Flaka Goranci sjell koncertin ‘La Femme’ në kryeqytetin e muzikës, në Vjenë

Mezzo-sopranoja e njohur shqiptare, Flaka Goranci, para pak vjetësh ka sjellë projektin me titull “La Femme”.

Tashmë, kompania “Bunte Kunst Wien” po këtë koncert po e sjell në Vjenë. La Femme është në fakt një CD e prodhuar nga firma prestigjioze gjermane ”Naxos Deutschland”, e nominuar në tri kategori nga çmimet “Opus Klassik” në Berlin e që ka marrë vlerësime të jashtëzakonshme nga kritika internacionale për realizimin shumë profesional, për programin e veçantë, duke pasur parasysh që këndohet në 13 gjuhë të botës.

Vlen të theksohet se La Femme do të mbahet më datë 10 shkurt, në orën 19:00, në Ehrbar Saal, Vjenë, shkruan albinfo.at.

Koncerti sjell historitë dhe muzikën e mrekullueshme të grave kompozitore nga vendet e ndryshme të botës, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Sirinë, Austrinë, Iranin, Italinë, Meksikën, Afrikën e Jugut, Çekinë, Bullgarinë, Turqinë dhe Izraelin.

Është një koncert me program Klassic / Crossover, duke sjellë vepra hit të muzikës së lehtë, po ashtu si ”Besame mucho” apo ”Pata Pata”, por në të njëjtën kohë është një program me mesazhe të forta kundër luftës, mesazhe për paqe dhe dashurinë.

Flaka shprehet se ky koncert do te jetë një koncert me shumë ngjyra, ashtu si vetë jeta.

Për ata që duan të blejnë biletat, mund të drejtohen te ky link:

https://www.eventbrite.at/e/la-femme-tickets-753763726597

Bileta kushton 35 euro për person, por me kodin promotional /Werbecode (SILVESTER2024), atëherë çdo biletë do të kushtojë vetëm 25 euro. / KultPlus.com

“Arbnoriilire”, krijohet teatri i Diasporës shqiptare në Vjenë

Është prezantuar në prag të krishtlindjeve në Vjenë Teatri i Diasporës “ARBNORIILIRE”. Ky teatër është finalizimi i një iniciative të ndërmarrë nga një grup artistësh të Diasporës, me shkrimtarin Gjergj Jozef Kola, këngëtaren lirike Gesu Zefi, pianisten Enxhi Rroji si dhe piktorët Bujar Zela dhe Kol Mileta.

Misioni i teatrit është promovimi i veprave dhe autorëve shqiptarë, siç edhe thuhet në njoftim ”Ky teatër do të ngjisë në skenë vetëm autorë shqiptarë dhe tematika që shqetësojnë shoqërinë shqiptare”.

“Ideja e pagëzimit të një teatri shqiptar, na lindi nga vetë hapësira vjeneze ku thuajse çdo komunitet i huaj  në Europë ka nga një teatër të tijin“, thotë Gjergj Jozef Kola, bashkëthemelues i ketij teatri.

Në nëntor të këtij viti një teatër shqiptar, ai i Maqedonisë së Veriut për F&R përfaqësoi kombin shqiptar me dramën “Requiem për Musine Kokalarin“ në Festivalin “Nata e teatrit europian” ku shumë nga protoganistë e tij u vlerësuan me diploma nderi, sic është edhe vete autori i dramës Gjergj Jozef Kola.

Kështu pendat shqiptare premtojnë shumë për të konkurruar me dinjitet edhe në fushën e Teatrove në shkallë ndërkombëtare.

Kola thotë se për vitin 2023 janë siguruar fondet për sallën e teatrit dhe zyrat reale të teatrit, i cili do të funksionojë si realisht ashtu edhe virtualisht. “Mbështetja e ministrisë se jashtme austriake dhe bashkisë së Vjenës ka qene jetike për ketë teatër shqiptar të mbare trojeve shqiptare e mbarë Diasporës. Ndërkohë qe nga ministritë e Diasporës apo nga ambasadat tona nuk ka pasur asnjë mbështetje apo se paku një përshëndetje të miresjellë për këtë akt të lartë të kulturës shqiptare”, thotë ai.

Pagëzimin e tij ky teatër e kishte me dramën epistolare: “Urime për Krishtlidje” e cila mund të ndiqet edhe ne youtube.

Drejtuesit ftojnë të gjithë ata autorë shqiptar të Diasporës që kanë pjesë teatrale që ti afrohen këshillit të dramaturgjisë për të provuar shansin e tyre dhe për ti parë në skenë veprat./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Escobar në koncertin e pianistit kosovar në Vjenë, Popaj: Të duash kur nuk ka asgjë në këmbim, tregon dashuri të vërtetë

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, mbrëmë ka ndjekur koncertin e pianistit kosovar, Zakir Popaj, në Vjenë, përcjell KultPlus.

Popaj ka publikuar fotografi bashkë me emisarin pas koncertit në ‘Palais Schönborn-Batthyány’ teksa për takimin me të thotë se “rasti është mbret i botës”.

‘RASTI MBRET I BOTËS’

Gabrijel Eskobar

Pas koncertit në Palais Schönborn-Batthyány në Vjenë.

Çdokush mund të ju dojë kur ka diçka për të fituar nga ju, por të duash kur nuk ka asgjë në këmbim, tregon dashuri të vërtetë dhe një zemër të pastër“, ka shkruar Popaj në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Elina Duni me koncert në një prej sallave kryesore të muzikës jazz në Vjenë

Artistja e njohur shqiptare e muzikës jazz, Elina Duni, do të mbaj koncert në Sargfabrik në Vjenë, shkruan KultPlus.

Projekti është bashkëpunim i Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri me Sargfabrik dhe ka një rëndësi të veçantë pasi që kjo sallë është një prej sallave kryesore të muzikës jazz në Vjenë.

Menaxheri i kulturës, Ermal Vejsa, ka njoftuar për KultPlus se performanca e Elinës do të jetë e përgatitur ekskluzivisht për publikun shqiptar por eventi do të jetë i hapur për publikun e gjerë.

