‘Primordial Passion’, kryevepra që flet shqip, Pirro Ruço: Ora simbolizon energjinë, unitetin dhe shpirtin e popullit shqiptar

Vjollca Duraku

“Primordial Passion” është ora e parë e prodhuar në hapësirat shqiptare nga mjeshtri i madh i artit të punimit të metaleve dhe gurëve të çmuar, Pirro Ruço. Ajo nuk është thjeshtë një orë. Konsiderohet KRYEVEPËR, dhe e tillë është. Në një diameter 46.5 milimetra paraqitet identiteti kulturor i një kombi të tërë. Në popull është emërtuar edhe si “Ora Shqiptare” që në një kuptim dytësor personifikon mbrojtjen e Shqipërisë, pasi thellë thellë paraqet një harmoni të paparë të të gjitha trojeve shqiptare, bukuria e së cilës qëndron te dallimet e tyre si në traditë, kulturë, fizionomi dhe gjithçka tjetër që përkufizon secilin rajon.

Përveç, elegancës dhe bukurisë së rrallë të paraqitur në formë skulpturore në miniaturë dhe filozofisë mbi unitetin dhe shpirtin e popullit shqiptarë, unikaliteti i saj qëndron edhe në gërshetimin e mjeshtërisë tradicionale me teknologjinë moderne, si pasojë e një vizioni që e mat kohën me bukurinë e përjetshme,  duke tejkaluar trendet e të përkohshmes.  

“Primordial Passion” flet shqip përmes tik-takeve të saj, të cilat burojnë nga zemra e shqiponjës së stilizuar, e cila qëndron stoike mbi mbretëreshën kohë. Rreth saj, e praruar në ar paraqitet një skenografi folklorike perfekte e dymbëdhjetë vallëtarëve shqiptarë, që përfaqësojnë dymbëdhjetë rajone të ndryshme të Shqipërisë etnike, të cilët përmes kostumografisë autoktone nxjerrin në pah tipologjinë dhe psikologjinë e veçantë të secilës zonë.

Këmbët e shqiponjës përfaqësojnë akrepat e orës, rreth së cilëve qëndrojnë katër instrumentistë që luajnë me lahutë, fyell, gajde dhe çifteli duke krijuar një simfoni perfekte për valltarët që vallëzojnë mbi një mozaik artistik gurësh kuq e zi. E tërë kjo gjendje ruhet përmes një kupole të kristaltë, e cila rri mbi këtë solemnitet kombëtar si mburojë për të mos e dëmtuar nga ‘faktorë të jashtëm’. Ndërsa, korona e kurdisjes që përfaqëson një kapitel të antikitetit ilir, e dekoruar me gjethe të dushkut, paraqet një epokë historike e cila e kurdis rrjedhën e ngjarjeve pasuese dhe të simfonisë shqiptare.

Për të krijuar një kryevepër të tillë sikurse e mjeshtrit Pirro Ruço është e qartë që një personi do t’i duhej një vizion, vullnet, pasion dhe një atdhedashuri e madhe, por mbi të gjitha do t’i duhej të ishte i biri i një babai që ka qenë mjeshtër i madh i shumë zanateve, në mënyrë që kjo mjeshtëri artistike t’i ngjizej në identitet krejt natyrshëm, që nga lojërat fëmijërore në atelenë e punës të së atit, në fshatin Kuqovë.

Në gdhendjen e tij si artist edhe fati e luajti rolin e vet, ngase në kohën kur Shqipëria ishte në një kaos social dhe në një mishmash politik asokohe presidentit i mungonin edhe medaljet dhe dekoratat tjera me të cilat do të jepte vlerësim për një kontribut të caktuar. Kështu, si një artist fillimisht i afirmuar pas krijimit të stampës së Enver Hoxhës përmes një pantografi të cilin e kishte krijuar vetë në shtëpi, si një sajim për t’i shpëtuar internimit, e më vonë edhe si një artist i dëshmuar përmes ekspozitës së parë me punime të arit në Tiranë, argjendtarit Pirro iu dha leja që të merrej edhe me këtë pjesë.

Prej atëherë ai do të perfeksiononte artin e tij shkallë- shkallë për tu shëndrruar në artistin e të gjitha krijimeve që përfshijnë medalje, dekorata, çmime e trofe për të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të Shqipërisë. Në dy dekadat e fundit ai e arriti kulminacionin e tij si artist pasi u specializua edhe në artin e bizhuterisë duke arritur nivele të larta në dizajn dhe teknologji.

Në këtë kulminacion të karrierës së tij, një vizitë e realizuar në Baselworld në vitin 2014, në një nga panairet më të rëndësishme në botën e orëve dhe bizhuterive për të do të paraqiste një pikëkthese të madhe në aspektin e zgjerimit të vizionit të brendit të tij “Pirro”. Mjeshtri i artizanatit aty ishte mrekulluar aq shumë sa zemra dhe mendja e tij i kishin ngelur te mjeshtëria mekanike dhe shpikjet novatore të industrisë së orëve.

“Ky moment ndezi një pasion të ri brenda meje. Fillova të vizitoja çdo panair orësh, duke u përkushtuar në krijimin e një ore që nuk ishte bërë kurrë më parë. Synimi im ishte të krijoja diçka që do të pasqyronte artizanatin dhe pasionin tim të thellë. Investova në makineri të fundit zvicerane dhe fillova eksperimente të reja. Krijimi i një ore që do të pasqyronte gjithçka që unë përfaqësoja ishte një sfidë e madhe, por njëkohësisht edhe një mundësi e jashtëzakonshme”, ka thënë Ruco, duke treguar se kjo eksperiencë në Zvicër e kishte ngacmuar thellë dellin e tij për të krijuar orë për herë të parë në Shqipëri, si dhe një të tillë që nuk ishte realizuar ende në botë, si mënyrë e vetme për të çarë në tregun ndërkombëtar.


“Kjo eksperiencë më frymëzoi të nis një projekt të ri artistik, ku do të krijoja një orë që nuk ishte realizuar kurrë më parë. Me këtë projekt, kam dashur të ndërthur identitetin kulturor shqiptar me vizionin unik të kompanisë sime. Krijimi i kësaj ore, që përfaqësonte këtë sintezë, u bë një qëllim ambicioz që më drejtoi në një udhëtim të jashtëzakonshëm krijues”, ka thënë Ruço, duke shtuar se arti është një pasion që të ngërthen në vazhdimësi nga i cili nuk mund të ndalesh së kërkuari dhe krijuari origjinalitet të bazuar në një masë eterne që rrjedh përmes ndjesive të tua si individ.

Megjithëse ideja për një krijim të tillë unik i ishte shfaqur më vonë, krjimtaria artistike me motive kulturore që e nderon trashëgiminë e popullit, kanë qenë një stil i punës që e kishte përcjellë argjendtarin përgjatë 30-të viteve të tij të karrierës. Kjo përvojë e shtresuar dhe e mjeshtëruar vit pas viti padyshim ka qenë e duhura që ai të krijojë besim te vetja për të krijuar “orën mbretëreshë” dhe për të konkurruar me brendet më të fuqishme botërore, që shpesh janë edhe me prirje komerciale, përmes këtij monumenti identitar.

“Për mua, valltarët folklorikë simbolizojnë energjinë, unitetin dhe shpirtin e popullit shqiptar. Duke i integruar ata në dizajnin e kësaj ore, qëllimi im ishte të sjell në jetë këtë frymë kolektive, e cila është
thelbësore për historinë dhe identitetin tonë. Çdo figurë është konceptuar për të mishëruar psikologjinë dhe elementet unike të këtyre rajoneve, duke i pasqyruar ato përmes veshjeve tradicionale, shprehjeve dhe psikologjisë së secilit portret”.

Dëshira e tij  për të krijuar një orë që do të pasqyronte trashëgiminë kulturore shqiptare në një mënyrë unike dhe artistike u pasua nga një studim i thelluar i traditave kulturore të rajoneve shqiptare dhe i elementeve që mund të përfshiheshin në dizajn. Pas kësaj, ka filluar puna mbi konceptin e figurave dhe detajeve që do të shfaqnin veshjet tradicionale dhe shprehjet e valltarëve folklorikë.

“Pasi koncepti u formua, kaluam në fazën e dizajnit dhe krijimit të prototipit. Gjatë kësaj kohe investova
në makineri moderne dhe teknologji më të fundit zvicerane. Kjo fazë kërkoi shumë kohë për testim dhe përsosje, për të siguruar që çdo detaj të ishte i përsosur”.

Gjatë krijimit të “Primordial Passion”, përballja me sfida të ndryshme padyshim që ka qenë  e pashmangshme, pasi për të ishte një përvojë e papërjetuar më parë. Momentet kritike dhe sfidat kanë qenë prezente deri në ditën e fundit për shkak të detajeve të imta që kërkonin shumë kohë e precizion, si dhe për shkak të problematikave teknike.

Për të ndërtuar mozaikun kuq e zi që shërben si bazë e figurinave është dashur që në tavolinën e punës të preheshin 20 mijë gurë Murano, prej të cilëve janë përzgjedhur 1500, ata më të përshtatshmit për të krijuar një vendosje me saktësi të hatashme në një hapësirë ndërmjet gurëve me tolerancë më pak se 3 mikronë – një nivel precizioni që thekson mjeshtërinë, durimin dhe përkushtimin e punës së tij në plotësimin e mozaikut artistik.

Edhe gdhendja jashtëzakonisht precize e valltarëve folklorikë në një madhësi prej prej vetëm nëntë milimetrash, ka kërkuar një nivel të lartë mjeshtërie dhe vëmendjeje ndaj detajeve, për të siguruar që çdo mikro-figurinë të përçonte denjësisht etnografinë dhe kustomografinë shqiptare.

“Gjatë përballjes me këto sfidë, më janë dashur netë e netë pa gjumë duke bërë kërkime të thella si dhe investime të konsiderueshme në makineri të avancuara zviceriane. Ky proces kërkonte një angazhim të plotë dhe një përkushtim të madh deri në sakrifica, por rezultati në fund ja vlejti. Sfidën më të madhe në këtë projekt e kisha me veten, ku gjithë kohës mendoja si do ta mbyllja këte orë në mënyrën më perfekte”, ka thënë Ruço.

