Sot shënohen gjithsej 109 vite nga lindja e Edith Piaf, emri i vërtetë i së cilës ishte Édith Giovanna Gassion. Ajo pati një jetë shumë të vështirë, një vajzë e vogël me një talent të trashëguar nga e ëma, që u bë ikona e muzikës franceze, shkruan KultPlus.
Piaf gjithë jetën e saj ia dedikoi artit e muzikës. Muzika e saj kishte pothuajse gjithmonë elemente autobiografike, trajtonin temën e dashurisë, pikëllimit, nostalgjisë e humbjes. Ajo gjithmonë do të mbahet mend për zërin e saj të veçantë e të fuqishëm, një zë që tingëllonte ndryshe, të bënte të dashurosh e të vuash ndryshe, një ”ndryshe” që vetëm Edith Piaf e servonte para publikut, një ”ndryshe” që muzikës franceze e jo vetëm, i la gjurmë të pashyelshme.
Në një intervistë të saj, në vitet e fundit të jetës, Piaf përgjigjet për frikën ndaj vdekjes.
A keni frikë nga vdekja, zonja Piaf? -e kishte pyetur gazetarja
Më pak se nga vetmia, u përgjigjë ajo.
Vlen të ceket se Edith, mbiemrin Piaf e mori si mbiemër skene. Piaf ka kuptimin e kanarinës. ”PIAF” përshkruante pikërisht atë që ishte ajo.
Këngët e saj më të njohura janë: “La Vie en rose” (1946), “Non, je ne regrette rien” (1960), “L’hymne à l’amour” (1949), “Milord” (1959), “La Foule” (1957), “L’Accordéoniste” (1940) dhe “Padam, padam …” (1951).
Edith Piaf Vdiq më 11 tetor të vitit 1963, në moshën 48 vjeçare. / KultPlus.com
Nër ato male shtat-mëdhaja, Nër ata pyje me fshehtësi, N’ato mburima lozonjare, N’ata shkëmbenj plot llaftari; Ku fryn një erë pastërtije, E vetëtin një bukuri, E ritet malli posi deti, E ndizet zemëra në gji;
Ku nuku duket asnjeri, Ku vemi shpesh veç un’e ti Ku djeg si zjarr, moj dashuri! Ku ndrin si yll, moj perëndi /KultPlus.com
Personalitete të jetës kulturore dhe akademike, poetë, aktorë, miq e familjarë u mblodhën sonte, në këtë mbrëmje të bukur dhjetori, në ambientin e ngrohtë të KultPlus Caffe Gallery për të shijuar ‘Mbrëmjen Letrare’ dedikuar poetit të njohur Lulzim Tafa, i cili ndër vite me krijimtarinë e tij ka pasuruar botën e adhuruesve të letërsisë dhe të poezisë.
Kjo mbrëmje e mbajtur sonte nën organizimin e KultPlus Caffe Gallery në shenjë të kremtimit të festave të fundvitit ka dhuruar emocione të shumta përmes vargjeve të poetit Tafa, që u interpretuan nga artistët, kolegët e tij poetë si dhe vetë ai, nën tingujt e bukur të kitarës së Riad Ramadanit.
Me poezi dhe vargje të përzgjedhura në këtë mbrëmje poetike u paraqitën aktorët Albana Gashi me poezitë “Si toka” & “Tue kërkue veten” si dhe Valmir Kraniqi me “Vasha e Dukagjinit” & “Të dielave mos më thirr më”.
Ndërsa me interpretimin e tyre kolegun poet e nderuan: Sali Bashota me poezinë “Këshillë për poetët e rinjë”, Naime Beqiraj me “Bisedë me hijet”, Rrahman Paçarrizi me “Paketimi i mërzisë”, Vlora Konushevci me “Nuk më luftohet, më flihet”, Arbër Selmani me “Pas pandemisë” dhe “Dritaren e ke të lejuar” dhe Jeton Kelmendi me një poezi kushtuar poetit Tafa. Më video poezi interpretuan vetë poeti Lulzim Tafa, Labinot Laçi dhe Vedat Haxhislami.
Drejtoresha e Mediumit KultPlus, njëherit edhe organizatore e mbrëmjes poetike, Ardianë Pajaziti ka thënë se është kënaqësi për të që mbrëmjen e fundit letrare për vitin 2024 ta përmbyllë me poetin Lulzim Tafa.
“Faleminderit që jeni pjesë e kësaj mbrëmje poetike të poetit dhe mikut tonë Lulzim Tafa. Kjo është mbrëmja e fundit që organizohet në KultPlus Caffe Gallery për këtë vit. Jo rastësisht po mbahet kjo mbrëmje me përzgjedhje të poezive me kaq përmbajtje dhe kaq të thella, të cilat prezantohen prej miqve të tij. Luli vazhdon me qenë mik i KultPlus-it. Kjo mbrëmje i dedikohet pikërisht për miqësinë poetike që e ka krijuar ndër vite me ne. Lulin e njohim të gjithë ai nuk rekomandon që t’i drejtohemi me tituj të tjerë, gjithmonë e thekson që titulli që i fle më së shumti është ai i poetit” ka thënë drejtoresha Pajaziti.
