“Nuk mund t’i shpëtoj. Është gjëja e tmerrshme që duhet të jetë.” Është një nga thëniet më të famshme që vjen nga dramaturgu i njohur amerikan, Eugene O’Neill, e që e njëjta vlen edhe për shpirtin artistik të aktorit shqiptar Adrian Morina, i cili nuk i shpëton dot teatrit, e as teatri atij. Dërrasat e teatrit i bëjnë jehonë roleve të tij dhe ai ia kthen me të njëjtën monedhë, duke e lartësuar cilësinë e aktrimit në Kosovë. Ai jetëson me qindra jetë në skenë por edhe shpesh i vret brenda natës. Karakteret që interpreton ai, rilindin me të, vdesin me të. Zemra e aktorit Morina del nga skajet e qoshes së saj mu atëherë kur të pranishme janë duartrokitjet të cilat ai i ka adhuruar qysh si fëmijë. Dhe mund ta imagjinoni se si ato skaje mund të dalin goxha si shpesh nga korridori i ngushtë ku qetësisht flenë rrahjet, shkruan KultPlus.
Kaosi i një teatri përherë do mbetet kulmi i shtëpisë së aktorëve. Pa atë kaos, ata janë si enë boshe që bëjnë shumë zhurmë. Paqen shpirtërore ata e gjejnë duke shtegtuar drejtë rolit përkatës, dialogëve, mishërimit me personazhin specifik. Publiku sheh vetëm fragmente, mirëpo aktorët me secilin rresht, secilën fjalë, jetësojnë një hije të dytë të tyren që nuk ngjan aspak me të parën. Perdet e teatrit nuk fshehin vetëm prapaskenat, por edhe hyrje-daljen e personazheve nga trupi në trup. Secili lot dhe secila e qeshur vjen nga brendësia e aktorit, mirëpo ajo është dhuntia me të cilën kanë lindur dhe me të cilën do të vallëzojnë gjer në fund. Po u bëre njëherë aktor, nuk ka më kthim prapa sepse profesioni të ngreh zvarrë nga këmbët dhe të detyron t’i përulesh hyjnisë së teatrit.
Teatri, një vend i shenjtë që kanë të drejtë njëkohësisht ta duan e edhe ta urrejnë vetëm aktorët. Sa herë që ekziston mundësia për të përjetuar artin e aktorit Morina, në sytë e tij dallohen qartazi netët pa gjumë, stuhitë e skenarëve dhe djersët e provave të shumta. Por, e gjitha ajo zhduket në momentin që shpirti i tij farkëtohet me zjarrin e roleve të cilat digjen dalëngadalë në skenë. Aktori Morina ka skalitur disa nga rolet më të veçanta që kam pasur rastin t’i shoh, vëzhgoj e admiroj. ”Makbethi”, “1984”, “Kamarja e turpit”, “Unë jam vetë grua”, “Fausti”, “The Handke Project”, “Inspektor Limi” dhe në “Stiffler”, ai skalitë këndshëm qëndrueshmërinë, guximin dhe perfeksionin. Nga shfaqja në shfaqje, ai po e gdhend përgjithmonë emrin e tij në artin teatral.
Aktori Morina bëhet një me secilin rol njashtu sikurse pikon vesa e mëngjesit në qiell. Ai dhe rolet e tij janë të pandashëm, lidhen e zgjidhen si penjtë mes vete. Ai i shkrin të gjitha rolet sikurse dielli që lëshon butësisht sytë e tij të zjarrtë në sfondin qiellor. Atij i duhet që të rrëshqasë çdo ditë në lëkurën e dikujt tjetër, vetëm e vetëm për të shfaqur personazhe që herë janë të përballueshëm e herë jo. Të cilësuara si role “të mira” apo “të këqija”, nuk ka fort rëndësi, pasi që aktori Morina të dy versionet arrin t’i sjellë nëpërmjet një identiteti unik që bie lehtazi mbi skenë, si rënia e një gjetheje vjeshte. Dhe në atë rënie, përjetohet i gjithë thelbi i ëndrrës, frikës, dëshirës dhe gjithë ndjenjat e tjera që një personazh i caktuar ka për detyrë t’i shfaq.
Përmbushjen aktori Morina e arrin nga roli në rol, nga një ritëm tek tjetri. Herë është një luftëtar, herë një hero, herë një “gjarpër”, herë një dështak, herë një triumfues, herë vetë “djalli”. Kjo është ajo sublimja që ai arrin ta shpalosë me secilën frymë që e lëshon. Në mesin e rreshtave, secili aktor mund ta gjejë edhe vetën, mirëpo esenca qëndron tek ekuilibri që nuk e identifikon kufirin mes realitetit dhe jo-realitetit. Pulsi unik i personazheve të luajtura nga aktori Morina formohet nëpërmjet lëvizjeve, fjalëve e edhe nga kërcitja e linjave të ballit. Ai pikturon shpesh portrete të cilat ngjallen në jetë nëpërmjet një brushe që tokëzon momente. Sikurse një kameleon vjen arti i aktorit Morina që zgjon buzëqeshje të pafundme në fytyrat brenda audiencës. Ai lëviz në mënyrë të tillë ku nuk njihet kufiri mes skenës dhe shpirtit.
Në këtë intervistë për KultPlus, aktori Morina ka treguar se dashurinë për teatrin, filmin, artin, të bukurën, nuk e ka paramenduar ta përjetojë. Ai akoma nuk e di se pse i ka këto dashuri në jetë dhe për çfarë arsye. Ai beson thellë se këto dashuri thjeshtë ndodhin rastësisht, pëlqehen papritmas dhe të rrëmbejnë në çast.
“Mbaj mend fluturat që i ndjeja brenda. Mund të më kujtohet çasti por nuk mund ta shpjegoj pse? Mbaj mend magjinë e ekranit të madh në Kino Bahqe Lumbardhi, në vitin 1986, tek po shihja, bashkë me prindërit, filmin “Rojet e mjegullës”, të profesorit Isa Qosja. Aty doja të isha unë. Në atë moment. Doja të isha heroi njëjtë si axha Xhevat Qorraj që po e shihja. I doja duartrokitjet. E doja publikun. Ishin shumë më shumë sesa publiku im (prindërit dhe familjarët) kur recitoja, këndoja, e imitoja para televizorit. E mbaj mend se nga ajo natë nuk kam reshtur së ëndërruari për ekranin e madh dhe botën e madhe të artit duke përfunduar “tragjikisht” në teatër. Teatri është bota më e madhe dhe arti më i shenjtë”, thotë ai.
Sipas tij, në ambientin e vendin në të cilin jetojmë, nuk ekziston një prodhimtari edhe aq e madhe apo një treg në të cilin ke mundësi të thuash shpesh jo, e aq më pak kur gjendesh në fillet e karrierës apo kur mezi pret të angazhohesh në provime studentore ose projekte teatrore.
“Si i ri nuk është se ke një gjykim për veprat të cilat je pjesë. Shto kësaj edhe pjesën financiare e cila jo vetëm si artist i ri por të përcjellë fatkeqësisht gjithë jetën në botën teatrore. Andaj mundësia për të thënë jo është e kushtëzuar shumë prej këtyre faktorëve. Ndërsa, sot, në projektet brenda Teatrit Kombëtar është e vështirë të thuash jo për shkak se repertori është i verifikuar dhe gjithnjë ambicioz. Inskenohen vepra të autorëve botërorë të cilat i kanë kaluar filtrat e dramaturgjisë botërore e lëre më të mijat. Ndodhë ndonjëherë që për shkak të angazhimeve të shumta, orareve që ndeshen mes vete me projekte tjera brenda TKK-së, të mos bëhemi pjesë e ndonjë shfaqjeje, besa ndonjëherë edhe për të mos u bërë i “tepërt”. Ndërsa për shfaqjet tjera brenda dhe jashtë vendit kryesisht kam dëshirë të jem pjesë e shfaqjeve të angazhuara. Shfaqjeve që ngrenë shumë tema, pyetje, pikëpyetje. Shfaqje të cilat u japin zë e forcë të pazëve dhe të pafuqishmëve. Teatër i drejtpërdrejtë. I guximshëm. Fatkeqësia është se nuk kemi shumë kompani e produksione private. Por, përpiqem të jem pjesë e projekteve prapa të cilave qëndroj jo vetëm si aktor i angazhuar por edhe si artist edhe qytetar”, tregon Morina.
Dhe, kur flasim për hezitimet për të marr mbi supe një rol, aktori Morina tregon se ka shumë faktorë të tjerë të cilat ai i shikon para se të synojë një angazhim të tijin.
“Përveç tekstit që është bazë e fortë, themel, për një shfaqje të mirë, janë edhe shumë faktorë të tjerë të cilët i duhen projektit për të qenë në nivel të cilin unë e synoj në cilindo angazhim. Drama, romani, teksti mund të jetë shumë i mirë si letërsi por pa një ekip të mirë, vështirë të bëjmë një shfaqje të mirë. Regjisori/ja është “komandanti/ja” që udhëheq “luftën”. Secila betejë prej përzgjedhjes së tekstit e deri te “përfundimi i luftës”, premiera, kërkon shumë dije, përkushtim, investim e shumë dashuri. Betejën e parë, si aktor, kryesisht e kam me regjisorin/en. Shumë pyetje, analiza, parapërgatitje deri në momentin e Po-së. Dhe në këtë pikë jam shumë i vështirë. Disa herë edhe i tepërt e shpeshherë edhe naiv në pyetjet dhe përgjigjet që pres t’i kem të zgjidhura para fillimit të shfaqjes. Në momentin që bindem atëherë vetëm i ndez motorët dhe investohem pafundësisht për të fituar betejat e pastaj edhe luftën. Me përvojën bëhet gjithnjë e më e vështirë. E vështirë sepse ke çfarë të rrënosh në karrierë në krahasim kur je fillestar e të falen gabimet. Vetëm tani arrij ta kuptoj frikën e mjeshtrit Istref Begolli i cili me gjithë atë përvojë kishte frikë të luante shfaqje e lëre më të përzgjidhte role”, rrëfen Morina.
“Makbethi”
Në të shumtën e shfaqjeve në të cilat ka luajtur aktori Morina, shpesh personazhet kanë qenë secili më i ndërlikuar se tjetri dhe ai akoma nuk e beson se si e ka gjetur guximin për t’i luajtur ato në skenë.
“Tani kur e lexoj pyetjen tuaj them si kam pasur guxim ti pranoj këto role? Si kam besuar se do t’ia dal? Si do t’i bëj këto role të vlerësohen? Ku është gjithë ajo kurajë? Prej nga gjithë energji? Po flasim për disa kryevepra të dramaturgjisë. Por, ekziston një besim që e kanë regjisorët kur më përzgjedhin për punë. Ata marrin parasysh analizën dhe investimin e madh në zbërthimin e roleve, përkushtimin dhe dedikimin që kam për punë. Me dashurinë e pashtershme që kam për teatrin, besoj se arrij të realizoj me sukses rolet në shfaqjet që angazhohem. Megjithatë, meritë kryesore kanë regjisorët dhe kolegët të cilëve u jam falënderues përgjithmonë”, thotë Morina, i cili tutje tregon se rolin e Makbethit nuk e arriti ta kuptonte pa leximin dhe zbërthimin cezarian që ia ka bërë regjisori Rijani, as rolin e Obrienit në 1984-shin nuk do e bënte pa insistimin e një “Adriani” ndryshe nga regjisori Mendjiski, as rolin e Mefistos së padjallëzuar e të paklishezuar nuk do e kishte bërë pa analizën psiko-filozofike të regjisorit Hysaj, as rolin e Mahlsdorfit nuk do e bënte pa luftën e madhe që e ka bërë regjisori Kushtrim Koliqi për të drejtat e njeriut, e as Handken nuk do e bënte pa guximin dhe kurajën e Blertës dhe Jeton Nezirajt.
Por, mbi të gjitha, ai gjithë këto role nuk do të mundte t’i realizonte pa përkrahjen e familjes, kolegëve, punëtorëve teknik dhe publikut.
Dhe, kur jemi tek pjesa e të mbajturit në mend të gjitha tekstet e të gjithë atyre personazheve që një aktor i rijetëson në skenë, atëherë aktori Morina na ka thënë se përgjegjësia për mësimin e tekstit është akoma më e madhe tani sepse nuk ka kush të ndihmon dot, por, për të kjo nuk është ndonjë vështirësi e potencuar.
“Në të shkuarën në teatër një rol të rëndësishëm kishin pëshpëritësit që vështirë se gjenden nëpër teatro sot. Më shumë janë si pjesë e menaxherëve të skenës. Ndaj edhe përgjegjësia për mësimin e tekstit është edhe më e madhe tani sepse nuk ke nga kush të kërkosh ndihmë. Personalisht, nuk e kam aspak problem mbamendjen e tekstit e sidomos mbamendjen vizuale e cila ndihmon shumë edhe mbajtjen në mend të tekstit. Për kuriozitet, dua të tregoj se gjatë vitit 2023 kam luajtur në 11 shfaqje të ndryshme të cilat jetojnë edhe sot. Disa prej tyre edhe pas 10 vitesh nga premiera”, rrëfen Morina.
Sipas tij, secila shfaqje, secili rol, secila ngjarje që ndodhë në jetë, është një pasuri më vete. Është diçka nga të cilat mëson shumë dhe është diçka që gjithnjë ndryshon, andaj dhe veçimi i një roli specifik është tejet i vështirë, por secili rol i ka mësuar atij diçka të cilën e mban afër vetes dhe e tregon me një lehtësi të dukshme.
“Kjo është e bukura e artit. Sado që ti beson se po ndryshon veten për realizim sa më të mirë të rolit, po aq i vërtetë është edhe ndryshimi yt si njeri. Dhe këtë e çmoj në teatër dhe jam falënderues. Është vështirë të dalloj ndonjërin prej roleve nga kam nxjerrë mësimin më të madh. Llojllojshmëria e roleve që kam luajtur më ka mësuar se cili është “faji” kur ke ngjyrë tjetër lëkure; pse duhet të “turpërohesh” për besimin tënd; pse duhet të gurëzojnë, shajnë e poshtërojnë kur ti i përket komunitetit “Lgbtiq+”; pse duhet t’i vendosësh gishtin kokës kur je në anën e shumicës; se më i fortë je kur të luftosh i vetëm si doktor Stockmani i Armikut të popullit; pse Rocknrrolli i çmend diktatorët; e deri te liria e cila s’mund të merret si e mirëqenë, andaj dhe po e humbasim përditë”, thotë Morina.
“The Handke Project”
Ai është gjithmonë falënderues ndaj faktit që i është dhënë mundësia që në karrierën e tij, të jetë pjesë e shumë projekteve të ndryshme, nga to edhe disa nga kryeveprat më të bukura të letërsisë. Dhe, ai nuk di se si ta quaj këtë ndodhi përpos “fat në jetë”.
“Asnjëherë nuk kam guxuar të ëndërroj për Makbethin, Mefiston e “Faustit”, Obrien e “1984”, Malvolion nga “Nata e dymbëdhjetë”, Charlote von Mahlsdorf te “Unë jam vetë grua” etj. Dhe, as të jem pjesë e projekteve shumë të suksesshme si “Demolimi i Kullës së Ajfelit”, “The Handke project”, me të cilat u prezantuam në festivalet më të rëndësishme të Evropës dhe botës. Meqenëse pyetja juaj është insistuese, po e them atë që ma thonë miqtë dhe kolegët, se një rol që duhet ta luaj deri në fund të jetës, për të cilin edhe jam shpërblyer nga Ministria e Kulturës si ‘Aktori më i mirë i vitit 2020’ është “Unë jam vet grua”, jo vetëm për rolin që kam bërë por edhe për temën që trajton shfaqja por edhe për shkak se është monodramë dhe gjithçka varet vetëm prej meje. Mbase do ta luaj për aq sa kam “takat””, thotë Morina.
Aktori që Morina e dëshiron, përpiqet dhe ëndërron të jetë, është individi që përdor profesionin e tij si një mjet për të dhënë një mesazh shoqëror, politik ose kulturor. Pra, jo një aktor që është thjesht një interpretues rolesh, por një zë i fuqishëm që angazhohet për të ngritur ndërgjegjësimin mbi çështje që janë të rëndësishme për shoqërinë. Aktori që ai dëshiron të jetë, është ai që angazhohet në forma të ndryshme të veprimit, përmes performancave që shkelin normat e zakonshme të sjelljes ose që përfshijnë mesazhe të drejtpërdrejta, shpesh duke i dhënë një sens të fortë politik veprave të tyre.
“Ai aktor që unë synoj duhet të përdorë çdo mundësi që na jep profesioni për të bërë thirrje për ndryshim, të mbështesim kauza shoqërore, dhe të denoncojmë padrejtësitë, qoftë nëpërmjet dramës, filmit, ose angazhimeve publike. Aktori që unë ëndërroj të jem nuk duhet të frikësohet nga pasojat që mund të sjellin kundërshtitë me autoritetet, dhe shpesh vendos të flasë me guxim edhe kur kjo rrezikon karrierën e tij. Në thelb, duhet të jetë një individ që përdor artin dhe aftësitë e tij për të përfshirë publikun në një diskutim të thellë mbi çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut, duke i dhënë artit një rol aktiv dhe transformues në shoqëri”, tregon ai.
“Fausti”
Së fundmi, aktori Morina ka fituar Çmimin Vjetor për Aktorin më të Mirë në fushën e Teatrit për rolin e Mefistifelit në shfaqjen “Fausti” dhe rolin e O’Brien në shfaqjen “1984”. Por, këto çmime asnjëherë nuk kanë qenë diçka primare për të, dhe kjo do të vlejë edhe për çfarëdo çmimi tjetër.
“Jo se jam kundër çmimeve por nuk besoj se të bëjnë aktor më të mirë çmimet. Nuk ta pasurojnë e përmbushin botën shpirtërore. Nuk të bëjnë njeri më të mirë. Përkundrazi, disa edhe i dehumanizojnë prandaj edhe kam pas frikë se në ndjekje të çmimeve do e humbas vetveten. Por, si thonë në popull “Atë që e don më së paku, ajo të gjen”. E vërtetë se jam shpërblyer me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Herë individualisht e herë kolektivisht. Fëmijët dhe bashkëshortja ma kanë bërë një kabinet të vogël për çmimet. Veçanërisht, fëmijët kënaqen me to. Nuk them se nuk jam mirënjohës dhe falënderues ndaj atyre të cilët më kanë vlerësuar me çmime, por, më shumë jam i lumtur kur më përzgjedhin të punoj sërish dhe sërish dhe sërish. Ky është shpërblimi më i madh”, thotë Morina.
Sipas tij, repertorët e teatrove në Kosovë, kryesisht, janë të kushtëzuara për shkak të buxheteve të limituara e të pamjaftueshme. Andaj dhe nuk ekziston mundësia që të prodhohen projekte afatgjate.
“E kemi Pejën në renovim që 3 vite, Prizreni 2 vite, Mitrovica ka qenë e mbyllur afër dy vite e deri tek Teatri Kombëtar i Kosovës që është jashtë objektit të tij tash e gati 3 vite dhe siç po shihet do të zgjasë shumë. Paradoksalisht, Teatri i vetëm që ka mundësi financiare dhe artistike zhvillon veprimtarinë e tij në një vend të improvizuar në Pallatin e Rinisë. Pra, nuk ka mundësi të prodhojë projekte me ato mundësitë financiare që i ka, ndërsa, ato të qyteteve kanë hapësira por nuk kanë mjete. Repertorët janë të varfra, kryesisht të atypëratyshme, pa një plan afatgjatë dhe vizion të qartë. Por, të jemi të sinqertë, teatrot tona janë teatro të reja dhe natyrshëm duhet kohë e procese për të arritur atje ku do të duhej. Teatri Kombëtar me gjithë të metat e veta arrin të prezantoj një repertor vjetor me 5 deri në 7 premiera dhe bashkëprodhime ndërkombëtare që kanë filluar këto vitet e fundit. Pavarësisht trupës së vogël prej 21 aktorësh, arrijmë të luajmë rreth 150 repriza në kalendarin vjetor. Duke qenë institucioni më i vjetër teatror e kulturor në vend, megjithatë, ecën përpara pavarësisht sfidave”, shpalos Morina.
“Unë jam vetë grua”
Aktori Morina gjithashtu na tregoi për vështirësitë në të cilat haset ai si aktor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dhe në përgjithësi. Por, nuk lë anash pa përmendur edhe fajin që e ka MKRS mbi rrjedhën e punës në TKK.
“Vështirësitë janë të shumta por janë motivuese. Na bëjnë më të fortë dhe na shtyjnë të punojmë më fortë për t’i tejkaluar. Çfarë na merr shumë kohë e që fatkeqësisht nuk varet prej nesh, janë problemet e përzgjedhjes së njerëzve jo të duhur në pozitat e duhura. Dhe, këtu fillon lëshimi pastaj që kur e tërheq fijen, dalim deri te politika. Politika është ajo që e bën lëmshin. I përkasim një gjenerate e cila është dashur të angazhohet e humb energji për zgjidhjen e secilit problem në teatër e jetën teatrore, Ligje, rregullore, themelim institucionesh, akte ligjore, zgjidhje për problemeve banale me ujin, wc-të, kanalizimet në teatër, renovimet, pagat, mungesën e buxheteve, protestat e deri te greva në të cilën jemi prapë për shkak të politikës së gabuar të Ministrisë së Kulturës ndaj TKK-së dhe mosvlerësimit të aktorëve të TKK-së. Po të harxhonim secili prej nesh gjithë energjinë në punën tonë, do të ishim në pozitë shumë të mirë edhe ne edhe shteti. Aktorët do të ishin aktorë ndërsa politikanët nuk do të ishin yje por shërbëtor siç kërkojnë të jenë”, thotë ai.
Në anën tjetër, ai beson se është e vështirë që në pozicionin e aktorit, të bëhet përzgjedhja se në cilën shfaqje do kishte dëshirë apo ëndërr që një aktor të luante.
“Duke qenë vetëm në pozicionin e aktorit, në pozitën ku ti përzgjidhesh dhe nuk përzgjedh, është e vështirë të planifikosh shumë për rolet të cilat do të doje t’i luaje. Shfaqjet varen shumë nga menaxhmentet e teatrove të cilat duhej të ishin përgjegjëse për të realizuar shfaqje për karakteristikat e trupave që zotërojnë dhe temave në interes të publikut. Po të varej nga unë, sigurisht se do ti jepja përparësi dramës origjinale, teksteve me porosi, teatrit politik. Si aktor do të doja të isha pjesë e “Mjeshtri dhe Margarita”, “Opera e lypsarëve”, “Corolianus”, “Lolita”, “Ditari i një të çmenduri”, “Bali” e të tjerë”, tregon Morina.
“Stiffler”
Krejt në fund, këtë intervistë e përmbyllëm me bisedën rreth projektit të fundit të aktorit Morina, i cili sapo ka përfunduar premierën e një bashkëprodhimi mes Tiranës dhe Prishtinës mbi shfaqjen “Të turpëruarit”, që erdhi nën regjinë e Altin Bashës.
Ndërsa, viti 2025 po e pret aktorin Morina me dy ftesa për shfaqje që i kanë ardhur nga Tirana. Njërën, ai do ta realizoj në fillim të vitit dhe për tjetrën nodhen akoma në dakordim e sipër. Për momentin, ai është duke punuar për projektin “Streha e të nemunave” me regjisorin Ilir Bokshi, e që shumë shpejtë pritet të jetë premierë në pjesën e parë të vitit 2025. Dhe, në pjesën e dytë të vitit 2025, do të nisë një bashkëpunim teatror e ndërkombëtar, premiera e të cilit do të bëhet në fillim të vitit 2026. Pra, aktorin Adrian Morina po e presin shumë punë përpara, ashtu siç jemi mësuar ta shohim përherë; të angazhuar për teatrin, fizikisht e emocionalisht, me tërë qenien e tij./ KultPlus.com
Një pëshpëritje e lëvizjeve që gdhend rrëqethet në trupat njerëzorë dhe një vulosje emocionesh ndodh brenda qenies njerëzore kur përjetohet një balet i veçantë që shpalos një histori, një tregim apo ndjenjë. Nën petkun e këtij arti madhështor qëndron një balerin dhe koreograf i cili skenën e pushton me krijime teksa edhe hija e tij bëhet një me skenën. Bëhet fjalë për Blenard Azizajn, balerini dhe koreografi shqiptar që sfidon gravitetin e vallëzon me një hijeshi të bukur. Krahët e tij shndërrohen në mullinj të erës teksa në atmosferë lëshohet një balet, ritmi i të cilit shkakton të dridhura nga koka e deri në pjesën e poshtme të këmbëve. Jehonat e rrahjeve të zemrës dëgjohen qartazi kur jetësohet brishtësia emocionale dhe estetike e krijimeve të Azizajt. Nëse supozojmë që shpirti qëndron gjithmonë në heshtje, atëherë tek baletet e Azizajt, shpirti del në pah, përkulet, përshpejtohet, çlirohet njëlloj si lëshimi i një pllake muzikore në gramafon.
