Elon Musk: Inteligjenca Artificiale do të tejkalojë zgjuarsinë e njerëzve brenda vitit 2030

Inteligjenca artificiale mund të bëhet më e zgjuar se çdo njeri i vetëm deri në fund të vitit të ardhshëm, sipas miliarderit të teknologjisë Elon Musk. CEO i Tesla dhe SpaceX bëri parashikimin menjëherë pasi kompania e tij e Inteligjencës Artificiale, xAI, lançoi zyrtarisht modelin e saj të parë të gjenerimit të imazheve, Aurora, në fillim të këtij muaji.

Aurora, një version i përditësuar i modelit të parë të gjenerimit të imazheve që xAI prezantoi në tetor, i lejon përdoruesit të krijojnë pamje vizuale fotorealiste.

Krahasuar me modelet e tjera të AI, Aurora ka më pak kufizime dhe mund të gjenerojë me saktësi imazhe pothuajse në çdo kërkesë, duke përfshirë përshkrimet e personaliteteve të famshme dhe personazheve me të drejtë autori.

“Është gjithnjë e më shumë e mundshme që AI do të zëvendësojë inteligjencën e çdo njeriu të vetëm deri në fund të vitit 2025 dhe ndoshta të gjithë njerëzve deri në 2027/2028”, shkroi Musk të hënën, në një postim në platformën e tij të mediave sociale X.

Sipas tij, probabiliteti që AI do të tejkalojë inteligjencën e të gjithë njerëzve të kombinuar deri në vitin 2030 “është ~ 100%.

Në fillim të këtij viti, xAI i Musk lançoi Colossus, i përshkruar si sistemi më i fuqishëm i trajnimit të AI në botë, duke vendosur një pikë referimi në fushën e AI që po avancon me shpejtësi./KultPlus.com

Kujt i dedikohet dhe nga kush u frymëzuan vargjet e poezisë “Në mundsh”?

“Në mundsh…” poezia e britanikut Rudyard Kipling është padyshim poezia më e famshme që ka rrokur interesimin e lexuesve në mbarë rruzullin.

Ajo është ndoshta poezia më e përkthyer dhe interesimi i saj ka qenë që nga tekst i plotë dhe i pjesshëm i disa këngëve të famshme, i disa interpretimeve skenike, filmave, gjithashtu dhe i skalitur me shkronja të arat në fasadat e institucioneve shtetëtore, etj.

Kjo poezi është shkruar në vitit 1895 dhe publikuar më 1910. Në kuptimsinë fillimore ajo duket si një letërkëshillë atërore e autorit për të birin. Por vetë Kipling ka pohuar se frymëzimi i tij poetik për këtë krijim ishte revolucionari, Leander Starr Jameson, i cili udhëheqi lëvizjen “Raid Jameson” në periudhën dhjetor 1895 – Janar 1896, kundër Republikës Transvaal për të përmbysur Qeverinë e Boer Paul Kruger.

Fatkeqësisht kjo lëvizje dështoi dhe ai e desh ta paguante shtrenjtë. Kujtojmë se Leander Starr Jameson i përkiste sërë së lartë londineze dhe karriera, prestigji, nderi dhe integriteti i tij do të dëmtoheshin seriozish.

Kjo poezi është një emblem e artit të periudhës viktoriane dhe piket e rëndësishme e poezis botërore. Për kërshërinë e lexuesit shqiptar ka ardhur me shqipërimin e më të mëdhenjve, Fan Noli, Vedat Kokona dhe shumë të tjerë, por më e parapëlqyera është ajo e Robert Shvarc.

Në mundsh

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…

Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…

Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…

Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të renda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe BURRË do të jesh, o biri im!

– Rudyard Kipling /KultPlus.com

Rama ndan pamje nga shëtitorja “Taulantia” në Durrës

Qyteti bregdetar i Durrësit është kthyer në një destinacion gjithëvjetor turistik.

Në këto ditë të para janari, Durrësi po frekuentohet nga vizitorë të shumtë vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga shëtitorja “Taulantia” në Durrës, e mbushur plot me njerëz.

Shëtitorja “Taulantia” ka tashmë ambiente të gjelbëruara, lulishte që shtrihen në një hapësirë 21 000 m2, me 500 pemë dhe rreth 6500 shkurre dekorative.

Krijimi i hapësirave të gjelbra, sistemi i ri i ndriçimit, këndet sportive, si dhe hapësirat rekreative e kanë shndërruar shëtitoren në një zonë shumëfunksionale.

Shëtitorja në vijën bregdetare të Durrësit një nga zonat turistike më të frekuentuara gjatë verës nga pushues vendas e të huaj, ka korsi të posaçme për këmbësorët dhe biçikletat.

Durrësi është prej qyteteve destinacione turistike, që vitet e fundit ka njohur rritje të numrit të vizitorëve të huaj, ndërsa të shumta janë kroçerat që sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës./KultPlus.com

Kur Anton Çetta fliste për pajtimin e gjaqeve në New York Times

Më 7 prill të vitit 1990 në gazetën prestigjioze “New York Times” kishte zënë vend shkrimi i cili fliste për faljen e gjakut dhe punën që po bënte Anton Çetta.

Lajmi fillon më përshkrimin e familjes Dragacina dhe Betushi, ku dy anëtarët e familjes së tyre – Libibe Dragacina dhe Beslim Betushi i zgjatin dorën njëri tjetrit për t’ia falur gjakun e vrasjes.

Artikulli tregon se deri tani, që nga 1 shkurti janë pajtuar rreth 150 familje dhe se organizatorët janë të bindur se do të zgjidhen edhe 450 deri në 550 raste të mbetura, shkruan KultPlus.

“Në këtë situatë e cila ka qenë e vështirë për shqiptarët, ne dëshirojmë që të kemi të paktën një reduktim të kësaj të keqe”, është shprehur Anton Çetta, nismëtari i kësaj iniciative, për New York Times.

“Në kohë të vështira, është ligj natyror që njeriu dëshiron të ndjehet i sigurt”, ka theksuar Çetta.

Artikulli tutje tregon se për të marrë gjak duhet që të vritet një nga burrat e familjes, duke treguar se vrasësi është i pari që mendohet të vritet por nëse nuk mundet që të vritet ai atëherë vritet një anëtar tjetër i familjes, mashkull.

Në artikull është përfshirë edhe Ismail Haradinaj, familja e të cilit po ashtu po diskuton për të falur gjakun pasi që vëllai i tij ishte vrarë.

Anton Çetta për New York Times ka treguar se grupi i tij po përpiqen të ndryshojnë këtë traditë duke u thirrur në çështje patriotike në këtë kohë trazirash kur shumë shqiptarë po i bëjnë rezistencë asaj që ata thonë se është presioni në rritje i qeverisë qendrore në Beograd, ndaj tyre.

Shkrimi tutje diskuton edhe për problemet në mes të serbëve dhe shqiptarëve dhe pretendimet që kanë serbët për Kosovën duke e quajtur atë tokë të tyre.
“Kur gratë hoqën shamitë ishte e vështirë, por tani ato ulen mes nesh”, Anton Çetta u tha familjeve të një fshati.