Ndërsa, poeti Sali Bashota i cili edhe e ka udhëhequr mbrëmjen artistike për poetin Tafa ka thënë se ai është vazhdues i ideve të Ali Podrimjes.
“Është një poet i veçantë që jeton me poezinë. Është një vazhdues i ideve të Ali Podrimjes. I njoh vetëm dy poetë që jetojnë vetëm me poezinë. Luli është i tillë, i thjeshtë, modest, një poet që po ngjitet majave të poezisë shqipe me veprat e tij poetike. Deri tani ai i ka botuar 300 poezi. 300 të tjera i janë djegur në luftë”, ka thënë poeti Bashota duke potencuar se Tafa është një poet që po ngjitet shkallëve të poezisë shqipe me talentin e tij të rrallë.
Bashota më tej ka thënë që poeti Tafa në dy vitet e fundit ka pasur shumë suksese edhe në prezantimin dhe promovimin e disa prej vlerave të tij intelektuale në akademi të ndryshme, duke përfshirë edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
“Luli i prezantohet edhe publikut në Shqipëri si një poet me vlera të arrira letrare. Sonte të gjithë miqtë e tij do të jemi bashkë me poezinë e Lulzim Tafës, e cila në çdo mënyrë na mbledh që të jemi sa më afër njëri tjetrit, ta duam poezinë, t’i duam vlerat e letërsisë shqipe. Do të ishte kënaqësi që çdo javë të kemi nga një takim të tillë me poetë të Kosovës që promovojnë vlerat tona sepse askush më shumë se poezia nuk mund ta paraqes atë ndjenjë dhe përjetimin e botës sonë shpirtërore, dashurinë në radhë të parë. Luli është poet edhe i ëndrrave por edhe poet dashurisë”, ka thënë poeti Bashota.
Poeti Lulzim Tafa është shprehur tejet falënderues për këtë mbrëmje dedikuar poezisë së tij, e cila përkon edhe me ditën e poetit të tij të preferuar, “Rumit”.
“Të nderuar miq, faleminderit që jeni sonte këtu, në këtë përjetim poetik të cilin e shijova shumë. Kjo mbrëmje është organizuar për mua. Nata e mbrëmshme ka shënuar ditën e vdekjes së Rumit, një ndër poetët më të mëdhenj që kishte njerëzmi, që kishte linjda e perëndimi. Edhe pse ai vetë thoshte që nuk i takonte as lindjes, e as perëndimit sepse ai nuk kishte kufinj. Ai thoshte se unë i takoj dashurisë, ashtu siç është e pakufishme edhe dashuria. Ju e dini lidhjen time me Rumin, me mistikun e hatashëm. Mund ta merrni me mend që kjo koincidencë pas natës së Rumit të mbahet në Prishtinë, një mbrëmje poetike me mua, më mrekullon”, ka thënë Tafa duke potencuar që poezia është jeta e tij.
Kurse, shkrimtari dhe profesori universitar Rrahman Paçarrizi ka thënë që poezia e Tafës vazhdon ta mrekulloj çdo herë e më shumë.
“Mendoj që jam ndër ata të cilët i lexoj poezitë e tij ende pa u botuar. Në njëfarë mënyre jam një lloj konsulenti për Lulin, sepse pasi ai shkruan poezinë iu lexon disa miqve të tij. Në këtë kuptim, siç u tha sonte ai i ngjason poetit Ali Podrimja nga mënyra e funksionimit, mënyra e të shkruarit të poezisë, por edhe nga mënyra e të jetuarit me poezinë. Për mua ka qenë një moment i veçantë. Në asnjë rast dhe për asnjë tjetër nuk do të lexoja poezi të huaja, por poezitë e Lulit i ndiej goxha sikurse të mijat e sidomos poezinë që e lexova sonte”, ka thënë Paçarrizi.
Ndërkaq, poetja tjetër Vlora Konushevci ka thënë se Tafa me krijimtarinë e tij i ka kontribuar letërsisë shqipe, shpesh herë duke dalë edhe jashtë kornizave të brezit të tij.
“Poezinë e tij e kam lexuar qysh moti. Fillimsht më duhet ta them që Luli është njeri shumë i mirë, pasi kjo është shumë e rëndësishme për të qenë pastaj edhe poet i mirë, sepse nëse je njeri i mirë e ke edhe empatinë e zhvilluar, ku pastaj në shkrim del i jashtëzakonshëm, ashtu siç del edhe Luli. Mendoj që letërsisë i ka dhënë shumë në veçanti me lirikat e dashurisë, por ka edhe poezi që janë më urbane. Nuk është që ka mbetur në ciklin e brezit të vet. Ka dal edhe jashtë kornizave duke sjellë edhe risi dhe gjëra të bukura e interesante për letërsinë tonë”, ka thënë Konushevci, duke e komentuar edhe poezinë me të cilën u prezantua para miqve të mbrëmjes.
