Nëse, kur të kem vdekur, dikush ka dëshirë të shkruajë biografinë time Nuk ka asgjë më të thjeshtë. Ajo ka vetëm dy data: atë të lindjes dhe atë të vdekjes sime. Midis njërës dhe tjetrës datë, të gjitha ditët janë të mijat. Është e lehtë ta përcaktosh jetën time. Unë e kam parë botën si një njeri i dënuar. Unë i kam dashur gjërat pa kurrfarë sentimentalizmi. Kurrë nuk pata ndonjë dëshirë që nuk mund ta realizoja, sepse asnjëherë nuk m’u verbua arsyeja. Të kuptuarit e vetes për mua qe gjithmonë veçse të shoqëruarit e të pamit. Unë e kuptova se gjërat janë reale dhe krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra; T’i kuptoje me anë të mendimit, do të thoshte të të dukeshin të gjitha të ngjashme. Një ditë më vuri në gjumë si cilindo fëmijë. Unë mbylla sytë dhe fjeta. Përveç kësaj, unë qeshë poeti unik i Natyrës. /KultPlus.com
Papritmas sot kam brenda një ndjesi absurde dhe të drejtë. Kuptova, me një ndriçim të fshehtë, se jam askushi. Askush, absolutisht kurrkush. Në shkreptimat e llampës ai që pandehja ish një qyetet na qenkesh një djerrinë e shkretë; dhe drita sinistre që më zbuloi vetveten nuk më zbuloi asnjë qiell mbi të. Më kanë vjedhur të egzistuarët para se të egzistonte bota. Nëse kam qenë i detyruar të rimishërohem, jam rimishëruar pa veten me vete, pa u rimishëruar. Unë jam rrethina e një qyteti inegzistent, parathënia e stërzgjatur e një libri të pashkruar. Jam askush, askush. Nuk di me ndie, nuk di me mendue, nuk di me dashtë. Jam një figurë e një romani ende për m’ u shkrue, që kalon ajrore dhe e fletëzuar pa pasë patur një realitet, mes ëndrrave të dikujt që s’ ka ditur me më plotësue.
Mendoj vazhdimisht, ndjej vazhdimisht; por mendimi im është i pa gjykim, emocioni im i pa emocion! Nga një e çarë atje lart, po bie hapësirës së pafund, në një rënie pa drejtim, të pambarimtë dhe boshe. Shpirti im është një maëlstrom i zi, një marramendje e zgjeruar përreth boshllëkut, lëvizje e një oqeani pa kufij përreth një vrime në hiç, dhe në ujrat, që më shumë se ujra janë turbina, vozisin imazhet e asaj çka kam pa e ndie në botë: vorbullisen shtëpi, fytyra, libra, arka, jehona muzikash dhe copa zërash në një turbinë sinistre e pa fund.
Dhe unë, tamam unë, jam qendra që egsiston vetëm prej një gjeometrie të abisit; jam hiçi përreth të cilit kjo lëvizje rrotullohet, si e qëllimshme në vetvete, me atë qendër që egziston vetëm se çdo rreth duhet të ketë një qendër. Unë, bash unë, jam pusi pa parete por me rezistencën e pareteve, qendra e gjithshkahes me hiçin përreth. Dhe brenda meje duket se ferri qesh, pa të paktën njerëzishmërinë e djajve që qeshin, marrëzinë e shpupëluar të universit të vdekur, kufomën rrotulluese të hapësirës fizike, fundi i të gjithë botëve që pluskon errësisht në erë, patrajtë, jashta kohe, pa një Zot që ta ketë krijuar, pa as edhe vetveten që po sillet nëpër hijet e hijeve, e pamundur, unike, gjithshkahe. Me dijtë me mendue! Me dijtë me ndie! Nëna më ka vdekur shumë herët, dhe unë s’ e kam njohur… /KultPlus.com
Nuk dua trëndafila, deri sa t’ketë trëndafila. I dua veç kur nuk mund t’i kem ato. Çfarë të bëj me gjëra të tilla, që mund t’i mbledhë kushdo?
E dua natën veç pse agu e hollon dritën në ar dhe në blu. Ajo që shpirti im e injoron është ajo që do të doja ta kisha këtu.
Pse? Nëse do ta dija s’do të shkruaja kot vargje për të thënë atë që akoma nuk e di. E kam shpirtin të shkretë dhe të ftohtë… Ah me çfarë lëmoshe ta ngroh tani?…