Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer… Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver, Mbushen xhepat me flori E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!
Shitet vendi për para, me para e për para Bëhet burri telendi, dy para një maskara, Para hasmit lepe peqe Para zërit te atdheut hund e tyre shtatë sqepe!
Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner, Kurse shoku pinte uthull lum zotria pinte verë, Milioneri yn’ i ri Para shokut të dikurshëm vari buz’ edhe turi!
E përhera me dy faqe, që të haj’e qe te bluaj, Në një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj, Me dy faqe, me dy nofulla, në një xhep e dy flamurë E hedh këmbën me daulle edhe turk edhe kaur!
Na të urt’ e të mëndafshtë s’qemë të zot të bënim zë Ku fillon më thash e theme hij’ e vetës të përzë; Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe E ç’kërkon në gji të gjembit të këndoj’ një dallëndyshe?
Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh, Shikon lark e dëgjon thellë, di të vesh, edhe të zhvesh Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë: Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?! / KultPlus.com
Pse kthehem përsëri te këto fletë? I dashur, mos më pyesje më mirë, S’kam ç’them, me të vërtetë, po kam dëshirë Ta mbash në dorë letrën time, vetë.
Meqë s’vij dot, kjo letër le të jetë Prej zemrës sime ç’është me e dlirë, Gëzim, rënkim e shpresë e dëshirë; Gjithçka që s’pat fillim e fund e s’do ketë.
Sot dëshiroja fort mos të ta thoja Se në dëshira, ëndrra dhe mendime Besnikja zemër kthen e vje te ti.
Kështu dikur qëndroja e të shikoja Dhe s’flisja dot. Ç’të thoshte goja ime? E gjitha isha si në mrekulli./ KultPlus.com
Mbrëmë, në ‘Vilën 1925’, është hapur ekspozita e dytë personale e qeramikës nga artistja Blerta Syla Surroi — “Tokë e trajtuar me dashuri”, shkruan KultPlus. Balta është kryefjala në këtë ekspozitë që vjen si rrëfim shpirtëror i artistes, e cila përmes një procesi të ngadaltë të punës, sikurse përmes një rituali të shenjtë ka krijuar vepra që shpërfaqin një marrdhënie të lashtë mes njeriut dhe tokës.
Artistja Syla Surroi ekspozitën e ka hapur në Ditën e Çlirimit me një fotografi portret të realizuar më 12 Qershor 1999, në ditëlindjen e 21-të, ku gëzimi në fytyrën e saj është i papërshkrueshëm. Viti i saj i lindjes ‘78 koincidon me 78 ditët e bombardimeve të NATO-s në Ish-Jugosllavi. Ndërkaq, lumturia e artistes vjen si reflektim për punën dhe pasionin që do të mundtte t’i realizonte gjatë viteve pasuese në liri. “Lufta më ka mësuar t’a gëzoj jetën. Balta më ka mësuar t’a gjej të bukurën në papërsosshmëri”, ka thënë artistja Syla Surroi.
Punimet e ekspozitës që përfshijnë forma të thjeshta të natyrës, forma peshku, figura njerëzore mitologjike dhe mozaikë antik paraqesin raportin fizik dhe shpirtëror që artistja ka me materialin e baltës dhe me natyrën në përgjithësi.
“Balta është më shumë se material, është rrëfim. Me baltën kam një raport fizik dhe shpirtëror. Për të punuar me baltë duhet të kesh durim, vëmendje dhe përkushtim. Ajo e do kohen e vet. Me baltën kemi një raport reciprok, derisa e formoj atë ajo më formon mua, artistikisht. Gdhendja në baltë më sfidon të jem e duruar, të dëgjoj materialin, të kuptoj kufijtë e tij dhe njëkohësisht t’i shtyj kufijtë e mi imagjinar. Procesi i punës është i ngadaltë, ka ditë kur më duket si ritual i shenjtë. Edhe kur jam e lodhur e më dhëmbin duart nga gdhendja në baltë dhe presioni, ndiej se kam bërë diçka që më përket, që ka lënë gjurmë te unë po aq sa unë te balta”, ka thënë ajo.
“Tokë e trajtuar me dashuri” është ekspozita e dytë personale e qeramikës nga autorja Syla Surroi, dhe përmban krijime të viteve të fundit. Të parën e ka pasur në 2012, në Muzeun Kombëtar të Kosovës.
“Më frymëzon jeta me format e saj më të thjeshta, peshku, figura njerëzore mitologjike, mozaikët antik e që të gjitha këto pastaj unë i sjell në mënyrën time ashtu siç i ndiej. Duke i lidhur copëzat bashkë krijoj një tërësi, një tregim, një atmosferë festive që jep ndjesi gëzimi, bashkimi për t’a gëzuar jetën me bukurinë e thjeshtë të përditshme”, ka thënë artistja.