“Tani është e vështirë për të falur gjakun, por më vonë do të jetë normale. Duhet të betohemi se nuk do të vrasim më njëri-tjetrin”. / KultPlus.com

MEKI hap për herë të parë thirrjen për grante në mbështetje të programit kulturor të organizatave

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ofron për herë të parë mundësinë e mbështetjes financiare për programin vjetor të organizatave kulturore, për vitin 2025, duke synuar forcimin dhe zhvillimin e veprimtarive që kontribuojnë në promovimin e kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit thirrja “Mbështetje për Programet Kulturore të Organizatave” ndahet në dy kategori kryesore.

Për kategorinë e parë mbështetje vjetore për Organizata Jofitimprurëse me Përvojë të Pasur në Fushën e Kulturës dhe për OJF me një eksperiencë të konsoliduar dhe një CV të pasur shumëvjeçare, me një strategji dhe vizion të qartë për zhvillimin e mëtejshëm me fondi: 3 500 000 – 4 000 000 lekë për programin kulturor të vitit 2025 dhe me afat  aplikimi deri më 7 shkurt 2025.

Për kategorinë e dytë: Mbështetje Vjetore për Organizatat për Aktivitetet Kulturore dhe Edukative në Komunitet për OJF që realizojnë aktivitete kulturore dhe edukative me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së komunitetit dhe me fokus në zhvillimin e aftësive krijuese për fëmijët, të rinjtë, të moshuarit dhe grupet vulnerabël.

Fondi është 2 000 000 – 2 500 000 lekë për programin kulturor të vitit 2025 dhe afati i aplikimit deri më 7 shkurt 2025.

Në fund të muajit dhjetor të 2024 MEKI ka hapur thirrjen e parë për grante për “Ngjarje Kulturore dhe Krijuese 2025: Festivale, Evente dhe Panaire që pasurojnë Kalendarin Kulturor”./atsh/KultPlus.con

Tjetër akuzë ndaj TikTok, Gjykata e Lartë e Venezuelës e gjobiti me 10 milionë dollarë për sfidat virale

Gjykata e Lartë e Venezuelës ka vendosur të gjobis TikTok me një gjobë të majme prej 10 milionë dollarësh, duke e akuzuar atë për dështimin në kontrollimin e përhapjes së sfidave virale që thuhet se kanë çuar në vdekjen e tre fëmijëve.

Magjistratja Tania D’Amelio tha të hënën se kompania ka tetë ditë kohë për të paguar gjobën në Komisionin Kombëtar të Komunikimeve dhe se paratë do të përdoren për të krijuar një fond të veçantë për të “kompensuar viktimat e sfidave virale.”

D’Amelio tha se tre të rinj kishin vdekur dhe shumë të tjerë ishin prekur nga këto sfida, por nuk dha detaje ose nuk iu referua një rasti të veçantë.

Ajo gjithashtu kërkoi që platforma e videos të krijonte një zyrë në vend për të përfaqësuar kompaninë. Gjykata nuk specifikoi se cilat do të ishin pasojat në rast se TikTok nuk do t’i përmbahej vendimit./KultPlus.com

E shkruar në qeli, poezi nga Nâzim Hikmet

Poezi nga Nâzım Hikmet

Mendoj për ty
dhe ndiej aromën e nënës
nëna ime, më e bukura në gjithësi.

Ti je rrotullame në këtë park lojrash brenda meje
rri pezull përreth, fustani dhe flokët e tu valëviten
çaste jetime që nisin sa gjej fytyrën tënde e deri kur e humbas.

Për ç’arsye
përse të kujtoj si plagë në zemër
për ç’arsye ta dëgjoj zërin kur ti je kaq larg
dhe nuk kam ç’t’i bëj flakës që ngrihet?

Përgjunjem dhe të shoh duart
dua të të prek duart
por s’mundem
ti je pas qelqi
E shtrenjta ime, jam spektator i shtangur i dramës
që vetë luaj në muzgun tim.

(shkruar në qeli, 1945)

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Presidentja Osmani viziton Kullën e Konferencës së Bujanit në shënimin e 81-vjetorit

Në 81-vjetorin e Konferencës së Bujanit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi kullën në të cilën u mbajt kjo ngjarje historike, përcjell KultPlus.

Nëpëmjet një postimi në Facebook, presidentja Osmani u shpre se 81 vite më parë delegatët e mbledhur në Malësinë e Gjakovës kërkuan me ngulm të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të presidentes Osmani:

Dje, gjatë një vizite në Kullën e Konferencës së Bujanit, aty ku pikërisht 81 vite më parë delegatët e mbledhur në Malësinë e Gjakovës kërkuan me ngulm të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje. Aty pranë ndodhet edhe Kulla e Mic Sokolit, dhe të dyja së bashku janë simbole të gjurmëve historike të qëndresës së pathyeshme të popullit shqiptar./KultPlus.com

“Më parë vdes në këmbë sesa të jetojë në gjunjë”: Thënie të famshme nga George Washington

George Washington ka qenë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – lider dhe strateg, i vetmi njeri i zgjedhur unanimisht nga Kolegji Elektoral duke shërbyer dy mandate si president.

Si president i parë, Washington e ka ditur se të gjitha metodat e tij, vendimet dhe lëvizjet do të krijojnë precedent për çdo gjë që do të pasonte, prandaj ai kishte qenë shumë i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm me zgjedhjet e tij.

Ai kishte krijuar autoritet duke qëndruar i sinqertë dhe duke mos abuzuar me fuqinë që kishte.

Washington madje kishte refuzuar të shërbente një mandat të tretë dhe kishte vendosur që vitet e fundit t’i jetonte si fermer i thjeshtë, duke vendosur prapë një shembull të mirë.

Ai kishte qenë një njeri me ndjenjë të thellë të detyrës, një hero ushtarak dhe një patriot.

Marrë parasysh atë dhe të bëmat e tij, më poshtë jua sjellim disa prej thënieve të tij që jua përmirësojnë integritetin personal.

– “Lumturia njerëzore dhe detyra morale janë të lidhura në mënyrë të pandashme”

– “Këmbëngulësia dhe shpirti kanë bërë mrekulli në të gjitha epokat”

– “Shoqërohuni me njerëz të kualiteti të mirë, nëse e vlerësoni reputacionin tuaj, pasi që më mirë është të jeni vetëm sesa me shoqëri të keqe”

– “Aq më i vështirë konflikti, aq më i madh është triumfi”

– “Meshkujt e vërtetë e urrejnë luftën, por asnjëherë nuk largohen nga ajo”

– “Më parë vdes në këmbë sesa të jetojë në gjunjë”

– “Më mirë është të mos arsyetoheni sesa ta jepni një arsyetim të keq”

– “Përgatitja për luftë është një prej formave më efikase për ta ruajtur paqen”. / KultPlus.com

‘S’rreshta kurrë së menduari për ty, do doja aq shumë të ta them’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.

“Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.

Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./ KultPlus.com

6 fakte interesante që sipërfaqin madhështinë e Kadaresë

Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

Kadare ka shënuar një numër rekord të përkthimeve me veprat e tij(në mbi 45 gjuhë të huaja). Më poshtë gjashtë fakte që s’i keni ditur për të:

1. Në moshën12 vjeçare Kadareja është arrestuar nga regjimi i sapo vendosur komunist me akuzën falsifikues monedhash

2. Eksiston një fondacion në Francë me emrin “Mapo”, që jep çmimin “Kadare” për letërsi

3. Ismajl Kadare ka tymosur mariuhanë në Amsterdam, bashkë me gruan e tij Helenën. Këtë e ka bërë të ditur vetë Helena Kadare në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme”

4. Më 30 maj 2016, presidenti francez François Hollande i ndau Kadaresë titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, titull që jepet vetëm për figurat e shquara botërore

5. Kadare ka jetuar në një pallat me shkrimtarin Dritëro Agolli në Tiranë, në Pallatin e Shkrimtarëve

6. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me cmimin Lerici Pea . Dhënia e cmimit Lerici Pea 2010 nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve i janë mohuar liritë themelore. /KultPlus.com

Çfarë e bën ecjen kaq të mrekullueshme për shëndetin tuaj?