I lindur në Shqipëri, ai nisi karrierën fillimisht si balerin në Shkollën Shtetërore Kombëtare të Kërcimit në Greqi, për të prekur pastaj shumë skena të tjera botërore si në Gjermani, Francë, Zelandën e Re, Meksikë, Hong Kong e Brazil. Për t’i shkelur dërrasat e teatrove të këtyre vendeve, normalisht duhej shumë punë, përkushtim, dashuri, pasion e sakrifica, gjëra këto që na vijnë të rrëfyera nga vetë balerini dhe koreografi Blenard Azizaj në një intervistë të veçantë për KultPlus.
Baleti është himni i voshtrës që rritet brenda njeriut. Hiri i saj transformon mishin dhe shpirtin njëlloj. Ata që ia kushtojnë trupin e tyre kësaj forme të artit, kanë përballë një fushëbetejë ku balancimi i disiplinës, teknikës dhe emocionit duhet të jetë i vizatuar me precizitet. Kufizime nuk duhet të ketë, as edhe në ëndrra. Gllabërimi i këtij arti duhet të bëhet qysh në fillim e më pastaj pasojnë edhe netët e pafundme me dhimbje nga piruetet e shumta, tendosjet e muskujve e thurjet e tregimeve. Por, kësisoj bëhet shpalosja e një gjuhe përtej fjalëve që mbështjellët në mëndafshin e limiteve.
Koreografi Blenard Azizaj ka një fëmijëri të cilën e ka dorëzuar brenda dhomave të praktikës me një përkushtim për përsosmëri. Pjekuria e tij reflekton në rimet e tij. Në çdo plié, çdo kërcim, ai mban prejardhjen e tij duke lënë një gjurmë në historinë e baletit shqiptar. Ky zanat për të është diçka që kërkon gjithçka nga ai, mirëpo ai i dhuron ato pa asnjë mëdyshje.
Dashuria për kërcimin i ka lindur si një gjë e heshtur dhe e fshehtë që e ka thirrur nga brenda që fëmijë. Gjithçka nisi me admirimin për Michael Jackson-in, atë që ishte heroi i tij dhe për të, një magjistar në lëvizje. Kur ai e ka parë atë duke kërcyer ka ndjerë diçka që as vetë nuk mund ta përshkruan, njëfarë zjarri që i është ndezur pa fjalë, një frymëzim që i është shtrirë përtej muzikës dhe ndjenjës, drejt vetë shpirtit.
Nga sporti, ai kaloi te kërcimi, fillimisht si autodidakt, duke zbuluar çdo hap e çdo ritëm përmes përjetimit personal, pa rregulla e pa kufij. Edhe pas studimeve, ai ende e quan veten autodidakt. Për të, arti nuk është diçka që mësohet plotësisht nëpër shkolla; është diçka që lind, që vjen nga brenda me një forcë të papritur, si një fllad që shndërrohet në stuhi brenda shpirtit. Çdo lëvizje që krijon, ai dëshiron që të bëhet një dëshmi e ndjenjave që e përshkojnë, një udhëtim që e çon gjithnjë e më afër thelbit të tij të vërtetë.
Caroline Jiang
Të nisesh drejt një rruge e cila kërkon që në moshë të re të mbjellësh farat e qëllimit në tokën e butë të rinisë, është diçka e vështirë, megjithatë, arrihet nëpërmjet një qetësie në të cilën hidhen zaret e fatit. Themeli qëndron tek pafajësia dhe e atillë ka qenë edhe historia e koreografit Azizaj. Kur ai shkoi për herë të parë në Shkollën Shtetërore Kombëtare të Kërcimit në Greqi, ka ndjerë një përzierje emocionesh – një lloj drite dhe peshë që e ka mbuluar atë tërësisht.
“Ishte sikur të hyja në një botë të re, një vend ku ëndrrat dhe sfidat bashkëjetonin, ku çdo hap do të ishte një provë dhe një mësim për shpirtin tim. Ishte ndjenja e një fillimi të madh, një udhëtim që e dija se do të më ndryshonte përgjithmonë. Këmbët e mia e ndien tokën ndryshe atë ditë, si të thirreshin për një qëllim më të lartë – një ftesë për të zbuluar kufijtë e artit dhe të vetes sime”, thotë ai.
Ai i dha të gjitha provimet dhe u pranua në atë që quhej Seksioni Përgatitor. Më pas, u bë emigrant ligjor, mori dokumentet dhe vizën studentore. Gëzimi i tij ishte i papërshkrueshëm, por thellë brenda vetes, ai ende nuk po e kuptonte plotësisht çfarë po ndodhte me të.
“Kohët ishin të ashpra, të egra. Nuk kisha një punë të përhershme, as një shtëpi ku të gjeja prehje; netët i kaloja në shkolla kërcimi dhe teatro, nën ritmet e një përkushtimi që nuk më linte të flija. Punët që gjeja teksa studioja, ishin të vështira: kamarier, barman, çdo gjë që mund të më siguronte gjërat bazike. Gjumi ishte i pakët, lodhja – pafund. Kishte çaste kur ndihesha i thyer, sikur çdo barrë e lodhje nuk mund të përballohej më. Vështirësitë ishin të pafundme, si dallgë që vinin pa pushim”, shpalos ai.
Në këto vite të hershme, pasioni i gjen rrënjët, ndërsa koha bëhet edhe mësuese edhe shoqëruese e heshtur. Udhëtimi kërkon durim – si të ushqesh një flakë që duhet kujdesur që të mos lëkundet shumë shpejt ose të digjet shumë shpejt. Andaj, Shkolla Shtetërore e Kërcimit dhe jeta brenda saj, i dhuruan atij një mësim të çmuar, një lidhje të thellë me artin e kërcimit dhe me ritmin që buronte brenda tij. Çdo profesor ishte një burim mësimesh për të. Ai i respektonte të gjithë, pa kurrfarë kritike; thjesht punonte dhe punonte. Dhe, çuditërisht, këto vështirësi për të ishin një lloj bukurie në vetvete.
Shkolla i dhuroi atij një forcë, dhe ai, deri më sot, akoma mbetet një vëzhgues.
“Është një art më vete të dish të vëzhgosh; kërkon liri dhe një lidhje të thellë me të vërtetën e jetës. Arti i vëzhgimit dhe i dëgjimit janë të bukur dhe një formë e jetës vetë. Ky art i vëzhgimit më ndihmoi shumë në Shkollën Shtetërore të Kërcimit. Ky vend, këta njerëz, artistë, kanë diçka të veçantë që të bën të jesh, më i ndjeshëm, përmes përballjes me të vërteta të ndryshme. Më vonë, fillova të bëja disa punë të vogla, si shfaqje televizive, që më ndihmonin financiarisht. Njerëzit që takova më ndihmuan secili në mënyrën e vet. Për secilin prej tyre, ruaj një “faleminderit” të madh në zemër. Për shumë kohe isha i shpërndarë, pa një bazë, pa një strehë ku të ndihesha i sigurt. Shtëpia ime e vërtetë erdhi shumë më vonë, pas viteve të tëra”, tregon Azizaj.
Vlasov Sulaj
Që në vitin e parë të studimeve, ai filloi të kërcente me Kompaninë Greke të Kërcimit. Në vitin 2006 u pranua në Shkollën Shtetërore të Kërcimit në Athinë ku dhe diplomoi në vitin 2010.
Të nisesh i ri do të thotë të lejosh ëndrrën dhe ëndërrimtarin të rriten së bashku, fatet e tyre të pandashme. Parada e përpjekjeve për një jetë më të mirë, më të ndritur, me plot shpresë ka qenë diçka të cilën ai e ka arrirë.
Një nga momentet më të paharrueshme dhe të fuqishme në fillimet e Azizajt si balerin ka qenë kur ai ishte ende në vitin e parë të studimeve. Aty, papritmas, ai u përzgjedh për të qenë pjesë e një shfaqjeje, ku çdo kërcimtar përreth tij ishte profesionist – artistë që ai i admironte dhe që i ngjallnin frymëzim të thellë. Vepra quhej “Splinter in the Flesh”, krijuar nga Athina Valha. Për të, ishte si një hap në një ëndërr të ndaluar – të qëndronte në të njëjtën skenë me ata që deri dje i shihte vetëm si yje të largët. Për të, ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm njashtu si të prekte artin në formën e tij më të pastër dhe më të vështirë.
Është dhe një tjetër moment i thellë që koreografi Azizaj e ka skalitur në kujtimet e tij. I përket periudhës atëherë kur bëri audicionin në Greqi për kompaninë Linga Dance nga Lozana, drejtuar nga Marco Cantalupo dhe Katerzina Gdaniec. Ai audicion ishte fillimi i një udhëtimi të ri, ishte një portë që ia hapi botën dhe e çoi Azizajn drejt skenave të botës, ku pati privilegjin të punonte me koreografët e mirënjohur botërorë si: Akram Khan dhe Sasha Waltz. Këto përvoja e kanë bërë atë të mendonte se kishte hyrë në një univers tjetër, një univers ku çdo lëvizje dhe çdo hap e afronte me esencën e vërtetë të artit të vetë. Këto momente për të kanë qenë më shumë se sfida – ishin bekime që formësuan rrugëtimin e tij artistik.
Rowan Schratzberger
Në anën tjetër, çdo vend ku ai ka performuar, i ka lënë atij diçka, qoftë një mësim apo një ndjenjë që ai e mban me vete. Në fund, është pikërisht kjo ndërlidhje globale që e bën atë të kuptojë se sa universal dhe i fuqishëm është arti. Të gjitha vendet në të cilat ai ka shkelur, kanë lënë një ndikim unik tek ai, por disa prej tyre kanë rezonuar më thellë, qoftë për shkak të atmosferës kulturore, njerëzve, apo ndjesisë që i kanë dhënë gjatë krijimit dhe performancës.
Pavarësisht se ai jeton larg Shqipërisë, ai gjithmonë kthehet me një ndjenjë nostalgjie dhe krenarie kur performon në vendin e vetë.
“Është një lidhje që prek rrënjët e mia dhe gjithnjë më frymëzon të sjell diçka të veçantë për atdheun tim.”
Në Gjermani ai ka pasur shumë bashkëpunime ku i kanë dhënë lirinë për të eksperimentuar në maksimum. Skena artistike atje konsiderohet të jetë shumë e hapur dhe e guximshme, gjë që Azizajn e ka shtyrë për ta thelluar procesin krijues, duke e krijuar kështu shtëpinë e tij të dytë në jetë. Në Francë, përkatësisht në Paris, ai ndjen një lidhje të veçantë, sidomos me historinë e artit dhe baletit që ka në thelb ai vend. Aty ai ndjen se artistët dhe publiku në përgjithësi jetojnë për artin, dhe ajo energji patjetër që iu është ngjitur edhe vetë koreografit Azizaj. Tek Zelanda e Re ai e ka krijuar një përvojë unike dhe transformuese për të. Takimi me fiset Maori ka lënë një gjurmë të thellë në mënyrën se si ai e percepton artin dhe lidhjen me kulturën.
“Ishte një nder të shkëmbeja punëtori me ta dhe të mësoja për traditat e tyre të pasura, që ndërthurin fuqinë e natyrës me spiritualitetin. Në ato momente, ndjeva një respekt të jashtëzakonshëm për mënyrën se si ata e përdorin artin – këngët, vallëzimin dhe gdhendjet – për të treguar histori, për të mbajtur gjallë trashëgiminë dhe për të krijuar lidhje mes brezave. Nga puna me ta, kuptova më thellë se arti nuk është vetëm një mjet shprehjeje, por edhe një mënyrë për të forcuar identitetin dhe lidhjen me tokën dhe paraardhësit. Energjia dhe pasioni që ata përcillnin gjatë performancave të tyre ishte frymëzuese. Ishte një shkëmbim që jo vetëm më pasuroi artistikisht, por më bëri të ndiej edhe më shumë lidhjen universale që arti krijon mes kulturave të ndryshme”, tregon Azizaj.
Meksika në anën tjetër ka qenë një tjetër ndalesë e jashtëzakonshme që i ka lënë atij një ndikim të thellë. Me historinë, kulturën dhe shpirtin e tij të gjallë, vendi i dha atij një ndjenjë të veçantë fuqie dhe pasioni artistik.
“Takimi me komunitetet lokale dhe përfshirja në artin e tyre tradicional ishte një përvojë që më frymëzoi shumë. Pasioni i tyre për vallëzimin dhe ritmet, shpesh të lidhura me kulturat e lashta si ato të Aztekëve dhe Majave, më bëri të kuptoj më thellë lidhjen e fortë që ata kanë me tokën dhe universin. Gjithashtu, atmosfera dhe festivitetet si Dia de los Muertos (Dita e të Vdekurve) ishin momente që ma transformuan perceptimin për artin dhe jetën. Kjo traditë më mësoi se si gëzimi dhe dhimbja mund të bashkëjetojnë në mënyrën më artistike dhe domethënëse, një ide që ka pasqyruar krijimtarinë time. Vizita në piramidat e Meksikës ishte një përvojë që më ktheu pas në kohë, duke më bërë të reflektoj mbi madhështinë e qytetërimeve të lashta dhe fuqinë e trashëgimisë njerëzore. Piramidat si Teotihuacán, me Piramidën e Diellit dhe të Hënës, më lanë pa fjalë. Arkitektura dhe simbolika e tyre tregojnë një njohuri të thellë për astronominë, natyrën dhe lidhjen midis tokës dhe kozmosit. Duke ecur mbi ato shkallë, ndjeva një energji të fortë, një përzierje të misterit dhe respektit për ata që ndërtuan këto monumente me një përkushtim të pabesueshëm. Po ashtu, vizita në Chichén Itzá, me Piramidën Kukulcán, më bëri të mrekullohem nga qëllimi pas krijimit të saj. Njohuritë që fiset e lashta si Majat kishin për ekuinokset dhe solsticet ishin mahnitëse dhe më bënë të reflektoj për lidhjen e tyre të ngushtë me natyrën. Këto piramida janë jo vetëm dëshmi të së kaluarës, por edhe një burim frymëzimi për artin tim, veçanërisht në mënyrën si ato kombinojnë spiritualitetin dhe estetikën. Momente të tilla më bëjnë të thelloj më shumë krijimtarinë time dhe të mendoj për trashëgiminë që lë pas çdo njeri”, shpalos Azizaj.
Po ashtu, Hong Kong ishte një ndalesë që i ka lënë atij një përshtypje të thellë, veçanërisht për kontrastin e tij unik mes traditës dhe modernitetit. Ky qytet vibrant, i mbushur me dritat e pafundme të qiellgërvishtësve dhe energjinë e tij të papërmbajtshme, i ka ofruar atij një hapësirë të veçantë për reflektim dhe krijimtari. Performanca në Hong Kong për të mbetet diçka unike, pasi publiku atje ka një ndjeshmëri të veçantë ndaj artit, duke qenë gjithmonë kurioz dhe i hapur për të eksploruar ide të reja.
“Një nga përvojat më mbresëlënëse ishte vizita në tempujt e qetë, si Man Mo Temple, që ofrojnë një ndjenjë paqeje dhe lidhjeje shpirtërore në mes të ritmit të shpejtë të qytetit. Kjo ndjesi dualiteti – e të kaluarës dhe së ardhmes që bashkëjetojnë”, thotë ai.
Gjithashtu, Brazili është një vend që e ka prekur atë thellë me energjinë e jashtëzakonshme dhe pasurinë kulturore. Çdo gjë, nga natyra e mrekullueshme deri te ritmet dhe ngjyrat e kulturës lokale, ka qenë një burim i pafund frymëzimi për të.
“Një nga përvojat më të paharrueshme ishte takimi me vallëzimin dhe muzikën tradicionale si samba dhe capoeira. Këto forma artistike nuk janë thjesht argëtim, por një shprehje e fuqishme e historisë, rezistencës dhe shpirtit të popullit brazilian. Ishte e jashtëzakonshme të shihja se si trupat e tyre lëviznin me një liri dhe gëzim të pastër, duke më bërë të reflektoj mbi lidhjen mes vallëzimit dhe identitetit. Brazili më ka mësuar se si arti mund të jetë një mjet për të shprehur jetë, pasion dhe një lidhje të pandashme me tokën dhe njerëzit. Kjo përvojë ka ndikuar thellë në krijimtarinë time dhe në mënyrën se si i qasem artit si një gjuhë universale”, tregon tutje ai.
Rudolf Sagmeister
Liri, pasion dhe shpirt, janë tri fjalët me të cilat ai e përshkruan ndjesinë që e merr kur përjeton vallëzimin, kur bëhet një me skenën. Dhe nëse do të kishte mundësinë për tu kthyer prapa në kohë, ai nuk do të ndryshonte asgjë, pasi që për të çdo hap që e ka hedhur, çdo sfidë me të cilën është përballur, e ka udhëhequr drejt vendit ku ai ndodhet sot. Ai beson thellë se jeta e tij është si një koreografi ku çdo gabim, çdo moment i vështirë, kontribuon në formësimin e shpirtit të tij artistik. Në fund, çdo gjë ka ndodhur për arsye dhe asgjë nuk është rastësi për të.
Është normale që në jetën e një artisti të ketë pasur momente kur ëndrrat për skenën kanë ngecur, ndonjëherë për shkak të vështirësive që jeta sjellë, dhe ndonjëherë për shkak të pasigurisë që vjen nga përballja me vështirësitë artistike. Kur ka ardhur një periudhë e tillë, koreografi Azizaj na tregon se e ka tejkaluar duke u kthyer tek pasioni dhe përkushtimi për artin. Ka mësuar të shoh përtej frikës dhe dyshimeve, dhe ka gjetur forcën në momentet më të errëta. Për të, ka qenë shumë e rëndësishme të besonte në vetvete dhe të kujtonte se çdo pengesë është një mundësi për të mësuar dhe për tu rritur si artist. Ai pohon që ka momente kur duket se gjithçka ndalet, por kur e kthen kokën pas, ai kupton se ato momente kanë qenë gjithashtu pjesë e rrugëtimit.
Është njashtu normale që shpeshherë nga mungesa e frymëzimit, nga lodhja e tepërt, një artist të vendos për të hequr dorë nga profesioni që ka. Mirëpo, koreografi Azizaj gjithmonë kujton fjalën e babait të tij që shpesh ia thoshte; “Përpara”.
“Ka pasur momente kur përballë sfidave të pafundme dhe lodhjes që ndjen çdo krijues, kam menduar të ndaloj krijimin e koreografive. Shpeshherë, ato periudha të vështira, ku ideja e përparimit duket e largët, më kanë bërë të dyshoj dhe të kërkoj prehje nga tensionet e këtij profesioni. Por, përkundër çdo lufte të brendshme, kam kuptuar se ndalimi nuk është zgjidhje. Pasioni dhe dashuria për artin më kanë shtyrë të vazhdoj. Krijimi i koreografive nuk është thjesht një detyrë, por një pjesë e qenies time. Edhe kur ndihesh i humbur dhe pa frymëzim, ka gjithmonë një dritë që të shtyn përpara”, thotë ai.
Sipas tij, ka pasur shumë momente kur mendonte se nuk mund të shkonte më përpara, por pikërisht një fjalë ka qenë thumbuesi kryesor që e ka bërë koreografin Azizaj të jehojë në historinë e baletit shqiptar.
“Më kujtohet një fjalë e babait tim, që më thoshte kur isha i vogël: “Përpara.” Kjo fjalë ka ndjekur çdo hap të jetës sime, si një tingull që vjen nga larg, nga kujtimet e fëmijërisë. Edhe kur ndjehesha i humbur, ai më kujtonte se rruga vazhdon përpara, edhe nëse duket e paqartë dhe e mjegullt sepse është gjithmonë një mundësi për të rifilluar, për të rritur dhe për të krijuar. Ka pasur shumë momente kur mendoja se nuk mund të shkoja më përpara, por gjithmonë, ashtu siç thoshte ai, “përpara” ka qenë frymëzimi që më ka mbajtur të ecja, edhe kur mendimet ishin të mjegullta dhe pasiguria më mundonte. E dija që, pavarësisht çdo vështirësie, gjithmonë ka një hap tjetër për të bërë, një rrugë tjetër për të zbuluar”, shpalos Azizaj.
Carloz Quezada
Përpos artit të lëvizjes, brenda tij ekziston edhe ai i krijimit. E kuptoi se mund të kontribuonte në skenë jo vetëm si interpretues, por edhe si krijues i koreografive, atëherë kur iu zhvillua mendimi që arti dhe vallëzimi nuk janë thjesht një mjet për të shprehur ndjenjat dhe historitë e të tjerëve, por gjithashtu një hapësirë për të pasqyruar dhe eksploruar të tijat.
Gjatë eksperiencave si interpretues, ai ndjeu se kishte më shumë për të thënë sesa që mund ta shprehte vetëm përmes trupit. Kjo dëshirë për të shprehur ide dhe ndjenja të thella, e shtyu të kërkonte rrugë për t’i krijuar ato vetë, për të ndërtuar lëvizje që janë më të lidhura me shpirtin dhe vizionin e tij personal.
Kur ai filloi të krijonte koreografi, kuptoi se mund të ketë ndikim më shumë në mënyrën si shfaqet historia, duke i dhënë asaj një formë dhe një lëvizje që pasqyron më mirë kompleksitetin e jetës dhe emocionet që dëshiron t’i ndaj me publikun. Ky proces i krijimit i ka ofruar atij mundësinë që të integrohet thellë me artin, dhe gjithashtu që të ofroj një hapësirë ku të tjerët mund të shprehin vetveten përmes lëvizjes.
“Duke e parë vallëzimin jo vetëm si performancë, por edhe si një formë të komunikimit të thellë dhe të ndërlikuar, e kuptova se mund të kontribuoj si krijues, duke sjellë një dimension të ri dhe të personalizuar në artin e skenës. Krijimi në skenë është një ndjenjë që më zgjedh dhe nuk e zgjedh unë atë. Ndjehem i tërhequr nga ajo, një forcë që më shtyn të shpreh ndjenjat dhe historitë që janë të papërshkrueshme me fjalë. Koreografia bëhet një mjet për të komunikuar dhe për të krijuar një univers të ri, ku trupi dhe mendja bashkohen për të sjellë diçka më të madhe se vetvetja”, shpalos Azizaj.
Louis Choisy
“NoBody’s Land”, “Fleeting Feathers”, “Walls”, “In the Beginning”, “Sacred Scars”, janë disa nga krijimet personale të koreografit Azizaj, të cilat sjellin një shprehje të lirë, ku fytyrat e kuptimit janë pa maska, emocionet shkëputen nga rrjedha e fjalëve dhe nëpërmjet forcës delikate të trupave, thuret një krijim i tundshëm, i pamposhtur. Sublimja e artit të tij vjen si një gjuhë e ndjerë deri në asht, dhe publiku i baleteve të tij merr frymë njëkohësisht me balerinët. Triumfi i tyre është triumfi i kujtdo. Zemrat e secilit shikues mbajnë shtrëngueshëm fragmente të kërcimit që posedojnë veprat e Azizajt.
Konsiderohet se çdo krijim që ai bën është një udhëtim për të kërkuar lidhjen me vetveten, duke reflektuar plagët dhe përvojat që formojnë identitetin tonë. Lëvizjet që ai i krijon synojnë të kapin kompleksitetin e jetës, duke e shndërruar atë në diçka që flet thellë me shpirtin. Pra, puna e tij nuk është vetëm një shprehje personale, por edhe një pasqyrë e historive dhe ngjarjeve të të tjerëve, sepse, në shumë mënyra, ata janë një pasqyrim i jonë. Çdo ndjenjë që shprehet nëpërmjet baletit, për të mbetet një pasqyrë e botës së brendshme, që na ndihmon të kuptojmë veten dhe lidhjet që kemi me të tjerët.
“Pjesë si Nobody Land, Fleeting Feathers, In the Beginning dhe Sacred Scars janë më shumë se thjesht tituj – ato janë thelbi i historive që tregoj. Ato përfaqësojnë përpjekjen time për të shndërruar kalueshmërinë, shenjtërinë dhe dhimbjen në diçka që mund të komunikojë thellë. Çdo krijim është një medium, një hapësirë ku mund të përcjell mesazhe dhe të shpreh emocione që fjalët shpesh nuk mund t’i përshkruajnë. Përmes artit tim, mundohem të lidh, të inspiroj dhe të pasqyroj përvojën e përbashkët njerëzore. Është një kujtesë se të gjithë jemi pjesë e së njëjtës rrjetë të komplikuar, dhe se përmes artit mund të shohim dhe kuptojmë vërtetë njëri-tjetrin”, tregon Azizaj.
Dhe për procesin e krijimit të një koreografie, padyshim që një artist kalon nëpër shumë faza, emocione të ndryshme të cilat lënë gjurmë të përhershme brenda vetes, njashtu edhe në skenë.
Procesi i krijimit të një koreografie, për të, është një udhëtim i thellë dhe shpesh intensiv. Për të, gjithçka fillon me një kërkim, një pyetje të brendshme ose një ndjenjë të cilën e ka nevojë ta shpreh. Kjo është faza e parë, ku nuk ka asgjë konkrete, vetëm një ide të paformuar, por një energji që e shtyn atë që të kërkoj më shumë. Kjo është faza më e pasigurt dhe shpesh më e ndërlikuar, pasi ai ndjen se është një hap i parë drejt diçkaje që do të krijohet.