“Poezia që e lexova sonte, më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Ka qenë në një periudhë kur flitej për luftë gjatë gjithë kohës. Në kohën e luftës kam qenë mjaftueshëm e madhe dhe e di çka është lufta. Më ka pëlqyer që Luli nuk e ka romantizuar, nuk e ka mitizuar luftën por ka dalë me një poezi antiluftë siç kanë bërë edhe shumë poet të tjerë para tij. Ka pasur edhe lëvizje të tëra kundër luftës ku janë përfshirë edhe shkrimtarë të ndryshëm si në Amerikë e Evropë. E shoh sikurse copë të atij mozaiku që e ka plotësuar këtë pjesë të letërsisë edhe me rrëfimin e Kosovës, prandaj edhe e kam përkthyer edhe në gjuhën angleze”, ka përfunduar poetja Konushvci.
Mbrëmja mes adhuruesve të poezisë vazhdoi me shijimin e verës dhe tingujve të bukur të kitarës edhe për disa orë./ KultPlus.com
Kush të ka dërguar, hëna apo djelli? Pa më thuaj, të lutem, sa pate ka qjelli? Nëpër ato pate, madhëri e artë, Ka të tilla shtate, si të zotris’ sate?
Në je ndonjë ëngjëll, udhën ke lajthitur, Apo sjell melhemin zemrës së goditur? Në je ndonjë valë, kush ësht’ ai mall, Që të ndez e derdhe e utrin’ mbi zall?
Në je ndonjë çupë, do të mbaj mbi sup, Do të ngjesh në zemër, do të pi me kup’! Në je ndonjë lule, e ku do keç mbirë, Si mundet e bënet lulja kaq e mirë?
Në se je sorkadhe, lumthi kush ka çapa, Lum ai q’i vete zotris’ sate prapa! Kush të paska rritur, kush të ka selitur? Trupi i yt i bukur si flori i situr!
Në je ndonjë xhinde, xhinde e arratisur, Cilin ke vithisur, kujt i je kolisur? Ku është ai pyll, ku është ai mur ku ti vete fute dhe qëllon me gur?
II Kush të ka dërguar, Hëna apo Djelli? Pa më thuaj, të lutem, sa yje ka qjelli? Ka të tilla pyje nëpër ata yje? Ka të tilla xhinde nëpër ata pyje?
Qofshi të ërgjënda, ka të tilla xhinde? Rrofsh e qofsh, sa malet, zotrote ku linde? Desha që ta dija ku është ylli yt, Desha që ta dija ku ësht’ pylli yt!
Në je ndonjë dritëz, dritëz perëndie, Lum kush të ka afër, kurse nata bie; Në je ndonjë hije, hije hyjënore, Kthema zemrën time, zemrën që ma more!
Në je ndonjë erë, një veri në ver’, Nga se po të digjet trupi ylyver? Në je ndonjë ëndërr, shum’ të lutem shum’, Në të dasht’ qejfi të të shoh në gjum’!
Në je xhevahire, nga se ku je dukur? Nga se xhevahiri rri në kuti futur? Në je ndonjë flutur, kush të ka qëndisur? Kush është ajo dorë, që të ka stolisur?
Pa le ta dëgjojmë një herë e dy herë, fol, moj dallëndyshe, që këndon mbi derë! Fol moj dallëndyshe, se sa më vjen mirë, Mos je ndonjë vajzë nga një vend i lirë?
– Un’ jam një arbreshe, rroj këtu në rrëza, Një gjak e një gjuhë kemi me thëllza; Pullumb e sorkadhe jemi farë e fis, Kemi dhe shqiponjën gjyshen e shtëpisë!
Çdo të mira kemi, djelli si ar Derdhet përmbi neve nga çdo vënd më par’, Lul’ e vëndit tënë katër stinat çel Edhe erë e bukur na deh e na vel!
A e more vesh kush më ka qëndisur? Është dritë e djellit që më ka stolisur, Është drtië e djellit, është dritë e hënës, Më shum’ nga të gjithë është sisë e nënës!./ KultPlus.com
Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…
Jo, unë s’mundem me e ndryshue as t’shkuemen e as t’ardhmen tande por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji
S’mundem me i shmangë teposhtat e tua, veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt vërtet s’janë të miat po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra
S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande po me të mbështetë e ndjej detyrë, me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!
S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh, veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë që ti t’naltohesh
S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande, kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon, po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para
S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh, veç mundem me të dashtë njashtu siç je dhe me mbetë përjetë Miku yt…
Libri konsiderohet si një nga mjetet kryesore të transformimit të njohurive dhe ruajtjes së tyre. KultPlus ju sjell disa thënie me vlerë për librin nga disa autorë të njohur.