Ekspertët e shëndetit thonë se ecja është një mënyrë e lehtë për të përmirësuar shëndetin fizik dhe mendor, për të forcuar gjendjen fizike dhe për të parandaluar sëmundjet. Doktoresha amerikane Sarah Eby thotë se njerëzit duhet të shtojnë edhe aktivitete të tjera në kuadër të ushtrimeve të tyre fizike, duke përfshirë ushtrime si ngritja e peshave, apo joga për një shëndet të mirë.

Ndërsa ecja nuk është ushtrimi i vetëm që njerëzit duhet të bëjnë, sipas mjekëve ajo është një hap i parë i madh drejt një jete më të shëndetshme.

“Nuk keni nevojë për asnjë pajisje dhe nuk keni nevojë për të paguar për një anëtarësim në palestër. Ecni dhe përfitimet janë të mëdha”, thotë Sarah Eby, eksperte e mjekësisë sportive nga organizata jo qeveritare ‘General Mass Brigham’.

Ecja mund të ndihmojë në përmbushjen e rekomandimit të dhënë nga autoritetet e shëndetit publik, që të rriturit të bëjnë të paktën 2 orë e gjysmë aktivitet fizik, me intensitet të moderuar, çdo javë.

Kjo ndihmon në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, tesionit të lartë të gjakut, demencës, depresionit dhe shumë llojeve të kancerit.

Ecja gjithashtu është një ushtrim i lehtë për trupin, ndërsa forcon zemrën dhe mushkëritë.

“Nga pikëpamja e përfitimeve shëndetësore, 150 minuta aktivitet aerobik çdo javë mund të sjellin një sërë përfitimesh shëndetësore, duke përfshirë uljen e rrezikut të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, rrezik më të ulët të sëmundjes së arterieve koronare, goditjes në tru, hipertensionit, diabetit, si dhe shumë lloje të kancereve. Ecja ndihmon për uljen e ankthit, depresionit dhe përmirëson gjumin. Mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjes nga Alchajmeri dhe demencat e tjera”, thotë doktoresha Eby.

Megjithatë, ajo shton se ecja nuk është tërësisht e mjaftueshme pasi nuk forcon muskujt.

“Përveç ecjes, ne rekomandojmë dy ditë ushtrime për forcimin e muskujve. Kjo mund të jetë ngritje e peshave apo diçka e ngjashme”, thotë doktoresha Eby.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shëndetin e kockave të grave në moshë.

Ekspertët rekomandojnë shtimin e aktiviteteve të tilla të paktën dy herë në javë duke shkuar në palestër, si dhe bërja e ushtrimeve që përmirësojnë fleksibilitetin si joga.

Një çështje që përmendet shpesh është nëse është e mjaftueshme bërja e 10 mijë hapave në ditë?

Pothuajse të gjithë kanë dëgjuar për këtë synim, i cili filloi në kuadër të një fushate marketingu të viteve 1960, në Japoni. Ekspertët, megjithatë, theksojnë se ky është vetëm një udhëzim.

“Ne të gjithë kemi dëgjuar për bërjen e 10,000 hapave në ditë. Kjo u nxit nga një fushatë reklamuese në vitet 1960 që mbijetoi në mendjen e njerëzve pavarësisht se nuk është vërtet e bazuar në ndonjë zbulim shkencor”, shpjegon doktoresha Eby.

Vendosja e një objektivi kohor mund të jetë gjithashtu e dobishme. Doktoresha Eby sugjeron 150 minuta në javë, të ndara në 30 minuta ecje në ditë.

“Në këtë mënyrë, kjo është një shëtitje e shpejtë 30 minutëshe, pesë ditë në javë dhe me këtë keni treguar kujdes ndaj vetës”.

Gjatë motit të keq, njerëzit mund të ecin në ambiente të mbyllura si qendrat tregtare apo duke përdorur pajisjet për ecje dhe vrapim në palestër.

Me kalimin e kohes dhe përgatitjen fizike, mund të shpejtohet ritmi i të ecurit, ose duke ecur në rrugë të përpjeta.

Ecja me miqtë, ose me kafshët shtëpiake, si qentë, është një mënyrë tjetër motivimi për të ecur.

Një tjetër mundësi është t’i bashkohesh një klubi. Grupe të tilla gjenden gjithandej Shteteve të Bashkuara që synojnë të ndihmojnë njerëzit të arrijnë qëllimet e tyre të ecjes./VOA/ KultPlus.com

Popstarët e lodhur: Kur fama kërkon pauzë

Nga ikonat si Adele dhe Rihanna deri te artistët e rinj si Angelina Mango, gjithnjë e më shumë yje të muzikës po i thonë “stop” koncerteve dhe albumeve. Arsyeja? Një lodhje psiko-fizike që po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në botën e spektaklit.

Adele: “E kam serbatorin të zbrazur”

Adele, një nga këngëtaret më të dashura të botës (me mbi 170 milionë disqe të shitura), e ka pranuar hapur: “Nuk këndoj më as në shtëpi kur jam vetëm, dhe kjo është shumë e çuditshme.” Kjo deklaratë shënon pranimin e një burnout-i – një stresi të pakontrollueshëm. Pas disa viteve koncertesh në Las Vegas, ajo ka vendosur të marrë një pauzë të pakufizuar nga muzika.

Ky është çmimi i famës. As stadiumet e mbushura e as disqet e platinit nuk mund të shërojnë ndikimin që fama ka mbi shëndetin mendor. Historia tragjike e Elvis Presley, mbretit të rock and roll-it, e tregon më së miri. Ai luftoi me fobi dhe varësi nga ilaçet deri në fundin e jetës, duke u shuar në moshën 42-vjeçare.

Rihanna: Të zgjedhësh familjen mbi famën

Ndryshe nga Elvis, Rihanna ka zgjedhur të fokusohet tek roli i saj si nënë, duke e lënë muzikën në pritje. Ajo është një shembull se si një yll mund të ndalojë pa pasoja, duke vënë prioritetet personale mbi kërkesat e industrisë.

Thom Yorke dhe Peter Gabriel: Pauza pa presion

Lideri i grupit Radiohead, Thom Yorke, ka preferuar të ndjekë projekte alternative si The Smile, duke i lënë Radiohead-in në pauzë që nga viti 2016. Për të, pritshmëritë e të tjerëve nuk kanë rëndësi: “Nuk më intereson çfarë mendojnë të tjerët. Bëj atë që dua.” Po ashtu, Peter Gabriel, pas 21 vitesh heshtje, u rikthye me një album dhe një tur energjik, duke treguar se pushimi mund të jetë çelësi për të rifituar gëzimin krijues.