Kompozimi i portreteve me një lloj-llojshmëri ngjyrash kanë qenë risia e kësaj ekspozite, e cila gjë e kishte ngacmuar shijen e artistes Shqipe Kamberi. Artistja Kamberi tha se këto punime e kanë përsosur edhe më tej punën e artistes.
“Sot në ekspozitë pamë një Blertë ashtu siç është ekspozita plotë sinqeritet, ku të përfshira janë përjetimet e saj ditore, preokupimet e saj të paraqitura në formë të pjatave, peshqëve dhe portreteve që ishin risi për mua, të kompozuara shumë bukur, me një kolorit shumë të hareshëm, të jashtëzakonshëm. E shoh një inspirim të saj që i vjen nga natyra deti, dhe familja. Së paku unë mendoj ashtu. Blertën e përgëzoj shumë, sidomos për faktin që e ka bërë një hap më shumë prej asaj që kemi parë më herët nga ajo, duke kaluar edhe në portrete të cilat i ka konceptuar shumë bukur. Kur i sheh ato portrete e sheh edhe personalitetin e Blertës ”, ka thënë artistja Kamberi.
Në hapje të ekspozitës “Tokë e trajtuar me dashuri” morën pjesë personalitete të shumta, të cilët përmes gotave me verë patën mundësi të shijojnë dhe të ndiejnë thellë artin e punuar me shumë dashuri nga artistja Blerta Syla Surroi./ KultPlus.com
Mëmëdhe quhetë toka ku më ka rënurë koka, ku kam dashur mëm’e atë, ku më njeh dhe gur’ i thatë ku kam pasurë shtëpinë, ku kam njohur perëndinë, stërgjyshët ku kanë qënë dhe varret q’i kanë vënë, ku jam rritur me thërrime ku kam folur gjuhën time, ku kam fis e ku kam farë, ku kam qeshur, ku kam qarë, ku rroj me gas e me shpres, ku kam dëshirë të vdes./KultPlus.com
Jam kosovar pra jam shqiptar: Zot e krenar, – Zot e bujar mbi këtë Dhe q’e e kam si fe;
E kam Vatan! e kam Atdhe! Që gjysh stërgjysh, që brez pas brezi, që gjithëmon!
Ti shkja thërret, ti shkja bërtet,- gjer lart në retë; se jam barbar.
Jo, s’jam! si bërtet ti, si buçet ti, ti Mal i Zi.
Po Vendin tim e dua, lirinë e dua,- e s’dua zot mbi mua.
Se jam këtu kur s’kish njeri, kur s’kish kufi as fqinjëri, as shkja të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi ish Iliri; Kur nga një det në tjatrin det Isha zot vet!
Unë jam këtu nga moti kur vetë Zoti e bëri fushën fushë e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem -dem baba dem- sa mali të bëhet hi e hiri mal përsëri!
Kënga e dytë: Durimi
Ma thonë emrin Asim Qerim mbetur jetim që vogëli.
Jam si më sheh e si më njeh; kësulë-bardh e krye-lidh, krye-lidh me një shami, me tri shami; për trimëri!
Jam eshtër-madh, i vrazhdë jam e bojalli- jam’ plot shkëndi, si batërdi. Dhe kam uri -Si s’ka njeri- Për drejtësi e për Liri!
Si gjithë Asimët e gjith Qerimët e Vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim, mbetur jetim që vogëli; Se babën tim ma vranë naçallnikët, podporuçnikët dhe gllavnikët.
ma vranë, Se urdhër dha Vojvodi e Krali- vetë; Të vritet. Se ishte Kosovar! Dhe se ish zot mbi këtë Dhe!
Dhe tokën që kisha nga Baba nga Gjyshi – rrënjë pas rrënje- prej qindra vjet, prej mijra vjet! ma muarr. Ah! ma muarr Vatanin q’e desha si xhanin!
Ma muarr me armë në duar, – me gjak nëpër duar- Agrarët! Xhandarët! Tyxharët! Të gjithë tok, u bënë shokë; si sorrat! për kërmë!
Oborrin ma muarr gjer në shtëpi dhe ngrehnë për vete shtëpi në sytë e mi!
Dhe unë, ja, unë! që isha zot që qëmot; mbeta pa dhe, – bujk pa dhe, bari pa kope- këtu, në dherin tim.
Dhe plori m’u ndryshk, Hambari m’u myshk… …………………………… Po shpresa s’m’u vyshk! Durova, durova,- Sa nuk duron njeri, as perëndi!
Më thanë të shkruhem vojnik e mynafik i Kombit tim.
Më dhanë armë të vras vëllanë sipas kanunit të gjakut…, Po s’desha! Dhe në e bëra, ma falni; Se jam gjaknxehtë.