“Jetojmë në kohën ku ekzistojnë shumë dijetarë, por ata që flasin janë të paktë. E do të vijë koha kur do të ekzistojnë pak dijetarë, e ata që do të flasin do të jenë të shumtë”! – Abdullah ibën Mesudi
“Të larguarit nga leximi i librit dhe marrja e informatave drejtpërdrejtë nga interneti, që është medium i pa kontrolluar me informata të pa verifikuara as shkencërisht e as fetarisht, është shndërruar në një epidemi sociale në shoqërinë tonë, që ka kaluar në metastazë te të gjitha kategoritë e njerëzve në shoqërinë tonë, si te të paarsimuarit, të arsimuarit, mësuesit, profesorët, studentët, gazetarët hoxhallarët etj”. – Jusuf Zimeri
“Shumë libra nuk kërkojnë mendime nga ata që i lexojnë ato, dhe për një arsye të thjeshtë; ato nuk bënë një kërkesë të tillë nga ata që i shkruan”. Charles Caleb Colton
“Gjithçka që kam mësuar, e kam mësuar nga librat”. – Abraham Lincoln
“Të lexuarit, pas një moshe të caktuar, largon mendjen shumë nga kreativiteti. Secili njeri i cili lexon shumë dhe shfrytëzon trurin e tij shumë pak bie nën zakonin përtac të të menduarit”. – Albert Einstein
“Mos iu bashko djegësve të librave. Mos mendo se do të zhdukësh fajet duke zhdukur dëshmitë që ndonjëherë kanë ekzistuar. Mos ke frikë të shkosh në bibliotekën tënde dhe të lexosh çdo libër”. – Dëight D- Eisenhower
“Lexo, çdo ditë, diç që askush nuk është duke lexuar. Mendo, çdo ditë, diç që askush nuk është duke menduar. Bëj, çdo ditë, diç që askush nuk do të ishte tamam budalla për ta bërë. Është keq për mendje të jetë gjithnjë në njëzëshmëri”. – Christopher Morley
“Është mirë të dish si të lexosh, por është e rrezikshme të dish si të lexosh dhe të mos dish si të interpretosh atë që lexon”. – Mike Tyson
“Të mësosh të lexosh është të ndezësh zjarr; çdo rrokje që është shqiptuar është shkëndijë”. – Victor Hugo
“Çdo libër që e merr ka mësimin ose mësimet e veta, dhe shumë shpesh librat e këqij kanë më shumë për të të mësuar se sa të mirët”. – Stephen King. /KultPlus.com
Tradita e kahershme e filantropisë korçare ishte në fokus të një takimi të organizuar sot nga fondacioni komunitar “Korçarët ndihmojmë korçarët”, i krijuar me mbështetjen e filantropes Yvonne Naum, e cila jeton në SHBA.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, i cili vlerësoi nismën.
“Veprat e bamirësve të shumtë të trevës sonë edhe sot shkëlqejnë në Korçën tonë dhe janë shprehje e frymës evropiane që mbollën në këtë qytet shumë filantropë, nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 20-të. Familja Turtulli është nga shembujt më të spikatur, që i dhuroi Korçës shumë objekte të rëndësishme, spitalin, bibliotekën, kinemanë, liceun dhe jetimoren. Janë edhe shumë filantropë të tjerë si Anastas Avram-Lekçe, Iljaz Bej Mirahori, Selim Mborja etj., që me veprat e tyre lanë gjurmë të shkëlqyera”, u shpreh Jole.
Sipas Prefektit, “vijimi i traditës së kahershme të filantropisë korçare, është fryma që të gjithë së bashku duhet të përhapim si kulturë e bashkëjetesës sonë, në emër të dashurisë për njeriun, qytetin dhe vendin”./atsh/KultPlus.com
S’rreshta kurrë së menduari për ty, do doja aq shumë të ta them.
Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem, Se më mungon dhe të mendoj. Po s’të kërkoj. Madje s’të shkruaj as njatjeta. Nuk di si je. Dhe më mungon ta di.
Ke projekte? Buzëqeshe sot? Ç’ëndërrove? Do dalësh? Ku do t’shkosh? Ke ëndrra? A hëngre?.
Do t’më pëlqente të mund të kërkoja. Po s’kam forcë. Dhe as ti nuk e ke. Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.
“Dhe mendojmë. Dhe kujtomë. Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.
Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.
Ata qe s’kane buke, kur te kujtojne buken, ty dhe mua le te kujtojne. Ata qe s’kane zjarr, kur te kujtojne zjarrin, ty dhe mua le te kujtojne. Te pagjumet e botes, me syrin hapur si nata, ne mesnaten e tyre ty dhe mua le te kujtojne. Ata qe kane vdekur dhe dashurojne akoma, ty dhe mua le te kujtojne./ KultPlus.com
Një prej figurave më të spikatura të baletit, “Artisti i Merituar” Albert Janku ka vdekur para dy vitesh, në moshën 83-vjeçare.