Edhe të rinjtë ndalen

Fenomeni nuk është i kufizuar te artistët me përvojë. Sangiovanni, vetëm 21 vjeç, pas Sanremos, deklaroi se nuk kishte më energjinë për të vazhduar: “Besoj te muzika ime, por nuk kam forcat për ta çuar përpara.” Angelina Mango, pas disa anulimeve për shkak të problemeve me zërin, u shpreh: “Dua të kujdesem për veten duke vënë shëndetin tim në plan të parë.”

Presioni i shekullit të ri

Në epokën e rrjeteve sociale, të qenit popstar ka sfida të reja. Britney Spears u bë simbol i presionit nervor kur në 2007 u qeth zero dhe sulmoi makinën e një paparaci. Sot, artistët ndihen të detyruar të shndërrojnë çdo moment të jetës së tyre në përmbajtje për rrjetet sociale, duke u përballur me pritshmëri të vazhdueshme nga fansat.

Kjo trysni ka çuar yje si Ariana Grande, Selena Gomez dhe Justin Bieber të shpallin publikisht nevojën për pauza. Deklaratat e tyre shpesh përforcojnë lidhjen me fansat, duke e bërë pranimin e dobësisë një akt që i humanizon dhe i bën më të dashur.

Një nostalgji për thjeshtësinë

Në kontrast, kujtojmë David Bowie-n, i cili në vitin 1973 u zhduk nga sytë e botës për një udhëtim sekret me Trans-Siberian Express. Pa Instagram, pa njoftime, ai shijoi një realitet të ndryshëm, duke u bërë një njeri mes njerëzve të zakonshëm.

Pauzat nuk janë shenjë dobësie, por një strategji për të mbijetuar në një industri që kërkon gjithçka. / bota.al/ KultPlus.com

‘I huaj jam, dashuni nuk kam, për mue nuk lind dielli ma’ (VIDEO)

Muharrem Qena është një nga artistët e njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe, shkruan KultPlus.

Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.

Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.

Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.

Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera..

Sot, KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e këngës ‘Mallëngjimi’:

O vendi im!
Të thërras unë me mall,

Këtu jetë më nep vetëm kjo kangë,
se anë e kand, kudo që kërkoj
pa si ty të dashtun nuk gjej


Ku janë ato fusha, ku ato kaçuba
Vajza të bukura, si n’vendin tim kund nuk ka (2x)

I huaj jam!
Dashuni nuk kam
Për mue nuk lind dielli më

O vendi im!
Përbuzje ku s’ka, si të lashë e dola në mërgim

O Sharr o baba im, Gërmi pushimi im, Adriatiku im,
Tash vetëm po ju kujtoj (2x)
./KultPlus.com

Koncerti i Vitit të Ri 2025 në Vjenë shënon 200-vjetorin e lindjes së “Mbretit të Valsit”

Koncerti vjetor i Vitit të Ri 2025 në Vjenë – një nga ngjarjet më të mëdha të muzikës klasike të vitit – u zhvillua sot, më 1 janar 2025, nën drejtimin e maestros, Riccardo Muti në “Sallën e Artë – Musikverein”, në Vjenë.

Koncerti i Vitit të Ri 2025 – i mbajtur çdo vit që nga viti 1941 – u transmetua në mbi 90 vende dhe u ndoq nga miliona shikues televiziv në mbarë botën.

Edicioni i 67-të i koncertit u drejtua nga Riccardo Muti. Koncerti i këtij viti shënoi 200-vjetorin e lindjes së kompozitorit austriak, “Mbretit të Valsit”, Johann Strauss Jr.

Ndër veprat e interpretuara ishin, “Fidele Brüder” e Joseph Hellmesberger Jr. nga opereta e tij “Das Veilchenmädel” dhe “Ferdinandus Waltz” nga Constanze Geiger.

Muti, 83 vjeç, drejtoi “Demolirer-Polka” op. 269 ​​- një polka e shkruar nga Johann Strauss II në 1862 dhe “Valsi i Lagunës”.

“I uroj gjithë botës tre gjëra: paqe, vëllazëri dhe dashuri në të gjithë botën”, tha Muti përpara se të drejtonte “Blue Danube” e kompozuar nga Johann Strauss II në 1866.

Kjo ishte hera e shtatë – dhe e fundit që Muti drejton Koncertin e Vitit të Ri.

Më 1 janar 2026, drejtori muzikor i Operas Metropolitane të Nju Jorkut, 49-vjeçari Yannick Nézet-Séguin, do të marrë drejtimin e podiumit të koncertit.

Riccardo Muti ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në historinë e Filarmonisë së Vjenës për më shumë se 50 vjet.

Bashkëpunimi artistik me Maestro Muti filloi në vitin 1971.

Që atëherë, ai ka drejtuar mbi 500 koncerte, duke përfshirë gjashtë koncerte të Vitit të Ri, koncerte të Filarmonisë, koncerte përkujtimore, koncerte vjetore orkestrale në Festivalin e Salzburgut, shfaqje me të ftuar dhe turne, dhe prodhime të shumta operistike.

Ai është anëtar nderi i Filarmonisë së Vjenës që nga viti 2011.

“Marshi Radetzky”, Op 228 – një marsh i kompozuar nga Johann Strauss – u shfaq për herë të parë në koncertin e Vitit të Ri të Filarmonisë së Vjenës, më 1 janar 1946./ KultPlus.com

1.3 milionë vizitorë në sitet e trashëgimisë kulturore dhe 2300 evente kulturore në 2024-ën

Viti 2024 shënoi një rekord vizitorësh në sitet e trashëgimisë kulturore duke arritur në 1,3 milionë vizitorë, ose 30% më shumë se në vitin 2023.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një historik të ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të vitit 2024, ku u regjistruan mbi 2300 evente kulturore, ose mbi 25% më shumë se në vitin 2023.

Një format i rëndësishëm janë në këtë drejtim edhe Javët Kulturore Ndërkombëtare, ku gjatë vitit 2024 kishte 21 shtete pjesëmarrëse. Në kuadër të tyre u organizuan 250 aktivitete me pjesëmarrjen e 360 artistëve.

Shqipëria u përfaqësua po ashtu në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia me “Love as a glass of Water”, ku pavijoni shqiptar u përfaqësua nga artistja Iva Lulashi.

Po ashtu gjatë vitit që lamë pas u finalizuan një sërë investimesh të rëndësishme.

Falë mbështetjes së EU4Culture u rihapën Teatri i restauruar i Kukullave, Muzeu Etnografik i Krujës dhe Muzeu Etnografik i Kavajës.

Po ashtu vijuan punimet për infrastrukturën kulturore në Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura dhe Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.

Në kuadër të rijetësimit të trashëgimisë kulturore u realizua po ashtu projekti Art në Hapësirat Publike, në kuadër të të cilit u realizuan disa vepra si: “Terminal for Tirana”, kuruar nga Tirana Art Lab, artiste Karolina Halatek; “Çelësi Shqiptar”, realizuar nga Alfred Mirash Milot; “Foleza”, realizuar nga Vasil Dhiamandi dhe Krisiko Studio.

Një sërë aktivitetesh u organizuan po ashtu edhe për festimin e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

Viti 2024 u përmbyll me një tjetër lajm të mirë, regjistrimin e K’cimit të Tropojës në UNESCO, si pjesë e listës përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit./ KultPlus.com

Nxënësi Elton Syla synon rrugëtimin drejt përsosmërisë në violinë

Elton Syla, i lindur në mars të vitit 2010, është një violinist i ri dhe premtues nga Kosova, i njohur për talentin dhe përkushtimin e tij ndaj muzikës klasike. Që nga mosha e hershme, ai ka treguar një pasion të lindur për muzikën dhe një aftësi të rrallë për të kuptuar dhe interpretuar muzikën.