Më thanë të ngrihem të ik ku qielli puthet me dhenë; Stamboll, Anadoll, e më tej! Se vetëm andej paska për ne -Popull pa zot- vend boll…
Po malli i Tokës s’më la, po malli i Fushës s’më la, as gjaku i babës s’më la.
Dhe mbeta këtu, i huaj, – si qen!- në vendin tim, të Babës tim…
Mbeta raja, ndënë raja si për hata;
në uri në qesëndi, në skllavëri të shkjaut të zi.
Më thanë të ik n’Allbani, – Vatan i ri i Kombit tim- si shkoi Selmani, Hasani e Dani.
Po dot nga toka s’u ndava, Dhe mbeta të jem, ku jam e ku do të jem!
Më thanë të shkoj në sheher të shkjaut të madh me sharrën më krah, me kryet përdhe, jaban e beter; portë më portë derë më derë i mjerë e zemër- sterrë; për një kotherrë bukë,
Po malli i Vendit s’më la e mbeta këtu, raja ndënë raja të ha një bukë- zeher lagur me lot, njomur me vrer dhe të pres! një tjatër mëngjes.
E dit për dit, e net pas net, e vjet pas vjet rrojta e vojta kaba ndënë shkjash; raja ndënë raja, si në hata si tjatër s’ka!
Po prita dhe prita të vijë dhe për mua dita!
Tani, tani, Liri!
Kënga e tretë: Sulmi
Ta shemba shkjah kufinë që ngrite ti në Vendin tim e përmbi varr të Babës tim.
Ta shemba ta dogja; me zjarrin e shpirtit të vojtjes dhe të urrejtjes.
Me zemërim me vrull të madh, e bubullim që s’ka mbarim.
Se vjete ti më çave më ndave më vrave! armik- lugat! armik- xhelat!
Ti bëre azape:- s’u tremba, Ti ngrite kufire me gjemba fortesa ti ngrite; t’i shemba!
Tani, tani! atje ku ti o Mal i Zi! ngrite kufi që ndanin e çanin vëllazëri; Hej!
sot! shkon, e valon parmenda!
T’i bëra të gjitha rrëmujë dhe ty gjurma t’u zhduk si në ujë.
Ta shemba armik kufinë -derë burgu- dhe është tani si ish! -si do të jetë;- përjetë; Lëndinë!
Kënga e katërt: Ndërtimi
I bje arës mes për mes e gjer në brez, e përmbi brez humbas me gas në grurin tim, të Dheut tim, të Babës tim, të Birit tim; sot e përpjet, jetë pas jet!
Dhe ndje qysh flet me zë të qet im Atë vet nga balta posht;
Të mbroni Dhenë ku eshtrat kam, ku hi e tokë e pluhur jam…
Të mbroni Dhenë që e ushqe’ dhe sot si dje; me kurmin tim…
Ta mbroni Dhenë, me zjarr ta mbroni, me gjak ta mbroni. Të derdhni gjakun me grushte plot- po kurrë lot! as sot, as mot!….
Se loti është robëri, Gjaku: Liri!
Jam eshtër-madh e bojalli e me japi, si më sheh ti, si më njeh ti.
Po kam një zemër në gjoksin tim që pa pushim më rreh si Drim. Dhe Babën tim kur e kujtoj Lotoj…. Të pash të vrarë, or Baba, e pa qefin si për hata, rreth e përqark me xhandërma.
Desha të qaj e s’qava dot, e të bërtas, s’bërtita dot. pa asnjë lot, pa asnjë lot.
Dhe prita sot të derdh një lot.
Kënga e pestë: Qëndrimi
Tani, tani, unë jam gati! të vdes që sot- se rroj përmot; mbytyr me gjak por jo me lot, për këtë Dhe që e kam si fe e përmbi fe. E kam Vatan! E kam Atdhe!
Hej! po buças me zë kaba sa të dëgjohet në qiell la sa të dëgjojë fund e krej kush gjak shqiptari ka në dej.
Shaban- vëlla! Destan- baba! Hej!
Komb i lirë kosovar, ti komb shqiptar, ti Zot krenar ti djalëri- ti pleqëri bëju gati! Bëhu gati për vrull të ri; ta djegësh botën ta bësh hi; për Liri! Për Shqipëri!
Tani tani! -O Mal i Zi- ja un, ja ti! Po un- jo ti, se jam këtu kur s’kish njeri dhe as kufi as fqinjëri…
Un jam këtu kur Mal i Zi Me Shumadi, Me Dallmati- Sa mban e gjitha Shqehëri, Ish Iliri! Kur nga një det në tjatrin det isha Zot vet!
Se jam këtu nga moti kur vetë Zoti e bëri fushën – fushë e malin mal.
Un jam këtu e do të jem – dem baba dem- Sa mali të bëhet hi E hiri mal përsëri!