Çdo figurinë ka një lartësi prej 9-10 mm, me detaje të cilat ruajnë origjinalitetin e një vepre skulpturale, ku secila prej tyre ka tipologji dhe kostumografi të veçantë. Ky mikro-mozaik përmban 1500 gurë në tetë ngjyra të ndryshme, të cilat janë pozicionuar gati në perfeksion një e nga një nga artisti Ruco. Kasa e orës përbëhet prej ari të verdhë 18 karatësh me diametër 46.5 milimetra, që së bashku me kristalin harkor prej zafiri të kupolës arrin një lartësi rreth 22 mm. Ora në tërësi karakterizohet nga tre ngjyrëshi arbënor: E artë, e zezë, e kuqe.

“Përfundimi i kësaj ore ka kërkuar shumë angazhim, përkushtim dhe përpjekje për të realizuar çdo detaj, dhe fakti që ia dola ta sjell në jetë një krijim kaq të veçantë është një arritje e madhe për mua. Ndjenja e kënaqësisë është e paçmuar, sepse çdo fazë e procesit ishte një mundësi për të mësuar dhe për t’u zhvilluar si artist. Kjo orë nuk është vetëm një produkt, por një dëshmi e pasionit dhe e përkushtimit tim për mjeshtërinë dhe artin”.

Sigurisht, një realizim kaq i vështirë dhe kaq i jashtëzakonshëm si ky ka impresionuar edhe arenën ndërkombëtare, dhe kjo gjë paraqet një ndjenjë të veçantë krenarie për mjeshtrin Ruco. Gazetarët më të famshëm të specializuar në fushën e horologjisë e kanë vlerësuar shumë nivelin e detajeve dhe mjeshtërinë e orës, si dhe përpjekjen për të përçuar kulturën dhe historinë shqiptare përmes një dizajni të tillë.

“Ora është promovuar në shumë publikime të huaja, gjë e cila më bën jashtëzakonisht krenar. Promovimi i orës në shumë media prestigjioze ndërkombëtare më ka mbushur dhe inspiruar. Ajo që më ka lënë më shumë mbresa janë reagimet që e krahasojnë “Primordial Passion” me orët e markave më të famshme botërore, si për mjeshtërinë dhe precizionin, ashtu edhe për origjinalitetin. Disa ekspertë e kanë cilësuar si orën më emocionuese dhe të papritur të vitit, një zbulim të jashtëzakonshëm që ka sfiduar përceptimet e luksit dhe artizanatit në botën e horologjisë”.

Ora “Primordial Passion” është një vepër unike, e vetëmja në llojin e saj. Vlera e saj është CHF 1,200,000, megjithëse për vetë artistin i cili ende refuzon ta shesë, vlera e saj nuk ka çmim sepse në të janë të përmbledhura pesë vite jetë, punë durim dhe sakrificë. Kjo vepër është menduar për një grup të ngushtë koleksionistësh dhe adhuruesish të veprave të rralla, të cilët çmojnë artizanatin dhe lidhjen me identitetin kulturor.

“Edhe pse kemi pasur disa interesime, ora ende nuk është shitur. Për mua është shumë e vështirë ta shes, pasi për mua ajo është e paçmueshme. Megjithatë, jemi të hapur për mundësi dhe po presim të gjejmë koleksionistin e duhur që do ta vlerësojë me të vërtetë, përveç disa kërkesave serioze që kemi tani”, ka thënë mjeshtri Ruço, i cili për pesë vite i ishte shmangur krejtësisht punës në argjendtarinë e tij, duke ia bartur këtë pjesë bashkëshortes Ortencës dhe së bijës Albës, e cila është e kualifikuar në pjesën e gurëve të çmuar.

Meqë ora është një përfaqësim i artit, historisë dhe mjeshtërisë, Ruco dëshiron që mbajtësi i saj të ndjejë se është duke mbajtur një vepër unike dhe të veçantë, që ka një domethënie të thellë dhe një lidhje me identitetin kulturor. Për më tepër, mjeshtri dëshiron që ata të ndiejnë një ndjesi ekskluziviteti dhe elegance, duke pasur diçka që nuk mund të gjendet askund tjetër.

Nëse “Primordial Passion” do të fliste edhe me zë, do të tregonte për një krijues të përkushtuar ndaj mjeshtërisë dhe artit, që nuk ka frikë të sfidojë veten për të arritur perfeksionin. Do të fliste për pasionin dhe krenarinë që mbart çdo detaj, për dashurinë për krijmtarinë artizanale dhe për dëshirën për të sjellë një pjesë të historisë dhe identitetit në këtë krijim.

“Kjo orë do të tregonte për një individ që beson në fuqinë e artit për të përçuar mesazhe dhe ndjenja që kalojnë përtej kohës dhe hapësirës”.

Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm artisti planifikon të krijoj më shumë vepra unike në të ardhmen. Qëllimi i tij është të vazhdoj të prodhoj ora dhe koleksione që kombinojnë mjeshtërinë tradicionale me inovacionin modern, duke sjellë elemente të reja që i japin zë historisë dhe indentitetit shqiptar. “Çdo krijim do të jetë një vepër arti e personalizuar, që ka si synim të ruajë autenticitetin dhe të ofrojë një përvojë të paharrueshme për çdo klient”, ka thënë Ruço.

Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, artisti ka theksuar edhe rolin i krijimeve artizanale që sipas tij është më i rëndësishëm se kurrë, pasi shërben si një kundërpeshë ndaj automatizimit dhe vlerave komerciale. Sipas tij puna artizanale ofron autenticitet dhe vlera emocionale duke krijuar kështu një lidhje më të thellë midis krijuesit dhe konsumatorit- diçka e cila është e vështirë të kopjohet nga teknologjia.

“Teknologjia është një mjet për detyrat teknike, por kreativiteti duhet të mbetet në duart e njeriut. Megjithatë, artizanët nuk mund ta injorojnë plotësisht teknologjinë; por të mësojnë si ta integrojnë atë në punën e tyre për të qëndruar të rëndësishëm në treg. E ardhmja e krijimeve artizanale qëndron në
harmonizimin e inovacionit teknologjik me parimet e përjetshme të mjeshtërisë artizanale duke ruajtur
kështu trashëgiminë ndërkohë që përqafon modernitetin”, ka thënë Ruço.

Për fund, artisti Ruço ka dhënë një këshillë për krijuesit e rinj që aspirojnë të hyjnë në industrinë e orëve, për të gjetur një balancë mes inovacionit teknologjik dhe parimeve të përjetshme të mjeshtërisë artizanale.

“E ardhmja e orologjisë qëndron në harmonizimin e këtyre dy aspekteve. Magjia e një ore nuk qëndron vetëm tek precizioni dhe mekanizmi i saj por dhe tek historia, imagjinata dhe emocioni që ajo përcjell. Ndërkohë që industria vazhdon të evoluojë, është e rëndësishme të përdorim teknikat moderne pa humbur esencën e artit tradicional. Talenti i vërtetë qëndron në komunikimin e elegancës dhe thjeshtësisë, dhe ky është sekret i orologjisë si një formë arti që sheh përpara, ndërkohë që mbetet e lidhur ngushtë me të kaluarën”, ka thënë Ruço./ KultPlus.com

Balerina e gjeneratës së dytë në BKK, Sabrije Spahiu: Momenti më i rëndë, largimi me dhunë nga teatri në kohën më të artë krijuese

Flonja Haxhaj

Në botën magjepsëse të artit të lëvizjes, emri i Sabrije Spahiut zë një vend të veçantë. E lindur në Mitrovicë më 1960, Spahiu do të niste që në moshë të re rrugën drejt baletit, rrugë kjo që që u shoqërua me shumë punë, sakrificë dhe mbi të gjitha, me ndjenjën e mohimit e të ndalimit, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për KultPlus, Sabrije Spahiu ka shpalosur mes emocionesh momente të rëndësishme të karrierës së saj, duke përfshirë sfidat e të qenit ndër artistet e para shqiptare në këtë fushë dhe ndikimin që arti i baletit ka pasur në jetën e saj. Ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë artistike dhe rolin që ajo vetë ka luajtur në krijimin e një baze të fortë për brezat e rinj të artistëve kosovarë.

Lidhja e saj me baletin filloi në qytetin e saj të lindjes, Mitrovicë, një qendër kulturore dhe artistike që ka nxjerrë emra të shumtë të artit shqiptar.

“Mitrovica ka qenë qendër e kulturës, dhe natyrisht, kjo ka ndikuar në zhvillimin tim si artiste. Hapat e parë të baletit i mora pikërisht aty, kur në vitin 1972 u hap një studio baleti, dhe aty filloi gjithçka. Fillimisht ishte një dëshirë e një fëmije, por kurrë nuk e mendoja se baleti do të bëhej pjesë e pandashme e jetës sime,” tregon Spahiu.

Ajo kujton momentet e para të përballjes me artin e baletit me një emocion të veçantë. Ishte e vetmja shqiptare në studion e baletit dhe momenti kur veshi këpucët e baletit, iu duk sikur po fluturonte. “Më kujtohet se në shtëpi njihesha si balerina e shtëpisë dhe gjithmonë duhej të improvizoja ato që mësoja në studio. Për familjen time, kjo ishte diçka e jashtëzakonshme”, thotë Spahiu, teksa ndan kujtimet e fëmijërisë dhe kontaktin e parë me baletin.

Kushtet dhe rrethanat e asaj kohe në Kosovë, në mungesë të një dege të veçantë të baletit, e detyruan atë që studimet drejt përsosmërisë së këtij arti, t’i vazhdojë në Qendrën e Baletit dhe Operës në Shkup. U diplomua në vitin 1978, me temën mbi “Vallëzimin e Karakterit Botërër dhe Vallëzimin Historik”, moment ky që do t’ia jepte fillesën e një karriere të ndritur, të bazuar në themele të forta profesionale.

“Gjatë studimeve të mija në Shkup, përveç lëndëve të tjera, i kemi pasur edhe pesë lëndë profesionale ku të gjithë valltarët dallohen me diçka. Profesorët e kanë vërejtur që jam më shumë valltare karakteri dhe në karakterin botëror mësohen të gjitha vallet karakteristike të botës. Unë kam qenë soliste në një valle moldave, pastaj edhe në vallet historike siç janë minuetat. Ndoshta për shkak se jam përshtatur më shumë këtij karakteri, edhe profesorët më kanë propozuar që të përzgjedh këtë lloj teme”, tregon Spahiu, teksa flet për temën me të cilën u diplomua.