Rritur në një familje ku vlerësohet arti dhe muzika, Eltoni u njoh me botën muzikore që në fëmijëri. Në moshën trevjeçare, ai tregoi një interesim të veçantë për kontrabasin, frymëzuar nga daja i tij, kontrabasisti i njohur kosovar Fraim Gashi. Megjithatë, rrugëtimi i tij në muzikë filloi me violinën, kur në moshën shtatëvjeçare u regjistrua në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, për shkak të mungesës së degës së kontrabasit.

Nën drejtimin e mësuesve të tij, Festim Fanaj dhe Ferdi Fanaj, Eltoni filloi të zhvillonte aftësi të shkëlqyera teknike dhe interpretative. Që në fillimet e tij, ai shfaqi talent të jashtëzakonshëm, duke shkëlqyer në koncertet e shumta të organizuara brenda dhe jashtë shkollës.

Në janar të vitit 2023, Eltoni iu bashkua Orkestrës së Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus”, ku menjëherë u emërua koncert mjeshtër, një rol që vazhdon ta mbajë me sukses edhe sot. Në gala koncertin e kësaj orkestre, në dhjetor 2024, Eltoni ishte solist në interpretimin e veprës së njohur “Schindler’s List”, ku performoi me mjeshtëri së bashku me Princ Fanajn dhe nën përcjelljen e orkestrës. Kjo performancë, e ngarkuar me kërkesa interpretative dhe emocionale, u mirëprit me duartrokitje të zjarrta nga publiku.

Eltoni është gjithashtu një pjesë aktive e orkestrës së shkollës “Prenk Jakova”, ku edhe ndjek klasën e VIII-të për violinë. Ai luan një rol kyç tek violinat e para dhe së shpejti do të jetë solist në koncertet e kësaj orkestre.

Në korrik të vitit 2024, Eltoni arriti një sukses të rëndësishëm të rrugëtimit të tij muzikor, duke fituar vendin e parë në Garat e Talentëve në Gjirokastër, një arritje që dëshmon nivelin e lartë të aftësive të tij muzikore dhe interpretative.

Eltoni vazhdon edukimin e tij muzikor nën udhëheqjen e profesor Ferdi Fanajt dhe zhvillon rregullisht aftësitë e tij duke qenë edhe pjesë e koncerteve kamertale brenda dhe jashtë shkollës Prenk Jakova.

Elton Syla synon të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt përsosmërisë në violinë, duke u bërë një violinist profesionist që ndriçon skenat kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai dëshiron të frymëzojë të rinjtë për të ndjekur ëndrrat e tyre dhe të shërbejë si një shembull për të rinjët

Eltoni është nxënës i shkëlqyeshëm i klasës së IX-të të shkollës fillore Mehmet Gjevori në Prishtinë, shkollë e cila e përkrah jashtëzakonisht shumë në rrugëtimin e tij si violinist.

Me një talent të lindur dhe përkushtim të palëkundur, Elton Syla është një emër që premton shumë në botën e muzikës klasike./ KultPlus.com

Fustani i kuq

Poezi nga Ardiana Thaçi

S’ka randësi kurgja,
As buz’t e kuqe, as fustani qi
djeg sytë,
As hija e dritës qi m’ka
përshku ftyrën,
As zani i tjerëve, as hijet e tyne.
Ka veç një vend,
Ku shkëlqimi m’ka pre,
Ku sy t’heshun e t’thellë
Kanë pa sherr.
Janë kanë aty tanë kohën, pa e ditë
as vetë.
Qorrazi, i kam pa, po s’i kam shkelë.
Nata m’kujton, pa randësinë e
buzës së kuqe.
E njerëz qi shohin përtej nesh,
E na vonë e kuptojmë
Nurin qi na humbet./ KultPlus.com

Milano ndalon pirjen e duhanit në ambientet publike, gjobë deri në 240 euro

Milano ka marrë një vendim të rëndësishëm në hyrje të vitit të ri 2025. Milano ka ndaluar në ambiente të jashtme dhe publike, pirjen e duhanit.

Ndalimi në mbarë qytetin hyn në fuqi duke filluar nga 1 janari në ndalimin më të rreptë deri më tani për pirjen e duhanit në kryeqytetin italian të modës.

Duhanpirësit në kryeqytetin financiar dhe të modës të Italisë, Milano, rrezikojnë të gjobiten për ndezjen e cigareve në rrugët e qytetit ose në zonat publike, pasi ndalimi më i rreptë i vendit hyri në nga 1 janari 2025.

Ata që kundërshtojnë ndalimin e ri mund të paguajnë një gjobë prej 40 deri në 240 euro.

Rregullorja e Milanos për cilësinë e ajrit, e cila u miratua nga asambleja e qytetit në vitin 2020, kërkon një ndalim gjithnjë e më të rreptë të duhanit.

Nga viti 2021 ndalohet pirja e duhanit në parqe dhe kënde lojërash, si dhe në stacionet e autobusëve dhe në ambiente sportive.

Ndalimi i fundit i pirjes së duhanit, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar, vlen për “të gjitha hapësirat publike, duke përfshirë rrugët”, me përjashtim të “vendeve të izoluara ku është e mundur të mbahet një distancë prej të paktën 10 metrash nga njerëzit e tjerë”, thuhet në rregulloren e re.

Zyrtarët lokalë thonë se masa ka për qëllim reduktimin e grimcave në ajër për të “përmirësuar cilësinë e ajrit të qytetit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, duke përfshirë mbrojtjen nga pirja pasive e duhanit në vendet publike, të cilat vizitohen edhe nga fëmijët”./ KultPlus.com

Pamjet e Tiranës gjatë ndërrimit të viteve bëhen virale në mediat ndërkombëtare

Atmosfera festive dhe spektakli i fishekzjarrëve në qiellin e Tiranës gjatë natës së ndërrimit të viteve kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke shndërruar kryeqytetin shqiptar në një pikë referimi globale për festimet e fundvitit.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka përzgjedhur një fotografi të shkrepur gjatë kësaj nate si një nga imazhet më përfaqësuese, duke ilustruar bukurinë dhe emocionet që përfshinë qytetin. Kjo përzgjedhje e vendos Tiranën në fokusin e botës, duke promovuar një imazh pozitiv dhe dinamik të kryeqytetit shqiptar.

Ndërkohë, gazeta prestigjioze Bild e ka përdorur po të njëjtën fotografi për të ilustruar mënyrën unike se si qytete të ndryshme të botës mirëpritën Vitin e Ri. Postimi i tyre në Instagram ka gjeneruar mbi 80,000 pëlqime, një sukses që reflekton interesin dhe vlerësimin e audiencës globale për momentet e festës në Tiranë./ KultPlus.com

Reuters: Ndalimi i TikTok në Shqipëri ndez debate mbi lirinë e fjalës

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” i ka kushtuar një reportazh vendimit të paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për mbylljen e TikTok në Shqipëri, si masë kundër nxitjes së dhunës mes të rinjve, pas vrasjes tragjike të nxënësit 14-vjeçar pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Vendimi që pritet të miratohet e hyjë në fuqi në vijim mbështetet kryesisht nga prindërit, që e shohin këtë aplikacion si nxitës të konflikteve mes të rinjve kryesisht. Por përfaqësues të opozitës, grupe të drejtash dhe pronarë biznesesh thonë se kërcënon tregtinë dhe lirinë e shprehjes përpara zgjedhjeve të majit.

