Biden: Bota përballet me dekadë vendimtare

Në fjalimin e tij të parë në Kombet e Bashkuara, presidenti amerikan, Joe Biden, u zotua për bashkëpunim me aleatët gjatë, siç tha, “një dekade vendimtare për botën tonë”.

Garancitë e tij vijnë në kohën e tensioneve për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani dhe të një grindjeje të madhe diplomatike rreth një marrëveshjeje të re të sigurisë midis SHBA-së, Britanisë dhe Australisë.

“Unë besoj se ne duhet të punojmë së bashku si kurrë më parë”, tha Biden para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Asambleja e 76-të po zhvillon punimet në Nju Jork, në sfondin e krizës klimatike dhe të pandemisë së koronavirusit.

Të dyja çështjet i kanë thelluar ndarjet midis aleatëve, por Biden bëri thirrje për bashkëpunim, duke thënë se “suksesi ynë është i lidhur edhe me suksesin e të tjerëve”.

Duke folur për tensionet e vazhdueshme midis SHBA-së dhe Kinës, Biden tha se vendi i tij “nuk po përpiqet për një Luftë të re të Ftohtë ose një botë të ndarë”.

Por, ai u zotua se SHBA-ja do ta mbrojë “me forcë” veten dhe aleatët e saj.

Biden gjithashtu e mbrojti vendimin për tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani, duke thënë se “fuqia ushtarake duhet të jetë zgjidhja jonë e fundit”./KultPlus.com

Biden përkujton masakrën e Tulsës: Disa padrejtësi janë të llahtarshme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përkujtoi masakrën e vitit 1921 kundër komunitetit afrikano-amerikan në Tulsa të Oklahomës, duke thënë se SHBA-ja duhet të mësojë nga një prej episodeve më të këqija të trazirave racore.

Për të shënuar 100-vjetorin e ngjarjes, Biden vizitoi qytetin e Tulsës, ku edhe zbuloi iniciativa të reja, që, sipas tij, do të adresojnë pabarazitë racore në pasuri, pronësi shtëpish dhe pronësi biznesesh.

”Ky nuk ishte rebelim, ishte masakër”, tha Biden para një audience në lagjen Grinvud, ndërsa dhunën racore e përshkroi si “njërën ndër më të këqijat në historinë tonë – por jo të vetmen”.

Biden është presidenti i parë amerikan që përkujtoi masakrën e një shekulli më parë.

Në vitin 1921, më 31 maj dhe 1 qershor, Tulsa u përfshi nga trazirat racore dhe vrasjet.

E gjitha filloi kur një i ri afrikano-amerikan, me emrin Dick Rowland, u akuzua për sulm ndaj një gruaje të bardhë – një pretendim që nuk u dëshmua kurrë – dhe pas thashethemeve se një turmë e njerëzve të bardhë planifikonte ekzekutimin e tij.

Një turmë e afrikano-amerikanëve – shumë prej tyre të armatosur – në përpjekje për të parandaluar ekzekutimin, u përball me një turmë të njerëzve të bardhë – disa gjithashtu të armatosur – në gjykatën ku po mbahej Rowland, duke çuar në një konfrontim vdekjeprurës, që la të vdekur dhjetë të bardhë dhe dy afrikano-amerikanë.

Pastaj, protestuesit e bardhë vranë afrikano-amerikanë, plaçkitën shtëpi dhe u vunë flakën blloqeve të lagjes Grinvud të Tulsas.

Në vitin 2001, një komision shtetëror i Oklahomës regjistroi zyrtarisht 36 të vdekur: 26 afrikano-amerikanë dhe dhjetë të bardhë.

Por, disa historianë thonë se numri i të vdekurve arrin deri në 300 njerëz – shumica e tyre afrikano-amerikanë.

Gati 10,000 njerëz mbetën të pastrehë dhe biznese të panumërta u shkatërruan, duke i dhënë fund një qendre ekonomike dhe kulturore afrikano-amerikane.

Të mbijetuarve nuk iu dha asnjë kompensim dhe kompanitë e sigurimeve mohuan shumicën e pretendimeve të afrikano-amerikanëve.

Ngjarjet kryesisht munguan në librat e historisë deri në vitet e fundit.

“Për shumë gjatë, historia e asaj që ndodhi këtu u tregua në heshtje”, tha Biden.

“Disa padrejtësi janë aq të tmerrshme, aq të llahtarshme, aq të rënda, saqë nuk mund të varrosen, pa marrë parasysh se sa përpiqen njerëzit. Vetëm me të vërtetën mund të vijë shërimi”, tha Biden.