Ai ishte një ndër solistët e parë të baletit shqiptar, i cili ka zënë një vend të rëndësishëm nderi në jetën artistike dhe në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Janku e nisi karrierën në vitin 1955 si kërcimtar e si solist i baletit dhe për 40 vite me radhë i dhuroi skenës shqiptare me dhjetra role. Spikasin rolet në baletet kombëtare si atë të Jonuz Bruges në baletin “Bijtë e Peshkatarit”, të komisarit në baletin “Fatosi Partizan” të Benit në rapsodinë koreografike “Historia e një kënge”, atë te Bektash Agës në baletin “Halili dhe Hajria”, të Don Markut në baletin “Cuca e Maleve”.
Gjithashtu, Janku ka qenë interpretues i shumë roleve edhe në baletet e huaja të vëna në skenë nga Teatri i Operas dhe Baletit si në baletin “Francesca da Rimini”, baletin “Lola”, “Fadeda”, “Zhurale”, “Laurencia”, “Don Kishot: etj.
Albert Janku ka marrë pjesë edhe në një seri numrash koncertalë të dhëna në TKOB dhe jashtë kufijve të vendit me trupën e baletit dhe atë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku ka spikatur talenti i tij duke marrë vlerësime nga kritika e publiku.
Ai është nderuar me titullin “Artist i Merituar”, edhe pse në moshë të thyer nuk u shkëput nga ky teatër, duke ndjekur me vëmendje çdo shfaqje që është vënë në skenë. Nuk ka munguar kontributi i tij edhe në fushën e pedagogjisë, si koorepetitor, konsulent në mjaft balete, autor i shumë artikujve mbi baletin, portrete artistësh e monografish./KultPlus.com
Këshilli i Ministrave vendosi sot deklarimin “Pasuri kulturore” të zonës arkeologjike nënujore të vendbanimit palafit të fshatit Lin në Pogradec.
Në mbledhjen e sotme u miratua po ashtu zonifikimi i zonës arkeologjike nënujore “A” të vendbanimit palafit të fshatit Lin në Pogradec, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), si dhe plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e kësaj zone.
Po ashtu në mbledhjen e sotme u miratua edhe deklarimi “Pasuri kulturore e paluajtshme” e dy zonave arkeologjike (“A” dhe “B”) të qytetit të Shkodrës.
Bashkë me zonifikimin e këtyre zonave arkeologjike sipas koordinatave dhe hartave të zonifikimit në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) u miratua edhe plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre.
“Pasuri kulturore e paluajtshme” u deklaruan po ashtu edhe dy zonave arkeologjike (“A” dhe “B”) në qytetin e Vlorës, për të cilat u miratua po ashtu edhe plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre./atsh/KultPlus.com
Ka nisur në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) një nga iniciativat më të reja artistike që bën së bashku urbanistikën, artin dhe dizajnin për të krijuar një qytet më të bukur gjatë festave.
Aktiviteti “Mirëmbrëma Tirana” i jep mundësinë studentëve të urbanistikës të kontribuojnë me vizatime të detajuara të zonave urbane të kryeqytetit, të cilat do të shndërrohen në shandane ndriçues. Kjo do të mundësojë jo vetëm një ndriçim artistik, por gjithashtu do të krijojë një atmosferë të veçantë duke ndërthurur artin dhe funksionalitetin dhe duke i dhënë Tiranës një identitet estetik dhe një përvojë unike për qytetarët dhe vizitorët.
Përmes këtij procesi, Tiranës i jepet mundësia të transformohet në një qytet tërheqës, ku dizajni dhe arkitektura bashkëpunojnë për të pasuruar hapësirat publike dhe për të krijuar një mjedis ku estetika dhe prakticiteti bashkohen në harmoni./atsh/KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Muzeumeve Berat, çeli sot ekspozitën fotografike “Ikonat mariane në Muzeun Historik Kombëtar”.
E çelur në ambientet e Muzeut Kombëtar të Ikonografisë “Onufri” në Berat, kjo ekspozitë sjell pranë publikut disa prej veprave më të rëndësishme të ikonografisë shqiptare, kushtuar Shën Mërisë.
Në ekspozitë shpalosen foto të ikonave të realizuara nga mjeshtrit e mëdhenj si Onufri, David Selenica, Onufër Qiprioti, Joan Athanasi, Mihal Anagnosti dhe Diço Zografi, duke treguar madhështinë dhe delikatesën e artit të tyre.
Ikona “Shën Maria me Krishtin” zë një vend të veçantë, duke treguar përmes kompozimeve të ndryshme përkushtimin dhe frymëzimin hyjnor të artistëve.
Po aq tërheqëse janë edhe “Dyert e bukura”, me skenën mbresëlënëse të “Ungjillëzimit të Hyjlindëses”, një kryevepër që simbolizon momentin e shenjtë të artit dhe besimit.
