Kuvendi i Kosovës miraton Projektligjin për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta

Me asnjë votë kundër, Deputetët e Kuvendit të Kosovës, miratuan Projektligjin për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, dhe 27 amandamentet e këtij ligji.

Pas rekomandimeve dhe pajtimit të të gjitha komisioneve parlamentare, Kuvendi i Kosovës, me 65 vota pro kaloi në lexim të dytë projektligjin në fjalë.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Kulturës, Ardian Gola, arsyetoi para deputetëve rëndësinë e votimit të këtij ligji, pasi që adreson çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e autorit dhe krijimtarinë artistike. Ai informoi deputetët e Kuvendit të Kosovës se të gjitha aspektet procedurale dhe dëgjimet publike si dhe komentet për këtë ligj janë marrë në konsideratë dhe janë trajtuar siç duhet.

Përmes projektligjit ndër të tjera do të:

  • sigurohet një nivel i lartë i mbrojtjes të të drejtave të autorit, krijimtarisë shkencore e artistike;
  • rregullohet statusi i Task Forcës kundër Piratërisë;
  • ofrohet mundësia e zgjidhjes së kontesteve në të drejtën e autorit përmes mjeteve alternative si ndërmjetësimi dhe arbitrazhi.

Ministri Hajrulla Çeku falënderon të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës për votimin e këtij projektligji. / KultPlus.com

HRN dënon ashpër gjuhën poshtëruese të përdorur nga deputetja Valentina Bunjaku – Rexhepi

Rrjeti i Organizatave për të Drejtat e Njeriut (HRN) dënon ashpër gjuhën poshtëruese të përdorur dje, me datë 22 qershor 2023, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës nga deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi, njëherit dhe anëtare e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

Përgjatë seancës së djeshme, gjatë një diskutimi për financat publike, deputetja e LDK-së, Bunjaku-Rexhepi, me qëllim të nënçmimit të deputetit Adnan Rrustemi, përdor fjalën “magjup” ndaj ti. Gjuha pezhorative e përdorur në Kuvendin e Kosovës dje, shpërfaq një qasje ofenduese, fyese dhe poshtëruese të deputetës ndaj komuniteteve jo-shumicë në Kosovë dhe një qasje e tillë është jo vetëm e papranueshme, por edhe e dëmshme kur bëhet pjesë e diskursit publik nga përfaqësues të popullit.

HRN ka parë me shqetësim edhe mos-reagimin ndaj një gjuhe të tillë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Konjufca dhe deputetëve të tjerë prezent, që në njëfarë mënyre legjitimon një zhargon të tillë në një institucion publik kaq të rëndësishëm.

Për më tepër, praktika të tilla të përdorimit të gjuhës diskriminuese dhe përhapjes së urrejtjes nga foltorja e Kuvendit të Kosovës janë bërë të shpeshta dhe një praktikë e tillë është e rrezikshme dhe ka një efekt afatgjatë në cenimin e dinjitetit dhe integritetit tek komunitetet e margjinalizuara në Kosovë si dhe mund të shkaktojë margjinalizim të mëtejshëm të grupeve ose individëve të caktuar.

HRN i bën thirrje kryeparlamentarit Glauk Konjufca që në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës të dënoj gjuhën diskriminuese të përdorur në Kuvendin e Kosovës, të marr masa administrative ndaj deputetës në fjalë sipas asaj që e përcakton rregullorja e punës së Kuvendit dhe njëkohësisht të bën thirrje për ndërgjegjësim për të gjithë deputetët që të ndalojnë diskriminimin, gjuhën e urrejtjes dhe racizmin ndaj komuniteteve jo-shumicë dhe qytetarëve të Kosovës. / KultPlus.com

Shfaqja “Babai dhe Babai” do të jepet në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Për të shënuar Ditën Kombëtare për Personat e Zhdukur me Dhunë, 27 prillin, shfaqja ‘Babai dhe Babai’ do të jepet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përcjell KultPlus.

Ky aktivitet organizohet nga Ministria e Drejtësisë, Kuvendi i Kosovës dhe Integra.

Shfaqja ‘Babai dhe babai’ me skenar nga Jeton Neziraj dhe regji të Kushtrim Koliqit është ndër shfaqjet më të suksesshme të kohëve të fundit e cila u shpërblye edhe me disa çmime nëpër festivale.

‘Babai dhe babai’ sjell bashkë në skenë aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi.

“Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë…

Kjo është një dramë për ata që duam t’i mbajmë afër… dhe i mbajmë! Pavarësisht palumturisë që na përplaset në fytyrë si ujë i ftoftë, pavarësisht ëndrrave që na e kujtojnë realitetin e vetmisë. Është një dramë për vetminë e thellë e për mërzinë që kullon dhimbje./ KultPlus.com

Miratohet në parim koeficienti 105 euro, sonte leximi i dytë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim ndryshimet në Ligjin për ndarjet buxhetore, përkatësisht koeficientin në vlerë prej 105 eurosh për pagat në sektorin publik.

Miratimi në parim i këtij koeficienti u bë me 63 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim.

Ndërsa, me propozim të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, për mocion procedural për shmangie nga afatet e Rregullores për shqyrtimin e projektligjit në lexim të dytë, kuvendi vendosi që ky projektligj të shqyrtohet në lexim të dytë sonte prej orës 20:00, raporton KP.

Deputeti Armend Muja, ka lexuar propozimin e LVV-së, për mbajtjen e seancës sonte prej orës 20:00.

“Pas miratimit në lexim të parë, amendamentet në Projektligjin për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2023 mund t’i adresohen komisionit funksional deri në orën 19:00 të datës 09.02.2023. Komisionet parlamentare deri në orën 19:30 të kësaj date duhet ta shqyrtojnë Projektligjin dhe raportet me rekomandime dhe ia paraqesin Komisionit funksional. Shqyrtimi i dytë i këtij projektligji të bëhet në seancë të re plenare të datës 09.02.2023 duke filluar nga ora 20:00”, tha Muja. / KultPlus.com

Miratohet Ligji për Zyrtarët Publikë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 58 vota për, zero kundër dhe 4 abstenim kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

62 deputetët kanë marr pjesë në votim.

Në mesin e deputetëve të LVV-së, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka abstenuar për këtë Projektligj.

Mirëpo, kundër miratimit të këtij kanë dalë PDK, LDK dhe AAK.

Sipas tyre, ky Projektligj është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për administratën publike.

Me procedurë të përshpejtuar, deputetët e Kuvendit të Kosovës po e shqyrtojnë në lexim të dytë edhe Projektligjin për Pagat. Mes kritikave dhe vërejtjeve opozita ka kërkuar që mos të miratohen me nguti këto dy projektligje, ndryshe sipas tyre mund të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese. /KultPlus.com

Kuvendi i Kosovës shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të rinjtë u takuan me krerë e përfaqësues të shtetit të cilët folën për hapat dhe angazhimin e tyre drejt funksionalizimit dhe përmirësimit të mirëqenies së të rinjve të Kosovës.

Grupi i deputetëve të rinj në krye me Agon Batusha, shpalosën idetë për përfshirjen e sa më shumë organizatave të shoqërisë civile nën ombrellën e tyre, pasi që sot dhanë edhe lajmin për të rinjtë që nga një grup jo formal i deputetëve të rinj ata janë pranuar si Grupi i Deputetëve të Rinj të Kosovës, të cilët njëherit kanë punuar në një plan të veprimit dhe funksionimit të tyre në shoqëri e që pretendojnë të shtrihen edhe nëpër komunat e Republikës së Kosovës.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, ministri i administrimit të pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrja Daulina Osmani, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe të rinj e të reja nga e gjithë Kosova.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, e uruan Ditën Ndërkombëtare të Rinisë dhe theksuan angazhimin e lartë për të tashmen e të ardhmen e rinisë, ndërkaq zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, duke përmendur se talentët e rinj të sportit dhe artit e vendosën Kosovën në hartën e shteteve të suksesshme, ftoi të rinjtë të marrin pjesë në aktivitetet e muajit të rinisë duke nisur nga sot e deri më 31 gusht, ku me iniciativë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim partnerët vendorë e ndërkombëtarë kanë organizuar një mori aktivitetesh sportive, kulturore e rekreative nëpër Kosovë.

Gjatë kësaj ngjarjeje, u hap edhe panairi i iniciativave rinore të Republikës së Kosovës, ku shumë organizata rinore kishin përmbledhur aktivitetet e tyre dhe patën rastin ta prezantojnë para të gjithë të pranishëmve punën dhe angazhimin përgjatë këtyre viteve. /KultPlus.com

Nënshkrimet për tërheqjen e parave nga Trusti dorëzohen sot në Kuvend

Organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit sot do të dorëzojnë në Kuvendin e Kosovës nënshkrimet e mbledhura në të gjitha komunat e Kosovës përmes së cilave kërkojnë të bindin ligjvënësit që t’ju plotësohet kjo kërkesë.