Çdo mbrëmje, Ergys Katiaj ngarkon një video në TikTok duke u kujtuar klientëve se dyqani i tij në Tiranë shpërndan patate të skuqura, cigare dhe alkool gjatë natës. Telefoni i tij gumëzhin nga porositë që i shtojnë rreth 1000 euro fitimit të tij mujor.

Por Katiajt së shpejti do t’i duhet të gjejë një mënyrë të re për të tërhequr biznesin. Qeveria e Shqipërisë ka vendosur një ndalim 1-vjeçar të aplikacionit të mediave sociale pasi thotë se ka për qëllim reduktimin e dhunës tek të rinjtë, por që grupet e të drejtave dhe pronarët e bizneseve shprehen se kjo kërcënon tregun dhe lirinë e fjalës përpara zgjedhjeve të majit.

“Do të ketë një ndikim të madh në biznesin tim, sepse shumica e shitjeve janë përmes dërgesës falë marketingut falas të TikTok,” tha Katiaj teksa bënte dërgesat nëpër periferi të kryeqytetit.

Kryeministri Edi Rama shpalli ndalimin më 21 dhjetor pasi një djalë 14-vjeçar u godit me thikë në nëntor nga një nxënës tjetër, një krim për të cilin mediat vendase raportojnë se ndodhi pasi djemtë u përplasën në internet. TikTok pritet të mbyllet në javët e ardhshme.

Masa vjen pas bllokimeve ose ndalimeve të pjesshme në të paktën 20 vende për shkak të shqetësimeve për video të papërshtatshme ose shqetësime sigurie të lidhura me kompaninë ByteDance me bazë në Kinë, dhe afërsinë e saj me qeverinë kineze.

Në Shqipëri, Rama tha se vendimi erdhi pas diskutimeve me prindërit dhe mësuesit, por kundërshtarët e tij shqetësohen se kjo është pjesë e goditjes së kryeministrit ndaj disidencës politike pas një viti trazirash popullore.

“Kjo krijon një precedent të rrezikshëm që në çdo moment qeveritë mund të mbyllin platforma të ndryshme,” tha Orkidea Xhaferaj, nga SCiDEV me qendër në Tiranë.

TikTok tha se po kërkonte “sqarime urgjente” nga qeveria shqiptare sepse “raportet e shumta kanë konfirmuar se videot që çuan në atë incident po postoheshin në një platformë tjetër, jo në TikTok”.

Shqipëria pati protesta të rregullta të dhunshme vitin e kaluar kundër burgosjes së kundërshtarëve politikë. Demonstruesit hodhën bomba me benzinë ​​ndaj ndërtesave qeveritare teksa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Drejtuesit e dy partive më të mëdha opozitare, Sali Berisha i Partisë Demokratike dhe Ilir Meta i Partisë së Lirisë, akuzohen për akte korrupsioni. Ata mohojnë akuzat, të cilat thonë se janë të motivuara politikisht.

Arlind Qori, kreu i partisë politike “Bashkë” të formuar në vitin 2022, tha se ndalimi i TikTok shkurton një mjet të fuqishëm komunikimi të opozitës.

“Ai dëshiron të na mbyllë gojën,” thotë Qori nga zyra e tij ku mbështetësit e partisë u strehuan nga i ftohti dhe diskutuan planet e tyre të fushatës.

Rama këmbëngul se masa ka për qëllim mbrojtjen e të rinjve. Në një rrugicë në qendër të Tiranës, një foto e nxënësit të vrarë është varur në një shtyllë elektrike të rrethuar me lule të thara dhe mesazhe nga miqtë.

Ai u godit me thikë atje dhe shkoi drejt shkollës së tij i gjakosur para se të vinte një ambulancë.

“Brenda TikTok-ut të Kinës nuk sheh huliganizëm, perversitet, dhunë, bullizëm, krim”, tha Rama kur shpalli vendimin e tij muajin e kaluar. “Ndërsa në TikTok-un jashtë Kinës vetëm llum dhe të poshtër. Pse na duhet kjo?” /lapsi.al/ KultPlus.com

Janar

Poezi nga Alex Dimitrov

Dhe ja, një ditë prej ditësh gjendesh në trafik
te fundi i dhomës sate të akullt.
Skajet e jetës po të zhvishen
ndërsa aktorët që luajnë veten tënde
bëjnë prova fragmentesh që s’mund
të të shfaqin si të dashuruar. Përfytyro
autostradën mosmirënjohëse
me sinjalet e saj dhe daljet për kthim pas
të cilat hapen drejt asaj çfarë mund të kish
qenë jotja dhe nuk është. Ti prite.
Ti prite. U shndërrove në pijen
e gatitur me merak, si çdo herë pas orës 6.
Nëse lëvizja merr trajtë,
është ura ajo që e bart. Trupi
rend dhe asgjë s’është si era.
Përfytyro me këtë rast, ndaj një mëngjesi
kur edhe vendimarrja ngjan
e pashpresë—përfytyro sikur
hap derën e veturës dhe largohesh.

Përktheu: Edon Qesari/ KultPlus.com

Foto: Sune Jonsson, 1965

133 vite nga lindja e shkrimtarit të parë të fantazisë, J.R.R. Tolkien

A e dini se J.R.R. Tolkien nuk i konsideronte “Kryezoti i unazave” dhe “Hobit” si veprat e tij të shkëlqyera, pasi për të ato ishin thjesht histori argëtuese?

Ishte pa dyshim shkrimtari i parë i fantazisë, që shkroi histori siç i shohim edhe në ditët e sotme. J.R.R Tolkien ishte nga të paktët autorë, që transformoi botën duke pasur një ndikim të madh tek shkrimtarët e letërsisë imagjinare, duke bashkëlidhur krijimtarinë e vet me botën reale dhe duke u dhënë shpresë njerëzve në kohë lufte.

John Ronald Reuel Tolkien lindi në 3 janar 1892 në Bloemfontein, Afrika e Jugut. Emri Tolkien besohet të jetë me origjinë gjermane, që nënkuptonte marrëzisht i guximshëm, ose tmerrësisht i zgjuar. Kur ishte 4 vjeç, i vdiq i ati nga ethet reumatike dhe ai shkoi të jetojë me nënën në Birmingham të Anglisë, së bashku me vëllanë e vogël, Hilari. Nuk kaloi shumë dhe, në vitin 1904, nëna e tij u diagnostikua me diabet dhe vdiq në nëntor të po atij viti. Djemtë u dërguan në shkolla me konvikt dhe Atë Morgen, një prift katolik, i mori nën kujdestari.

Kur John Ronald ishte 16-vjeç, ra në dashuri me Edith Bratt, një tjetër jetime, por Atë Morgen nuk e aprovoi, kështu që iu desh të priste deri në moshën 21-vjeç për t’i propozuar. Ndërkohë, ai ndoqi shkollën e “King Edward” në Birmingham dhe Kolegjin Exeter, Oxford në vitet 1915-1919. Gjatë qëndrimit në kolegj, u martua me Edith Bratt më 22 mars 1916.