Kjo ekspozitë është një mundësi e jashtëzakonshme për publikun e Beratit dhe vizitorët që të zbulojnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore./atsh/KultPlus.com
Letërsia botërore ka tituj dhe autorë, të cilët kanë vënë gurthemele të mëdhenj të mendimit dhe shprehjes, të idesë dhe filozofisë, të mesazhit dhe figurshmërisë, alegorisë dhe groteskut… të gjithë atij ansambli vlerash dhe qëllimsishë., Në këtë univers të parrokshëm, “Ferma e Kafshëve” e George Orwell ka ardhur për të mbetur një shënjim të atij misioni të lartë që pena mëton, urtësisht, artistikisht dhe kurajshëm.
“Ferma e Kafshëve” është një novelë alegorike nga George Orwell. Ajo u botua s’pariherë në Angli më 17 gusht 1945. Sipas shkrimtarit, libri reflekton ngjarjet që çuan në Revolucionin Rus të vitit 1917 dhe më pas në epokën staliniste të Bashkimi Sovjetik. Orwell si një socialdemokrat, ishte një kritik i ashpër i Josif Stalin, gjithashtu dhe armiqësor ndaj Moskës, drejtuar stalinizmit. Qëndrim, i cili ishte formuar në mënyrë kritike nga përvoja e tij personale gjatë Luftës Civile Spanjolle. Ai besonte se në Bashkimi Sovjetik ishte instaluar një diktaturë brutale, e ndërtuar mbi një kult të personalitetit dhe i zbatuar nga një sundim terrori. Në një letër drejtuar Yvonne Davet, Orwell e përshkroi librin “Ferma e Kafshëve” si një përrallë satirike kundër Stalinit. Në esse-në e tij “Pse unë shkruaj ” (1946), George Orwell shkroi se “Ferma e Kafshëve” ishte i pari libër, në të cilin ai u përpoq, me vetëdijen e plotë të asaj që po bënte, “për të bashkuar qëllimin politik dhe qëllimin artistik në një tërësi”. “Ferma e Kafshëve” ka fituar statusin si një prej 100 romaneve më të mira në gjuhën angleze, sipas “Time Magazine.
Idenë e këtij libri ai e kristalizoi në kohën kur ai detyrohej që të ikte nga spastrimet e komunistëve në Spanjë, e kishte inspiruar atë që të kuptojë se “sa lehtë propaganda totalitare mund ta kontrollojë mendimin e njërzve të ditur në vendet demokratike”.
Për këtë ‘përrallë satirike në fermë’ Orwell u inspirua pasi që e pa një djalë të vogël që e rrahte kalin çdo herë kur ai nuk e merrte drejtimin që i thoshte djaloshi. “E kuptova se nëse edhe kafshët e kuptojnë fuqinë e tyre ne njerëzit nuk do kishin fuqi mbi ta, dhe se njerëzit i shfrytëzojnë kafshët njëjtë si të pasurit që e shfrytëzojnë proletariatin”. Orwell fillimisht kishte shumë vështirësi në marrjen e dorëshkrimit për këtë libër, e kryesisht kjo frikë ishte për shkak të ndjenjave të tij anti-ruse. Libri më në fund u pranua për t’u botuar nga botuesi britanik, Jonathan Cape. Mirëpo edhe kësaj kompanie nuk i’u deshtë shumë për të ndryshuar mendje. Kjo sepse botuesi u kërcënua nga Peter Smollet, një zyrtar i qeverisë ruse.
Bota përball këtij libri u nda më dysh. Kritika nuk u kursye ta fshikullojë. E megjithatë ai pati një sukses të padikutueshëm. Ai vërtetë nuk arriti të rrëzonte stalinizmin nga sundimi gjakatar dhe mizoritë që ushtroi ndaj popullit rus, por ama e denoncoi atë botërisht. Si pakkush, ai guxoi të sulmonte me penë një armik dhe një barbar. Gjithashtu ai i dha botës një mësim të vyer. “Ferma e Kafshëve” është alegoria politike më e famshme e shekullit të XX. /Albert Vataj/ KultPlus.com
Konferenca e Jaltës ishte një takim diplomatik të krerëve aleate Franklin D. Roosevelt (Shtetet e Bashkuara të Amerikës), Winston Churchill (Mbretëria e Bashkuar) dhe Josif Stalin (BRSS) i cili u mbajt në vendpushimin krimeas të Jaltës, prej 4 deri më 11 shkurt 1945. Ky ishte takimi i dytë nga tre takimet aleate gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945). Temat e konferencës ishin kryesisht ndarja e Gjermanisë si dhe që dhe rusët e donin ndarjen e Italisë dhe kontrollin mbi Japonië
A kishte Italia partizanë ?