Lajmi është dhënë nga Adnan Jashari, një prej përfaqësuesve të grupit, të cilët më parë kanë organizuar edhe protesta duke kërkuar lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Ata do të priten edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili personalisht por edhe partia që përfaqëson është kundër një tërheqjeje të dytë të Trustit.

Në seancën parlamentare të 23 qershorit pas një debati të ashpër ndërmjet pozitës dhe opozitës, nuk kaloi projektligji që mundëson tërheqjen e një përqindje të caktuar nga Trusti.

Nga 102 deputetë të pranishëm në sallë, 44 patën votuar “për”, 57 “kundër” dhe 1 “abstenim”.

Qeveria dhe mazhoranca në Kuvend të Kosovës nuk e kanë mbështetur projektligjin në fjalë për tërheqjen e 10 deri 30 përqind të mjeteve, ku iniciues i kësaj nisme ligjore, ishte deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Para dy vitesh ishte lejuar tërheqja e menjëhershme dhe e parakohshme e 10% të kursimeve pensionale. Sipas të dhënave, asokohe ishin tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues. / KultPlus.com

MD-ja paralajmëron ridërgimin në Kuvend të Projektkodit Civil

Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka paralajmëruar se do ta ridërgojë Projektkodin Civil në Kuvend.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kjo ministri tha se është në pritje të vendimit të Kuvendit për mosmiratimin e Kodit gjatë seancës së 16 marsit.

Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë Projektkodin Civil në leximin e parë pasi disa deputetë, në pushtet dhe opozitë, e kundërshtuan nenin, i cili do t’i hapte rrugë hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

Ministria nuk dha më shumë detaje se a do ta ndryshojë Projketkodin, apo do ta riprocedojë të njëjtin.

Sekretari i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, Ismet Krasniqi, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se rregullorja aktuale e Kuvendit të Kosovës nuk e ndalon që i njëjti tekst i Projektkodit të procedohet, si dhe nuk ka kufizime në afatin kohor për procedim.

Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se Ministria e Drejtësisë, për të ridërguar projektligjin për shqyrtim edhe miratim në Kuvend, i ka dy mundësi në dispozicion, por që të dyja nënkuptojnë që projektligji duhet të miratohet.

“Të rishikojë projektligjin, të bëjë ndryshimet e nevojshme dhe ta riprocedojë për miratim; si dhe të qartësojë pikën apo nenin-et që janë kontestuese nga ana e deputetëve, të bëjë presionin e nevojshëm politik (kushtimisht) për të marrë përkrahjen e deputetëve për nenet që janë kontestuar ata dhe të vazhdojë për miratim”, tha Marmullakaj për Radion Evropa e Lirë.

Për këtë projektkod votuan 28 deputetë, kundër ishin 29, 4 kanë abstenuar, kurse 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.

Disa deputetë, në fjalimet e tyre gjatë seancës së mbajtur më 16 mars në Kuvendin e Kosovës, derisa po diskutohej për Projektkodin Civil, e konsideruan të papranueshëm lejimin e “bashkësive civile”.

Deputetja Labinote Demi-Murtezi nga Lëvizja Vetëvendosje, deklaroi se “standardi i moralit shoqëror në vendin tonë e dikton si të pranueshme vetëm martesën e gjinive të kundërta, çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral”.

Muajin e kaluar, udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë, Bashkësisë Islame, Kishës Katolike, Kishës Protestante Ungjillore dhe Bashkësisë Hebraike, kanë bërë thirrje që në Projektkodin Civil të mos bëhen ndryshime në përkufizimin dhe interpretimin për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve.

Ndërsa të enjten, disa qytetarë dhe pjesëtarë të komunitetit LGBTI kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj mosmiratimit të Projektkodit Civil. Protestuesit e dënuan edhe gjuhën e përdorur nga deputetët gjatë seancës së Kuvendit. /REL/ KultPlus.com

Nuk miratohet Kodi Civil për martesat e gjinisë së njëjtë

Dështon të miratohet Projektkodi Civil.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ia kanë dhënë dritën e gjelbër Projektkodit Civil, në seancën e së mërkurës.

Në momentin e votimit në sallë ishin të pranishëm 77 deputetë, prej të cilëve 16 nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Nga 61 deputetë sa kanë votuar, 29 ishin kundër, 28 për dhe 4 abstenime. / KultPlus.com

Kurti bën thirrje që të votohet Kodi Civil: Të gjithë jemi të barabartë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje në Kuvendin e Kosovës që të votohet Kodi Civil, shkruan KultPlus.