Biden, i cili pati mbështetjen e afrikano-amerikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, u zotua se do të adresojë çështje të tilla si dhuna e policisë, racizmi dhe pabarazitë.

Biden njoftoi gjithashtu se zëvendëspresidentja Kamala Harris do të udhëheqë përpjekjet për reformën e votimit, në përgjigje të atyre që demokratët i cilësojnë si përpjekje të republikanëve për të miratuar ligje që kufizojnë mundësinë e votimit.

Republikanët i mohojnë pretendimet e demokratëve, duke thënë se ligjet në disa shtete si Xhorxhia, në të vërtetë e zgjerojnë mundësinë e votimit dhe janë më përfshirëse se në një numër shtetesh të udhëhequra nga demokratët.

Biden gjithashtu shpalli disa iniciativa të reja, që administrata e tij shpreson se do të ndihmojnë për të ngushtuar hendekun e pasurisë midis afro-amerikanëve dhe të bardhëve, si dhe do të nxisin investimet në komunitetet afrikano-amerikane, duke zgjeruar qasjen e tyre në pronësinë e shtëpive dhe pronësinë e bizneseve të vogla. / Gazeta Express / KultPlus.com

Bideni bën thirrje që të vaksinohen fëmijët nga mosha 12 vjeç e më lartë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u ka bërë thirrje gjithë fëmijëve nga mosha 12-vjeçare e më lartë që të marrin vaksinën Pfizer kundër COVID-19, pas lajmit se këshilltarët federalë të shëndetësisë kanë dhënë leje për vaksinimin e fëmijëve të asaj moshe, raporton agjencia AP.

Më herët këtë javë, Agjencia e Ushqimit dhe e Barnave në SHBA ka hapur rrugën për të zgjeruar përdorimin e vaksinës së Pfizerit, duke cituar dëshmi se vaksina ka funksionuar mirë te ata të moshës 12 deri 15 vjet dhe ata 16 e më tepër.

Por, shumica në SHBA kanë pritur rekomandimin e Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve.

Të mërkurën, komiteti i pavarur këshillues ka votuar për të rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine te fëmijët nga mosha 12 vjet e më lartë.

CDC-ja pritet të pranojë rekomandimin e komitetit këshillues.

“Ne do të kemi për herë të parë një vaksinë të sigurt dhe efikase kundër COVID-19 për adoleshentët mbi 12 vjet. Ky është një hap tjetër i madh në luftën tonë kundër pandemisë”, ka thënë Biden.

Biden ka thënë se administrata e tij është e gatshme për të shtrirë vaksinimin në atë grupmoshë.

“Ky grup i popullsisë do të ketë vaksinimin të shpejtë dhe efikase”, ka thënë Biden, duke shtuar se nga disa e enjte (sot) më tepër se 15 mijë farmaci do të jenë të gatshme dhe në dispozicion për të vaksinuar të gjithë amerikanët të moshës nga 12 vjet e sipër.

Biden ka thënë se vaksinat do të jenë në dispozicion edhe nëpër zyra të pediatrëve dhe të mjekëve familjarë. / KultPlus.com

Osmani falënderon Biden për letrën e tij të përzemërt në emër të popullit amerikan

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu ka falënderuar Presidentin Biden për letrën e tij të përzemërt në emër të popullit amerikan, ku Biden ka potencuar se SHBA-të do të punojnë në realizimin e shpërndarjes së vaksinave ndaj Covid-19 në Kosovë, shkruan KultPlus.

Osmani gjithashtu ka theksuar pjesën ku Biden në letrën e tij shkruan se ShBA-të, mbështesin vazhdimin e dialogut me Serbinë.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të saj:

Falënderoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për letrën e tij të përzemërt në emër të popullit amerikan.

Presidenti Biden thekson partneritetin e gjatë mes dy vendeve tona të rrënjosur në vlerat e përbashkëta, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën. Ai poashtu ka theksuar se do të punojë me ne në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.

Në veçanti, e falënderoj Presidentin Biden që i është përgjigjur letrës sime të datës 19 mars lidhur me ndihmën në drejtim të sigurimit të vaksinave, si prioritet numër një i institucioneve tona. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me ekipin tim për realizimin e këtij synimi.

Në letrën e Presidentit Biden theksohet, gjithashtu se ShBA-të, mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë. “ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden. / KultPlus.com

Bideni i habitur nga kundërshtimi për t’u vaksinuar kundër koronavirusit


Presidenti Joe Biden është i habitur nga kundërshtimi i vazhdueshëm i disa amerikanëve për t’u vaksinuar kundër koronavirusit, veçanërisht mes republikanëve që kundërshtuan zgjedhjen e tij si president.