Në pjesën jugore të vendit, nga Vlora në Sarandë, plazhet e mrekullueshme ranore dhe shkëmbore ofrojnë ujëra të kristalta bruz, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen italiane “TgCom24”.
Shqipëria është një nga destinacionet e reja për turizëm veror: lehtësisht e arritshme nga Italia.
Ende e paprekur nga flukset e mëdha turistike – Shqipëria është një destinacion, padyshim ekonomik – me peizazhe mahnitëse, qytete dhe qyteza të lashta plot histori dhe sharm, plazhe që duken si ato të Karaibeve.
Vendi po përgatitet për të përmbushur standardet e mikpritjes të kërkuara nga turizmi i huaj.
Një destinacion ideal për turistët që duan t’i shpëtojnë turmave dhe që kërkojnë autenticitet.
Me detin e saj të bukur, Shqipëria është destinacioni i duhur për pushime verore – tërësisht në det apo natyrë.
BREGDETI JUGOR – Pjesa më jugore e Adriatikut ofron peizazhe natyrore marramendëse, që shtrihen nga Vlora në Sarandë dhe më gjerë – në zonën e Parkut Kombëtar të Qafës së Llogorasë – (pranë Italisë, por ende larg imagjinatës së turistëve) – me male të gjelbra dhe plazhe ranore dhe shkëmbore me det të kristaltë.
Deti në Shqipëri është sinonim i pushimeve me kosto të ulët.
Zona bregdetare, megjithëse e mbushur me turistë në gusht, nuk është prekur ende nga turizmi masiv dhe çmimet e hoteleve dhe restoranteve janë të përballueshme.
Ja disa nga vendet më të bukura:
VLORA, HISTORIA DHE PLAZHET – Vlora është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, e themeluar në shekullin VI para Krishtit me emrin Aulona.
Në vitin 733 u aneksua nga Kostandinopoja: më pas i përkiste Normanëve dhe Mbretërisë së Serbisë nga viti 1345.
Në vitin 1464 u pushtua nga turqit dhe, për një kohë të shkurtër, ishte edhe venedikase.
Jo shumë larg Vlorës ndodhet plazhi i Jalës, i cili ndodhet në jug të qytetit, disa kilometra përtej Drimadhes më të famshme, pranë fshatit Vuno.
Një plazh magjepsës dhe i qetë, me rërë, i lagur nga ujëra të mrekullueshme bruz, me transparencë kristalore.
Drimadhes është magjepsës: një gji i shkëlqyer me rërë të artë – ku mund të ngrini kamping ose të merni me qira një vilë dhe të shijoni një nga perëndimet spektakolare të diellit – karakteristike e kësaj pjese të Shqipërisë.
SHPELLA E PIRATËVE – Plazhi i Livadhit, në rrëzë të kalasë së qytetit, është i rrethuar nga bimësi e dendur dhe mure shkëmbore.
Edhe këtu deti është jashtëzakonisht transparent, dëshmi e një natyre që ruhet ende.
Shumë restorante në Himarë shërbejnë pjata të shijshme dhe të lira me bazë peshku, kallamarësh dhe karkalecash.
Pranë Dhërmiut, një fshat i lashtë plot atraksione me një plazh të mrekullueshëm në formë gjysmëhëne, ndodhen gjiret e vogla dhe të bukura, Plazhi Shkambo, Plazhi Jaliksari dhe Plazhi i Gjipesë, që shtrihen në rreth 2 kilometra.
Ato mund të arrihen me makinë, me varkë ose në këmbë për 15-20 minuta – përgjatë shtigjeve të mbushura me vreshta që lidhin rrugën me bregdetin.
Mos e humbisni Shpellën e Piratëve – që dikur strehonte grabitqarët e detit dhe sot është e famshme për intimitetin e hapësirës së saj.
PLAZHET QË SHOHIN KORFUZIN – Saranda ka një gji të vogël të hapur në jug dhe të rrethuar nga kodra, dhe ishullin grek të Korfuzit pikërisht përballë saj.
Një zinxhir i ngushtë kodrash e ndan atë nga fushat e vendosura në lindje – formacioni kodrinor shtrihet në jug deri në kanalin e Vivarit dhe në veri të qytetit ngrihet deri në 600 metra mbi nivelin e detit.
Në zonën e Sarandës, mos humbisni Ksamilin, një vendpushim turistik në bregdet pranë qytetit të lashtë të Butrintit dhe 17 kilometra nga Saranda – dhe me disa ishuj të vegjël të bukur rreth plazhit madhështor.