Koncerti do të mbahet më datë 4 maj ë ora 19:30 në Sargfabrik K u l t u r h a u s. / KultPlus.com

Piktorët shqiptarë Ben Kamili dhe Artan Shabani ekspozitë të përbashkët në Vjenë

Në praninë e një numri të madh dashamirësh të artit pamor, në Galerinë “Desiderio“ në qendër të Vjenës, të premten, me datë 22 prill, u hap ekspozita e përbashkët e dy artistëve shqiptarë Ben Kamili nga Tetova dhe Artan Shabani nga Vlora.

Me një fjalim shumë të thellë e domethënës me rastin e hapjes, u paraqit historiani i artit, gjermani, Wilhelm Ziehr, i cili i vlerësoi lart veprat e piktorëve që ishin të shfaqura në muret e galerisë, por edhe ato që autorët i kanë në thesaret dhe atelietë e tyre.

Benin dhe Artanin nuk i lidh vetëm viti i njëjtë i lindjes, por edhe e bukura, e pathëna me fjalë, e pikturuara, e fshehta, harmonia e ngjyrës, thellësia e imagjinatës, muza etj. Prandaj ekspozita mban emrin “Fuqia e ngjyrës“, sepse në veprat e tyre vërehet një shpërthim ngjyrash, zhvillimi i tyre i brendshëm shpërfaq tërheqshëm ndjenjat dhe idetë e autorëve, gjersa motivi është i ndryshëm dhe na sjell pamje nga përditshmëria, impresionizmi, abstraksioni, erotizmi, peizazhi etj. Në disa piktura paraqiten mjedise të ndryshme shqiptare, brigje e lumenj, por edhe pamje nga vende të ndryshme të botës, ku autorët e kanë gjetur frymëzimin e tyre. Prania e femrës është gjithashtu një element përmbajtësor i veprave, ku ajo shfaqet në akte të ndryshme, e bukur, me stil dhe veçori romantike e artistike. Njashtu edhe gjelbërimi, lulet e bota bimore, objektet e jetesës, kasollet etj. janë në një përputhje të mahnitshme. Veprat flasin për një shije estetike dhe një cilësi të ngritur krijuese të dy piktorëve.

Historiani i artit, Wilhelm Ziehr pasi tregoi disa të dhëna mbi personalitetin e piktorëve, Benit dhe Artanit, teksa lexoi sukseset e tyre me ekspozitat individuale dhe kolektive në shumë vende të botës, paraqiti para të pranishmëve mbresat e tij nga veprat figurative të ekspozuara këtu në Vjenë, duke gjetur fjalët e veçanta, duke analizuar mprehtësinë krijuese dhe frymëzimin e artistëve.

Të pranishëm në ekspozitë ishin një numër i madh bashkatdhetarësh shqiptarë nga Vjena, si: shkrimtari Besim Xhelili, kompozitori Jozef F. Pjetri, piktori Endrit Mema, afaristët Aki Nuredini dhe Argtim Hani etj., gjersa ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, z. Roland Bimo pasi i përshëndeti autorët dhe të pranishmit, i përgëzoi piktorët Kamili dhe Shabani, duke u treguar i befasuar nga arti i tyre dhe njëkohësisht i gëzuar me arritjet e tyre.

Ekspozita do jetë e hapur një muaj dhe mundet të vizitohet në Galerinë “ Desiderio”, në adresën: Johannesgasse 17, 1010 Vjenë./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Skenat më prestigjioze të botës dhe koncertet e saj, Anila Aliu jep detaje për vitin 2022

Lajmet me suksese të jashtëzakonshme për pianisten nga Kosova, Anila Aliu, nuk kanë qenë të paktë këtë vit, pasi Aliu ka shënuar disa suksese të mëdha, shkruan KultPlus.

Paraqitja në disa koncerte dhe skenat më prestigjioze të botës, e kanë karakterizuar vitin 2021 për pianisten shumë të suksesshme Anila Aliun.

Koncerti i saj në Vjenë, i cili ishte paraparë të mbahej më 7 dhjetor të këtij viti, për shkak të gjendjes së për përkeqësuar me pandeminë u shty më 25 mars 2022, e detajet e këtyre koncerteve Anila i shpjegoi në një prononcim për KultPlus.

“Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me koncertin e planifikuar të mbahej në Gjermani më 12 dhjetor të këtij viti, por megjithatë u shty për 10 tetor, që të dy koncerte recitale (solo 90 minutëshe)”, shpjegon Aliu.

Ajo tutje shton se është ftuar nga presidenti i “Vienna International Pianists”, Stephan Moller në Teatrin Gesellschaft fur Musik.

“Në anën tjetër, në Gjermani jam ftuar nga festivali i mirënjohur i muzikës klasike “Klassik zu Gast bei Coppeneur” kur do të performojnë artistët e nivelit më të lartë”, thotë ajo.

Aliu shpreson që problemet me pandeminë të rregullohen dhe sallat të jenë të mbushur plotë, me mysafirë e fytyra eminente të muzikës si dhe skenës politike.

Edhe biletat pritet që të dalin në shitje së shpejti, derisa Aliu dhe sukseset e saj po vazhdojnë të jehojnë nëpër botë.

Së fundmi, pianistja nga Kosova është shpallur fituese e çmimit të parë në garat ndërkombëtare “Golden Classical Music Awaards”, ku performoi në një ndër sallat prestigjioze në botë “Carnegie Hall”. /KultPlus.com

Vjena stoliset me flamuj të Kosovës para takimit të presidentes Vjosa Osmani me liderët e Austrisë

Flamuj të shtetit të Kosovës krahas flamujve të shtetit të Austrisë janë vendosur në shumë objekte të njohura në Vjenë. Në shenjë respekti dhe miqësisë mes dy shteteve, shteti austriak ka bërë përgatitje për pritjen e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do të nisë një vizitë zyrtare në Austri.

Kjo vizitë e Osmanit vjen me ftesën e homologut të saj austriak, presidentit Alexander Van der Bellen.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim me Alexander Van der Bellen, Osmani do të diskutojë për mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës në rrugën evropiane, procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimit të organizatave ndërkombëtare si dhe kontretizimin e bashkëpunimit për avancimin e Agjendës së Gjelbër.