“Sinqerisht mendova se, pasi të kishim vaksina të mjaftueshme për të gjithë, gjendja do të fillonte të qetësohej, “tha presidenti Biden për kanalin ABC News të martën. “Dhe në fakt është qetësuar mjaft”.

Presidenti Biden i tha gazetarit të ABCNews George Stephanopulos se nuk po arrin të kuptojë këtë situatë.

“Atëherë përse nuk tregohesh patriot? Të mbrosh njerëzit e tjerë ”, tha presidenti Biden.

Joe Biden, i cili u vaksinua para inaugurimit të tij dy muaj më parë, tha se u tregoi amerikanëve me shembullin e vet se vaksina është e sigurt dhe ishte gjithashtu personalisht lehtësuese “sepse tani mund t’i përqafoj nipërit e mi”, tha presidenti. “Ata vijnë më vizitojnë, mund t’i shoh dhe jam në gjendje të rri me ta”.

Rreth 13% e amerikanëve të rritur, më shumë se 35 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht. Ish-presidenti Donald Trump dhe gruaja e tij Melania u vaksinuan të dy para se ai të largohej nga detyra.

Të martën, Trump i tha kanalit Fox News, “Unë e rekomandoj vaksinën, dhe do t’ua rekomandoja atë shumë njerëzve që nuk duan ta marrin, dhe shumë prej tyre votuan për mua, sinqerisht”. \ VOA / KultPlus.com

Bideni shfuqizon vendimin e Trumpit për ndalesa ndaj imigrantëve

Presidenti amerikan Joe Biden ka përmbysur një vendim të ish-presidentit Donald Trump, për të bllokuar aplikuesit e lejeve të qëndrimit (green card), që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Trumpi pati bërë këtë ndalesë vitin e kaluar, duke thënë se është e nevojshme që të mbrohen punëtorët amerikanë në kohën e papunësisë së lartë, të nxitur nga koronavirusi.

Kjo ndalesë ishte planifikuar të zgjaste deri në fund të vitit 2020, mirëpo Trumpi e zgjati atë deri në fund të marsit, në ditët e fundit sa ishte në pushtet.

Shumica e vizave të imigrantëve janë bllokuar me këtë urdhër, bazuar në deklaratat e avokatëve për imigrim.

Imigrantët nuk kanë mundur të marrin familjarët e tyre, përveç nëse ata kanë qenë shtetas amerikanë, që kanë aplikuar për viza për bashkëshortët apo fëmijët nën moshën 21-vjeçare.

Imigrantët me viza puna po ashtu nuk kanë mundur të shkojnë në SHBA gjatë kësaj kohe, përveç nëse kanë pasur aftësi në fushën e kujdesit shëndetësor dhe profesione të tilla të ngjashme.

Sipas vendimit të ri, të 24 shkurtit, Bideni ka pezulluar këto vendime, duke thënë se mbyllja e dyerve për imigrantët e ligjshëm “nuk është në interes të Shteteve të Bashkuara”.

Ai ka kundërshtuar pretendimet e Trumpit se imigrantët mund të dëmtojnë tregun e punës, duke thënë se urdhrat u kanë pamundësuar familjeve që të bashkohen, si dhe kanë dëmtuar bizneset amerikane.

Bideni, demokrat, është zotuar për të kthyer mbrapsht një mori politikash të Trumpit për imigrim.

Ai më parë ka hedhur poshtë vendimin e Trumpit për t’iu ndaluar hyrjen banorëve të shteteve me shumicë myslimane. \ REL / KultPlus.com

Bideni do të nderojë 500 mijë jetët e humbura nga COVID-19 në SHBA

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të nderojë 500 mijë jetë të humbura nga COVID-19 me një moment heshtjeje dhe ceremoni ndriçimi qirinjsh në Shtëpinë e Bardhë.

SHBA-të pritet ta kalojnë këtë moment të zymtë gjatë ditës së sotme, pak më shumë se një vit që pas vdekjes së parë në vend.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Bideni do të marrë pjesë bashkë me zonjën e Parë, Jill Biden, zëvendës-presidentin Kamala Harris dhe burrin e saj, Doug Emhoff, në momentin e heshtjes dhe ceremonisë së ndriçimit.

Shetetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur më shumë se 28.1 milionë raste positive me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë. / KultPlus.com

Bideni do ta propozojë një rrugë tetëvjeçare drejt shtetësisë amerikane për imigrantët

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, planifikon ta publikojë një projektligj për imigracion në ditën e tij të parë në administratë, duke shpresuar që të ofrojë një rrugë tetëvjeçare drejt shtetësisë amerikane për rreth 11 milionë qytetarë që jetojnë në SHBA pa status ligjor, shkruan agjencia AP.