Së fundmi, Plazhi i Pulëbardhës, absolutisht ndër më të bukurit në Shqipëri – nga i cili mund të niseni me varkë për të zbuluar dhe shijuar gjiret e mrekullueshme të vogla që shpërndahen në bregdetin aty pranë./atsh/KultPlus.com
Nëse, kur të kem vdekur, dikush ka dëshirë të shkruajë biografinë time Nuk ka asgjë më të thjeshtë. Ajo ka vetëm dy data: atë të lindjes dhe atë të vdekjes sime. Midis njërës dhe tjetrës datë, të gjitha ditët janë të miat.
Është e lehtë ta përcaktosh jetën time. Unë e kam parë botën si një njeri i dënuar. Unë i kam dashur gjërat pa kurrfarë sentimentalizmi. Kurrë nuk pata ndonjë dëshirë që nuk mund ta realizoja, sepse asnjëherë nuk m’u verbua arsyeja. Të kuptuarit e vetes për mua qe gjithmonë veçse të shoqëruarit e të pamit. Unë e kuptova se gjërat janë reale dhe krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra; T’i kuptoje me anë të mendimit, do të thoshte të të dukeshin të gjitha të ngjashme. Një ditë më vuri në gjumë si cilindo fëmijë. Unë mbylla sytë dhe fjeta. Përveç kësaj, unë qeshë poeti unik i Natyrës./KultPlus.com
Në ambientet e ngrohta të Bibliotekës Publike “Mitrush Kuteli” në Pogradec, u zhvillua një takim i veçantë me shkrimtarin dhe historianin e njohur shqiptar, Jusuf Buxhovi. Aktiviteti u organizua nga Qendra Multifunksionale Pogradec dhe mblodhi dashamirës të librit, studentë dhe qytetarë të interesuar për historinë dhe letërsinë shqiptare.
Takimi solli në qendër rolin e shkrimtarit dhe historianit në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe forcimin e identitetit kulturor. Z. Buxhovi ndau me pjesëmarrësit reflektime mbi rëndësinë e leximit dhe të dokumentimit historik, si dhe rrëfime të bazuara në kërkime arkivore dhe përvojën e tij të gjatë krijuese.
Gjatë bashkëbisedimit u lexuan edhe pjesë nga veprat e tij, duke krijuar një atmosferë të pasur dialogu dhe frymëzimi për të pranishmit. Ky aktivitet vlerësohet si një kontribut domethënës për promovimin e dijes dhe nxitjen e leximit në komunitet./KultPlus.com
Treat Williams, aktori më i njohur për rolin e tij në ”Everwood”, ka vdekur në një aksident me motor në moshën 71-vjeçare, më 13 qershor 2023.
”Williams po ngiste motoçikletën e tij në një autostradë të Vermontit kur një makinë i preu rrugën atij teksa po kthehej në Dorset, Vermont”, kishte thënë shefi i zjarrfikësve.
Atë ditë, aktori ishte dërguar në spital me një helikopter, por nuk mundi të shpëtohej.
Nga viti 2002 deri në vitin 2006, Williams drejtoi serialin ”Everwood” në rolin e Andy Brown.
Ai fitoi famë në moshën 28-vjeçare në versionin filmik të ”Hair”, duke fituar një nominim për ”Golden Globe” për ”Yllin më të Mirë të Ri”, dhe vazhdoi me ”Prince of the City” dhe ”Smooth Talk”./KultPlus.com
Java Kulturore Izraelite bëri një mbyllje dinjitoze dhe emocionale me performancën “I carry you hold”, që foli me gjuhën e trupit, ndjesinë dhe praninë.
Në një hapësirë të pakompromis të veprimeve fizike, një grua dhe një burrë u përballën, bashkëjetuan, sfiduan njëri-tjetrin, jo për të fituar, por për të kuptuar.
Kjo performancë, e cila shënoi eventin përmbyllës të Javës Izraelite, ishte një histori për fuqizimin dhe emancipimin e ndërtuar në çdo lëvizje. Artistët realizuan me mjeshtëri një duet dhe detaje që mbajtën pezull vëmendjen e të pranishmëve.
Baleti modern “I carry you hold”, është fitues i çmimit “Best Performance 2022”.
Kjo vepër është një dëshmi e fuqisë së vallëzimit për të rrëfyer histori me ndjeshmëri dhe mjeshtëri.
Në vijim, Javët Kulturore Ndërkombëtare do të sjellin art e kulturë nga Suedia.
Java nga 13-19 qershor do të jetë një javë e pasur me aktivitete që sjellin më të mirën nga arti dhe kultura suedeze./atsh/KultPlus.com
Me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë organizoi dje në Gjenevë, një aktivitet përkujtimor dhe kulturor, duke shfaqur dokumentarin “Kthimi në Kosovë – Një histori lufte, qëndrese dhe ribashkimi”.