Portali austriak ots.at shkruan për një pjesë të agjendës se presidentes Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu do të pritet nga Presidenti Federal Alexander Van der Bellen me nderime ushtarake në Burghof, të martën, 22 qershor 2021 në 10.30 të mëngjesit.  Sipas programit në orën 11.00 të mëngjesit do të jetë një takim pune. Ndërkohë, konferenca për shtyp midis dy krerëve të shteteve do të zhvillohet në orën 12.00 të ditës në sallën ceremoniale, përcjell albinfo.at.

Në vazhdim të njoftimit të presidencës thuhet poashtu:

“Presidentja Osmani do të takohet edhe me kancelarin Sebastian Kurz, sikurse edhe me ministren për veprime klimatike, mjedis, energji, mobilitet, inovacion dhe teknologji Leonore Gewessler me të cilët përveç diskutimit të aspekteve politike do të shqyrtohet edhe mundësia e bashkëpunimit në projekte konkrete ndërshtetërore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në Austri, presidentja Osmani do të takojë edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, ndërsa është paraparë takim me Shoqatën e Miqësisë Austri – Kosovë, diasporën kosovare si dhe me Odën Ekonomike Austriake.

“Ndërkaq në Akademinë Diplomatike të Vjenës, Presidentja Osmani do të mbajë një ligjëratë me temën: Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storjet e Suksesit”, thuhet në fund të njoftimit. / KultPlus.com

Bëhet e ditur data e ngjarjes më të madhe të muzikës klasike në botë

Data e 1 janarit, në orën 11:15 për të gjithë adhuruesit e muzikës klasike të botës është rezervuar Koncerti tradicional vjenez i Vitit të Ri

Çdo vit në Sallën e artë të Musikverein-it Filharmonia e Vjenës organizon këtë ngjarje, transmeton KultPlus.

Këtë herë nuk do të ketë një audiencë të brendshme për Koncertin e Vitit të Ri, dashamirët e muzikës klasike në të gjithë globin do të jenë akoma në gjendje ta përjetojnë atë – dhe të duartrokasin muzikantët – së bashku.

Shikuesit në më shumë se 90 vende, mund të regjistrohen në internet për të ndarë vlerësimin e tyre përmes pajisjeve elektronike.

Programi i koncertit të Vitit të Ri përfshin tradicionalisht kompozime të dinastisë Strauss dhe bashkëkohësve të tyre, interpretime kulmore të valseve, polkave dhe marshimeve.

Përveç muzikës ka edhe kërcime, nga balerinët e Operës së Shtetit, kryer në ambientet e brendshme dhe të jashtme të pallateve historike prestigjioze të Vjenës.

Po, dirigjenti? Ajo që është e sigurt është se do të ketë një koncert dhe se Riccardo Muti do të jetë pas pultit të dirigjentit për herë të gjashtë. / KultPlus.com

Mjeku shqiptar, heroi që trajtoi të lënduarit e sulmeve terroriste të Vjenës: U turpërova, por në Austri terroristi nuk përfaqëson shqiptarët

Dr. Bujar Muqolli, është mjeku i njohur shqiptar, i cili u bë heroi i anës së mirë në tërë tragjedinë e mbrëmshe të sulmeve terroriste që morën jetë njerëzish duke lënë edhe shumë të lënduar në Vjenë.

Ortoped – Traumatolog, Dr. Bujar Muqolli – Kryemjek i Klinikës Spitalore më të njohur në Vjenë e Austri ‘Donaustadt Clinic’, është shqiptari nga Peja e Kosovës i cili bashkë me vëllanë mjek Dr. Fisnik Muqollin, për vite të tëra janë bërë të njohur në Austri, duke ngritur namin shqiptarë në mjekësinë europiane.

Në një intervistë ekskluzive për ‘RADIO 1,’ të zhvilluar në mbrëmje me kryeredaktorin e saj, Fitim Behlulin, Dr. Bujar Muqolli rrëfen anën tjetër të ngjarjes, Atë të betejës për të shpëtuar jetët e të lënduarve dhe plagosurve, viktima të pafajshme. Dr. Muqollli që mbrëmë ishte në vijën e parë të frontit në ‘Clinic Donaustadt’, nuk flet pa emocion për ngjarjen.

“Ishte ora 22:00 afërsisht kur ne morëm informatë se po ndodhë diçka e keqe në Vjenë dhe duhet të përgatitemi për të pritur dhjetëra e ndoshta qindra të lënduar. Në minutat e para pak dihej… Mora masat e menjëhershme. Referova të ngritet shkalla e gatishmërisë dhe menaxhuam fazën pritëse, sepse kuptohet krejt bota jemi edhe në ngarkesë protokoli me Covid 19. Rastet e para na erdhën shumë shpejt, diku në ora 22:30. Ishin viktima që kishin marrë plagë e lëndime të rënda nga sulmet. Në Spitalin, Klinikën tonë si më e njohura, trajtohen, referohen raste të rënda. Në total deri në mesnatë ne pranuam shtatë raste, të tjerat raste, më të menaxhueshme janë referuar në qendra tjera. Rastet që pranuam në ekip, ja dolëm ti shpëtojmë. Të gjithë i nxorëm, gjendja ishte e rëndë dhe mbetet, mirëpo mund të them i nxorëm nga rreziku i madh.”-thotë Muqolli në ‘RADIO 1’.

Duke folur për ‘RADIO 1’, Dr. Bujar Muqolli shpjegon momentin e trishtë, kur e kuptoi se sulmuesi ishte shqiptarë.