Është një ndryshim i madh nga administrata e Donald Trump, që kishte politika të ashpëra ndaj imigracionit.

Ky legjislacion e vë Bidenin në rrugën e duhur për të mbajtur premtimin e dhënë ndaj votuesve latinë dhe komuniteteve tjera imigrantë gjatë fushatës parazgjedhore. Po ashtu do të jetë një dallim i madh i politikave, pasi nën presidentin Donald Trump pati politika kufizuese dhe po ashtu dëbime masive.

Ky projektligj ofron rrugën më të shpejt drejt shtetësisë për ata që jetojnë pa status ligjor, por pritet ta ketë të vështirë kalimin në Kongres, pasi nuk pritet të ketë përkrahjen e republikanëve.

Projektligji pritet të prezantohet nesër, kur Biden të marrë drejtimin.

Nën legjislacionin, ata që jetojnë në SHBA nga 1 janari i vitit 2021, pa status ligjor do të kenë një rrugë pesëvjeçare drejt një statusi të përkohshëm ligjor, apo kratonit të gjelbër, nëse kalojnë gjitha kontrollet e nevojshme, paguajnë taksat dhe plotësojnë kushtet tjera bazë. Nga atje, janë edhe tri vjet drejt natyralizimit, nëse ata vendosin të ndjekin rrugën drejt marrjes së shtetësisë.

Pikërisht të hënënë, presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, i ka bërë thirrje SHBA-së të bëjë reforma të mëdha në politikat e imigracionit, pasi mijëra migrantë janë bllokuar nga policia në Guatemala.

Lopez Obrador ka thënë se shpreson që presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, të pajtohet të punojë me Meksikën dhe shtetet tjera në këtë çështje.

Rreth 7000 migrantë, kryesisht nga Hondurasi, janë futur në Guatemala. Ata shpersojnë të udhëtojnë për në Meksikë e nga atje të arrijnë në SHBA. / KultPlus.com

Amanda Gorman, poetja më e re në histori që do të lexojë poezi në inaugurimin e Biden

Poetja 22-vjeçare Amanda Gorman, është zgjedhur të lexojë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur Joe Biden, e cila ka histori të shkrimit në raste zyrtare. Leximi i saj të mërkurën e ardhshme, do ta vazhdojë traditën e presidentëve demokratë, për të cilët prezentë ishin poetë të njohur.

Poezia “On the pulse of morning” e shkruar në vitin 1993 në inaugurimin e presidentit Bill Clinton, shiti më shumë se 1 milion kopje kur u publikua në formën e librit.

Gorman do të jetë poetja më e re që ka marrë pjesë në inaugurime, ndërkaq ajo disa herë ka marrë edhe çmime si poetja më e mirë në Los Angeles, shkruan AP, transmeton KultPlus.

Gorman tha se ishte kontaktuar muajin e kaluar nga zyra e Bidenit. Ajo është takuar me figura publike të shumta, përfshirë Hillary Clinton dhe Michelle Obama, por asnjëherë me Bidenin. Poetja ka shtuar se zyrtarët nga zyra e tij i kishin thënë se zonja e parë në ardhje, Jill Biden, e ka rekomanduar atë.

Ajo e ka quajtur poemën e saj “The hill we climb”, ndërsa ka refuzuar të bëj publike ndonjë pjesë të saj.

Gorman tha se në poezi nuk do t’i referohet direkt ngjarjes që ndodhi në Capitol nga mbështetësit e Donald Trumpit, por se do të prekë nëpër të. / KultPlus.com

CNN: Biden zgjidhet president i ri i SHBA-së

Mediumi amerikan CNN ka shkruar se Joe Biden është zyrtarisht presidenti i 46të i ShBA’ve, transmeton KultPlus.

“Amerika ka zgjedhur demokratin Joe Biden si presidentin e 46’të, sipas projektimit të CNN”, thuhet tutje

Me 20 votat elektorale të Pensilvanisë, Biden tani ka një total prej 273 votash elektorale.

Para se të bëhej i nominuari për president i Demokratëve, Biden shërbeu si nënkryetar nën ish Presidentin Barack Obama. Ai është gjithashtu senatori më jetëgjatë i Delaware.

Gjatë gjithë fushatës së tij, Biden ka argumentuar se “shpirti i kombit” është në rrezik dhe ka premtuar se ai do të kërkojë të shërojë një vend të thyer nga presidenca e Trump./ KultPlus.com