E zhytur nën petkun e melankolisë dhe nostalgjisë që kujtimet e asaj kohe i dhanë, Sabrije Spahiu rrëfen se ndonëse periudha kur ajo vendosi t’i përkushtohej artit të baletit mund të kishte shoqëruar paragjykime, nuk e ka ndjerë kurrë peshën e tyre. Përkundrazi, ajo kujton me krenari se si vendimi i saj është pritur me admirim dhe mbështetje nga të rinjtë e asaj kohe.

“Unë nuk e kam ndjerë ndonjëherë idenë e paragjykimit, madje ishte e kundërta, jam parë me shumë admirim nga shumë të rinj dhe kam ndjerë përkrahje pothuajse nga të gjithë,” tregon ajo.

Gjithashtu, ajo përmend edhe vështirësitë gjatë shkollimit në Shkup, ku plani mësimor zhvillohej në gjuhën maqedonase dhe integrimi në një shoqëri të re paraqiste një sfidë më vete. Në një moment dëshpërimi, kur ishte gati të dorëzohej, ishte këshilla e babait të saj që e frymëzoi dhe i dha forcë të vazhdonte.

“Ai më tha, ‘Ti duhet ta mbarosh, edhe atë me sukses, sepse ne duhet ta bëjmë shtetin, t’i kemi të gjitha profesionet’”, tregon ajo, duke shtuar se këto fjalë u bënë udhërrëfyese dhe jo vetëm që përfundoi me sukses këtë fazë të rëndësishme të edukimit të saj, por edhe kontribuoi në ndërtimin e një tradite artistike që sot është burim frymëzimi për brezat e rinj.

Pas studimeve, në vitin 1979 Sabrije Spahiu iu bashkua Teatrit Popullor Krahinor të Prishtinës, një periudhë plot sfida për artin dhe kulturën kosovare. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi pasionin e saj.

“Në atë kohë, trupa e baletit nuk ishte e kompletuar, luheshin disa kolazhe, por jo ndonjë shfaqje shumë e madhe. Në vitin 1979 ju bashkëngjita trupës dhe për fat të mirë u dha edhe baleti i parë në skenën e teatrit e që ishte ‘Halili dhe Hajria’, e kjo ka qenë diçka madhështore për mua.  Njëkohësisht, kjo shfaqje na dha edhe vulën e e rrugës, të vazhdojmë më tutje. Ishte një balet shumë i vështirë, me pesë akte dhe teknikisht ishte shumë i vështirë, por punuan shumë koreografët, e ajo na dha  jetë për të vazhduar përpara”, tregon Spahiu.

Kur kujton përvojën e saj në baletin “Halili dhe Hajria”, Sabrije Spahiu shprehet me emocion: “Është një kujtim i jashtëzakonshëm, kujtim jetësor, sepse ne i njihnim gjithë baletët botërorë, por baleti shqiptar ishte diçka e veçantë për neve, se lidhej shumë me kulturën tonë, me karakterin. E njëjta ndjenjë ishte edhe në rishfaqjen e këtij baleti në 50-vjetorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, edhe më madhështore për shkak të trupës më të madhe të baletit,” përfundoi ajo

Gjatë karrierës së saj, Spahiu ka interpretuar shumë role, por disa prej tyre kanë mbetur të paharrueshëm. “Një ndër rolet që më ka pëlqyer më shumë ishte ai te ‘Bukuroshja e Fjetur’. Kam luajtur gjithashtu edhe role djemsh, në mungesë të balerinëve të rinj, që ishte shumë interesante për mua. Një rol që kujtoj me ëndje është roli i Gjonit në shfaqjen ‘Piter Pan’. Por një nga momentet më të vështira ishte kur roli kryesor i nuses në një shfaqje u ndërpre para premierës për arsye të okupimit serb,” rrëfen ajo.

“Ka qenë shumë e vështirë, sidomos për mua, sepse isha në moshën 32-vjeçare, në kohën kur kisha mundësi që më së shumti të jap për artin dhe aty ndërpritet gjithçka dhe ishte një dëshpërim i jashtëzakonshëm sepse është baleti një art që nuk mund ta mbash pa ushtrime çdo ditore edhe pse ne bëmë përpjekje maksimale që ta mbajmë gjallë, megjithatë, ishte e pamundur që të vazhdohet më tutje”, shprehet Spahiu duke rrëfyer dhimbjen që la pas periudha e okupimit serb, teksa ajo ishte në periudhën më të artë skenike.

Për Sabrijen, periudha e okupimit serb ishte një nga sfidat më të mëdha si artiste, mirëpo pavarësisht kësaj, ajo rrëfen se u riktheyen pas shumë përpjekjeve. Baleti u rikthye me shfaqjen ‘Fylltari’, e kjo sipas saj është e gjitha meritë e Ahmet Brahimaj.

 Pas largimit nga teatri në vitin 1992, Sabrije Spahiu mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Komiteti i Helsinkit në Stokholm, ku ndau përvojat e saj dhe dhimbjen e artistëve shqiptarë gjatë atyre viteve të vështira.

“Në vitin 1995, pas largimit nga teatri, mora një ftesë nga Komiteti i Helsinkut në Stokholm për të folur për situatën kulturore në Kosovë dhe aty gjatë bisedës kur e sheh, kur del jashtë dhe e sheh se ku ka arritë bota dhe ti kur je i ankohesh për punën tënde elementare ishte e dhimbshme dhe shpërtheva në vaj, e kjo la përshtpje shumë të fortë tek organizatorët. Gjatë fjalimit u shpreha se unë sot do të doja të isha mysafire e skenës dhe fatkeqësisht jam mysafire e tavolinës. Kam menduar se arti i lëvizjes është arti më i fuqishëm njerëzor, por ne largohemi vetëm pse jemi shqiptarë, e kjo la impakt të fortë tek ata”, tha mes emocionesh Spahiu.

Sabrije Spahiu, së fundi pati edhe shfaqjen përshëndetëse me rolin e nënës në shfaqjen ‘Arrëthyesi’. Ajo shprehet se ky ishte një moment tejet i veçantë i karrierës së saj, dhe sigurisht, falënderoi drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, që sipas saj dha një shembull se si duhet vlerësuar puna e një figure që ka kontribuar shumë për një institucion.

“Kur më telefonoi Sinani që unë të luaja rolin, u habita, ndonëse roli i nënës nuk ishte teknikisht shumë i vështirë dhe e pranova. Vërtet ishte një ndjenjë shumë e mirë, me një provë 10-ditëshe, luajta më pas në premierë. Vërtet e ndjeva veten në rolin e nënës, sepse të gjithë balerinët u gëzuan shumë dhe më trajtonin si të tillë, një ndjenjë e jashtëzakonshme, e për këtë e falënderoj shumë Sinanin. Më erdhi shumë mirë sepse sot njerëzit po largohen nga institucionet pa përshëndetje”, tha mes tjerash ajo.

Sot, Sabrije Spahiu ndjen krenari për trashëgiminë që ka lënë në baletin kosovar dhe vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e talentëve të rinj përmes studios së saj të baletit. Kjo studio ka tash ed 22 vite në funksion, e që sipas Spahiut, më shumë ka qëllim që të krijojë një njësi mbi këtë art fisnik se sa të zbulohen talentët e rinj.

“Pas hapjes së shkollës së gjeneratës së parë, nuk ishim të gjthë të angazhuar sepse ishte vetëm një paralele dhe unë e pashë të nevojshme që ta hapi vetë një studio. Fillova me studion e parë. Me studio është më vështirë të punohet sepse nuk ka seleksionim dhe të gjithë ata që e duan baletin mund të bëhen pjesë. Fillova e para dhe të them të drejtën programet tona kanë qenë shumë origjinale. Ndër vite kemi pasur edhe paraqitje të shumta, ndër to është edhe shfaqja ‘Thirrja për paqe’ që edhe sot e asaj dite e kam në repertor. E vërteta është se jo të gjithë kanë talent apo do të bëhen balerinë, mirëpo rëndësi ka që të krijohet ndjesia e këtij arti fisnik, elegant e domethënës.”

Gjithashtu, ajo vlerëson lart potencialin e trupës së baletit, megjithatë sipas saj, institucionet duhet të punojnë më shumë në infrastrukturën e baletit.

“Është e ditur që Kosova ka shumë talentë, megjithatë e gjitha kjo varet edhe prej institucionet tona, se sa po punojnë ato për këtë trupë të baletit. Trupa jonë e baletit nuk ka një sallë adekuate, bëjnë provat sa një vend sa një vend tjetës. U bënë 25 vite që kur u kthye funksioni i teatrit dhe sot nuk e kemi një teatër të operës së baletit. Ka ide, por asnjëra nuk po përkthehet në praktikë.  Megjithatë kjo gjeneratë ka një potencial shumë të fortë, megjithatë e gjitha varet nga infrastruktura”, pohoi Spahiu, duke shtuar se sot patriotizëm është që të krijosh kushte për artin.

E krejt në fund, Sabrije Spahiu ka një mesazh të qartë për brezat e rinj: “Shfrytëzoni potencialin tuaj rinor sa më mirë që të jetë e mundshme dhe mos e lini pasionin të zbehet përballë sfidave. Arti është një thesar që duhet kultivuar dhe mbrojtur./KultPlus.com

Nga një fëmijë me pasion në një violiniste ndërkombëtare, Sibora Resyli: Ëndërroj të perfomoj në Koncertin e Vjenës

Ejona Veselaj

Në moshën pesë vjeçare, e vogla Sibora Resyli, tashmë violiniste e madhe, ka zbuluar pasionin e saj të thellë dhe të përhershëm për muzikën, një pasion që u rikthye në një pjesë të pandashme të jetës së saj. Si shumë fëmijë të tjerë, ajo nisi të merrej me këngë e vallëzime që në kopsht, mirëpo ajo që e dallonte ishte dëshira e saj e pashtershme për artin, që do të lulëzonte me kalimin e kohës. Aty ishte hapi i saj i parë i një rrugëtimi në botën e muzikës, një rrugëtim që do ta dërgonte në skenat vendore e deri në ato ndërkombëtare, duke shënuar sukses pas suksesi.

“Pasionin tim për muzikën e zbulova në moshën pesë vjeçare, ku kam qenë vazhdimisht e angazhuar në këndim dhe vallëzim”, u shpreh Sibora.

Sibora, e cila tani është një violiniste e re, por që premton shumë, filloi të luante me violinë që në moshën shtatë vjeçare. Në një rrëfim ekskluziv për KultPlus, e vogla Sibora tregoi që këtë instrument të bukur e zgjodhi për tingullin e veçantë që ka.