“Gjatë punës, pas një qarku kohor, e kuptova se sulmuesi ishte shqiptar. Nga media e mësova, nuk ma thanë kolegët austriak. Keq, u ndjeva shumë keq, shumë jam prekë. U turpërova! U ndjeva mjaft i mllefosur. Por… ka edhe diçka që duhet tja them opinionit. Diçka që qëndron dhe është e vërtët e cila më lehtësoi mua por duhet ti lehtësoi të gjithë shqiptarët. Ajo është se, këtu në çdo komunikim të ngushtë e të gjërë, në një shtet siç është Austria, ku ekziston harmonia, terroristin në fjalë, askush nuk e sheh si shqiptarë. Në bindjen e thellë të tyre, ai nuk përfaqëson identitetin shqiptarë. Shqiptarin e njohin kudo, ja njohin traditën, veset, zakonet. Ai nuk është shqiptarë, ai nuk përfaqëson shqiptarin, ai përfaqëson terroristin. Terrorizmi komb nuk ka, terrorizmi fe nuk ka. Kjo na forcon e lehtëson.”-shton Dr. Muqolli.

Kryemjeku shqiptarë që nën mantelin e bardhë u bë edhe kryeheroi shqiptarë i mbrëmjes së shkuar në ‘Donaustadt Clinic’ Dr.Bujar Muqolli, rrëfen se rreth mëngjesit, policia Austriake ka sjellur edhe njërin prej të dyshuarve për trajtim, i cili ishte plagosur.

“Rreth mëngjesit kemi pranuar edhe një të plagosur nga pala e të dyshuarve. E ka sjellur policia austriake. Kanë qenë kolegët tjerë, që u ka ka rënë të mirren drejtpërdrejt me të, mirëpo nga informatat që më erdhën, nuk ishte shqiptar. Kishte një emër tjetër.”-tha Muqolli.

I dyshuari kryesor për sulmin terrorist në Austri mendohet se është Kujtim Fejzullahu me origjinë nga fshati Çellopek në Tetovë. Nga sulmet terroriste në këtë shtet humbi jetën edhe shqiptari tjetër viktima Nexhip Vrenezi./RADIO 1/ KultPlus.com

Bashkësia Islame: Terroristët nuk përfaqësojnë asnjë vlerë e asnjë besim përveç krimit e terrorit

Bashkësia Islame e Kosovës ka dënuar aktet terroriste në Vjenë duke i quajtur si atak mbi vlerat njerëzore, humane e hyjnore, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi duke cituar një pjesë Kuranore se kush vret një njeri është sikur të ketë vrarë mbarë njerëzimin, Bashkësia Islame e Kosovës e ka quajtur vepër të papranueshme terrorin e mbrëmshëm në Austri.

“Vepër e dënueshme dhe e papranueshme që për qëllim ka frikën, shantazhin e kaosin, si dhe sfidimin e rendit dhe ligjit”, thuhet në reagim.

Në anën tjetër, ky institucion fetar ka shkruar se nuk duhet bërë asnjë kompromis me terrorin.

“Terroristët nuk përfaqësojnë asnjë vlerë e asnjë besim përveç krimit e terrorit. Terrori nuk ka fe, por ka ideologji që ne nuk duhet pranuar e heshtur para tij”, vazhdon tutje BIK.

Në fund, në reagim Bashkësia Islame e Kosovës ka shprehur bashkëndjesinë ndaj familjes së viktimave, duke i uruar shërim të plagosurve./KultPlus.com

Rrëfimi i kamarierit për sulmin në Vjenë: Këtë mund ta shihnim në Amerikë, Iran apo Afganistan – por jo në Austri

Nga sulmi i mbrëmshëm në Austri, të vrarë mbetën tre qytetarë dhe një nga dorasit e këtij sulmi, prej të cilit të plagosur mbetën edhe 15 persona.

Të shtënat e së hënës në Vjenë ndodhën në një zonë mjaftueshëm të frekuentuar, e ngjeshur përplot kafene dhe restorante.

Për këtë ngjarje ka rrëfyer një kamarier 42 vjeçar i cili ishte në kafene kur pa se njerëzit filluan të vraponin brenda përplot tension.

Jimmy Eroglu shprehet për CNN se vizitorët që ishin pjesë e hapësirës ku po punonte, papritur filluan të iknin meqë sulmet me të shtëna nisën edhe brenda.

“Mysafirët e mi ishin jashtë dhe papritmas filluan të sulmojnë brenda, kështu që unë gjithashtu shkova të shikoj dhe pyeta se ”çfarë po ndodh?”, ata thanë se ”ka të shtëna”, tha ai.

Eroglu tha se ai nxori kokën nga dera për të parë se çfarë po ndodhte dhe dëgjoi “të paktën 15 të shtëna”.

“Unë ende nuk mund ta besoj këtë! Të gjithë kishim frikë për jetën tonë”, shton ai.

Ai tregon se mbylli dyert në kafene dhe u tha të gjithë të pranishmëve të qëndronin brenda derisa jo më shumë se tre minuta më vonë policia ishte në vendin e ngjarjes, tha ai.

“Kjo është diçka që ne e shohim vetëm në Amerikë, ose në Irak ose Afganistan, por jo këtu në Austri”, ka thënë ai i shqetësuar./kk/ KultPlus.com

‘Nëse vret një njeri je vrasës, nëse vret dhjetë njerëz je përbindësh’

Sulmet e ditës së sotit në Vjenë kanë tronditur botën, deri më tash flitet për diku rreth 15 viktima, ndërkaq akoma nuk dihet numri i saktë, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell një thënie shumë të njohur të Vassilis Epaminondous e cila me një ironi të theksuar, gjykon fuqishëm luftën.

– Nëse vret një njeri, je vrasës. Nëse vret dhjetë njerëz, je përbindësh. Nëse vret dhjetë mijë, je hero kombëtarë. / KultPlus.com

Filmi “Dita zë fill” shfaqet të hënën në Vjenë

Të hënën, më 2 nëntor, duke filluar nga ora 20.15 në kinemanë “Apollo Theater” do të shfaqet para publikut në Vjenë filmi shqiptar “Dita zë fill”.

Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri, në kuadër të “Javëve të Kulturës Shqiptare” do të realizojë edhe një aktivitet para se të hyjnë në fuqi masat e reja të ndërmarra nga Qeveria austriake, e të cilat do të zbatohen nga data 3 nëntor.

Kështu, të hënën, më 2 nëntor, duke filluar nga ora 20.15 në kinemanë “Apollo Theater” do të shfaqet para publikut në Vjenë filmi shqiptar “Dita zë fill”.