Filmi ndjek historinë prekëse të Besnik Deliut, pesëvjeçarit që i mbijetoi masakrës së Abrisë së Epërme në vitin 1998, përmes rrëfimit të gazetarit britanik Julius Strauss dhe pamjeve autentike nga Vaughan Smith.
Pas shfaqjes u mbajt një diskutim me pjesëmarrjen e protagonistit Besnik Deliu, gazetares zvicerane Veronique Pasquier dhe producentes së dokumentarit Lemane Kamberi-Muriqi
Në këtë veprimtari, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë u përfaqësua nga Këshilltarja Monika Zguro dhe Sekretari i Parë, Valon Gashi.
Të pranishmit theksuan rëndësinë e kujtesës historike, të vërtetës dhe drejtësisë për viktimat e luftës në Kosovë.
Dokumentari dhe diskutimi pasues shërbyen si një homazh për sakrificën dhe qëndresën e popullit të Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë. / KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau sot vlerësimet për fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë për vitin 2025.
Mes 19 dorëshkrimeve juria përzgjodhi tri vepra:
“Enigma e Kësulës së Kuqe” me autor Ermir Nika, me motivacionin: “për një lojë intertekstuale postmoderne të përrallës së Kësulkuqes që vjen e dekonstruktuar natyrshëm dhe që nxit më tej kureshtjen dhe imagjinatën e lexuesve të vegjël përmes një rrëfimi të zhdërvjellët dhe domethënës”.
“Iliri dhe Lepurushi zbulojnë kopshtin zoologjik magjik”, me autore Flogerta Krypi, me motivacionin: “për sendërtimin e një përralle edukative që kultivon raporte të gjalla mes fëmijëve dhe botës së kafshëve, për vlerat didaktike në formësimin psikologjik dhe emocional të fëmijëve, që vijnë natyrshëm përmes të gjithë elementeve që përmban libri”.
“Dhjetë pyetjet e Ardenit që pritnin përgjigje”, me autore Raimonda Belli Gjençaj , me motivacionin: “për gjetjen tematike që provokon botën e fëmijëve sot, për një regjistër të hollë humori në rrëfim dhe për jetësimin e vlerave të librit dhe dijes njerëzore tek fëmijët”.
Juria kryesohej nga dr. Albert Gjoka dhe me anëtarë Irena Prici dhe Flori Kasaj. Fondi i Krijimtarisë Letrare për Fëmijë, çdo vit, u jep mundësinë 3 autorëve të letërsisë për fëmijë të botojnë veprat e tyre./ KultPlus.com
Një nga emrat më të rëndësishëm të skenës operistike në botë, sopranoja Marigona Qerkezi realizoi për herë të parë një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Marigona shkëlqeu në koncertin gala të zhvilluar mbrëmë në Tiranë, me fuqinë e një zëri që ngriti në këmbë publikun në sallë.
Nën dirigjimin e maestros së mirënjohur Fabrizio Maria Carminati, me Orkestrën Simfonike dhe Korin, TKOB solli një mbrëmje ku muzika, eleganca dhe emocioni u ndërthurën në mënyrë të paharrueshme.
Koncerti kishte një program të përzgjedhur me vepra nga Puccini, Verdi, Cilea, Dvořák, Bernstein, Lara, Arditi si dhe nga kompozitorët shqiptarë Feim Ibrahimi dhe Avni Mula. Marigona Qerkezi është një nga sopranot më të vlerësuara edhe në nivel ndërkombëtar e që ka ditur të marrë duartrokitjet e gjata të publikut edhe në skenat me prestigjioze në botë.
Marigona Qerkezi është një soprano e lindur në Kosovë dhe e rritur në Kroaci. Që në moshën 6-vjeçare Qerkezi dha shfaqjen e saj të parë në Lubjanë. Ajo është fituese e çmimeve të shumta në garat ndërkombëtare të operës si dhe u nominua nga The International Opera Awards si një yll në ngritje.
Qerkezi ështe diplomuar me diplomë master në Akademinë e Arteve të Prishtinës për Flaut dhe Kanto si dhe ka një diplomë bachelor në Menaxhim Biznesi nga Universiteti Staffordshire në Mbretërinë e Bashkuar./ KultPlus.com
Deputeti kanadez, Yvan Baker riprezantoi në Dhomën e Komunave projektligjin e tij si anëtar privat, i cili, nëse miratohet, do të shpallte muajin nëntor si Muajin e Trashëgimisë Shqiptare në të gjithë Kanadanë.
Baker falënderoi deputetin Peter Fonseca për mbështetjen ndërsa, shprehu shpresën se të gjithë anëtarët e Dhomës së Komunave do ta mbështesin nismën.