Më pas, pas disa reflektimesh të thella dhe kërkimesh, shpesh atij i shfaqen imazhe, lëvizje, dhe skena që fillojnë të formohen në mendjen e vetë. Kjo është faza e eksplorimit, ku ai fillon të eksperimentoj me lëvizje dhe ide. Ndonjëherë lëvizjet i vijnë natyrshëm, ndonjëherë i duhet kohë për t’i ndjerë dhe për t’i kombinuar në një formë tërheqëse. Gjatë kësaj faze, ai shpesh përjeton një lloj tensioni, pasi nuk është gjithmonë i sigurt nëse ajo që ka krijuar është ajo që do të transmetohet te publiku.
Kur ai ndihmohet nga balerinët dhe ekipi, ndodhin momente që i japin shpresë dhe ndihmë për të zhvilluar më tej idetë. Ky është momenti kur ai e di që idetë që ka krijuar mund të marrin një jetë të re në trupat e tjerë.
“Ka shpesh një ndjenjë të jashtëzakonshme kur një pjesë e lëvizjes bëhet “e jetës”, kur ndihesh se ajo mund të komunikojë me dikë tjetër, dhe jo vetëm me mua. Ky është momenti kur transformohet ideja ime personale në një eksperiencë që mund të ndaj me të tjerët. Për mua, faza e krijimit të një koreografie është gjithashtu një proces i ndërlikuar emocionalisht. Shpesh ndjej një tension midis dëshirës për të komunikuar diçka të thellë dhe shqetësimit se a do të mund të arrij qëllimin tim. Kur është gjithçka gati për të dalë në skenë, ndiej një lloj frike dhe eksitimi që bashkohen, pasi është momenti kur ajo që kam krijuar duhet të përballet me publikun dhe të ketë një ndikim. Në këtë moment, për mua, është e rëndësishme të mbetem i hapur ndaj asaj që publiku mund të përjetojë dhe të pranoj që një pjesë e artit është gjithmonë një shkëputje nga vetvetja, një dhuratë që e ndan me të tjerët”, shpalos Azizaj.
Në fund vjen ai momenti kur gjithçka bëhet e dukshme në skenë. Gjithçka është qetësi.
“Kam kaluar përmes dyshimeve, eksperimentimeve dhe emocioneve të ndryshme, dhe kur shoh se ajo që kam krijuar ka lënë një efekt, kam ndjenjën e përmbushjes. Për mua, procesi i krijimit është gjithashtu një mundësi për të kërkuar dhe për të mësuar, sepse çdo krijim është një hap më afër kuptimit të asaj që dua të them dhe si mund ta komunikoj më mirë përmes lëvizjes dhe artit. Krijimi i një koreografie është një udhëtim emocional, që fillon me kërkimin dhe pasigurinë, dhe kalon në faza inspiruese dhe eksploruese. Ajo që kam si ide dhe kërkoj në studio shpesh ndryshon gjatë procesit, sepse çdo moment i ri sjell një kuptim dhe formë të re”, tregon Azizaj.
Gent Onuzi
“Gjurmët” është një solo dance performancë në KunstHaus Bregenz të Austrisë. Kjo shfaqe ishte një dialog krahas ekzibicionit të Anri Sala.
Baleti “Gjurmët” eksploron ndërlidhjen midis ekspozitës së Anri Sala dhe aktit të vallëzimit. Vallëzimi është një komunikim aktor, i hapave, gjesteve, situatave, ngjarjeve, ritualeve dhe proceseve. Duke zbuluar ndikimet që veprojnë brenda një gjuhe të vallëzimit universale dhe të veçantë për kulturën, Azizaj bën një udhëtim në botën e tij, duke gjurmuar imazhe nga fëmijëria e tij të cilat ndihmuan në formimin e mirëkuptimit dhe imagjinatës së artistëve. Gjuha e vallëzimit luan një rol të rëndësishëm në transformimin kulturor të shoqërive. Këto transformime vijnë në jetë brenda dinamikës së vallëzimit. Azizaj paraqet metoda artistike që përfaqësojnë “gjurmë” thjesht përmes materialeve të tilla si trupi, drita, ngjyra, pëlhura, tingulli.
(Një grua e quajtur Ariadne i dha Tezeut një fije të kuqe dhe ai shpëtoi veten nga labirintet e Minotaurit përmes kësaj fije. Një përbindësh i vuajtur mund të jetë një element për lëvizjen, si dhe traumat tona të kaluara ose kujtimet e pavetëdijshme që na drejtojnë nëpër jetë. Duke sjellë në jetë kujtimet e kaluara të vallëzimit të babait të tij, Azizaj përsërit rrugën e tij përmes fillit të kuq.)
“Performanca ime në Austri, Gjurmët, ishte një udhëtim thellësisht personal, ku përdorja një fill të kuq për të pasqyruar lidhjen me babin tim dhe kujtimet që kam me të. Ky simbol i thjeshtë, i një gjëje të zakonshme si një fill, u bë një mjet për të lidhur të kaluarën me të tashmen, për të ndihmuar në shprehjen e atyre kujtimeve që më kanë formuar mua si individ dhe si artist. Çdo lëvizje dhe çdo hap në këtë performancë ishte një pasqyrim i rrugës që ai ka kaluar, dhe gjithashtu i rrugëtimit tim, siç është përsëritja e një historie që ka pasur ndikim të thellë mbi jetën time”, thotë Azizaj.
Sipas tij, roli i babait në jetën e tij ka qenë esencial. Si një ish-valltar, babai i tij ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e pasionit të Blenardit për artin dhe vallëzimin. Edhe pse ai nuk është më pjesë aktive e skenës, besohet se ndikimi i tij vazhdon të jetë i thellë dhe i qëndrueshëm.
“Nuk ishte vetëm prezenca e tij fizike në çdo moment që më ka ndihmuar të kuptoj më mirë artin, por edhe fryma dhe filozofia që ai ka pasur ndaj tij. Ai më mësoi të vlerësoj përpjekjen dhe disiplinën që kërkon arti, por gjithashtu më dha kuptimin e lidhjes së thellë mes trupit dhe shpirtit gjatë performancës. Në ‘Gjurmët’, unë nuk thjesht interpretoja një histori personale, por kërkoja të kapja diçka më të thellë që kishte të bënte me identitetin dhe lidhjen me rrënjët, duke përfshirë gjithashtu edhe dhimbjen e humbjes dhe forcës që buron nga kujtimet. Prezenca e babait tim ishte një udhërrëfyes i heshtur gjatë performancës. Pjesë e performancës ishte ndjenja se ai ishte me mua në çdo moment të rrugëtimit tim, si një dritë që më udhëhoqi dhe më dha forcën të shpreh veten në këtë formë. Ky moment i performancës ishte një mënyrë për të ndërlidhur dy botë, atë të tij, dhe atë timen. Babai është një figurë që vazhdon të jetojë brenda meje përmes kujtimeve dhe vlerave që më ka dhënë”, shpalos Azizaj teksa thotë se ‘Gjurmët’ ishte një mundësi për të shprehur një lidhje të paharrueshme në një mënyrë që arrin të prekë edhe të tjerët.
Bleri 31
Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor në Tiranë mbahet tash e tre vite. Vitin e kaluar, ka qenë pikërisht premiera e “The Dawn of Time” me koreografi të Azizajt dhe me një trupë të madhe të balerinëve që ka përmbyllur festivalin krejt këndshëm.
Pjesëmarrjen në Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor në Tiranë, veçanërisht përmbylljen e festivalit me premierën e “The Dawn of Time”, ai e cilëson si një përvojë shumë të pasur por me shumë sfida. Pavarësisht asaj, ky balet për të ka qenë një mundësi për të shprehur një koncept të thellë dhe për të sjellë një trupë të madhe balerinësh për të krijuar një përvojë kolektive në skenë, ku çdo lëvizje dhe çdo ngjyrë qëndronte si pjesë e një storytelling-u të madh dhe të ndërlikuar.
“Nga njëra anë, ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të prezantuar diçka që kishte shumë rëndësi për mua si krijues – një pasqyrë të kalimit të kohës, të ciklit të jetës dhe të gjithçkaje që është në lëvizje brenda natyrës dhe shoqërisë. Po ashtu, ky projekt ishte një test i madh për mua, sepse kërkonte të mbaja një ekuilibër mes kërkesave artistike dhe praktike të një produksioni kaq të madh, me një trupë të madhe balerinësh dhe gjithë logjistikën që e shoqëron këtë”, thotë ai.
Mirëpo, nga ana tjetër, sfidat e festivalit trokitën në derë dhe erdhën si pasojë e shumë faktorëve – menaxhimi i një grupi të madh balerinësh, balancimi i kohës dhe burimeve, si dhe nevoja për të krijuar një atmosferë që mund të mbante një nivel të lartë artistik për të gjithë ata që morën pjesë.
“E gjithë kjo kërkonte një disiplinë të madhe dhe një komunikim të vazhdueshëm për të siguruar që çdo moment në skenë të kishte atë forcë dhe ndikim që synoja. Në aspektin emocional, ishte një mundësi për të ndarë një pjesë të rëndësishme të vetes me publikun dhe për të parë se si çdo balerin kontribuonte në krijimin e një eksperiencë të përbashkët. Pavarësisht vështirësive, ajo që më mbajti ishte besimi në mundësinë për të krijuar një gjuhë që do të bashkonte njerëzit dhe do t’i bënte ata të ndjenin diçka të përbashkët, pavarësisht prejardhjes së tyre kulturore”, tregon Azizaj, i cili në përgjithësi festivalin e vlerëson si një mundësi të jashtëzakonshme për të shpërndarë artin, promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të pasur një platformë ku artistët mund të shprehen lirisht dhe pa kufizime.
Pjesëmarrja e tij në këtë festival ka qenë një mësim i madh për të si krijues, duke mësuar shumë rreth adaptimit dhe qëndrueshmërisë gjatë një periudhe të ngarkuar.
“Nuk ka qenë e lehtë, sepse dialekti i botës sime të vallëzimit ka një kompleksitet të vetin dhe kërkon një angazhim fizik dhe teknik të madh. Për disa nga balerinët, ka qenë pak e vështirë të hynin në botën time, sidomos pasi ata zakonisht performojnë në pjesë klasike, por çdo sfidë më ka bërë më të fortë dhe më të thellë për ta kuptuar dhe njohur më mirë mënyrën se si mund të adaptohem në çdo situatë, pa potencuar vështirësitë që mund të has. Pjesëmarrja ime në këtë festival ka qenë një mundësi për të sjellë një kontribut të vlefshëm në këtë kontekst dhe për ta bërë Tiranën një qendër të rëndësishme për kërcimin bashkëkohor”, tregon ai.
Gent Onuzi
Kujtojmë që baleti “Emigrimi i Madh” që u shfaq në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, pati ardhur si një biografi e koreografit Azizaj që tregon për emigrimin në Greqi të cilën ai shpesh dëshiron ta trajtojë brenda krijimeve të tij, andaj dhe ky balet për të gjithmonë do ta ketë një pjesë të veçantë në jetën e tij.
Sipas tij, baleti ishte një reflektim i drejtpërdrejtë i eksperiencës së tij personale, një histori që ka thellësisht lidhje me emigrimin dhe ndikimin që ka pasur ky proces në identitetin e tij. Krijimi i tij ka ndodhur në Volkstheater Rostock, dhe ishte një projekt që ai e pati ndërtuar me shumë kujdes dhe emocion, duke përfshirë aspekte të jetës së tij dhe të luftës, për të gjetur një vend në një shoqëri të huaj.
“Një moment shumë i veçantë për mua ishte kur ky krijim u sugjerua për çmimin prestigjioz Der Faust, një çmim që nderon arritjet më të mëdha në artet skenike gjermane. Ky ishte një ndjesi shumë e veçantë, sepse për një emigrant si unë, që përballet me sfida të shumta, të njohesh dhe të vlerësohesh në një kontekst të tillë është një arritje e madhe. Jetesa dhe puna në një vend të huaj, siç është Gjermania, sidomos në këto kohë turbullirash që po kalojmë, nuk është e lehtë. Kjo është një sfidë e vazhdueshme, si nga ana sociale, ashtu edhe nga ajo emocionale”, thotë koreografi Azizaj i cili është përballur me shumë barriera, përfshirë atë të komunikimit dhe gjetjes së një hapësire ku mund të pranoheshe si një artist i huaj.
Megjithatë, përmes krijimeve të tilla si “The Great Migration”, ai është munduar t’i shpreh eksperiencat e veta dhe të bëj një thirrje për të gjithë ata që janë në kërkim të një identiteti të ri në një botë që ndryshon çdo ditë. Ky balet konsiderohet të jetë një homazh për të gjithë ata që janë larguar nga atdheu i tyre dhe për përpjekjet e tyre për të gjetur një vend në një botë që shpesh mund të duket e huaj dhe e ftohtë.
Bleri 31
Së fundi, më 17 tetor të vitit 2024, koreografi Azizaj ka sjellë “Walls” në Gorizia të Italisë. “Muret” është një fjalë e tejpërdorur, një imazh i fortë, një realitet konkret. Ato qëndrojnë për frikën, urrejtjen, përjashtimin, refuzimin, izolimin, zmbrapsjen, mohimin. Ky balet vjen si një reflektim mbi muret, si në kuptimin fizik ashtu edhe në atë metaforik. Muret janë kudo—në shoqëri, marrëdhënie, dhe ndonjëherë edhe brenda nesh, duke penguar të arrijmë atë që dëshirojmë.
“Krijimi i tij ka lindur nga një proces reflektimi dhe kërkimi, duke lidhur këtë temë me përvojat dhe ndjenjat që kam pasur gjatë kalimit përmes kufijve të jetës. Për ‘Walls’, çdo moment i krijimit ka qenë një udhëtim i thellë. Prapaskenat e krijimit janë të mbushura me periudha kërkimi dhe eksplorimi të mundësive të shprehjes. Puna me balerinët ka qenë një proces i ndarjes dhe shkrirjes së emocioneve, për të krijuar një gjuhë të përbashkët në skenë. Ky balet është një bashkim i mesazheve dhe përvojave që flasin për individët dhe shoqërinë”, thotë Azizaj.
Sipas tij, “Walls” ka shumë shtresa emocionale dhe simbolizëm që përmes lëvizjes shfaqin kufijtë që shpesh i ndjejmë dhe baleti tregon mënyrën se si mund t’i kalojmë kufijtë përmes përpjekjes dhe angazhimit. Për të, ka qenë një krijim që ka kërkuar shumë durim dhe angazhim nga të gjithë pjesëmarrësit, duke u zhvilluar tutje si një proces transformues.
“Walls” ka bërë një turne të suksesshëm për shtatë vjet që nga krijimi i tij i parë me Area Jeune Ballet në vitin 2017 si dhe konsiderohet si një balet që inkurajon publikun të shohë përtej këtyre pengesave dhe të sfidojë mënyrën se si i perceptohen ato.
Koreografi Azizaj na tregon se ky balet eksploron simbolizmin e pengesave, ndjenjat e frikës, përjashtimit dhe dëshirës, duke u mbështetur në fjalët e poetit grek Konstantin Kavafyt—“Pa marrë parasysh, pa turp, ata ndërtuan mure të larta, të forta rreth meje. Tani unë qëndroj këtu në dëshpërim.”
Pra, poeti i drejton pyetje njerëzimit: “Pse ndërtojmë mure fizike dhe emocionale?”
Louis Choisy
Koreografi shqiptar Blenard Azizaj për plot 21 vite jeton tashmë larg vendit por edhe larg skenës shqiptare. Rikthimin e plotë në skenën e Shqipërisë e sheh si diçka që duhet të ndodhë natyrshëm por dhe që varet nga shumë faktorë.
“Çdo hap në rrugëtim tim jashtë Shqipërisë ka qenë një mundësi për të mësuar dhe zhvilluar veten si artist. Nuk kam ndaluar kurrë së menduari për Shqipërinë dhe ndikimin që ai vend ka pasur në formimin tim. Megjithatë, rikthimi i plotë është një proces i natyrshëm dhe i ndërlikuar, që varet nga shumë faktorë. Kam një lidhje të thellë me vendin tim dhe gjithmonë kam qenë i hapur për mundësi që mund të sjellin një ndikim të dobishëm për skenën shqiptare”, thotë ai.
Për momentin, koreografi Azizaj vazhdon të kontribuoj me artin e tij përmes punëve që bën jashtë, dhe ai shpreson që në të ardhmen, të e gjej mundësinë për të ndihmuar më shumë në zhvillimin e kulturës dhe artit në Shqipëri.
“Ky proces i qëndrimit jashtë dhe i punës në skenat ndërkombëtare ka pasur një ndikim të thellë në krijimtarinë time, duke më mundësuar të sjell një perspektivë të re dhe më të pasur në atë që krijoj. Pavarësisht largësisë, Shqipëria ka mbetur gjithmonë një pjesë e pandashme e meje, dhe çdokush prej nesh e di se lidhjet e thella me vendin tënd janë të pandryshueshme. Ky është një udhëtim që vazhdon të ndikojë çdo pjesë të krijimtarisë time, dhe unë shpresoj që gjithashtu të mund të kontribuoj më shumë në skenën shqiptare në të ardhmen”, shpalos Azizaj.
Stili i koreografit Azizaj i përket kontemporanes. Më shumë se teknika, stilit i duhet një emocion i ndjerë që s’ka zëvendësim. Shpesh ndodh që njerëzit ta nënvlerësojnë këtë stil, duke marr parasysh se janë të mësuar me artin e baletit klasik. Koreografi Azizaj mendon që pikërisht ky stil i bashkëkohores i nevojitet publikut për të kuptuar emocionet më të sinqerta.
“Dialekti i gjuhës time të kërcimit përfshihet plotësisht tek kërcimi bashkëkohor, ku emocionet dhe shprehjet personale janë thelbësore. Baleti klasik është një formë e mahnitshme dhe me teknikë të lartë, por ndonjëherë, për shkak të njohurisë dhe traditës, njerëzit mund të kenë më shumë vëmendje për atë që është më i njohur dhe mund të mos e vlerësojnë aq shumë lirinë dhe emocionet që sjell kërcimi bashkëkohor. Për mua, kjo është më shumë se teknika – është një përvojë e ndarë me publikun, një komunikim përmes lëvizjes që shpreh ndjenja dhe histori të thella. Shumë shpesh, mund të duket se publiku ka nevojë për kohë për të kuptuar dhe vlerësuar këtë formë arti, por përpiqem ta sjell këtë stil në mënyrë që të prekë dhe të lë një ndikim të thellë tek ata. Kërcimi bashkëkohor është një hapësirë ku shprehja e ndjenjave dhe emocioneve të sinqerta bëhet prioritet, duke i dhënë mundësi artit të shkojë përtej kufijve të teknikës dhe të arrijë një nivel të ri komunikimi me audiencën”, rrëfen Azizaj.
Sa i përket atyre që dëshirojnë të ndjekin rrugën e baletit në Shqipëri apo kudo në botë, koreografi Azizaj thotë se ata duhet të jenë të duruar dhe të besojnë në pasionin e tyre, sepse baleti është një udhëtim i gjatë dhe i vështirë, por gjithashtu shumë shpërblyes.
Sipas tij, secili duhet të jetë i gatshëm të përballet me sfida, të bëj sakrifica dhe të punoj pa ndalur për të arritur qëllimet. Ai beson që përveç teknikës dhe disiplinës, është e rëndësishme që ata të gjejnë një zë të tyre, një emocion të vërtetë që duan të sjellin në skenë.
“Baleti është më shumë se thjesht lëvizje; është një formë arti që kërkon shpirt dhe pasion. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, është që të keni besim në vetvete dhe të mos hiqni dorë, sepse rruga është e vështirë, por çdo hap që bëni është një hap më afër realizimit të ëndrrave tuaja”, thotë ai.
Rowan Schratzberger
Dhe, kur bie fjala tek TKOB në Tiranë dhe zhvillimit të skenës së baletit në Shqipëri, koreografi Azizaj ka treguar se beson thellë që ky institucion ka një rol thelbësor në zhvillimin e skenës së baletit në Shqipëri.
“Është një platformë e rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e baletit si art, duke ofruar mundësi për balerinët dhe krijuesit që të shprehin veten dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në një nivel të lartë. Kontributi i Teatrit është i pazëvendësueshëm, pasi jo vetëm që mbështet shfaqje të nivelit të lartë, por gjithashtu ndihmon në edukimin dhe formimin e artistëve të rinj, që janë e ardhmja e skenës shqiptare. Megjithatë, ende ka hapësirë për më shumë mbështetje dhe investime për të mundësuar zhvillimin e vazhdueshëm dhe diversifikimin e repertorit. Më shumë mundësi për bashkëpunime ndërkombëtare dhe zhvillimit të iniciativave për të tërhequr një audiencë më të gjerë, do ta forconin më tej rolin e Teatrit si një qendër kryesore për baletin në Shqipëri”, shpalos ai.
Më 6 dhjetor, koreografi Azizaj ka dhënë premierën e radhës, projektin e ri me Area Jeune Ballet, në Centre des Arts në Gjenevë. Baleti “Terra” është një krijim i ri që eksploron lidhjen mes individëve dhe botës që i rrethon, duke theksuar përballjet me transformimin. Ky projekt trajtoi temat e shpresës duke përdorur lëvizjen për të reflektuar mbi realitetin e brendshëm të individit dhe atë kolektiv. “Terra” synon të krijojë një përvojë që flet për luftën për identitet dhe lidhjen e thellë me natyrën dhe hapësirën, ndërsa ndërthur emocionet dhe pasionet që shprehin çdo formë të qenies njerëzore.
Dhe, kur bie fjala tek balerinë dhe koreografë që ndikojnë në jetën e një artisti, gjejmë shumë emra, pasi që ata zënë një vend të veçantë tek secili artist. I njëjtë ka qenë rasti me koreografin Azizaj i cili thotë se janë disa artistë që kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në botën e baletit dhe krijimit koreografik, dhe secili mban një vend të veçantë në jetën e tij.
Sipas tij, Jiri Kylián është i njohur për aftësinë e tij për të integruar lëvizjet klasike me ato bashkëkohore, duke krijuar një harmoni të papërshkrueshme mes trupit dhe emocioneve. “Koreografitë e tij janë thellësisht poetike dhe shpesh shpërfaqin një ndërthurje të fuqishme të natyrës dhe qenies njerëzore.”
Pina Bausch, është ikona tjetër e baletit bashkëkohor. “Ajo ka revolucionarizuar baletin me “teatrin e lëvizjes”, ku lëvizja nuk është vetëm teknike, por një formë e fuqishme shprehjeje emocionale dhe shpirtërore. Dizajnimi i saj i skenës dhe përdorimi i lëvizjeve për të treguar historinë janë të papërshkrueshme.”
Mikhail Baryshnikov, për të, është një legjendë, një balerin që ka shkelur çdo kufi të mundshëm të trupit dhe ka shpërthyer çdo mundësi të artit të baletit. “Aftësia e tij për të kombinuar bukurinë e teknikës së pastër me emocione të thella e ka bërë atë një ikonë të pavdekshme.”
Rudolf Nureyev, konsiderohet të jetë i njohur për fuqinë e tij fizike dhe interpretimin emocional. “Ka qenë një emër që ka bërë histori në baletin klasik dhe ka ndryshuar thelbësisht skenën baletistike ndërkombëtare.”
Dhe për koreografin Azizaj, James Thierrée, është performeri i cili ka një qasje të jashtëzakonshme për të përzier teatrin, kërcimin kontemporan dhe cirkun, duke krijuar një botë krejt të veçantë.
Christophe Surman
Teksa ne i afrohemi fundit të kësaj interviste, koreografi Azizaj na shpalos se është shumë e vështirë që ai të e imagjinonte një arsye që do e shtynte atë të hiqte dorë nga ky profesion, sepse, për të, arti dhe vallëzimi janë pjesë e qenies së tij.
“Baleti nuk është thjesht një punë, por një mënyrë jetese, një mjet për të komunikuar, për të shprehur ndjenjat më të thella dhe për të ndikuar në botë”, thotë ai.
Megjithatë, nëse ndonjëherë do e ndiente se ky profesion po e largon nga njerëzit që ai do më shumë – familja apo partnerja – ose nëse shëndeti i tij do të ishte në rrezik serioz dhe nuk do të mund ta përjetonte këtë art si më parë, ndoshta do të detyrohej që të ndalej. Por edhe atëherë, ai beson se do të gjente mënyra të tjera për të qenë pranë artit, ndoshta përmes mësimdhënies, koreografisë ose mbështetjes së artistëve të rinj.
“Për mua, arti është si frymëmarrja – nuk mund të heq dorë plotësisht, sepse është pjesë e identitetit tim dhe mënyra ime për të kontribuar në këtë botë.”
Krejt në fund të intervistës, koreografi Azizaj ka dëshiruar që të shpreh falënderimet e tij më të thella për disa njerëz të veçantë që kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në jetën dhe rrugën e tij artistike.
“Faleminderit prindërve të mi, Nebi dhe Bukuri Azizaj, për dhuratën më të çmuar – jetën time dhe urimet e përjetshme që më kanë dhënë. Një mirënjohje e pafund për Aggeliki Siguru që më ofroj hapat e para të dansit kontemporan. Aliki Kontziu Gousa, mirënjohje të veçantë për udhëzimin dhe mbështetjen që ka pasuruar çdo hap të rrugëtimit tim. Shkolla e Shtetit të Vallëzimit të Athinës ka qenë një burim i pashtershëm dijesh dhe mundësish për t’u zhvilluar. Për këtë, ndjej falënderim të thellë dhe respekt të pafund. Dhe falënderoj të gjithë mësuesit e mi që me zemër më kanë drejtuar dhe më kanë ndihmuar të zbuloj dhe të zhvilloj potencialin tim. Një falënderim i veçantë për Pavlina Veremi, për ndihmën e saj të çmuar. Po ashtu, një mirënjohje e thellë për Angela Bushati, për durimin dhe përkushtimin e saj që më jep forcën dhe qetësinë për të vazhduar në këtë rrugë”, ka thënë Azizaj.