Duke folur për mbretëreshën e instrumenteve, ajo thotë se violina ka një tingull të veçantë dhe një bukuri që të kap në shpirt. Zgjedhja e këtij instrumenti nuk ishte rastësi për të, por një dëshirë e thellë për të shprehur emocionet dhe pasionet e saj nëpërmjet muzikës.

Me shumë nostalgji dhe dashuri, Sibora tregon momentet më të paharrueshme për të, e të cilat janë të shumta. Mirëpo, mes të gjithash, ajo thotë se momenti më i veçantë ishte koncerti i parë në moshën 12-vjeçare, ku performoi në një ngjarje për Festën e Halloween-it, në shkollën “Prenk Jakova”. Ky moment ishte një hap i rëndësishëm për të si violiniste dhe një mundësi për ta parë vetën përballë një audience, që për herë të parë e vlerësoi dhe e mbështeti atë.

“Kam qenë shumë e lumtur dhe e entuziazmuar të performoj para një publiku. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme që më dha shumë forcë dhe besim për të ecur më tej në këtë rrugë”, kujton Sibora, duke reflektuar mbi emocionet e saj të para si interpretuese.

Frymëzimi dhe modelet

Si çdo artist tjetër, edhe Sibora ka figura të njohura që e kanë frymëzuar në rrugën e saj muzikore. Një prej tyre është violinistja e njohur Hilary Hahn, një artiste që ka lënë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën dhe karrierën e Siborës.

“Hilary Hahn është një nga violinistet që më frymëzon më shumë, kurse sa i përket kompozimeve, më së shumti më kanë lënë përshtypje veprat e Mozartit,” shprehet Sibora, duke shprehur gjithashtu respektin e saj të thellë për virtuozët që e frymëzojnë të arrijë majat.

Përkushtimi dhe puna e palodhur

Për Siborën, angazhimi dhe përkushtimi janë shtylla kryesore që mbështesin çdo hap të rrugëtimit të saj muzikor. Ajo është gjithmonë e gatshme të sakrifikojë kohë dhe energji për të ushtruar dhe për të përmirësuar teknikën e saj.

“Pas shkollës, pasi të përfundoj detyrat dhe obligimet shkollore, vazhdoj me instrumentin e violinës duke ushtruar për disa orë”, është shprehur Sibora.

Përballë vështirësive të përditshme, ajo e ka kuptuar se gjetja e një ekuilibri mes shkollës, angazhimeve personale dhe muzikës është një sfidë e vërtetë. Megjithatë, me ndihmën dhe mbështetjen e familjes së saj dhe mësuesve, ajo ka arritur të mbajë gjithçka nën kontroll.

“Është një sfidë e vërtetë për të gjetur kohë për të gjitha obligimet, mirëpo me ndihmën e familjes dhe mësimdhënësve, gjithçka është e mundur”, thotë ajo, duke vlerësuar mbështetjen e jashtëzakonshme që ka pasur gjatë gjithë këtij udhëtimi.

Sfida dhe përpjekjet për të arritur sukses

Një nga sfidat më të mëdha që Sibora ka hasur gjatë rrugëtimit të saj, ka qenë të kapërcente frikën nga skena dhe të arrijë një nivel të lartë të vetëbesimit dhe performancës.

“Sfida më e madhe për mua ka qenë të arriturit deri këtu ku kam mbërritur profesionalisht, që të mos kem frikë nga skena dhe të ndihem e gatshme për të performuar çfarëdo programi, mirëpo njo rrugë është e gjatë dhe më presin edhe shumë sfida të tjera. Të gjitha sfidat që kam hasur deri tani i kam kapërcyer me përkushtim dhe punë si dhe përkrahje nga familja ime”, thotë Sibora për KultPlus.

Reagimi i shokëve dhe familjes

Sibora ndjen një kënaqësi të madhe kur shokët, mësuesit dhe të afërmit e saj janë të lumtur dhe krenarë për sukseset që ajo arrin.

“Gjithmonë më bën të ndihem mirë kur njerëzit afër meje ndihen krenarë dhe të gëzuar për sukseset e mia,” thotë ajo, duke pasqyruar vlerësimin dhe përkrahjen që merr nga ata që e rrethojnë. Ky mbështetje është një faktor kyç në zhvillimin e saj dhe e motivon që të vazhdojë të përpiqet për të arritur më shumë.

Ëndrra e madhe muzikore për Siborën

Për Siborën, ëndrrat muzikore janë gjithmonë në rritje dhe zhvillim. Ajo ka një qëllim të madh për të ardhmen dhe është e bindur se mund të arrijë shumë.

“Ëndrrat e mia muzikore gjithmonë rriten me zhvillimin tim muzikor, por ëndrra ime më e madhe është të luaj në koncertin e Vitit të Ri që mbahet në Vjenë çdo vit,” shprehet ajo me shumë pasion. Ky është një nga eventet më prestigjioze në botën e muzikës, dhe Sibora e sheh këtë si një mundësi të artë për të treguar talentin e saj dhe për të përfaqësuar Shqipërinë në një nivel ndërkombëtar.

Sibora ka nisur të luajë violinë që në moshën 7 vjeçare, dhe ka kaluar një udhëtim muzikor të mbushur me risi, kthesa dhe momente gëzimi. “Rrugëtimi im deri tani ka pasur shumë risi dhe kthesa e gëzime, mirëpo nuk kanë munguar as sfidat për të arritur aty ku jam sot,” thotë Sibora, duke theksuar se çdo hap i saj ka qenë një mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur si muzikante.

Çmimi “GRAND PRIX ARSKOSOVA 2024”

Një moment kulmor në karrierën e Siborës ishte kur ajo fitoi çmimin prestigjioz “GRAND PRIX ARSKOSOVA 2024”.

“Ndihem e privilegjuar që kam fituar këtë çmim kaq të veçantë dhe falënderoj mësuesen Shqipe Bajraktari për përkushtimin e saj,” thotë Sibora, duke nënvizuar se ky çmim është një vlerësim i jashtëzakonshëm për punën e saj të palodhur.

Ajo është shumë mirënjohëse për mbështetjen dhe udhëzimet që ka marrë nga profesoresha e saj, e cila ka qenë një mentore dhe një udhërrëfyese e çmuar gjatë gjithë rrugëtimit të saj.

Përgatitja për gara është gjithmonë një proces sfidues, sidomos kur duhet të balancohet me angazhimet shkollore. Sibora tregon se ka qenë e vështirë të gjejë kohën e duhur për të ushtruar për shkak të angazhimeve të përditshme shkollore.

“Gjatë përgatitjes për garën, ka qenë më sfiduese të gjeja kohën e duhur për të ushtruar për shkak të angazhimeve të rregullta shkollore,” shprehet ajo, duke treguar se menaxhimi i kohës është një pjesë e rëndësishme e suksesit të saj. Megjithatë, ajo ka arritur të menaxhojë këto dy aspekte të jetës së saj, duke e vënë gjithmonë pasionin për muzikën në plan të parë.

Sa i përket çmimeve të fituara, Sibora ka veçuar çmimet prestigjioze në Vjenë dhe në Gjirokastër.

Për Siborën, një nga momentet më të bukura të suksesit është kur shikon se si familja dhe miqtë e saj ndihen krenarë dhe të lumtur për arritjet e saj. “Familja dhe miqtë vazhdimisht më përgëzojnë për çdo sukses të arritur dhe ndjehem krenare që i bëj të lumtur,” thotë Sibora, duke treguar se mbështetja e të dashurve të saj është një burim i pashtershëm motivimi. Kjo lidhje me ata që janë më të afërt me të është një motivim i fuqishëm për të vazhduar dhe për të arritur edhe më shumë.

Plani për të ardhmen: Garat Ndërkombëtare

Duke pasur një dëshirë të fortë për të ecur përpara, Sibora ka plane ambicioze për të ardhmen. Ajo synon të marrë pjesë në gara ndërkombëtare dhe të arrijë rezultate maksimale për të përfaqësuar vendin e saj me dinjitet.

“Natyrisht, në të ardhmen do të marr pjesë në disa gara ndërkombëtare dhe gjithmonë synoj të arrij rezultatet maksimale në mënyrë që të përfaqësoj vendin tim në mënyrë dinjitoze,” thotë ajo, duke shprehur besimin e saj të thellë në potencialin e saj dhe në mundësitë që i ofrohen për të rritur karrierën e saj muzikore në arenën ndërkombëtare.

Mesazhi i saj për artistët e rijnë

Në fund, Sibora ka një mesazh për të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin muzikën dhe të bëhen pjesë e botës së artit.

“Mos u ndaloni kurrë së ëndërruari dhe punoni shumë. Muzika është një dhuratë që vlen çdo përpjekje.” Ky mesazh është një frymëzim i madh për ata që duan të ndjekin pasionin e tyre dhe të bëhen pjesë e botës magjike të muzikës. Për Siborën, çdo hap përpara është një mundësi për t’u shprehur, për të ndarë emocionet dhe për të arritur kulme të reja në artin e saj./KultPlus.com

KultPlus në shtëpinë e çdo lexuesi, në ditët festive me intervista ekskluzive

KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.

Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 30 e 31 dhjetor si dhe 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2025.

Armend Rexhepagiqi, Saimir Pirgu, Florent Boshnjaku, Blenard Azizaj, Sadik Bejko, Adrian Morina, Fatmir Spahiu, Sibora Resyli, Ilire Vinca, Granit Musliu, Sabrie Spahiu, Pirro Ruço, Marigona Qerkezi dhe Sihana Badivuku, vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre.

Të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.

Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.

Urime festat! / KultPlus.com

‘Arsimoje dhe informoje krejt masën e popullit, ata janë e vetmja mbështetje e sigurt e ruajtjes së lirisë sonë’

Thomas Jefferson (1743 – 1826) ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më vonë shërbeu si Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara nga viti 1801 deri më 1809.

Për lexuesit tanë sjellim një koleksion me thëniet më briliante të Jefferson:

“Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë për të mbajtur ata që duan të rrinë”

“Një Ligj i të Drejtave është diçka të cilin njerëzit ia kërkojnë çdo qeveri dhe të cilin asnjë qeveri nuk duhet ta refuzojë ose ta vonojë.”

“Një burracak është shumë më tepër i prirur të grindet se çdo njeri shpirtmirë.”

“Një trup i fuqishëm e bën mendjen të fuqishme.”

“Një qeveri e zgjuar dhe kursimtare, e cila do t’i lërë njerëzit të lirë që t’i rregullojnë vetë prodhimet dhe vlerat, dhe të mos ua marrë nga goja bukën që kanë fituar – ky është përkufizimi i një qeverie të mirë.”