Kur ishte 28 vjeç, u shkëput përkohësish nga mësimdhënia dhe mori pjesë në Betejën e Sommes, një nga pesë betejat më të mëdha dhe më të përgjakshme në historinë e njerëzimit, si dhe në konflikte të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në Betejën e Sommes luftuan mbi 3 milionë ushtarë, si rrjedhojë më shumë se 1 milionë u plagosën ose u vranë. Pas luftës iu rikthye mësimdhënies, duke e kaluar pjesën më të madhe të jetës duke dhënë anglisht dhe letërsi angleze, në Universitetet e Leeds, i specializuar në anglishten e vjetër dhe të mesme. Për t’u argëtuar, ai shkroi libra të zymtë dhe të pikëlluar, të cilët përfundimisht u bënë “Silmarillion”. “Hobit” mendohej të ishte një libër zbavitës për fëmijët e tij, ndaj kur e botoi, botuesi i kërkoi një vazhdim.

Të paktë janë ata shkrimtarë të aftë, që mund ta lidhin krijimtarinë e tyre me jetën reale. “Hobit” u bë i njohur në mbarë botën dhe u përkthye në më shumë se 50 gjuhë të ndryshme, duke u shitur më shumë se 100 milionë kopje në të gjithë botën dhe është libri i gjashtë më i shitur në historinë njerëzore, ndërsa “Kryezoti i unazave” zë vendin e 3-të.

Tolkien e kishte shkruar “Hobit” si histori zbavitëse për fëmijë për një aventurier të vogël që shkoi dhe vodhi arin e një dragoi, duke hasur në rreziqe të shumta gjatë rrugës. Ishte menduar që t’i bënte fëmijët për të qeshur dhe ngazëllyer. Për herë të parë libri u botua gjatë mesit të Luftës së Dytë Botërore dhe pati një domethënie të veçantë për familjet që kishin anëtarë të dashur të familjes në luftë. Në njëfarë mënyre u dha shpresë, se të gjithë do të ishin mirë dhe të dashurit e tyre do të ktheheshin të sigurt dhe të shëndoshë.

Po ashtu “Hobit” frymëzoi edhe luftëtarët, pasi ata panë se si personazhet kishin kapërcyer pengesat sfiduese, i zemëroi teksa panë se si Bilbo dhe xhuxhët luftuan dragoin dhe bëri që ta mirëpritsnin veprën. Një tjetër arsye që bëri që ata të lidheshin aq mirë me librin, ishte fakti që luftëtarët po përballeshin me vështirësi njëlloj si personazhet, prej nga u frymëzuan nga shpresa që karakterizonte personazhet për ta transferuar atë në jetën reale.

“Hobit” dhe “Kryzoti i unazave” jo vetëm që frymëzuan luftëtarët, por edhe lexuesit anembanë. Këto libra janë padyshim mirëfilli fantazi, gjithsesi kjo nuk ua zbeh aspak efektin që përhapin tek lexuesi. Personazhet e librit lidhen me botën reale në kaq shumë mënyra: ata duhet të vazhdojnë dhe luftojnë përmes sfidave, dhe ata kanë sukses në shumë prej këtyre sfidave. Por më e rëndësishme është që personazhet e ndryshojnë tërësisht linjën e tregimit në një mënyrë që librat e tjerë nuk e bënë. Personazhet mësojnë mësime dhe ndërsa vazhdoni të lexoni, personazhet mësojnë më shumë rreth historisë së Tokës së Mesme.

Ky koncept mahniti lexuesit, sepse nuk ishte përdorur kurrë. Disa nga këta lexues vazhduan të krijojnë muzikë, lojëra dhe libra të tjerë bazuar në këto histori. “Kryezoti i unazave” ishte një gur i fortë për lojëra si “Dungeon” dhe “Dragon”, i cili përfshinte shumë nga lojërta fantastike që u shfaqën në Tokën e Mesme. Muzikanti i parë që solli në jetë këngë nga librat ishte Donald Swann, i cili mori gjashtë poezi për t’i shndërruar në tekste këngësh, me lejen dhe miratimin e J.R.R Tolkien etj.

Librat e J.R.R Tolkien ishin disa nga historitë më me ndikim të shkruara ndonjëherë për shkrimtarët letërsisë triller në të gjithë botën. Personazhet e librave në vend që të mbeteshin në vendnumëro, u rritën dhe ndryshuan me kalimin e kohës, të njëjtën gjë bëri edhe bota e tyre. Autori i dha një histori “Kryezotit të unazave” dhe “Hobit” me betejat e ndërmarra, dimrat e vështirë apo një vit veçanërisht prodhimtar në krijimin e birrës. Kjo tregimtari e bëri historinë që po ndodhte të dukej shumë më e vërtetë.

Bota në librat “Hobit” dhe “Kryezoti i unazave” është një botë plotësisht e sajuar, me gjuhën e vet karakteristke. Autoei shpiku dialekte të shumta që për këto libra, njëherazi edhe për argëtim, veçanti që e tërheq lexuesin dhe u krijon mundësinë ta gjejnë më lehtë lidhjen midis tyre dhe librit. Tolkien nuk i populloi librat e tij me aventura çudibërëse dhe të çuditshme si shumë shkrimtarë të letërsisë fantastike në atë periudhë, ai u dha personazheve një qëllim dhe qëllim të vërtetë.

Në ditët e sotme, shkrimtarë nga e gjithë bota marrin parasysh gjithçka që i bëri të veçantë tregimet e J.R.R. Tolkien, qoftë ajo gjuhësore, historia apo komplotet e personazheve, për t’i përfshirë ato në shkrimet e tyre.

J.R.R. Tolkien ishte një pionier i botës së fantazisë dhe frymëzoi njerëz në të gjithë botën që të ndjekin dhe të arrijnë ëndrrat e tyre. J.R.R Tolkien është krijues i modelit të ndryshimeve, sepse formësoi librat që lexojmë sot me kaq endje.

Që nga vdekja e tij më 2 shtator 1973 në moshën 81-vjeç, ndikimi i John Ronald Reuel Tolkien, i njohur si J.R.R. Tolkien vijon të rritet. Filolog, profesor dhe shkrimtar, Tolkien ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës së tij “legendarium”-it, fjalës që ai i referohej krijimtarisë vendosur në Tokën e Mesme dhe zonave përreth. Tolkien kaloi më shumë se 50-vjet duke shkruar poemat dhe trillimet e legendariumit të tij; rezultati është një krijimtaria e gjerë dhe jashtëzakonisht mbresëlënëse. / KultPlus.com

Marigona Qerkezi, sopranoja e skenave prestigjioze: Mos hiqni dorë nga ëndërrat tuaja

Vjollca Duraku

Depërtimi i thellë në detajet e roleve debutuese si dhe integrimi e mishërimi emocional në karakteret komplekse që shpesh karakterizohen me konflikte të brendshme dhe të jashtme e kanë shëndrruar Marigona Qerkezin në një prej sopranove më të shquara shqiptare, karriera e së cilës po zhvillohet mbi skenat e teatrove më prestigjioze ndërkombëtare. Sa herë që përmendet emri i saj një ndjesi e veçantë krenarie përshkon trupin që përmban të njëjtin dell, gjak e zemër. Si një yll i rrallë i botës operistike, në esencë përbën një pasuri kombëtare me vlerë të paçmuar, që dinjitetshëm prezanton vendin e saj edhe para botës.