Fotografia në ballinë: Caroline Jiang/ KultPlus.com
Është një prej figurave publike që nuk e ka ndryshuar shumë stilin e jetës. Vazhdon të mbajë edhe sot flokë të gjata sikurse në fillimet e karrierës së tij, sikurse që vazhdon të dëshmojë guximin për eksperimentimin e ngjyrave në veshje, njësoj si në vitet e 80-ta, qoftë në skenë apo edhe në rrugë.
Vazhdon të jetojë në shtëpinë e njëjtë ku ka jetuar edhe si fëmijë, edhe pse, sipas tij brenda shtëpisë kanë bërë shumë shpesh ndryshime, me qëllim të thyerjes së monotonisë. Ka po të njëjtin numër telefoni, nuk posedon makinë dhe udhëtimet me taksi i preferon në qetësi, pa asnjë vijë melodike. Sipas tij, si defekt profesional, muzikën edhe jashtë studios vazhdon ta dëgjojë në nota dhe ky defekt e bezdisë.
Është një prej burrave më urban që njeh komuniteti artistik, dhe mendësia e tij vazhdon të krijojë ‘trazira” edhe përkundër faktit që sot ka 58 vjet. Mendësia e tij arrin të trazojë edhe mendjet e moshave të reja, të cilët, shumë shpesh e kanë kundërshtuar por edhe e kanë përkrahur në rrjete sociale si një mendje që nuk përkon me kohën dhe mentalitetin e Kosovës.
Njësoj ishte edhe në vitet e 80-ta kur pat dalë në skenë, ku shumica e konsideronin me një dukje të ‘çmendur’, dhe jo vetëm atë por edhe motrën e tij Violetën. Dhe krejt këto lëvizje atij i duken më se normale, pasi që sipas tij, gjithçka kur ndodhë në mënyrë të sinqertë, vjen edhe natyrshëm, edhe pse për të tjerët ka ardhë në një mënyrë uragani.
“Takohemi në një lokal afër furrës “Qerimi” më thotë në telefon Armend Rexhepagiqi kur merremi vesh për intervistën e fundvitit për KultPlus, dhe orientimi nëpërmjet furrës “Qerimi” vazhdon të jetë një tregues se artisti Armend Rexhepagiqi është adhurues i mënyrës së vjetër të jetesës, edhe pse, tërë kohën ma vërteton se në këtë mënyrë jetese ka bërë përditësime të vazhdueshme.
Armend Rexhepagiqi që deri vonë është ndjerë në siklet nëse i është drejtuar dikush me epitetin artist, në vitet e hershme të karrierës së tij kishte publikuar shtatë albume, prej të cilave kishin dalë hite të shumta e vazhdojnë të dëgjohen edhe sot nga gjenerata të ndryshme. Dhe krejt ky sukses ndodhi shpejt dhe rrufeshëm për të kaluar më pastaj në një qetësi afatgjate.
Përderisa këngët e tij vazhdonin të dëgjoheshin në radio, televizione, lokale, në gara të ndryshme e në formate të shumta, ai i tha stop dinamikës së karrierës si solist. 15 vjet distancë nga skena, nga interpretimet, nga paraqitjet. Kjo është koha kur artisti krijonte për të tjerët por vetën e kishte mbyllur brenda shtëpisë. Dhe këtij akumulimi 15 vjeçar si duket i ka ardhë fundi, dhe po kërkon një shpërthim, shpërthim që të tjerët po e presin me shumë interes, për mos të thënë nën vëzhgimin e llupës.
Është luftë në mos shndërrimin e vetvetes në një karikaturë
“Të shkon epiteti ‘prishës’ i patriarkalizimit” i them qysh në fillim të intervistës, duke iu referuar edhe viteve të 80-ta, por edhe të zhurmës mediatike të këtij viti që po e lëm pas.
Qesh, por e kundërshton këtë epitet. Ai më thotë se çdo gjë që ka bërë, qysh në vitet e hershme të karrierës por edhe përgjatë gjithë jetës ka qenë vetëm uni i tij jo i sforcuar, edhe pse, sipas tij tejet i pavetëdijshëm për rrethin të cilin jeton.
“Nuk kam dëshirë të bartë barrën e epitetit se unë kam thyer tabu, dhe si për ironi edhe përkundër kësaj mos dëshire, ndonjëherë vazhdon të më ndodhë kjo. Unë kam qenë gjithmonë vetvetja, dhe për mua, kur je i tillë, natyral e i pashtirur, kjo është rruga më e mirë, edhe pse më e vështira. Kam tentuar ta zbus pak këtë qëndrim timin, sikurse edhe shprehjen artistike, por me kohë e kam kuptuar se pikërisht kjo e ‘cuditshmja’ është arma ime kryesore. Të jem besnik i vetvetes. Edhe pse kjo nuk është e lehtë. Është luftë në mos shndërrimin e vetvetes në një karikaturë. Është edhe më e vështirë të qëndrosh në të njëjtën linjë prej fillimit. Dhe krejt kjo nuk është një barrë për supet e mia, sepse guxoj të them se kam një mision që duhet ta dërgoj deri në fund”, thotë Rexhepagiqi.
Edhe pse shpesh herë i paragjykuar nga të tjerët, Armendi prapë hapë zemrën për vendin e tij, për rrethin që e shoqëron, dhe për dashurinë që merr prej të tjerëve.
“Kam një ndjenjë shumë të mirë për rrethin në të cilin jetoj, është shumë e çuditshme dhe paradoksale, edhe pse vazhdojmë të jemi si shteti më i varfër në Evropë, unë prap nuk e kam këtë ndjenjë. Sepse jam i rrethuar me njerëz të mirë, me njerëz që i respektoj dhe më respektojnë, që më duan. Mua më nevojitet pozitiviteti. Ndihem shumë mirë me energjinë që e marr nga rrethi” thotë Rexhepagiqi.
Të çuditshëm në këngë e edhe më të çuditshëm në veshje
Jeta e Armendit dhe Violetës (Violeta Rexhepagiqi) të ngjason si në një guacë, ku gjithçka zhvillohet ndryshe jashtë shtëpisë dhe rrethit të tyre. Dhe po këta protagonistë, mënyrën e jetesës së tyre e merrnin shumë të mirëqenë dhe me mendësinë se të gjithë e kuptojnë mënyrën e tyre të jetuarit. Duke ndjekë trendet e botës, duke përcjellë garat e patinazhit, duke shikuar shfaqje operistike e shumë aktivitete të tjera, të gjitha këto, herë nëpërmjet Radio Televizionit të Prishtinës e herë nëpërmjet antenave satelitore, ata nuk po vërenin se po bënin një kapërcim të madh për shoqërinë. Ata po shndërroheshin në një senzacion, po shndërroheshin në rebelë, dhe jo vetëm rebelë të skenës por edhe të përditshmërisë.
Me një baba akademik dhe një nënë mësuese të matematikës, si dy fëmijë artistë të kohës së atëhershme, Armendi atributet e sukseseve të fillimeve të tyre ia adreson motrës, Violetës. Ai shpjegon se në fillimet e tij ishte më i tërhequr dhe se motra e tij i krijonte kontaktet edhe për bendet, edhe regjistrimin e këngëve në RTP por edhe të paraqitjes skenike. Kurse sa i përket krijimeve, ai kujton se krijimet i bënin bashkë.
Të çuditshëm në këngë e edhe më të çuditshëm në veshje, Armendi ato kohë i kujton pa nostalgji të madhe.
“Edhe pse, tash kur shoh disa nga fotografitë, tmerrohem. Ka qenë një rrugë më se normale për një artist deri te krijimi i identitetit, duke përfshirë edhe dukjen”, shpjegon ai.
“Nuk na linte përshtypje reagimi i të tjerëve në rrugë, është njësoj sikurse sot komentimi në rrjete sociale. Aida ime kurrë nuk i lexon komentet, unë shpesh i lexoj. Më duket e rëndësishme çfarë impakti po lë”, shpjegon Armendi duke tërheqë një paralele mes viteve të hershme të karrierës dhe ditëve të sotme.
Edhe në komente pozitive vërehej paragjykimi
Me çmime në Akorde të Kosovës e me paraqitje të shumta për rrethanat, Armend Rexhepagiqi ishte edhe pjesëmarrës në Jugovizion, garë e njëjtë me Eurovizionin e tanishëm, por atëherë në këtë festival merrnin pjesë shtetet e rajonit, garë në të cilën u prezantua me këngën “Mami, mami” e që në këtë garë doli të renditet si kënga e gjashtë në finale.
Paraqitja e tyre kishte surprizuar edhe pjesëmarrësit e atij edicioni që ishte mbajt në Zarë të Kroacisë, në vitin 1990.
“Kanë qenë shumë të surprizuar dhe kemi marr shumë komente pozitive. Por edhe në komente pozitive vërehej paragjykimi. Sepse, me atë reagimin e parë ‘woow nuk po mund të besojmë se jeni nga Kosova’ e merrnim si kompliment, por pastaj e kuptoje që po nëpërmjet atij reagimi vërehej se ishim shumë të paragjykuar. E mbaj në mend edhe komentatorin e festivalit që e patëm dëgjuar në autobus, menjëherë pas provës gjenerale ku të gjithë pjesëmarrësit po ktheheshim për hotel. Në radio kënga “Mami, mami” komentohej si kënga surpirzë e festivalit dhe si këngë favorite për fitore. Megjithatë ne nuk e zumë vendin e parë por u renditëm në vendin e gjashtë” rrëfen Armendi i cili shpjegon më tutje se për këtë paraqitje kanë pas një përgatitje shumë profesionale, një muaj prova të ushtrimit të zërit në Radio Prishtinë, pastaj angazhimi i jashtëzakonshëm i Aida Barakut dhe Xheraldina Pufjës për realizimin e kostumeve.
Nga kjo paraqitje në Zarë të Kroacisë, Armendi dhe Aida kanë kujtimin më të bukur, pasi që këngën “Mami, mami” po nga ky festival e kanë të regjistruar në një pllakë gramafoni, pllakë që e vlerësojnë si një prej kujtimeve më të mira të karrierës së tyre.
Po nëse është pikërisht kënga “Mami, mami” projekti që edhe i ka dhënë vulën e besimit për karrierën në muzikë, Armendi më thotë se është hera e parë që dikush i parashtron këtë pyetje, dhe në fakt, sipas tij, kur e mendon, po, pikërisht është kjo kënga kur edhe u ka dhënë besimin e skenës.
“Në një mënyrë po, se sikur të lëndohesha me atë paraqitje do të kishte pas një impakt tjetër në karrierën time. Dhe e konsideroj si një nga gurët më të rëndësishëm në karrierën time, jo në aspektin muzikor, edhe pse ka disa elemente të asaj kënge që i dua edhe sot, por më shumë në aspektin e përgatitjes për atë festival, që sot kur e mendojmë, sa shumë patëm punuar për atë paraqitje”, vazhdon rrëfimin Armend Rexhepagiqi.
Dolën në skenë kur shumica dëgjonte muzikë popullore, në një kohë kur dëgjoheshin tingujt e çiftelisë, gajdes e tupanëve
Po krejt në rrugëtimin artistik, Armendi dhe Aida e kanë pas të shtrirë në disa dimensione, e që i kanë shqyrtuar me shumë kujdes. Pa një tekst të mirë, pa një kompozim e orkestrim të mirë, dhe pa një paraqitje super skenike nuk e kanë menduar paraqitjen në festivale, e që këtë të fundit, Armendi e vlerëson edhe sot, sepse, sipas tij paraqitja skenike e ka fuqinë më të madhe, dhe ndonjëherë e mbulon edhe ndonjë defekt të vogël të elementeve të tjera të këngës.
Pikërisht te ky fakt, ai kujton pjesëmarrjen në festivalin “Kënga Magjike” ku edhe është prezantuar me këngën “Kur dashuria vdes” e që sipas tij, edhe pse i kanë provuar tri orkestrime, nuk ka qenë në pritjet e tyre.
“Çfarë vendosëm ne, që të bëjmë një paraqitje skenike me shumë pasion, dhe me të vërtetë ka qenë investim me shumë përkushtim, duke përfshirë edhe atë materiale. Dhe aty e kam kuptuar forcën e prezantimit skenik, dhe se ka rol shumë të madh edhe atëherë kur kënga nuk është në pritjet e tua. Edhe sot habitem se si disa këngëtarë nuk e kuptojnë rëndësinë e paraqitjes skenike, gjithçka ka rëndësinë e saj”, zbulon Armendi detaje nga fshehtësitë e skenës, po të asaj skene që kishte nxjerrë këtë artist në një kohë kur artistët më të mëdhenj ishin nga muzika popullore, me dominim nga Shkurte Fejza, Haxhi Maqellara, Shyhrete Behluli e artistë të tjerë të këtij zhanri, e pikërisht në këtë vrull të këtij zhanri muzikor, paralel me tingujt e çiftelisë, tupanëve e gajdeve, merr guximin një djalë nga Prishtina që ti sfidojë me një muzikë krejt ndryshe, dhe me një dukje edhe më ndryshe.
Dhe, sikurse që nuk e ka dëgjuar muzikën popullore, muzikë që nuk e kishte dëgjuar asnjëherë, as në shtëpi, as muzika klasike nuk ia mori plotësisht zemrën. Edhe pse kishte ndjekë shkollën e muzikës. Ai ishte i destinuar për muzikën pop, dhe kishte vendosë që po këtë rrugë ta ndiqte, edhe pse ishte i vetëdijshëm që nuk ishte duke jetuar në Londër, po në mes të Prishtinës, dhe masa vazhdonte të ishte adhuruese e muzikës popullore.
“Unë nuk kam qenë duke jetuar në Londër, dhe kam qenë shumë i vetëdijshëm që masa dëgjon muzikë popullore, por unë pata vendosë që të realizoj atë çfarë kam ndjerë. Dhe ky vendim që artisti ti mbetet besnik vetvetes është shumë i vlefshëm dhe i shtrenjtë”, tregon për kriteret e tij në muzikë, dhe habitet me disa këngëtarë që vetëm me kushtin që të mbeten në treg, pranojnë lloj-lloj kompromisi, realizojnë bashkëpunime me këngëtarë problematik vetëm që të arrijnë qëllimet, dhe pas disa muajve i shohin pasojat.
“Nuk e kuptojnë se ku është kufiri, po humbin shumë nga kredibiliteti artistik. Pastaj po të njëjtit pyesin se pse këngët e mia zgjasin aq shumë. Dhe po, kam përgjigjen, sepse janë këngë që mendohen gjatë, punohen gjatë dhe punohen pastër” vazhdon Armend Rexhepagiqi.
Selektiv në këngë, selektiv edhe në jetë
Ai vazhdon të jetë edhe më tutje një këngëtar selektiv, jo vetëm për këngët e tij, por edhe me këngët që i punon për të tjerët, sepse vetëm me këtë kujdes sipas tij mbetesh gjatë në mendjen e adhuruesve, gjithnjë duke iu referuar edhe këngëve të tij, që edhe pse me një heshtje 15 vjeçare, mbi dhjetë këngë të tij janë shndërruar në hite dhe vazhdojnë të dëgjohen edhe sot.
Por jo selektiv vetëm me muzikën, ai është selektiv edhe në jetën private. Vazhdon të mbetet një njeri që nuk është i masës, selektiv në lokalët që i frekuenton, sikurse edhe me njerëzit që bashkëpunon.
“Unë jam unë, jetoj jetën time, jam imun ndaj pasurisë materiale, më e rëndësishme është paqja ime, rehatia ime, mundësia për krijimet e mia” shprehet Rexhepagiqi i cili është edhe kundër epiteteve të elitarizimit, sikurse që është edhe për ndërlidhjen e punës artistike me atë komerciale. “Vetëm me një kusht, që komercializimi të jetë konform punës”, vazhdon ai.
Por jo gjithmonë kanë të drejtë artistët, as Armendi. Ai kujton paraqitjen e fundit në Festivalin e Gastronomisë në Prishtinë, dhe insistimin e tij që mos ta fuste në repertorin e asaj mbrëmje këngën “Harrova”, sepse, sipas tij nuk i shkonte kjo këngë asaj mbrëmje.
“E mendoja se ishte një mbrëmje me një audiencë familjare, ku konsumohej ushqim dhe se një këngë e tillë nuk i shkonte atij formati. Por me insistimin e bendit, më bindën që ta këndoj edhe atë këngë. Po pikërisht ajo këngë ishte kënga kulminante e mbrëmjes, dhe ishte një dëshmi se edhe artisti shpesh gabon, dhe se duhet të dëgjojmë edhe të tjerët”.
“Harrova” është një prej këngëve më të adhuruara nga publiku dhe është vulë e suksesit të një projekti të mirë edhe nëse nuk investon shumë në të, sa i përket promocionit. Armend Rexhepagiqi vërteton se kjo është kënga që nuk ka pas asnjëherë videoklip, nuk është kënduar në asnjë festival, dhe sipas tij nuk i kujtohet nëse është kënduar edhe në televizion, dhe megjithatë, po ajo këngë ka gjete rrugën e saj deri te publiku e që vazhdon të jetë ndoshta himni i krijimtarisë së Rexhepagiqit.
“Harrova”, “Ti nuk më meriton”, Dashurinë ku e kam”, “Shko”, “Shkel”, “Edhe një herë” , “Me kilometra”…, janë disa prej këngëve hite të artistit Rexhepagiq, e që për krijimtarinë e tij janë interesuar edhe produksione të huaja, por që Armendi ka refuzuar që këngët e tij në gjuhën shqipe ti ofrojë edhe për tregun ndërkombëtar.
Kam një bindje që mund edhe ta nënshkruaj, “KultPlus” është një medie që për vite po kujdeset që ti ruaj gjërat të cilat janë perla të vogla të trashëgimisë sonë moderne kulturore
“Kam pas ftesë nga Kroacia për dhënien e këngëve të mia, kam pas ftesë nga MTV që këngën Bileta ta ofrojë edhe në botë, sikurse që kam pas ftesë edhe nga një këngëtare turke, super të njohur dhe nuk i jam përgjigje. Gjithnjë kam menduar se unë punoj për botën shqiptare, unë punoj në shqip dhe duhet të mbesin në gjuhën shqipe. Tash pak jam penduar që nuk e kam bërë këtë, hahahaha” thotë Rexhepagiqi duke qeshur.
Ndërkohë, përderisa është penduar për mos bashkëpunimin ndërkombëtar, ai nuk është penduar asnjëherë se pse nuk e ka lëshuar Kosovën, dhe asnjëherë nuk e ka pas si opsion, as ai e as bashkëshortja e tij Aida.
Të vetmen periudhë kur janë larguar nga Kosova ishte periudha e luftës, dhe menjëherë pas përfundimit të luftës, ishin një ndër të parët që kishin kërkuar kthimin e tyre nga Franca.
“Dashuria për vendin më ka bërë të mendoj edhe për bagazhin artistik që lë pas vetes. Ëndërroj që po në këtë vend, pas një periudhe kur nuk do të jem më, ndoshta mund të krijohet një Muze i Artit Modern, në të cilin ndoshta mund të zënë vend disa nga veprat e mia. Kjo më duket ajo trashëgimia ime shumë e rëndësishme, sepse shume shpesh te ne nuk e kuptojnë konceptin e trashëgimisë. Dhe arsyeja që e dhashë këtë intervistë për gazetën e juaj “KultPlus” është po me këtë arsye. Se kam një bindje që për të cilën mund edhe ta nënshkruaj, se jeni një medie që për vite po kujdeseni që nëpërmjet fuqisë suaj ti ruani gjërat që cilat janë perla të vogla të trashëgimisë sonë moderne kulturore. Ky është caku im i fshehtë i imi që unë punoj, me të cilën jetoj, tejkaloj shumë kriza, dhe është një prej arsyeve si mund të mbetet njeriu besnik vetës ”, ka thënë ai.
Armend Rexhepagiqi po riktheheht furishëm, do të sjell album, videoklipe e ture të koncerteve
Dhe ndërkohë, kur vijmë te pjesa e rikthimit të Armend Rexhepagiqit në skenë, duket se lëvizë edhe njëherë në karrige për të dëshmuar gatishmërinë e tij në skenën e munguar për 15 vjet me radhë. Ai paralajmëron një rikthim të planifikuar me detaje, me këngë të reja të sjell në një album, këngë të shoqëruara edhe me videoklipe, album që do të pasohet me koncerte, e që do të ketë një ekip punues duke përfshirë edhe ato të rrjeteve sociale. Por e veçanta e këtij albumi është se do të ketë risi. Ne jemi mësuar ta dëgjojmë Armendin e baladave, dhe kësaj radhe ai paralajmëron një ritëm më të shpejtuar.
“Tani, pas shumë viteve jam plotësisht i lirë të punoj vetëm për vete, sepse tani për tani i kam përfunduar punët për të tjerët”, shpjegon Armendi, i cili për fatin e tij të mirë përgjatë karrierës së tij ka qenë i shoqëruar nga dy gra që e kanë mbështetë fuqishëm, në rininë e tij e motra, Violeta, e tash e 40 vjet bashkëshortja e tij Aida Baraku, që edhe për këtë album ka shkruar tekstet e këngëve, dhe jo vetëm. Dhe të bukurën e këtij albumi ai e adreson pikërisht të tekstet.
“Nëse për asgjë, do të ishte mëkat që këto tekste mos të dalin edhe në këngë. Tash sfida është që të bëjmë balancin e muzikës me vlerat e teksteve”, thotë Armendi.
“Krejt ky album po vjen si reagim ndaj dashurisë së njerëzve që më kanë dhënë për këto vite, edhe përkundër tërheqjes sime si solist. Është edhe një përmbushje e imja shpirtërore, por edhe një mbështetje e madhe e Aidës që shumë shpesh më ka thënë se si nuk më vjen keq prej adhuruesve”, thotë Armendi.
Ai këtë rikthim po e vlerëson si momentin më adekuat, duke iu referuar edhe pjekurisë artistike, dhe se sipas tij, është momenti i jetës së tij kur edhe mund ti këndojë në mënyrën sikurse edhe e ka ëndërruar, live.
Ai edhe njëherë e argumenton se nëpërmjet këtij albumi po vjen po me të njëjta kritere, atë të vlerave, pasi që sipas tij, ai është aq i pjekur artistikisht që ta dijë se edhe si mund ta shndërrojë një album viral, por që nuk është në kërkim të virales, por në kërkim të përmbushjes shpirtërore.
Edhe pse e vërteton se në këtë album do të ketë edhe disa duete, ai për asnjë moment nuk deshi të zbulojë emrat e artistëve që do të marrin pjesë në këtë album, sikurse që nuk ka paralajmëruar datë se kur mund të publikohet albumi, përpos asaj se është duke punuar shumë që sa më shpejt të publikohet.
Dhe, përderisa po rikthehet artisti që e adhurojnë të rinj e të vjetër, është i gatshëm edhe për një sfidë. Ai do të synojë përfaqësimin e Kosovës në Eurosong, qoftë si kompozitor apo si solist, në një kohë kur edhe Kosova do të merr të drejtat për pjesëmarrje.
Ndërkohë, se a do të duhet presim gjatë për pjesëmarrjen e Kosovës në Eurosong, Armend Rexhepagiqi duke qesh na thotë se ai është i ri, dhe se ka kohë dhe durim për të pritur…. / KultPlus.com
Humori është elementi kryesor që ia ka hapur çelësin drejtë dyerve të suksesit në jetë. Për të shkuar drejtë atyre dyerve, njerëzit bëjnë çmos, por ka mjaftuar humori i mirëfilltë që ka shoqëruar gjenerata të ndryshme në trevat shqiptare, për të përmbushur brendësinë shpirtërore të Fatmir Spahiut. Aktor i ekranit, teatrit dhe producent kosovar, ai është një figurë e veçantë, pas së cilës qëndrojnë shumë role e shumë prodhime të jashtëzakonshme. I shquar për rolin e tij si protagonisti Orhan Bobaj në serialin e mirënjohur, ‘Kafeneja jonë’ e deri tek roli i tij si producent që ka rezultuar në themelimin e shtëpisë filmike “Buka Production”, ai ka dhënë një kontribut të lartë në fushën e artit, kulturës dhe kinematografisë.
Me pseudonimin “Bufi”, ai qysh nga seriali “Kafeneja jonë” (2004), ka qenë një magjistar i humorit, magjitë e të cilit janë shfaqur shumë lehtë. Nuk është zhveshur nga pëlhura e dikujt tjetër për të hyrë në rolin e “Orhanit”, por brendësia e tij është shfaq në pah, duke i shndërruar momentet e përditshmërisë në jehona të qëndrueshme kualitative që janë përcjellë nga familje të shumta shqiptare. Bufi vjen si një mjeshtër i zgjuar, karakteri i të cilit ka balancuar shpirtin, zemrën, dinjitetin dhe humorin. Humori i tij ka rezonuar shumë me audiencën, dhe kësisoj është arritur një formë kënaqësie në kaosin e përditshëm të jetës. E qeshura e tij të bënte të qeshje edhe vetë. Ai nëpërmjet rolit të tij ka krijuar një urë lidhëse me audiencën e serialit “Kafeneja jonë”, mbi të cilën rrinin zgjuar shumë familje shqiptare.