“Sot, riparaqita projektligjin tim privat në Dhomën e Komunave, i cili, nëse miratohet, do ta caktojë muajin nëntor të çdo viti si Muajin e Trashëgimisë Shqiptare në të gjithë Kanadanë! Dua të falënderoj deputetin e Mississauga East—Cooksville, Peter Fonseca, për mbështetjen e këtij projektligji dhe shpresoj që të gjithë anëtarët e Dhomës do ta mbështesin atë”, u shpreh baker në një postim në rrjetet sociale.
“Kanadaja është shtëpia e shumë kanadezëve me prejardhje shqiptare. Kanadezët me prejardhje shqiptare kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë një gjurmë historike në Kanada, me kontribute që përfshijnë komunitetet në të gjithë vendin dhe reflektohen në jetën ekonomike, politike, sociale dhe kulturore të Kanadasë”, theksoi ai.
“Nëse miratohet, Muaji i Trashëgimisë Shqiptare do të na jepte një mundësi të veçantë për të njohur kontributet që kanadezët me prejardhje shqiptare kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në Kanada”, shtoi Baker.
Nëse miratohet, Muaji i Trashëgimisë Shqiptare do të shërbente si një mundësi e veçantë për të njohur dhe vlerësuar kontributet e shqiptarëve në shoqërinë kanadeze.
Ruki Kondaj, Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada janë ndër mbështetësit e kësaj nisme./ KultPlus.com
Të enjten mbrëma në restorantin e mirënjohur të Prishtinës, “Simphony”, është mbajtur aktiviteti letrar “Mbrëmja poetike me miqtë e Simfonisë” – edicioni i tretë me radhë.
Në orën letrare shoqëruar me verë dhe tinguj të kitarës, krijimet e tyre i lexuanpoetët: Sali Bashota, Lulzim Tafa, Binak Kelmendi, NaimeBeqiraj, Arben Veselaj, Bujar Tafa, Isuf Hoxha, Jeton Kelmendi,Fadil Bytyqi, Xhemil Bytyqi, Bislim Ahmetaj, Jona Bajraj, kurse përmes linjës telefonike nga Belgjika u paraqit edhe poeti Skënder Sherifi.
Në orën letrare me një interpretim artistik u paraqit edhe aktori i mirënjohur, Luan Daka.
Poeti dhe profesori i letërsisë, Sali Bashota, bashkë me pronarin e “Simphony”-s, Naim Bajraktarin, që janë dhe organizatorët kryesorë të këtij aktiviteti, thanë se “Mbrëmja poetike me miqtë e Simfonisë” në të ardhmen do të shndërrohet në aktivitet të përvitshëm letrar, kur përveç orës letrare, do të ketë edhe aktivitete të tjera letrare.
Ndryshe, restoranti i mirënjohur të kryeqytetit të Kosovës, “Simphony”, është njëri prej vendeve më të frekuentuara nga poetët dhe artistët kosovarë dhe të huaj./ KultPlus.com
Gjatë vizitës zyrtare bilaterale në Japoni, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba.
Presidentja e ka falënderuar kryeministrin Ishiba për mikpritjen e ngrohtë dhe për përkushtimin e tij ndaj thellimit të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.
Gjatë takimit, Osmani dhe Ishiba biseduan për mundësitë konkrete të bashkëpunimit midis dy shteteve, gjersa Osmani theksoi se Kosova mbetet një partnere e besueshme dhe një zë i përkushtuar në mbrojtjen e paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit — vlera që na bashkojnë me Japoninë.
Në këtë frymë, Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, përfshirë përmes investimeve japoneze në industri kyçe. Në këtë kontekst, Osmani foli për rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve ndërmjet bizneseve dhe për heqjen e regjimit të vizave për të gjitha pasaportat e shtetasëve të Kosovës, si mënyrë për ta lehtësuar këtë bashkëpunim, gjersa e falënderoi Japoninë për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave zyrtare dhe diplomatike. Ajo foli edhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të tjera si arsimi, kultura, turizmi dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.
Tutje, në takim, presidentja Osmani theksoi se populli i Kosovës është gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë në çdo etapë të shtetndërtimit tonë. Ajo, po ashtu, foli edhe për rëndësinë e mbështetjes së Japonisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare./ KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kosovës do t’i dorëzojë Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe librat që dokumentojnë rrëfimet autentike të të mbijetuarve të kësaj tragjedie.
Këto botime përmbajnë dëshmi të gjalla dhe rrëfime personale nga të mbijetuarit e masakrës së vitit 1999, një nga krimet më të rënda të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Kompleti prej dhjetë vëllimesh “Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” do t’u dorëzohet familjarëve të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve.
Projekti, i udhëhequr nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfshiu mbledhjen, dokumentimin dhe publikimin e mbi 200 intervistave të dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit.