“Reklamat janë e vetmja e vërtetë që përmban një gazetë.”

“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar është që njerëzit me të vetëdijë të lartë të heshin.”

“Gjithashtu duhet ta ngulitim në mendje parimin e shenjtë se, ndonëse vullneti i shumicës në të gjitha rastet merr rëndësi, për të qenë i drejtë, duhet të jetë i arsyeshëm; se të gjitha pakicat zotërojnë të drejtat e tyre të barbarta, të cilat ligji i barbartë duhet t’i mbrojë, dhe shkelja e tij do të ishte shtypje.”

“Gjithmonë mbaji gjërat nga doreza e lëmuar.”

“Një shoqëri njerëzish të cilët nuk grinden me njëri tjetrin është një gjë e cila nuk ka ekzistuar kurrë, që nga perandoria më e madhe tek mëhalla më e vogël e katundit.”

“Armiku përgjithësisht thotë dhe beson çfarë dëshiron ai.”

“Një mik i lënduar është më i hidhur se të gjithë armiqtë.”

“Ashtu si thonë armiqtë tanë, ne mund të arsyetojmë si njerëz, prandaj le t’iu tregojmë atyre se mund të luftojmë gjithashtu si njerëz.”

“Ji i sjellshëm me të gjithë, por hape zemrën vetëm me pak prej tyre.”

“Trupi i sëmurë është i padurueshëm, por më i padurueshmi nga të gjitha gjërat njerëzore është trupi pa mendje.”

“Librat përbëjnë kapital. Një bibliotekë është jetëgjatë sa edhe një shtëpi, me qindra vjet. Pra librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital.”

“Miqësia është e çmueshme, jo vetëm në hije, por edhe në dritën e jetës, dhe falë qeverisjes së mirë të miqësisë pjesa më e madhe e jetës sonë është dritë.”

“Bëj tregti me të gjitha vendet, aleancë me asnjërin, kjo duhet të jetë motoja jonë.”

“Pushtimi nuk është në parimet tona. Është i papajtueshëm me qeverinë tonë.”

“Shtyrja për më vonë është më e pëlqyeshme se gabimi.”

“Ndryshimi i opinionit është i dobishëm në religjion. Disa sekte kanë zyrën e Censorit – ndaj njëri – tjetrit.”

“Mos e kafsho karremin e kënaqësisë, gjersa ti e di se përtej ti është grepi.”

“A do ta dish se kush je? Mos pyet. Veprimet do ta përvijojnë dhe përkufizojnë se kush je.”

“Mos fol për çfarë ke bërë apo për çfarë ke ndërmend të bësh.”

“Arsimoje dhe informoje krejt masën e popullit…Ata janë e vetmja mbështetje e sigurt e ruajtjes së lirisë sonë.”

“Ndriçoi njerëzit përgjithësisht, dhe tirania e shtypja e trupit dhe mendjes do të shuhen sikurse shpirtërat e ligj në agimin e ditës.”

“Gabimet e opinionit mund të tolerohen atje ku arsyeja lihet e lirë t’i luftojë ato.”

“Secili qytetar duhet të jetë një ushtar. Kështu bënin grekët dhe romakët, dhe duhet të bëhet kështu në çdo shtet të lirë.”

“Cdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre.”

“Përvoja ka treguar se njeriu është e vetmja kafshë që e ha dikë të llojit të vet, sepse unë nuk mund të gjej një term më të butë për të përkufizuar sjelljen e të pasurit ndaj të varfërit.”

“Përvoja ka treguar se madje edhe format më të mira të qeverive të cilave iu është besuar pushteti, me kohë dhe ngadalë janë shndërruar në tirani.”

“Për një popull që është i lirë dhe dëshiron të jetë i tillë, një polici e armatosur mirë dhe e organizuar mirë do të ishte siguria e tij më e mirë.”

“Forca është parimi vital dhe prindi i afërt i despotizimit.”

“Miqësia është një tjetër emër për aleancën me marrëzitë dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Pjesa jonë e halleve është e mjaftueshme: pse atëherë vullnetarisht hyjmë në ato të të tjerëve?”

“Ai që di më së shumti, e di sa pak ai di.”

“Ai që di më pak është më pranë së vërtetës, se ai mendja e të cilit është e mbushur me rrena dhe gabime.”

“Historia në përgjithësi na informon ne vetëm sa e keqe është qeveria.”

“Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë.”

“Sa shumë dhimbje na kanë kushtuar ne ligësitë që nuk ndodhën kurrë.”

“Unë e urrej luftën dhe e shoh atë si ndëshkimin më të madh të njerëzimit.”

“Unë jam një epikurian. I konsideroj doktrinat burimore (jo të interpretuaraI të Epikurit si thelb të gjithçkaje racionale në filozofinë morale të cilën grekët dhe romakët na e lanë trashëgim.”

“Jam shokuar kur më thanë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shitja e një libri mund të bëhet temë e një hetimi, dhe e një hetimi kriminal gjithashtu.”

“Unë besoj se çdo mendje njerëzore ndjen kënaqësi kur i bën mirë tjetrit.”

“Unë nuk mund të jetoj pa librat.”

“Unë nuk blej asnjë gazetë dhe nuk lexoj asnjë gazetë një muaj, dhe pastaj e ndiej veten pafundësisht më të lumtur.”

“Mendoj se më i lumturi është ai për të cilin bota flet më pak, mirë apo keq.”

“Nuk kam synim të qeveris njerëz; është një detyrë e dhimbshme dhe e pagratshme.”

“Unë nuk druaj se rezultati i eksperimentit tonë do të jetë që njerëzve t’iu besohet ta qeverisin veten pa një padron.”

“Unë kam parë mjaft një luftë, sa që nuk dua më të shikoj një luftë tjetër kurrë.”

“Unë jam betuar në alatarin e Zotit të kem armiqësi të përjetëshme kundër çdo forme të tiranisë mbi mendjen e njeriut.”

“Unë shpresoj se zgjuarsia jonë do të rritet bashkë me fuqinë tonë, dhe të na mësojë ne se, sa më pak ta përdorim fuqinë tonë, aq më të mëdhenj do të jemi.”

“Mua më pëlqejnë më shumë ëndërrat e së ardhmes se historia e së kaluarës.”

“Unë kurrë nuk e konsiderova një ndryshim opinioni në politikë, në religjion, në filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik.”

“Unë kurrë, me fjalë as me veprime, nuk do të përkulem përballë intolerancës as nuk do të pranoj të drejtën e hetimit ndaj opinioneve religjioze të të tjerëve.”

“Unë pranoj se nuk jam miqësor ndaj një qeveri shumë energjike. Ajo është gjithmonë shtypëse.”

“Unë parashikoj të ardhmen e lumtur të amerikanëve nëse ata mund të parandalojnë qeverinë nga shkatërrimi i sindikatave nën pretekstin se po kujdesen për to.”

“Unë mendoj si romakët: se gjenerali i sotëm duhet të jetë nesër një ushtar po të jetë nevoja.”

“Më kapin drithmat për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë; se drejtësia e tij nuk mund të flejë gjithmonë.”

“Jam i vendosur në kërkimin e dijes, pa u druajtur kurrë se kërkimi i së vërtetës dhe arsyes pavarësisht në çfarë rezultati mund të çojnë, dhe në rrëzimin e çdo autoriteti që iu del pengesë atyre në rrugë.”

“Më mirë do të pranoja të papriturat e lirive të tepërta se zvogëlimin e tyre.”

“Nëse një komb pret që të jetë injorant dhe i lirë, në një shtet të qytetëruar, ai pret diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë.”

“Nëse ka një parim më thellë të rrënjosur në mendjen e çdo amerikani, ai është që ne kurrë nuk do të bëjmë diçka nëpërmjet pushtimit.”

“Në çdo vend dhe në çdo kohë, kleri ka qenë armiqësor ndaj lirisë.”

“Nga pikëpamja e stilit, noto në drejtim të rrymës; nga pikëpamja e parimit, qëndro si shkëmb.”

“Injoranca është më e pranueshme se gabimi, dhe është më larg së vërtetes ai që nuk beson në asgjë se ai që beson në diçka të gabuar.”

“Mua nuk më lëndon fqinji im nëse thotë se janë njëzet zota apo se nuk është asnjë një Zot.”

“Është më mirë gjithmonë të mos kesh fare ide sesa të kesh ide të rreme; dhe të mos besosh në asgjë, sesa të besosh në mënyrë të gabuar.”

“As pasuria, as luksi, por qetësia dhe puna ju japin lumturinë.”

“Religjioni ynë duhet të lexohet në jetët tona dhe jo në fjalët tona.”

“Nuk duhet të ketë asnjë autoritet i cili të mos jetë përgjegjës para popullit.”

“Njerëzimi është më shumë i prirur të vuajë sesa të luftojë për t’i larguar format me të cilat janë mësuar.” /KultPlus.com

Alban Skënderaj Ambasador i UNICEF: Bota bëhet më e mirë kur ndihmon fëmijët

Këngëtari shqiptar Alban Skënderaj u përzgjodh në nëntor të 2024 nga UNICEF si Ambasadori i Parë Kombëtar për Fëmijët në Shqipëri.

Në një rrëfim të gjatë për Mirela Milorin në “Interview” në Euronews Albania ku foli për jetën personale, karrieren dhe projektet, ai u ndal dhe te roli i ri që ka marrë si Ambasador i UNICEF në Shqipëri.

Këngëtari u shpreh se ky ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm për të dhe se është një kënaqësi e madhe bashkëpunimi me UNICEF.

“UNICEF ka shumë vite në Shqipëri që nga viti 1991 ose 1992 më duket dhe nuk kanë pasur kurrë një ambasador Kombëtar dhe kuptohet që ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm. Me thënë të vërtetën unë gjithmonë kam dashur që të bëj diçka sa mundem, sa ma lejon koha, mundësia dhe familja. Gjithmonë dua dhe kam bërë diçka jo me kamera, po ku kam mundur kam dhënë një dorë, diku me prezencë, diku me një ndihmë. Unë dua të jem në kontakt vazhdimisht që të bëj sado pak mirë dhe duke qenë tani si ambassador i UNICEF është pak më kollaj për mua sepse gjithçka është më e strukturuar dhe ndërtuar për të dhënë maksimumin. Ne jemi shumë aktivë dhe do të jemi në vazhdim duke dhënë ndihma të ndryshme dhe sidomos ajo që është prioritet i UNICEF, fëmijët. Bota bëhet më e mirë kur fillon dhe ndihmon fëmijët”, tha Alban Skënderaj në “Interview”./euronews/ KultPlus.com

Reis, maçoku që shëtit Stambollin mbi supet e pronarit të tij

Maçoku i quajtur Reis, i cili shëtit vendet historike, ato turistike dhe rrugët e Stambollit duke qëndruar mbi supet e pronarit, udhëton edhe me tramvaj edhe me traget.