Por, që ky serial do të kishte jehonë kaq të madhe, nuk e ka menduar as vetë ai. Për hir të sinqeritetit, ai nuk e ka paramenduar që për këtë projekt do të flitet kaq gjatë. Ky fakt e bën atë që të ndjehet tepër mirë dhe për më tepër, ndjen një lumturi shtesë kur edhe fëmijët që janë lind pas serialit, vazhdojnë akoma ta shohin atë.
“Secili prej nesh ka edhe shumë projekte tjera, të suksesshme e mjafte prezente, por ‘Kafeneja jonë’ kishte një magji tjetër. Ne kemi fillu me kriju komedi dhe është pranuar mirë, njerëzit kanë qeshë me ne dhe ne jemi kënaq me këtë fakt”, thotë ai.
Sipas tij, ka pasur shumë reagime prekëse, por veçanërisht reagimet nga fëmijët janë më të paharrueshmet, sidomos vizitat në spitale.
“Takimet në spitale janë diçka që kur më kujtohen, mua akoma më dhemb zemra. S’kam bërë më vizita të tilla, nuk mundem.”
Si aktor dhe producent, relativisht aktiv nga paslufta, ai ka përjetuar edhe mënyrën konvencionale të të berit serial apo film, edhe këtë mënyrën sot, pra të bërit diçka për internet. Këtë ai e cilëson si diçka që ka mundësuar promovimin e punës së bërë para dekadash duke e bërë prezente dhe të paharrueshme.
Para pjesëmarrjes në serialin ‘Kafeneja jonë’, Bufi ka pasur edhe shumë role në teatrin Dodona dhe atë Kombëtar, por pastaj ai kaloi edhe në fushën e filmit dhe televizionit. Por, roli i Orhanit mbetet roli që i ka dhënë prezencën më të madhe në jetë.
“Familjet kosovare ditën e hënë, pas lajmeve e kanë identifiku me serialin ‘Kafeneja jonë’, kjo tregon mjaftueshëm”, thotë ai, i cili tutje tregon se skena në Kosovë është e vogël, e kultivuar dhe marrëdhënia me publikun është shumë e afërt andaj dhe publiku nuk pranon gjithçka.
“Atëherë kur pranohesh do të thotë se nuk të largojnë lehtë”.
Një nga “meme-t” e preferuara të tij është “Shkallt shkallt..”, por ai beson që më të mirat janë ato që patën ndodhur nëpërmjet improvizimit e në të cilat përfshihet edhe politika, biznesi dhe estrada. Çdo ditë, çdo moment ka qenë i jashtëzakonshëm për të.
Në anën tjetër, është pikërisht Bufi ai i cili shpesh krijon humor dhe në llogari të vetvetes, duke e përdorë edhe fizikun e tij si shembull, gjë që jo çdokush mund ta bëjë. Kjo dëshmon për faktin se ai nuk krijon komedi vetëm për ekranin, por edhe për skenën e jetës. Roli i tij ka gëzuar zemrat e mijëra njerëzve, por qenia e tij ka mbushur shpirtërisht edhe zemrat më të thyera në rrjetet sociale. Bufi shpesh mishërohet me një humor sa të guximshëm, aq edhe të vetëdijshëm. Shakatë i kthen në diçka vetëpërçmuese dhe bart mbi supe papërsosmëri që gjenden edhe brenda plotë njerëzve të tjerë të cilët nuk e kanë forcën për t’iu bë ballë komenteve. Nëpërmjet të qeshurave, qofshin ato për ekran apo jo, Bufi ka krijuar një hendek në shpirtin e atyre që zë nuk kanë por zërin e gjejnë tek statuset e tij në rrjetet sociale. Bufi na rikujton se humori është art, dhuratë e dhënë e jetës që duhet shfrytëzuar në mënyrat më të bukura.
“S’ka si bëhet ndryshe. Nëse bën humor në llogari të vetës, të jepet një të drejtë të vogël që të bësh edhe në llogari të të tjerëve. Nuk kam dhe nuk kam pasur ndonjë individ, humorin e të cilit e kam ndjek ose diçka të tillë. Unë në çdo punë që e bëjë, inspirohem nga përditshmëria, jeta. Nëse puna ime ka arrit me thye ndonjë stereotip, atëherë më vjen mirë. Publiku gjithmonë e ndjen energjinë time dhe në këtë kohë kur kemi një krizë gjigante televizive në Kosovë, komunikimi përmes rrjeteve mbetet një zgjidhje kompromisi”, thotë Spahiu.
Sipas tij, e “meta” e vetme që njerëzit mund të kenë është pjesa e trurit dhe çdo gjë tjetër mund të jetë vetëm vetëkufizim.
“Është në natyrën time toleranca dhe baraspeshimi në çdo gjë, pos në ushqim. Prej krejt gjallesave në tokë, i vetmi është njeriu që është zhvilluar mjaftueshëm për të bërë baraspeshë dhe për të ndarë të saktën nga e gabuara. Shpesh më vjen të shprehem rëndë, për tema të rënda, por kur ndalem e mendoj, them se ndoshta më mirë ta lë ‘nesër’”, thotë Spahiu.
Ekziston një lloj dashurie që kanë fëmijët kur Bufin e shohin në rrugë apo kudo. Dhe kjo pjesë e përmbushë atë më së miri.
“Asnjë reagim pozitiv nuk më përmbushë më shumë sesa ai i fëmijëve. Edhe pse, dorën në zemër, s’kam punuar shpesh ndonjë gjë që bëhet enkas për ta, por serialet kanë bërë që të kem një prezencë edhe tek kjo moshë, dhe kjo më bënë të ndihem shumë mirë”, tregon Spahiu, i cili njashtu ka marr pjesë në spektakle të ndryshme që për bazë kanë pasur kauzë bamirësie, ndaj të cilave është munduar të dhurojë një kontribut përmes përfshirjes dhe angazhimit. Ai ato i quan “mirëpërdorim i popullaritetit”.
Nga roli i aktorit, ai kaloi në rolin e producentit. Spahiu dikur ka gdhendur buzëqeshjen me fytyrën e tij, ndërsa tani ai e gdhend nëpërmjet artit të produksionit. Ai ka evoluar zanatin e tij, duke e kthyer një faqe jetësore tutje me kalimin e tij nga para kamerës në pas saj. Spahiu u bë një arkitekt i historive të treguara por edhe të patreguara. Ai, tani, nëpërmjet shtëpisë filmike “Buka Producion” orkestron ëndrrat ndryshe, duke i quar ato në një shkallë më të lartë. Gërsheton narrativa që kapërcejnë kufijtë. Udhëtimi i tij artistik tregon shumë për transformimin e nevojshëm jetësor për një artist.
Spahiu tanimë është një vizionar dhe ai ka prodhuar disa nga filmat më të mirë si: “Distant Angels”, “Cold November”; film i cili pati rrëmbyer çmimin e audiencës në Zurich Film Festival dhe është prezantuar në shumë festivale ndërkombëtare të filmit të cilat kanë rezultuar me dy çmime dhe tre nominime, e po ashtu është filmi i parë i prodhuar në këto troje që mund të shihet në platformën Netflix, “Illyricvm”; filmi i parë për ilirët ku i shohim ilirët të ecin, të flasin, të ekzistojnë e që pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Pula, “Sirin”; filmi kandidat i Malit të Zi për Oscar-in e 96-të të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit në kategorinë e Çmimit Ndërkombëtar të Filmit në vitin 2023, “Escort”; premierën botërore e pati në Festivalin e Filmit në Pula.
“Është një moment interesant që kalova në produksion. E vërteta është se unë qysh në fillim kam pas një dëshirë ndërmarrëse. Qysh në studime i blija shfaqjet e mija pastaj organizoja turne të tyre nëpër qytete. Por në vitin 2008 pata vendos me hapë produksionin Buka. Dëshira dhe nevoja për të dalë jashtë kufijve shqipfolës ka qenë njëra prej arsyeve. Por, natyrisht edhe pjesa biznesore që kryesisht vjen nga punët audiovizuale siç janë reklamat etj”, ka thënë Spahiu.
Sipas tij, aktrimi dhe prodhimi janë dy gjëra që lidhen shumë me njëra-tjetrën.
“Ka shumë aktorë në botë por edhe regjisorë që dikur bëhen edhe producent. Si aktor ti kënaqesh më pak me suksesin kolektiv, kënaqësia e aktorit shpesh është “egocentrike” kurse nga pozicioni i producentit, ti ke një kënaqësi më të përgjithshme. Të kënaq loja e aktorit, performanca e drejtorit të fotografisë, të kënaq edhe shoferi i mirë në set. Pra, është diçka më madhore, më kolektive”, tregon ai.
Ai tutje ka thënë se e ndjen veten se nuk është tamam një producent konvencional dhe i saktë. Ai mendon se nuk është as një producent nëse flitet se si funksionin një i tillë.
“Unë jam pra një artistoproducent intuitiv, ku marrëdhënia njerëzore në mes të regjisorit dhe producentit është në plan të parë. Dashuria për skenarin është në plan të parë dhe asnjëherë numrat.”
Ajo se çka e tërheq atë më së shumti drejt një projekti të caktuar është skenari dhe ëndrra e përbashkët me regjisorin dhe pjesën tjetër të ekipit. Dhe, të qenit një aktor, do të thotë se ke mësuar një perspektivë tjetër brenda artit të produksionit.
“Në çdo punë pra edhe në prodhim, nëse ti nga një projekt nuk del me një mik më shumë sesa që kishe para tij, atëherë nuk ke bërë asgjë. Në anën tjetër, unë realisht besoj në brezin e ri, edhe pse në Kosovë jemi të gjithë brez i ri. Por, së fundmi kam lexuar disa skenarë mahnitës dhe me shpresë që do t’i shoh tek realizohen”, tregon tutje Spahiu, i cili pastaj thotë se i vetmi problem për të luajtur një rol tani si aktor, tanimë mbetet tek pjesa konsumuese që ka roli i producentit mbi të.
Sipas tij, nuk ka asnjë përfitim nga kjo fushë përpos honorarit si producent i filmave të llojit që bëhen nga shtëpia filmike ‘Buka’.
“Ka lavdi dhe vetëpërmbushje. Shembull si producent; disa nga filmat e mi janë prezantuar atje ku diplomacia nuk ka asnjë shans për të depërtuar. Ka pasur momente kur shtetet mosnjohëse na kanë prezantuar si: Fatmir Spahiu nga Repbulika e Kosovës, e shumë gjëra të tjera që nuk maten me të hyra materiale”, tregon ai.
Gjithashtu, filmi “Luna Park” është projekti më i fundit që vjen në bashkëprodhim me shtëpinë filmike ‘Buka’ (producent Fatmir Spahiu Bufi), derisa në rol kryesor është edhe aktorja nga Kosova Adriana Matoshi së bashku me Orion Jolldashin.
Filmi është dhënë Premierë Rajonale në Festivalin e 65-të Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, dhe po ashtu ka qenë pjesë e edicionit të 55-të të Festivalit të Filmit Ndërkombëtar në Indi, GOA.
“Filmi ‘Luna Park’ është filmi i fundit i shfaqur në të cilin unë jam bashkëprodhues me Shqipërinë si shteti kryesor prodhues i këtij filmi. Jam jashtëzakonisht i lumtur sepse ky bashkëpunim ka sjellë një super aktore kosovare në një rol kryesor të një drame të jashtëzakonshme e emotive të cilën audienca mbarëshqiptare do ta dashuroj. Rolin kryesor e luan Adriana Matoshi kurse Florenc Papas është regjisori dhe skenaristi. Besoj në fund të muajit Janar, ky film do ta ketë premierën e vetë në Kosovë”, shpalos Spahiu.
Së shpejti, pritet edhe premiera e radhës së një bashkëprodhimi tjetër filmik, të titulluar “Vidra” me skenar të Stefan Boskovic e regji të Srdjan Vuletic, në të cilin luan edhe vetë aktori Fatmir Spahiu. Përkatësisht, premiera pritet të jetë në fillim të vitit 2025 dhe në këtë projekt merr pjesë edhe shtëpia filmike ‘Buka’ nën petkun e Fatmir Spahiut.
Krejt në fund të kësaj interviste, aktori i ekranit, teatrit dhe producenti kosovar, Fatmir Spahiu, ka thënë se viti 2024 për të ka qenë një vit i mirë, i qetë dhe i shëndetshëm. Ai lexuesve të KultPlus-it u ka uruar një vit të mbarë, ndërsa ka falënderuar ekipin e KultPlus për punën e madhe që bëhet për kulturën./ KultPlus.com
Violina, ky simbol i ndjenjave më të thella që pasqyron bukurinë e shpirtit të njeriut, nuk i shkon për shtati askujt më shumë se sa instrumentistes supreme Sihana Badivuku, e cila mbretëreshën e orkestrës tashmë e ka shndërruar në një zgjatim organik të gjymtyrëve të saj, si një medium për të kanalizuar hyjnoren në tokë përmes pëshpërimave më sublime siç janë tingujt.
E diplomuar në Konservatoriumin “Çajkovski” në Moskë, në një nga institucionet më prestigjioze të arsimit muzikor, nën mentorimin e profesorëve më eminentë botëror, Sihana Badivuku- “Paganini shqiptar” vazhdon të impresionojë publikun në çdo paraqitje të saj. Një virtuoze si ajo që me përkushtim dhe dashuri për muzikën përthith vëmendjen në magjinë e saj skenike, lartëson publikun në vlera të kultivuara ndër shekuj nga më të zëshmit e periudhave të ndryshme të muzikës klasike. Kushdo që nga afër ka rastin të mrekullohet duke shijuar një prezantim të saj, mund ta gjejë veten të përhumbur në pyetjen nëse ajo i përshtatet madhështisë së instrumentit të violinës, apo violina mjeshtërisë së saj artistike asaj?
“E di që gëzimi më i madh në jetën time më ka ardhur nga violina”, është një shprehje e gjeniut Albert Einstein. Si duket thellësinë dhe sekretin e kësaj shprehjeje violinistja Badivuku e paskësh kuptuar shumë herët. Këtë “gëzim” të cilin mund ta ketë përjetuar vet ajo, përmes fisnikërisë së saj është kujdesur që ta pasojë edhe te gjeneratat tjera përmes punës si pedagoge. Që nga viti 1992 ajo është pjesë e Universitetit e Prishtinës, ku përgjatë 31 viteve nga duart e saj kanë dalë një “ushtri” violinistësh që tashmë janë pjesë e dy institucioneve bazë në vend, Filharmonisë dhe Operës së Kosovës. E përveç tyre, si rrjetë janë të shpërndarë edhe mbi 50 profesorë në shkollat e muzikës anekënd Kosovës, filli i së cilës rrjetë gjendet pikërisht te duart e saj të arta.
Foto: Nika Holcl Praper
“Në vitet e hershme të fëmijërisë sime unë isha tepër e mbyllur (introverte) dhe sinqerisht mund të ju them që violina, muzika dhe dalja në skenë gradualisht më hapën si karakter dhe tek në moshën e pubertetit fillova të shprehem shumë më lirshëm, dhe karakteri im edhe në jetë të përditshme të hapet dhe të komunikoj e transformohem në ekstroverte”, ka thënë Badivuku në intervistën e fundvitit për KultPlus.
Rrugëtimi i saj artistik ka filluar qysh në moshën 7-të vjeçare, kur babai i kishte dhuruar violinën e parë. Ndonëse një gjë e tillë mund të ketë filluar edhe më herët, qysh me dëgjimin e tingujve të parë të muzikës klasike në shtëpi, e ndoshta edhe më herët, si një informacion i gatshëm i bartur gjenetikisht nga përvoja e babait të saj violinist profesionist.
“Padyshim, ndikimi i të dy prindërve, nënës sime Pranvera Badivuku (kompozitore për fëmijë, e këngëve popullore dhe zbavitëse ) dhe babait, Hysen Badivuku, (violinist në orkestrën popullore dhe Simfonike të RTP dhe poashtu kompozitor) ishin shtyllë dhe bazë për fillimet e para si dhe për përzgjedhjen e violinës si instrument”, ka thënë Badivuku duke cekur edhe një element të rëndësishëm për kuriozitet të lexuesve, faktin që edhe nëna e saj Pranvera deri në moshën 17 vjeçare ka marrë leksione mbi violinën.
Badivuku, violinistja me talent të spikatur, që ka depërtuar në zemrat e publikut gjithandej nga ka interpretuar tregon se momentet kyçe kur vërtetë e kanë sqaruar vizionin se violina do të bëhej pjesë e rrugëtimit të saj jetësor kanë qenë rezultatet e garave të violinistëve në ish -Jugosllavi, ku është vlerësuar me çmime të Para dhe Absolute në Lubjanë, Sarajevë dhe Herceg Novi, përgjatë moshave 11- 15 vjeçare kur ajo ishte ende nxënëse e shkollës së muzikës në Prishtinë.
Pas një hulumtimi të thellë për shkollat më të mira të violinës, në moshën 16 vjeçare, për shkak të direktivave të regjimit të atëhershëm ajo arriti të regjistrohej në Konservatoriumin Shtetëror “P.I.Çajkovski” në Kiev të Ukrainës, ku mbas një viti me ndihmën e gjyshit të Rita Orës, Osman Bajraktarit, ajo u transferua në Moskë, poashtu në Konservatoriumin “Çajkovski”, aty ku kishte qenë synimi i saj.
Badivuku me krenari tregon që pas këtij transferimi u pranua në klasën e prof.Eugenia Çugajeva, dhe se në provim pranues i është dashur të përballet me emrat e violinistëve botërorë si: Viktor Pikajzen, Igor Bezrodni, Irina Boçkova,V.Belinki,Valeru Klimov, Medvedeva e Zinaida Gilells që konsiderohen personalitete legjendë të pedagogjisë violinistike botërore. Në këtë institucion ka përfunduar edhe studimet Master në moshën 23 vjeçare.
Foto: Nika Holcl Praper
Pas përfundimit të studimeve, ajo u rikthye në atdhe për të dhënë kontributin dhe përvojën e jashtëzakonshme të pedagogjisë e veçanërisht të koncertimit, që mori në Moskë jo vetëm nga ligjëratat por edhe nga koncertet e shumta të yjeve botërore të muzikës klasike. Si studentë e publik ishin rritur profesionalisht duke e “thithur” rrezatimin e performancave të artit kulmor, andaj ajo sot e kësaj dite është ende e patejkalueshme.
Më shumë se sa instrument për të violina paraqet një gjendje të brendshme shpirtërore, e cila zbërthehet nëpërmjet notave muzikore në vartësi të gjendjes emocionale dhe veprave që luan. Sipas shijeve të saj muzikore i pëlqen të performoj Barok, Klasicizëm e Romantizëm, por edhe rryma të tjera të kompozitorëve të shekullit XX-XI, me theks të veçantë veprat e kompozitorëve shqiptarë.
“Violina është identiteti im, religjioni im, shprehja më sublime e shpirtit dhe zemrës, filozofia ime e jetës dhe fuqia ime e cila më ndihmon ti përballoj vështirësitë e shumta që i hasim në jetë si private ashtu dhe ato profesionale”.
Foto: Fahredin Spahija
Mjeshtrja e instrumentit harkor thotë se një interpretim i jashtëzakonshëm dhe i pa paharrueshëm për publikun mundësohet kur artisti në skenë arrin me që me anë të tingullit të pastër, shprehjes emocionale, karakterit të veprës së kompozitorit me shumë lehtësi dhe magnetizëm të depërtojë te shumica e publikut në sallë.
“Komunikimi artist-publik duhet të jetë tepër i veçantë dhe për këtë arsye asnjë performancë dhe frazë muzikore nuk është e “përsëritshme”, secila dallon nga frymëmarrja dhe energjia e “atij momenti” që interpreton artisti në skenën koncertale”, ka thënë artistja që ka impresionuar publikun për 40-të vite në mijëra koncerte të mbajtura brenda dhe jashtë vendit.
Me interpretimet e saj, ku ajo bëhet një me violinën përmes ndjeshmërisë së saj, me emetimin e tingujve të pastër, pa asnjë gabim teknik, përmes një intonacioni të përsosur, dinamike të larmishme dhe me fraza të artikuluara, duke prezantuar vepra të vështira me lehtësi dhe elegancë të paparë SI HANA përmes shkëlqimit të saj vazhdon të jetë e pozicionuar aty ku i takon, në qiellin e vet, e rrethuar me shumë yje. Pos në Kosovë, interpretimet e saj shtrihen edhe në Maqedoni, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Itali, Rusi, Finlandë, Irlandë, Spanjë, Slloveni dhe SHBA.
Foto: Arben Llapashtica
Gjatë këtyre katër dekadave karrierë, violinistja ka pasur edhe shumë çaste të paharrueshme lidhur me interpretimet e saj, të cilat edhe sot e kësaj dite ruhen të freskëta në kujtesë. “Është një vajzë e vogël shqiptare që luan shumë mirë në violinë” është një fjali që sa herë e kujton ia mbush zemrën plotë, me të cilën një profesor i mirënjohur violine në Zemun ju kishte rekomanduar shumë profesorëve të shkollave të tjera të shkonin me patjetër ta dëgjonin violinisten Badivuku gjatë performancës së saj në një interpretim garues.
Si moment të shënjuar e cilëson edhe interpretimin e saj në gara Ballkanike në moshën 15 vjeçare, ku ka marrë pikët maksimale pas një vendimi unanim nga juria me emra që janë skalitur në historinë e shkollës violinistike të asaj kohe në rajon, të cilët pas duartrokitjeve frenetike të performancës së saj kanë shkuar ta urojnë edhe personalisht.
Edhe koncerti në Vatikan i Filharmonisë së Kosovës me rastin e Shenjtërimit të Nënës Terezë për të ka qenë ndër më të jashtëzakonshmit. “Ishte koncert dhe projekt voluminoz, i cili është inicuar dhe udhëhequr nga producentja Diana Toska. Të gjithë artistët që performuam në këtë atmosferë magjepsëse reflektuam shumë energji të posaçme pozitive e artistike dhe këtë moment dhe ndjenjë të papërshkruar nuk do ta harrojmë”.
Sigurisht, jeta kujdeset që si për çdo kënd tjetër të shtojë një dozë sfidash edhe në jetën e më të talentuarve dhe më të suksesshmëve të kohës.
Dalja në skenë me një gjendje jo të mirë shëndetësore, në koncertin solitik të vitit 1997 “Õsterriesche Rundfunk Philharmonie -Vjenë”; rrëzimi një ditë para koncertit kamertal në Kosova KamerFest 2000, ku iu thyen dy dhëmbë dhe iu deformua nofulla; pauza tre dhe nëntë muajshe para koncertit të Diplomës në ish BRSS si shkak i ftohjes së muskujve të duarve, si dhe koncertimet e shumta ku ka qenë pothuajse pa gjumë 48 orë për shkak të pagjumësisë konstante të djalit të saj me autizëm, janë momente të vështira të karrierës së saj, para të cilave asnjëherë nuk është dorëzuar.
Violinistja thotë se gjatë sfidave të shumta njeriu ndonjëherë mund edhe të dëshpërohet dhe të vërë në pikëpyetje nëse ka bërë zgjedhjen e duhur për profesionin e tij. “Çdo artist i ka përjetuar “dyshimet” por patjetër i hulumtojmë rrugët më të drejta të jetës për të vazhduar më tutje në këtë rrugëtim jetësor artistik.
“Non stop më kumbojnë fjalët e profesoreshës sime E.Çugajeva e cila në raste të vështira më këshillonte “Tani Sihana e dashur, është tepër vonë të mos merresh me këtë profesion, nuk ka kthim prapa sepse ke hyrë në “valle” dhe duhet të vazhdosh më tutje”, ka thënë Badivuku duke shtuar se dashuria pafund për muzikën i ka dhënë fuqi ti tejkaloj “baticat dhe zbaticat e jetës”.
Bashkëpunimet më kolegë janë një aspekt tjetër jetësor që i japin kuptim jetës së saj, në mesin e të cilëve janë: Teuta Pllana, Lejla Pula, Bertrand Giraud,Vaida Kirvelyte, Yesim Gökalp, Desar Sulejmani, Klevis Gjergji, Dhurata Lazo, Shkëlzen Baftiari, Daniela Dikova, Kristina Laço, Zana Badivuku-Basha, Ermir Krantja, Frank S.Dodge, Aristidh Prosi, Antonio Gashi, Blerim Grubi, Fraim Gashi, Mihi Kim dhe Venera M.Kajtazi.
“Ndikim shumë të thellë në zhvillimin tim si violiniste padyshim ka pasur bashkëpunimi profesional 20-të vjeçar me pianistin amerikan, Derek Han dhe pianisten Maja Kastratoviç me të cilën do ta shënojmë 30-të vjetorin e bashkëpunimit gjatë vitit 2025”.
Foto: Adil Razali
Përvojën e saj me institucionin të lartë të muzikës në vend, Filharmoninë e Kosovës, në të cilin për vite me radhë ka qenë koncert mjeshtër, e cilëson si përvojë të mrekullueshme. Si momente të veçanta të cilat i kanë sjellë ndjenja të thella lumturie kanë qenë interpretimet në koncertet e tre viteve të fundit.
