit ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës

Sot bëhen 72 vite nga hapja zyrtare e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale ka rikthyer në vëmendje këtë datë të veçantë për artdashësit e qytetit bregdetar.

“Në 11 janar 1953, Durrësi, ky qytet me një histori gati tremijëvjeçare, do të themelonte Teatrin profesionist me emrin e aktorit të madh me famë botërore Aleksandër Moisiu.”

Ishin 14 aktorë, një pjesë e mirë tepër të angazhuar në lëvizjen amatore, të cilët themeluan këtë teatër duke nisur historinë e një tradite të mirëfilltë teatrore në shtëpinë e parë të teatrit durrsak, ish-kinemanë “14 Nëntori” e më pas, veprimtaria kryesore e teatrit “Aleksandër Moisiu” u lidh kryesisht me godinën aktuale të saj, e cila u përurua më 4 shkurt të vitit 1965”, shkruan Sako.

Sako shton më tej se ky rrugëtim 72-vjeçar numëron mjaft tituj, çmime e arritje në rang kombëtar e më tej nga aktorët, regjisorët si dhe artistet e profileve të tjerë të këtij teatri.

“Me mbi 250 premiera e me një trupë tashmë të konsoliduar aktorësh, shfaqjet po ridimensionojnë profile të rinj aktorësh me ambicie, përkushtim e shumë dëshirë, duke na dhënë besim për t’a vijuar më tej traditën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në vitet që do të vijnë. Jetë të gjatë Teatrit”, shkruan Sako.

Në videon e ndarë në rrjetet sociale disa nga aktorët të cilët kanë performuar ndër vite në skenën e këtij Teatri, kanë shprehur urimet e tyre.

“Uroj që teatrit t’i kthehet identiteti i tij dhe emri i madh “Aleksandër Moisiu”, pastë jetë të gjatë si jeta e gjithë popullit se Teatri është i popullit dhe populli e do Teatrin se është pasqyra e jetës së tij”, tha Ali Bega.

“Jetoftë në jetë të jetëve, suksese pastë gjithmonë!”, u shpreh Hysen Bashhysa.

“Funksioni i teatrit është argëtimi dhe edukimi dhe me këtë rast unë i uroj Teatrit Aleksandër Moisiu sa më shumë shfaqje të bukura që ta kryejnë sa më mirë dhe sa më bukur misionin për të cili ekziston”, tha Sanie Hoti.

“Dua të falenderoj të gjithë artistët për kënaqësitë e mëdha që i kanë dhënë dhe i japin spektorit tonë durrsak dhe të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Aishe Stari.

Shfaqja e parë e vënë në skenë në teatrin “Aleksandër Moisiu” ka qenë komedia “Vajza nga fshati”, e shkrimtarit Fatmir Gjata, me regji të Pandi Stillu./atsh/ KultPlus.com

‘Thjeshtësia është sofistikimi më i madh’

Thënie nga Leonardo da Vinçi:

1. “Ndërsa mendoja se po mësoja si të jetoja, kam mësuar si të vdes”.

2. “Thjeshtësia është sofistikimi më i madh”.

3. “Të mësuarit nuk e lodh kurrë mendjen”.

4. “Mashtrimi më i madh nga i cili vuajnë njerëzit, është nga opinion i tyre”.

5. “Nuk mjafton të dish; duhet të veprosh. Nuk mjafton të jesh i gatshëm; duhet të veprosh”.

6. “Pse syri e sheh një gjë më qartë në ëndrra, sesa imagjinata kur je zgjuar?”

7. “Kush mbjell virtyt, korr nder”.

8. “Aty ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta”.

9. “E gjithë njohuria jonë e ka origjinën në perceptimet tona”.

10. “Ashtu si një ditë e kaluar mirë sjell gjumë të lumtur, ashtu edhe një jetë e kaluar mirë sjell vdekje të lumtur”.

11. “Lotët vijnë nga zemra dhe jo nga truri”.

12. “Koha zgjat mjaftueshëm për këdo që do ta përdorë”.

13. “Kënaqësia më fisnike është gëzimi i të kuptuarit”.

14. “I varfër është nxënësi që nuk e kalon mësuesin e tij”.

15. “Ka kohë që më kishte rënë në sy se njerëzit me arritje rrallë rrinin duarkryq dhe i linin gjërat t’u ndodhnin. Ata lëviznin dhe u paraprinin gjërave”.

16. “Janë katër fuqi: kujtesa dhe intelekti, dëshira dhe lakmia. Dy të parat janë mendore dhe të tjerat sensuale. Tri shqisat, shikimi, dëgjimi dhe nuhatja nuk mund të parandalohen mirë; nuk mund të prekësh diçka dhe të mos shijosh asgjë”.

17. “Njerëzit me gjenialitetin më të lartë kur bëjnë më pak punë, janë më aktivët”.

18. “Ka tre klasa njerëzish: ata që shohin, ata që shohin kur u tregohet diçka dhe ata që nuk shohin”.