Filmi është produkt me skenar dhe regji të regjisorit të njohur, Gentian Koçi.

“Dita zë fill” ishte përzgjedhur si kandidaturë zyrtare e Shqipërisë për “Oscar” në kategorinë e “Filmit më të mirë të huaj” si dhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare.

Në festivalin e Sarajevës ky film fitoi çmimin për “Aktoren më të mirë”, meritë kjo e aktores kryesore të filmit, Ornela Kapetani.

Filmi do të shfaqet në:

  • Vendi: Kino Apollo
  • Adresa:Gumpendorfer Straße 63, 1060 Wien, Austria
  • Data:  02.11.2020
  • Ora:   20:15

“Dita zë fill” është një dramë intime, e cila ndodh në një banesë në Tiranë. Në fakt, është një histori që mund të ndodhë kudo. Historia mbështetet në dy personazhe femërore, Violeta- Leta dhe Sofia. Leta është një nënë e re në një situatë tejet të vështirë financiare. E bërë nënë prej pak muajsh pas vdekjes së të shoqit, Violeta është e vetme.

Për shkak të kësaj situate, ajo nuk ka mundur të paguajë qiranë që prej disa muajsh. Kur Leta dhe djali i saj njëvjeçar nxirren jashtë prej banesës së tyre me qira, ata shpërngulen në shtëpinë e Sofisë, një gruaje të moshuar e të shtrirë në shtrat prej sëmundjes, vajza e të cilës ka punësuar Letën si kujdestaren e nënës së saj. Me qëllim që të ruajë vendin e punës dhe strehën e saj të re, Leta duhet ta mbajë Sofinë në jetë me çdo kusht. Boshti i historisë është marrëdhënia e brishtë mes gruas së re dhe të moshuar, një marrëdhënie që luhatet mes empatisë reciproke dhe qëllimeve pragmatike.

“Dita zë fill” është film i xhiruar në interior dhe me pak personazhe, ku interpretojnë  aktorët Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Kasem Hoxha etj./ albinfo/ KultPlus.com

Artistët shqiptarë në Vjenë, koncert për nder të Festës Kombëtare të Austrisë

Koncerti do të mbahet sonte, më 26 tetor, për nder Festës së Pavarësisë së Austrisë, i cili do të jetë në vazhdën e „Javëve të Kulturës Shqiptare në Austri“ të organizuar nga Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri, transmeton KultPlus.

Gjithçka është gati: Artistët shqiptarë mbajtën mbrëmë edhe provat e fundit para koncertit “Klassik trifft Ethno“ që do të përformojnë para publikut shqiptar në Vjenë dhe miqve austriakë.

Salla e bukur “Konservatoirum Ehrbar Saal” tashmë ka hapur dyert për të pritur mysafirët.

Koncerti do të mbahet sonte, më 26 tetor, për nder Festës së Pavarësisë së Austrisë. Koncerti do të jetë në vazhdën e „Javëve të Kulturës Shqiptare në Austri“ të organizuar nga Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri.

Gjatë provave

Publiku shqiptar dhe miqtë austriakë do të kenë mundësinë të shijojnë rreth 1 orë e 30 minuta përformancat e artistëve më të njohur shqiptarë në Austri, si: Flaka Goranci – mezzosoprano, Eno Peçi – balerin dhe koreograf, Rina Kaçinari – violonçeliste, Aurel Qirjo – violinë dhe Zamir Kabo – piano.

„Jemi në provat e fundit të përgatitjes për koncert. Do të jetë një natë e paharruar me këngë të zgjedhura nga vetë artistët. Ata po japin maksimumin që gjithçka të shkojë mbarë“, thotë për Albinfo Austria, Ermal Vejsa, sekretar nga Këshilli i Shoqatave.

Edhe pse në kohë pandemie, organizatorët kanë marrë të gjitha masat që koncerti të rrjedhë sipas kërkesave të institucioneve austriake. “Ne do t’u përmbahemi të gjitha kërkesave nga institucionet austriake. Me keqardhje duhet të themi se përkundër kërkesave të shumta për të qenë të pranishëm në këtë koncert, ne ishim të obliguar që të kemi numër të kufizuar. Prandaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithëve”, tha Vejsa për albinfo Austria.

Si pasojë e masave të reja kundër Covid-19, që janë ndërmarrë nga Qeveria e Austrisë dhe të cilat vlejnë që nga data 23/10/2020,  Këshilli organizativ ka njoftuar të gjithë të ftuarit se janë të obliguar:

-Në orën 18:30 të vini në koncert (Mühlgasse 28, 1040 Wien, Austria)

-Të mbani distancën prej1,5 m – me njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës së pritjes dhe në hapësirat e brendshme.

-Të dezinfektoni duart sapo të hyni brenda në objekt.

-Të mbani maskën në të gjitha hapësirat e brendshme të objektit dhe gjatë gjithë koncertit duke mbuluar gojën dhe hundën.

“Gjithashtu, në rast se për arsye të ndryshme nuk do të mund të vini në koncert, duhet të na lajmëroni menjëherë për mos pjesëmarrjen tuaj, sepse të gjitha vendet janë të rezervuara në emrin personal të secilit prej jush.

Ne si organizatorë, kemi përgjegjësi shtesë rreth organizimit të koncertit dhe respektimit të masave mbrojtëse në këtë periudhë pandemie, prandaj jemi të obliguar të mbajmë evidencë të saktë të pjesëmarrësve në koncert dhe për këtë kërkojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftim. /albinfo/ KultPlus.com

Hapet ekspozita “Sepp Jahn – Udhëtim në Shqipëri 1937”

Në mjediset e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Vjenë është hapurekspozita “Sepp Jahn – Udhëtim në Shqipëri 1937”, e ideuar nga Ina Arapi, kuruar nga Elsa Martini.

Ekspozita përmban punime të Prof. Mag. art Sepp Jahn (10.02.1907 Krems a/d Donau – 07.04.2003 Wien), të cilat ai i kreu gjatë udhëtimit tё tij nёpёr Shqipёri gjatё vitit tё largёt 1937.