“Mund të veçoj koncertet e tre viteve të fundit me Filharmoninë e Kosovës në Prishtinë e Bankok, me Korin e Filharmonisë së Kosovës me Veprën “Fantasia Concertante” për violinë dhe kor të kompozitorit Rafet Rudi në Prishtinë, Tiranë dhe Romë”, ka thënë Badivuku duke shtuar se edhe interpretimet përkrah studentëve të saj e lumturojnë pafund.
Profesoresha Badivuku me mburrje flet për studentët e saj të cilët vazhdojnë ta bëjnë krenare me paraqitjet e tyre brenda dhe jashtë vendit.
“Jam tejet krenare që këto 31 vite punë pedagogjike në UP ka dalë një “ushtri “e violinistëve, me ish nxënës e studentë të mi që tani janë pjesë e dy orkestrave të institucioneve bazë të Kosovës, Filharmonisë së Kosovës & Operës së Kosovës, por edhe përtej 50 profesorëve në shkollat e muzikës kosovare si pedagoge, ku me mburrje e them që janë produkt i imi i shkollës violinistike kosovare”, ka thënë profesoresha e cila është themeluese e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës-Kosova KamerFest dhe Konkursit Ndërkombëtar të muzikës klasike-ArsKosova.
Sihana Badivuku në fund të kësaj interviste jep edhe një mesazh të veçantë në prag të Festës së Vitit të Ri 2025, drejtuar brezave të rinj që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e saj:
“Ndiqeni intuitën dhe atë çka ju udhëzon zemra juaj dhe reflektoni dashurinë ndaj profesionit (muzikës, artit dhe jo vetëm),hulumtoni dhe fitoni eksperienca jashtë Kosovës me këtë profesion, por më pas kthehuni dhe kontribuoni në Shtetin tuaj Kosovën”, ka thënë Badivuku.
(Fotografitë tjera të përfshira në tekst janë realizuar nga: Vigan Nimani, Arben Llapashtica, Nika Holcl Praper, Sasa Huzjak) / KultPlus.com
Granit Musliu, një tenor i ri nga Kosova, është një emër që po tërheq vëmendjen në skenën operistike ndërkombëtare. I lindur dhe rritur në një ambient ku muzika popullore shqiptare ishte pjesë e pandashme e jetës familjare, ai ka arritur të transformojë pasionin e tij në një karrierë të suksesshme ndërkombëtare. Nga hapat e tij të parë në muzikën folk deri te performancat në disa nga teatrot e mirënjohura të Evropës, udhëtimi i tij ka qenë dhe vazhdon të jetë i mbushur me punë të palodhur, sakrifica dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, shkruan KultPlus.
Me një talent të spikatur, Granit Musliu është sot pjesë e shtëpisë operistike “Bayerische Staatsoper” në Mynih, një nga teatrot më të njohura në botë. Në një intervistë për KultPlus, ai flet për fillet e tij në muzikë, përvojën e tij në këtë fushë, sfidat që ka hasur dhe planet për të ardhmen. Përmes një qasjeje inspiruese dhe frymëzuese, ai ndan mesazhe për të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë të ndjekin karrierën në muzikën klasike dhe operë.
Për Granitin, bashkëpunimet me figura të mëdha të operës, si Placido Domingo dhe Ermonela Jaho, kanë qenë gjithashtu momente të veçanta që kanë pasuruar karrierën e tij. Takimi dhe bashkëpunimi me Domingo ishte një moment përcaktues, jo vetëm për emocionet që kjo ngjarje i ofroi, por dhe për njohjen që artisti spanjoll kishte për Kosovën dhe për këngëtarët e saj. Po ashtu, ai tregon për ndarjen e skenës me Jahon, duke e cilësuar atë një figurë të shquar të kulturës shqiptare dhe një model frymëzimi për të rinjtë.
Në intervistën e tij, Musliu shpreh shpresat për të ardhmen e operës shqiptare dhe për mundësitë që ekzistojnë për të rritur prezencën e saj në skenat ndërkombëtare. Ai beson se Kosova ka artistë me potencial të madh dhe se është në rrugën e krijimit të një kulture operistike më të fuqishme, përmes festivaleve dhe aktiviteteve të ndryshme. Graniti ka gjithashtu planet për të sjellë një koncert solistik në Kosovë, për t’u rikthyer dhe ndarë me publikun e tij të ngrohtë atje. Së bashku me planet e tij për performanca të reja në disa nga teatrot më të njohura evropiane, ai dëshiron të vazhdojë të zhvillojë karrierën e tij dhe të sjellë më shumë artistë shqiptarë në vëmendjen ndërkombëtare.
Në vijim mund të lexoni intervistën e Granit Musliut, dhënë për KultPlus:
KultPlus: A mund të na flisni fillimisht për fillimet tuaja, si dhe se ku dhe si nisi lidhja juaj me muzikën? Kush ishte shtysa që ju shtyu të ndiqni këtë profesion?
Granit Musliu: E gjithë kjo ka filluar nga dashuria që babai im kishte për muzikën, duke qenë vetë performues i muzikës popullore shqiptare. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe për mua, pasi muzika, me të gjitha rrymat e saj, ishte e pranishme thuajse gjithmonë në shtëpi. Kështu, unë vazhdova dhe thellova traditën që babai kishte kultivuar, kryesisht në muzikën popullore.
KultPlus: A keni pasur artist të zhanrit tuaj që mund të themi se ka qenë një frymëzim për ju për të vazhduar rrugën drejt zhvillimit në muzikë, dhe veçanërisht në muzikën klasike?
Granit Musliu: Fillimisht, nuk kisha shumë lidhje me muzikën klasike dhe operistike, por pas regjistrimit në Shkollën e Mesme të Muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, mësuesja dhe këngëtarja lirike Zana Abazi Ramadani më mori në klasën e këndimit operistik, ku dhe nisi rrugëtimi im si këngëtar lirike.
KultPlus: Duke ditur se tani karriera juaj numëron performanca në disa nga rolet më të njohura dhe të dëshiruara nga çdo artist, cilat janë disa nga sfidat që keni hasur gjatë rrugëtimit tuaj dhe si i keni përballuar ato?
Granit Musliu: Si artist i ri, por me ëndrrën për të pasur karrierën që kam tani, sfidat kanë qenë shumë të mëdha. Fillimisht, ka qenë shumë e vështirë kur mora vendimin për të studiuar në Universitetin e Muzikës në Hamburg, një hap jetik për mua, por që erdhi me sfidën e madhe të vetëfinancimit të këtij rrugëtimi. Pas dy vitesh mundimesh në studime, u ftova të jem pjesë e programit të artistëve të rinj në operën më prestigjioze të Gjermanisë, Bayerische Staatsoper në Mynih, ku edhe sot performoj dhe jam pjesë e ansamblit të solistëve. Për të përballuar çdo sfidë të botës së artit, kam punuar me një angazhim të jashtëzakonshëm, dedikim dhe dashuri.
KultPlus: E dimë që tani jeni pjesë e “Bayerische Staatsoper”. Si u bëtë pjesë e kësaj shtëpie operistike dhe sa mendoni që ka ndikuar ky moment në zhvillimin tuaj si artist?
Granit Musliu: Bayerische Staatsoper është një nga qendrat më të mëdha të artit operistik në botë, me rreth 600,000 vizitorë çdo vit. Përvoja dhe cilësia që ky teatër më ka ofruar janë themeli i një karriere shumë të suksesshme.
KultPlus: Karriera juaj numëron edhe bashkëpunime me artistë të mëdhenj, ndër të cilët është edhe Placido Domingo. Sa mendoni se ka ndikuar ky bashkëpunim në karrierën tuaj dhe a mund të na ndani emocionet që keni përjetuar pas këtij momenti?
Granit Musliu: Në jetën time kam ëndërruar të kem mundësinë të takoj Placido Domingo dhe t’i tregoj kush jam. Për një këngëtar lirike, dhe veçanërisht për një tenor të ri si unë, që vjen nga një vend që nuk ka një traditë të fuqishme operistike, ky ka qenë një moment i jashtëzakonshëm. Emocionet ishin të përziera, por në bisedën me të, u ndjeva krenar që Domingo tashmë e njihte vendin tonë, pasi kishte bashkëpunuar me disa artistë të tjerë nga Kosova.
KultPlus: Gjithashtu, ju keni ndarë skenën edhe me artisten e mirënjohur Ermonela Jaho. Si ka qenë për ju të ndani skenën me një tjetër shqiptare të suksesshme?
Granit Musliu: Ermonela Jaho është një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare. Tek ajo, çdo njeri sheh vetëm art dhe dashuri. Jam shumë i lumtur që do të performojmë së bashku përsëri në muajin mars të vitit që po vjen.
KultPlus: Përveç angazhimeve me “Bayerische Staatsoper”, cilat janë planet tuaja të ardhshme si tenor? A ka ndonjë projekt të veçantë që po përgatitni?
Granit Musliu: Në sezonin që po vjen, do të performoj në disa skena të rëndësishme operistike me role të mëdha, si Alfredo në “Traviata”, Duka në “Rigoletto”, Fenton në “Falstaff”, etj. Do të debutoj në Hamburg, Lausanne, Kopenhagë dhe në disa qendra të tjera të rëndësishme evropiane.
KultPlus: Si e shihni të ardhmen e operës shqiptare dhe çfarë mund të bëhet për të përmirësuar prezencën e saj në skenat ndërkombëtare?
Granit Musliu: E ardhmja e skenës kulturore shqiptare e shoh me shumë shpresë. Kosova ka prodhuar tashmë disa zëra magjikë dhe ka artistë me karriera të suksesshme ndërkombëtare. Po ashtu, është në procesin e krijimit të një kulture operistike më të fuqishme me festivale të ndryshme, masterklasa për të rinjtë dhe aktivitete të tjera.
KultPlus: A keni ndonjë plan për paraqitjen tuaj si solist në ndonjë projekt në Kosovë? A mund të na ndani më shumë informacione për planet tuaja?
Granit Musliu: Po, në Kosovë premtoj se do të kthehem së shpejti për publikun tonë të ngrohtë, me një koncert solistik, i cili do të jetë një rikthim pas disa vitesh në skenën europiane. Të gjitha informacionet dhe datat do të publikohen më vonë.
KultPlus: Duke e ditur se jeni akoma në zhvillimin e karrierës suaj, cili është një nga teatrot që ju ëndërroni që të performoni?
Granit Musliu: Teatri që është ëndërr e çdo artisti lirike dhe i imi gjithashtu, është ‘Scala’ e Milanos dhe ‘Metropolitan’ i Nju Jorkut. Por në fund, ëndrrat realizohen vetëm me punë dhe dashuri!
KultPlus: Cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë të ndjekin karrierën në muzikën klasike dhe operë?
Granit Musliu: Në intervistën time kam provuar të bëj një paralele mes ëndrrës, sakrificës, punës dhe dashurisë për artin, duke nënkuptuar se çdo gjë është e mundur! Andaj, uroj që të shohim çdo ditë e më shumë këngëtarë dhe muzikantë shqiptarë në skenat ndërkombëtare, sepse kështu kontribuojmë në rritjen e standardit dhe kulturës të vendit tonë!/KultPlus.com
“Primordial Passion” është ora e parë e prodhuar në hapësirat shqiptare nga mjeshtri i madh i artit të punimit të metaleve dhe gurëve të çmuar, Pirro Ruço. Ajo nuk është thjeshtë një orë. Konsiderohet KRYEVEPËR, dhe e tillë është. Në një diameter 46.5 milimetra paraqitet identiteti kulturor i një kombi të tërë. Në popull është emërtuar edhe si “Ora Shqiptare” që në një kuptim dytësor personifikon mbrojtjen e Shqipërisë, pasi thellë thellë paraqet një harmoni të paparë të të gjitha trojeve shqiptare, bukuria e së cilës qëndron te dallimet e tyre si në traditë, kulturë, fizionomi dhe gjithçka tjetër që përkufizon secilin rajon.
Përveç, elegancës dhe bukurisë së rrallë të paraqitur në formë skulpturore në miniaturë dhe filozofisë mbi unitetin dhe shpirtin e popullit shqiptarë, unikaliteti i saj qëndron edhe në gërshetimin e mjeshtërisë tradicionale me teknologjinë moderne, si pasojë e një vizioni që e mat kohën me bukurinë e përjetshme, duke tejkaluar trendet e të përkohshmes.
“Primordial Passion” flet shqip përmes tik-takeve të saj, të cilat burojnë nga zemra e shqiponjës së stilizuar, e cila qëndron stoike mbi mbretëreshën kohë. Rreth saj, e praruar në ar paraqitet një skenografi folklorike perfekte e dymbëdhjetë vallëtarëve shqiptarë, që përfaqësojnë dymbëdhjetë rajone të ndryshme të Shqipërisë etnike, të cilët përmes kostumografisë autoktone nxjerrin në pah tipologjinë dhe psikologjinë e veçantë të secilës zonë.
Këmbët e shqiponjës përfaqësojnë akrepat e orës, rreth së cilëve qëndrojnë katër instrumentistë që luajnë me lahutë, fyell, gajde dhe çifteli duke krijuar një simfoni perfekte për valltarët që vallëzojnë mbi një mozaik artistik gurësh kuq e zi. E tërë kjo gjendje ruhet përmes një kupole të kristaltë, e cila rri mbi këtë solemnitet kombëtar si mburojë për të mos e dëmtuar nga ‘faktorë të jashtëm’. Ndërsa, korona e kurdisjes që përfaqëson një kapitel të antikitetit ilir, e dekoruar me gjethe të dushkut, paraqet një epokë historike e cila e kurdis rrjedhën e ngjarjeve pasuese dhe të simfonisë shqiptare.
Për të krijuar një kryevepër të tillë sikurse e mjeshtrit Pirro Ruço është e qartë që një personi do t’i duhej një vizion, vullnet, pasion dhe një atdhedashuri e madhe, por mbi të gjitha do t’i duhej të ishte i biri i një babai që ka qenë mjeshtër i madh i shumë zanateve, në mënyrë që kjo mjeshtëri artistike t’i ngjizej në identitet krejt natyrshëm, që nga lojërat fëmijërore në atelenë e punës të së atit, në fshatin Kuqovë.
Në gdhendjen e tij si artist edhe fati e luajti rolin e vet, ngase në kohën kur Shqipëria ishte në një kaos social dhe në një mishmash politik asokohe presidentit i mungonin edhe medaljet dhe dekoratat tjera me të cilat do të jepte vlerësim për një kontribut të caktuar. Kështu, si një artist fillimisht i afirmuar pas krijimit të stampës së Enver Hoxhës përmes një pantografi të cilin e kishte krijuar vetë në shtëpi, si një sajim për t’i shpëtuar internimit, e më vonë edhe si një artist i dëshmuar përmes ekspozitës së parë me punime të arit në Tiranë, argjendtarit Pirro iu dha leja që të merrej edhe me këtë pjesë.
Prej atëherë ai do të perfeksiononte artin e tij shkallë- shkallë për tu shëndrruar në artistin e të gjitha krijimeve që përfshijnë medalje, dekorata, çmime e trofe për të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të Shqipërisë. Në dy dekadat e fundit ai e arriti kulminacionin e tij si artist pasi u specializua edhe në artin e bizhuterisë duke arritur nivele të larta në dizajn dhe teknologji.
Në këtë kulminacion të karrierës së tij, një vizitë e realizuar në Baselworld në vitin 2014, në një nga panairet më të rëndësishme në botën e orëve dhe bizhuterive për të do të paraqiste një pikëkthese të madhe në aspektin e zgjerimit të vizionit të brendit të tij “Pirro”. Mjeshtri i artizanatit aty ishte mrekulluar aq shumë sa zemra dhe mendja e tij i kishin ngelur te mjeshtëria mekanike dhe shpikjet novatore të industrisë së orëve.
“Ky moment ndezi një pasion të ri brenda meje. Fillova të vizitoja çdo panair orësh, duke u përkushtuar në krijimin e një ore që nuk ishte bërë kurrë më parë. Synimi im ishte të krijoja diçka që do të pasqyronte artizanatin dhe pasionin tim të thellë. Investova në makineri të fundit zvicerane dhe fillova eksperimente të reja. Krijimi i një ore që do të pasqyronte gjithçka që unë përfaqësoja ishte një sfidë e madhe, por njëkohësisht edhe një mundësi e jashtëzakonshme”, ka thënë Ruco, duke treguar se kjo eksperiencë në Zvicër e kishte ngacmuar thellë dellin e tij për të krijuar orë për herë të parë në Shqipëri, si dhe një të tillë që nuk ishte realizuar ende në botë, si mënyrë e vetme për të çarë në tregun ndërkombëtar.
“Kjo eksperiencë më frymëzoi të nis një projekt të ri artistik, ku do të krijoja një orë që nuk ishte realizuar kurrë më parë. Me këtë projekt, kam dashur të ndërthur identitetin kulturor shqiptar me vizionin unik të kompanisë sime. Krijimi i kësaj ore, që përfaqësonte këtë sintezë, u bë një qëllim ambicioz që më drejtoi në një udhëtim të jashtëzakonshëm krijues”, ka thënë Ruço, duke shtuar se arti është një pasion që të ngërthen në vazhdimësi nga i cili nuk mund të ndalesh së kërkuari dhe krijuari origjinalitet të bazuar në një masë eterne që rrjedh përmes ndjesive të tua si individ.
Megjithëse ideja për një krijim të tillë unik i ishte shfaqur më vonë, krjimtaria artistike me motive kulturore që e nderon trashëgiminë e popullit, kanë qenë një stil i punës që e kishte përcjellë argjendtarin përgjatë 30-të viteve të tij të karrierës. Kjo përvojë e shtresuar dhe e mjeshtëruar vit pas viti padyshim ka qenë e duhura që ai të krijojë besim te vetja për të krijuar “orën mbretëreshë” dhe për të konkurruar me brendet më të fuqishme botërore, që shpesh janë edhe me prirje komerciale, përmes këtij monumenti identitar.
“Për mua, valltarët folklorikë simbolizojnë energjinë, unitetin dhe shpirtin e popullit shqiptar. Duke i integruar ata në dizajnin e kësaj ore, qëllimi im ishte të sjell në jetë këtë frymë kolektive, e cila është thelbësore për historinë dhe identitetin tonë. Çdo figurë është konceptuar për të mishëruar psikologjinë dhe elementet unike të këtyre rajoneve, duke i pasqyruar ato përmes veshjeve tradicionale, shprehjeve dhe psikologjisë së secilit portret”.
Dëshira e tij për të krijuar një orë që do të pasqyronte trashëgiminë kulturore shqiptare në një mënyrë unike dhe artistike u pasua nga një studim i thelluar i traditave kulturore të rajoneve shqiptare dhe i elementeve që mund të përfshiheshin në dizajn. Pas kësaj, ka filluar puna mbi konceptin e figurave dhe detajeve që do të shfaqnin veshjet tradicionale dhe shprehjet e valltarëve folklorikë.
“Pasi koncepti u formua, kaluam në fazën e dizajnit dhe krijimit të prototipit. Gjatë kësaj kohe investova në makineri moderne dhe teknologji më të fundit zvicerane. Kjo fazë kërkoi shumë kohë për testim dhe përsosje, për të siguruar që çdo detaj të ishte i përsosur”.
Gjatë krijimit të “Primordial Passion”, përballja me sfida të ndryshme padyshim që ka qenë e pashmangshme, pasi për të ishte një përvojë e papërjetuar më parë. Momentet kritike dhe sfidat kanë qenë prezente deri në ditën e fundit për shkak të detajeve të imta që kërkonin shumë kohë e precizion, si dhe për shkak të problematikave teknike.
Për të ndërtuar mozaikun kuq e zi që shërben si bazë e figurinave është dashur që në tavolinën e punës të preheshin 20 mijë gurë Murano, prej të cilëve janë përzgjedhur 1500, ata më të përshtatshmit për të krijuar një vendosje me saktësi të hatashme në një hapësirë ndërmjet gurëve me tolerancë më pak se 3 mikronë – një nivel precizioni që thekson mjeshtërinë, durimin dhe përkushtimin e punës së tij në plotësimin e mozaikut artistik.
Edhe gdhendja jashtëzakonisht precize e valltarëve folklorikë në një madhësi prej prej vetëm nëntë milimetrash, ka kërkuar një nivel të lartë mjeshtërie dhe vëmendjeje ndaj detajeve, për të siguruar që çdo mikro-figurinë të përçonte denjësisht etnografinë dhe kustomografinë shqiptare.
“Gjatë përballjes me këto sfidë, më janë dashur netë e netë pa gjumë duke bërë kërkime të thella si dhe investime të konsiderueshme në makineri të avancuara zviceriane. Ky proces kërkonte një angazhim të plotë dhe një përkushtim të madh deri në sakrifica, por rezultati në fund ja vlejti. Sfidën më të madhe në këtë projekt e kisha me veten, ku gjithë kohës mendoja si do ta mbyllja këte orë në mënyrën më perfekte”, ka thënë Ruço.
Çdo figurinë ka një lartësi prej 9-10 mm, me detaje të cilat ruajnë origjinalitetin e një vepre skulpturale, ku secila prej tyre ka tipologji dhe kostumografi të veçantë. Ky mikro-mozaik përmban 1500 gurë në tetë ngjyra të ndryshme, të cilat janë pozicionuar gati në perfeksion një e nga një nga artisti Ruco. Kasa e orës përbëhet prej ari të verdhë 18 karatësh me diametër 46.5 milimetra, që së bashku me kristalin harkor prej zafiri të kupolës arrin një lartësi rreth 22 mm. Ora në tërësi karakterizohet nga tre ngjyrëshi arbënor: E artë, e zezë, e kuqe.
“Përfundimi i kësaj ore ka kërkuar shumë angazhim, përkushtim dhe përpjekje për të realizuar çdo detaj, dhe fakti që ia dola ta sjell në jetë një krijim kaq të veçantë është një arritje e madhe për mua. Ndjenja e kënaqësisë është e paçmuar, sepse çdo fazë e procesit ishte një mundësi për të mësuar dhe për t’u zhvilluar si artist. Kjo orë nuk është vetëm një produkt, por një dëshmi e pasionit dhe e përkushtimit tim për mjeshtërinë dhe artin”.
Sigurisht, një realizim kaq i vështirë dhe kaq i jashtëzakonshëm si ky ka impresionuar edhe arenën ndërkombëtare, dhe kjo gjë paraqet një ndjenjë të veçantë krenarie për mjeshtrin Ruco. Gazetarët më të famshëm të specializuar në fushën e horologjisë e kanë vlerësuar shumë nivelin e detajeve dhe mjeshtërinë e orës, si dhe përpjekjen për të përçuar kulturën dhe historinë shqiptare përmes një dizajni të tillë.
“Ora është promovuar në shumë publikime të huaja, gjë e cila më bën jashtëzakonisht krenar. Promovimi i orës në shumë media prestigjioze ndërkombëtare më ka mbushur dhe inspiruar. Ajo që më ka lënë më shumë mbresa janë reagimet që e krahasojnë “Primordial Passion” me orët e markave më të famshme botërore, si për mjeshtërinë dhe precizionin, ashtu edhe për origjinalitetin. Disa ekspertë e kanë cilësuar si orën më emocionuese dhe të papritur të vitit, një zbulim të jashtëzakonshëm që ka sfiduar përceptimet e luksit dhe artizanatit në botën e horologjisë”.
Ora “Primordial Passion” është një vepër unike, e vetëmja në llojin e saj. Vlera e saj është CHF 1,200,000, megjithëse për vetë artistin i cili ende refuzon ta shesë, vlera e saj nuk ka çmim sepse në të janë të përmbledhura pesë vite jetë, punë durim dhe sakrificë. Kjo vepër është menduar për një grup të ngushtë koleksionistësh dhe adhuruesish të veprave të rralla, të cilët çmojnë artizanatin dhe lidhjen me identitetin kulturor.
“Edhe pse kemi pasur disa interesime, ora ende nuk është shitur. Për mua është shumë e vështirë ta shes, pasi për mua ajo është e paçmueshme. Megjithatë, jemi të hapur për mundësi dhe po presim të gjejmë koleksionistin e duhur që do ta vlerësojë me të vërtetë, përveç disa kërkesave serioze që kemi tani”, ka thënë mjeshtri Ruço, i cili për pesë vite i ishte shmangur krejtësisht punës në argjendtarinë e tij, duke ia bartur këtë pjesë bashkëshortes Ortencës dhe së bijës Albës, e cila është e kualifikuar në pjesën e gurëve të çmuar.
Meqë ora është një përfaqësim i artit, historisë dhe mjeshtërisë, Ruco dëshiron që mbajtësi i saj të ndjejë se është duke mbajtur një vepër unike dhe të veçantë, që ka një domethënie të thellë dhe një lidhje me identitetin kulturor. Për më tepër, mjeshtri dëshiron që ata të ndiejnë një ndjesi ekskluziviteti dhe elegance, duke pasur diçka që nuk mund të gjendet askund tjetër.
Nëse “Primordial Passion” do të fliste edhe me zë, do të tregonte për një krijues të përkushtuar ndaj mjeshtërisë dhe artit, që nuk ka frikë të sfidojë veten për të arritur perfeksionin. Do të fliste për pasionin dhe krenarinë që mbart çdo detaj, për dashurinë për krijmtarinë artizanale dhe për dëshirën për të sjellë një pjesë të historisë dhe identitetit në këtë krijim.