19. “Gjithmonë e kam ndjerë se është fati im të ndërtoj një makinë që do ta lejonte njeriun të fluturonte”.

20. “Ai që dëshiron të jetë i pasur brenda një dite, do t’i duhet me siguri një vit për të qenë i tillë”.

21. “Natyra nuk i thyen kurrë ligjet e saj”./ KultPlus.com

‘Margjela’ nga zëri i ëmbël i Eranda Libohovës (VIDEO)

Eranda Libohova është këngëtare e njohur shqiptare. Ajo ka një karrierë të bujshme muzikore, me mbi 10 albume me këngë shqipe. Në spektaklin “Këngët e Shekullit” është përzgjedhur një ndër dhjetë këngëtaret më të mira.

Sonte, KultPlus ju sjell një interpretim fantastik të saj:

Moj Margjel, mori mal’sore,
ku po shkon me at’ kosore?
Ku po shkon moj tu vrapue?
A po vjen o vashë me mue,
se mas teje s’du’ me ngelë
O Margjel, o moj Margjel.

[Refreni]:
(O) Margjelo, mori Margjel,
çilma syrin që m’ke mshelë.
O Margjela e Malsisë,
thuja kangve t’çobanisë.

O Margjel, mori sojnike,
bija e Malsisë kreshnike,
mos t’l’shoj zemra moj sojnike
Trim’i mirë që shkon ai erë
Mendjen ty e ka gjith herë
E nga shpres bëhet verë/ KultPlus.com

Poezi nga Pien Chih-Lin: Vonë në një festival nate

Pien Chih-lin (1910–2000), poet, përkthyes dhe studiues letrar kinez. Poezia e tij ishte e lidhur me Shkollën Hëna e re, që avokonte për poezinë moderne metrikale, por stili i tij ishte më i afërt me atë të simbolistëve kinezë. Ka përkthyer në kinezisht poetë si Baudelaire, Verlaine, Valery, etj.

VONË NË NJË FESTIVAL NATE

Nga Pien Chih-lin

Dritarja para dritës së natës shndrit si një pasqyrë:

mos e tërhiq perden, mos i ngul sytë thellë në natë,

nëse s’dshiron të flakesh mbrapa te vetja jote.

Edhe andej larg dritares është një pasqyrë edhe më e thellë.

Shikoje shkëndijen pulitëse të llampës së ndezur,

syri i kujt është ai që duket aq i trishtë?

“Mëkat që s’mund të dëgjoj me ty frymëmarrjen time në gjumë!”

është e mprehtë si thikë, po prapë s’do ta presë në thela gjeratoren:

ti je ëndrra e tjetrit, ndërsa tjetri është e jotja.

Vonaku i vetmuar hedh tutje thikën e tij të akullt dhe ju bekon të dyve.

SHËNIM I AUTORIT:

Kjo poezi është shkruar nja tetë vjetë më parë. Lërmeni tani të zbuloj momentin të cilit i referohen këto pak vargje:

Epo:

Nata është e qetë pas gjithë gazmendeve të zhurmshme të rëndomta për një ditë festivali. Është vonë. Çdonjëri është kthyer në qoshkun e tij/saj përkatës, duke iu dorëzuar një lodhjeje të ëmbël, mbase duke u shtrirë ngjitur dikujt tjetër. Pse pra je ulur fikall i vetëm? Për të shkruar letra të gjata, siç thotë Rainer Maria Rilke diku në një poezi? Me shumë gjasë kjo është. Tekembramja mund të jesh duke menduar për dikë, se përndryshe nuk do ta ngrije tani perden e dritares të shikosh jashtë duke depërtuar terrin me sytë e tu të nderë. Xhami flakërues, i anësuar me një të zezë blozë, sidoqoftë ta paraqet një imazh që të shikon trishtueshëm dhe me mall – vetë imazhin tënd! Natyrisht, nuk ndihesh rehat. Po hajt, de, veç përfytyroje pak si të tjerët për të cilët je duke menduar mund të jenë duke performuar të njëjtin veprim diku në një vend andej larg. Çka është distanca për syrin e mendjes? Dritarja e ndiçuar, tjetra, është shfaqur menjëherë në shikimin tënd nga larg fare si një shkëndijë pulitëse, ose thënë më mirë, si një sy i përgjumur që pulitet dhe të shikon. Dhe çka është distanca për syrin e mendjes, posaçërisht për të dashnorin? Madje mund të shquash në dritën që zgjerohet gradualisht një palë sy aq të trishtë dhe përplot me mall – sytë e kujt janë? Të tjetrit a të tutë? Të tutë dhe të tjetrit? Oh, nuk mund të mohosh më gjatë se je goxha i lumtur këtu. Ju jeni një, ti dhe tjetri.