Ai studioi për arkitekturë në Institutin e Lartë Teknik dhe më vonë kreu Master class për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë. Piktori austriak Jahn, u nderua nё fund tё studimeve me Çmimin e Madh të Romës, nё fakt, një bursë tё cilёn ai e shfrytёzoi pёr tё udhёtuar nё Shqipëri, Jugosllavi e Greqi. Gjatё udhёtimeve tё tij nёpёr Shqipёri, me talentin e tij nё pikturё, Jahn kapi peizazhe tё natyrёs, arkitekturёs dhe jetesёs sё pёrditshme tё shqiptarёve tё atёkohshёm.

Pёrpos akuareleve tё çmuara dhe tё pa ekspozuara mё herёt, ekspozita pёrmban edhe një kostum popullor për gra, një mantel (xhamadan) i qëndisur, nё ruajtje prej 83 vitesh, së bashku me një shtamë uji e një gjym bakri. Interes tё veçantё pёrbёn fakti qё ato i janё dhuruar piktorit austriak nga Mbreti Zog pasi ai kreu njё portret shumё tё pёlqyer prej tij.

Në këtë aktivitet morën pjesë familjarë dhe të afërm të autorit, Ambasadori i Kosovës në Vjenë Lulzim Pllana, përfaqësues nga Ministria e Jashtme, kryetari  Shoqatës së Miqësisë Austri Shqipëri, Ambasadori Arno Riedel, ish-Deputet i Parlamentit Austriak Wolfgang Grossruck, etj..

Të pranishmit u përshëndetën nga Ambsadori Roland Bimo dhe kuratore Elsa Martini, ndërsa studjuese Prof. Ina Arapi foli për aktivitetin e Prof. Sepp Jahn.

Akuarelet e vizatimet e piktorit Jahn mund të shihen nga afёr nё mjediset e Ambasadёs në Vjenë deri nё datёn 30 tetor.

Shqiptarja Drita Cacaj kandidon në zgjedhjet për Këshillin Bashkiakë të Vjenës

Gratë shqiptare nëpër botë janë të suksesshme jo vetëm në muzikë, por edhe në politikë. Ato përmes politikbërjes dhe diplomacisë vazhdojnë t’i përfaqësojnë shqiptarët denjësisht, shkruan KultPlus.

Drita Cacaj është njëra nga to, e cila është duke kandiduar për Zgjedhjet për Këshillin Bashkiak të Vjenës dhe për Këshillin e Qarkut të Vjenës në Austri.

Këto zgjedhje do të mbahen më 11 tetor, ndërkaq lajmin për kandidimin e saj e ka bërë të ditur bashkëshorti i saj, Hasan Cacaj, duke kërkuar votën e shqiptarëve në mënyrë që mobilizimi të ketë rezultat. Ai ka theksuar se vota drejt Dritës do të sjell dëgjimin e zërave të shqiptarëve në diasporë./KultPlus.com

Piktori shqiptar hap ekspozitën “Impresionet shqiptare” në Vjenë

Ursula dhe Franz Pfeiffer nga Shoqata „kunst-projekte“ organizuan hapjen e ekspozitës të piktorit Gazmend Freitag me temën „Impresionet Shqiptare“ në ambientet e „Osteria Allora“ në Vjenë.

Piktori Gazmend Freitag, që jeton dhe vepron në Linz, është pa dyshim një nga artistët më aktivë shqiptarë, ekspozita e të cilit u hap këtë mbrëmje nga Ursula Pfeiffer në cilësinë e saj si kuratore.

Ajo foli për karrierën e piktorit, duke theksuar stilin e tij të veçantë dhe veprat e tij me motive nga atdheu i tij dhe ato nga moderniteti. Ajo gjithashtu prezantoi një përshkrim të shkurtër historik të kombit shqiptar që nga pavarësia e Shqipërisë. Në koherencë më këtë asaj edhe i kishte lindur ideja për titullin e ekspozitës “Impresionet Shqiptare”. Më pas ajo referoi disa citime nga shtypi dhe kritikat e shprehura lidhur me piktorin.

Në vazhdim edhe zonja Elisabeth Birngruber, piktore e pianiste, dikur bashkëstudente e Gazmendit në kursin universitar “vizatim akti” në Universitetin e Artit në Linz, i dha homazhe punës së kolegut të saj. Freitag vetë, shtoi: „Këtu janë të ekspozuara 14 vepra, piktura në vaj dhe grafika, kryesisht me motive shqiptare“.

Përkthyer nga gjermanishtja: Mag. Valbona Reinmüller/ KultPlus.com

Edhe librat në karantinë

Biblioteka Kombëtare Austriake do të fusë në karantinë librat për të mbrojtur lexuesit nga infeksionet e koronavirusit, nëse kemi parasysh që ajo zotëron koleksionin më të madh të librave në vend.

Pasi institucioni të rihapet të hënën, në ish-pallatin perandorak në Vjenë, të gjithë librat e kthyer nga lexuesit do të mbahen në një dhomë të veçantë për të paktën 24 orë.

“Koha është një dezinfektues i shkëlqyeshëm për librat dhe kimikatet i ruajnë më së miri ata”, theksoi biblioteka në një shënim.

Të dhënat në internet të bibliotekës do të përditësohen në mënyrë që përdoruesit të shohin nëse librat e tyre të dëshiruar janë në raftet e tyre apo në karantinë/ANSA / KultPlus.com

Presidenti austriak i del në mbrojtje restorantit shqiptar në Vjenë

Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen ka kërkuar falje publike, pasi ai dhe bashkëshortja e tij thyen rregullat e rekomanduara si masë ndaluese e koronavirusit. Ai ka deklaruar se do të marrë përsipër të gjitha gjobat nëse i vihen pronarit shqiptar të restorantit “Sole” në Vjenë.

Austria ka lejuar hapjen e restoranteve deri në orën 23.00 të mbrëmjes, por presidenti Van der Bellen dhe bashkëshortja e tij, Doris Schmidaue, janë parë nga policia austriake teksa pinin deri pas mesnatës në restorantin “Sole” të pronarit shqiptar, Aki Nuredini, raporton Albinfo Austria.