“Kjo orë do të tregonte për një individ që beson në fuqinë e artit për të përçuar mesazhe dhe ndjenja që kalojnë përtej kohës dhe hapësirës”.
Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm artisti planifikon të krijoj më shumë vepra unike në të ardhmen. Qëllimi i tij është të vazhdoj të prodhoj ora dhe koleksione që kombinojnë mjeshtërinë tradicionale me inovacionin modern, duke sjellë elemente të reja që i japin zë historisë dhe indentitetit shqiptar. “Çdo krijim do të jetë një vepër arti e personalizuar, që ka si synim të ruajë autenticitetin dhe të ofrojë një përvojë të paharrueshme për çdo klient”, ka thënë Ruço.
Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, artisti ka theksuar edhe rolin i krijimeve artizanale që sipas tij është më i rëndësishëm se kurrë, pasi shërben si një kundërpeshë ndaj automatizimit dhe vlerave komerciale. Sipas tij puna artizanale ofron autenticitet dhe vlera emocionale duke krijuar kështu një lidhje më të thellë midis krijuesit dhe konsumatorit- diçka e cila është e vështirë të kopjohet nga teknologjia.
“Teknologjia është një mjet për detyrat teknike, por kreativiteti duhet të mbetet në duart e njeriut. Megjithatë, artizanët nuk mund ta injorojnë plotësisht teknologjinë; por të mësojnë si ta integrojnë atë në punën e tyre për të qëndruar të rëndësishëm në treg. E ardhmja e krijimeve artizanale qëndron në harmonizimin e inovacionit teknologjik me parimet e përjetshme të mjeshtërisë artizanale duke ruajtur kështu trashëgiminë ndërkohë që përqafon modernitetin”, ka thënë Ruço.
Për fund, artisti Ruço ka dhënë një këshillë për krijuesit e rinj që aspirojnë të hyjnë në industrinë e orëve, për të gjetur një balancë mes inovacionit teknologjik dhe parimeve të përjetshme të mjeshtërisë artizanale.
“E ardhmja e orologjisë qëndron në harmonizimin e këtyre dy aspekteve. Magjia e një ore nuk qëndron vetëm tek precizioni dhe mekanizmi i saj por dhe tek historia, imagjinata dhe emocioni që ajo përcjell. Ndërkohë që industria vazhdon të evoluojë, është e rëndësishme të përdorim teknikat moderne pa humbur esencën e artit tradicional. Talenti i vërtetë qëndron në komunikimin e elegancës dhe thjeshtësisë, dhe ky është sekret i orologjisë si një formë arti që sheh përpara, ndërkohë që mbetet e lidhur ngushtë me të kaluarën”, ka thënë Ruço./ KultPlus.com
Në botën magjepsëse të artit të lëvizjes, emri i Sabrije Spahiut zë një vend të veçantë. E lindur në Mitrovicë më 1960, Spahiu do të niste që në moshë të re rrugën drejt baletit, rrugë kjo që që u shoqërua me shumë punë, sakrificë dhe mbi të gjitha, me ndjenjën e mohimit e të ndalimit, shkruan KultPlus.
Në një intervistë për KultPlus, Sabrije Spahiu ka shpalosur mes emocionesh momente të rëndësishme të karrierës së saj, duke përfshirë sfidat e të qenit ndër artistet e para shqiptare në këtë fushë dhe ndikimin që arti i baletit ka pasur në jetën e saj. Ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë artistike dhe rolin që ajo vetë ka luajtur në krijimin e një baze të fortë për brezat e rinj të artistëve kosovarë.
Lidhja e saj me baletin filloi në qytetin e saj të lindjes, Mitrovicë, një qendër kulturore dhe artistike që ka nxjerrë emra të shumtë të artit shqiptar.
“Mitrovica ka qenë qendër e kulturës, dhe natyrisht, kjo ka ndikuar në zhvillimin tim si artiste. Hapat e parë të baletit i mora pikërisht aty, kur në vitin 1972 u hap një studio baleti, dhe aty filloi gjithçka. Fillimisht ishte një dëshirë e një fëmije, por kurrë nuk e mendoja se baleti do të bëhej pjesë e pandashme e jetës sime,” tregon Spahiu.
Ajo kujton momentet e para të përballjes me artin e baletit me një emocion të veçantë. Ishte e vetmja shqiptare në studion e baletit dhe momenti kur veshi këpucët e baletit, iu duk sikur po fluturonte. “Më kujtohet se në shtëpi njihesha si balerina e shtëpisë dhe gjithmonë duhej të improvizoja ato që mësoja në studio. Për familjen time, kjo ishte diçka e jashtëzakonshme”, thotë Spahiu, teksa ndan kujtimet e fëmijërisë dhe kontaktin e parë me baletin.
Kushtet dhe rrethanat e asaj kohe në Kosovë, në mungesë të një dege të veçantë të baletit, e detyruan atë që studimet drejt përsosmërisë së këtij arti, t’i vazhdojë në Qendrën e Baletit dhe Operës në Shkup. U diplomua në vitin 1978, me temën mbi “Vallëzimin e Karakterit Botërër dhe Vallëzimin Historik”, moment ky që do t’ia jepte fillesën e një karriere të ndritur, të bazuar në themele të forta profesionale.
“Gjatë studimeve të mija në Shkup, përveç lëndëve të tjera, i kemi pasur edhe pesë lëndë profesionale ku të gjithë valltarët dallohen me diçka. Profesorët e kanë vërejtur që jam më shumë valltare karakteri dhe në karakterin botëror mësohen të gjitha vallet karakteristike të botës. Unë kam qenë soliste në një valle moldave, pastaj edhe në vallet historike siç janë minuetat. Ndoshta për shkak se jam përshtatur më shumë këtij karakteri, edhe profesorët më kanë propozuar që të përzgjedh këtë lloj teme”, tregon Spahiu, teksa flet për temën me të cilën u diplomua.
E zhytur nën petkun e melankolisë dhe nostalgjisë që kujtimet e asaj kohe i dhanë, Sabrije Spahiu rrëfen se ndonëse periudha kur ajo vendosi t’i përkushtohej artit të baletit mund të kishte shoqëruar paragjykime, nuk e ka ndjerë kurrë peshën e tyre. Përkundrazi, ajo kujton me krenari se si vendimi i saj është pritur me admirim dhe mbështetje nga të rinjtë e asaj kohe.
“Unë nuk e kam ndjerë ndonjëherë idenë e paragjykimit, madje ishte e kundërta, jam parë me shumë admirim nga shumë të rinj dhe kam ndjerë përkrahje pothuajse nga të gjithë,” tregon ajo.
Gjithashtu, ajo përmend edhe vështirësitë gjatë shkollimit në Shkup, ku plani mësimor zhvillohej në gjuhën maqedonase dhe integrimi në një shoqëri të re paraqiste një sfidë më vete. Në një moment dëshpërimi, kur ishte gati të dorëzohej, ishte këshilla e babait të saj që e frymëzoi dhe i dha forcë të vazhdonte.
“Ai më tha, ‘Ti duhet ta mbarosh, edhe atë me sukses, sepse ne duhet ta bëjmë shtetin, t’i kemi të gjitha profesionet’”, tregon ajo, duke shtuar se këto fjalë u bënë udhërrëfyese dhe jo vetëm që përfundoi me sukses këtë fazë të rëndësishme të edukimit të saj, por edhe kontribuoi në ndërtimin e një tradite artistike që sot është burim frymëzimi për brezat e rinj.
Pas studimeve, në vitin 1979 Sabrije Spahiu iu bashkua Teatrit Popullor Krahinor të Prishtinës, një periudhë plot sfida për artin dhe kulturën kosovare. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi pasionin e saj.
“Në atë kohë, trupa e baletit nuk ishte e kompletuar, luheshin disa kolazhe, por jo ndonjë shfaqje shumë e madhe. Në vitin 1979 ju bashkëngjita trupës dhe për fat të mirë u dha edhe baleti i parë në skenën e teatrit e që ishte ‘Halili dhe Hajria’, e kjo ka qenë diçka madhështore për mua. Njëkohësisht, kjo shfaqje na dha edhe vulën e e rrugës, të vazhdojmë më tutje. Ishte një balet shumë i vështirë, me pesë akte dhe teknikisht ishte shumë i vështirë, por punuan shumë koreografët, e ajo na dha jetë për të vazhduar përpara”, tregon Spahiu.
Kur kujton përvojën e saj në baletin “Halili dhe Hajria”, Sabrije Spahiu shprehet me emocion: “Është një kujtim i jashtëzakonshëm, kujtim jetësor, sepse ne i njihnim gjithë baletët botërorë, por baleti shqiptar ishte diçka e veçantë për neve, se lidhej shumë me kulturën tonë, me karakterin. E njëjta ndjenjë ishte edhe në rishfaqjen e këtij baleti në 50-vjetorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, edhe më madhështore për shkak të trupës më të madhe të baletit,” përfundoi ajo
Gjatë karrierës së saj, Spahiu ka interpretuar shumë role, por disa prej tyre kanë mbetur të paharrueshëm. “Një ndër rolet që më ka pëlqyer më shumë ishte ai te ‘Bukuroshja e Fjetur’. Kam luajtur gjithashtu edhe role djemsh, në mungesë të balerinëve të rinj, që ishte shumë interesante për mua. Një rol që kujtoj me ëndje është roli i Gjonit në shfaqjen ‘Piter Pan’. Por një nga momentet më të vështira ishte kur roli kryesor i nuses në një shfaqje u ndërpre para premierës për arsye të okupimit serb,” rrëfen ajo.
“Ka qenë shumë e vështirë, sidomos për mua, sepse isha në moshën 32-vjeçare, në kohën kur kisha mundësi që më së shumti të jap për artin dhe aty ndërpritet gjithçka dhe ishte një dëshpërim i jashtëzakonshëm sepse është baleti një art që nuk mund ta mbash pa ushtrime çdo ditore edhe pse ne bëmë përpjekje maksimale që ta mbajmë gjallë, megjithatë, ishte e pamundur që të vazhdohet më tutje”, shprehet Spahiu duke rrëfyer dhimbjen që la pas periudha e okupimit serb, teksa ajo ishte në periudhën më të artë skenike.
Për Sabrijen, periudha e okupimit serb ishte një nga sfidat më të mëdha si artiste, mirëpo pavarësisht kësaj, ajo rrëfen se u riktheyen pas shumë përpjekjeve. Baleti u rikthye me shfaqjen ‘Fylltari’, e kjo sipas saj është e gjitha meritë e Ahmet Brahimaj.
Pas largimit nga teatri në vitin 1992, Sabrije Spahiu mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Komiteti i Helsinkit në Stokholm, ku ndau përvojat e saj dhe dhimbjen e artistëve shqiptarë gjatë atyre viteve të vështira.
“Në vitin 1995, pas largimit nga teatri, mora një ftesë nga Komiteti i Helsinkut në Stokholm për të folur për situatën kulturore në Kosovë dhe aty gjatë bisedës kur e sheh, kur del jashtë dhe e sheh se ku ka arritë bota dhe ti kur je i ankohesh për punën tënde elementare ishte e dhimbshme dhe shpërtheva në vaj, e kjo la përshtpje shumë të fortë tek organizatorët. Gjatë fjalimit u shpreha se unë sot do të doja të isha mysafire e skenës dhe fatkeqësisht jam mysafire e tavolinës. Kam menduar se arti i lëvizjes është arti më i fuqishëm njerëzor, por ne largohemi vetëm pse jemi shqiptarë, e kjo la impakt të fortë tek ata”, tha mes emocionesh Spahiu.
Sabrije Spahiu, së fundi pati edhe shfaqjen përshëndetëse me rolin e nënës në shfaqjen ‘Arrëthyesi’. Ajo shprehet se ky ishte një moment tejet i veçantë i karrierës së saj, dhe sigurisht, falënderoi drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, që sipas saj dha një shembull se si duhet vlerësuar puna e një figure që ka kontribuar shumë për një institucion.
“Kur më telefonoi Sinani që unë të luaja rolin, u habita, ndonëse roli i nënës nuk ishte teknikisht shumë i vështirë dhe e pranova. Vërtet ishte një ndjenjë shumë e mirë, me një provë 10-ditëshe, luajta më pas në premierë. Vërtet e ndjeva veten në rolin e nënës, sepse të gjithë balerinët u gëzuan shumë dhe më trajtonin si të tillë, një ndjenjë e jashtëzakonshme, e për këtë e falënderoj shumë Sinanin. Më erdhi shumë mirë sepse sot njerëzit po largohen nga institucionet pa përshëndetje”, tha mes tjerash ajo.
Sot, Sabrije Spahiu ndjen krenari për trashëgiminë që ka lënë në baletin kosovar dhe vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e talentëve të rinj përmes studios së saj të baletit. Kjo studio ka tash ed 22 vite në funksion, e që sipas Spahiut, më shumë ka qëllim që të krijojë një njësi mbi këtë art fisnik se sa të zbulohen talentët e rinj.
“Pas hapjes së shkollës së gjeneratës së parë, nuk ishim të gjthë të angazhuar sepse ishte vetëm një paralele dhe unë e pashë të nevojshme që ta hapi vetë një studio. Fillova me studion e parë. Me studio është më vështirë të punohet sepse nuk ka seleksionim dhe të gjithë ata që e duan baletin mund të bëhen pjesë. Fillova e para dhe të them të drejtën programet tona kanë qenë shumë origjinale. Ndër vite kemi pasur edhe paraqitje të shumta, ndër to është edhe shfaqja ‘Thirrja për paqe’ që edhe sot e asaj dite e kam në repertor. E vërteta është se jo të gjithë kanë talent apo do të bëhen balerinë, mirëpo rëndësi ka që të krijohet ndjesia e këtij arti fisnik, elegant e domethënës.”
Gjithashtu, ajo vlerëson lart potencialin e trupës së baletit, megjithatë sipas saj, institucionet duhet të punojnë më shumë në infrastrukturën e baletit.
“Është e ditur që Kosova ka shumë talentë, megjithatë e gjitha kjo varet edhe prej institucionet tona, se sa po punojnë ato për këtë trupë të baletit. Trupa jonë e baletit nuk ka një sallë adekuate, bëjnë provat sa një vend sa një vend tjetës. U bënë 25 vite që kur u kthye funksioni i teatrit dhe sot nuk e kemi një teatër të operës së baletit. Ka ide, por asnjëra nuk po përkthehet në praktikë. Megjithatë kjo gjeneratë ka një potencial shumë të fortë, megjithatë e gjitha varet nga infrastruktura”, pohoi Spahiu, duke shtuar se sot patriotizëm është që të krijosh kushte për artin.
E krejt në fund, Sabrije Spahiu ka një mesazh të qartë për brezat e rinj: “Shfrytëzoni potencialin tuaj rinor sa më mirë që të jetë e mundshme dhe mos e lini pasionin të zbehet përballë sfidave. Arti është një thesar që duhet kultivuar dhe mbrojtur./KultPlus.com
Në moshën pesë vjeçare, e vogla Sibora Resyli, tashmë violiniste e madhe, ka zbuluar pasionin e saj të thellë dhe të përhershëm për muzikën, një pasion që u rikthye në një pjesë të pandashme të jetës së saj. Si shumë fëmijë të tjerë, ajo nisi të merrej me këngë e vallëzime që në kopsht, mirëpo ajo që e dallonte ishte dëshira e saj e pashtershme për artin, që do të lulëzonte me kalimin e kohës. Aty ishte hapi i saj i parë i një rrugëtimi në botën e muzikës, një rrugëtim që do ta dërgonte në skenat vendore e deri në ato ndërkombëtare, duke shënuar sukses pas suksesi.
“Pasionin tim për muzikën e zbulova në moshën pesë vjeçare, ku kam qenë vazhdimisht e angazhuar në këndim dhe vallëzim”, u shpreh Sibora.
Sibora, e cila tani është një violiniste e re, por që premton shumë, filloi të luante me violinë që në moshën shtatë vjeçare. Në një rrëfim ekskluziv për KultPlus, e vogla Sibora tregoi që këtë instrument të bukur e zgjodhi për tingullin e veçantë që ka.
Duke folur për mbretëreshën e instrumenteve, ajo thotë se violina ka një tingull të veçantë dhe një bukuri që të kap në shpirt. Zgjedhja e këtij instrumenti nuk ishte rastësi për të, por një dëshirë e thellë për të shprehur emocionet dhe pasionet e saj nëpërmjet muzikës.
Me shumë nostalgji dhe dashuri, Sibora tregon momentet më të paharrueshme për të, e të cilat janë të shumta. Mirëpo, mes të gjithash, ajo thotë se momenti më i veçantë ishte koncerti i parë në moshën 12-vjeçare, ku performoi në një ngjarje për Festën e Halloween-it, në shkollën “Prenk Jakova”. Ky moment ishte një hap i rëndësishëm për të si violiniste dhe një mundësi për ta parë vetën përballë një audience, që për herë të parë e vlerësoi dhe e mbështeti atë.
“Kam qenë shumë e lumtur dhe e entuziazmuar të performoj para një publiku. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme që më dha shumë forcë dhe besim për të ecur më tej në këtë rrugë”, kujton Sibora, duke reflektuar mbi emocionet e saj të para si interpretuese.
Frymëzimi dhe modelet
Si çdo artist tjetër, edhe Sibora ka figura të njohura që e kanë frymëzuar në rrugën e saj muzikore. Një prej tyre është violinistja e njohur Hilary Hahn, një artiste që ka lënë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën dhe karrierën e Siborës.
“Hilary Hahn është një nga violinistet që më frymëzon më shumë, kurse sa i përket kompozimeve, më së shumti më kanë lënë përshtypje veprat e Mozartit,” shprehet Sibora, duke shprehur gjithashtu respektin e saj të thellë për virtuozët që e frymëzojnë të arrijë majat.
Përkushtimi dhe puna e palodhur
Për Siborën, angazhimi dhe përkushtimi janë shtylla kryesore që mbështesin çdo hap të rrugëtimit të saj muzikor. Ajo është gjithmonë e gatshme të sakrifikojë kohë dhe energji për të ushtruar dhe për të përmirësuar teknikën e saj.
“Pas shkollës, pasi të përfundoj detyrat dhe obligimet shkollore, vazhdoj me instrumentin e violinës duke ushtruar për disa orë”, është shprehur Sibora.
Përballë vështirësive të përditshme, ajo e ka kuptuar se gjetja e një ekuilibri mes shkollës, angazhimeve personale dhe muzikës është një sfidë e vërtetë. Megjithatë, me ndihmën dhe mbështetjen e familjes së saj dhe mësuesve, ajo ka arritur të mbajë gjithçka nën kontroll.
“Është një sfidë e vërtetë për të gjetur kohë për të gjitha obligimet, mirëpo me ndihmën e familjes dhe mësimdhënësve, gjithçka është e mundur”, thotë ajo, duke vlerësuar mbështetjen e jashtëzakonshme që ka pasur gjatë gjithë këtij udhëtimi.
Sfida dhe përpjekjet për të arritur sukses
Një nga sfidat më të mëdha që Sibora ka hasur gjatë rrugëtimit të saj, ka qenë të kapërcente frikën nga skena dhe të arrijë një nivel të lartë të vetëbesimit dhe performancës.
“Sfida më e madhe për mua ka qenë të arriturit deri këtu ku kam mbërritur profesionalisht, që të mos kem frikë nga skena dhe të ndihem e gatshme për të performuar çfarëdo programi, mirëpo njo rrugë është e gjatë dhe më presin edhe shumë sfida të tjera. Të gjitha sfidat që kam hasur deri tani i kam kapërcyer me përkushtim dhe punë si dhe përkrahje nga familja ime”, thotë Sibora për KultPlus.
Reagimi i shokëve dhe familjes
Sibora ndjen një kënaqësi të madhe kur shokët, mësuesit dhe të afërmit e saj janë të lumtur dhe krenarë për sukseset që ajo arrin.
“Gjithmonë më bën të ndihem mirë kur njerëzit afër meje ndihen krenarë dhe të gëzuar për sukseset e mia,” thotë ajo, duke pasqyruar vlerësimin dhe përkrahjen që merr nga ata që e rrethojnë. Ky mbështetje është një faktor kyç në zhvillimin e saj dhe e motivon që të vazhdojë të përpiqet për të arritur më shumë.
Ëndrra e madhe muzikore për Siborën
Për Siborën, ëndrrat muzikore janë gjithmonë në rritje dhe zhvillim. Ajo ka një qëllim të madh për të ardhmen dhe është e bindur se mund të arrijë shumë.
“Ëndrrat e mia muzikore gjithmonë rriten me zhvillimin tim muzikor, por ëndrra ime më e madhe është të luaj në koncertin e Vitit të Ri që mbahet në Vjenë çdo vit,” shprehet ajo me shumë pasion. Ky është një nga eventet më prestigjioze në botën e muzikës, dhe Sibora e sheh këtë si një mundësi të artë për të treguar talentin e saj dhe për të përfaqësuar Shqipërinë në një nivel ndërkombëtar.
Sibora ka nisur të luajë violinë që në moshën 7 vjeçare, dhe ka kaluar një udhëtim muzikor të mbushur me risi, kthesa dhe momente gëzimi. “Rrugëtimi im deri tani ka pasur shumë risi dhe kthesa e gëzime, mirëpo nuk kanë munguar as sfidat për të arritur aty ku jam sot,” thotë Sibora, duke theksuar se çdo hap i saj ka qenë një mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur si muzikante.
Çmimi “GRAND PRIX ARSKOSOVA 2024”
Një moment kulmor në karrierën e Siborës ishte kur ajo fitoi çmimin prestigjioz “GRAND PRIX ARSKOSOVA 2024”.
“Ndihem e privilegjuar që kam fituar këtë çmim kaq të veçantë dhe falënderoj mësuesen Shqipe Bajraktari për përkushtimin e saj,” thotë Sibora, duke nënvizuar se ky çmim është një vlerësim i jashtëzakonshëm për punën e saj të palodhur.
Ajo është shumë mirënjohëse për mbështetjen dhe udhëzimet që ka marrë nga profesoresha e saj, e cila ka qenë një mentore dhe një udhërrëfyese e çmuar gjatë gjithë rrugëtimit të saj.
Përgatitja për gara është gjithmonë një proces sfidues, sidomos kur duhet të balancohet me angazhimet shkollore. Sibora tregon se ka qenë e vështirë të gjejë kohën e duhur për të ushtruar për shkak të angazhimeve të përditshme shkollore.
“Gjatë përgatitjes për garën, ka qenë më sfiduese të gjeja kohën e duhur për të ushtruar për shkak të angazhimeve të rregullta shkollore,” shprehet ajo, duke treguar se menaxhimi i kohës është një pjesë e rëndësishme e suksesit të saj. Megjithatë, ajo ka arritur të menaxhojë këto dy aspekte të jetës së saj, duke e vënë gjithmonë pasionin për muzikën në plan të parë.
Sa i përket çmimeve të fituara, Sibora ka veçuar çmimet prestigjioze në Vjenë dhe në Gjirokastër.
Për Siborën, një nga momentet më të bukura të suksesit është kur shikon se si familja dhe miqtë e saj ndihen krenarë dhe të lumtur për arritjet e saj. “Familja dhe miqtë vazhdimisht më përgëzojnë për çdo sukses të arritur dhe ndjehem krenare që i bëj të lumtur,” thotë Sibora, duke treguar se mbështetja e të dashurve të saj është një burim i pashtershëm motivimi. Kjo lidhje me ata që janë më të afërt me të është një motivim i fuqishëm për të vazhduar dhe për të arritur edhe më shumë.
Plani për të ardhmen: Garat Ndërkombëtare
Duke pasur një dëshirë të fortë për të ecur përpara, Sibora ka plane ambicioze për të ardhmen. Ajo synon të marrë pjesë në gara ndërkombëtare dhe të arrijë rezultate maksimale për të përfaqësuar vendin e saj me dinjitet.
“Natyrisht, në të ardhmen do të marr pjesë në disa gara ndërkombëtare dhe gjithmonë synoj të arrij rezultatet maksimale në mënyrë që të përfaqësoj vendin tim në mënyrë dinjitoze,” thotë ajo, duke shprehur besimin e saj të thellë në potencialin e saj dhe në mundësitë që i ofrohen për të rritur karrierën e saj muzikore në arenën ndërkombëtare.
Mesazhi i saj për artistët e rijnë
Në fund, Sibora ka një mesazh për të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin muzikën dhe të bëhen pjesë e botës së artit.
“Mos u ndaloni kurrë së ëndërruari dhe punoni shumë. Muzika është një dhuratë që vlen çdo përpjekje.” Ky mesazh është një frymëzim i madh për ata që duan të ndjekin pasionin e tyre dhe të bëhen pjesë e botës magjike të muzikës. Për Siborën, çdo hap përpara është një mundësi për t’u shprehur, për të ndarë emocionet dhe për të arritur kulme të reja në artin e saj./KultPlus.com
KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.
Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 30 e 31 dhjetor si dhe 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2025.
Armend Rexhepagiqi, Saimir Pirgu, Florent Boshnjaku, Blenard Azizaj, Sadik Bejko, Adrian Morina, Fatmir Spahiu, Sibora Resyli, Ilire Vinca, Granit Musliu, Sabrie Spahiu, Pirro Ruço, Marigona Qerkezi dhe Sihana Badivuku, vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre.
Të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.
Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.