Gjatë ditës së sotme në Kuvend po diskutohet për Projektkodin Civil, ku kryeministri ka bërë thirrje që të votohen ky ligj, pasi është e drejtë e garantuar nga natyra.

“Të drejtat e njeriut janë të secilit njeri. Gjithsecili është krijesë e Zotit dhe e natyrës. Këtë e thotë edhe Kushtetuta jonë dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut. Ju ftoj ta votoni atë”, tha Kurti. /KultPlus.com

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne për të shënuar Epopenë e UÇK-së

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të veçantë solemne në nderë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Me fillim nga ora 12:00, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të marrin pjesë në një seancë solemne të përvjetshme tanimë.

Presidentja Vjosa Osmani përmes zyrës për media ka konfirmuar pjesëmarrjen, derisa një gjë të tillë do ta bëjë edhe Albin Kurti.

Në anën tjetër, deputetët serbë të Kuvendit zakonisht kanë braktisur dhe nuk kanë qenë prezent në këto seanca.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, sulmi nga agresori serb mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj. /KultPlus.com

Kuvendi mban nesër seancë, në rend dite rezoluta e Kuvendit për mbështetjen e Ukrainës

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër seancë nga ora 10:00.

Në njoftim është bërë e ditur se në rend dite do të jetë “Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus”.

“Pas dakordimit midis grupeve parlamentare, në seancën e nesërme të Kuvendit të Republikës së Kosovës (3 mars 2022), e cila do të fillojë në orën 10:00, pikë e rendit të ditës do të jetë edhe “Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus””, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Kuvendi i Kosovës mban sot seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme lidhur me paralajmërimet për shtrenjtimin e faturës së energjisë elektrike, shkruan KultPlus.

Kjo seancë është thirrur nga partitë opozitare, të cilat kundërshtuan fuqishëm mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi për rikthimin e bllokut B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MW.

Në rend dite është vetëm një pikë, debat parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe seanca është paraparë që të fillojë nga ora 12:00. /KultPlus.com

Mes sfidave të shumta dhe procesve jetike, Kuvendi i Kosovës ka mbushur 20 vite

Kuvendi i Kosovës u themelua më 10 dhjetor si institucioni më i lartë ligjvënës dhe përfaqësues i vendit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se gjatë këtyre dy dekadave institucioni ligjvënës ka kaluar nëpër sfida të shumta, por edhe ka marrë vendime jetike.

“Duke e vënë transparencën ndër prioritetet kryesore në veprimtarinë ditore të tij, Kuvendi ka konsoliduar raporte të ngushta partneriteti me shoqërinë civile dhe u ka dhënë mediave gjithë hapësirën e nevojshme, bazuar në standardet ndërkombëtare për hapje dhe transparencë”, shkruan mes tjerash Konjufca.

Kosova ka arritur që përmes këtij Kuvendi ta jetësoi aspiratën e popullit të Kosovës dhe më 17 shkurt 2008 të miratojë simbolet shtetërore dhe të shpallë pavarësinë e saj. /KultPlus.com

Viti 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar rezolutën e propozuar nga deputeti Fetah Rudi, që viti 2022 të shpallet vit i personave me aftësi të kufizuara, shkruan KultPlus.

Drejtori i Handikosit, Afrim Maliqi, është shprehur shumë i lumtur për një gjë të tillë, ku edhe ka falënderuar Kuvendin e Kosovës që miratoi një rezolutë të tillë.

Me shpalljen e vitit 2022, Ministritë, Organizatat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe shoqëria në përgjthësi synojnë të mobilizojnë resurset e tyre për të trasuar rrugën për një Kosovë pa pengesa dhe për të fuqizuar personat me aftësi të kufizuara, në mënyrë që ata të mund të gëzojnë të drejta të barabarta dhe të marrin pjesë plotësisht në të gjitha sferat e shoqërisë.

“Objektiv kryesor gjatë vitit të ardhshëm pa dyshim do të jetë që Kosova të përparojë drejt garantimit të të drejtave për të gjithë personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, pavarësisht gjinisë, origjinës racore ose etnike, fesë ose besimit, moshës apo orientimit seksual”, shkruan Maliqi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

Motoja e kësaj rezolute është ‘’Mundësi të barabarta për të gjithë!’’ dhe misioni i saj pritet të vazhdojë tutje.

HandiKOS përfaqëson dhe përkrahë personat me aftësi të kufizuar përmes avokimit dhe lobimit. /KultPlus.com

No photo description available.