Padyshim çdo sukses i sopranos shënon sukses edhe të kombit të saj, emrin e të cilit kujdeset që ta prezantojë edhe para vendeve që refuzojnë ta njohin Kosovën si vend dhe shtetësi. Mbi të gjitha ajo shihet edhe si një frymëzim për të gjithë të rinjt që synojnë të ndjekin ëndërrën e tyre, drejt majave evropiane dhe botërore.

Arti dhe zëri i saj i fuqishëm janë aspekte të identitetit të saj që e kanë bërë atë të admirueshme te publiku, përderisa eleganca, finesa dhe përgjegjësia skenike janë aksesorët më të mirë që i m’vishen në çdo paraqitje. Pamja e saj prej një dive bjonde me sy të kaltër magjepsës që pasqyrojnë qetësi e thellësi, dhe prezenca e fuqishme skenike, e kompleton gjithë përgatitjen e saj profesionale dhe artistike të ndërtuar me përkushtim që nga mosha gjashtë vjeçare. Ky lloj arti shumëdimensional ka bërë që asaj t’i besohen role kryesore dhe me peshtë nga repertori botëror.

Ajo ka lindur në Zagreb të Kroacisë, ku edhe është regjistruar në shkollën e muzikës për të vijuar mësimet për instrumentin e flaut-it. Si soliste për herë të parë është prezantuar në moshën 6-vjeçare në Lubjanë. Kurse në moshën 22 vjeçare ajo ka debutuar si profesioniste në skenën operistike, në Shtëpinë e Operës Mbretërore në Oman (Royal Opera House Muscat) me rolin e Mbretëreshës së Natës në “Flautin Magjik” të Mozartit. Që nga ajo kohë sopranoja e cila është e diplomuar për flaut, solo-këndim dhe menaxhim biznesi ka pasur një karrierë shumë të suksesshme.

“Që në moshën gjashtë vjeçare unë kam filluar të këndoj për publikun në skenë, isha atë kohë në Ljubljanë, në Slloveni, dhe më vonë me kalimin e kohës fillova ta realizoj ëndrrën dhe dashurinë time për muzikën – këndimin i cili u bë edhe profesioni im”, ka thënë sopranoja Qerkezi.

Prania e saj në koncerte si dhe shfaqje operistike qysh nga fëmijëria e hershme kanë qenë ngjarje inspiruese për të në atë kohë, duke e bërë të afrohet edhe më shumë me botën e mrekullueshme të muzikës klasike, ngase ajo si rrallë kush tjetër ka pasur fatin të rritet me zërin kristal të nënës së saj, të mezzosopranos Merita Juniku, e cila deri në ditët e sotme për të ka qenë inspirimi dhe mbështetja më e madhe.

“E kam pedagoge vokale dhe është çdoherë pranë meje duke transmetuar përvojën e saj si mezzosopranoja e parë kosovare me karrierë ndërkombëtare. Jam tejet me fat që e kam krahun tim të djathtë”, ka thënë Qerkezi duke potencuar se performancat e tanishme në skena prestigjioze në produksione me artistë të jashtëzakonshëm janë inspirim për rrugëtimin e saj të ardhshëm, për të cilin është e përkushtuar çdoherë e më shumë.

Sopranoja Qerkezi është produkt i një disipline të hekurt, me përqëndrim dhe studim maksimal edhe ndaj detajeve që i sigurojnë një qasje më të lehtë në karakterin e rolit interpretues. Harmonizimi i teknikës vokale dhe interpretimit emocional është një aspekt i veçantë dhe vendimtar që përcakton kualitetin e interpretimit në shfaqje, të cilën gjë e ka perfeksionuar aq shumë sa që sopranoja flokëartë të magjeps duke i kombinuar në muzikë abstrakten me konkreten.

“Natyrisht teknika dhe puna është baza e parë para se të vazhdohet drejt rrugës për të pasur sukses sidomos në këtë profesion. Sa i përketë qasjes personale, rolet të cilat i interpretoj janë role kryesore të gjata me peshë, vështirësi dhe përgjegjesi të madhe dhe krahas kësaj, përveç afinititeve vokale-interpretative, kërkojnë edhe përgatitjen adekuate të cilën e vazhdoj qysh prej vite e vite, pra një kontinuitet i pandalshëm i plot këtyre elementeve”.

Ajo ka performuar në teatrot “La Fenice” të Venecies, “Gran Teatre del Liceu” të Barcelonës, “Teatro Regio di Para”, “Teatro Carlo Felice di Genova”, “Opera Royal de Walloie Lege” dhe shtëpinë e Operës në Dubai, ku ka interpretuar role të rëndësishme si Lucia (Lucia di Lammer-moor), Gilda (Rigoletto), Donna Anna (Don Giovanni) Norma (Norma), Leonora (Il Trovatore), Mimì(La Bohème), Abigaille (Nabucco) etj.

Sopranoja Qerkezi thotë se për secilin rol të ri që i ofrohet për interpretim, qysh nga leximi i draftit të parë ushqehet një lidhje dhe mishërim emocional me karakterin e veprës, e cila pastaj reflekton edhe te publiku në sallat e shumta interpretuese anekënd globit.

Pjesëmarrja në festivalet prestigjioze si “Rossini Opera Festival”, “Festival Verdi”, “Savonlinna Opera Festival”, “St Galler Festspiele” si dhe skenat operistike në Itali, Belgjikë, Zvicër, Amerikë, Japoni, Spanjë, Finlandë, Brazil, Emirate të Bashkuara, Kroaci, Holandë, Gjermani, Angli, Francë në të cilat është shpërblyer me plot çmime dhe vlerësime padyshim se kanë kontribuar, përmbushur dhe pasuruar atë që ajo sot përfaqëson.

Me një mirënjohje të thellë për rrugëtimin e deritanishëm sopranoja Qerkezi thotë se ka ende shumë role për të prezantuar. Sopranoja aktualisht po punon në projekte të reja që synojnë të sjellin muzikën operistike më pranë publikut shqiptar dhe ndërkombëtar.

“Ka shumë role të cilat dëshiroj ti realizoj në të ardhmen, por nga rolet të cilat i kam ëndërruar në të kaluarën dhe tani më i kam bërë realitet duke i interpretuar, është e vështirë t’i veçoj vetëm disa sepse çdonjëri prej tyre e ka vendin e vet dhe me ka sjellur emocione të fuqishme”.

Ajo është fituese e çmimeve të shumta duke përfshirë çmimin e parë në konkursin operistik “Leyla Gencer” dhe çmimin special në konkursin ndërkombëtar të operës në Portofino. Gjithashtu ajo është nominuar nga The International Opera Awards si “Yll në rritje” dhe u përzgjodh në “Top Rising Stars” nga Operawire” në vitin 2023.

Marigona Qerkezi vazhdon të jetë një frymëzim për brezat e rinj edhe përmes primatit të ambasadores së artit shqiptar në skenën ndërkombëtare. Një një urim për festën e Vitit të Ri 2025, ajo i fton të gjithë të rinjtë të mos heqin dorë asnjëherë nga ëndërrat e tyre.

“Mendoj dhe besoj thellësisht që ëndrra dhe karriera kërkojnë punë të madhe, përkushtim dhe disiplinë për të pasur sukses. Kjo është ajo që do ju thoja të gjithë atyre talenteve që deshirojnë të ndjekin rrugën e tyre në botën e muzikës, duke mos hequr asnjëherë dorë nga ëndërrat e tyre”, ka përfunduar sopranoja Qerkezi./ KultPlus.com