Sipas mediave austriake, restoranti në atë kohë ishte i mbyllur, por ata kishin vazhduar edhe për më shumë se një orë të qëndrojnë të ulur në tarracën e restorantit.

“E humbëm kohën duke biseduar dhe fatkeqësisht e kaluam orarin e lejuar”, kishte shkruar ai në një postim në rrjetet sociale. “Më vjen keq, ishte një gabim”, shpreh keqardhje presidenti Van der Bellen.

Sipas rregullores në Austri, nëse ndonjë restorant gjendet i hapur pas orës 23.00, gjoba do të jetë afër 30 mijë euro. Për këtë presidenti austriak ka theksuar se nëse pronarit të restorantit do t’i vihet ndonjë gjobë, është i gatshëm të gjitha t’ i marrë përsipër.

“Nëse restoranti do të marrë ndonjë gjobë, unë do të qëndroj prapa kësaj dhe do të marr përgjegjësitë e mia”, ka shkruar presidenti Van der Bellen.

Restoranti “Sole” është pronë e gastronomit të njohur shqiptar Aki Nuredini, i cili këtë restorant e ka të hapur që nga viti 1983 dhe gjendet në një nga rrugët më të frekuentuara të Vjenës. / Albinfo.ch / KultPlus.com

Muzetë e Vjenës rihapen, hyrja falas në disa prej tyre

Katër muze në Vjenë do t‘ua mundësojnë vizitorëve që për dy ditët e para hyrja të jetë falas.

Pas mbylljes për disa javë, muzetë e parë në Vjenë hapën dyert e tyre përsëri më 15 maj. Muzetë e tjerë do të hapen gjatë ditëve në vijim.

Ashtu sikur biznese të shumta në Austri, edhe shumë muze në Vjenë po provojnë mënyra të ndryshme për të joshur vizitorët dhe adhuruesit e kulturës dhe artit. Katër muze në Vjenë do t‘ua mundësojnë vizitorëve që për dy ditët e para hyrja të jetë falas.

Muzetë “Mozarthaus”, “Jüdisches Museum“, „Kunst Haus“ dhe „Haus der Musik“ më 31 maj do t’ i rihapin përsëri dyert e tyre për vizitorë. Në këtë ditë, të dielën dhe të hënën, pra më 1 qershor, të interesuarit mund të vizitojnë falas muzetë dhe ekspozitat e tyre të preferuara, shkruan oe24.at, përcjell Albinfo Austria.

Ndërkohë Muzeu “Leopold”, i cili do të hapet më 27 maj, ua ka mundësuar hyrjen falas 100 vizitorëve të parë, kurse më 28 maj blerësit e parë të biletave në internet do të marrin zbritje prej 50 për qind të çmimit të biletës së plotë.

Po ashtu, nga data 1 maj tashmë është hapur edhe kështjella e bukur në Laxenburg. / Albinfo.ch / KultPlus.com

Grupi ‘Don’t Listen to Your Neighbors’ me koncert në Vjenë për nderë të Pavarësisë së Kosovës

Këshilli Koordinues në përkrahje të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Europahaus organizojnë koncert në Vjenë për nder të pavarësisë së Kosovës me një nga grupet më të njohura dhe unike në Shqiptari, shkruan KultPlus.

Grupi ‘Don’t Listen to Your Neighbors’ do të performojnë muzikën tonë të vjetër në stilin e tyre ‘jazz’, ka njoftuar Ermal Vejsa për KultPlus.

Koncerti mbahet më datë 7 shkurt, prej orës 20:00 në Tunnel Vienna Live, Florianigasse 39, 1080 Wien. / KultPlus.com



“Java e filmit shqiptar” në Vjenë, promovim i vlerave artistike shqiptare

Përmes nismës “Java e filmit shqiptar”, në data 23 janar deri në 2 shkurt, anëtarët e Diasporës shqiptare në Vjenë të Austrisë do të promovojnë vlerat e krijimtarisë artistike shqiptare përmes shfaqjes së filmave të ndryshëm shqiptarë.

Në javën e Filmit Shqiptar 2020 në Vjenë do të transmetohen filmat shqiptarë, ku bëjnë pjesë filmat e gjatë, filmat e metrazhit të shkurtër dhe filmat dokumentar, percjell Mekulpress.

Faqja e ‘Film ARCHIV Austria” ka shkruar se kinematografia e Shqipërisë është aq e njohur sa edhe vendndodhja e saj gjeografike. Ky vendi ka bërë vetëm një emër në Perëndim, për shembull në festivalet e filmit, që nga vitet 2000 – megjithatë, historia e tij e filmit filloi gjysmë shekulli më parë. Deri rreth vitit 1990 Shqipëria, e cila pas 40 vjetësh diktature nën Enver Hoxha u zgjua ngadalë nga ngurtësia e saj, ishte nën presionin e realizmit socialist, kur artistët zbuluan liri të reja.

Filmat që u bënë më parë bëhen kult përmes përsëritjeve në televizion – por ato nuk dalin nga dhoma e ndenjes për një kohë të gjatë. 2020 është një vit i mirë për të korrigjuar këtë dhe për të hapur gjoksin e thesarit, ka shkruar kjo faqe e filmave shumë e njohur në Vjenë të Austrisë. /KultPlus.com

Artistët shqiptarë me ekspozitë të përbashkët në Vjenë të Austrisë

Vjena si një qendër me histori dhe traditë të pasur sa i përket artit, kulturës dhe mundësive të shumta për shpalosjen dhe prezantimin e vlerave të llojllojshme artistike, gjithmonë ka tërhequr vëmendjen e njerëzve të artit dhe ka sjellë para artdashësve dhe adhuruesve e pasionantëve vepra të mëdha nga emra të njohur vendas e botërorë. Edhe artistët shqiptarë gjithmonë kanë gjetur një derë hapur në këtë qytet dhe me punimet dhe vlerat e tyre artistike kanë dalë faqebardhë dhe të dinjitetshëm para publikut, duke përçuar kështu mesazhe të forta për kulturën, dhuntinë dhe begatshmërinë e tyre si individuale, por edhe kombëtare.