Hakan Emrah, një trajner fitnesi, së bashku me maçokun e tij, prej rreth tri vitesh shëtit vendet historike dhe turistike të Stambollit, përfshirë Kullën e Vajzës, Xhaminë Agia Sofia si dhe sheshin ‘’Taksim’’.

Emrah ndalohet vazhdimisht nga turistët vendas dhe të huaj për shkak të maçokut të tij që mban në supe. Turistët që tregojnë interes të madh për maçokun Reis nuk mund ta fshehin habinë e tyre dhe nuk harrojnë të fotografohen.

Emrah thotë se kur e le maçokun në shtëpi nuk ndjehet rehat dhe prandaj ka menduar se edhe maçoku duhet të shëtisë me të.

Emrah tregon se maçoku në fillim panikosej për shkak të automjeteve dhe zhurmave duke e përqafuar pronarin e tij.

“Mendoj se Reis është maçoku që e njeh Stambollin më shumë se shumica e njerëzve që jetojnë këtu”, thotë Emrah duke shtuar se “atij i pëlqen më së shumti të flejë mbi supet e mia gjatë udhëtimit”.

“Për shkak të interesit intensiv, ndonjëherë mund të udhëtoj në një distancë të shkurtër për një ose dy orë. Mëshira e njerëzve ndaj kafshëve na bën më të lumtur. Reagimet e turistëve janë të mahnitshme. Kam parë njerëz që qajnë kur e shohin Reisin”, tha ai.

Emrah tregon se në të ardhmen dëshiron të shkojë edhe në një ndeshje të ekipit të tij të preferuar ‘’Galatasaray’’, gjë që deri më tani nuk e ka bërë për arsye se nuk lejohen kafshët./ KultPlus.com

Dirigjenti me famë botërore, Riccardo Muti do të drejtojë koncertin e Vjenës

Dirigjenti italian me famë botërore, Riccardo Muti, 83 vjeç tashmë, do të drejtojë koncertin e Vitit të Ri të Vjenës për herë të shtatë dhe të fundit më 1 janar.

Duke iu referuar valsit popullor “Danubi i kaltër”, Muti tha se edicioni i sivjetshëm i koncertit nga Filarmonia e Vjenës synon të dërgojë një mesazh harmonie, bukurie dhe paqeje.

”Shpresojmë që valët e Danubit blu do të bartin anije plot bukuri dhe dashuri”, tha Muti në Vjenë.

Koncerti i famshëm do t’i kushtohet këtë vit kompozitorit të njohur Johann Strauss me rastin e 200-vjetorit të lindjes.

Për herë të parë në koncert do të shfaqet një kompozitore, me “Valsin Ferdinandus” nga Constanze Geiger.

Koncerti, i realizuar nga transmetuesi publik austriak ORF, do të shfaqet në 93 stacione televizive në mbarë botën.

Muti ka realizuar më shumë se 500 koncerte me Filarmoninë e Vjenës dhe ka konfirmuar se performanca e së mërkurës do të jetë koncerti i tij i fundit i Vitit të Ri me orkestrën.

”Është hera e fundit”, tha Muti.

Ai kritikoi gjithashtu qeveritë për mosnjohjen e vlerës së kulturës dhe muzikës, mes shkurtimeve në programe të ndryshme kulturore.

“Ne kemi nevojë për muzikë gjithnjë e më shumë. Muzika është një ilaç”, tha dirigjenti italian./ KultPlus.com

Veliaj uron qytetarët: E nisim vitin si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës

Në prag të festave të fundvitit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka uruar qytetarët e kryeqytetit përmes një videomesazhi. Duke vlerësuar vitin që po lëmë pas, Veliaj theksoi arritjet e përbashkëta të qytetarëve në ndërtimin e një komuniteti më të bashkuar dhe solid.

Veliaj kujtoi se 2025-a do të jetë një vit i veçantë për Tiranën, pasi kryeqyteti shqiptar do të mbajë titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”, duke ofruar mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e vlerave kulturore dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit.

“Viti që vjen është veçanërisht i rëndësishëm për ne, sepse Tirana, zemra jonë, kryeqyteti ynë, do të mbajë titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”. Është një mundësi e rrallë për ta promovuar vlerën e Tiranës, vlerat e veta kulturore, për të krijuar një platformë dialogu që i bashkon njerëzit nga të gjithë anët e Mesdheut. Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të ndërtuar dhe mes nesh urat e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit”, tha ai.

Në mesazhin e tij, kryebashkiaku bëri një urim të veçantë për gjyshërit dhe gjyshet e Tiranës, duke njoftuar se nga data 1 janar pensionistët do të kenë mundësinë të udhëtojnë falas në të gjithë autobusët e qytetit. “Dëshiroj gjithashtu të bëj një urim special, të veçantë për të gjithë gjyshërit dhe gjyshet, të gjithë pensionistët e Tiranës, të cilët nga data 1 janar do të udhëtojnë me abone falas në të gjithë autobusët e qytetit tonë. Ju jeni themeli i kësaj shoqërie dhe ndihma që ju ofrojmë është një shenjë respekti, mirënjohje, vlerësimi për të gjithë kontributin tuaj, gjatë gjithë jetës. Le të kujtojmë se çdo veprim, i vogël apo i madh qoftë, kontribuon në forcimin dhe bashkëpunimin e solidaritetit mes nesh”, theksoi ai.

Veliaj ftoi qytetarët të tregojnë solidaritet gjatë këtyre festave, duke hapur dyert për ata që kanë më shumë nevojë dhe duke krijuar një atmosferë të ngrohtë familjare për të gjithë.

“Gjatë këtyre festave le t’i hapim dyert tona për ata që kanë më shumë nevojë, të ftojmë në familjet tona ata që ndihen ndoshta të braktisur dhe të vetmuar dhe të festojmë së bashku gjithçka që kemi arritur në këto vite. Në këtë pragviti le të bëjmë një premtim, për njëri-tjetrin dhe për veten tonë, edhe për qytetin tonë. Një premtim për të qenë më të mirë, për të dashuruar pak më shumë, për të ndihmuar njëri-tjetrin pak më fortë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për Tiranën tonë dhe secili që e gjen veten dhe e sheh të ardhmen këtu”, tha Veliaj.

Kryetari i bashkisë uroi të gjithë qytetarët për një Vit të Ri të mbushur me shëndet, lumturi dhe suksese, duke i ftuar që të presin 2024-ën me besim dhe optimizëm./ KultPlus.com

Mozaiku i Tiranës, një tjetër stacion modern i rrugëtimit të vizitorëve e turistëve

Kantieri transformues i Mozaikut të Tiranës po formëson një tjetër stacion modern të rrugëtimit të vizitorëve e turistëve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto të kantierit të punimeve në Mozaik, teksa bëri të ditur se ky projekt është konceptuar dhe si një qendër edukimi e inovacioni për fëmijët.

“Përveçse një muze digjital mozaikësh e një magnet turistik, ky projekt është konceptuar dhe si një qendër edukimi e inovacioni për fëmijët”, u shpreh Rama.

Arkeologët thonë se këtu u ngrit një vilë romake që në shekullin III pas Krishtit.

Gjatë punimeve për ndërtimin e një godine banimi në bllokun “Partizani”, në vitin 1972, u hasën rrënojat e kësaj ndërtese antike.

Me të filluar gërmimet, arkeologët nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Historisë, zbuluan se ambientet ishin të shtruara me mozaik, ku u konstatua edhe prania e ambienteve të një kishe të kultit kristian./ KultPlus.com

Sot është e diel, nesër vdiset

Paolo Pasolini

Sot është e dielë,
ndërsa nesër vdiset.
me mëndafsh e dashuri
unë sot vishem.

Sot është e dielë
livadheve përpjetë
kërcejnë vogëlushët
me opinga, të lehtë.

Këndoj në pasqyrën time,
Krihem edhe këndoj.
Qesh në sytë e mi
Djalli mëkatnor.

Bini, pra, ju kambana
përzijeni atë fare!
“Ne biem, po ti çfarë sheh
kur këndon në livadhe?”

Shikojeni diellin
e verave të vdekura,
shikojeni dhe shiun,
cinxërat dhe gjethet.

Shikojeni trupin tim
të kohës së djalërisë,
të dielat e trishta,
dhe jetën në mjerim.

“Me mëndafsh e dashuri,
sot njeriu vishet,
sot është e dielë,
ndërsa nesër vdiset.”/KultPlus.com

“Enciklopedia shqiptare” shkakton debate

Enciklopedia Shqiptare, është ky një tjetër projekt i rëndësishëm i Akademisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, puna e të cilës ka nisur që në Janar të 2023-shit. Redaksitë e ndara për sektorët përkatës vazhdojnë të punojnë për fjalësin, që korrespondojë me figurat dhe ngjarje të rëndësishme historike, politike, shkencore, kulturore, toponime etj.

Nëse në disa prej redaksive puna ecën me ritëm, në disa të tjera për shkak të diskutimeve, apo përplasjeve për figura apo ngjarje historike, vijon të marri kohë, ndonëse Akademitë duhet ta kishin përfundur korpusin final të fjalëve brenda këtij viti.

“Duhet të koordinohen mes vete dhe pastaj duhet t’i nënshtrohen një analize kritike për të parë nëse kanë përfshirë atë që duhet. Kemi filluar me historinë. Është një fushë me goxha shumë probleme”, shprehet kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.

“Në parim në idealen e vetë është 10 mijë njësi enciklopedike. Jemi ende në periudhën e mbledhjes e të seleksionimit të ngushtë”, tha kryeredaktori i projektit, Akademia e Shkencave, Arian Leka./ KultPlus.com

Magjia e festave në punimet e vogëlushëve të talentuar të Qendrës Kulturore për Fëmijë

Dritat, dekorimet dhe gëzimi në çdo cep të qyteteve sjellin atmosferën unike të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Por magjia e festave erdhi edhe përmes punimeve të vogëlushëve të talentuar të Qendrës Kulturore për Fëmijë.