Cila është dobia e një ujdie harbute: ““Mëkat që s’mund të dëgjoj me ty frymëmarrjen time në gjumë!”. Mund të duket se është thënë bukur, ftohtësisht e vërtetë. Qoftë edhe shpinë për shpine në shtrat, nëse njërin prej tyre e zë gjumi një çikëz më herët se tjetrin, si i bëhet me tjetrin? Flakur tutje, i pashoqëruar, i braktisur, se individët janë në fund qeliza të veçuara, të ndarë nga njëri-tjetri. Por jo, ky vrojtim i mprehtë nuk mund të bëjë keq, përveç mbase vetvetes. Edhe nëse dështon e gjithë fuqia e shpatës poetike të Li Po-së, siç e pranon ai vetë, të ndërpresë ujin që rrjedh përjetësisht, si mundet kjo thikë vulgare ta ndajë në thela gjeratoren – “ti je ëndrra e tjetrit, ndërsa tjetri është në të tuat”. Përkundrazi, kjo dëshmon vetëm fortësinë e lidhjes tënde duke e paguar vetë – me shumë gjasë me shpëtimin e vetes duke e humbur veten në atë rrjedhë, pastaj duke e rigjetur veten të vërtitur në breg, i veshur nga koha dhe ndryshku, që të ngrihesh lart dhe të bëhesh një artikull i ri në katalogun e muzeut ose një dyqani të gjërave të rralla. Mirë pra, njeriu i vetmuar që është ngritur si ti, por që këmbëngul të mendojë me kujdes të shtuar për tjetrin, e ka lëshuar veten në besimin magjepsës se “ai është i vetmi esëll në mesin e gjithë të tjerëve të dehur”, tash njëmend zgjohet ta gjejë veten në një imazh mendjeje të vlefshëm sa një Budë – një Budë që e kishte bërë veten të tillë duke e ndjekur porosinë e famshme “Lëshoje poshtë thikën tënde prej kasapi dhe do të bëhesh Budë menjëherë” – dhe i lumi ti, ti dhe ai tjetri, që të dy.

4 nëntor 1943

Marrë nga ‘Contemporary Chinese Poetry’, Routledge, 2023/Gazeta Express/ KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Thethi i mbuluar me borë

Thethi është kthyer në një atraksion gjithëvjetor për turistët e huaj, por edhe ato vendas.

Kjo zonë e Shqipërisë së Veriut është mbuluar nga dëbora këtë janar, duke e shndërruar në një pikë referimi për turistët që pëlqejnë zonat e thella malore në dimër për të zhvilluar pasionet e tyre sportive, por edhe për të shijuar edhe magjinë e natyrës në dimër.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale, pamjet nga Thethi i mbuluar me borë kthyer prej vitesh në një nga pikat më të rëndësishme turistike të veriut të Shqipërisë.

Vitet e fundit, në Theth janë shtuar strukturat mikpritëse. Në shumicën e rasteve, jane kullat e vendasve të kthyera në bujtina, që kanë pritur vizitorë nga të gjitha anët e globit.

Parku Kombëtar, i themeluar në vitin 1966, mbulon 2630 ha (26,3 km2) dhe është vendosur në qendër të Alpeve shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës. Parku është themeluar për të mbrojtur ekosisteme të ndryshme, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.

Organizata ndërkombëtare IUCN (Unioni për Ruajtjen e Natyrës) e ka vlerësuar Thethin si park të Kategorisë II, i vlerësuar veçanërisht si zonë e rëndësishme për shpendët e bimësinë. Në 2017 Thethi u shpall Qendër Historike e Mbrojtur.

Kryesisht turistët e huaj që vizitojnë Thethin, preferojnë të përshkojnë një shteg që kalon në lartësinë 1795 metrave, për të shkuar në Valbonë ose anasjelltas./atsh/ KultPlus.com

Greva e aktorëve të TKK-së vazhdon me heshtje, pas fushatës zgjedhore paralajmërohet për hapa të mëtutjeshëm

Pas grevës 54-ditëshe, si shkak i mosrealizimit të kërkesave për rritjen e koeficientëve të pagave, Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka njoftuar se përgjatë periudhës zgjedhore aktivitetin sindikal ta vazhdojë përmes heshtjes.

Lajmi është bërë i ditur nga Sindikata e Aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës përmes një komunikate për media.

“Duke qenë të vetëdijshëm se prej sot Kosova hyn në fushatë zgjedhore, dhe duke marrë parasysh se çdo veprim publik i yni – përmes performancave alternative, protestave apo debateve mediatike – mund të interpretohet si anim politik, kemi vendosur që gjatë kësaj periudhe të zhurmshme zgjedhore aktivitetin tonë sindikal ta vazhdojmë përmes heshtjes duke besuar se heshtja jonë do të dëgjohet dhe kuptohet si një kambanë alarmi.

Pas përfundimit të fushatës zgjedhore ne do të vazhdojmë me aktivitete tjera sindikale deri në realizimin e kërkesave tona të drejta”, thuhet në njoftimin e Sindikatës./ KultPlus.com