Artistët shqiptarë dhe profesorët universitarë Saranda Kika-Bahtiri (Prishtinë, Kosovë) dhe Melik Arsllani (Gostivar, Maqedoni), të martën, më 7 nëntor 2018, hapën në Vjenë ekspozitën e tyre të përbashkët, ku të dy kishin sjellur disa piktura nga krijimtaria e tyre e pasur dhe e dëshmuar në sferën e arteve pamore. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 14 nëntor 2018 dhe mund të vizitohet në një lagje qendrore të Vjenës, në Galerinë Contemplor.

Pas tetë ekspozitave personale dhe mbi 50 ekspozitave grupore brenda dhe jashtë Kosovës, Saranda prezantohet me pikturat e saj në ekspozitën e përbashkët të radhës në qendër të Vjenës, ku në praninë e një numri të madh të dashamirëve të artit, ajo shpalosi përmes pikturave të saj talentin e madh dhe vlerën e një krijuesi të mirëfilltë dhe me plot dhunti e pasion. Ajo tha se ndjehet shumë e pritur ngrohtë këtu në Vjenë dhe njëkohësisht është e privilegjuar të hap ekspozitën e saj këtu në Vjenë, ku me shekuj krijohen e ruhen vepra të mëdha e të rralla. Asaj i pëlqen qyteti, ndërtesat pastërtia dhe qetësia që mbizotëron në rrugët e tij, u shpreh ajo në fjalën e saj. Pikturat e saj shprehin një abstraksion të fuqishëm, të përthyer nga një kontrast i fortë ngjyrash, si një shpërthim shqetësimi apo harmonizimi të brendshëm, duke paraqitur një derdhje të mrekullueshme të imagjinatës së autores mbi to.

Saranda diplomoi në Bachelor të Arteve në vitin 2004, kurse Studimet Master i përfundoi në vitin 2007 në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 2006 ligjëron si profesoreshë e artit në Universitetin „Isa Boletini“ në Mitrovicë. “Duke i kundruar kompozicionet e piktores Sarandës, del në shesh harmonizimi i ngjyrave me nuanca të forta intensive si në plan të parë poashtu edhe në prapavijë. E kuqja është dominante, shpërndahet në tërë kompozicionin dhe ka pamjen e një magme dhe krijon ekspresivitet dhe subtilitet të llojllojshëm të motiveve, sidomos e shtrirë në peizazhe imagjinative”, thotë për artin e Sarandës kuratori Ilir Muharremi.

Piktori Melik Arsllani diplomoi në Fakultetin e Arteve në vitin 1994 në Prishtinë, kurse Studimet Master i përmbylli në vitin 1998 gjithashtu në Prishtinë. Ai deri më tash është prezantuar në disa ekspozita kolektive, ndërsa numëron dhjetëra ekspozita personale. Që nga viti 1996 ligjëron në Universitetin e Tetovës, në degën e Arteve. Pikturat e tij janë të pasura me një emocion të begatshëm, peizazhe që kapërcejnë në një gjallëri e dramaticitet, shkëlqime e shplodhje ngjyrash, forma pa përkufizime ideore, dhimbje apo lumturi e vendosur me finesë në formë dhe koncept dhe përshkohen nga një paravijë apo prapavijë shumë domethënëse. Dukshëm në krijimet e tij janë shpirtërorja, dritat dhe hijet, por dhe dritëhijet njëkohësisht, duke portretizuar një dozë të theksuar të gjenialitetit, kompozicionit, hapësirës dhe kohës.

“Arsllani frymëzohet nga vendi i tij, shumë i bukur si natyrë, por shpesh i trazuar. Nëpërmjet ngjyrës, si material i përjetshëm i pikturës, bën një zbulim lirik të botës së brendshme. Ai ka krijuar piktura që shikohet nga afër dhe nga larg. Teksa i shikon nga afër sheh mjeshtërinë e piktorit. Me penelata tejet të sakta ka krijuar një tërësi kompozicionale, një botë të sajuar artistike shumë tërheqëse. Kur i sheh nga një distancë, pikturat e tij jo vetëm përjetohen, por edhe të nxitin meditimin”, shprehet profesori dhe shkrimtari Salajdin Salihu.

“Duke u nisur nga mënyra e realizimeve kompozicionale të autorit në fjalë, mund të themi se në to janë të gërshetuara përvoja dhe instinkti artistik, liria e të shprehurit pamor, ngrohtësia dhe përkujdesja ndaj mjedisit dhe traditës. Plotnia figurative estetike e gërshetuar me nuanca ekspresive koloritesh dhe tonesh përjetohet si katarzë ndiesore dhe përbën pjesën fundamentale të botëkuptimit krijues të Melikut”, thotë Jëlldëz Asani, historiane e artit.

Përndryshe në hapjen e kësaj ekspozite të pranishëm ishin një numër i madh bashkatdhetarësh që jetojnë në Austri, ndër ta dhe shkrimtari nga Tetova Besim Xhelili, kurse për ndërlidhjen e dy artistëve me Galerinë u përkujdes Keti Berisha, stiliste dhe fotografe që jeton e vepron në Vjenë. / KultPlus.com

Shkruan: Besim Xhelili

Serbët protestojnë në Vjenë kundër sulmeve të NATO-s

Serbët po vazhdojnë të nxisin urrejtje kundër kosovarëve, kudo që ata janë.

Me rastin e 19 vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s, qytetarë serbë dje kishin dalë në Vjenë të Austrisë duke protestuar kundër Kosovës, raporton Indeksonline.
Me pankarta ku shkruhet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Kosova e Metohija është Serbi”, ata po protestonin kundër sulmeve që NATO-ja i bëri caqeve serbe më 24 mars të vitit 1999.

Kujtojmë se sulmet ajrore ndaj forcave serbe dhe malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kurse më 11 qershor të 1999-ës, ata u detyruan të largohen nga Kosova.
Sulmet e NATO-s kishin nisur me urdhrin e presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i cili tashmë njihet si miku më i mirë i Kosovës./ KultPlus.com