Fëmijët në lëvizjen partizane italiane. Lufta guerile në Itali. Patriotët italianë luajtën një rol të rëndësishëm në luftën kundër skllevërve fashistë në Itali. Veprimtaria e tyre është bërë veçanërisht aktive që nga vera e vitit 1944 nën ndikimin e fitoreve të mëdha të Forcave të Armatosura Sovjetike dhe ushtrive të Aleatëve Perëndimorë. Kjo u lehtësua edhe nga forcimi i pozitave të forcave përparimtare në vetë Italinë. Gjatë kësaj periudhe, numri i partizanëve u rrit ndjeshëm. Pra, nëse në shkurt – mars 1944 në Italinë Veriore kishte 20-30 mijë prej tyre, atëherë deri më 15 qershor – tashmë 82 mijë (768). Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve sovjetikë që ikën nga kampet naziste luftuan në radhët e tyre.
Konferenca e Jaltës ( 1945 ) : A e keni ditur që Çerçili, Ruzvellti dhe Stalini në Krime , morën vendim unanim në fund të 1944 dhe shkurt 1945 në Krime se: “Ata popuj që kanë bashkëpunuar me nazifashizmin, u lejohet qeverive respektive që t`i shfarosin, shpërngulin ose deportojnë në ato vende që kërkohet” ?
MILANo, 29 Prill 1945 (UP) – Patriotët italianë ekzekutuan Benito Musolinin të shtunën dhe të dielën një turmë ulëritës po godet me shkelma dhe pështyjë mbi eshtrat e tij të shtrirë në qendër të këtij qyteti ku lindi fashizmi italian.
Fytyra e Musolinit mbart një ulërimë përçmuese. Ai vdiq duke bërtitur “Jo! Jo!” ndaj një skuadre pushkatimi që mori jetën e tij dhe të zonjës së tij, pranë fshatit Dongo në liqenin e Komos pranë kufirit me Zvicrën në orën 16:10.
Trupi u dërgua me kamion në Milano dhe u hodh në sheshin e qytetit.
Një plumb depërtoi kokën tullac të Musolinit përmes ballit të majtë dhe kaloi tërësisht përmes tij, duke shqyer një pjesë të kafkës sipër dhe pas veshit të djathtë.
Truri që e futi Italinë fashiste në luftë derdhet në pisllëkun e një parcele të poshtër në qendër të Milanos.
Së bashku me Musolinin, Patriotët vranë zonjën e tij, Claretta Petacci, dhe 16 fashistë të tjerë, shumë prej tyre anëtarë të kabinetit të tij.
Trupat e të gjithëve u sollën në Milano, ku trupat e Ushtrisë së Pestë Amerikane hynë të dielën. Një turmë prej më shumë se 5000 personash u vendos menjëherë mbi kufomat duke shënuar fundin përfundimtar të fashizmit, i cili e
çoi Italinë drejt shkatërrimit të saj. (Mussolini, mistress executed by firing squadBy JAMES E. ROPER, United Press Staff Writer )
Mussolini is executed by Italian partisans. By Deseret News Apr 30, 2014, 5:52pm MDTCody Carlson, For the Deseret News
Siç vërtetohet më vonë, Duçja nuk shkoi i qetë drejt vdekjes. Ai besoi deri në momentin e fundit tek magjia e dokumenteve që dispononte dhe presioni që mund t’u bënte me to Aleatëve. Por, si çdo aferë që përfshin brenda saj me të njëjtin probabilitet suksesin dhe dështimin, edhe kjo e fundit e diktatorit italian, nuk i solli atij përfundimin e pritur. Në vend të marrëveshjes, Musolini mori një plumb pistolete dhe më pas qëndroi i varur kokëposhtë për disa ditë me radhë në një shesh në periferi të Milanos. Vdekja e tij e cila u konsiderua për vite me radhë si hakmarrje e ligjshme e italianëve , thënë si duhet që të mos ndahet Italia
Pra Mussolini u ekzekutua nga partizanët e vonshëm italian, vetëm e vetëm që të shpëtojë Italia nga ndarja, dhe që rusët mos të fusin hundët në Adriatikun, Tirrenin dhe mesdheun e nxehtë. /KultPlus.com
Kompozitori Aulon Naçi është drejtori i ri i komanduar i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Emërimi i tij vjen pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale bëri me dije emrin e drejtuesit të ri si dhe falenderoi kryeministrin Rama për besimin që i dha në 28 muaj punë në TKOB.
“Rrugëtimi i këtyre 28 muajve u kurorëzua me sukses falë ekipit, përmes mbi 600 veprave dhe shfaqjeve, për të cilat foli vetë publiku me praninë e tij të jashtëzakonshme”, shkruan Voshtina.