Ceremonia zyrtare e dorëzimit të librave do të mbahet sot në Muzeun e Krushës së Madhe, me fillim në ora 18:00, dhe organizohet nga Komuna e Rahovecit./ KultPlus.com
Prej janarit të vitit 2024 në studion e digjitalizimit të filmit pranë Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), janë skanuar 330 tituj filmash si edhe mbi 4,620 bobina figurë dhe zë, duke krijuar asete digjitale me cilësi shumë të lartë.
Kjo është hera e parë që Shqipëria ka një studio moderne për digjitalizimin e filmit dhe kjo u bë e mundur përmes fondeve të Bashkimit Evropian, zbatuar nga UNOPS, në kuadër të programit EU4Culture.
Studioja e ngritur në AQSHF po transformon mënyrën si ruhen, restaurohen dhe përcillen veprat e trashëgimisë sonë filmike. Objektivi i AQSHF-së është digjitalizimi i të gjithë fondit prej 4,330 veprash filmike shqiptare.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se mbetet e përkushtuar për të rritur kapacitetet teknike dhe njerëzore në AQSHF, për të garantuar ruajtjen dhe promovimin e kësaj pasurie të çmuar kombëtare./ KultPlus.com
Ka dështuar për të 31-ën herë përpjekja për konsituim të Kuvendit të Kosovës.
Sot në sallë ishin të pranishëm 87 deputetë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se 47 deputetë votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim për Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Seanca u ndërpre dhe e radhës do të mbahet më 15 qershor./ KultPlus.com
Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore kanë vizituar qytetin e Konispolit për të gjurmuar e hulumtuar trashëgiminë kulturore.
Vizitat në terren kanë evidentuar vlerat kulturore që Konispoli mbart. Ato kishin si fokus zhvillimin urban, objektet përfaqësuese të arkitekturës vernakolare si dhe teknikat tradicionale ndërtimore të ruajtura ndër vite.
Materialet e grumbulluara nga specialistet e IKTK do të shërbejnë për studime të mëtejshme me synim propozimin e deklarimit të interesit kulturor të qytetit të Konispolit.
Konispoli është qyteza e vendosur në skajin më jugor të Shqipërisë, e njohur që prej lashtësisë dhe banuar nga fisi i kaonëve.
Vizitorëve iu lë mbresa për qetësinë, ajrin e pastër e panoramën e mrekullueshme. Pranë Konispolit gjendet edhe pika kufitare e doganës së Qafë Botës, një portë nga e cila qyteti mirëpret jo vetëm emigrantët e ardhur nga Greqia, por edhe turistët, të cilët kanë interes të njohin këtë vend të vogël.
Konipoli njihet gjithashtu për trashëgiminë kulturore siç është vendbanimi antik i fortifikuar i Çukës së Ajtoit./ KultPlus.com
Vullkani Kilauea në Hawaii ka shpërthyer për të 25-ën herë që nga dhjetori i vitit të kaluar, duke nxjerrë kolona gjigante lavash të nxehta, hiri dhe tymi.
Vullkani konsiderohet si një nga vullkanet më aktivë në botë. Magma e shkrirë që del nga krateri arrin një lartësi prej mbi 100 metrash.
Shpërthimi i mëparshëm i madh ishte më 26 maj, kur lava arriti një lartësi deri në 300 metra./ KultPlus.com
UNI – Universum International College ka kënaqësinë të njoftojë lansimin e programit profesional në Inteligjencë Artificiale – Niveli V me mundësi transferi në BA në vitin e tretë, të Akredituar nga Pearson, institucioni më i madh i akreditimit profesional në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky program inovativ është pjesë e ofertës së zgjeruar akademike të UNI, dhe synon të përgatisë gjeneratën e re të profesionistëve të teknologjisë në Kosovë dhe më gjerë, përmes një qasjeje praktike dhe të orientuar drejt aftësive të kërkuara në tregun ndërkombëtar të punës.
Çfarë përfiton nga ky program?
Aftësi të avancuara në fusha si Inteligjenca Artificiale, Machine Learning, Data Science dhe Automatizimi,
Qasje në materiale të përgatitura sipas standardeve të industrisë globale të teknologjisë,
Mësimdhënie praktike nga profesionistë vendorë dhe ndërkombëtarë të fushës,
Mundësi për punësim të shpejtë apo vazhdim të studimeve në universitete ndërkombëtare të teknologjisë.
Ky program është i krijuar për ata që dëshirojnë të futen shpejt në tregun e punës me njohuri konkrete dhe të aplikueshme në teknologjitë më moderne, pa kaluar domosdoshmërisht nëpër rrugën tradicionale të studimeve universitare.
Partneritet strategjik me Arizona State University, universiteti më inovativ në SHBA,
Lidhje të fuqishme me industrinë dhe qasje në praktika profesionale,
Ambient modern mësimor dhe mbështetje për zhvillim të karrierës,
Edukim ndërkombëtar, në Kosovë.
UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i njohur si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.