Kryeministri Edi Rama ndau këtë mbrëmje foto të punimeve të realizuara nga fëmijët, të cilët përmes penelave mbi telajo kanë shprehur ndjesinë e tyre për festat e fundvitit, përmes personazheve të këtyre festave, Santa Klausit, elfëve apo plakut prej dëbore./ KultPlus.com

KFOR njofton për patrullime të ushtarëve italianë të KFOR’it në bjeshkët e Istogut në “kushte ekstreme”

KFOR’i ka njoftuar se sot ka zhvilluar një sërë aktivitetesh patrullimi dhe vëzhgimi në Komunën e Istogut.

Siç thuhet në njoftim aktivitetet janë zhvilluar në kushte ekstreme, shkak i temperaturave të ulëta.

Tutje thuhet se në këtë aktivitet kanë marrë pjesë ushtarët italianë të KFOR’it.

“Batalioni Kinetik i Komandës Rajonale në perëndim të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO ka zhvilluar një sërë aktivitetesh patrullimi dhe vëzhgimi në komunën e Istogut. Aktivitetet u zhvilluan në kushte ekstreme për shkak të temperaturave të ulëta dhe borës në terren ku vepronin ushtarët italianë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Drama “Fajtori” shfaqet në Gjirokastër

Në këtë periudhë festash, në teatrin Zihni Sako në Gjirokastër u ngjit në skenë drama Fajtori me pjesëmarrjen e spektatorëve të shumtë.

Ajo bazohet në veprën e shkrimtarit Odise Kote dhe erdhi me regji të Kudret Alikajt për të gjithë dashamirësit e teatrit.

Drama sjell përditshmërinë me realizëm duke përcjellë copëza jete. Vetë aktorët shprehen të kënaqur për rolet në këtë vepër.

Gjatë këtyre ditëve, teatri i Gjirokastrës ka një kalendar të pasur duke iu bashkuar aktiviteteve që organizohen në qytet./ KultPlus.com

Mjeshtri që i dha shpirt tingujve të klarinetës, koncert në 60-vjetorin e lindjes

Mjeshtri i klarinetës Aleks Xhelili në 60-vjetorin e tij të lindjes ka ardhur me një koncert recital, i pari i këtij lloji në karrierën e tij të gjatë artistike.

Klarinestisti i njohur në këtë koncert është shfaqur ndryshe nga ai që është parë deri tani. Aleks Xhelili, mjeshtri i kabase në koncertin e tij recital ka interpretuar pjesë të ndryshme me klarinetë të autorëve botërore të muzikës klasike ndërsa në pjesën e dytë të koncertit është shfaqur ashtu siç e kishim parë, me kabate e njohur të Kolonjës, Leskovikut e Përmetit.

Pjesë e këtij koncerti krahas instrumentistëve të tjerë kanë qenë dhe vëllezërit Curri, me të cilët Xhelili ka ndarë një pjesë të karrierës së tij.

Në 46 vite të karrierës së tij kolonjari Aleks Xhelili ka dhënë koncerte të shumta brenda dhe jashtë vendit, duke u nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare./euronews/ KultPlus.com

“Rikrijo të shkuarën, ndërto të ardhmen”, çelet faza e tretë e programit të granteve EU4Culture

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit çeli fazën e tretë dhe të fundit të programit të granteve EU4Culture “Rikrijo të shkuarën, ndërto të ardhmen”.

Tetë grante, me një shumë totale prej 356 541 dollarësh do të mbështesin iniciativat e OJQ-ve për zhvillimin e artizanatit, turizmit inovativ, platformave digjitale dhe ngjarjeve kulturore në bashkitë e Tiranës, Mirditës, Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Kurbinit dhe Krujës, ku ndodhen site të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, të prekura nga tërmeti i vitit 2019.

Projektet që do të financohen nga ky program trajtojnë një gamë të gjerë temash të cilat do të sjellin trashëgiminë kulturore më afër komunitetit lokal, duke forcuar identitetin e tyre kulturor dhe duke ofruar mundësi për rritje ekonomike./ KultPlus.com

Trump mbështet Musk mbi çështjen e vizave për punonjësit e huaj të kualifikuar

Presidenti i zgjedhur Donald Trump duket se është radhitur në krah të biznesmenit miliarder Elon Musk dhe mbështetësve të tij në fushën e industrisë së teknologjisë, në debatin brenda republikanëve, mbi programin e vizave H-1B për punonjësit e kualifikuar.

Në një intervistë për gazetën ‘New York Post’ të shtunën, zoti Trump mbështeti përdorimin e këtyre vizave për të sjellë punonjës të huaj të kualifikuar në Shtetet e Bashkuara.

Të premten në mbrëmje zoti Musk, drejtues i kompanive Tesla dhe SpaceX, u zotua të mbrojë me vendosmëri programin e vizave H-1B, duke iu referuar industrisë së teknologjisë.

Në një postim në platformën e mediave sociale X, zoti Musk shkruante se: “arsyeja pse jam në Amerikë së bashku me kaq shumë njerëz me rëndësi jetike, që ndërtuan kompanitë SpaceX, Tesla dhe qindra kompani të tjera që e bënë Amerikën të fortë, është programi i vizave H1B”.

“Unë do të luftoj për këtë çështje, të cilën ju nuk mund ta kuptoni”, shtoi ai.

Tema është bërë një pikë e nxehtë debati brenda bazës konservatore republikane.

Gjithmonë më kanë pëlqyer vizat dhe kam qenë gjithmonë pro tyre. Kjo është arsyeja pse i kemi ato”, tha zoti Trump.

Në të kaluarën zoti Trump i ka përdorur këto viza në bizneset e tij, diçka që ai e pranoi edhe gjatë intervistës të së shtunës.

Kam shumë njerëz me këto viza në pronat e mia. Kam besuar tek ato. I kam përdorur shumë herë. Është një program i mrekullueshëm”, tha zoti Trump për gazetën.

Por ai nuk tha nëse do të kishte ndonjë ndryshim në numrin e vizave të këtij lloji që do të jepeshin pasi të merrte detyrën më 20 janar.

Politikat e vijës së ashpër të zotit Trump ndaj imigracionit, të përqendruara kryesisht tek emigrantët që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme, ishin gur themeli i fushatës së tij presidenciale dhe një çështje prioritare për mbështetësit e tij.

Inxhinierët e programeve kompjuterike dhe të tjerë që punojnë në industrinë e teknologjisë i kanë përdorur vizat H-1B për punonjësit e huaj të kualifikuar. Ata thonë se ato janë një mjet jetik që të plotësohen pozicione të vështira. Por kritikët thonë se ato nënvlerësojnë shtetasit amerikanë, që mund t’i merrnin këto vende pune. Disa republikanë konservatorë kanë kërkuar që programi të mbyllet. /VOA/ KultPlus.com

Hyn në fuqi rregullorja e re evropiane për karikuesin e vetëm elektronik

Hyri në fuqi rregullorja e re evropiane për karikuesin e vetëm elektronik.

Pajisjet kryesore të shitura në vendet e bllokut do të duhet të kenë një portë standarde karikimi USB Type-C, i cili tashmë përdoret gjerësisht nga prodhuesit kryesorë të teknologjisë.

Lajmi ka të bëjë edhe me objekte të vogla si mouse-t dhe tastierat si dhe kufjet dhe lexuesit e librave elektronikë, të cilët i shtohen listës së telefonave inteligjentë, tabletave, kamerave digjitale, altoparlantëve dhe navigatorëve rrugorë.

Nga data 28 prill 2026, detyrimi do të shtrihet edhe për laptopët.

Rregulli zbatohet për pajisjet e reja të shitura dhe jo për ato tashmë në treg.

Vendimi sjell me vete avantazhe të shumta.

Para së gjithash, ai thjeshton jetën e konsumatorëve duke eliminuar nevojën për të mbajtur karikues të ndryshëm dhe shpesh të papërdorshëm.

“Ma ruaj syrin, dashuria ime, ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari”

Poezi nga Ali Podrimja

Koha është të duhemi,
të kesh besim ne mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më thua: Trim.
Por kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim,
nga frëngjia me ditë më peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroni i shpresave.

Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejme këtë ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë.
Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës,
do ta ndez llambën në kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.

Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve
e të rënat të forta i kishe.
Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete.
Koha është të duhemi. / KultPlus.com

Edon Zhegrova zgjedhet në 11-shen më të mirë të vitit 2024 në Francë

Edon Zhegrova është zgjedhur prej më të mirëve në Ligue 1 të Francës.

Bëhet fjalë për zgjedhjen e lexuesve të mediumit francez L’Equipe që kanë përzgjedhur Edon Zhegrovën në 11-shen më të mirë të vitit 2024 në Ligue 1

Drejtori i Futbollit në Art Motion, Arlind Sadiku, e ndau këtë lajm të mirë me kosovarët.

Ai është shprehur: “Mirëmëngjesi me diell  dhe me këtë lajm pozitiv.  Lexuesit e mediumit francez L’Equipe kanë përzgjedhur Edon Zhegrovën ne 11-shen më të mirë të vitit 2024 në Ligue 1”.

Shqipëria, perla e fshehur evropiae

Turizmi masiv në vende të njohura turistike në verën e vitit 2024, shkaktoi demonstrata të dhunshme, kryesisht në Spanjë, shkruan Noémie Dambrin në një artikull të botuar në revistën franceze “Ouest-France”.

Mbipopullimi nga turizmi është bërë gjithnjë e më i përhapur në Evropë vitet e fundit – i shoqëruar nga efekte të dëmshme.

“Ouest-France” ju rekomandon katër destinacione më pak të njohura për t’u vizituar në Kontinentin e Vjetër ku do te mirëpriteni me krahëhapur.

Fenomeni i turizmit masiv nuk ka qenë kurrë kaq flagrant. Disa destinacione turistike ikonike si Venecia, Barcelona apo Cinque Terre në Itali po përballen me një fluks vizitorësh.

Numri i turistëve, shpesh më i lartë se popullsia rezidente, shkakton probleme të mëdha si, mbipopullim të infrastrukturës, ndotje, rritje të çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe degradim të trashëgimisë natyrore dhe kulturore.

“Venecia, për shembull, mirëpret afro 30 milionë vizitorë çdo vit, ose 545 turistë për banor”, sipas “Public Life”.

Ndërkohë, në Barcelonë agresioni ndaj turistëve ka arritur nivele shqetësuese.