Thomas Jefferson (1743 – 1826) ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më vonë shërbeu si Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara nga viti 1801 deri më 1809.
Për lexuesit tanë sjellim një koleksion me thëniet më briliante të Jefferson:
“Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë për të mbajtur ata që duan të rrinë”
“Një Ligj i të Drejtave është diçka të cilin njerëzit ia kërkojnë çdo qeveri dhe të cilin asnjë qeveri nuk duhet ta refuzojë ose ta vonojë.”
“Një burracak është shumë më tepër i prirur të grindet se çdo njeri shpirtmirë.”
“Një trup i fuqishëm e bën mendjen të fuqishme.”
“Një qeveri e zgjuar dhe kursimtare, e cila do t’i lërë njerëzit të lirë që t’i rregullojnë vetë prodhimet dhe vlerat, dhe të mos ua marrë nga goja bukën që kanë fituar – ky është përkufizimi i një qeverie të mirë.”
“Reklamat janë e vetmja e vërtetë që përmban një gazetë.”
“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar është që njerëzit me të vetëdijë të lartë të heshin.”
“Gjithashtu duhet ta ngulitim në mendje parimin e shenjtë se, ndonëse vullneti i shumicës në të gjitha rastet merr rëndësi, për të qenë i drejtë, duhet të jetë i arsyeshëm; se të gjitha pakicat zotërojnë të drejtat e tyre të barbarta, të cilat ligji i barbartë duhet t’i mbrojë, dhe shkelja e tij do të ishte shtypje.”
“Gjithmonë mbaji gjërat nga doreza e lëmuar.”
“Një shoqëri njerëzish të cilët nuk grinden me njëri tjetrin është një gjë e cila nuk ka ekzistuar kurrë, që nga perandoria më e madhe tek mëhalla më e vogël e katundit.”
“Armiku përgjithësisht thotë dhe beson çfarë dëshiron ai.”
“Një mik i lënduar është më i hidhur se të gjithë armiqtë.”
“Ashtu si thonë armiqtë tanë, ne mund të arsyetojmë si njerëz, prandaj le t’iu tregojmë atyre se mund të luftojmë gjithashtu si njerëz.”
“Ji i sjellshëm me të gjithë, por hape zemrën vetëm me pak prej tyre.”
“Trupi i sëmurë është i padurueshëm, por më i padurueshmi nga të gjitha gjërat njerëzore është trupi pa mendje.”
“Librat përbëjnë kapital. Një bibliotekë është jetëgjatë sa edhe një shtëpi, me qindra vjet. Pra librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital.”
“Miqësia është e çmueshme, jo vetëm në hije, por edhe në dritën e jetës, dhe falë qeverisjes së mirë të miqësisë pjesa më e madhe e jetës sonë është dritë.”
“Bëj tregti me të gjitha vendet, aleancë me asnjërin, kjo duhet të jetë motoja jonë.”
“Pushtimi nuk është në parimet tona. Është i papajtueshëm me qeverinë tonë.”
“Shtyrja për më vonë është më e pëlqyeshme se gabimi.”
“Ndryshimi i opinionit është i dobishëm në religjion. Disa sekte kanë zyrën e Censorit – ndaj njëri – tjetrit.”
“Mos e kafsho karremin e kënaqësisë, gjersa ti e di se përtej ti është grepi.”
“A do ta dish se kush je? Mos pyet. Veprimet do ta përvijojnë dhe përkufizojnë se kush je.”
“Mos fol për çfarë ke bërë apo për çfarë ke ndërmend të bësh.”
“Arsimoje dhe informoje krejt masën e popullit…Ata janë e vetmja mbështetje e sigurt e ruajtjes së lirisë sonë.”
“Ndriçoi njerëzit përgjithësisht, dhe tirania e shtypja e trupit dhe mendjes do të shuhen sikurse shpirtërat e ligj në agimin e ditës.”
“Gabimet e opinionit mund të tolerohen atje ku arsyeja lihet e lirë t’i luftojë ato.”
“Secili qytetar duhet të jetë një ushtar. Kështu bënin grekët dhe romakët, dhe duhet të bëhet kështu në çdo shtet të lirë.”
“Cdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre.”
“Përvoja ka treguar se njeriu është e vetmja kafshë që e ha dikë të llojit të vet, sepse unë nuk mund të gjej një term më të butë për të përkufizuar sjelljen e të pasurit ndaj të varfërit.”
“Përvoja ka treguar se madje edhe format më të mira të qeverive të cilave iu është besuar pushteti, me kohë dhe ngadalë janë shndërruar në tirani.”
“Për një popull që është i lirë dhe dëshiron të jetë i tillë, një polici e armatosur mirë dhe e organizuar mirë do të ishte siguria e tij më e mirë.”
“Forca është parimi vital dhe prindi i afërt i despotizimit.”
“Miqësia është një tjetër emër për aleancën me marrëzitë dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Pjesa jonë e halleve është e mjaftueshme: pse atëherë vullnetarisht hyjmë në ato të të tjerëve?”
“Ai që di më së shumti, e di sa pak ai di.”
“Ai që di më pak është më pranë së vërtetës, se ai mendja e të cilit është e mbushur me rrena dhe gabime.”
“Historia në përgjithësi na informon ne vetëm sa e keqe është qeveria.”
“Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë.”
“Sa shumë dhimbje na kanë kushtuar ne ligësitë që nuk ndodhën kurrë.”
“Unë e urrej luftën dhe e shoh atë si ndëshkimin më të madh të njerëzimit.”
“Unë jam një epikurian. I konsideroj doktrinat burimore (jo të interpretuaraI të Epikurit si thelb të gjithçkaje racionale në filozofinë morale të cilën grekët dhe romakët na e lanë trashëgim.”
“Jam shokuar kur më thanë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shitja e një libri mund të bëhet temë e një hetimi, dhe e një hetimi kriminal gjithashtu.”
“Unë besoj se çdo mendje njerëzore ndjen kënaqësi kur i bën mirë tjetrit.”
“Unë nuk mund të jetoj pa librat.”
“Unë nuk blej asnjë gazetë dhe nuk lexoj asnjë gazetë një muaj, dhe pastaj e ndiej veten pafundësisht më të lumtur.”
“Mendoj se më i lumturi është ai për të cilin bota flet më pak, mirë apo keq.”
“Nuk kam synim të qeveris njerëz; është një detyrë e dhimbshme dhe e pagratshme.”
“Unë nuk druaj se rezultati i eksperimentit tonë do të jetë që njerëzve t’iu besohet ta qeverisin veten pa një padron.”
“Unë kam parë mjaft një luftë, sa që nuk dua më të shikoj një luftë tjetër kurrë.”
“Unë jam betuar në alatarin e Zotit të kem armiqësi të përjetëshme kundër çdo forme të tiranisë mbi mendjen e njeriut.”
“Unë shpresoj se zgjuarsia jonë do të rritet bashkë me fuqinë tonë, dhe të na mësojë ne se, sa më pak ta përdorim fuqinë tonë, aq më të mëdhenj do të jemi.”
“Mua më pëlqejnë më shumë ëndërrat e së ardhmes se historia e së kaluarës.”
“Unë kurrë nuk e konsiderova një ndryshim opinioni në politikë, në religjion, në filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik.”
“Unë kurrë, me fjalë as me veprime, nuk do të përkulem përballë intolerancës as nuk do të pranoj të drejtën e hetimit ndaj opinioneve religjioze të të tjerëve.”
“Unë pranoj se nuk jam miqësor ndaj një qeveri shumë energjike. Ajo është gjithmonë shtypëse.”
“Unë parashikoj të ardhmen e lumtur të amerikanëve nëse ata mund të parandalojnë qeverinë nga shkatërrimi i sindikatave nën pretekstin se po kujdesen për to.”
“Unë mendoj si romakët: se gjenerali i sotëm duhet të jetë nesër një ushtar po të jetë nevoja.”
“Më kapin drithmat për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë; se drejtësia e tij nuk mund të flejë gjithmonë.”
“Jam i vendosur në kërkimin e dijes, pa u druajtur kurrë se kërkimi i së vërtetës dhe arsyes pavarësisht në çfarë rezultati mund të çojnë, dhe në rrëzimin e çdo autoriteti që iu del pengesë atyre në rrugë.”
“Më mirë do të pranoja të papriturat e lirive të tepërta se zvogëlimin e tyre.”
“Nëse një komb pret që të jetë injorant dhe i lirë, në një shtet të qytetëruar, ai pret diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë.”
“Nëse ka një parim më thellë të rrënjosur në mendjen e çdo amerikani, ai është që ne kurrë nuk do të bëjmë diçka nëpërmjet pushtimit.”
“Në çdo vend dhe në çdo kohë, kleri ka qenë armiqësor ndaj lirisë.”
“Nga pikëpamja e stilit, noto në drejtim të rrymës; nga pikëpamja e parimit, qëndro si shkëmb.”
“Injoranca është më e pranueshme se gabimi, dhe është më larg së vërtetes ai që nuk beson në asgjë se ai që beson në diçka të gabuar.”
“Mua nuk më lëndon fqinji im nëse thotë se janë njëzet zota apo se nuk është asnjë një Zot.”
“Është më mirë gjithmonë të mos kesh fare ide sesa të kesh ide të rreme; dhe të mos besosh në asgjë, sesa të besosh në mënyrë të gabuar.”
“As pasuria, as luksi, por qetësia dhe puna ju japin lumturinë.”
“Religjioni ynë duhet të lexohet në jetët tona dhe jo në fjalët tona.”
“Nuk duhet të ketë asnjë autoritet i cili të mos jetë përgjegjës para popullit.”
“Njerëzimi është më shumë i prirur të vuajë sesa të luftojë për t’i larguar format me të cilat janë mësuar.” /KultPlus.com
Këngëtari shqiptar Alban Skënderaj u përzgjodh në nëntor të 2024 nga UNICEF si Ambasadori i Parë Kombëtar për Fëmijët në Shqipëri.
Në një rrëfim të gjatë për Mirela Milorin në “Interview” në Euronews Albania ku foli për jetën personale, karrieren dhe projektet, ai u ndal dhe te roli i ri që ka marrë si Ambasador i UNICEF në Shqipëri.
Këngëtari u shpreh se ky ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm për të dhe se është një kënaqësi e madhe bashkëpunimi me UNICEF.
“UNICEF ka shumë vite në Shqipëri që nga viti 1991 ose 1992 më duket dhe nuk kanë pasur kurrë një ambasador Kombëtar dhe kuptohet që ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm. Me thënë të vërtetën unë gjithmonë kam dashur që të bëj diçka sa mundem, sa ma lejon koha, mundësia dhe familja. Gjithmonë dua dhe kam bërë diçka jo me kamera, po ku kam mundur kam dhënë një dorë, diku me prezencë, diku me një ndihmë. Unë dua të jem në kontakt vazhdimisht që të bëj sado pak mirë dhe duke qenë tani si ambassador i UNICEF është pak më kollaj për mua sepse gjithçka është më e strukturuar dhe ndërtuar për të dhënë maksimumin. Ne jemi shumë aktivë dhe do të jemi në vazhdim duke dhënë ndihma të ndryshme dhe sidomos ajo që është prioritet i UNICEF, fëmijët. Bota bëhet më e mirë kur fillon dhe ndihmon fëmijët”, tha Alban Skënderaj në “Interview”./euronews/ KultPlus.com
Maçoku i quajtur Reis, i cili shëtit vendet historike, ato turistike dhe rrugët e Stambollit duke qëndruar mbi supet e pronarit, udhëton edhe me tramvaj edhe me traget.
Hakan Emrah, një trajner fitnesi, së bashku me maçokun e tij, prej rreth tri vitesh shëtit vendet historike dhe turistike të Stambollit, përfshirë Kullën e Vajzës, Xhaminë Agia Sofia si dhe sheshin ‘’Taksim’’.
Emrah ndalohet vazhdimisht nga turistët vendas dhe të huaj për shkak të maçokut të tij që mban në supe. Turistët që tregojnë interes të madh për maçokun Reis nuk mund ta fshehin habinë e tyre dhe nuk harrojnë të fotografohen.
Emrah thotë se kur e le maçokun në shtëpi nuk ndjehet rehat dhe prandaj ka menduar se edhe maçoku duhet të shëtisë me të.
Emrah tregon se maçoku në fillim panikosej për shkak të automjeteve dhe zhurmave duke e përqafuar pronarin e tij.
“Mendoj se Reis është maçoku që e njeh Stambollin më shumë se shumica e njerëzve që jetojnë këtu”, thotë Emrah duke shtuar se “atij i pëlqen më së shumti të flejë mbi supet e mia gjatë udhëtimit”.
“Për shkak të interesit intensiv, ndonjëherë mund të udhëtoj në një distancë të shkurtër për një ose dy orë. Mëshira e njerëzve ndaj kafshëve na bën më të lumtur. Reagimet e turistëve janë të mahnitshme. Kam parë njerëz që qajnë kur e shohin Reisin”, tha ai.
Emrah tregon se në të ardhmen dëshiron të shkojë edhe në një ndeshje të ekipit të tij të preferuar ‘’Galatasaray’’, gjë që deri më tani nuk e ka bërë për arsye se nuk lejohen kafshët./ KultPlus.com
Dirigjenti italian me famë botërore, Riccardo Muti, 83 vjeç tashmë, do të drejtojë koncertin e Vitit të Ri të Vjenës për herë të shtatë dhe të fundit më 1 janar.
Duke iu referuar valsit popullor “Danubi i kaltër”, Muti tha se edicioni i sivjetshëm i koncertit nga Filarmonia e Vjenës synon të dërgojë një mesazh harmonie, bukurie dhe paqeje.
”Shpresojmë që valët e Danubit blu do të bartin anije plot bukuri dhe dashuri”, tha Muti në Vjenë.
Koncerti i famshëm do t’i kushtohet këtë vit kompozitorit të njohur Johann Strauss me rastin e 200-vjetorit të lindjes.
Për herë të parë në koncert do të shfaqet një kompozitore, me “Valsin Ferdinandus” nga Constanze Geiger.
Koncerti, i realizuar nga transmetuesi publik austriak ORF, do të shfaqet në 93 stacione televizive në mbarë botën.
Muti ka realizuar më shumë se 500 koncerte me Filarmoninë e Vjenës dhe ka konfirmuar se performanca e së mërkurës do të jetë koncerti i tij i fundit i Vitit të Ri me orkestrën.
”Është hera e fundit”, tha Muti.
Ai kritikoi gjithashtu qeveritë për mosnjohjen e vlerës së kulturës dhe muzikës, mes shkurtimeve në programe të ndryshme kulturore.
“Ne kemi nevojë për muzikë gjithnjë e më shumë. Muzika është një ilaç”, tha dirigjenti italian./ KultPlus.com
Në prag të festave të fundvitit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka uruar qytetarët e kryeqytetit përmes një videomesazhi. Duke vlerësuar vitin që po lëmë pas, Veliaj theksoi arritjet e përbashkëta të qytetarëve në ndërtimin e një komuniteti më të bashkuar dhe solid.
Veliaj kujtoi se 2025-a do të jetë një vit i veçantë për Tiranën, pasi kryeqyteti shqiptar do të mbajë titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”, duke ofruar mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e vlerave kulturore dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit.
“Viti që vjen është veçanërisht i rëndësishëm për ne, sepse Tirana, zemra jonë, kryeqyteti ynë, do të mbajë titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”. Është një mundësi e rrallë për ta promovuar vlerën e Tiranës, vlerat e veta kulturore, për të krijuar një platformë dialogu që i bashkon njerëzit nga të gjithë anët e Mesdheut. Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të ndërtuar dhe mes nesh urat e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit”, tha ai.
Në mesazhin e tij, kryebashkiaku bëri një urim të veçantë për gjyshërit dhe gjyshet e Tiranës, duke njoftuar se nga data 1 janar pensionistët do të kenë mundësinë të udhëtojnë falas në të gjithë autobusët e qytetit. “Dëshiroj gjithashtu të bëj një urim special, të veçantë për të gjithë gjyshërit dhe gjyshet, të gjithë pensionistët e Tiranës, të cilët nga data 1 janar do të udhëtojnë me abone falas në të gjithë autobusët e qytetit tonë. Ju jeni themeli i kësaj shoqërie dhe ndihma që ju ofrojmë është një shenjë respekti, mirënjohje, vlerësimi për të gjithë kontributin tuaj, gjatë gjithë jetës. Le të kujtojmë se çdo veprim, i vogël apo i madh qoftë, kontribuon në forcimin dhe bashkëpunimin e solidaritetit mes nesh”, theksoi ai.
Veliaj ftoi qytetarët të tregojnë solidaritet gjatë këtyre festave, duke hapur dyert për ata që kanë më shumë nevojë dhe duke krijuar një atmosferë të ngrohtë familjare për të gjithë.
“Gjatë këtyre festave le t’i hapim dyert tona për ata që kanë më shumë nevojë, të ftojmë në familjet tona ata që ndihen ndoshta të braktisur dhe të vetmuar dhe të festojmë së bashku gjithçka që kemi arritur në këto vite. Në këtë pragviti le të bëjmë një premtim, për njëri-tjetrin dhe për veten tonë, edhe për qytetin tonë. Një premtim për të qenë më të mirë, për të dashuruar pak më shumë, për të ndihmuar njëri-tjetrin pak më fortë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për Tiranën tonë dhe secili që e gjen veten dhe e sheh të ardhmen këtu”, tha Veliaj.
Kryetari i bashkisë uroi të gjithë qytetarët për një Vit të Ri të mbushur me shëndet, lumturi dhe suksese, duke i ftuar që të presin 2024-ën me besim dhe optimizëm./ KultPlus.com
Kantieri transformues i Mozaikut të Tiranës po formëson një tjetër stacion modern të rrugëtimit të vizitorëve e turistëve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto të kantierit të punimeve në Mozaik, teksa bëri të ditur se ky projekt është konceptuar dhe si një qendër edukimi e inovacioni për fëmijët.
“Përveçse një muze digjital mozaikësh e një magnet turistik, ky projekt është konceptuar dhe si një qendër edukimi e inovacioni për fëmijët”, u shpreh Rama.
Arkeologët thonë se këtu u ngrit një vilë romake që në shekullin III pas Krishtit.
Gjatë punimeve për ndërtimin e një godine banimi në bllokun “Partizani”, në vitin 1972, u hasën rrënojat e kësaj ndërtese antike.
Me të filluar gërmimet, arkeologët nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Historisë, zbuluan se ambientet ishin të shtruara me mozaik, ku u konstatua edhe prania e ambienteve të një kishe të kultit kristian./ KultPlus.com
Enciklopedia Shqiptare, është ky një tjetër projekt i rëndësishëm i Akademisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, puna e të cilës ka nisur që në Janar të 2023-shit. Redaksitë e ndara për sektorët përkatës vazhdojnë të punojnë për fjalësin, që korrespondojë me figurat dhe ngjarje të rëndësishme historike, politike, shkencore, kulturore, toponime etj.
Nëse në disa prej redaksive puna ecën me ritëm, në disa të tjera për shkak të diskutimeve, apo përplasjeve për figura apo ngjarje historike, vijon të marri kohë, ndonëse Akademitë duhet ta kishin përfundur korpusin final të fjalëve brenda këtij viti.
“Duhet të koordinohen mes vete dhe pastaj duhet t’i nënshtrohen një analize kritike për të parë nëse kanë përfshirë atë që duhet. Kemi filluar me historinë. Është një fushë me goxha shumë probleme”, shprehet kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
“Në parim në idealen e vetë është 10 mijë njësi enciklopedike. Jemi ende në periudhën e mbledhjes e të seleksionimit të ngushtë”, tha kryeredaktori i projektit, Akademia e Shkencave, Arian Leka./ KultPlus.com
Dritat, dekorimet dhe gëzimi në çdo cep të qyteteve sjellin atmosferën unike të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.
Por magjia e festave erdhi edhe përmes punimeve të vogëlushëve të talentuar të Qendrës Kulturore për Fëmijë.
Kryeministri Edi Rama ndau këtë mbrëmje foto të punimeve të realizuara nga fëmijët, të cilët përmes penelave mbi telajo kanë shprehur ndjesinë e tyre për festat e fundvitit, përmes personazheve të këtyre festave, Santa Klausit, elfëve apo plakut prej dëbore./ KultPlus.com
KFOR’i ka njoftuar se sot ka zhvilluar një sërë aktivitetesh patrullimi dhe vëzhgimi në Komunën e Istogut.
Siç thuhet në njoftim aktivitetet janë zhvilluar në kushte ekstreme, shkak i temperaturave të ulëta.
Tutje thuhet se në këtë aktivitet kanë marrë pjesë ushtarët italianë të KFOR’it.
“Batalioni Kinetik i Komandës Rajonale në perëndim të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO ka zhvilluar një sërë aktivitetesh patrullimi dhe vëzhgimi në komunën e Istogut. Aktivitetet u zhvilluan në kushte ekstreme për shkak të temperaturave të ulëta dhe borës në terren ku vepronin ushtarët italianë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Mjeshtri i klarinetës Aleks Xhelili në 60-vjetorin e tij të lindjes ka ardhur me një koncert recital, i pari i këtij lloji në karrierën e tij të gjatë artistike.
Klarinestisti i njohur në këtë koncert është shfaqur ndryshe nga ai që është parë deri tani. Aleks Xhelili, mjeshtri i kabase në koncertin e tij recital ka interpretuar pjesë të ndryshme me klarinetë të autorëve botërore të muzikës klasike ndërsa në pjesën e dytë të koncertit është shfaqur ashtu siç e kishim parë, me kabate e njohur të Kolonjës, Leskovikut e Përmetit.
Pjesë e këtij koncerti krahas instrumentistëve të tjerë kanë qenë dhe vëllezërit Curri, me të cilët Xhelili ka ndarë një pjesë të karrierës së tij.
Në 46 vite të karrierës së tij kolonjari Aleks Xhelili ka dhënë koncerte të shumta brenda dhe jashtë vendit, duke u nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare./euronews/ KultPlus.com
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit çeli fazën e tretë dhe të fundit të programit të granteve EU4Culture “Rikrijo të shkuarën, ndërto të ardhmen”.
Tetë grante, me një shumë totale prej 356 541 dollarësh do të mbështesin iniciativat e OJQ-ve për zhvillimin e artizanatit, turizmit inovativ, platformave digjitale dhe ngjarjeve kulturore në bashkitë e Tiranës, Mirditës, Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Kurbinit dhe Krujës, ku ndodhen site të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, të prekura nga tërmeti i vitit 2019.
Projektet që do të financohen nga ky program trajtojnë një gamë të gjerë temash të cilat do të sjellin trashëgiminë kulturore më afër komunitetit lokal, duke forcuar identitetin e tyre kulturor dhe duke ofruar mundësi për rritje ekonomike./ KultPlus.com
Presidenti i zgjedhur Donald Trump duket se është radhitur në krah të biznesmenit miliarder Elon Musk dhe mbështetësve të tij në fushën e industrisë së teknologjisë, në debatin brenda republikanëve, mbi programin e vizave H-1B për punonjësit e kualifikuar.
Në një intervistë për gazetën ‘New York Post’ të shtunën, zoti Trump mbështeti përdorimin e këtyre vizave për të sjellë punonjës të huaj të kualifikuar në Shtetet e Bashkuara.
Të premten në mbrëmje zoti Musk, drejtues i kompanive Tesla dhe SpaceX, u zotua të mbrojë me vendosmëri programin e vizave H-1B, duke iu referuar industrisë së teknologjisë.
Në një postim në platformën e mediave sociale X, zoti Musk shkruante se: “arsyeja pse jam në Amerikë së bashku me kaq shumë njerëz me rëndësi jetike, që ndërtuan kompanitë SpaceX, Tesla dhe qindra kompani të tjera që e bënë Amerikën të fortë, është programi i vizave H1B”.
“Unë do të luftoj për këtë çështje, të cilën ju nuk mund ta kuptoni”, shtoi ai.
Tema është bërë një pikë e nxehtë debati brenda bazës konservatore republikane.
“Gjithmonë më kanë pëlqyer vizat dhe kam qenë gjithmonë pro tyre. Kjo është arsyeja pse i kemi ato”, tha zoti Trump.
Në të kaluarën zoti Trump i ka përdorur këto viza në bizneset e tij, diçka që ai e pranoi edhe gjatë intervistës të së shtunës.
“Kam shumë njerëz me këto viza në pronat e mia. Kam besuar tek ato. I kam përdorur shumë herë. Është një program i mrekullueshëm”, tha zoti Trump për gazetën.
Por ai nuk tha nëse do të kishte ndonjë ndryshim në numrin e vizave të këtij lloji që do të jepeshin pasi të merrte detyrën më 20 janar.
Politikat e vijës së ashpër të zotit Trump ndaj imigracionit, të përqendruara kryesisht tek emigrantët që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme, ishin gur themeli i fushatës së tij presidenciale dhe një çështje prioritare për mbështetësit e tij.
Inxhinierët e programeve kompjuterike dhe të tjerë që punojnë në industrinë e teknologjisë i kanë përdorur vizat H-1B për punonjësit e huaj të kualifikuar. Ata thonë se ato janë një mjet jetik që të plotësohen pozicione të vështira. Por kritikët thonë se ato nënvlerësojnë shtetasit amerikanë, që mund t’i merrnin këto vende pune. Disa republikanë konservatorë kanë kërkuar që programi të mbyllet. /VOA/ KultPlus.com