Me tej, ish-drejtoresha e Përgjithshme e TKOBAP ka renditur statistikat mbi mbarëvajtjen e punës në këtë institucion të artit e kulturës ku viti 2024 u mbyll me 25% më shumë publik të ri në krahasim me vitin 2023; 38% rritje e të ardhurave në buxhetin e TKOBAP-së; rreth 700 orë “Edukim përmes artit”, me 141 orë trajnime dhe 36 shfaqje të realizuara nga artistët e rinj vetëm në vitin 2024, duke u dyfishuar krahasuar me vitin paraardhës; 74 aktivitete kulturore ndërkombëtare të organizuara në Shqipëri, në bashkëpunim me partnerë të huaj vetëm këtë vit; 20 bashkëpunime të tjera që e treguan Shqipërinë në skenën ndërkombëtare, duke pesëfishuar shifrat krahasuar me vitin paraardhës; 43 premiera, të cilat ishin pluhurosur në sirtarët e arkivës, të pasuara nga 118 rivënie të tjera.
“Teatri është një motor që nuk ndalet dhe jam mirënjohëse për rrugëtimin që pata deri më sot në këtë pozicion. Rrugëtimi im do të vijojë me projekte të reja dhe pa dyshim do të shihemi sërish se Arti s’vdes kurrë”, përfundon mesazhin e saj Abigeila Voshtina./ KultPlus.com
U nënshkrua sot në Bruksel, Dokumenti i Partneritetit me Bashkimin Europian, mes Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, në praninë e Kryeministrit Edi Rama.
Kryeministri Rama e cilëson këtë si një marrëveshje të rëndësishme pre të mbështetur Forcat e Armatosura të Shqipërisë, çka pohohet dhe nga Kallas, e cila e sheh këtë dokument si tregues të qartë të investimeve në sigurinë tonë të përbashkët./ KultPlus.com
Baleti “Arrëthyesi” i Çajkovskit, i kthyer në një ikonë të atmosferës festive të fundvitit, e pati premierën e tij botërore 132 vjet më parë.
Shfaqja e parë e baletit të Krishtlindjes u mbajt si premierë e dyfishtë së bashku me operën e fundit të Çajkovskit, “Iolanta”, më 18 dhjetor të vitit 1892, në Teatrin Imperial Mariinsky në Shën Pjeterburg, Rusi.
“Arrëthyesi” bazohet në historinë e Hoffmann-it, “The Nutcracker and the Mouse King”, për një vajzë që miqësohet me një arrëthyes që kthehet në frymor, në vigjilje të Krishtlindjes dhe zhvillon një betejë kundër mbretit të keq, miut.
I kompozuar në stilin romantik, baleti përmban një sërë pjesësh muzikore të njohura gjerësisht. Një nga më të famshmit është Vallja e Zanës së Kumbullës së Sheqerit, e cila u shkrua posaçërisht për të përdorur një instrument të ri që Çajkovski kishte zbuluar në Francë të quajtur çelesta. Ai gjithashtu përfshiu instrumente lodrash në skenën e festës së Krishtlindjes.
Përveç baletit, suita “Arrëthyesi” mori vlerësime jashtëzakonisht entuziaste dhe u bë një tipar popullor në shfaqjet e koncerteve../ KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri, me qëllim “dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë”.
Në një mbledhje të Qeverisë, të mbajtur të mërkurën, u tha se objektivi kryesor është “krijimi i një institucioni publik, përkujtues dhe prezantues të historive dhe përvojave nën pushtimin e Serbisë dhe të Jugosllavisë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se muzeu “është institucionalizimi i kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi, sa e krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale, aq edhe dëshmi se Republika e Kosovës edhe ka ngadhënjyer, edhe nuk harron”.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, tha se muzeu i ri “synon edukimin, përkujtimin dhe nderimin e brezave” dhe “prezantimin e përjetimeve të të mbijetuarve, që historitë e tyre të mos harrohen”.
Muzeu, shtoi ai, “synon paqen e qëndrueshme, duke u siguruar që e kaluara e dhunshme të jetë e dëshmuar, të kujtohet dhe të mos përsëritet”.
Çeku ka thënë se ky muze do të themelohet fillimisht si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për muzetë, ai pritet të shndërrohet në institucion të pavarur muzeor të nivelit kombëtar.
Institucioni i muzeut synohet të vendoset në ndërtesën ku aktualisht vepron MKRS, në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë./ Radio Evropa e Lire/ KultPlus.com
Aktorja e njohur Meli Qena është figura e radhës që do të prezantohet në kuadër të projektit “Njihuni me artin e viteve 1970-1980”, projekt ky i ideuar nga Vlora Merovci e që është mbështetë nga Komuna e Prishtinës.
Është ndër të paktat raste ku Meli Qena do të prezantohet me rrëfimin e saj për rrugëtimin e saj artistik, bashkëbisedim që do të realizohet në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, me 21 dhjetor prej orës 18:00.
Të gjithë të interesuarit mund të vijnë dhe ta dëgjojnë nga afër rrëfimin dhe rrugëtimin artistik të aktores Meli Qena, e cila ka një bagazh të madh artistik./ KultPlus.com