Thirrjet e banorëve që ftonin turistët të ktheheshin në shtëpi u shfaqën në muret e lagjeve të shoqëruara me protesta.

Autoritetet e shumë qyteteve dhe rajoneve në mbarë botën janë ndërgjegjësuar për nevojën për të rregulluar këto flukse masive, duke arritur deri aty sa të vendosin tarifa ndaj vizitorëve – për të ruajtur vendet e tyre historike dhe cilësinë e tyre të jetës.

Por, ekzistojnë destinacione të cilat nuk janë prekur ende nga turizmit masiv – vende ku turistët jo vetëm janë të mirëpritur, por ku mirëpritja shënohet me autenticitet.

Ndër këto xhevahire të çmuar më pak të njohura, dallohen katër vende të Evropës Lindore: Shqipëria, Gjeorgjia, Serbia dhe Hungaria.

Këto destinacione në zhvillim ofrojnë përvoja unike, larg turmave të vizitorëve dhe janë gati të mirëpresin turistët e etur për zbulim.

Shqipëria: një perlë e fshehur e Ballkanit

Shqipëria, dikur e izoluar nën regjimin komunist, sot po lulëzon në sektorin e turizmit.

Në më pak se një dekadë, vendi është bërë një destinacion i kërkuar nga turistët që kërkojnë autenticitet, natyrë të pacënuar dhe çmime të përballueshme.

Ky vend i vogël ballkanik, më pak i njohur se Greqia apo Italia, ofron një ndërthurje unike plazhesh idilike, male spektakolare dhe fshatra piktoreskë.

Riviera Shqiptare, me plazhet e egra dhe ujërat e kristalta, është ideale për adhuruesit e relaksit.

Megjithatë, çmimet e favorshme dhe rritja e linjave ajrore me kosto të ulët që lehtësojnë aksesin në vend mund të çojnë në rritjen e turizmit në vitet në vijim.

“Numri i turistëve është dyfishuar në pesë vjet, duke arritur në 10,1 milionë në vitin 2023, pothuajse katërfishi i popullsisë shqiptare”, tha Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara – UNWTO.

“Ndërsa ky fluks gjeneron të ardhura të konsiderueshme, ai gjithashtu ngre shqetësime, veçanërisht mjedisore dhe sociale”, analizon “Le Monde”.

Rritja e numrit të ndërtimeve të hoteleve, ndonjëherë në dëm të ekosistemit, dhe mbipopullimi i vendeve të caktuara turistike rrezikojnë të shtrembërojnë autenticitetin e vendit.

Pavarësisht gjithçkaje, turizmi mbetet një levë strategjike për Shqipërinë, veçanërisht për ambicien e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, kjo rritje e shpejtë ngre sfida për sa i përket cilësisë së shërbimit dhe ruajtjes së burimeve natyrore.

Ndër destinacionet që nuk duhen humbur, “Le Routard” rekomandon Parkun Arkeologjik të Butrintit, i klasifikuar si një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, dhe qytetin mesjetar të Gjirokastrës, me rrugët e tij me kalldrëm dhe arkitekturën otomane.

Alpet Shqiptare janë një parajsë e vërtetë për alpinistët, me parqe kombëtare si Lugina e Valbonës dhe Thethi, ku peizazhet shkëmbore dhe pyjore konkurrojnë për nga bukuria.

Tirana, kryeqyteti shqiptar mahnit me ndërtesat shumëngjyrëshe dhe atmosferën e gjallë, perfekte për t’u zhytur në kulturën vendase.

Ky vend, ende pak i njohur, po shndërrohet shpejt në një destinacion popullor falë autenticitetit dhe diversitetit të tij, duke ofruar pushime sa relaksuese dhe aventureske./ KultPlus.com

Beautiful resort with umbrellas by the sea at sunset in Sarande or Saranda on the Albanian riviera, Albania

Natë

Nafije Zogaj

Është natë.
Një qen i lagjes leh,
pas tij një tjetër,
pas këtij edhe një tjetër.
I trembin përsëri fantazmat tona,
që shkojnë e vijnë nëpër oborr
qeshin shikojnë vëngër ëndërrojnë
për ditët që nuk do t’u vinin kurrë.


Sapo ndalen qentë
dikush nga oborri i fqinjit përballë
që ende nuk e ka humbur kujtesën
thërret dikë me emrin e kafshës që e mbajnë për
qumësht dhe mish.


Pas pak dëgjohet e qara e fqinjit
që ka humbur kujtesën.
Askush nuk e di nëse qan nga që nuk i kujtohet gjë
apo vetëm qarjen e mban mend.


Unë shtrirë nën batanije yjesh
djersij
për të shtatëmijtën herë
bëj pyetjen e njëjtë:
Përse duhet të zgjohem?/ KultPlus.com

Çmimet Harpa, surpriza dhe vlerësime

Art Plus

Nata Gala e Çmimeve Kombëtare “Harpa”, përveç surprizave, argëtimit dhe trokitjes së gotave për festat e fundvitit, solli vlerësime për disa emra që janë shquar vitin që po lëmë pas në fushat e tyre. Disa prej tyre u vlerësuan për kontribut jetësor dhe karriere.

Disa nga motivacionet dhe emrat, si më poshtë:

Diana Çuli

ME MOTIVACION: ”Për letërsinë e saj të veçantë, e cila ka kaluar prej vitesh kufijtë e gjuhës shqipe, duke u bërë një pjesë e denjë e letërsisë europiane. Për romanin “Dreri i trotuareve”, i cili i rezistoi kalimit të viteve, duke ngelur i dashur për çdo brez lexuesish.”

Baftjar Zeqaj

ME MOTIVACION: “Për kontributin e çmuar që ka dhënë në Fier dhe më gjerë. I vlerësuar për angazhimin serioz në përmirësimin e jetës së komunitetit, duke krijuar lidhje të forta me ta, si dhe për mbështetjen veçantë të artit dhe kulturës. Ka ruajtur me kujdes integritetin dhe vlerat njerëzore e qytetare, duke dhënë një model në politikën shqiptare.”

Shkolla Jopublike “Numani”

ME MOTIVACION: “Një shembull i shkëlqyer i përkushtimit dhe arritjeve, meriton çdo vlerësim për kontributin e saj në edukimin cilësor.”

Ardit Gjinali

ME MOTIVACION: “Me librin e tij ‘Filozofia e Gjeopolitikës’, sjell një perspektivë të thelluar dhe analitike mbi dinamikat globale, duke i dhënë lexuesit një udhërrëfyes të çmuar për të kuptuar botën bashkëkohore.”

Arben Allia

ME MOTIVACION: “Për pasqyrim të veçantë të fotografisë artistike, për gjallërimin e jetës kulturore me aktivitete që pasurojnë jetën në vendin tonë dhe për kultivimin e fotografisë si një formë arti që shpreh thellësi estetike dhe mesazhe universale.”

Donika Memlika (“Bufalo”)

ME MOTIVACION: “Për menaxhimin e shkëlqyer të kompanisë ‘Bufalo’, e cila është udhëhequr me vizion dhe dedikim, duke kontribuar në zhvillimin e markës dhe në shërbimin cilësor, çka e ka bërë këtë industri të njohur dhe shumë të suksesshme në Shqipëri.”

Antonela Hako

ME MOTIVACION: “Për kontributin e saj të çmuar e të prekshëm në krye të Dhomës Ekonomike të Gruas të Shqipërisë, një Dhomë që dëshmon çdo ditë fuqinë e grave të përfshira në drejtimin e bizneseve të ndryshme në vendin tonë.”

Laureta Mustafaraj

ME MOTIVACION: “Për kontributin si profesioniste në industrinë e bukurisë dhe kozmetikës, e angazhuar në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve cilësore, duke kontribuar në zhvillimin e këtij sektori në vendin tonë”

Shazie Sherri

ME MOTIVACION: “I ka kushtuar jetën edukimit të të rinjve, duke i udhëhequr të shprehin veten përmes muzikës. Është dalluar për krijimin e një mjedisi të ngrohtë dhe për metodikën e saj inovative në mësimdhënie, duke frymëzuar breza të tërë të ndjekin karrierën artistike. Me punën e saj të palodhur me korin e nxënësve, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kultivimin e kulturës së të kënduarit në ansambël dhe në ngritjen e standardeve artistike në komunitetin muzikor.”

Kristaq Lena

ME MOTIVACION: “Me vlerat e larta dhe dashurinë për muzikën, ka lënë një trashëgimi të paharrueshme në zemrat e të rinjve që ka udhëhequr. Një jetë e përkushtuar ndaj edukimit muzikor, duke kontribuar në mënyrë të shkëlqyer në klasën e fagotit, nga e cila dolën instrumentistë të talentuar që sot performojnë me sukses në orkestra prestigjioze brenda dhe jashtë vendit.”

Arben Velo

ME MOTIVACION: “Për kontributin e dhënë si gazetar, i shquar për profesionalizmin dhe kontributin e tij në fushën e medias dhe kulturës, duke ndihmuar në formimin e drejtë dhe të paanshëm të opinionit publik.”

Alban Tufa

ME MOTIVACION: “Për qartësinë e mendimit, forcën e talentit dhe të fantazisë në romanin e tij të ri ‘Po sikur të mos jetë ëndërr?’, një roman distopik që na fton të reflektojmë mbi të ardhmen e afërt, si dhe për seriozitetin me të cilin i është përkushtuar letërsisë origjinale dhe asaj të përkthyer.”

Milena Selimi

ME MOTIVACION: “Për përkthimet e saj të çmuara nga gjuhët sllave të rajonit, duke na zbuluar letërsi dhe kultura që, pa ndihmën dhe kontributin e saj, do të ishin të panjohura për ne. Për përkthimin e arrirë të një prej emrave më të mëdhenj të letërsisë bullgare, një ylli në ngjitje në letërsinë europiane, Georgi Gospodinov, duke na ofruar kënaqësinë ta lexojmë në kohë reale në gjuhën tonë të mrekullueshme shqipe.”

Brajan Sukaj

ME MOTIVACION: “Për romanin ‘Fytyra tjetër e Dionisit’, ku kufiri mes reales dhe nënvetëdijes zhduket, ku eksplorohen marrëdhëniet komplekse të individit me veten, shoqërinë, historinë e luftës në Kosovë, në një mënyrë krejt origjinale.”

Marsela Topi

ME MOTIVACION: “Për profesionalizmin dhe përkushtimin e saj në pasqyrimin e së vërtetës dhe promovimin e vlerave shoqërore.”/ KultPlus.com